Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e tridhjetë e tre
Memorie.al/ Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkt me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e qazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Të nesërmen në mëngjes na priste auto-burgu. Përsëri një udhëtim i gjatë, plot mundime, të vjella e dhimbje koke, derisa mbërritëm në Degën e Brendshme të Fierit. Aty na pritën policët, të cilët na çuan në një kamp të vogël, që përpara pat shërbyer si ofiçinë makinash e që ishte ngjitur me korpusin kryesor. Ishte një barakë e rrethuar me tela me gjemba dhe me roje.
Aty ne gjetëm një dhomë, ku ishin vendosur dy tavolina pune, me disa karrige, e nëpërmjet një dere tjetër futeshe në një dhomë rreth katër metra me katër, që do të na shërbente si dhomë fjetje. Në këtë fjetore, ishin vendosur në mënyrë të fisme katër krevate teke, me susta dhe me pajisje të reja batanijesh e çarçafësh, si dhe një tavolinë me katër karrige, aq sa ishim ne, për të ngrënë ushqimin. Polici shoqërues, na tha që të sistemoheshim si të dëshironim vetë. Dhoma kishte vetëm një dritare të vogël, por që ishte si gjithnjë, më lart se sa arrinin kokat tona. Kështu, ne gjetëm aty një trajtim krejt tjetër dhe si duket ata deshën të na merrnin me të mire, për të na gënjyer, që ne të merreshim me projektime.
Baraka kishte edhe një ndarje tjetër, më të madhe, rreth gjashtë metra me gjashtë, e në dy faqet më të gjata, kish të vendosura dy shtresa dërrasash, mbi të cilat flinin afro dyzetë të burgosur ordinerë. Ca flinin poshtë dhe ca flinin lart, si mos më keq. Në mes, qe ndërtuar një si sallon i vogël, ku ishte vendosur një televizor, përpara të cilit mblidheshin të burgosurit. Në darkë na çonin edhe ne aty, por ne uleshim në bangot e fundit, në mënyrë që të mos kishim asnjë kontakt me të burgosurit ordinerë, por sidoqoftë, nuk mungonte kurrë polici i ngarkuar me kontrollin. Nga e djathta e sallonit, ishte një hyrje e vogël, ku ishte vendosur edhe një lavaman, për t’u larë vetë ne, si edhe për të larë enët që përdornim.
Të nesërmen, ia behu aty zëvendësministri i Punëve të Brendshme, me dy pasues të tjerë. Ai na vuri në dijeni që ishin marrë masa të posaçme, që ne të jetonim e punonim aty. Do të na sillnin materialet gjeologjike e gjeofizike, që do të na duheshin, si dhe të dhëna të tjera laboratorike, për të kryer studime përgjithësuese e projektime pusesh. Ai përmendi dhe kërkesën e tyre fillestare dhe termin që përcaktuam ne, projektimin dhe studimet përgjithësuese. Paçka se ne kishim kundërshtuar prerë, ata përsëri kishin menduar, të na venë neve para fakteve të kryera, duke menduar se ne do te thyheshim. Pasi mbaroi se foluri, siç e kishim bërë zakon kohët e fundit, fjalën e mora unë.
– Shoku zëvendësministër, ne ju a kemi shpjeguar, por nga pazotësia, jonë nuk e kemi bërë të qartë, se me studime jemi dakord të merremi, nga se studimin e kemi në gjak. Sa për të projektuar puse, unë për veten time, e theksoj që flas në emrin tim, nuk e bëj më kurrë. Ju na dënuat për këtë, e tani na thoni përsëri projektoni puse nafte! Na vjen keq, por do t’ju luteshim, të mos na merrni për budallenj! Atëhere ai më tregoi revolverin që mbante në brez dhe më tha: – “Doni, nuk doni, ju do të projektoni puse kërkimi! Ne ju japim urdhër të prerë! Dhe ti e shikon këtë koburen këtu? Po nuk gjetët naftë e gaz, kjo ju pret”!
Kur mbaroi kërcënimin me armë në dorë, ashtu siç e prisnim, unë ngula këmbë përsëri në qëndrimin tonë: – Ne jemi profesionistë, jemi punonjës shkencorë dhe jo fallxhi, që të dimë se ku ka akoma me saktësi naftë e gaz. Të tillë njerëz, nuk gjeni dot në asnjë vend të botës. Unë nuk arrij ta kuptoj, se si e kërkoni këtë gjë të pamundur! Prandaj na futët në burg, që ne të punojmë me frikën e kobures…?! Jo zotërinj, unë këtë nuk do ta bëj më! Ndërhyrja ime atë e nxehu më keq. Ai u skuq, e më shkumëzoi në fytyrë: – “Shiko, se ti po flet ca si shumë, po ne e kemi gati Burrelin për ty. Kemi edhe masa të tjera po nuk pranove”.
Në mbështetje të qëndrimit tim, menjëherë u ngritën e folën edhe kolegët e tjerë. Zyrtari i lartë, i ndodhur para një kundërshtimi të tillë të patundur, të të gjithë grupit, u ngrit i inatosur dhe u largua. Siç e thotë një fjalë popullore, kësaj radhe, atij i ngeci gozhda në mur. Ai dështoi në një nga objektivat e arrestimit tonë, atë që ne të projektonim nën tytën e kobures.
Ata menduan, megjithatë, se me kalimin e kohës, të joshur edhe nga ca kushte më të mira jetese, që na kishin krijuar, ne do të thyheshim e do të pranonim që të projektonim. Kështu pas dy ditësh, erdhën e na pyetën se çfarë materialesh kërkonim dhe nga cili rajon, do të fillonim. Ne zgjodhëm një rajon dhe iu futëm punës studimore, e cila na ndihmonte të mbanim gjallë veten tonë dhe bile me një farë optimizmi. Ne humbitnim kohën me orë të tëra, mbi këto materiale.
Të dhënat që na duheshin, ata i merrnin në Institut, por me vonesa të mëdha. Kishte ditë e javë të tëra, që ne rinim në pritje të materialeve. Pas disa muajsh pune studimore, në përfunduam vlerësimin e rajonit që morëm, por nuk bëmë aspak projektime pusesh. Ne ua u lamë punonjësve të Institutit e të Gjeofizikës, ta bënin këtë punë. Nuk u tërhoqëm nga qëndrimi ynë i drejtë. Gjatë kësaj periudhe, erdhi aty disa herë edhe një drejtor nga të ministrinë së Brendshme, kushëriri i parë i dhëndrit të Enver Hoxhës, oficeri i lartë i Sigurimit, Engjell Kolaneci, i cili mbahej shumë me të madh. Edhe ky na kërcënoi e na kërkoi, të projektonim, por ne mbajtëm të njëjtin qëndrim, e nuk u tërhoqëm asnjëherë.
Më pas na sollën edhe materiale të tjera, por ne bënim tonën: vetëm përgjithësime dhe vlerësime. Kjo ndeshje vazhdoi rreth një vit e gjysëm, deri nga gjysma e dytë e vitit 1988.
Kushtet jetësore këtu i kishim të kënaqshme. Ushqimi ishte më i mirë dhe ne shpërbleheshim, me një pagë fare të vogël. Megjithatë, kjo ishte një e ardhur që nuk duhej përbuzur. Ato të holla na hynin në punë, për të blerë ushqime dhe cigare, dhe si pasojë lehtësonim pjesërisht familjet tona, duke pasur parasysh se mjaft nevoja, na i siguronte komanda. Shteti na siguronte kryesisht sheqer, miell, oriz dhe cigare. Familjet, që tani ne gëzonim se i kishim aty pranë, na sillnin gatime të veçanta, që ne nuk mund t’i bënim në ato kushte.
Përveç kësaj, për këtë periudhë ne u lehtësuam edhe nga regjimi i burgut. Na kursyen tri apelet që na bënin të rrinim me orë të tëra jashtë në shi, dëborë, apo vapë të madhe. Apelin e bënte vetvetiu polici, i cili binte gjellën tri herë në ditë. Shpëtuam nga ato leximet e mërzitshme politike, me orë pa mbarim për çdo ditë. Dashuria e natyrshme për punën, na shtynte që të rrinim kërrusur mbi tryeza, jo tetë, siç e kishim detyrë, por dhjetë e dymbëdhjetë orë, në ditë. Ne ishim edukuar një jetë të tërë me këtë regjim pune, e nuk largoheshim dot kollaj nga kjo praktikë. Ne urrenim sistemin, por jo punën.
Duke parë që ne nuk pranuam të bënim projektime, mjeshtrit kryeqytetas të dramave tona, u detyruan të hiqnin dorë nga pika e planit të menduar para arrestimit tonë, ajo që të krijonin një grup kompleks, prej dy gjeologësh e dy gjeofizikësh, të cilët të punonin me frikën e vdekjes. Kështu, të pakënaqur nga qëndrimi ynë, pas kësaj periudhe ndërmjetëse në Fier, ata na kthyen përsëri në kampin e Shën Vasisë, të Sarandës.
Iu nënshtruam përsëri atij regjimi të mërzitshëm të kampit me apelet pa fund, me leximet kolektive të detyruara, me atë ushqim fare të dobët, me ato kushte të rënda jetese. Këtu edhe nga familja, nuk na sillnin dot shumë gjëra, sepse në vapën e madhe, ushqimet nuk duronin e prisheshin gjatë rrugës së gjatë, e që shpesh herë zgjaste dy ditë.
Vetëm djathi mund të duronte disa ditë, nga që e mbështillnim me lecka të lagura me shumë kripë. Çdo gjë tjetër, duhej konsumuar brenda dy e shumë-shumë tri ditëve. Por deri në takimin tjetër, duhej të prisje edhe një muaj më shumë, e nganjëherë dy muaj, ngase për arsye festash e ndodhish të tjera, komanda e burgut i ndalonte fare vizitat. Për të treqind vetët e kampit, kish vetëm një televizor të vogël, të cilin na e vendosnin përjashta dhe ne uleshim në disa shkallë, që kishim ndërtuar përshtatur me terrenin e pjerrët. Qëndronim me orë të tëra para ekranit, me ato programe të dobëta, që kundërmonin një orë larg nga politizimi i shpifur: Shihnim të vetmin kanal, atë të stacionit të Tiranës dhe donim nuk donim, duhej të qëndronim para ekranit, deri sa të vinte ora dhjetë, që ishte ora e apelit të fundit, në prag të gjumit.
Mërzitja, vuajtjet nga regjimi i burgut, nga kushtet e rënda të jetesës, të fjetjes në dhoma me mbi tridhjetë vetë, ku të tërbonte era e keqe e trupave të palarë, por sidomos e teshave të palara, që disa të burgosur i mbanin javë pa i hequr nga vetja, si dhe vetë sjelljet jo njerëzore të policëve e oficerëve, e bënin jetën e burgut shumë të rëndë.
Mbi të gjitha këto, me e padurueshme ishte atmosfera kur vdiste ndonjë i burgosur. Dhe kjo ishte e shpeshtë, sepse ky kamp, siç e kam theksuar, ishte kryesisht për të moshuarit e të sëmurët, të cilët në këto kushte, nuk rezistonin dot dhe vdisnin para kohe. Kulmi i qëndrimit antinjerëzor, ishte se edhe kur vdiste i burgosuri, kufoma nuk i jepej familjes për ta shtënë në dhe, por e varrosnin aty, me disa copa dërrase, pa arkivol, në gropa anonime, pa skica e shenja, që as komanda të mos i dinte se ku i kishte kallur. E vetmja shenjë, nëse mund të quhet kështu, ishte një shishe me emrin e të vdekurit, që fusnin në gropën që rrafshonin e që pas dy muajsh, bëhej njësh me livadhin a shpatin e kodrës.
Kohët e fundit, komanda u bë pak më e zbutur, se filloi t’i regjistronte vendet ku groposnin të vdekurit, por ato i dinte vetëm ajo. Dhe sipas udhëzimeve të reja, familja mund ta tërhiqte skeletin, vetëm kur shlyhej afati i dënimit. Dënimin ta kërkonin ta përmbushje jo vetëm në të gjallë, por edhe i vdekur! Asgjë më barbare se kjo, nuk mund të mendojë njeriu në një kohë paqe, e jo lufte.
Në kampin e Shën Vasisë, të burgosurit që vdisnin në mbrëmje, i vendosnin ashtu të shtrirë përdhe, në hapësirën tërë lagështirë pranë lavamanëve ku laheshim ne. Ishte një pamje e llahtarshme. Të shtypte gjoksin pesha e atij përdhunimi të kufomës, lënë aty si një deng i ndyrë, tek nuk gjendej një vend i posaçëm, që të evitohej pamja që godiste shikimin e atyre, që vinin të lanin duart. Prandaj, kur vdiste njeri, të burgosurit e Shën Vasisë, bëheshin të zymtë e të pikëlluar. Asnjeri nga ne nuk shkonte të lahej, sepse nuk e duronim dot kufomën e hedhur në sheshin prej çimento të banjës. Më e pakta, ajo pamje të bënte të mendoje që dhe ti do të përfundoje ashtu, aty në atë vend dhe të burgosurit që kishe lënë pas, do të refuzonin të vinin të lanin fytyrat. Në ditë të tilla, ishte shumë e vështirë të të zinte gjumi.
Tek ne në Shën Vasi, ishte një i burgosur që quhej Baftjar Xhiraj nga Durrësi, që vdiq para udhëzimeve të reja mbi rastet e vdekjes. Pas llogaritjeve, komanda i tha atij të bëhej gati se do ta lironin të nesërmen në mëngjes, në orën shtatë fiks. Në pasditen para lirimit, Baftjar Xhiraj u përshëndet me të burgosurit, duke e përmbajtur me zor gëzimin e pakufishëm, se do të kthehej në familjen e tij, pas shumë vitesh. Për fatin e tij të keq, atë mesnatë, ai vdiq nga zemra. Në mëngjes, vëllait, që erdhi, duke menduar se Baftjari i liruar, do ta priste jashtë portës, i thanë të paraqitej në zyrat e kampit.
Ai pyeti atje se në cilën orë do t’ia lironin vëllanë, kurse ata i dhanë lajmin e hidhur, se Baftjar Xhiraj, kishte vdekur mbrëmjen që shkoi, në mesnatë. Mes atij pikëllimi të madh, i vëllai, kërkoi të merte trupin e të vdekurit, për ta varrosur në Durrës, e ta përcjellë prej familjes. Por, jo! Drejtuesit e kampit, në marrëveshje dhe me përgjegjësit e tyre lart, nuk ia dhanë trupin, sepse ai përfundonte dënimin në orën shtatë të mëngjesit, kështu që Baftjari, duhej të varrosej në luginat e kampit, ngase procedurat në këtë rast, ishin për tërheqje të vdekurish, të vdekur brenda afatit të burgut. Kjo merrte kohë, se duheshin marrë lejet përkatëse. Me gjithë protestat e shumta të të vëllait, komanda e kampit, nuk ia dha kufomën, sepse vërtetë që Baftjari kish kryer shumë vite burgu, por ama konsiderohej i vdekur në burg, se kishte akoma dhe shtatë orë burg për të bërë.
Dhe kështu, ky qytetar i Durrësit, u varros në ndonjë rrëzë peme, nuk e di se ku dhe nuk di nëse familja, e mori dot më vonë apo jo, që ta qante për së dyti. Shumë veta që e kanë dëgjuar këtë histori, nuk e besonin e u dukej çudi, por është një nga çuditë tipike të asaj jete që kanë bërë shqiptarët, për katër dekada. Me këto kushte, me këto tensione e strese nervore të mëdha, me këto vështirësi, ne kalonim ditët, javët, muajt dhe vitet.
Një mëngjes të bukur, aty nga fillimi i vitit 1989, Enrikon dhe mua, na thirrën në zyrat e kampit, e na njoftuan të bëheshim menjëherë gati, se pas disa orësh, do të kishim një transferim të ri. Si zakonisht, nuk na thanë se ku do të na shpinin. Kjo ishte ndarja, që ne bëmë me Mynyrin e Petritin, me të cilët deri atë ditë, qëndruam bashkë në të njëjtin kamp.
Për udhëtimin këtë radhë na ndihmoi fati, se nuk na futën në auto-burg, por në një kamion të mbuluar, ku ndodheshin disa të burgosur ordinerë dhe dy të burgosur politikë. Në karroceri, udhëtuam të lidhur dy e nga dy, dhe të ulur këmbëkryq përdhe, kështu që gjatë gjithë rrugës, gropat na i bënë copë prapanicat. Megjithatë, udhëtimin e bëmë mjaft më mire, se me auto-burg.
Gjatë këtij udhëtimi, që nuk kish mbarim, unë dhe Enrikoja, shkëmbenim ndonjë hamendje, se ku po na çonin, por natyrisht ishte tepër e vështirë, ta gjeje se ku. Ushtarët qëndronin të ulur në stolat anësore, na ruanin ne dhe nuk lëshuan asnjë fjalë për adresën. Më në fund, aty nga pasditja, mbërritëm në një kamp tjetër të burgosurish, në brendësi të kryeqytetit. Kur zbritëm nga karroceria e kamionit, mësuam se ky vendi i ri, quhej kampi i të burgosurve ordinerë, i lagjes “Ali Demi”, të Tiranës.
Zyra e përkthyesve të burgosur, e Ministrisë së Punëve të Brendshme
Kampi i të burgosurve, ishte i ngritur në një kodër të vogël, rrethuar me tela gjembi, rreth e përqark. Ai nuk kishte përmasat e Zejmenit dhe të Shën Vasisë. Enrikon dhe mua, na drejtuan në një qoshe, në të majtë të hyrjes të këtij kampi, ku ndodhej një dhomë e madhe, e izoluar me tela nga pjesa tjetër e kampit. Ishte si të thuash një rrethim i vogël, brenda rrethimit. Ky seksion, kish një oborr të vogël shtruar me çimento, në fund të të cilit, ndodhej një dhomë tjetër e vogël, për larje dhe gatim. Brenda dhomës kryesore, ne gjetëm pesë të burgosur të tjerë, të cilët në atë kohë ishin të ulur nëpër tavolinat e tyre dhe po punonin.
Ata na pritën me mirësjellje dhe na sqaruan, se aty ishte zyra e përkthimeve, e tëra me përkthyes të burgosur, që Ministria e Brendshme kish ngritur për nevojat e shqipërimit të librave të ndryshëm, me informacione mbi shërbimet e zbulimeve të huaja, mbi mjetet dhe pajisjet e ndryshme që përdornin këto shërbime të fshehta, mbi ligjet e ndryshme për burgjet, mbi të drejtat e të burgosurve, e deri te kushtetutat e shteteve të ndryshme. Kjo dhomë e madhe, shërbente edhe për punë, edhe për fjetje. Aty ishin vendosur katër krevate, me kate dyshe, alla marinarçe.
Mbasi ua bëmë të ditur se kush ishim, ne mësuam se dy prej tyre, ishin me arsim të lartë, njeri inxhinier minierash, nga Durrësi dhe tjetri arsimtar. Tre të tjerët, kishin arsim të mesëm dhe gjuhët e huaja i kishin mësuar gjatë vuajtjes së dënimit, sidomos gjatë periudhës që patën jetuar në burgun e Burrelit. Ata u treguan mjaft dashamirës, na ofruan miqësinë e tyre dhe në javët e para, na ndihmuan pa u kursyer në përkthime, në përvetësimin më të mirë të gjuhës e të teknikës së përkthimit. Doli se unë, isha i vetmi përkthyes nga gjuha ruse, që dhe e zotëroja mjaft mirë.
Por aty na vinin të përktheja edhe nga frëngjishtja, sado që kisha mjaft mangësira, ngase për dekada të tëra, nuk e kisha përdorur atë që pata mësuar në shkollë dhe në mënyrë private, nga babai. Nëpërmjet fjalorit, punës studiuese dhe ndihmës nga përkthyesit më të vjetër, unë arrita të përkthej materiale të rëndësishme, të cilat miratoheshin nga specialistët e gjuhës, që ia bënin kontrollin në ministri. Ndërsa Enrikoja, përvetësoi mjaft më mirë gjuhën angleze dhe arriti të bënte përkthime me një cilësi të mire, e nuk pati asnjëherë vërejtje.
Detyrën tonë të re që tashmë na e kishin shpjeguar në darkë kolegët më të vjetër burgaxhinj, na e tregoi të nesërmen, një përfaqësues i Drejtorisë së Kampeve dhe Burgjeve, pranë ministrisë së Brendshme. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016