Nga Robert Kostaq Cipo
Pjesa e parë
-Me bekimin e zv/kryeministrit Andon Pano, drejtoruci Stefan Prifti, përjashtoj përgjithmonë nga gjithë shkollat e Shqipërisë, nxënësit; R. Cipo, R. Çelo, A. Benussi, G. Karapici, R. Karapici, K. Xoxa, B. Çano, Th. Xhitomi e, Th. Marto-!
Memorie.al / Linda ne Korçë një ditë të martë më 16 shtator të vitit 1930, në ora 10 të mëngjesit. Prindërit e mi kanë qenë, Kostaq Cipo, i biri i Simon Cipos e Agnia (Xhuvani) Cipo, dhe Margarita (Papajani) Cipo, shtëpiake, e bija e Doktor Filip Papajanit dhe i Angjeliqì (Kostantinesku) Papajani, shtëpiake. Kur linda, im atë ishte profesor i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe, si dhe i letërsive të tjera, përveç asaj Franceze, në Liceun Kombëtar, Shqiptaro-Frëng në Korçë, ndërsa doktor Filip Papajani, ishte mjeku i vetëm i rrethit të Pogradecit, deri në çlirimin e Shqipërisë, patriot i periudhës së Pavarësisë, shkrimtar dhe poet i përmendur edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.
Duhet të saktësoj se im atë ishte Elbasanas, lindur atje që në 1892, por mbasi mbaroi Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Romës më 1921, kthehet në Shqipëri dhe emërohet profesor në Shkollën “Normale” të Elbasanit dhe prej andej transferohet ne Gjimnazin e Shkodrës e, më vonë në Liceun Kombëtar Shqiptaro-Frëng në Korçë. Për emrin tim, u bë niciator vetë im atë, i cili kur unë linda, ishte pikërisht duke shpjeguar në Lice periudhën e dyndjeve Normane në Europë dhe në Shqipëri. I pëlqeu emri Robert nga Robert Guiskardi, i cili në krye të normanëve të tij, erdhi deri në Durrës, ku zhvilloi disa beteja. Në atë periudhë, me sa më kujtohet, duket të isha Roberti i parë në Korçë dhe ndoshta i pari në Shqipëri.
Menjëherë edhe familje të tjera, vrapuan t’ja venë këtë emër fëmijëve të tyre. Sapo erdhi telegrami në Elbasan, që njoftonte lindjen e djalit të parë dhe emrin e tij, xhaxhai i Margaritës, Lef Papajani, të cilit edhe atij sapo i kishte lindur një djalë, shpejtoi t’ja verë emrin Robert. Ky ishte Robert Papajani pedagogu i ardhshëm i Institutit të Lartë Bujqësor në Kamëz. Gjithmonë Lagjia “Kala” e Elbasanit, ka qenë e dalluar për kulturë e arsim. Kështu veproi dhe vajza e tezes se Kostaqit, Sofia Xhufka, e cila shpejtoi t’ja vinte emrin Robert djalit të saj të parë që sapo i kishte lindur. Edhe ky Robert Xhufka, shok fëmijërie i pandarë, u bë arsimtar por që pati fatkeqësinë të vdesë i ri në moshë, larg familjes, nga një grip shumë i rëndë, dhe pa asnjeri afër që të kujdesej për të.
Ashtu si në çdo familje edhe te familja e Cipos, tregoheshin si ngjarje me rëndësi të gjitha veprimet që kryente fëmija i parë i shtëpisë, të cilat rrëfeheshin, zbukuroheshin e përsëriteshin, sa herë që dikush vinte për vizitë. Tregonte Margarita se ky Roberti i vogël, që ditën e parë të lindjes, nuk ishte në gjendje të thithte gjiun e nënës. Atëhere njëra nga gratë, i pregatiti një copë garzë dhe brenda i futën një llokum dhe ja afruan te buzët. Ai menjëherë filloi ta thithë, por kur e larguan garzën, vunë re për çudi, se llokumi ishte thithur komplet. Ndoshta kjo ka qenë shenja e parë që do tregonte se gjithë jetën do të mbetesha i apasionuar dhe i lidhur pas ëmbëlsirave.
Menjëherë për të ndihmuar lehonën erdhën të dy krushkat, e ëma e Kostaqit, Agnija dhe e ëma e Margaritës, Angjeliqija. Mbahet mend, përveç të tjerave që nuk është e nevojshme të zgjatemi, se fjala e parë që arrita të shqiptoj ishte “Piperka” (speci) fjalë tipike korçare që si duket mua më kishte bërë shumë përshtypje. Por shëndeti nuk më shkoi mbarë. Që i vogël fillova të vuaj nga bajamet. Nuk kishte sëmundje apo epidemi që të shfaqej në Korçë, që të mos më prekte mua. Këtë e kishte mësuar përmendesh Doktor Polena, që sa herë shfaqej gripi i parë në Korçë, vraponte te shtëpia e tim ati, i sigurt se do më gjente të sëmurë. Pa mbushur akoma 5 vjeç, sipas rekomandimit të mjekut, u nisëm familjarisht për në Selanik të Greqisë, për të më operuar bajamet, mbasi këtu në Shqipëri, nuk ishin të sigurt nëse dikush mund të ishte në gjendje t’i operonte.
Pas operacionit pata një përmirësim të dukshëm, por oreksi nuk m’u kthye, kjo ndoshta dhe për faj të vetë ambientit familjar, të cilët me përkëdhelnin, duke më ushqyer gjithnjë sipas dëshirave të mia, vetëm me ëmbëlsira. Madje im atë, më kishte abonuar te “Kafe Kursali”, ku kisha të drejtë të hyja e të haja çfarë të desha, dhe im atë ja paguante pronarit, në fund të çdo muaji. Njëkohësisht, sa herë që zgjohesha në mëngjes, do të gjeja poshtë jastëkut, një çokollatë “Nestle”. Dua të saktësoj se kujtimi i im i parë i vegjëlisë, është ai i 18 marsit 1933. Mbaj mend se atë mëngjes, një grua (nuk më kujtohet se cila mund të ketë qenë) erdhi dhe më zgjoi, dhe më tha; “hajde të të tregoj motrën, që të ka lindur”. Më mori në krahë dhe më çoi në dhomën tjetër, ku ndodhej e shtrirë në shtrat mamaja ime Margarita dhe ngjitur me të, ishte motra Brunilda, e porsalindur. Pastaj kujtimet fillojnë e zbehen.
Vitin e parë fillore, e ndoqa pikërisht aty ku ishte hapur e para shkolle shqipe, me 1908 në Korçë dhe në Shqipëri, ndërsa për mësuese, kisha Virgjini Pepon, vajza e njërës prej familjeve më intelektuale të Korçës. Një vëlla e kishte pronar të një shtypshkronjë, “Shtypshkronja Pepo”, ku shtypeshin libra dhe fletore dhe ku mësuesja na çonte shpesh, për të parë se si punohej. Vëllai tjetër i saj, ishte profesor Petraq Pepo-ja, profesor historie në Liceun e Korçës, i cili më vonë do të internohej edhe ky po në Colfiorito di Foligno, pikërisht aty ku ndodhej e internuar edhe familja Cipo. Petraq Pepoja, do të bënte pjesë gjithashtu si anëtar në Delegacionin Qeveritar që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris më 1946.
Gjatë tre vjetëve të shkollës fillore që ndoqa në Korçë, ndërrova tre shkolla, duke zgjedhur çdo vit, atë që ishte më afër shtëpisë. Meqë vazhdoja të mos kisha oreks, sa herë që do të haja drekë, do të vinte për të më shoqëruar një shok, Vangjeli, i biri i rrobaqepësit Rrapi, i cili sa herë që ishte kohë e mire, dilte e i arnonte rrobat që i sillnin klientët, te dera e të ashtuquajturit “dyqan”, që ndodhej ballë për ballë me shtëpinë ku banonim. Ky Rrapi, gjithmonë e falenderonte Margaritën, për gjellën që djali i tij hante së bashku me mua. Mbas Çlirimit, morëm vesh se Vangjeli, që ishte nja dy-tre vjet më i madh se mua, kishte dalë partizan dhe kishte mbetur i vrarë për çlirimin e Kosovës.
Im atë, sa herë që dilte shëtitje pasditeve apo të dielave në mëngjes, më merrte gjithnjë me vete dhe shkonim së bashku te kodra e Shëndëllisë dhe aty uleshim për të pushuar tek një kafene private, ku ai porosiste për vete një kafe, ndërsa për mua një gliko kumbulle, apo portokalli. Më kishte blerë edhe mua një bastun të vogël bambuje, kopje e asaj që mbante vetë. Më vonë kur erdhi të banojë të shtëpia jonë, Kont Appony (i vëllai i Mbretëreshës Geraldina), zura miqësi me të dhe luanim bashkë me top te oborri i shtëpisë.
Kur u pushtua Shqipëria nga fashistët italianë, mbaj mend se pas disa ditëve më arrestuan babain. Në një prej atyre ditëve, mësuesja ndërpret mësimin dhe na njofton se i kishte ardhur urdhri nga drejtoria, që të gjithë me vrap të shkonin në shtëpi, të vishnin rrobat më të mira që kishin dhe të dilnim afër Bankës, për të pritur trupat italiane, që do vijnë sot. Unë u nisa gjithë qejf për të zbatuar porosinë e mësueses dhe me vrap shkova në shtëpi dhe meqë aty nuk gjeta njeri, u nisa me rrobat e shkollës, për të shkuar aty ku na kishte porositur mësuesja. Përballë Kinema “Mazhestik”-ut, kishin ndalur duke biseduar dy gra, të cilat kur më panë mua i thanë njëra-tjetrës; “këtij ja kanë arrestuar të atin dhe shkon të presi italianët”.
Në moshën tetë vjeç e gjysëm, m’u duk sikur dikush më goditi në kokë. E kuptova menjëherë se po flitej për mua. Qëndrova një minutë në heshtje, duke i parë me vëmendje ato gratë, dhe pastaj dal-ngadalë u ktheva në shtëpi. Të nesërmen, mësuesja i pyeti nxënësit, nëse kishin shkuar për të pritur italianët. Atëhere u ngrita dhe i thashë; “Unë nuk shkova, mua më kanë arrestuar babanë”. Ishte kundërshtimi i pare, që do më ndiqte tërë jetën. Kjo ndjenjë do të më forcohej akoma më shumë, kur mbas disa muajve, do të shkoja përditë për t’i çuar bukën në burg babait. Burgu ishte jashtë qytetit dhe duhej kaluar edhe lumi, që në atë periudhë korrik-gusht, ishte pothuajse i tharë.
Një herë xhandarët, kur mungonte drejtori, më futën brenda në oborrin e burgut dhe aty pashë gjithë ata të burgosur, burra të pjekur, por edhe të rinj, shumica malësorë me qeleshe të veriut. Të gjithë qëndronin më këmbë me orë të tëra, në oborrin e brendshëm të burgut, të vendosur në krah të njëri-tjetrit, ku kryenin punë artizanati, me rruaza shumë ngjyrëshe, që i kalonin dorë pas dore njëri-tjetrit. Kjo skenë më la një përshtypje të pashlyeshme, për tërë jetën. Filloi të më mblidhej në shpirt një ndjenjë proteste e brendshme, që shpërthente në çdo rast.
Gjatë periudhës së internimit, kur rrinin e bisedonin pas darke, im atë, Kostaq Cipoja, tregonte për peripecitë që kishte kaluar ai vetë në jetë, që kur kishte qenë i ri, që kur ishte ngritur në protesta dhe braktisur shkollën, për të detyruar futjen e gjuhës shqipe në shkollën turke të Elbasanit, rrezikun që kishte kaluar në Manastir, për shkak të një vjershe patriotike, si dhe të gjitha protestat kundër fashistëve, që kur ishte në fakultet në Romë, shoqërinë me Avni Rustemin, burgosjet e Zogut, kundërshtimet me fashistët që na kishin zaptuar, burgosur dhe internuar, duke më përgatitur pa dashjen e tij, në një qenie që gjithmonë do të kërkoja të drejtën, të vërtetën, duke qenë gjithnjë në opozitë, me çfarëdolloj regjimi.
Shenjën e pare, e dhashë që në shkollën fillore në Itali. Isha në klasën e katërt kur, ndërsa mësuesja fashiste filloi të lavdëronte përparimet e shkëlqyeshme të trupave italiane në luftën italo-greke, u ngrita nga vendi dhe i thashë se; trupat italiane, po përparojnë me “shpatulla”, jo me gjoks (d.m.th. në tërheqje). Ajo që në atë çast, shkon e ankohet në karabinieri. E thërrasin tim atë dhe i heqin vërejtje, për fjalët e thëna nga unë dhe mësuesja për atë ditë, më dëbon nga shkolla, duke më thënë; “shko se të kërkojnë në shtëpi”. Në shtëpi gjeta prindërit që po më prisnin. Babai më thotë, se duhet të kesh kujdes kur t’i lëshosh fjalët, por nga ana tjetër buzëqeshte, ndoshta në vetvete, ndjehej krenar për mua.
Mbas kthimit nga internimi, babai më dërgon në Elbasan, tek i vëllai dhe aty regjistrohem në klasën e parë të shkollës “Normale”. Kur vjen për të më takuar, gjen rastin e më merr për dore dhe më çon te Thanas Fullani, djali i hallës së nënës time, i cili sapo kishte mbaruar një shkollë profesionale në Athinë, dhe kishte hapur një punishte zdrukthëtarie, në bodrumet e shtëpisë së tij dhe i thotë; “Merre këtë çun dhe mësoji një zanat, të mos mbetet si unë, që nuk di të ngul një gozhdë në mur”. Gjatë një viti që qëndrova në Elbasan, çdo pasdite mbasi dilja nga shkolla, shkoja e punoja si çirak marangozi. Kjo praktikë me vlejti shumë në jetë.
Aty në “Normalen” e Elbasanit, vjen të japi mësim mbas përfundimit të internimit në Itali, edhe Prof. Petraq Pepoja. Nga ky vit mësimi në “Normalen” e Elbasanit më kujtohet vetëm profesori i italishtes, i cili bënte gabime ortografike dhe unë fare i vogël ja korrigjoja që nga vendi, duke e vënë në vështirësi, derisa arritëm në një marrëveshje që unë nuk do ta korrigjoja mësuesin në sy të nxënësve, por dhe profesori gjatë gjithë vitit, nuk do më ngrinte në mësim. Më kujtohet gjithashtu shoku i bankës, Bestar Dokja, i cili vazhdonte traditat e fëmijëve elbasanas me ngritjen e balonave në periudhën e pranverës, duke qenë më i zoti nga të gjithë. Balona e tij qëndronte në ajër pa u rrëzuar, gjatë gjithë natës dhe në mëngjes e gjenin po aty, duke u valëvitur mbi oborrin e kishës. Të gjithë shokët dhe shoqet e kësaj klase i kam harruar, vetëm mbaj mend se aty ishte nxënëse dhe e motra e Dhimitër Shuteriqit, por me Bestarin, megjithëse shihemi një herë në disa vjet, ruajmë gjithmonë miqësinë e fëmijërisë.
Kur erdhëm në Tiranë, meqë im atë ndodhej më shërbim në Itali, te Shoqëria “De Agostini” Novara, për të më regjistruar në gjimnazin “Naim Frashëri”, u kujdes daja i babës, Aleksandër Xhuvani, i cili më shoqëroi në sekretarinë e shkollës, ku nuk pranuan të më regjistronin në klasën e dytë, pasi thanë se shkolla “Normale” e Elbasanit, konsiderohej e një niveli më të ulët se Gjimnazi i Tiranës, kështu që çka kisha bërë në Elbasan nuk më quhej, dhe këtu në Tiranë, duhet të regjistrohesha përsëri në klasën e parë. Dhe kështu u bë. Xhuvani pagoi 5 frangat e regjistrimit dhe unë u detyrova të përsëris klasën e parë, ku për çudi vura re, se ishin të njëjtat tekste dhe të njëjtat mësime, që ishin zhvilluar në “Normalen” e Elbasanit. Në atë periudhë shkollat e mesme, si “Normalja” e Elbasanit ashtu dhe gjimnazi i Tiranës, ishin me nga tetë klasë, pasi klasa e parë fillonte menjëherë pas mbarimit të fillores.
Nga profesorët e asaj periudhe, mbaj mend mësuesin e gjimnastikës Adem Karapicin i cili, përveç mësimit në palestrën e shkollës, na çonte te fusha e sportit “Shallvare”, ku luanim futboll, hendboll dhe basketboll. Mbaj mend gjithashtu dhe Prof. Tatzatin, që na jepte matematikë, Prof. Blakçorin, që na jepte italisht, gjithashtu dhe Prof. Sitki Çiçon, që e vranë njerëzit e Xhafer Devës më 4 shkurt 1944. Ato ishin ditë të turbullta. Ne nxënësit e gjimnazit, herë pas here braktisnim mësimin dhe suleshin në demonstrata nëpër rrugë, megjithëse drejtori i shkollës, Andon Dede, me atë ndjenjën e prindit plot përgjegjësi për jetën e nxënësve që i ishin lënë në ngarkim të tij, mundohej të na mbante në shkollë, me parimin se shkolla duhet të ishte apolitike.
Pas kthimit nga internimi, gjatë gjithë jetës sime, u mora me leximin e literaturës së huaj dhe asaj botërore, gjithmonë në gjuhën italiane. Në gjuhën shqip, kam lexuar vetëm lëndët e mësimit dhe nuk lexova asnjë shkrimtar tjetër shqiptar. Shumë vite më vonë, pas viteve ’60-të, me sugjerimin e shokëve lexova Dhimitër Shuteriqin, Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin dhe Vath Koreshin. Mbas çlirimit, duke patur gjithmonë në shpirt ndjenjën e rebelimit, megjithëse im atë ishte Ministër i Arsimit dhe vazhdimisht Deputet në Kuvendin Popullor, gjithmonë tregova antipati, për qeveritë e çfarëdolloj ngjyre të ishin, si dhe për mënyrën e qeverisjes, sidomos për format e nënshtrimit ndaj të huajve. Kjo ndoshta edhe për arsye se vazhdimisht ndiqja programet e Radio Londrës në gjuhën italiane, duke u pajisur me një kulturë politike, që vazhdimisht m’i mbante sytë hapur, për të kuptuar vijën e shtrembër ku kërkonte të futej Shqipëria.
Nuk më pëlqente nënshtrimi ndaj Jugosllavisë, e cila u sul si grabitqare mbi çdo mall që kishte mbetur nga periudha e luftës, e që tregtarët e mbanin të grumbulluar nëpër magazinat e tyre, si dhe duke mos qenë dakord me propagandën e asaj kohe, se të gjitha vendet socialiste duhet ta ndihmonin njëri-tjetrin, pasi çdo ditë shiheshin vetëm kamionë, që çuditërisht vinin bosh dhe niseshin të ngarkuar për në Jugosllavi. Duke u nisur nga këto ide, gjeja gjithmonë shkak, që të protestoja në çdo mbledhje pothuaj të përditshme të organizatës së rinisë, që organizoheshin në klasë pas orëve të mësimit, duke u vënë në shënjestër nga organizata e shkollës.
Për të thyer këtë rebelim, pas vitit të dytë gjimnaz, së bashku me nja dy shokë të tjerë, na heqin nga klasa jonë dhe na kalojnë në klasën paralele. Por edhe këtu vazhdon e njëjta gjendje. Krijova bashkë me shokët e mi, atë që sot pas pesëdhjetë vjetëve, konsiderohet si diçka normale, një “Qeveri”, duke qenë vetë kryeministër, si dhe një shtatmadhori, me disa lloj rangje “oficerësh madhorë”. Përveç pak vetëve të lidhur me organizatën e rinisë, gjithë të tjerët ishin kthyer në favor të grupit tonë “rebel”, duke patur njëkohësisht simpatinë dhe përkrahjen morale edhe të trupit mësimor.
Nga viti i parë gjimnaz, më kujtohet një ngjarje e dhimbshme. Në klasën tonë ndodhej edhe Aminta Papahristo, i biri i Prof. Sotir Papahristos, koleg i Kostaq Cipos, që në Liceun Francez të Korçës, me të cilin kishim një miqësi të zakonshme për moshën. Gjatë pushimeve të vitit të I-rë, shkolla jonë u dërgua vullnetare për ndërtimin e Hekurudhës Durrës-Elbasan dhe na vendosën tek Km. 5, në dalje të Durrësit, afërsisht aty ku sot ndodhet Plazhi Iliria. Aty u sëmura nga Malaria dhe u shtrova në Spitalin e Hekurudhës. Aty e merr vesh im atë dhe vjen e më tërheq, duke shkaktuar kundërshtimin e “shokëve të Rinisë”, mbasi sipas tyre, kisha braktisur frontin e luftës. Po aty u sëmur dhe Aminta Papakristo, i cili pasi vuajti për disa muaj vdiq, duke shkaktuar dhimbje të thellë, si për ne që e kishim shok klase, ashtu dhe për të gjithë të njohurit e familjes së Prof. Papahristos. Mora pjesë në varrim, duke mbajtur bashkë me shokët arkivolin.
Grupi jonë i nxënësve përveç se shfaqte haptazi mendime kundra pushtetit, kishte në gjirin e vet më të mirët e klasës në mësime, shumica përveç gjuhës shqipe, dinin dhe nga një gjuhë të huaj, sidomos italisht apo frëngjisht, duke hyrë në polemika të zjarrta letrare dhe filozofike, qoftë midis shokëve apo shpesh herë edhe me profesorët tanë, duke debatuar për shkrimtarë e poetë të botës perëndimore e, duke krijuar cmirë dhe zili tek injorantët e klasës, “shokët e rinisë komuniste”.
Në atë kohë në gjimnaz, jepnin mësim ajka e arsimtarëve intelektualë shqiptarë, si; Skënder Luarasi, Fejzi Dika, Nonda Bulka, Prof. Karajani, Prof. Babamusta, Ollga Luarasi (e motra e Migjenit), Zoja Ndoja dhe i shoqi i saj Injac Ndoja, Gabriel Meksi, Fadil Rrepishti, që kishte përkthyer nga italishtja në shqip tekstin e fizikës. Por simpati të veçantë kishim për Prof. Ahmet Gashin nga Kosova, i ardhur në Shqipëri që para vitit 1912 dhe i vendosur në Elbasan, ku filloi të jepte mësim në shkollën e qytetit, duke drejtuar edhe bandën muzikore “Afërdita”. Ai tashmë në një moshë shumë të thyer, kishte mbetur i vrarë shpirtërisht, meqenëse “pushteti komunist”, vetëm me kërkesën e “shokëve” jugosllavë, i kishte pushkatuar të birin (Luan Gashi), që përpiqej për pavarësinë e Kosovës. Megjithëse në moshë pensioni, ai u bë për ne nxënësit e tij, një shok i vërtetë. Shpesh na ftonte në shtëpi, për të na treguar e shfletuar bibliotekën dhe të luanim ndonjë lojë shahu së bashku.
Nga fundi i vitit të tretë, organizata e rinisë për të thyer këtë ndjenjë të protestës që nuk po fashitej, si dhe në bashkëpunimin me drejtorin e gjimnazit, pseudo-shkencëtarin Stefan Prifti, i cili vetë e sajoi, organizoi dhe zbatoi një plan të ndyrë. Duke gjetur një shkak pa asnjë lloj rëndësie, dhe me qëllim që t’i prisnin kokën kësaj organizate rebele, më përjashtojnë nga shkolla, për tre muajt e fundit të vitit të tretë shkollor. Mjaft i tronditur, shkoj të takoj tim atë dhe e gjej në Bankën e Shtetit, duke paguar qiranë e shtëpisë dhe i thashë se; më kanë përjashtuar për tre muaj nga shkolla. Im atë, Kostaq Cipoja, i cili gjatë gjithë jetës së tij shkollore, kishte kaluar kaq e kaq peripeci të tilla, në vend që të fillonte të më bërtiste, të më shante, apo dhe çfarëdo lloj veprimi tjetër, qetësisht më tha; “Këto tre muaj, shtroju mësimeve dhe në fund të vitit, shko e jepi provimet, dhe tashti hajde të shkojmë të hamë drekën në shtëpi, se na vajti vonë”.
Por nuk do të mbaronte me kaq. Kur e panë se nuk e mposhtën këtë situate, që po forcohej çdo ditë e më shumë, me fillimin e vitit të katërt, që ishte dhe viti i maturës, duke parë se këta te etiketuarit “reaksionarë”, ishin nxënës shumë të mirë në mësime, me kulturë, me gjuhë të huaja dhe sigurisht do të ishin pretendentët kryesorë për të marrë një bursë, për studime jashtë shtetit, organizojnë një përjashtim masiv, duke futur në këtë listë edhe nxënës, me gjoja prindër të persekutuar politikë. Unë vetë kur më pyesin për këtë periudhë, ndodhur gjysëm shekulli më parë, me aq sa mbaj mend, mund të them se; “në muajin e parë të vitit të maturës, në shtator 1948, në mbledhjen e përgjithshme të nxënësve të shkollës, ishin marrë masat, për një rrahje masive të nxënësve rebelë. Në presidium ishin rreshtuar titullarë nga Komiteti i Partisë, nga Ministria e Arsimit, nga Komiteti i Rinisë, ndërsa nga Kryeministria, asistonte vetë Zv/ Kryeministri “shoku” Spiro Pano.
Me ceremoni, bëjnë njoftimin zyrtar për përjashtim përgjithmonë nga gjithë shkollat e Shqipërisë, të nxënësve; Robert Cipo, Rustem Çelo, Alfred Benussi, Gani Karapici, Reshat Karapici, Kostaq Xoxa, Bamir Çano, Thoma Xhitomi e, Thoma Marto. Organizata e Rinisë, sipas metodave fashiste të huajtura nga Duçja por dhe nga Titoja në Jugosllavi, (ndoshta kështu veprohej dhe në Rusinë e Stalinit, mbasi gjithë diktaturat kanë një emërues të përbashkët), kishte planifikuar, organizuar dhe ndarë detyrat, për organizimin e një rrahje kolektive të tyre, nga vetë shokët e shkollës.
Gjithashtu për këtë ceremoni “magjepse”, kishte dhënë aprovimin e tij edhe Drejtori “i nderuar”, Stefan Prifti, i cili meqë mynxyra do të organizohej e zbatohej në shkollën ku ai ishte drejtor dhe ku prindërit i kishin dorëzuar fëmijët e tyre, për ti shkolluar, ai vetë, sa për sy e faqe, qëndroi i mbyllur në Drejtori, duke fërkuar duart, e duke harruar se mbante përgjegjësi ligjore, për këtë maskarallëk që po ndodhte në një institucion shtetëror, ku ai kishte përgjegjësi kryesore karshi prindërve, për rrahjen që u bëhej fëmijëve të tyre.
Po a mund të krahasohet ky njeri shpirtvogël, me ish-drejtorin e po kësaj shkolle, Prof. Andon Deda, i cili kur në vitin 1944, dy kosovarë të dërguar nga Gestapoja gjermane, erdhën në shkollë për të arrestuar dy studentë, simpatizantë të Lëvizjes partizane, i përzuri jashtë dhe i bëri ballë me trupin e tij kërcënimeve të Gestapos, duke u thënë se; derisa kanë ardhur në shkollë, jam unë prindi i tyre dhe nuk do të lejoj t’i prekni, asnjë fije floku. Ndërsa ky drejtoruc i Partisë, në vend që të kundërshtonte një veprim çnjerëzor dhe të jepte publikisht dorëheqjen, lejoi që një Zv/Kryeministër, të kryente në ambientin e shkollës, një veprim të poshtër anti shkollor. Pra ky person (që nuk mund ta quajmë njeri), e hëngri turpin me bukë dhe atyre që morën pjesë dhe u dalluan në këtë rrahje, me sugjerimin edhe të të deleguarve të mësipërm, u kujdes dhe ja u plotësoi vetë dokumentet me rekomandimin personal që të fitonin bursa për të vazhduar studimet jashtë shtetit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm