Nga Shkëlqim ABAZI
Pjesa e trembëdhjetë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Nëse aktorët kalojnë komision pas komisioni dhe testim pas testimi të fitojnë të drejtën e aktrimit në ekspedita shkencore-artistike në hapësirën kozmike dhe ndihen të përkëdhelurit e fatit kur autoritetet prestigjioze kulturo-shkencore i aprovojnë dhe miratojnë; me ne ndryshonte kryekëput, sepse na mermin dhunshëm, na zdrugonin mbarë e prapë me kopaçe, na lidhnin me gjermanka dhe na përcillnin para një komisioni tri kukullash që, për ironi, e quanin trup gjykues. Tri kukullat të jepnin viston për më tej, domethënë të aprovonin qenien apo jo “stronaut” nëntoke që, për hir të së vërtetës, jo vetëm ta jepnin çak-fak me afate të gjata deri në mbi njëzet e pesë, madje edhe dyzet e dy vjeçare si Sami Dangëllisë, por të pajisnin shpesh edhe me vizë për në dynjanë e përtejme.
Me të mbyllur këtë yçkël të bezdisshme, na lidhnin me gjermanka dhe me një zinxhir të trashë për të qenë të sigurt në udhëtimin e gjatë, na hipnin në “anijen kozmike” që për të trembur të marrët e emërtonin “auto- burg” dhe na çonin në Spaç, në bazën më të shquar të burgogradit shqiptar, ku përgatitnin “astronautët” e nëntokës. Atje, pa një pa dy, fitoje të drejtën të eksploroje orbitën nëntokësore, Hadin, madje pa licencë dhe pa parapërgatitje minimale teoriko-praktike, bile edhe pa u trajnuar fare. Kështu na shndërruan në “astronautë” nën dheu.
Rutina e një dite (Rregullore të vjetra, policë të rinj)
Në kampin e Spaçit kushtet s’ndryshonin kushedi, vepronte rregullorja e Repsit, po ato mizori kriminale dhe të njëjtat fishkëllima gjarpërinjsh, madje më të hidhëta, po ata ushtarë të armatosur gjer në dhëmbë, që thirrjen “ndal se do të qëlloj” e shqiptonin, pasi kishin shkrehur nja dy batare; ishin po ata qenë pa hundçe, në mos më të përgatiturit e shkollës së qenve dhe po ata policë, me po ato veshje dhe të njëjtët emra.
Sapo përmenda policët m’u ndërmend skeleti i një studimi etimologjik të profesor Agim Mustës, nisur si një sprovë e shkurtër, i përqendruar kryesisht te emrat dhe karakteret që ndërthureshin me ta.
Kur e ndesha së pari, e mora për tendencë të profesorit ndaj policëve veriorë, këtij komuniteti që reduktohej në trembëdhjetë emra të përveçëm, ku shpesh tregoheshin më të ashpër se eprorët. Por më prapa i dhashë të drejtë profesorit; sado u përpoqa të gërmoja rreth kësaj teme, s’arrita të rendisja më se tridhjetë emra burrash dhe po aq femrash.
Sigurisht, ky studim sipërfaqësor i pa mbështetur në prova shkencore, por i pari në llojin e vet, merr vlera udhëzuesi për hulumtuesit e rinj dhe shërben si etalon për studime gjithëpërfshirëse.
Të kalojmë në statistika.
Brenda rrethimit kishin shkelur gjithsej 57 policë, 16 oficerë dhe disa dhjetëra civilë. Meqë flasim për ushtarakët, s’po u referohem civilëve, s’po fus në hesap as ushtarët e shërbimit të detyrueshëm që ruanin në karakollë, por 73 ushtarakët që hynë e dolën për dy vjet e tetë muaj dhe zëvendësuan njëri tjetrin. 21 nga këta ishin nga rrethet, mbetja nga Mirdita. Të parët qenë transit, shoqëruan të dënuarit nga kampi i Elbasanit, qëndruan pak dhe u larguan nga një e nga dy.
Te futemi në thelb.
Përjashto këta 21 që profesori i emërtoi bujtës, ai mori në shqyrtim personelin vendas dhe i rezultoi se 52 ushtarakët bartnin vetëm trembëdhjetë emra.
Le t’i referohemi listës që përpiloi nisur me emrat e përfaqësuesve gjinorë.
Në tabelë gjejmë: 2 Zef; 2 Gjetë, vetëm një vendas se tjetri ishte nga Lura; 2 Prengë, 2 Bardhokë; 3 Nikollë, 3 Jakë; 4 Gjinë dhe 4 Frrokë; 5 Ndue, 6 Markë, 6 Pjetër; 7 Ndrecë dhe 7 Lleshë. Pra, trembëdhjetë emra përfaqësonin 52 policët që na lidhi puna, disa prej të cilëve na shoqëruan në Spaç. S’ishte kushedi e vështirë të mësoje trembëdhjetë emra, por problemi komplikohej kur lipsej bërë dallimi mes një Lleshi nga tjetri, apo një Pjetri nga adashi i tij.
Sidoqoftë, edhe këtij lëmshi profesori ia kish gjetur fillin. Me ndihmën e të dënuarve nga ajo krahinë dhe vetë policëve që kur përmendnin njëri tjetrin, specifikonin edhe emrin e fshatit, të babait, gjyshit, stërgjyshit, katragjyshit dhe ndonjëherë edhe të kryetarit të fisit apo sekretarit të partisë.
Për shembull, kur përmendej Ndrec Gjini, i rreshtonin nja shtatë-tetë cilësorë, për ta dalluar nga 6 të tjerët: Ndrec Gjin Gjet Pjetër Pashk Nikoll Marka Gjin Kthella, ose tjetrit, Ndrec Mark Nikoll Pjetër Gjin Llesh Zef Nikoll Perlati. Kur dëgjoje këtë varg cilësorësh, prisje që folësit t i shtërzonin dhëmbët si kokrra tespihesh, po kur s’ndodhte pyesje veten: “Gjendem në ndonjë shkretëtirë arabike apo diku në Brazil”?! Aq e vërtetë ishte kjo, sa edhe vendasit viheshin në siklet për të bërë dallimin. Po e ilustroj këtë fakt me një nga barcaletat e shumta që kam dëgjuar ato anë:
Një grup mirditorësh ranë për pazar në Milot, ku nisën sherr me xhambazët. Në inat e sipër njëri qëlloi me armë, por desh Zoti, magjypi vetëm u plagos. Për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, xhandarët shoqëruan gjithë tufën, teksa ofiqari iu kërkoi gjeneralitetet, katër dhanë një emër dhe tre një tjetër.
Kjo e bëri tetarin me dhimbje koke, po kur mësoi se atentatori thirrej ndryshe u qetësua dhe i erdhi zemra në vend. “Lavdi Zotit paska emër tjetër, kapeni shpejt” dhe nisi xhandarët në Mirditë.
Kur i kërkuan kryeplakut t’iu dorëzonte fajtorin, …, o çudi! në oborr u mblodhën pesëmbëdhjetë persona me atë emër.
Të zënë ngushtë xhandarët zbatuan urdhrin: “Fajtorin e dua në Milot” dhe morën gjithë tufën e adashëve. Kur ia shpunë eprorit në post-komandë, atij iu morën mendtë para turmës njëemërshe dhe shpërtheu: “Paska pas hak Turqia, që u ndenji larg, kur s’ju ndajmë dot ne, vaj halli ata! Lanet qofshi, thyeni zverkun në shkrepat tuaja” dhe e arkivoi çështjen.
Mbiemrat e përbërë, ku një emër përsëritej disa herë, i kishin zgjidhur duke i shtuar parashtesën “për” dhe i shqiptonin: Përdeda, Përndreu, Përgjini, Përpali, Përdoda, etj.
Studimi vijonte me rastet analoge, kur si llagap përdorej fshati apo një toponim.
Po sërish nuk sosnin kusuret sepse qëllonte që dhjetë Prengë, njëzet Ndrecë, shtatë Gjinë, dymbëdhjetë Lleshë, pesëmbëdhjetë Bardhokë, të ishin nga i njëjti fshat. Si mund të arrije të ndaje dikë, kur thuhej: “Për iks problem, është në dijeni edhe Ndrec Kthella”, kur tre Ndrecët ishin nga ky fshat, ose: “Për ipsilon çështje, u bisedua me Bardhok Shpalin”, kur dy Bardhokët tanë ishin nga Shpali?
Kështu lindte nevoja e një sendërtimi të ri. Atëbotë, hynë në përdorim epitete dhe paranome si pamja e relievit, tiparet fizike të individit, apo të paraardhësve, për shembull: Gjin Bregu, Gjin Shelgu, Zef Mali, Zef Kodra, Bardhok Plepi, Bardhok Qarri, Nikoll Syziu, Nikoll Qorri, Pjetër Miri, Pjetër Keqi, Mark Mustakuqi, Mark Kryziu, po edhe shpendësh, kafshësh, insektesh si Frrok Zogu, Frrok Zhgaba, Llesh Korbi, Llesh Pllumi, Ndue Dhelpra, Ndue Uku, Zef Gjikalla, Zef Pleshti, etj.
Pra, studimi përcillej rreth kësaj bërthame.
Nëse lista kufizohej në një suazë mjaft të reduktuar emrash, pas tyre zgjatej një vargan i larmishëm cilësorësh. Kur edhe vendasit e përsërisnin një pasazh, disa herë për të specifikuar personin për kë flitej, mendo ne që binim së pari në kontakt me këta individë, na lipsej sforco, t’i ndanim njërin nga tjetri.
Ndaj nga halli, shpikëm një kod fonik, që bazohej në përdorimin e fjalëve monosilabike, multisilabike, të thjeshta, të përbëra, sinonime, epitete, melodi, fishkëllima, klithma, thirrma, pasthirrma, fonira të të gjitha rezonancave, etj., që plotësonin alfabetin mors, lëmin e akustikës dhe jo vetëm, por edhe në etimologji, në sociologji, në psikiatri e në kiromanti, plasën novacione. Psikologët e burgut, arritën të lidhnin pamjen me shpirtin dhe mbi këtë deduksion, vinin epitetet.
Si fillim, Shyqyri Gruda dhe Xhelal beu, u treguan më të aftit. Më pas talentet e rinj i eklipsuan të parët dhe në fund, s’mbeti polic pa një paranom.
Për shembull, për të dalluar Ndrec Gjin Gjet Pjetër Pashk Nikoll Marka Gjin Kthellën, nga Ndrec Mark Nikoll Pjetër Gjin Llesh Zef Nikoll Perlatin, të parin, Shyqi e pagëzoi “bu-bu”, ngaqë kur vinte për kontroll, bubullinte “bu-bu-bu”, po mjaftohej me kaq, kurse të dytit, nofkën “fshëu-fshiu”, sepse avitej si skile dhe mjerë kë kapte në faj, do përfundonte lidhur në rrugën e “Golgotës” dhe më pas një muaj në qeli. Më vonë, të parit, Xhelal beu, i vuri epitetin “bubullima” dhe të dytit, “akrepi”.
E njëjta edhe me Markët, njërit ia shkurtuan “mus” për shkak të mustaqeve të verdha dhe tjetrit “xhi”, sepse ishte si gjirafë; ose me tre Jakët, njërin e emërtuan; Jak “xhahili”, shkurt “xha”, për shpirtin katran, tjetrin; Jak “xhentili”, shkurt “xhe”, për tipin aventurier, dhe të tretin; Jak “xhebrahili”, shkurt “xheb”, sepse na rrinte si shpata e Demokleut, mbi krye.
Po edhe të tjerët, s’ngelën pa të, të gjithëve u vunë nga një nofkë, sipas karakterit, ndaj s’e kishim të vështirë të kuptonim kush po vinte, mjaft të jepej sinjali duke klithur një rrokje, shkërbyer një shpend, një kafshë apo, duke fërshëllyer një herë, dy herë, tri apo më shumë, sipas alfabetit tonë.
Pra, edhe në këtë drejtim, studimi i Agimit mbetet unik, sepse jepte përkufizime mbresëlënëse, me terma të kursyera.
Por t’i rikthehemi temës.
Siç përmenda, rregullat ishin të njëjta, policët pothuaj ata, persëriteshin të njëjtët emra, veç diç më tepër, por gjithsesi lista s’e kalonte numrin tridhjetë. Në këtë drejtim, Spaçin mund ta quaje zgjatim të Repsit, ose anasjelltas, meqë i dyti ishte satelit i të parit.
Ndryshonte orari i veprimeve, për shkak të punës me turne, për rrjedhojë edhe regjimi. Natyrisht, s’bëhej fjalë për ndonjë ndryshim cilësor, thjesht lajthitnin grafikut hyrje-daljet në kampin e punës, orarin e zgjimit, ndarjen e ushqimit, apelin e mëngjesit, sepse pasdite detyroheshin të dilnin të gjithë. Po i marrim me radhë.
Turni i parë – zgjimi bëhej në pesë. Brenda orës duhej të mbyllje nevojat vetjake, të bëje tualetin, të merrje ushqimin e ta gjerbje, që ora gjashtë të të gjente në rresht. Pra, duhej të kryeje një mori veprimesh, në pak minuta, gjë që mund t’i përballnin vetëm marionetat.
Sapo vargani dilte nga porta dhe ndaheshin në brigada, merrnim të përpjetën e kalvarit, pajiseshin me bazën materiale dhe zhdukeshin nëpër vrima, tetë orë.
Në tre mbyllej cikli, një orë humbte me ndërresën e turnin, po aq me veglat në depo dhe sa zbrisje teposhtë, rreshtoheshe dhe prisje roje,t sa t’iu tekej të hapnin derën e të kaloje kontrollin; vetëm nga katër e gjysmë-pesa, mund t’i drejtoheshe kuzhinës, për të marrë ushqimin. Pa kaluar ora, nisnin fishkëllimat për apelin e mbrëmjes.
Në dimër ky ritual shtjellohej nën dritat e projektorëve, në thëllim, shi e borë, ndërsa në ditët e verës, mbetej pak kohë për nevojat vetjake.
Në nëntë jepej sinjali për gjumë dhe kampi binte në qetësi relative. E theksoj relative, se bash atë orë, çohej turni i tretë, përgatitjet e të cilëve s’kalonin pa zhurma, me gjithë kujdesin të mos shqetësonin shokët.
Ora nëntë ulte siparin e turnit të parë.
Turni i dytë: ishte kopje e përafërt e të parit. Përjashto zgjimin që bëhej më vonë, ndonëse për shkak të zhurmës tej e ndanë fjetores, gjumi avullonte që në pesë. Pa u kthyer punëtorët e tumit të tretë, bëhej apeli i mëngjesit, pas kësaj i drejtoheshe kuzhinës dhe më pas mund të merreshe me ndonjë punë personale, gjer në dy, orë që duhej të të gjente të rreshtuar për në punë.
Tumi përfundonte në njëmbëdhjetë, mbas adetit të dorëzimit të frontit, veglave dhe teshave në depo, shkonte dymbëdhjetë, nga një e natës, mund të hyje në kamp.
Merret me mend sa ishim të lodhur, të rraskapitur e të përgjumur, kur vinim te kazani, na merreshin këmbët dhe s’na hapej goja.
Nga dyshi shtriheshim në shtrat, po gjumi ishte arratisur në zgripet e ëndrrave të vrara. Këtu përfundonte dita…., të tjerat prisnin radhën pafund…!
Turni i tretë: niste krejt origjinal, mëngjesi të zinte në terr, të linte në terre, të gjente në terr!
Në shtatë të mëngjesit mbyllej turni, mbi një orë sorollatje depo më depo dhe nga tetë e gjysma, vinte radha të hyje në kamp. Kur i drejtoheshe kuzhinës për të rrufitur lëtyrën, ishe i përhumbur dhe plandoseshe pa u zhveshur mbi kashtë, ku të kaplonte gjumi.
Në katër duhej të ngriheshe që të merrje ushqimin dhe ta gjerbje thuajse në këmbë, për të qenë gati për apelin e mbrëmjes. Mbas apelit, mund të kryeje ndonjë nevojë të vogël, nëse të hapeshin sytë, por zakonisht shtriheshe të mblidhje eshtrat.
Në nëntë, kur të tjerët binin në gjumë, ngriheshe që dhjeta të të gjente në rresht.
Njëzet e katër orëshi, niste në terr dhe mbyllej në terr. Një në tri javë, të burgosnin në burgun e burgut! Vetë-shërbimet dhe të tjerat.
Me nevojat personale, nënkuptohen vetë-shërbimet dhe të tjerat.
Në vetë-shërbime, renditej banja për të hequr zhulin dhe pocaqitë e minierës.
Natyrisht, atje s’kishte dushe, po shërbenin si të tilla ca gjysma fuçish të ndryshkura, që i ngrohnim në kuzhinën private dhe me ndihmën e shokëve, i sillnim në kthinat. Pasi varje një cergë batanije, sa të mos dukeshe cullak, dimrit laheshim në thëllim, verës në pluhur.
Edhe teshat ishin një angari plus, tymrat e minierës na bashkëshoqëronin në shtrat. Ndaj, ngrohnim ujin në kova apo kazan dhe i shkumonim mbi lekan, herë me sapun, herë me sodë rrobash, sa na binin thonjtë. Meqë i kishim të pakta dhe i lanim dendur, shpesh i vishnim të buta, sidomos në ditët me llohë, ngaqë telat nderës ishin të pamjaftueshëm, për shtatëqind shpirtra. Por s’vepronin të gjithë kësisoj.
Një pakicë e kishin humbur interesin për pastërtinë, ishin lëshuar në atë derexhe, sa ishin kthyer bezdi e të tjerëve, sepse të ambientuar pisllëkun, përçmonin çdokënd që përpiqej të mbante veten edhe në kushte mjerimi, madje i përqeshnin dhe i etiketonin; “tekanjozë borgjezë”, apo “maniakë të çmendur”.
Meqë e kishin çuar kujdesin në zero, tentonin t’ua pasonin vesin edhe të tjerëve, dhe kur s’e arrinin me shpoti, e mbërrinin me mënyrën më të keqe, iu transmetonin parazitët, që zinin me shumicë.
Në fjetore flinin mbi njëqind shpirtra. Paretet e pupulitit, ishin shndërruar në çerdhe çimkash, pleshtash dhe morrash, ndërsa jatakët ishin ngjeshur njëri pas tjetrit dhe parazitët shpërndaheshin kollaj. Pakica e pistë provokonte paqësorët dhe nisnin sherret; qëllonte të mbylleshin me grushte, po edhe më keq enda, me të lënduar.
Sherri shuhej pas ndërhyrjes së komandës, por lipsej të aspiroje duhmën e dezinfektantëve gjithë javën.
Një tjetër nevojë ishte edhe gatimi në kuzhinën private. Ushqimi i burgut, ishte o i pamjaftueshëm, o i pangjerueshëm. Natyrisht këtë privilegj e gëzonte kush kishte ndihma nga familja, ndërsa të tjerëve, iu mbetej supa e kazanit, që do ta hanin me hir o me pahir.
Ndaj ishin krijuar grupe vullnetarësh, për t’iu gjendur shokut, bashkonin ato pak ushqime që iu sillnin familjet dhe hanin bashkë nga dy e nga tre, sipas dëshirës, krahinave apo tarafeve. Kjo mënyrë i organizimi ishte zgjidhje perfekte, kur njëri ishte në punë, tjetri gatuante në kohë pushimi për vete dhe për shokun, që kur kthehej nga puna i kapitur, e gjente gati.
Unë haja me dy Tomorët. Balliu merrej me kuzhinën dhe gatuante për të tre. Ndonjëherë e bënte edhe Allajbeu, por jo me art, kurse unë, s’ia thosha fare, kur më zinte halli, do ta përzhitja ose do më mbetej babanace. Sidoqoftë, dy Tomorët me aftësitë kulinare, më dhanë luksin të mos humbja kohë, më krijuan hapësirë t’i përkushtohesha studimit dhe më shpëtuan nga kjo “vogëlsi”.
Te “të tjerat” grupoheshin edhe shërbimet ndihmëse, si radha një herë në javë te berberi për rruajtje dhe një herë në muaj, për qethje.
Po “hundaçi” të priste hundë e buzë, si t’i kishte ngrënë gomari bukën, të shkumonte me furçën qimerënë, teksa me dorën e djathtë kapte “kosoren”, me të majtën të ngrinte kryet sikur do të therte dhe niste krasitjen me briskun e gërryer nga të fërkuarit në rrip, me të cilin i rruante shtatëqind burra. Brisku, nga përdorimi i shëmbëllente biçakut, shtoi edhe indiferencën e “hundaçit” për ta dezinfektuar, qe kthyer në burim infeksionesh, duke përçuar sëmundjet infektive nga njëri te tjetri.
Kisha parë shpesh fytyra të mbushura me puçrra të qelbëzuara, s’kishte zgjidhje tjetër, sepse s’lejonin brisqe, me pretekstin se mund ta përdornim si armë për krime të rënda, doje s’doje, do vije te kasap “hundaçi”
Natyrisht nga ky rregull i detyrueshëm, për pjesën dërrmuese rreshtoheshin larot e komandës, që gëzonin luksin të posedonin brisqe “Astra”, po edhe ata që i siguronin në tregun ilegal.
Gjithashtu edhe qethja ishte detyrim i përmuajshëm. Kur qëllonte të kapërcehej ky limit dhe të pikaste polici me flokë paksa më të rritur se e lejueshmja, standard që e përcaktonte ai vetë, përfundoje në birucë për mosbindje. Këtë, komanda e justifikonte me, gjoja pastërtinë dhe kujdesin shëndetësor, por në fakt, i druheshin ndonjë arratisje të mundshme nga vendi i vuajtjes së dënimit dhe hajt gjeje një të dënuar me flokë, mes të lirëve!
Shoqëria socialiste monitorohej rreptë. Grupimet i kishin ndarë me thikë. Kudo dhe mbi këdo, vigjilonte Partia që i mbante nën vëzhgim permanent, nëpërmjet Sigurimit të Shtetit dhe “rripave të transmesionit”.
Privatësia pothuaj s’ekzistonte, individualizmi shihej me dyshim; jetohej fshatçe me lagje, me rajone, me ndërmarrje, me aksione dhe për t’i pasuar nën kontroll, grupimeve ua kishin paracaktuar tiparet dalluese, si kominoshet për punëtorët, çizmet për fshatarët, shamitë e aksionit për rininë, gushoret për çerdhet dhe kopshtet, shallin e kuq për pionierët, bluzat e zeza për gjimnazistët, uniformat për ushtarakët, po edhe kokat e qethura për ushtarët e shërbimit të detyruar, për “begsit” e shkollës ushtarake, për të izoluarit në institutet e riedukimit dhe natyrisht, për të burgosurit, që binin në sy si banda tullacësh.
Nëse të rinjtë e sotëm, madje edhe vajzat, rruajnë kokën për t’u dukur trendi, në kohën kur farkëtohej “njeriu i ri”, standardi ishte detyrim, rregullat strikte, ndonëse të pashkruara, lipsej t’i zbatoje pikë për pikë. Bie fjala, të ishe i veshur dhe i qethur me partishmëri; domethënë meshkujt të përvjelë “ballaboks” si vëllezërit rusë dhe më pas, por të kthyer mënjanë si vëllezërit kinezë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016