Dashnor Kaloçi
Memorie.al /publikon historinë e panjohur të shqiptarëve, të cilët gjatë periudhës së pushtimit gjerman të vendit, u arrestuan dhe u internuan në kampet e përqendrimit, që ata kishin ngritur në Jugosllavinë e asaj kohe, si në Prishtinë, Zemun dhe Banicë afër Beogradit, ku në atë kohë vuajtën dënimin rreth 500 shqiptarë. Dëshmitë e rralla të Beqir Ramazan Xhepës, njërit prej të paktëve shqiptarë që mbijetuan nga kampet naziste të shfarosjes, i cili tregon për udhëtimin sfilitës të burgosurve shqiptarë me kamionët ushtarakë në itinerarin: Tiranë, Elbasan, Strugë, Manastir dhe nga aty me tren për në kampin e Zemunit që ndodhej në periferi të Beogradit. Si trajtoheshin të burgosurit shqiptarë, jugosllavë dhe grekë në atë kamp, nga kushtet çnjerëzore të jetesës, ushqimit dhe epidemive me sëmundjet ngjitëse ku vdiqën 130 shqiptarë, te torturat që i’u bëheshin aty dhe emrat e atyre shqiptarëve që bashkëpunuan me gjermanët në dëm të bashkatdhetarëve të tyre?!
Kështu dëshmonte në mes të tjerash, Beqir Ramazan Xhepa, i cili ka qenë një prej atyre të mbijetuarve të pakët që arritën të shpëtonin gjallë nga ato kampe të tmerrshme. Edhe pse ai kishte qenë korrier i Qemal Stafës dhe shtëpia e tyre në qendër të Tiranës ishte një nga bazat më të fuqishme ku strehoheshin disa prej krerëve kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, Beqir Xhepa u burgos katër herë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe bashkë me të edhe pjesëtarët e tjerë të familjes, si babai, xhaxhai, vëllai i tij etj, ku disa vdiqën nën tortura apo mbetën të gjymtuar përjetë nga trajtimi çnjerëzor që i’u bë në hetuesi. Ai dëshmon një nga historitë më të dhimbshme dhe tragjike të shqiptarëve, që vuajtën në kampet naziste të përqendrimit, si: Zemuni, Banica, Mathauzen, Gusen, Ebensee, Melk, etj., ku ai ka vuajtur personalisht, pasi ishte arrestuar nga forcat gjermane, kur ai ishte duke dërguar një letër në Çetën e Pezës në vitin 1943.
Zoti Beqir, sa shqiptarë kanë qenë në kampet naziste të përqendrimit e shfarosjes në masë, ku ju keni vuajtur nga viti 1943 që u arrestuat e deri në 9 majin e vitit 1945-së, që u liruat pas ndërhyrjes së anglo-amerikanëve në kampin e Mauthauzenit?
Nga ish të internuarit në kampet naziste të përqendrimit, si në Jugosllavi ku shquheshin Banica dhe Zemuni, ashtu dhe në Austri, ku spikasnin Mauthausen, Gusen, Ebensee, Melk, etj., kanë qenë me dhjetëra shqiptarë, numri i të cilëve arrin në 517 persona. Nga të gjithë këta të internuar në këto kampe, unë vetë kam arritur që të mbledh emrat e 132 personave, prej të cilëve vetëm 24 u kthyen gjallë në Shqipëri.
Si mbërritën të burgosurit shqiptarë deri në ato vende të largëta, ku nazistët kishin ngritur kampet e përqendrimit?
Porta e parë e të burgosurve shqiptarë, që ishin arrestuar nga gjermanët dhe do të internoheshin në kampet e tyre nëpër Europë, ka qenë kampi i Prishtinës dhe më pas kampet e Zemunit dhe Banicës në Jugosllavi. Ndër të burgosurit shqiptarë, që kanë vuajtur në ato kampe, kanë qenë shokët e mi: Avdulla Krutani, Leonidha Heba, Hamdi Tafmizi, Mihal Marto, Andon Leonidha, Mihal Konomi, etj. Në kampin e përqendrimit të Zemunit në Jugosllavi, të burgosurit shqiptarë kanë qëndruar në shtatë grupe, nga të cilët tre grupe ishin nga Vlora, një grup nga Elbasani, një grup nga Kavaja, një grup nga Tirana dhe një grup nga Durrësi. Grupi i parë nga Vlora kishte shkuar aty. që në shtator të vitit 1943 dhe pas dy javësh, aty shkoi përsëri një tjetër grup po nga Vlora. Në dhjetor të vitit 1943, aty shkuan dhe grupet nga Tirana, Elbasani dhe Kavaja, ndërsa i fundit ishte grupi nga Durrësi.
Prej sa të burgosurish përbëheshin këto grupe dhe si u realizua udhëtimi për në ato kampe?
Çdo grup kishte mesatarisht 80 deri në 100 vetë. Pra gjithsej në Zemun u grumbulluan afro 500 e ca shqiptarë. Itinerari i nisjes për në Zemun ishte nga Tirana në Elbasan, më pas për në Strugë dhe për në Manastir (Bitola). E gjithë kjo rrugë, bëhej me makina (kamionë ushtarakë) ku çdo makinë, kishte 6 deri 8 ushtarë SS të Gestapos me automatikë dhe që ishin gati, për të tërhequr gishtin. Ndërsa të burgosurit ishin të lidhur dy e nga dy. Nga Manastiri për në Zemun, udhëtimi bëhej me tren. Vagonat ishin për mallra ose më mirë të themi për kafshë, por ishin kthyer për të burgosurit dhe ato kishin një dritare të vogël, të siguruara me hekura. Në çdo vagon futeshin zakonisht 40 të burgosur, ndërsa udhëtimi për në Zemun zgjati 6 ditë. Të burgosurit humbnin ndjenjat nga ky udhëtim torturues dhe i lodhshëm. Kush mund të kishte ndonjë jorgan ose batanije nga shtëpia dhe mund të flinte, por më gjithë atë, gjumi nuk e merrte nga të ftohti që të hynte në palcë, ndërsa shumica nga ne nuk kishin asgjë.
Gjatë atij udhëtimi si trajtoheshin të burgosurit?
Ushqimi për çdo person, për të 6 ditët ishte 500 gr. bukë dhe 500 gr. perime. Veç të tjerave, të burgosurit vuanin shumë të ftohtit. Në vagonët e transportit nuk kishte vend për të qëndruar as ulur, kështu që të burgosurit rrinin në këmbë ose e bënin me radhë për tu ulur 10 e nga 10. Gjatë atij udhëtimi sfilitës, ne na u thante buza për një pikë ujë. Kështu që në këtë gjendje të rraskapitur, pa ngrënë dhe pa pirë, të lodhur dhe pa gjum, vazhdimisht nën kërcënimin dhe goditjet e kondakëve të pushkëve, udhëtuam 6 ditë dhe net. Aty nga mesnata arritëm në Zemun, dhe nga stacioni i trenit, deri në kamp duhet të ecje së paku, një orë në këmbë. Pas një ore, të burgosurit arritën tek porta e kampit, ku shkruhej “Kush hyn brenda, i gjallë nuk del, veçse e pret vdekja”.
Si e kujtoni ju kampin e Zemunit?
Kampi i Zemunit ndodhej në periferi të Beogradit, 4 km. larg në veri të tij, përtej lumit Sava. Madje, një pjesë e kampit që kufizohej me lumin, ishte e rrethuar në disa radhë telash me gjemba. Kampi ishte në një territor prej 2 km. katror, ku çdo 100 metra kishte një bunker dhe në të qëndronin rojet gjermane, të armatosur. Gjithsej ishin 40 bunkerë të tillë dhe po aq roje me mitraloz. Afër kampit ndodhej ura e lumit Sava, që lidhte Beogradin me Zemunin. Ajo mbrohej nga disa topa kundër-ajrorë të vendosura në hyrje dhe në dalje të urës. Kampi përbëhej prej 6 kazermave të mëdha, ku ishte llogaritur që në çdo kapanon, të banonin 3 mijë të burgosur, d.m.th. gjithsej kapaciteti i kampit, ishte për afro 20 mijë të burgosur. Dy nga këto kazerma ishin të mbushura, njëra me të burgosur meshkuj dhe tjetra me femra. Tek femrat ndodheshin dhe dy gra shqiptare nga Elbasani, nënë e bijë, Katina dhe Leni Dilo. Kazermat ku strehoheshin meshkujt e kalonte kapacitetin e tyre, sepse aty ishin mbi 5 mijë të burgosur.
Prej sa trupash dhe rojesh gjermane sigurohej ai kamp?
Për ruajtjen dhe mbrojtjen e kampit, ndodheshin gjithsej 500 trupa SS dhe të Gestapos. Kampi i Zemunit ishte një ndër më të mëdhenjtë dhe më të tmerrshmit, që nazistët kishin ngritur në Ballkan, madje nga rrezikshmëria në shumë pika i’a kalonte dhe atyre të quajtura kampe ose të klasifikuara “kampe të kategorisë së parë, të dytë apo të tretë”, me përjashtim, që këtij kampi i mungonte dhoma e gazit dhe krematorit.
Sa ushqim u jepej të burgosurve në kamp?
Ushqimi ishte 200 gr. bukë në ditë dhe gjysëm litri supë, prej lëkurave të patateve, pasi patatet i hanin ushtarët SS-të, si dhe lëng gruri pa yndyrë. Fjetja ishte e tmerrshme në bokse prej dërrase, pa shtresë dhe mbulesë, 100 vetë në çdo kat të boksit. Ambientet për të kryer nevojat personale, nuk kishte, këto kryheshin nëpër kova, zbrazeshin nëpër gropa të mëdha, në oborrin e kampit. Higjena ishte në kushte të tmerrshme. Ujë për të pastruar nuk kishte, pisllëku ishte i madh, morrat na mbulonin dhe i mbytën të burgosurit. Të gjitha këto i bashkëngjiteshin torturave, që të dërgonin drejtë një vdekjeje të sigurt.
Kishte raste sëmundjesh apo epidemi?
Aty u përhapën sëmundjet siç ishte dizenteria, tifoja e morrit etj. Çdo ditë vdisnin 30-40 të burgosur, ose mund të themi mesatarisht 2-3 shqiptar në ditë. Të burgosurit e vdekur i futnin në një gropë të përbashkët të madhe. Në këtë kamp vdiqën gjithsej rreth 130 shqiptarë, sigurisht ky ishte fillimi, pasi akoma fiziku nuk ishte dobësuar shumë, sepse ishin muajt e parë të internimit, në një kamp të tmerrshëm siç ishte ai i Zemuni. Një natë të linin në një kazermë të madhe të boshatisur për të fjetur dhe të nesërmen të bashkonin me shokët (të burgosurit e tjerë). Por nga të ftohtit e madh ne nuk flinim, të gjithë natën e kalonim duke ndenjur dhe duke thyer bokset, për të bërë zjarr për ngrohje.
Kishte Serbë që bashkëpunonin me nazistët në kampin e Zemunit?
Bashkë me nazistët gjermanë, aty kishte dhe serbë, siç ishin dy kriminelët e njohur të kampit, çetnikët serb, të quajtur: Bane dhe Milorad, të cilët i urrenin shumë shqiptarët dhe u thërrisnin “Arnaut”. Të dy kishin qenë partizanë, komandantë batalionesh. Ishin kapur nga gjermanët dhe kishin tradhtuar, duke pranuar të bashkëpunonin me ta. Me qindra të burgosur kishin gjetur vdekjen, nga të rrahurat dhe torturat e tyre. Si këta, kishte dhe mjaft të tjerë në kamp, që kishin hyrë në shërbim të SS-ve. Fatkeqësisht ndër ta kishte dhe shqiptarë që bashkëpunuan me nazistët në dëm të bashkatdhetarëve të tyre.
Cilët ishin ata?
Bashkë me serbët që përmenda më lart, vinte dhe kapoja i shqiptarëve i quajtur Thanas nga Vlora, i cili ishte përgjegjës ose “kapoja i shqiptarëve” dhe në atë kohë ishte me moshë rreth 45-50 vjeç. Në këtë kamp kishte dhe provokatorë e spiunë të tjerë, që kishin ardhur si të burgosur, por misioni i tyre ishte i caktuar.
Si trajtoheshin ata?
Ata nuk bënin jetën e të burgosurit, sepse kishin detyra të tjera. Një ndër ta ishte shqiptari Hilmi nga Vlora, i cili ishte spiun dhe bashkëpunëtor direkt i Gestapos dhe kishte lidhje direkt me komandantin e kampit dhe me Banen. Ai nuk banonte me të burgosurit, por kishte një dhomë të veçantë dhe komode, në krahasim me pjesën tjetër e të burgosurve. Aty kishte të gjitha gjërat që i nevojiteshin, si lavaman, tualet, gardërobën personale etj. Hilmiu erdhi në kamp aty nga janari i vitit 1944, ndërsa nga muaji mars, pasi kishte kryer misionin dhe detyrat e tij, që i kishte ngarkuar Gestapoja kundër shqiptarëve, i doli e drejta për t’u kthyer në Shqipëri, por para se të kthehej, duhej të kalonte periudhën e karantinës tre javore.
Çfarë përfitonte ai?
Hilmiu nuk pati ndonjë përfitim personal për shërbimin që i kishte bërë Gestapos dhe komandantit të kampit. Ai në bashkëpunim me serbin, Banen, kujdeseshin për gjërat e çmueshme, që u kishin rrëmbyer shqiptarëve me forcë, ai vajti dhe denoncoi tek komandanti i SS-ve të kampit, për zhdukjen e këtyre gjërave të çmuara. Bania këto sende të çmueshme i kishte ndarë pikërisht me komandantin e kampit, ku Hilmiu vajti për të denoncuar.
Ç’ndodhi pas këtij denoncimi?
Për t’a nxjerrë veten të larë, komandanti i mblodhi të gjithë shqiptarët dhe i pyeti për një gjë të tillë, nëse u kishte marrë vërtetë gjë Bania apo jo? Sipas udhëzimeve të Kozma Nushit, duke e ditur se këto ishin marrë nga Bania dhe ishin ndarë me komandantin e kampit, por po të pohonim, se është e vërtetë që Bania na ka marrë gjërat e çmuara nuk do të kishim përfitim. Kështu i mohuam thëniet e denoncimet e Hilmiut dhe i thamë që nuk janë të vërteta.
Çfarë i thanë Hilmiut pas kësaj?
Atëhere komandanti i kampit urdhëroi që të gjithë shqiptarët t’i jepnin Hilmiut nga pesë dajakë. Mbas këtyre të rrahurave, Hilmiu nuk mundi që t’i rezistonte dhe pas 24 orësh në agoni, ai vdiq.
Përveç Hilmiut dhe Thanasit, a kishte shqiptarë të tjerë që bashkëpunonin me gjermanët?
Në grupin e Vlorës ndodheshin edhe dy mjekë të tjerë, Dr. Vasili dhe Dr. Lluka, të cilët u sollën shumë keq me shqiptarët e burgosur në atë kamp.
Përse?!
Sepse gjatë vizitave që i’u bënin bashkatdhetarëve të tyre, Dr. Vasili me Dr. Llukën u qëndronin atyre dy metra larg dhe u’a ngrinin këmishën me një purtekë për t’i vizituar, nga frika se mos merrnin ndonjë sëmundje ngjitëse.
Si përfunduan ata?
Në gusht të vitit 1944, ata u kthyen në atdhe, ndërsa të tjerët i dërguan për t’i shfarosur në Mauthauzen. Dr. Vasili, me të mbaruar lufta u arratis nga Shqipëria, për në Itali. Por krahas këtyre, në atë kamp kishte dhe shumë shqiptarë të tjerë, të cilët u gjendeshin të burgosurve dhe i ndihmonin.
Cilët ishin ata?
Një ndër ta ka qenë Dr. Pavllo nga Berati, njeri shumë i mirë, shumë pozitiv. Me këto cilësi humane që kishte ai, i ndihmonte shumë të gjithë të burgosurit në përgjithësi. Gjatë vizitave të tij, ai u jepte ndihmë mjekësore e udhëzime të tjera të burgosurve, duke u treguar edhe se si duhet të vepronin për vetëmbrojtje nga këta kriminelët. Kjo sjellje e tij nuk ishte vetëm ndaj bashkatdhetarëve të tij shqiptarë, por edhe ndaj shtetasve të tjerë të huaj, si bullgarë, jugosllavë, grekë etj. Ndërsa me grupin e Durrësit, ishte dhe Dr. Mihal Konomi dhe ky njeri shumë i mirë dhe human, i cili bashkë me Dr. Pavllo Dokon, u shërbenin me të gjitha fuqitë të burgosurve.
Çfarë rregullash kishte në atë kamp?
Ashtu si në të gjitha kampet gjermane edhe aty kishte rregulla të veçanta. Komandanti gjerman i kampit dhe dy kriminelët serbë, mbasi i njihnin të burgosurit me rregulloren e kampit dhe i ndanin në myslimanë dhe të krishterë, me ironi u thoshin të burgosurve, se në rregulloren e kampit, gjoja hynin dhe lojërat, dëfrimet, muzika, filmat etj.
Për çfarë lojërash dhe dëfrimesh bëhej fjalë?!
Këto dëfrime dhe lojëra nuk ishin gjë tjetër, veçse të rrahurat që do të na bënin ne të burgosurve, dy kriminelët serbë, Bania dhe Miloradi. Ndërsa muzikë, ata konsideronin të thirrurat e të burgosurve, kur rriheshin apo vdisnin në duart e tyre. Sipas rregullores, ai që hynte për herë të parë në këtë kamp, do të rrihesh patjetër. Për myslimanët, “racioni” ishte 50 dajakë, ndërsa për të krishterët, 20 dajakë. Pastaj ashtu të rrahur, na merrte në dorëzim “kapua i shqiptarëve” dhe në rresht na dërgonte në kapanon, ku ishin të gjithë të burgosurit jugosllavë, grekë dhe shqiptarë, sepse në Zemun vetëm tre kombësi kishte.
Sa të burgosur ishin në atë kamp?
Gjithsej në kamp ishin 6000 të burgosur, kryesisht jugosllavë, pjesa tjetër ishin shqiptarë dhe grekë. Kampi i Zemunit ishte i ngritur nga gjermanët që në vitin 1941 me qëllime të caktuara për të burgosur aty të gjithë ata robër, që kapej në kuadrin e shtypjes së Lëvizjeve Nacionalçlirimtare të popujve të Ballkanit, që sa vinin dhe shtoheshin, sidomos në Jugosllavi, Greqi dhe Shqipëri.
Si ishte organizimi i brendshëm i këtij kampi?
Të burgosurit nuk punonin në mungesë të një objekti pune, por për të marrë ushqimin në drekë, duheshe të viheshe në radhë jashtë në oborr, në shi, dëborë, dhe duhej të qëndroje aty, një orë deri sa të vinte radha për të marrë lëngun e supës. Kishte nga ata që futeshin dy herë në radhë nga që i merrte uria, duke marrë kështu dy racione supe, por kjo konsiderohej shkelje e rëndë po të kuptohej dhe luhej me jetën.
Pati ndonjë që u kuptua?
Kështu ndodhi me Hamdi Tahmizin, i cili hyri dy herë në radhë por u kuptua dhe u kap nga Miloradi dhe u rrah aq rëndë, sa i thyen bërrylin e krahut të djathtë. Kështu ndodhi edhe me Abdulla Krutanin, i cili u rrah rëndë për një tentativë të tillë, etj. Kjo sigurisht ndodhte vetëm me ne shqiptarët. Ndërsa me jugosllavët, kjo nuk ndodhte, për arsye se ata nuk e ndjenin aq shumë urinë, sepse njëherë në javë apo në çdo dy javë, u vinin pakot e ushqimeve nga familjet e tyre. Kështu që nuk ishte kaq problem çështja e urisë apo të ftohtit. Problem për ta ishin torturat, si të rrahurat, epidemitë dhe sëmundjet ngjitëse.
Cilët kanë qenë shqiptarët e tjerë që kanë vuajtur bashkë me ju në atë kamp, ka pasur ndonjë emër tjetër të njohur?
Grupi i fundit i shqiptarëve që erdhi në janarin e vitit 1944 në kampin e Zemunit, ishte ai i Durrësit. Ky grup pati në përbërje të tij shumë njerëz të ngritur nga ana intelektuale, pasi ishin të shkolluar dhe kishin pasur përgjegjësi e funksione të ndryshme politike në Parti. Sepse në këtë grup ishte i gjithë Qarkori Komunist i Durrësit, me në krye Kozma Nushin, (Vëllai i Gogo Nushit). Po kështu bashkë me Kozmanë, ishin edhe emra të tjerë të njohur si Enver Velja, Mihal Marto, Telat Noga etj. Me ardhjen e këtij grupi, ne sikur u gjallëruam pak. Kozma Nushi, Enver Velja etj., mundoheshin që t’i mbanin gjallë dhe me kurajo të burgosurit e tjerë shqiptarë, gjë e cila ishte shumë e nevojshme, duke parë situatën dhe vendin në të cilin ndodheshim. Ne e konsideronim veten të vdekur dhe kishim humbur çdo shpresë, se një ditë do të dilnim të gjallë që aty dhe do të ktheheshim pranë familjeve tona.
Sa shqiptarë vdiqën në kampin e Zemunit?
Në kampin e Zemunit në një periudhë relativisht të shkurtër kohe, pra rreth 34 muajsh, nga torturat dhe epidemitë vdiqën rreth 120 apo 130 shqiptarë.
Ç’ndodhi me kampin e Zemunit, cili ishte fundi i tij?
Më 17 prill të vitit 1944, avionët bombardues anglezë, filluan të bombardonin Beogradin, që në ora 8 të mëngjesit, duke bërë të gjitha tentativat për të bombarduar urën mbi lumin Savë, që lidhte Beogradin me Zemunin. Dihej që në Zemun ndodhej aerodromi më i madh ushtarak për Jugosllavinë. Ndonëse ura ishte e mbrojtur nga dy topa kundërajrorë, bomba e parë ra në ndërtesën e të burgosurve meshkuj. Kurse në të gjithë kampin, ranë gjithsej 17 bomba prej të cilave u shkatërruan krejtësisht tre kazerma të mëdha, ku flinin të burgosurit dhe u vranë rreth 400 prej tyre e mbi 700 të tjerë, mbetën të plagosur rëndë, ku pjesa më e madhe e tyre ishin jugosllavë.
Kishte shqiptarë ndër të vrarët e asaj dite nga bombardimet?
Ishin dy shqiptarët, Dr. Pavllo Doko dhe një hoxhë nga Mallakastra. Ky bombardim i aviacionit anglez, njihet si një nga bombardimet më të rënda, që ka ndodhur në Beograd gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas bombardimeve, në pamundësi për të qëndruar të burgosurit në kampin e Zemunit, pasi ishte shkatërruar nga bombat, të burgosurit u transferuan në burgun e Banicës, që ndodhej në periferi të Beogradit, ndërsa një pjesë tjetër e të burgosurve jugosllavë u transferuan nëpër kampet e internimit të Gjermanisë.
Sa shqiptarë kishte në burgun e Banicës?
Në burgun e Banicës kishte rreth 382 shqiptarë, nga 512 që ishim në Zemun. Pra rreth 130 të burgosur kishin vdekur nga torturat në Zemun.
Në krahasim me Zemunin, si ishin kushtet në Banicë?
Burgu i Banicës ishte një burg shumë i vjetër dhe i siguruar mirë. Ai kishte një ndërtesë të madhe me tre kate, me dritare të vogla të siguruara mirë me hekura, kishte birucat dhe bodrumet e saj, ku mbaheshin të mbyllur të burgosurit “më të rrezikshëm”. Ai burg ishte një territor prej 2 km. katrore dhe ishte i rrethuar me mure të larta, e sipër mureve ishin vendosur tela me gjemba të elektrizuara. Në çdo qoshe të murit, kishte nga një kullë, d.m.th. nga katër kulla, që kontrollonin të gjithë territorin e brendshëm dhe të jashtëm të burgut.
Si u prit ardhja e të burgosurve shqiptarë në atë kamp, patët ndonjë ndihmë nga të burgosurit e kombësive të tjera, duke pasur parasysh faktin se komunistët ishin internacionalistë?
Duke parë gjendjen e të burgosurve të rinj të ardhur nga Zemuni, të cilët ishin të uritur, të keqtrajtuar dhe të torturuar, të burgosurit e vjetër të burgut të Banicës, me në krye Komitetin Revolucionar, që kishin krijuar jugosllavët në këtë burg, që ditën e parë, krijuan dhe organizuan ndihma me ushqime për shqiptarët dhe grekët. Këtë gjë ata e bënë duke grumbulluar të gjitha racionet e bukës së tyre të asaj dite, si dhe disa ushqime të tjera që u kishin ardhur nga familjet e tyre. Kjo ishte shumë pozitive, si nga ana materiale ashtu dhe ajo morale, gjë e cila linte për të kuptuar, se edhe në ato kushte të rënda, të burgosurit e ndihmonin njëri tjetrin, pra ekzistonte shpresa. Por megjithatë, torturat fizike dhe tortura shpirtërore, epidemitë e sëmundjet ngjitëse, bënin kërdinë, duke marrë dhjetëra jetë njerëzish në ditë nga të burgosurit që ishin aty./Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016