Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e tridhjetë e një
Memorie.al/ Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkt me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e qazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Zejmeni, në afërsi të Lezhës
Kur auto-burgu ndaloi, siç ishim ashtu, ende të mbyllur nga të katër anët e të telefosur nga udhëtimi aluçinant, ne menduam se duhet të kishim mbërritur në vendin e panjohur, ku na kishin adresuar. Dhe vërtetë, pasi u hapën dyert e këtij arkivoli të gjallësh, ne mundëm të shikonim qiell të hapët e të mbusheshim me ajër të pastër, por edhe vumë re se gjendeshim në një oborr, i cili ishte para një ndërtese trekatëshe. Anët e tjera të oborrit ishin kufizuar me ndërtesa njëkatëshe. I tërë kampi ish rrethuar me dy radhë telash me gjemba, deri në një lartësi prej disa metrash.
Në oborr gjendeshin qindra të burgosur, që atë kohë kishin orën e shëtitjes. Ata ishin me fytyra të vrara, në një ngjyrë si të bardhë nga mungesa e diellit apo sëmundjet që kishin, si dhe nga moshat e vjetra e vuajtjet e rënda që mbanin mbi supet e tyre, prej shumë vitesh në burgjet e komunizmit. Akoma më pa jetë i bënin të dukeshin veshjet e tyre prej rrobash doku, të qepura mos më keq, që disave u rinin të gjëra, ndërsa të tjerëve të ngushta, të gjithëve u përfundonin mbi opinga ose këpucë të grisura. Ata të jepnin përshtypjen e një grumbulli tepër të madh lypsarësh të rrugëve, të cilët kërkojnë lëmoshe për të jetuar.
Mbi këto rrobe doku, shumica kishin hedhur edhe nga një pallto, nga ato të nxjerra jashtë përdorimit prej ushtarëve, por veçse ngjyrën ua kishin ndërruar në kafe të errët ose të kuqe. Palltot u rrinin të burgosurve akoma më keq. Përveç kësaj veshje të njëllojtë, ata kishin të përbashkët edhe qethjen e tyre, sepse të gjithë ishin pa flokë; ose tullacë, ose të qethur me makinë pa pikën e kujdesit. Kështu që edhe ky tipar që shpesh shërben për të dalluar njerëzit nga larg, tashmë ishte rrafshuar. Të gjithë dukeshin njëlloj. Një pjesë e tyre shëtisnin të vetmuar të futur në mendime, kurse shihje shpesh plot të tjerë, që diskutonin me zjarr me njëri tjetrin.
Për ne ishte më e besueshme që tërë ai grumbull i madh njerëzish të na dukej uniform, ngaqë të gjithë i kishim të panjohur, ashtu sikurse ne vetë nuk njihnim dot veten, kur pas një viti, na u dha rasti të përballeshim me një pasqyrë. Pamjet e njerëzve me fytyra të vrara nga vuajtjet, të pa ushqyer mirë, të lodhur nga jeta moralisht e fizikisht dhe me veshje të tilla, nuk të lejonin të mendoje se midis tyre, mund të gjeje inxhinierë, doktorë, mësues, priftërinj, avokatë, artistë, oficerë të ushtrisë dhe intelektualë gjithfarë llojesh. Pamja e jashtme në vështrim të pare, i zhvleftësonte këta viktima të regjimit diktatorial, por kur hyje në biseda e njiheshe me ta nga afër, kuptoje përshtypjen e gabuar, që kishe patur ditën e parë.
Ky ishte kampi i të burgosurve politike në Zejmen, që ndodhej fare afër qytetit të vogël të Lezhës. Ngjitur me këtë kamp kish ndërtesa të tjera, të cilat nuk komunikonin me ndërtesat tona dhe që përbënin kampin e të burgosurve ordinerë. Të dy këto kampe, rrethoheshin me të njëjtat breza telash me gjemba. Ky objekt të jepte pamjen e një stalle kuajsh në shkretëtirë, sepse rreth e përqark këtyre dy kampeve, nuk kishte asnjë ndërtesë tjetër. Në të katër anët shtrihej deri larg, një hapësirë e madhe fushore.
Kur zbritëm nga makina, ne rrinim si të shushatur, ashtu siç rrinë fëmijët e vegjël kur zbresin nga autobusët, në një mjedis të ri dhe presin mësuesit qe t’i shoqërojnë e t’u shpjegojnë mrekullitë e vendit. Kështu prisnim edhe ne udhëzimet, për nga do të shkonim e çfarë do të bënim. Në fillim na futën në një zyrë të vogël, për të bërë formalitete e regjistrimit. Menjëherë pastaj na udhëhoqën në ndërtesën trekatëshe dhe na ndanë nëpër dhoma të ndryshme, ku kishte plot krevate të zbrazët. Dhomat ishin të mëdha, në forma kapanonesh dhe në secilën jetonin mbi tridhjetë të burgosur, të vendosur në krevate prej dërrase dopjo, ndërtuar kat mbi kat, alla marinarçe.
Imagjinohet lehtë se çfarë gjumi mund të bëhej në një stallë të tillë, ku kryesisht flinin njerëz të moshuar rreth të gjashtëdhjetave. Ca javë më vonë, ne që kishim patur tmerr nga vetmia, nisëm të urrejmë bashkime të tilla të padurueshme. Salla zhurmëronte nga të gërhiturat e të moshuarve dhe e ftohta e dimrit, nga ana tjetër, bënin që gjumi të na dukej si një film bardhezi, i këputur copa-copa. Nganjëherë zgjoheshe dhe nga të bërtiturat e të burgosurve të tjerë, të cilët ankoheshin ose i shanin nga nënat, ata pleq të shkretë që gërrhisnin pa e pasur veten në dorë.
Vetëm krevatet ishin të sistemuar mirë, sipas rregullave të caktuara, me të cilat çdo person, kishte dy batanije dhe dy çarçafë. Dyshekët ishin të mbushur me kashtë prej kallinjsh gruri, që të shponin trupin. Në kohë dimri, njërin çarçaf e vinim mbi batanije sepse kështu ndjeheshe mjaft më ngrohtë. Çarçafi i sipërm ,ndalonte hyrjen e ajrit të ftohtë në brendësi. Në dimër, ndërtesat ishin pa asnjë lloj ngrohje.
Mbasi na treguan vendin e fjetjes, na dhanë uniformën e burgut, që siç thashë, përbëhej nga një xhaketë e një palë pantallona doku, dy këmisha të bardha të brendshme, me mëngë të gjata si ato të ushtarëve, nga dy palë benevrekë, që i kishim për t’i ndërruar dhe nga palltoja e kuqe. Kjo veshje e repartit ishte relativisht e pranueshme, por megjithatë e pamjaftueshme, sidomos për periudhën e dimrit, kur duhej të dilnim jashtë për apel apo shëtitje.
Gjëja e parë që bëmë në këtë banesë të re, ishte një dush i këndshëm, ngaqë kishim rreth tre javë pa u larë. Në fakt, aty gjetëm kondita më të mira se kudo tjetër, sepse dhoma e dushit ishte e mbyllur, dritaret kishin xhama, e ajo e ndarë ngrohej nga avujt e ujit të ngrohtë.
Pas një viti, ishte dushi i parë i vërtetë që e bëmë në kushte normale njerëzore. Me të mbaruar shpëlarjen e fundit, më hyn brenda në dhomën e dushit një i burgosur rreth të pesëdhjetave, me flokë pjesërisht të rënë, e pjesërisht të zbardhura. Fytyrën ia kishin mbuluar rrudhat dhe ato e tregonin një njeri të vuajtur më shumë se çdo gjë tjetër. Papritmas ai m’u drejtua me emër. –“Petraq”! Zëri m’u duk i njohur, por më mundonte fytyra e tij, të cilën nuk po e sillja ndërmend. Përqendrova të gjithë vëmendjen time dhe gjeta atë, që as mund ta përfytyroja se do të gjeja atje, shokun e fëmijërisë, mikun e punës e të jetës, inxhinierin Niko Goxhobashi.
U përqafuam me mall të madh, si vëllezër të vërtetë. Ai kishte rreth tetë vjet në burgun politik. Sillja ndërmend atë Nikon trupmadh e të shkathët, me atë veshjen e tij të zgjedhur e të kujdesshme. Përfytyroja inxhinierin mekanik që shumica e naftëtarëve e deshën dhe e respektuan, derisa ai shkeli dërrasën e kalbur, e tha se; Pali Miska, anëtari i Byrosë Politike, nuk ishte aq i aftë. Ky ishte i vetmi “krim” i tij, krim që e solli të dergjej me vite nëpër burgje, të merrej nëpër këmbë nga policët, e nga një emër i nderuar, të shndërrohej në një numër apeli. Ndërsa mua, vite pas tij, më lidhën duart e më dënuan me një çerek shekulli burgim, që të pranoja se po ai, Pali Miska, dhe ca shokë të tij, kishin lidhje agjenturore që të mund të dënoheshin nga dita në ditë. O, Zot, çfarë ndodhte në atë vend?!
Përshtypjen time befasuese mbi pamjen e tij të jashtme, natyrisht unë nuk ia thashë Nikos, ashtu si dhe ai nuk më foli mua për të njëjtën gjë. Të dy mezi kishim njohur njëri – tjetrin. Takimi me Nikon, na gëzoi shumë të gjithëve, sepse gjetëm aty një shokun tonë të vërtetë, me të cilin mund të flisnim hapur. Në fillim, ai na tregoi për disa rregulla të burgut, në mënyrë që ne të mos i shkelnim ato, se do të kishim pasoja dënimi deri me një muaj birucë, e me regjim të ashpër, të zhveshur në mes të dimrit, deri në rrobat e brendshme të holla.
Pastaj na vuri në dije mbi disa të burgosur, me të cilët duhej të kishim kujdes të mos shoqëroheshim e të bisedonim çështje politike, e sidomos të mos i qanim hallet tona, sepse ata, fatkeqësisht, nga kërcënimet e Sigurimit, ishin kthyer në informatorë të tij. Ishim shumë kureshtarë e deshëm të dinim, se cilët ishin zgjedhur anëtarë të Byrosë Politike në kongresin e sapo bërë dhe kur dëgjuam emrat që na tha Nikoja, ne nuk po u besonim veshëve tanë!
Ne mbetëm të habitur se si mund të rizgjidheshin ata persona, për të cilët u organizua kryesisht skenari i arrestimin tonë, për të cilët na torturuan muaj të tërë, e ne rezistonim për të shkruar se si ata ishin në drejtim të kësaj; “pune të fëlliqur sabotuese”. Vramë mendjet për shpjegimin e kësaj enigme dhe e premë me gjykimin tonë, se vazhdimi i këtij skenari, do të ishte lënë për më vonë, për arsyet që ne natyrisht nuk i dinim. Na u deshën ditë të tëra, t’i tregonim Nikos hollësirat e procesit hetimor, torturat, kushtet e jetesës, çfarë na kërkonin të pranonim dhe si u detyruam të pranojmë.
Kur i numëruam figurat e Politbyrosë që ishin në planet e arrestimeve pas grupit tonë, ai mbeti me gojë hapur nga habia për këto kulisa e intriga të reja, në udhëheqjen e lartë të partisë e të shtetit komunist shqiptar. Nuk u çudit fare me bëmat e hetuesisë, sepse ai i kishte provuar ato mbi lëkurën e vet, si dhe kishte dëgjuar me qindra e qindra historira gjithë llojesh, me turli mizorirash. Ai ishte i mirë informuar me metodat kriminale që përdorte Sigurimi dhe hetuesia enveriane, si forma për të shtruar në gjunjë tërë popullin, e për të mbajtur ngritur kështjellën e tyre të komunizmit, ashtu të njollosur me gjakun e shqiptarëve.
Në kampin e Zejmenit arrita më së fundi të realizoja një nga dëshirat që më nxirrnin shpesh gjumin, që nga koha kur rrija mbyllur në birucat e hetuesisë, takimin me familjen. Dita që i pashë pas kaq kohësh, mbetet në ditët e shumëpritura që janë aq të rralla në jetën e njeriut. Nuk ngopeshim duke parë njeri tjetrin. Në çastet e para, lexova në sytë e tyre imazhin tim të hidhur të një burri të mplakur, me fytyrë të zbardhur nga mungesa e gjatë e diellit, me flokë të qethura me makinën e kampit, i pështjellë i tëri me atë pallton e kuqe, sipër rrobave të dokut. Vuajtjet i kishin shtuar rrudha fytyrës së dashur të Zhanetës.
Fëmijët më dukeshin më të rritur e më të bukur e më ngjante sikur vuajtjet e rënda, porsi plumba mizorë u kishin kaluar anash, e nuk i kishin zënë dot. Dhe kjo vërtetë ishte një lumturi e madhe. Mezi na reshtën lotët që edhe sot nuk di t’i shquaj në ishin nga pikëllimi a lumturia. Na dukej sikur kishim miliona pyetje në gojë e nuk i nxirrnim dot. Ky takim i pare, ndodhte pas një viti mungesë informacioni mbi shëndetin, punën dhe gjendjen në përgjithësi të pjesëtarëve të familjes sime. Aty mësova se vajza e ime, Hilda, e cila qysh nga shkolla fillore, ajo e mesme edhe fakulteti në universitet, kishte mbajtur rezultate të shkëlqyera. Megjithatë, vajzën e kishin përjashtuar nga universiteti menjëherë pas arrestimit tim. Asaj i patën mbetur vetëm dy muajt e fundit të mbrojtjes së diplomës dhe prapëseprapë, nuk e lanë ta përfundonte atë.
Kjo vajzë, që pat ardhur në fakultet me medalje të artë nga shkolla e mesme e gjuhëve të huaja, ishte propozuar për të qëndruar si pedagoge, në po atë fakultet. Por me porosi të veçantë të Degës së Punëve të Brendshme të Fierit, rektorati u detyrua të urdhërojë përjashtimin e saj nga shkolla për motive politike, lidhur me burgimin e babait të saj.
Hilda kish nisur të endej nëpër qendra pune, por askush nuk i jepte një vend. Më në fund, pas disa vitesh endje lart e poshtë, mundi të futet në punë në Kombinatin e Tekstileve në Tiranë, si punëtore në repartin e tezgjahut. Motra e Zhanetës, e kishte bërë Hildën si vajzën e saj, e mundi ta mbajë në Tiranë. Në ato vite, nga Kombinati i Tekstileve, ankoheshin se nuk gjenin forca pune që të shkonin të punonin aty, ngaqë gjendja teknikë e makinerive ishte e degraduar, kushtet e punës ishin shumë të rënda dhe pagesa shumë e vogël.
Megjithatë vajza u gëzua që e gjeti edhe atë punë. Gazetat u bënin thirrje të rinjve që të shkonin për të punuar në Kombinat, por rinia nuk u përgjigjej thirrjeve. Gëzim i familjes për punësimin e Hildës qe shuar shumë shpejt. Ajo qëndroi në Kombinat vetëm dy muaj, sepse ata të personelit, e pushuan përsëri, me ndërhyrjen e organeve të Sigurimit të Shtetit, të cilët nuk ua ndanin sytë fëmijëve, të të dënuarve politikë.
Sigurimsat e Fierit, me të mësuar që vajza gjeti punë, me vigjilencën dhe partishmërinë e thekur që e kishin në gjak, ndërhynë për ta hequr nga puna, për arsye delikate politike. Duhet thënë se Komiteti i Partisë së Fierit, që në atë kohë drejtohej nga Pali Miska, ishte shprehur për internimin e gjithë familjes sime, në zona të largëta. Nuk e kam marrë vesh akoma se cili organ, e pat anuluar vendimin e tyre.
Në këto rrethana, vajza u detyrua të hapte, pa rëne në sy, një kurs me disa të rinj që deshën të mësonin anglisht. Atë kurs ajo e zhvilloi me sukses në shtëpinë e vogël, ku banonte me qera halla e saj, e cila tani po e mbante dhe e deshte Hildēn, si fëmijën e vet. Të rinjtë që vazhduan kursin e saj, e deshin dhe respektonin shumë mësuesen që kish pothuaj moshën e tyre, dhe ata u përgatitën aty aq mirë, sa që pas një periudhe jo të largët, kur ndodhën ndryshimet demokratike, të gjithë hynë në konkurset që u zhvilluan në ato kohë në Tiranë për gjuhën anglishte dhe fituan. Me të ardhurat e pakta të kursit, ajo mundi të ndihmonte nga pak familjen në këtë periudhë shtrëngesash, në të gjitha drejtimet ekonomike dhe shoqërore.
Djali, Genci, në ditën e arrestimit tim, ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme. Megjithëse kishte rezultate shumë të larta në mësime dhe ishte pjesëtar i konkursit kombëtar të nxënësve të shkollave të mesme për matematikë, ku dhe u shqua ndër më të mirët, atij gjithsesi nuk iu dha e drejta e studimit për universitet. Me që mbeti pa shkollë, e thirrën të kryejë shërbimin e detyruar ushtarak. Shërbeu në repartet pa armë, në ato reparte që quheshin të posaçme, ku dërgoheshin vetëm fëmijët e të burgosurve politikë. Këto ishin reparte të xhenios dhe ushtarët aty vetëm punonin.
Gërmonin për të hapur tunele për ushtrinë, në kushte teknike shumë të rënda dhe të rrezikshme, pa asnjë parandalim të katastrofave teknike. Ushtarët si im bir, kishin vetëm disiplinë të rreptë ushtarake, rroba ushtarake, por haptazi u deklarohej se nuk gëzonin besimin e partisë për të mbajtur armë, me të cilat përfytyrohen ushtarët. Ushtarët si Genci, u duheshin thjesht si skllav për punë të rënda fizike pa pagesë. Disa herë jeta e tij u vu në rrezik nga shembjet e tunelit, nga lëshimet e dyshimta të vagonëve prej personash enigmatikë, që nuk arritën dot të qëllojnë në shenjë në drejtim të ballit të tunelit, ku ndodhej Genci.
Fatmirësisht, ai arriti të dilte herët, ta vinte re dhe ta shmangte goditjen, kështu që vagoni nuk mundi ta prekte. Falë përkrahjes së dy shokëve të tij ushtarë, që ishin djem të mrekullueshëm, ai mundi t’i përballonte vështirësitë e të mbijetonte në atë etapë të rrezikshme për një fëmijë tetëmbëdhjetëvjeçar, i sapo dalë nga bangat e shkollës së mesme.
Me mbarimin e shërbimit ushtarak në repartin e xhenios, në malet e Elbasanit, ai vazhdoi të kërkonte punë në vendet më të vështira, si në hapjen e kanaleve dhe në punët e ndërtimit, por askush nuk e pranoi në punë. Qëllimi i pushtetarëve, ishte shkatërrimi i familjes sime.
Ky ishte një krim tjetër, qe i bashkëngjitej krimit që bënë ndaj meje. Djali po përballonte një situatë të vështirë, që bëhej më e vështirë, me ato thirrje të shpeshta në Degën e Punëve të Brendshme, për t’i bërë presione. Genci kaloi strese të rënda nervore, që nisën me mungesën e babait dhe vazhduan me kërcënimet për vetë jetën e tij. Familjarët e mi, ishin tërësisht të izoluar, sa pothuaj u dukej vetja sikur edhe ata ishin në një regjim burgu. Në këto kushte, e ëma u detyrua t’i mësonte djalit, si të qepte pantallona. Këtë ai e bënte në shtëpi në mënyrë ilegale, duke afruar si klientë së pari shokët e tij. Udhëzimet ishin të prera: askush nuk lejohej të bënte punë private dhe nëse autoritetet e pikasnin, kundërvajtësi dënohej ashpër. Ndaj këtë punë, Genci e bënte me një frikë të madhe, se mos e merrnin vesh oficerët e Sigurimit dhe e burgosnin.
Kështu fëmijët, nën kujdesin e nënës së tyre shembullore, me një regjim kursimi të jashtëzakonshëm, mundën të jetojnë dhe të më mbanin edhe mua me ushqime. Me ndihmën e Nikos në kamp, ne patëm mundësi të njiheshim shumë shpejt, me të burgosur që kishin aty vite të tëra. Ishte kënaqësi e vërtetë të bisedoje me ta. Dikush më shtruar, dikush më thjeshtë, ata tregonin dramat e veta e si pasojë dhe të familjeve të tyre. Ato ishin tronditëse, të dhimbshme. Të gjithë tregimet kishin një emërues të përbashkët: Pafajësinë e tyre. Kështu ne mësuam se me skemën që ish zbatuar me ne, edhe pse jo në ato përmasa e mënyra zhvillimi, vuanin në Zejmen, qindra të burgosur të tjerë, çka tregonte bazën e rrënuar të sistemit politik në Shqipëri, represionin, terrorin, padrejtësinë, mungesën e plotë të drejtave të njeriut dhe varfërinë e thellë.
Kështu të burgosurit politikë ishin tërësisht të pafajshëm, sido që gjeje raste me njerëz të dënuar, ngase kishin folur e thënë ndonjë fjalë kundër pushtetit, kundër ndonjë autoriteti shtetëror apo titullari në rreth, me aftësira të mangëta e me moral të krimbur. Disa ishin ndryrë aty si viktima të pasionit të tyre, për të dëgjuar muzikë të Perëndimit, apo qoftë edhe lajme të ardhura nga stacionet e radiove të Botës së Lirë. Dënimet për këto shkaqe tani mund të duken krejt absurde, por nuk dukeshin aspak në atë kohë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016