Nga Eugen SHEHU
Pjesa e parë
Memorie.al / Është krejt si të thuash aksiomë, mendimi i shprehur se historia është kujtesa e zgjuar e një populli! Ajo nuk fle kurrë. Ajo nuk mund të flejë, se përndryshe do të ishte vdekje e kombit. Kjo nuk do të thotë aspak se nuk mund të gjenden njerëz, që të kërkojnë të vrasin historinë. Përkundrazi, këta janë në bollëk dhe këtë e dëshmoi sidomos diktatura shqiptare gjysëmshekullore e cila, jo vetëm fallsifikoi e denigroi një periudhë relativisht të gjatë të historisë së këtij shekulli por, sidomos u porpoq ta vrasë ate. Ajo çka rëndon në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoninë Shqiptare, u quajt “Periudha e Zogut”, e cila u vesh prej historiografisë komuniste, me gjitha të zezat, ashtu siç u konvenonte ekspansionizmit sllavo-ortodoks, greko-serbo-bullgar e, atij italian.
Sa herë që është ngritur një urë në Shqipëri me kontribute vullnetare, është thënë se Mbreti i dikurshëm, as qenka kujtuar për te, madje sa herë që është folur për “mirëqenien” socialiste, qenka thënë se në kohën e Zogut, paska munguar edhe buka e gojës! Derisa është thënë se; Mbreti Zog vetë paska urdhëruar dhe çeljen e dy burgjeve! Ironia e fatit është se ndërkohë që shteti Shqiptar në vitet e ‘30-ta’ paska hapur dy burgje (një shtet i konsoliduar, assesi s’mund të kuptohet edhe pa burgjet e tij), diktatorët komunist shqiptarë, kishin ndërtuar me dhjetëra të tilla. Madje për nga kufizimi i të drejtave elementare dhe dhuna e ushtruar aty, këta burgje paskan qenë për krahasim, vetëm me gulagët e Stalinit!
Populli dëgjonte po rrallë besonte. Ishin përralla tepër naive që gjithë populli t’u besonte (me përjashtim të atyre të infektuarve me virusin komunist), e t’i gëlltiste. Por gjithsesi, populli s’mund të fliste. Fjala (ajo që sipas Kuranit e Biblës, është e para), ka pasur një çmim tepër të lartë në diktaturë. Nëse do t’i thurje lavde pushtetit, do t’thoshje gjërat hapur, ajo të “ndihmonte” për të zbritur në ferrin e burgjeve komuniste. Kështu ka qenë, si m’atanë, ashtu dhe në këtë anë kufirit artificial me tela me gjemba, përbrenda shtetit shqiptar, gjuha e përbashkët; Enver-Tito, Mehmet-Rankoviç, ishte e mprehtë e vrastare, për-gjersa shkulte votra dhe fshinte familjet shqiptare besnike nacionaliste.
Sidoqoftë, nëse ende tash, në bisedat e përditshme thuhet togfjalëshi; “kështu si ka qenë në kohën e Zogut”, kjo don të thotë pos të tjerave, se në fytyrën e asaj kohe, janë gdhendur jeta, vepra, përkushtimi madje deri edhe vdekja e Mbretit Zog. Një kohezion i çuditshëm ka mundur të mbaje të bashkuar trimin dhe patriotin e Matit, me ato vite plot fortuan që kalonte atdheu ynë, në vitet ‘20-’40-të, të shekullit të kaluar.
Ka qenë mbrëmja e 8 tetorit 1895, ajo kur shtëpia e Xhemal Pashë Zogut, u mbush me miq. Kullat e mëdha atje në fshatin Burgajet të Matit, u mbushën plot gëzim e biseda me gaze, të cilat prej kohësh ishin bërë çerdhe të mendimit atdhetar. Midis miqve, ndihej sidomos zëri i butë i Dërvish Himës, i cili i ndjekur prej autoriteteve të Portës së Lartë, kish shkuar në Shqipëri me misionin e madh, të zgjimit të vetëdijes kombëtare. Biseda ka marrë udhë e Xhemal Pashë Zogu u ka kumtuar miqve të kullave të tij në Burgajet, se do të jenë kurdoherë karakolle të luftës së shqiptarëve, për pavarësinë e trojeve të tyre.
Biseda plot emocione e burrave dhe besa mbi sofër, por papritmas krismat e pushkëve dhe trokitja në derën e dhomës ku burrat i japin besën atdheut, papritmas lajmërohen me zë të gazmuar për Xhemal Pashën, se Zoti i Madh, i kishte dhuruar djalë. Kaq është dashur që burrat të çohen në këmbë prej sofrës dhe të rrokin në grykë të zotin e shtëpisë, duke e uruar sipas traditës e zakonit shqiptar. Nga ana tjetër, Xhemal Pasha, tepër i emocionuar dhe duke lotuar prej gëzimi, i lutet Dervish Himës, që le të jetë ky nun i djalit të porsalindur. Atëherë gëzimi kulmon dhe atdhetari i madh Dervish Hima, pagëzon djalin e sapolindur, me emrin Ahmet. Në këtë mjedis të frymëzuar prej luftërash e kaçakësh të guximshëm e patriotë, u lind Ahmeti, biri i vetëm i Xhemal Pashës.
Historia do të rezervonte për të një fat pothuaj të ngjashëm me paraardhësit, pushka e të cilëve kishte shkrepur kurdoherë për lirinë e trojeve etnie shqiptare. Ndër studiuesit e parë të familjes mbretërore shqiptare, Kristo Dako, ka shkruar: “Më 1852, Xhelal Beu mori pjesë në luftën kundra Karadakut, si komandant i një fuqie prej 1500 vetash, më të shumtit prej fisit Zogoll. Në këtë luftë, Xhemal Beu, ka treguar një trimëri të madhe e në sulm e sipër u plagos, matjanët duke parë plagën që mori, i thonë; ‘Kthehu ore Pashë se të vranë’! e ai u përgjigjet: ‘Nuk kthehet burri i Matit, asht ndera e jonë e lypet ta marrim Cetinjën’! E kështu, me qëndrimin e trimërinë e tij fitoj luftën, edhe i doli kënga që këndohet edhe sot; ‘Kush i doli malit mbanë? Xhemal Beu me Matjanë”! (Kristo Dako “shënime historike nga jeta dhe veprat e Mbretit të Shqiptarëve”- Tiranë 1937, faqe 21).
Xhemal Pasha (gjyshi i Ahmetit), në vitet e ‘80-ta të shekullit të kaluar, do të ishte në miqësi të ngushtë me Seid Bej Toptanin, Naum Veqilharxhin dhe Hoxhë Tahsinin. Me nismë të tyre, ata shkruan një promemorie për Sulltan Azizin, duke i kujtuar këtij të fundit, se duheshin lejuar çelja e shkollave në katër vilajetet e Shqipërisë, pasi koha e kërkonte një gjë të tillë. Në Stamboll, në sarajet e mëdha të Xhemal Zogut, do të shkonte shpesh edhe Ismail Qemali, i cili aso kohe drejtonte gazetën “Zaman”. Bisedat mes tij e Xhemal Pashës, do të zgjasnin mjaft e në te veç brengave për Shqipërinë, do të gjendeshin edhe rrugët, për flakjen tej të natës së gjatë Osmane.
Xhemal Zogu la katër fëmijë: Rizain, Hedijen, Zijain dhe Xhelalin (babanë e Ahmetit). Xhelali ndërsa vazhdonte shkollën në Stamboll, në moshën 16 vjeçare e ndërpret atë, pasi i duhej të shkonte në Mat, në detyrën e Kajmekamit. Ai lidh jetën përfundimisht me Matin, duke treguar pos vlerat e veta atdhetare, edhe gjenin trimëror të këtij fisi i cili, ndonëse mund të jetonte mes të mirave në Stamboll, përkundej kurdoherë në djepin e shenjtë të dashurisë për tokën e të parëve. Kullat e Xhelal Pashës në Burgajet, dalëngadalë, u bënë vatër e organizimit të lëvizjeve të mëdha për arsim e pavarësi kombëtare, jo vetëm në Mat por, edhe më tej, në krejt viset e Dibrës e më gjerë.
Vehbi Dibra, Dervish Hima e dhjetëra atdhetarë të tjerë, patën bujtur me javë të tëra në kullat e larta të Zogollëve, duke ndjerë së afërmi jo vetëm bujarinë por, sidomos shqiptarizmin që rritej brenda atyre mureve. Në këto mjedise, me këto njerëz, natyrisht, jeta e Ahmetit do të merrte kuptime të tjera. Ajo jetë nuk mund të zvarritej kullave me zjarr apo salloneve mondane, por ajo jetë ish paracaktuar të jetohej furtunave. Në vitin 1908, Xhemal Pashë Zogu, vdes pa pritur. Ahmeti ishte 13 vjeç dhe natyrisht u ligështua. Por tregojnë se Nënë Sadija, nuk ja pëlqeu trishtimin dhe u përkujdes me dashuri, por edhe me një fisnikëri gati burrërore për të birin. Në pamundësi për t’u shkolluar në Shqipëri, ajo e çon të birin në Stamboll, me porosinë, siç i ka hije një fisnikeje, të prerë e domethënëse; “Mati pret prej teje. Duhet me shkelë në gjurmë të gjyshit e, të atit tënd”!
Në Stamboll, Ahmet Zogu, studion në një prej akademive ushtarake, të cilat asi kohe ishin pothuaj domosdoshmëri për bijtë e oxhaqeve të mëdha. I prirur edhe vetë pas artit ushtarak Ahmet Zogu, ishte tepër i vëmendshëm dhe mjaft kërkues ndaj vetes. Natyrisht aty njihet me plot shqiptarë të tjerë dhe viret në dijeni të ngjarjeve që patën përfshirë vendin e vet. Në verën e vitit 1912, vjen në Shqipëri dhe sapo shkon në Burgajet, njihet me rrethanat konkrete në të cilat përpëlitej lëvizja jonë kombëtare. Ka qenë tepër i ri, vetëm 17 vjeç kur në krye të një grushti trimash matjanë, merr udhën për në Vlorën heroike, në nëntorin e vitit 1912.
“Mirëpo prej kohës shumë të vështirë të asaj vjeshte dhe udhëtimit të rrezikshëm, tue u ruejt nga pritat e hueja serbo-turke, mbërrin me vonesë. Kur mbërrin në Vlorë, të gjithë u gëzuan, por edhe u befasuen tue ditë se veç kohës së keqe, kishte kalue shumë rreziqe gjatë rrugës. Ismail Qemali e përqafoi, e puthi në ballë dhe i tha: Mirë se ardhe mor biri im, se për këtë punë që po bëjmë ne sot këtu për të mirën e Shqipërisë, kemi pasë mësues gjyshin tënd Xhemal Pashë Zogun”. (Abedin Mulosmanaj, “Prijsi i historisë sonë kombëtare”, “Dardania”, faqe 63).
Burime arkivore flasin për atë se djaloshi 17 vjeçar prej Mati, u njoh në ditët e mëpastajme me vendimet historike të kuvendit kombëtar të Vlorës. Mirëpo ka qenë edhe dëshira e patriotëve atdhetar, që njëri nga mjediset e shtëpisë së njohur të Xhemal Beut, të thotë disa fjalë përshëndetëse të cilat zgjuan admirimin në radhët e patriotëve të asaj kohe. Kështu, në mesin e dhjetorit të vitit 1912, Ahmet Zogu largohet nga Vlora me premtimin e mbajtur para burrave të kuvendit se përballë çdo force ushtarake serbe në Mat, do të shihnin tytat e armëve të matjanëve trima.
Ndërkaq dihen pak a shumë ngjarjet që rrodhën më pa, Monarkitë ballkanike u vërsulën si hiena të shqyenin trupin e fqinjës së tyre të lashtë. Grekët në jug dogjën fshatra të tërë, vranë gra e burra, shembën xhami e dogjën teqetë. Serbët nuk munguan të lajnë me gjak mbarë Kosovën e Dibrën aq sa Drini i Zi u skuq i tëri.malazezët erdhën deri në qytetin e Shkodrës duke kërkuar dorëzimin e tij. Përballë kësaj gjendjeje të vështirë,qeveria shqiptare ngriti fort zërin duke kërkuar prej Fuqive të Mëdha, garantimin e lirisë dhe të kufijve, prej lakmisë së fqinjëve. Më 29 korrik 1913, konferenca e Ambasadorëve, vendoste që Shqipëria të vihej nën kontrollin e Fuqive të Mëdha.
Për këtë qëllim ajo caktoi një komision ndërkombëtar me përfaqësues të gjashtë Fuqive të Mëdha dhe një përfaqësues nga Shqipëria. Njëherazi u caktua që në krye të shtetit shqiptar të vihej një princ i huaj ndërsa drejtimi i xhandarmërisë, do t’u besohej oficerëve holandez. Përballë këtyre rrjedhave të fuqishme, të diktuara prej Evropës por sidomos edhe prej ngjarjeve në vend, Ahmet Zogu do të ishte kurdoherë i matur dhe i kujdesshëm. Ai dinte të vlerësonte realisht forcat politike apo ushtarake, e më së shumti dinte të merrte pozicionin e vet në krejt çka ndodhte në Shqipërinë e atyre viteve. Në fillim të vitit 1914, dihet tanimë influenca e Esat Pashës, në rrethet e Shqipërisë së Mesme.
Ngase ai donte të kishte marrëdhënie personale me vendet fqinje, e duke dashur që Shqipërinë ta shndërrojë në çiflig të tyre, vuri në krye të kësaj lëvizjeje Haxhi Qamilin, i cili paradoksalisht është interpretuar prej historiografisë mjerane të Tiranës komuniste, si “Udhëheqës i shquar popullor”. Mirëpo realiteti është se Haxhi Qamili dhe forcat e tij, synuan rrëzimin e Princ Vidit, me qëllim për të sjellë në Shqipëri një pasha turk. Kaq e kompromentuar ishte kjo lëvizje, saqë më 1 shtator 1914, pas disa luftimesh të ashpra, forcat e Haxhi Qamilit hynë në Vlorë dhe aty ku plaku Ismail Qemali, dy vjet më parë pat ngritur flamurin tonë kombëtar ata vendosën flamurin turk. Në këto momente Princ Vidi, kërkoi ndihmën e atdhetarëve shqiptarë prej të gjitha anëve.
Por kësaj thirrjeje iu përgjigjën vetëm disa krerë të lëvizjes atdhetare të Veriut. Ndër ta, rolin më të madh e pati Ahmet Zogu i cili edhe pse zhvillonte luftime herë-pas here kundra serbëve, në Mat, mblodhi rreth 300 forca dhe u vu në dispozicion të tratativave ushtarake princërore. Mbase duhet thënë se, me gjithë ndikimin e madh prej prindërve e shkollës, Ahmet Zogu e pat kuptuar se ylli i perandorisë osmane, kish perënduar prej kohësh. Duke u rreshtuar në krah të forcave përparimtare, duke synuar ndërgjegjësimin kombëtar, Ahmet Zogu, dëshmonte se idetë e tij ishin për ta afruar sa ma shpejt Shqipërinë me Perëndimin, duke iu largua Lindjes qoftë edhe me çmimin e madh të gjakut.
Në vitet 1915-1916, Ahmet Zogu qëndron me forcat e tij në Mat. Kullat e Burgajetit nuk humbën askurrë bujarinë e tyre. Në odat e tyre kishte kurdoherë miq e nëna Mbretëreshë gëzohej kur shihte burrat e Shqipërisë të vinin e bisedonin me birin e vet 20 vjeçar. Ahmet Zogu gjatë kësaj periudhe e cila koincidon edhe trysninë e fortë të perandorisë austro-hungareze, u përpoq të organizojë sa ma mirë formacionet luftarake që komandonte. Me një intuitë të hollë prej ushtaraku, ai u përpoq të krijojë reparte luftarake mjaft të zhdërvjellëta, me ide të qarta taktike e mbi të gjitha me vendosmërinë për të falur edhe jetën për atdheun.
Në mars të vitit 1916, Ahmet Zogu ndërmerr nismën për thirrjen e një kuvendi kombëtar. Politikat dhunuese të Luftës së Parë Botërore, kërkonin si domosdoshmëri unitetin në radhët e parisë shqiptare, ngase atdheu rrezikohej nën rrudhjen e përditshme të kufijve. Për të realizuar sa ma efektivisht këtë kuvend, Ahmet Zogu ndërmerr edhe një udhëtim në Vjenë, duke kërkuar përkrahjen e austro-Hungarisë. Për autoritetet e larta atje, duke paraparë cënim të interesave të tyre jo vetëm që nuk i afrojnë dorën e bashkëpunimit por edhe e mbajnë të izoluar disa kohë, nën pretekstin e disa arsyetimeve banale. Madje këtu, kur shkon për herë të dytë, Mbreti i ardhshëm i Shqipërisë, shpëton mrekullisht nga një atentat i kurdisur nga Shqipëria prej rretheve reaksionare e feudale.
Ndërsa në mbarim të Luftës së Parë Botërore, Ahmet Zogu kthehet sërish në Mat. Ideja për një kuvend kombëtar jo vetëm nuk është joshur por përkundrazi tashmë është diskutuar edhe me patriotë të tjerë shqiptarë. Mbasi ç’mallet me të ëmën, Ahmeti lëviz nëpër krejt Matin e deri në kufijtë me Dibrën, duke riorganizuar forcat që do të mbështetshin këtë kuvend të unitetit kombëtar. Duhet theksuar se, në mbarim të vitit 1919, qeveria italiane ushtronte pushtet të plotë në aparatin e qeverisë shqiptare të Durrësit. Pranë prefekturave dhe institucioneve të ndryshme ishin vendosur këshilltarë italian, të cilët diktonin çdo zhvillim të mundshëm.
Njohësi i thellë i plagëve shqiptare, Mid’hat Frashëri e karakterizonte këtë ndikim me pak radhë, kur thoshte: “Italianët që mbanin të pushtuar Vlorën dhe rajonet jugore, qysh nga viti 1915, nuk silleshin keq individualisht, por politika e tyre nuk ishte e tillë, që t’u ngjallte besim të madh shqiptarëve, sepse ata kërkonin të ishin zotër shtëpie e të hapnin shkolla italiane, ku shqipja të ishte veçse gjuha e dytë”.(Mid’hat Frashëri, “Burimet e konfliktit italo-shqiptar 1912-1920”, Botuar në “Mercyre de France”, më 1-VII-1920).
Kësisoj patriotët shqiptarë e ndjenin së brendshmi organizimin e një kuvendi kombëtar. Si vend për organizimin e tij, u caktua Lushnja dhe rrethet atdhetare muarrën masa për sigurimin e saj. Komisioni organizues i Kongresit të Lushnjës, ftoi krejt krahinat shqiptare që të dërgonin në këtë kuvend historik përfaqësuesit e tyre, me ç’rast prej Matit u zgjodh Ahmet Zogu. Në krye të dyqind burrave matjanë, ai u nis për në Lushnjë, disa ditë përpara se të mblidhej kuvendi. Pa hyrë në diskutimet mbi atë çka arriti Kongresi i Lushnjës, mund të them se aty fitoi shqiptarizma e pastër.
Më vendimet e tij, ky kuvend u jepte fund dominimeve të huaja në Shqipëri (sidomos atij italian) dhe mbante denjësisht pavarësinë e atdheut. Njëherazi ky Kongres zgjodhi qeverinë e re të kryesueme prej Sulejman Delvinës-kryetar, Eshref Frashëri-nënkryetar, Mehmet Konica-ministër i Punëve të Jashtme, Ahmet Zogu-ministër i Punëve të Brendshme, Sotir Peci-ministër i Arsimit, Hoxhë Kadriu-ministër i Drejtësisë dhe Ndoc Çoba – ministër i Financave”. (Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi Kongresi i Lushnjës, Dosja 7, fleta 23).
Krejt i ri në moshë, 25 vjeçar, Ahmet Zogu merrte përsipër një barrë mjaft të rëndë. Vlen të mos harrohet se Shqipëria e vitit 1920, përveç kaosit ekonomik e politik, ishte e mbushur edhe me krime e kriminel gjithfarësh. Të paguar prej serbëve, grekëve, italianëve, malazezëve apo bullgarëve dora vrastare shqiptare qëllonte mbi vëllaun e gjakut, a thua se tragjeditë nuk kishin të mbaruar për këtë vend. Kanuni shqiptar në krahun tjetër, vazhdonte të ishte i pranishëm në kullat shqiptare, me kuptimin e mirëfilltë të fjalës, për një qetësi as që mund të diskutohej. Por Ahmet Zogu nuk iu tremb barës së vet.
Pak fjalë, shumë pak, ai foli para kongresistëve duke deklaruar para tyre trimërinë dhe ndershmërinë e vet, dhe ende pa u shuar jehona e këtij betimi, biri i Matit u gjend në ballë të stuhive të para. Dihet se forcat italiane në bashkëpunim me reaksionin e brendshëm, nuk do të linin gur pa lëvizur që të sabotonin vendimet historike të Lushnjës. Në bisedë me Sulejman Delvinën, Ahmet Zogu merr përsipër barrën e rëndë, të hapë udhën e qeverisë së re, për në Tiranën e sapoemëruar kryeqytet. Ai merr vetëm 30 matjanë të armatosur mirë dhe në krye të tyre, të hipur në kuaj, marrin rrugën për në Tiranë. Lidhur me këtë me këtë udhëtim trimëror, po i referohem dokumentit historik “10 vjet Mbretëri”, ku midis të tjerash thuhet:
”Me tu afruem në Kavajë, prijësi ynë u gjend përpara një fuqie të huaj që i ndali rrugën. Komandanti i kësaj fuqie i parashtroi Ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë, urdhrin që të dorëzohej, përndryshe ai do të kishte qenë i detyruem të përdorte forcën. Përgjigjja e Zogut qe e preme: ‘Jam i urdhëruem prej Kongresit të Lushnjës, i cili më ka zgjedhur ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, që të arrijë me doemos në Tiranë. Un jam nji ushtar dhe prandaj gjallë ose vdek duhet që ta kryej detyrën që më është besuem. Ju, në doni, qëlloni ma parë në gjoksin tim’. Një heshtje e thellë qëndroi në mes të atij bashkëfjalimi të ftohtë porsi mortaja që rrinte pezull mbi të dy bashkëfjaluesit. Komandanti i huaj e kuptoi se armët e goditura për t’i ranë Ministrit, ishin një krim që do të përlyente shtetin që ai përfaqësonte. Dhe liroi rrugën”. (“10 vjet Mbretëri, faqe 28, Arkivi Qendror i Shtetit).
Edhe në urën e Shijakut, do të përsëritej e njëjta skenë. Por tashmë armët armike ishin të mbushura dhe pritej vetëm urdhri që ato të zbrazeshin në gjokset matjane. Ahmet Zogu, pasi zbriti nga kali, u dha porosi bashkëluftëtarëve të bëheshin gati për të luftuar dhe i vetëm kaloi urën për tek ushtaraku i lartë italian. Ky pothuajse i mahnitur prej gjestit trimëror, shtangu në vend dhe në momentin që duhej të replikonte i zgjati dorën duke i thënë; “e meriton të kalosh pa luftë”! Shumë vite më pas, lidhur me atë çka përfaqësoi Kongresi Lushnjës, Ahmet Zogu do të thoshte; “Kjo qe një iniciativë madhështore e marrun vetëm dhe krejtësisht prej popullit shqiptar, pa kur një ndihmë të huaj. Ky Kongres, do të mbese si ngjarja më e madhërueshme në historinë e re shqiptare. Shqipnija, kështu asht dhe do të jetë indipendente, siç e vërteton edhe pjesëmarrja e saj në Lidhjen e Kombeve”. ( Fjala e mbajtur në 14 gusht 1935, Fondi 147, dosja 8, fleta 3).
Ndërkaq mbi supet e Mbretit të ardhshëm shqiptar, ra detyra e madhe e sigurimit të qetësisë, rendit përballimit sidomos të situatave tepër dramatike në Veri, me ç’rast formacionet serbo-malazeze, mësynin vazhdimisht kufijtë shqiptarë të dalë prej vendimit londinez të vitit 1913. Por nuk duhet të harrojmë për asnjë çast, se edhe lakmitë italiane, për të marrë plotësisht në duar detin Adriatik, nuk ishin të pakta. Madje ato gjallonin çdo ditë në Romë dhe mbështeteshin edhe prej plotë shqiptarëve. Mendoj se në periudhën 1920-1922, në detyrën e ministrit të Brendshëm, roli i Ahmet Zogut duhet parë në aspektin e lidhjeve të vazhdueshme të tij, me problemin kombëtar shqiptar. Reformat që ai ndërmori në krejt strukturat e ministrisë së Brendshme të asaj kohe, ai i pa kurdoherë në rrafsh të vullneteve dhe ardhmërisë së kombit tonë.
Askurrë, Ahmet Zogu nuk u muar me bindjet e vartësve të vet, madje përkundrazi i donte këta të ishin kundërshtarë në mendime me te por kurdoherë, kuadro me dinjitet, me vetëdije të thellë kombëtare, me horizont dhe assesi të korruptuar. Aq me rigorozitet dhe sinqerisht punoi Ahmet Zogu në këtë drejtim, saqë rezultatet nuk munguan të vijnë. E ardhur prej kaoseve politike, ekonomike, psikologjike e fetare, Shqipëria e pas Kongresit të Lushnjës, njohu për herë të parë sigurinë e kufijve të saj dhe të njerëzve. Me intuitën e vet të jashtëzakonshme, biri i Matit, edhe pse nuk pati forca të mëdha në dispozicion, diti të shfrytëzojë ndershmërinë dhe përkushtimin e këtyre forcave, duke u gjendur vetë në ballë të çdo situate të vështirë.
Ndonëse në vështirësi të madhe financiare, por duke patur edhe përkrahjen tjetër të kabinetit të vitit 1920, strukturat e ministrisë së Brendshme, rojet e kufirit detare e tokësorë, ndërlidhjet dhe veçmas xhandarmërinë shqiptare, shfaqen fillesat e para të koncepteve moderne për shtetin. Lidhur me përpjekjet dhe disponimin e Ahmet Zogut, në këto dy vjet të qëndrimit të tij në postin e ministrit të Brendshëm, në mënyrë tepër koncize dhe të qartë, është shkruar në Enciklopedinë angleze;
“U bë ministër i brendshëm (janar-nëntor 1920) dhe organizoi qëndresën kundra dyndjeve jugosllave. Ishte kryekomandant i fuqive kombëtare, në kabinetin “Bashkimi i Shenjtë” (tetor-dhjetor 1921) dhe prap u shqua kundër jugosllavëve si ministër i Brendshëm në kabinetin e Xhafer Ypit (dhjetor 1921-dhjetor 1922). Aty mposhti një lëvizje kryengritëse serioze në mars 1922 dhe çarmatosi fusharakët”. (“Enciklopedia Britanika”-volumi 23, faqe 983, viti 1969).
Nga që ka ardhur koha, që gjërat, mund dhe duhet të shprehen padyshim siç kanë ndodhur, unë mendoj se historiografia e sotme shqiptare, duhet t’u japë vendin që meritojnë, ngjarjeve të marsit të vitit 1922. Përmbledhtas, them se këto ngjarje që deshën të stabilizojnë shtetin e dalë prej Kongresit të Lushnjës, nuk mund të kenë pasur shtytje tjetër, përveç atyre serbo-malazezëve. Edhe pse formacione bashibozukësh durrsakë e shijakas, u dyndën drejt Tiranës, unë nuk mund të mendoj se ata dinin programin e qeverisë shqiptare dhe ngase nuk u pëlqente, donin të shembnin shtetin me disa mauzerë të Italisë, por çështja është se në mjaft raste, revoltat e shqiptarëve ndaj shtetit të tyre, kanë qenë të përgatitura në kuzhinat e Beogradit, Cetinjës, Athinës e Romës.
Por edhe në këto momente të vështira për shtetin shqiptar, Ahmet Zogu tregoi qetësinë dhe maturinë e tij. Duke qenë në krye të forcave kombëtare shqiptare, ai udhëhoqi aksionet kundër forcave bashibozuke, të disa betejave të Durrësit e Shijakut. Duke çarë vetë i pari, me armë në dorë, Ahmet Zogu, mundi jo vetëm të shpartallojë këto formacione regresive, por edhe të vendoste dorën e hekurt të shtetit, në krejt Shqipërinë e Mesme. Është kjo arsyeja, që disa ditë më pas kthimit të tij në Tiranë, prej autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar, Ahmet Zogu u dekorua me medaljen “Shpëtimtar i Kombit”. Madje mendoj se pos të tjerave, ka qenë kjo arsyeja, që në dhjetorin e vitit 1922, Ahmet Zogu caktohet kryeministër i Shqipërisë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm