Nga Belina Budini
Pjesa e dytë
Memorie.al / Të shkruara në kohën e reflektimit dhe të distancimit të tij nga Stalini, në kujtimet e Nikita Hrushovit, zë një vend të rëndësishëm edhe kapitulli për Shqipërinë. Kur shkruante këto kujtime, Hrushovi kishte mundur të perceptonte se kush kishte qenë në të vërtetë Stalini, me të cilin kishte qenë shumë i afërt, por që siç shkruan vetë, nuk kishte arritur ta njihte para vdekjes, përmasën e krimeve të tij të tmerrshme. Shqipëria në këtë kohë ishte divorcuar me sovjetikët dhe ishte hedhur në prehrin e Kinës. Këto janë ankorime kohore që Hrushovi i jep vetë gjatë kujtimeve të veta, ndërsa në “Kujtimet” shqip, të përkthyera nga Nikolla Sudar dhe të botuara nga “Ombra Gvg”, nuk ka asnjë informacion për kohën dhe rrethanat kur Nikita Hrushov i mbajti këto kujtime.
“Shqiptarët dolën të humbur nga prishja me Bashkimin Sovjetik”
“Liderët shqiptarë e përqafuan me dëshirë politikën antisovjetike, të cilën e kishte shpallur Mao Ce Duni. Nuk ishte e nevojshme që të nxiteshin, sepse, nisur nga situata e rrezikshme që u krijua për ta pas Kongresit XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ishin përgatitur për të jo më pak se kinezët.
Ata e kuptonin se ku përmblidhej esenca e goditjes ndaj kultit të individit: ajo drejtohej kundër pushtetit personal, kundër normave antidemokratike të jetës në parti dhe në mbarë vendin. Kjo gjë nuk trembi vetëm liderët shqiptarë, por edhe më gjerë…!
Por demokratizimi nuk përputhej sigurisht me veprimtarinë praktike të Hoxhës, Shehut dhe Ballukut. Kur midis nesh u acaruan marrëdhëniet dhe më pas ato kaluan në armiqësi, te ne rendën disa shokë shqiptarë, të cilët, duke hedhur lot, na tregonin hollësisht se çfarë situate ishte krijuar në vendin e tyre dhe ku ishin katandisur…! Mënyra e tyre i ngjante shumë mënyrës që zbatonte Stalini.
Kjo situatë i shkaktua në Shqipëri nga frika e demokratizimit të vendit, nga frika e demokratizimit të jetës shoqërore dhe politike, rrugë të cilën unë e quaja të pashmangshme. Pikërisht për këtë shkak, midis nesh ndodhi prishja e marrëdhënieve. Nëpër cilat etapa kaloi prishja? Para së gjithash ne u informuam se shqiptarët po zhvillojnë bisedime me kinezët, të drejtuara kundër Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe partive të tjera motra.
Fakte të tjera më parë nuk kishim. Në këtë kohë nga Kina nëpërmjet Bashkimit Sovjetik, po kthehej një delegacion shqiptar. Në Komitetin tonë Qendror erdhi një shqiptare, grua shumë e ndershme. Mendoj se tashmë të gjorën e kanë zhdukur.
Gestapo nuk kishte arritur ta asgjësonte, ndërsa “vëllezërit” i lanë hesapet me të dhe e eliminuan, sepse si një komuniste e sinqertë erdhi te ne në Komitetin Qendror, dhe na tregoi se për çfarë kishin biseduar kinezët me delegacionin shqiptar dhe se si këta të fundit ishin marrë vesh me ta.
Nisur nga naiviteti ynë, sapo e morën vesh këtë gjë, rendëm te Mehmet Shehu, që atëherë kurohej te ne në spital. Atij i treguam gjithçka dhe e pyetëm sesi ishte e mundur që në Kinë të zhvilloheshin bisedime të tilla. Në të vërtetë Shehu largua me ngut nga spitali dhe po në atë çast fluturoi drejt Shqipërisë. Shkëputja përfundimtare ndodhi në Kongresin e radhës të Partisë Komuniste të Rumanisë…!
Tani nuk më kujtohet emri i përfaqësuesit të Partisë së Punës së Shqipërisë në Kongresin e Bukureshtit. Ndërkohë unë e pyeta atë: “Si është puna? Ai m’u përgjigj: Shoku Hrushov, edhe unë vetë nuk po kuptoj gjë, por kam marrë direktivën të mbështes kinezët”…! Dhe kur në vitin 1960 u mblodhën në Kremlin për një këshillim të të gjitha partive komuniste dhe të partive të tjera motra, Hoxha mbajti një fjalim me akuza antisovjetike. Ai na tregoi dhëmbët më fort sesa vetë kinezët…!
Liderët shqiptarë, me metodat e tyre të ekzekutimeve të fshehta dhe të hapura, krijuan një partie, e cila mbahej e bashkuar vetëm nga frika. Ata nuk mund të pranonin vendime të Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, sepse në luftën kundër PKBS-së, ashtu si edhe kinezët, ngritën lart emrin e Stalinit. Stalini- ja ideali i vërtetë për ta!…
Kjo natyrisht ishte tragjedia e vërtetë e popullit shqiptar. Nuk e di që shqiptarët të kenë dalë të fituar nga e tëra kjo, por unë kam mendimin se kanë dalë të humbur: “Ne ua ndërpremë atyre të gjitha ndihmat dhe grisëm të gjitha marrëveshjet….”!
Konflikti për nëndetëset që mund të kishte hapur luftë mes BS-së dhe Shqipërisë!
Nikita Hrushov tregon edhe një episod nga konflikti i fundit i Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë. “Ne i dhamë asaj 12 nëndetëse, siç kam thënë dhe kur marrëdhëniet tona u acaruan. Ne vendosëm t’i merrnim të tëra nëndetëset, si edhe pajisjet që i shoqëronin ato. Shqiptarët e kundërshtuan këtë gjë.
Më duket se në tri nëndetëse ekuipazhi ishte tërësisht shqiptar, në një apo dy ishte i përzier. Ne mundëm të heqim tetë apo nëntë nëndetëse dhe tri apo katër mbetën në Shqipëri. Madje prisnim edhe veprime agresive nga ana e shqiptarëve, prandaj kur i tërhoqëm nëndetëset, anijet tona luftarake, nuk më kujtohet se sa, ndodheshin afër brigjeve të Shqipërisë për të ndërhyrë po ta lypte nevoja.
Në rast se autoritetet shqiptare do të përpiqeshin t’i mbanin nëndetëset tona me forcë, atëherë anijet tona luftarake, do t’i kërcënonin ata”. Ai i mbyll kujtimet për Shqipërinë, duke shtuar se ky episod shënoi edhe prishjen e plotë me Shqipërinë.
Nikita Hrushov për Enver Hoxhën: “Karakter i ashpër, zemërak”!
Duke folur për refuzimin që i bënë udhëheqësit e shtetit shqiptar dhe të Partisë së Punës së Shqipërisë, propozimeve të Bashkimit Sovjetik për normalizimin e marrëdhënieve sovjeto-jugosllave, Nikita Hrushov shkruan në kujtimet e tij se pala shqiptare, shprehu një duf keqdashës.
“Veçanërisht u zemërua Enver Hoxha. Ai ka karakter të ashpër dhe kur flet për atë që nuk i pëlqen, fytyrën sikur ia kap ngërçi dhe gati sa s’kërcet dhëmbët”, – e përshkruan zemërimin e diktatorit shqiptar Hrushovi.
Nikita Hrushov për trojkën Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Beqir Balluku: “Treshja që kryente krime të llahtarshme”!
Në kujtimet e tij për Shqipërinë, Nikita Hrushov flet edhe për atë që ai e quan trojka e udhëheqësve shqiptarë dhe që përbëhej nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Beqir Balluku. Hrushovi shkruan se Tito i kishte treguar se drejtuesi kryesor i Partisë Komuniste të Shqipërisë, kishte qenë një shok shumë i mirë, të cilin e njihnin dhe e mbështesnin jugosllavët dhe që vinte nga radhët e klasës punëtore dhe ishte ky organizatori i vërtetë i Partisë Komuniste të Shqipërisë.
“Por Hoxha, Shehu dhe Balluku organizuan një komplot kundër tij, madje flitej se personalisht Shehu e kishte mbytur këtë njeri. Pa kaluar shumë kohë, ne u informuam edhe për raste të tjera të llahtarshme: dikë e mbytën dhe dikë tjetër e vranë fshehurazi. Atje zbatohej një sistem i tillë: nëse dikush gabonte dhe këtë e konstatonin Hoxha, Shehu dhe Balluku, atëherë të tre bashkë jepnin ndëshkimin.
Mjaftonte që të tre të ishin të një mendje se ky njeri ishte i dëmshëm dhe ata e gjenin mënyrën sesi ta zhduknin fshehurazi, prandaj ky njeri zhdukej pa vonesë. E tëra kjo i ngjante shumë mënyrës që zbatonte Stalini. Nëpërmjet Berias dhe personave të tjerë të tillë, ai arriti të asgjësonte shumë njerëz të ndershëm”, – shkruan Hrushovi.
Hrushovi për librin e Boris Pastërnakut: “Nuk ia fal vetes që ndalova ‘Doktor Zhivagon’”
“Duke kujtuar fatin e librit “Doktor Zhivago”, nuk ia fal vetes që ai u ndalua te ne. Unë jam fajtor se nuk veprova ashtu si me librin “Fletorja e kaltër”. Dallimi (ndonëse nuk më justifikon dot) qëndron në faktin se unë e kisha lexuar “Fletoren e kaltër”, dhe se e kisha pikasur me sytë e mi budallallëkun e censurës. Unë kërkova prej saj që të sqarohej Presidiumi i Komitetit Qendror.
Por ata u treguan të lëkundur, madje qesharakë dhe ne pa shumë mundim, e eliminuam manovrimin e tyre policesk. Ndërsa “Doktor Zhivagon” unë nuk e kisha lexuar, madje, askush në udhëheqje nuk i kishte të hedhur të paktën një sy. Ne e ndaluam librin, duke i besuar atij që ishte i ngarkuar me detyrën për të vlerësuar veprat artistike. Pikërisht ky ndalim na solli shumë të këqija, duke e dëmtuar direkt Bashkimin Sovjetik”.
Hrushovi për Stalinin: “Nuk dëgjonte askënd, veç vetes”!
Shumë njerëz pyesin sesi ka qenë Stalini si njeri, cilat ishin veset dhe stili i tij i të drejtuarit. Në mendjen e shumë njerëzve qytetarëve zotërojnë paqartësi lidhur me Stalinin, sepse për të flitet edhe mirë, edhe keq. Kështu ka qenë e kështu do të mbetet, ka të ngjarë, për shumë personalitete historike.
Konkluzionet e mia mbështeten mbi një afërsi të ngushtë dhe të gjatë me Stalinin si para, gjatë dhe pas luftës. Unë kam mundur të vëzhgoj se si i vlerësonte ai ngjarjet e ndryshme, veprimet e veta dhe rolin personal në luftë…!
Stalini mbetet marksist në parim, por jo në vepra konkrete dhe po të përjashtojmë mosbesimin e tij të sëmurë, egërsinë dhe pabesinë, ai e analizonte situatën saktë dhe kthjellët…!
Pikëpamja, sipas së cilës vetëm personaliteti i Stalinit e nxori vendin nga kriza dhe se ushtria fitoi si rezultat i udhëheqjes gjeniale të tij, është plotësisht e pathemeltë. Ushtria do të kishte fituar edhe pa Stalinin, madje edhe me më pak humbje…!
Në parim, Stalini u mbeti besnik ideve të socializmit, por në natyrën e vet ai ishte diktator, ishte njeri që nuk dëgjonte dhe nuk kishte dëshirë të dëgjonte asnjërin përveç vetes së vet. Kjo ishte veçanti e personalitetit të tij.
Nëse një tipar i tillë është në natyrën e njeriut të vogël, vuajnë familja dhe fqinjët. Por kur ajo është cilësi e personit që zë një post të lartë, atëherë vuan populli…!
Të tërë njerëzit që nuk ishin të një mendimi me të, Stalini i etiketoi “armiq të popullit”, që dëshironin të kthenin rregullat e vjetra. Gjë për të cilën “këta armiq”, paskëshin hyrë në aleancë me reaksionin ndërkombëtar. Për këtë arsye u ekzekutuan disa qindra mijëra njerëz të ndershëm…! /Memorie.al