Nga Pertefe Leka
Dr. Agim Leka, intelektuali që korrigjoi Enciklopedinë Britanike të vitit 1961, për vërtetësinë historike të Skënderbeut, e cila e paraqiste Heroin tonë Kombëtar, me origjinë serbe?! –
Memorie.al / Dr. Agim Leka është i mirënjohur dhe i vlerësuar në komunitetin shqiptaro-amerikan, për kontributin në fushën e mjekësisë. Tek doktori janë mishëruar humanizmi dhe atdhetarizmi si një e pandarë, që janë pasqyruar në veprimtarinë bash-kohore të tij edhe në publicistikë. Është me interes të njihen dhe të studiohen shkrimet e Dr. Lekës, për vetë tematikën që ka trajtuar. Me që në muajin janar, është përvjetori i vdekjes së Skënderbeut, për të cilën figurë ka luftuar me një këmbëngulje dhe vullnet të pa përshkruar, që të shkruhej korrekt origjina shqiptare e Heroit tonë Kombëtar, ku përveç dokumenteve origjinale, ka edhe më shumë në memorien e tij brilante. Edhe pse këtë muaj, është 93 vjetori i lindjes se Doktorit, studiuesit kanë fatin të kenë lidhje e të marrin të dhëna, për çfarë ju intereson.
Cilat janë ngjarjet që e frymëzuan?
Fillimisht publicistika e të riut Leka është bashkudhëtare me moshën e edukimit dhe formimit të tij intelektual në shkollat më të mira shqiptare dhe të Europës. I edukuar në një familje intelektuale me tradita patriotike dhe arsimdashëse dhe i investuar nga babai, Av. Rakip Leka, (student i ‘Zosimeas’ dhe i Jurisprudencës në Universitetin e Stambollit), me prioritet, arsimimin dhe ndriçimin e mendjeve të të rinjve për dituri. Kështu i riu Leka, ishte nxënës në Liceun e Korçës, në Liceun shtetëror të Tiranës, në Prato të Firencës, në Salcburg të Austrisë, deri në Universitetin e Romës, ku u diplomua në fushën e mjekësisë.
Kështu erdhi në rritje personaliteti dhe formimi i tij si intelektual me kulturë të gjerë dhe njohës i shumë gjuhëve të huaja. Edhe pse në moshë shumë të re, kishte formuar në vetvete bindjet e tij, ku ai vetë e pohon: “Në një kohë me të cilën, shumica e shokëve të mi në Liceun shtetëror të Tiranës, me idealizmin e tyre të pamohueshëm për çlirimin e Atdheut tonë dhe për ndërtimin e një ‘shoqërie të re’ kishin përqafuar një ideologji të huaj, pse gjoja ‘Internacionale do të jetë bota e re’, unë fillova të zhvilloja dyshimet e mija të përforcuara nga im atë, se asgjë e mirë nuk do t’i vinte kombit tonë, nga bota sllavo-komuniste”!
Me këtë vendim, i riu Leka bashkoi pikëpamjet e tij me ideologun e lëvizjes nacionaliste, Mit’hat Frashëri dhe mori pjesë aktive në demonstratat e para kundër pushtonjësit. Në moshën 18 vjeçare, konstatoi se qëndresa e hapur kundër pushtonjësit italian, filloi edhe nga penda shqiptare, nga Shkodra e Teutës, nga Dom Nikollë Mazrreku, i cili i dha përgjigjen e merituar priftit italian, Fulvio Cordiniano.
Kur prifti italian sulmoi dinjitetin e popullit shqiptar, në të përkohshmen famëkeqe “Revista d’Albania”, të muajit mars 1941, e detyroi moralisht, Dom Nikollë Mazrekun, me pseudonimin, “Nikë Barcolla”, të shkruaj: “Skandali Kordinjano dhe mbrojtja e Kombit Shqiptar”, e nënshkruar edhe nga profesorët shkodranë; ‘Kordinjano në gjyq përpara botës’”!
Ky qe edhe fillimi i shkrimeve të Dr. Lekes, me përkthimin italisht të librit të Dom Nikollë Mazrrekut, kujtimin e të cilit e ruan me krenari edhe sot në moshën 93 vjeçare. Aty Dom Nikollë Mazrreku, ka ngritur lart trimërinë dhe urtësinë e popullit shqiptarë, duke kundërshtuar Cordinjanon dhe ata që e kishin nxitur për të justifikuar pushtimin e Shqipërisë, si një “mision qytetërues”.
Edhe pse priftin shqiptar e internuan në fshatrat e malësisë dhe librin ia sekuestruan, Dr. Leka në moshën e guximit, nuk e ndali përkthimin dhe këmbënguljen për ta botuar në italisht, me titullin; “Risposta a Cordignano sui suoi giudici nei riguardi degli Albanesi”, që do të thotë “Përgjigje Cordinjanos përmbi gjykimet e tij mbi Shqipërinë”.
Pas shumë mundimesh përkthimi i Dr. Lekës e pa dritën e botimit, nga shtypshkronja “Kastrioti”, në 2000 kopje. Përkthimi doli më i zmadhuar nga 36 faqe, në origjinalin shqip, në 42 faqe, ku u inkuadruan në parathënie edhe disa fragmente nga botimi i protestës të profesorëve të Shkodrës. Kopjet e librit u shpërndanë si trakte ndër konsullata të ndryshme dhe ndër italianë. Këtë eksperiencë, Dr. Leka e ka paraqitur me detaje në artikullin; “Nikë Barcolla dhe profesorët e Shkodrës, në mbrojtje të Kombit Shqiptar”.
Përveç brendisë, Dr. Leka i ka dhënë gjithashtu vlerë titullit kushtrimdhënës të librit të “Nikë Barcollës”, duke vënë në dukje edhe një fjalë të urtë të Aristotelit, që autori e kishte shkruar mbi kopertinë: “Mos me u idhnue kur lypet, asht marri”. Kjo vepër e parë, me pendë, e qëndresës antifashiste, në shtator të vitit 1941, meriton t’i nënshtrohet një studimi të veçantë, së bashku me parathënien e gjatë, të shkruar nga përkthyesi.
Për këtë, Dr. Leka shkruan: “Takimi im i vetëm në fillim të vitit 1942, për t’i marrë leje Dom Nikollë Mazrrekut, për botimin e librit të cilin e kisha përkthyer në italisht, pa ditur se do të lejohesha ta botoja, ishte për mua një çast mallëngjyes, pse këtu isha ulur unë, një student 18 vjeçar dhe përpara meje një burrë i gjatë, i veshur me petkun e thjeshtë fetar, që me pendën e tij kishte nxitur mijëra student të demonstronin për liri. Fjala e ëmbël e tij dhe idealizmi i tij për atdheun tonë të shtypur, ishin mbizotërues në bisedimin tonë.
Menjëherë u kuptuam se cila ishte detyra e çdo qytetari shqiptar, cilado qofshin pasojat nga pushtuesi fashist. Asnjeri nga ne nuk kërkonte fame, ose ndonjë përfitim material, ishte vetëm detyrë misionari, që kërkonte vetëmohim. Siç shkrova në parathënien për lexuesit italianë me 1942, (Prefazione traduzione di Agim Leka Borshi), përkthimi i këtij libri në gjuhën italishte, nuk kishte tjetër forcë shtytëse, përveç dashurisë së thjeshtë për Atdhe”!
Me këtë forcë shtytëse ai vazhdon. Në pranverën e vitit 1943, kur i riu Leka ishte në malet e Skraparit, me çetën e Prof. Abaz Ermenjit, takohet me kryetarin e misionit Anglez në Shqipëri, Kolonel Mc Lean, me të cilin biseduan në frëngjisht për lëvizjen e rezistencës në Shqipëri. Më vonë pjesëmarrja e të riut Leka në “Konferencën e Mukjes”, në gusht të vitit 1943, është një histori e gjatë të cilën e rrëfen edhe sot me një kujtesë të kthjellët, sepse tashmë është i vetmi dëshmitar i gjallë i kësaj ngjarje të madhe, po aq edhe tragjike, nga tradhtia komuniste.
Takimi në malet e Krujës i të rinjve nacionalistë me heroin e rezistencës së 7 Prillit, major Abaz Kupin, me 28 nëntor 1943, ishte bashkëpunues. Fjalimin e rastit për bashkimin e nacionalistëve shqiptar në një front të përbashkët, e mbajti i riu Agim Leka dhe me këtë fitoi admirimin e majorit. Fati i bashkoi edhe në Amerikë, kur z. Kupi ishte në fund të jetës, kërkoi asistencën e Dr. Lekës dhe në krahët e tij dha frymën e fundit.
Të gjitha këto që u shkruan më sipër, si edhe takimet me ideolog dhe personalitete të tjera nacionalistë, u bënë burim frymëzimi për të paraqitur protestën dhe rezistencën e popullit shqiptar, nëpërmjet shkrimeve të tij, të cilat i botonte te gazeta “Zëri i Lirisë”, që drejtohej nga Musine Kokalari. Gjithë kjo veprimtari binte në sy të lëvizjes komuniste, ku e vunë në shënjestër për ta eliminuar, siç u bë me vrasjen e Besnik Çanos. Urtësia e babait të tij, e shmangu këtë katastrofë, duke e dërguar për studime në Vjenë, së bashku me 100 studentë shqiptarë.
Kjo hapi rrugën për studime universitare, të cilat i përfundoi kur ishte student në Itali. I diplomuar në fushën e mjekësisë në Romë, Dr. Leka afirmohet jo vetëm në fushën e mjekësisë, por edhe si një intelektual me kulturë perëndimore. I ndarë prej shumë vitesh nga vendlindja, i lidhur me shumë atdhetarë në SHBA-së, vazhdoi të luftojë për të drejtat e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e Çamëri. Në shtator të vitit 1957, boton në “The New York Times”, me pseudonimin ‘ILLYRIKUS’ artikullin; “Për lirinë shqiptare, kërkohet një politikë pozitive Amerikane”.
Artikulli në fjalë është nxitur nga vizita e Harrison Salsburgy në Shqipëri dhe intervista me kryeministrin, Mehmet Shehu. Ja disa fragmente të shkëputura dhe të përkthyera nga Dr. Leka.
“Si amerikan me prejardhje shqiptare, e ndiej veten të gëzuar për interesimin që ‘New York Times’ tregoi duke tejshpuar pjesën më të fortë të perdes së hekurt, tamam në brigjet e Detit Adriatik e cila ka qenë e mbyllur për opinionin publik perëndimor, për më shumë se një 10 vjeçar…! Integriteti territorial dhe pavarësia e Shqipërisë, ishin ndër tiparet themelore të politikës së shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kohën e Woodroë Wilson, emri i të cilit simbolizon përpjekjet pioniere amerikane për demokraci dhe drejtësi nëpër botë, me interesim të veçantë për mbijetesën e kombeve të vogla….!
Kritika e Z. Shehu ndaj një miku kaq të sinqertë të popullit shqiptar, Z. Harry T. Fultz, ish-anëtar i Misionit Amerikan dhe ish-drejtor i Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë, ku Z. Shehu pati privilegjin të arsimohej, është një trillim fund e krye. Kjo është tipike e demagogjisë komuniste dhe tregon një mospërfillje të turpshme të mirënjohjes tradicionale dhe të përhershme shqiptare, ndaj miqve të saj të huaj”! (Dr. A. Leka)
Kurse në artikullin “Letter to the New York Times” 1969, në të cilën proteston kundër qeverisë Jugosllave, për represionet që ata kryejnë ndaj demonstruesve kosovarë. Ky artikull është shkruar nga autori edhe në gjuhën shqipe dhe është botuar në gazetën “Dielli”, me 5 shkurt 1969.
Nga mund të citojmë: “Kërkesa e kosovarëve, që të lartësojë pozitën, nga një ‘Krahinë Autonome’, brenda Republikës Serbe, me një Republikë të plotë, është një kërkesë e arsyeshme, e drejtë dhe e merituar, pse populli kosovar ka vuajtur dekada nën sundimin serb”. Në publicistikën e Dr. Lekës, është për t’u vlerësuar përpjekja e gjatë në lidhje me kapitullin e Skënderbeut në Enciklopedinë Britanike, që mbahej më e madhja e asaj kohe.
Maratona e letërkëmbimeve, fillon me përgjigjen që merr me 21 gusht 1961 nga Fan Noli, i cili e mirëpret kërkesën e Dr. Lekës për të bashkëpunuar në korrigjimin e origjinës serbe të Skënderbeut, në atë Enciklopedi. (Nga letra origjinale e Nolit: “I enclose a copy of these tëo pages. As you may knoë ‘The story of Scanderbeg’ ëas my dissertation for my Ph.D. Degree at Boston University. It ëas published in 1947 by ‘Vatra’, 30 Hutington Ave., Boston 16 Massachusetts.
Another book in ëhich the question is discussed is by Fr. Athanase Gegaj, “L’Albanie et l’Invasion Turque au xv-e Siecle”. It ëas a doctoral thesis, published by the University of Louvain, Belgium, in 1937. All you have to do is call the attention of the editors of the Encyclopedia Britanica to these tëo books, ëhich are the latest on the subject, both of them based on archival material”.)
Me këte letër orientuese të Nolit ku përfshihet vepra “Histori e Skënderbeut”, me të cilën kishte mbrojtur disertacionin në Universitetin e Bostonit dhe vepra e Fr. Athanas Gega, “Shqipëria në invazionin Turk te shek. XV”, me të cilën kishte mbrojtur tezen e Doktoraturës në Universitetin Louvain, Belgium, 1937, Dr. Leka i drejtohet Editorit të Enciklopedisë, Nov. 13. 1961.
Në letër kërkohet korrigjimi sa më i shpejtë i këtij gabimi, duke e zëvendësuar me një fakt historik, sipas orientimit të letrës së Nolit…! (“I am the subscriber of the Encyclopedia Britanica and open going over volume 20, page 726 on the topic of Skanderbeg, the national hero of the Albanias, I ëas surprised to read the assertion that Skanderbeg ëas of “Serbian origin”…), marrë nga letra origjinale e Dr. Lekës
Në 8 janar 1962, Dr. Leka merr përgjigje nga Leona B. Kraus, Editorial Assistant, ku pranohet kërkesa për ta shqyrtuar artikullin në fjalë. (”Ëe appreciate your ëriting us concerning the origin of Skanderbeg in the Britannica article Skanderbeg or George Castriota (volume 20, page 726…).
Me 22 janar 1962, Dr. Leka e njofton Peshkop Nolin, për përgjigjen që mori nga Editori, duke inkluduar edhe letrën përkatëse. Në 8 nëntor 1966, pas një pritje të gjatë, Dr. Leka i drejtohet përsëri editorit: Dear Miss Kraus…..duke i shprehur shqetësimin e vonesës së korrigjimit sipas letrës së Peshkop Nolit, i cili kishte ndërruar jetë një vit më parë, me 1965 dhe mund t’i shkaktonte ndonjë vështirësi Dr. Lekës në zgjidhjen e problemit.
Me 18 nëntor 1966, Dr. Leka merr letër nga Helen L. Carlock, Editorial Assistant, se artikulli për Skënderbeun është rishkruar, por do të botohet në janar të 1967, me autor Tajar Zavalani, (former Program Assistant, Albanian section, B.B.C.), ku është cituar the libri i Metropolitan Noli, në bibliografi. (Dear Dr. Leka/ The reëritten article on SKANDERBEG has not yet been published. It ëill appear in our 1967 edition, to be published in January 1967, and ëe enclose a tearsheet of the page. The autor is Tayar Zavalani…), nga letra origjinale
Kjo e bëri krenar Dr. Agim Lekën, që realizoi të vërtetën historike të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu.
Gjithë këtë letërkëmbim, Dr. Leka ia dërgon Prof. Aleks Buda, Kryetar i Akademisë së shkencave të R.P.S.SH., duke i shkruar ndër të tjera: “Kam lexuar me interes letrën tuaj në gazetën ‘Liria’ me të cilën i bënit thirrje bashkësisë shqiptare në Amerikë, në lidhje me mbledhjen e dokumenteve të jetës së Hirësisë së tij, të ndjerit Peshkop Fan S. Noli.
Unë kam patur një letërkëmbim me Peshkop Nolin, në lidhje me një protestë që i bëra ‘Encyclopedia Britannica’ Edicioni i vitit 1961, në të cilën autori e quante Skënderbeun me prejardhje serbe…..”!
Letra është e gjatë dhe kërkon studim më vete, ashtu si gjithë dokumentacioni i dorëzuar nga Dr. Leka këtij institucioni, për t’i shërbyer studiuesve në vazhdimësi. Me shumë interes është artikulli; “Dilema Greke e Shqipërisë”, botuar anglisht në gazetën “Illyria” të N.Y. dhe përkthyer e botuar në shumë gazeta shqiptare.
Artikulli në fjalë është një përgjigje dhënë Nikolas Gage, i cili botoi në “washington Post”, me 2 Prill 1995, artikullin “Kosova fuçi baroti”. Nikolas Gage kondiciononte rivendosjen e Autonomisë së Kosovës, me dhënien e një autonomie paralele, minoritetit grek në Shqipëri.
Ndërsa Dr. Leka tërheq vëmendjen, në artikullin; “Dilema Greke e Shqipërisë”, se; Nikolas Gage, kur flet për minoritete etnike të Ballkanit, nuk përmend minoritetin Shqiptar në Çamëri, që sistematikisht po helenizohet. Është edhe ky një studim shumë interesant dhe kurajoz, për t’i shërbyer të vërtetave historike të popullit shqiptar, të nëpërkëmbura.
Të bukura dhe të rëndësishme janë edhe letrat dhe korrespondenca me autoritet zyrtare shqiptare, pas ‘90-tës, si edhe me personalitete amerikane siç është, letra drejtuar ambasadorit të parë amerikan në Shqipëri, Ryerson, ku shpreh entuziazmin dhe shpresën e ndryshimeve të mëdha demokratike në Shqipëri.
Për kontributin e Dr. Lekës në fushën e arsimit dhe të mjekësisë, pas viteve ’90-të në Shqipëri, kanë shkruar shumë autoritete shqiptare, pa dallim ngjyre politike, sepse detyrën e tij e ka drejtuar logjika e shëndoshë, për t’i shërbyer popullit të shumëvuajtur.
Dr. Leka pati fatin ta përjetojë dhe gëzojë rezultatin e kontributit të tij modest, që dha për pavarësinë e Kosovës, dhe kohët e fundit me një shkrim të gjatë për pafajësinë e R.Haradinajt. Kështu, Dr. Leka e ka lartësuar veten si atdhetar i shquar në mbrojtje të çështjes kombëtare dhe të ëndërrës rinore, për Shqipërinë Natyrale. Memorie.al