Dashnor Kaloçi
Pjesa e gjashtë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën ‘Tepër sekret’ të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) ku ndodhen proces-verbalet e takimeve të delegacionit të lartë partiak e shtetëror të Republikës Popullore të Shqipërisë, i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, me delegacionin e lartë të Republikës Popullore të Kinës, i kryesuar nga kryetari i komisionit ushtarak pranë Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, Je Çen Ji, ku u diskutuan probleme të karakterit ushtarak, si dhe delegacioni i kryesuar nga ministri i Tregtisë, Kiço Ngjela, me delegacionin kinez të kryesuar nga kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Kinës, Çu En Lai, ku u diskutuan probleme të karakterit ekonomik, pasi Shqipëria kishte nevoje emergjente për drithëra buke, por qeveria kineze nuk mund t’i ndihmonte dot, pasi si rezultat i thatësirës, ata nuk kishin realizuar dot planet dhe po blinin grurin që francezët e kishin importuar nga amerikanët! Dokumentet e panjohura që publikohen për herë të parë me proces-verbalet e plota të dy takimeve të zhvilluar në Pekin më datën 7 nëntor të vitit 1972, ku nga ana e delegacionit ushtarak shqiptar të kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku (ku merrnin pjesë të gjithë drejtorët e drejtorive dhe shefat e llojeve të ndryshme të armëve të ushtrisë shqiptare), u kërkua që qeveria kineze të ndihmonte ushtrinë shqiptare, me armatime të të gjitha llojeve, duke filluar nga: armët e lehta të këmbësorisë (pushkë), artileri kundërajrore, tokësore dhe bregdetare, tanke, mjete të blinduar, anije, silurë për flotën luftarake detare, armë kimike, pajisje dhe material xheniere, ndërlidhje, radio-lokacioni, mjete autotransporti, avionë dhe helikopterë, uzina të industrisë mekanike për riparimin e tankeve dhe transportuesve të blinduar, municione luftarake dhe lëndë plasëse, material prapavije etj., pasi sipas ministrit Balluku, ushtria shqiptare ndodhej në një gjendje mjaft të vështirë nga ana e armatimeve, sepse ajo dispononte armatime të Luftës së Dytë Botërore, të cilat i kishin sjellë sovjetikët që në vitet ’50-të.
Fondi: KOMITETI QENDROR I PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË
Marrëdhëniet me Partinë Komuniste të Kinës
Përmbajtja: TAKIMI I PARË I DELEGACIONIT USHTARAK TË RPSH (TË KRYESUAR NGA BEQIR BALLUKU) ME SHOKËT KINEZË JEH ÇEN JI, LI TEN SHEN, DHE XAN CAJ ÇIEN, DATË 7 NËNTOR 1972. BËHET FJALË: MBI MIQËSINË E BASHKËPUNIMIN LUFTARAK MIDIS DY PARTIVE, POPUJVE, DHE USHTRIVE TONA. MBI POZICIONIN GJEOGRAFIK TË SHQIPËRISË KU KRYQËZOHEN INTERESAT E PAKTEVE AGRESIONE TË NATO DHE TRAKTATIT TË VARSHAVËS, QËLLIMET SHOVINISTE E ANEKSIONISTE TË SHTETEVE QË NA RRETHOJNË. MBI MASAT E MARRA NGA PPSH, PËR MBROJTJEN E VENDIT DHE PARAQITJEN E DISA KËRKESAVE PËR FORCIMIN E MBROJTJES.
TAKIMI I PARË PLENAR I DELEGACIONIT TONË ME SHOKËT KINEZË, DATË 7.11.1972
Fjala e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, në takimin me delegacionin kinez në Pekin, 7 nëntor 1972
Balluku: Ne, kemi mungesa furnizimi në qytete, në artikuj ushqimorë si bukë, vaj, mish, sheqer, etj.
Por me gjithë këtë neve, aktualisht nuk jemi në gjendje të përballojmë nevojat, sepse kemi kërkesa të mëdha për importim ushqimesh për popullsinë, të cilat kërkojnë valutë. Ne, kemi mungesa furnizimi në qytete, në artikuj ushqimorë si bukë, vaj, mish, sheqer, etj. Në sistemin e furnizimit tonë, nuk e përfshijmë fshatin, dhe për këtë gjë partisë i vijnë dhe reklamime. Si rezultat i kësaj situate dhe i kësaj gjendjeje, ne në drejtim të sigurimit material, pajisjes dhe furnizimit të ushtrisë me materiale prapavije nga vendi, si për ushtrinë e kohës së paqes ashtu dhe për atë të kohës së luftës, kemi vështirësi dhe mungesa të mëdha. Pajisja dhe furnizimi i ushtrisë me materiale prapavije, nuk i përgjigjet kërkesave të luftës së gjatë popullore në front të rregullt, dhe në prapavijat e armikut. Ajo, nuk i përgjigjet kërkesave të terrenit të vendit tonë, klimës, kushteve atmosferike, etj.
Disa nga këto dobësi në drejtim të sigurimit material të ushtrisë, i kanë nxjerrë në shesh dhe stërvitjet e ndryshme që kemi zhvilluar në shkallë operative gjatë 3-4 viteve të fundit, në kushte të ndryshme terreni dhe klime. Këto stërvitje, treguan se veshmbathja e trupave, struktura ekzistuese e sigurimit me ushqime të përpunuara nga industria jonë, si dhe pajisjet e shtabeve, nuk sigurojnë ushtrinë qoftë dhe në shkallën më minimale të dëshirueshme. Duke u nisur nga faktorët e përmendur, si dhe nga gjendja aktuale ekzistuese e prapavijës së ushtrisë sonë ne, e kemi konsideruar të nevojshme që për prapavijën të përfshijmë në listë-kërkesë disa materiale kryesore. Sigurimi i ushqimit për ushtrinë në kohë mobilizimi, për një periudhë lufte njëvjeçare, përfshin produkte të ndryshme ushqimore si: grurë 75.000 ton, fasule dhe oriz 25.000 ton, yndyrna 6.000 ton, dhe mish konservë mbi 7.000 ton. Këto kontingjente ushqimore, brenda mundësive tuaja, ne kemi menduar që të na sigurohen brenda 5 vjetëve.
Ne kemi nevojë për fabrika të artikujve ushqimorë dhe veshmbathje për ushtrinë
Gjithashtu, duke u nisur nga mundësitë e sigurimit për zëra e artikuj, mund të bëhen dhe zëvendësime. Dihet se në të kaluarën nga RP e Kinës, ne kemi marrë një sasi artikujsh ushqimorë si: grurë 50.000 ton, sheqer 5.000 ton, dhe oriz 5.000 ton, por theksojmë se pjesën kryesore të rezervës së grurit, kemi qenë të detyruar ta harxhojmë për ushqim për popullsinë, si rezultat i kushteve atmosferike të disfavorshme të bujqësisë sonë gjatë këtyre dy-tre viteve të fundit. Gjithashtu neve mendojmë që të ndihmohemi me lëndë të parë për kompletimin dhe hapjen e ushtrisë për kohë mobilizimi me veshmbathje, baras me 350.000 komplete (veshje të jashtme, të brendshme, dhe këpucë lëkure). Neve gjithashtu, e shohim të domosdoshme t’ju parashtrojmë kërkesën që të na ndihmoni, duke na dhënë një punëtori për konfeksionimin e veshmbathjesh ushtarake, si dhe një punëtori për prodhimin e këpucëve me metodë vulkanizuese. Kjo metodë, do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së prodhimit të këpucëve të cilën, ne sot e bëjmë në mënyrë artizanale të prapambetur.
Gjithashtu, ne kemi nevojë të madhe për një fabrikë për konservimin e ushqimeve, si dhe një fabrikë për konservimin e ushqimeve si dhe një fabrikë për sigurimin e barnave që i nevojiten ushtrisë. Për të përmirësuar sigurimin material të ushtrisë në kohë paqeje, që përbën bazën e përgatitjes edhe të kontingjenteve të mëdha të rezervistëve të kohës së mobilizimit, të cilat kryejnë stërvitje njëmujore, propozojmë që gjatë 5 vjetëve, 1973-1978, ekonomia jonë të vihet në kushte për të përballuar nevojat, RP e Kinës të na furnizojë me 50 përqind të sasisë së ushqimeve dhe veshmbathjeve, në bazë të normave ekzistuese të ushtrisë sonë. Shënoj, se një marrëveshje të tillë, ne e kemi pasur me Bashkimin Sovjetik, që në vitin 1949 dhe u ndërpre në vitin 1961, po nga sovjetikët, për arsye që dihen.
Shokë, Të gjitha pikat që preka në këtë ekspoze të shkurtër të përfshihen në listë-kërkesat të cilat, ne jemi gati t’i dorëzojmë. Dihet, se protokoll-marrëveshjet midis nesh për furnizimin e ushtrisë sonë, përfundojnë në fund të vitit 1972. Ne, mendojmë që për pajisjen në të ardhmen të ushtrisë sonë, mbasi t’i kemi diskutuar e shoshitur së bashku këto kërkesa dhe t’i kemi përputhur ato, me mundësitë tuaja të përfundojmë marrëveshjen e re me afat 5 vjeçar, d.m.th. 1973-1977. Duke u nisur nga ky propozim i yni, neve kërkesat i kemi ndarë e i kemi llogaritur ndër vite. Këtë propozimin tonë, t’a diskutojmë e ta harmonizojmë, lidhur edhe me mundësitë tuaja. Dua të nënvizoj dhe njëherë shokë, se këto kërkesa që shtrojmë, i kemi matur e i kemi peshuar gjatë, por neve jua shtrojmë juve shokëve e bashkëluftëtarëve tanë, sepse sigurimin e tyre, mund ta bëjmë vetëm nga Republika Popullore e Kinës dhe nga askush tjetër. Duke përfunduar, shpreh bindjen e thellë se kërkesat tona, do të shihen kurdoherë nga Partia, Këshilli i Shtetit, dhe Ushtria Popullore Çlirimtare kineze seriozisht, dhe në përputhje me mundësitë do të gjendet rrugët e zgjidhjes, në mirëkuptim vëllazëror si kurdoherë. Ne, jemi të bindur se atë që do të keni dhe dispononi ju, do ta kemi dhe disponojmë edhe ne.
Ju faleminderit për vëmendjen
Proces-verbali i takimit dhe bisedimeve të delegacionit shqiptar me në krye ministrin e Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, me kryeministrin kinez, Çu En Lai, në Pekin, më 7 nëntor 1972
Fondi: KOMITETI QENDROR I PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË
Marrëdhëniet me Partinë Komuniste të Kinës
Përmbajtja: TAKIMI I DELEGACIONIT USHTARAK TË RPSH (TË KRYESUAR NGA BEQIR BALLUKU) DHE TË DELEGACIONIT TREGTAR SHQIPTAR (TË KRYESUAR NGA KIÇO NGJELA) ME KRYETARIN E KËSHILLIT TË SHTETIT TË RP TË KINËS, ÇU EN LAI, DATË 7 NËNTOR 1972. BËHET FJALË: MBI PLOTËSIMIN NGA REPUBLIKA POPULLORE E KINËS, TË KËRKESËS SONË PËR DRITHËRA, NDIHMËN QË I JEP VIETNAMIT, DHE EKSPORTET QË BËN NGA FRANCA. MBI KUJDESIN QË DUHET TREGUAR, PËR PROBLEMET E BUJQËSISË, RRITJEN E RENDIMENTEVE, DËRGIMIN E NJERËZVE NGA QYTETI NË FSHAT. MBI KËRKESAT E PARAQITURA NGA RPSH PËR HIDROCENTRALIN E KOMANIT, METALURGJINË, ZGJERIMIN E UZINËS SË BALLSHIT, DHE TEC TË FIERIT. MBI VEPRIMTARINË KOMPLOTISTË E TRADHTARE TË LIN BIAOS. MBI PRANIMIN E RP TË KINËS NË OKB, DHE ZGJERIMIN E MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE ME SHUMË VENDE TË BOTËS.
TAKIMI I DELEGACIONIT TONË USHTARAK ME SHOKUN ÇU EN LAI, DATË 7.11.1972
Në këtë takim nga ana jonë, merrnin pjesë shokët e delegacionit tonë ushtarak, dhe shokët e delegacionit tregtar me shokun Kiço Ngjela në krye.
Nga pala kineze në këtë takim ishin shokët: Jeh Çen Ji, Li Sien Nien, Xan Caj Çien, Zv Ministri i Punëve të Jashtme, Zv Ministri i Tregtisë së Jashtme, Zv Ministri i Marrëdhënieve Ekonomike me botën e jashtme, përfaqësues të Komisionit të Planit të Shtetit, përfaqësues të ushtrisë e të pushtetit.
Shoku Çu En Lai: Jam shumë i gëzuar që që sot takohemi së bashku me ju shokë. Ju, kaluat nga Lindja e Mesme për në Urumçi?! E meta kryesore e Urumçit, është që aeroportin, e ka shumë larg nga qyteti. Kur të mbarojë së ndërtuari aeroporti i ri, do të hapet linja e re, sepse tani është shumë larg, më tepër se 70 km.
Shoku Beqir Balluku: Shoku Sej Fu Din, më tha se për një muaj, aeroporti i ri mbaron.
Shoku Çu En Lai: Faza fillestare, mundet që të mbarojë, kurse i kompletuar me të gjitha pajisjet, mund të përfundojë nga fundi i vitit. Shoku Kiço Ngjela, ka vendosur që të iki nesër dhe më ka dhënë ‘ultimatum’ lidhur me ikjen e tij, apo jo shoku Kiço?! Sa ton grurë doni të merrni?! Pse shpejtoheni?! Unë, i komunikova shokëve, që t’i thonë shokut Kiço, se ai do të largohet nga Kina, kur të vijë shoku Beqir në datën 6.11.1972. Këto, i them për shaka. Çështja e bukës, është çështje urgjente që duhet zgjidhur. Kryetari Mao, ka thënë se uria nuk pret. Sivjet ne, nuk kemi pasur prodhime të mira bujqësore, kemi marrë 4 përqind më pak se vitin e kaluar. Besoj se si përqindje e kemi më të ulët se tuajën. Tek ne, në prodhimin e drithërave përfshihet dhe patatja e ëmbël. Ju të dy e dini, kurse shokët e tjerë po e mësojnë tani.
Gjatë një dekade 1962-1972, kemi pasur vazhdimisht rritje në prodhimin e drithërave, mesatarisht kemi marrë 5 përqind më shumë. Vetëm sivjet ndodhi ky fenomen që ne, kemi marrë më pak i cili, ndikon negativisht në furnizimin e qytetit me prodhime bujqësore. Kemi pak rezerva të shpërndara në të katër anët e vendit, që nuk mund ti prekim prandaj detyrohemi që të importojmë drithëra nga jashtë. Kur blejmë për veten tonë, le të marrim dhe për Shqipërinë. Është bukë e popullit kjo dhe me atë nuk bëhet shaka. Tek ne një vend të madh zë eksporti, d.m.th. furnizimi me drithë, sepse përveç jush, ne ndihmojmë edhe Vietnamin pasi atje, ka pasur shumë dëmtime për shkak të bombardimeve të mëdha që janë bërë nga ana e amerikanëve. Ata, kanë minuar gjithë bregdetin madje dhe grykëderdhjet e lumenjve të vegjël. Gjithashtu edhe rreth e përqark ishujve, kanë vënë mina. Vietnamezët, drithin që ju dërgojmë ne e marrin me varka të vogla, por shumë prej tyre dëmtohen nga bombardimet. Me anije, nuk ka qenë e mundur që të furnizohen sepse ka shumë vështirësi. Po atëherë si mund të veprojmë?!
Ne e fusim bereqetin, në thasë plasmasi dhe e hedhim në ujë, me qëllim që ta marrin vietnamezët. Por, nuk mund të hedhim gjithmonë me saktësi nëpër vendet e caktuara. Sepse kanë ndodhur ndonjëherë që ato, kanë shkuar edhe në jug, deri në Filipine. Nuk kemi si t’ja bëjmë, por nuk mund të rrimë pa i ndihmuar. Edhe sovjetikët, thanë që do e ndihmojnë Vietnamin me drithë, por deri tani u kanë dhënë vetëm gjysmën, dhe atë në cilësi të keqe. Vitin që vjen vietnamezët, nuk mund të kenë shpresa tek sovjetikët, pavarësisht nëse do të ketë luftë ose jo. Për sigurimin e bukës, më parë duhen marrë masa për shkëmbimin e mallrave, duke eksportuar oriz e duke importuar drithëra. Tani janë rritur çmimet e drithit. Kanadaja p.sh., i ka rritur çmimet. Vetëm SHBA, i ka çmimet e drithërave më të ulta. Megjithatë ne vendosëm të blejmë drithë jo nga SHBA, por nga Franca.
Kur ne kishim përfunduar kontratën me Francën, morëm vesh që ky grurë që do të merrnim nuk ishte francez por amerikan, gjë e cila u deklarua dhe në shtypin francez. Ne, u thamë francezëve që përse nuk na keni thënë që ky grurë, është amerikan?! Për këtë arsye e prishëm kontratën. Më vonë ne përsëri, filluam bisedimet me francezët, dhe përsëri u botua në shtyp që Kina ka blerë nga Franca, grurë amerikan. Ne, u thamë përsëri francezëve që përse e keni botuar në shtyp që Kina, ka blerë grurë ?! Ata, na kërkuan të falur. Për të importuar drithë, duhen mjete transporti, ky problem nuk është i lehtë. Me shtetet imperialiste ne, bëjmë tregti blejmë dhe avionë, dhe materiale të tjera. Dikur shoku Mehmet na ka thënë që edhe në Rinas, mund të ulet “Boingu” amerikan, prandaj ne blejmë 10 copë të tillë dhe në linjën e re Pekin-Tiranë, do të vëmë të tillë avionë. Ju lutem, transmetojani këtë shokut Mehmet.
Shoku Beqir Balluku: Do t’ja transmetoj shokut Mehmet, këtë porosi tuajën. Avionët “Boing” janë të mirë.
Shoku Çu En Lai: Edhe “Viskonti” gjithashtu është shumë i mirë. Sovjetikët, kanë marrë kopjen e “Viskontit” për të prodhuar avionin e tyre, por nuk u ka dalë me sukses avioni IL-62. Kam marrë vesh se dy-tre avionë, u janë rrëzuar prandaj, është në rrezik udhëtimi me atë tip avioni. Me këta avionë, nuk duhet udhëtuar. Mirë që nuk u rrëzua edhe Niksoni pasi dhe ai, udhëton me të tillë avionë. Për udhëtimin tuaj me IL-62, jam interesuar shumë. U kam dhënë disa herë porosi shokëve tanë të aviacionit që të ishin të kujdesshëm, me qëllim që të mos ndodhte ndonjë ngjarje. Mesa jam informuar dhe ju shoku Beqir, keni pasur fatkeqësi për prodhimin e drithërave këtë vit. Prandaj ne do t’ju ndihmojmë. Sa do të merrni shoku Kiço?!
Shoku Kiço Ngjela: Jua kam paraqitur, shokëve tuaj kërkesat tona.
Shoku Çu En Lai: Merreni gjithë grurin sipas kërkesës suaj, kurse oriz jo, pasi vietnamezët kanë nevojë më shumë për oriz se, nuk e hanë bukën.
Shoku Kiço Ngjela: Faleminderit shoku Çu En Lai, për këtë ndihmë.
Shoku Çu En Lai: Gruri është kryesori, pasi është buka e popullit. Çështja është se me problemet e bujqësisë duhet të merremi seriozisht, duhet t’i kushtojmë vëmendje asaj. Tek ne, ka popullsi të madhe, ka tokë shumë, por rendimenti mesatar nuk është aq sa duhet. Në disa vende si në Pekin, Hanxhoi, etj., rendimentet janë të mira. P.sh. në Shangai, prodhimi i orizit ka qenë 90 kv. për ha. Ky është rendiment i mirë, por sikur të kishim kudo rendimente të mira ne, do ta kishim zgjidhur përfundimisht problemin e bukës. Ne parashikojmë që në të ardhmen, të kemi rendiment më të lartë. Popullsia shtohet, prandaj kur shtohet popullsia, duhet shtuar dhe sipërfaqja e tokës prodhuese. Toka, duhet të sistemohet që të mos gërryet nga erozioni. Ne parashikojmë që në fund të shekullit të XX, të sigurojmë 40 kv. për ha. atëherë, do të kemi një rendiment mesatar dhe do të plotësojmë në vend nevojat tona. Sigurisht që mund të ketë dhe rendimente më të larta. Por nuk mund të them që ne, jemi keq.
Ne kemi ecur përpara, por në raport me popullsinë që kemi ne, jemi sërish prapa. Ne si prodhim kemi shumë, madje më shumë se disa shtete të tjera të botës. Por në krahasim me popullsinë, kemi akoma deficite, dhe nuk i plotësojmë nevojat. Nuk është e lehtë puna e bujqësisë, prandaj duhet patur kujdes gjatë fushatave si, gjatë mbjelljes, vaditjes, prashitjes, etj. Kur ka mundësi dhe për dy prodhime, edhe këtë duhet ta bëjmë, p.sh., pas grurit të mbillet misër. Në Shangai ne këtë e arrijmë. Ju shoku Beqir, do të shkoni në Shangai dhe do ta shikoni vetë. Sot, është 55 vjetori i fitores së Revolucionit të madh Socialist në Rusi. Por sot Bashkimi Sovjetik është një vend revizionist, dhe ka kaluar në një rrugë me zik-zake. Për bujqësinë atje, nuk tregohet asnjë përkujdesje, sepse po krijohen kopshtet personale. Ky, është një mësim i madh për ne. Ata, harxhojnë shuma të mëdha për armët bërthamore, jo në miliona, por në miliarda. Ata, nuk kujdesen për jetën e njerëzve, dhe në industrinë e lehtë dhe bujqësi janë akoma prapa. Edhe amerikanët, bëjnë harxhime për armët bërthamore dhe satelitët, por kanë një bazë të mirë në bujqësi dhe industri. Vendi juaj është i vogël, por kështu siç jemi të dy bashkë ne jemi të fortë. Unë disa herë kam biseduar me shokët tanë për vendin tuaj. Megjithatë nuk mund të them se e njoh mirë bujqësinë e Shqipërisë. Sidoqoftë rendimentet e ulta si tek ne, ashtu edhe tek ju, kanë si shkak mungesat në punë sepse ne nuk u bëjmë të gjitha shërbimet agro-teknike. Nëse do të punohet deri në atë shkallë sa të mënjanohen fatkeqësitë e natyrës, gjendja do të përmirësohet prandaj na del për detyrë të punojmë sa më shumë që të rrisim rendimentin, ndryshe do ta kemi pisk në kohë lufte. Tani kjo është një nga punët më të mëdha që ne kemi bërë që të ecim përpara. Një çështje tjetër, është që të mobilizojmë qytetarët për të shkuar në fshat. A nuk është dhe tek ju ky problem?!
Shoku Beqir Balluku: Sigurisht që po.
Shoku Çu En Lai: Unë, kam parë një film tuajin me titull “Plagë të vjetra”. Në këtë film tregohej për një familje që u caktua të shkonte në fshat dhe ku burri ishte i gatshëm, por nguronte gruaja dhe ajo me vështirësi në fund u bind që të shkojë. Natyrisht që kjo gjë, nuk është e lehtë. Edhe tek ne ndodh ky fenomen. Çdo vit, ne dërgojmë me mijëra njerëz nga qyteti në fshat. Edhe tek ju, duhet bërë një gjë e tillë. Nuk duhet grumbulluar popullsi e shumtë nëpër qytete. Në rast lufte milicia popullore, organizohet më mirë në fshat se në qytet. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016