Nga Prof. Dr. Bardhyl Çipi
Pjesa e dymbëdhjetë
PROVA SHKENCORE TË VDEKJEVE MBRESËLËNËSE
(Persona publikë, viktima të diktaturës, ngjarje të tjera)
Memorie.al / Bardhyl Çipi, një nga specialistët më me përvojë në vendin tonë në fushën e Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës, mësimdhënies së tyre dhe përgatitjes së ekspertëve të rinj mjeko-ligjorë. Disa nga pacientët e tij, janë: viktima që u vranë në kufi për të shpëtuar nga diktatura komuniste, por i ndihmuar nga qeni i tij besnik, për zbulimin e kufomës së tij të fshehur, gruaja e internuar që vrau veten nga dëshpërimi, qytetarët e Kosovës të vrarë nga serbët, sepse kërkonin të jetonin të lirë, për të mos u poshtëruar dhe torturuar prej tyre, banorët që kanë jetuar 1500 vjet më parë në Shqipëri, profesori i universitetit të Tiranës i grabitur dhe i vrarë, etj. Një libër mbi vdekjen dhe provat shkencore për zbulimin e llojeve të ndryshme të saj: vrasje, vetëvrasje, të stimuluara dhe të detyruara nga regjimi komunist, vrasje dhe gjenocide ndaj Shqiptarëve nga fqinjët e tyre, kufoma të freskëta apo të dekompozuara dhe të skeletizuara. Dokumentet e vdekjeve të personave të shquar; Kenedit, Linkolnit, Napolonit, Leninit, Trockit, etj., dhe ngjarje të tjera të vdekjeve të njerëzve të zakonshëm. Njohuri mbi ndryshimet që ndodhin pas vdekjes dhe ekzaminimit të kufomave në botë dhe në vendin tonë, nga pikëpamja historike, etike, mjekoligjore, juridike. Disa nga librat e tij të fundit janë; “Manuali i Mjekësisë Ligjore” (2015), “Bioethics in Albania nowadays” (2016), “Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore” (2018), “Mjekësia Ligjore Kriminalistika” (2020).
Antologjia e ekzaminimeve mjeko-ligjore të kufomave të ngjarjeve të ndryshme në vendin tonë
Katër raste të vdekjeve nga disa lloje të asfiksive mekanike, të ekzaminuara nga Dr. Spiro Çipi
Në vitet 1960, në fshatin K. të rrethit T. konstatohet se shtetasja L.K. ishte varur. Menjëherë sapo u lajmëruan organet e policisë, u dha porosia që vendi i ngjarjes të ruhej dhe të mos prishej sa të arrinte grupi hetimor. Pas një farë kohe grupi hetimor, ku merrte pjesë edhe eksperti mjekoligjor, me të mbërritur atje, fillon menjëherë këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Por në ekzaminimin e kufomës që qëndronte e varur në pozicion vertikal, veçoritë e brazdës së strangulacionit, nuk pajtoheshin me ato të lakut. Kështu zona e ndërprerë e kësaj brazde, gjendej në pjesën e anshme dhe të djathtë të qafës, ndërsa laku ishte me nyjen nga prapa.
Prandaj u pyetën njerëzit e familjes, por ata thanë se nuk e kishin lëvizur kufomën. Anëtarët e grupit hetimor, filluan të konsultohen me njëri tjetrin për këtë gjë, gjë që i ra në sy edhe plakut të shtëpisë. Ai i thotë hetuesit:
“Më falni, por unë e kuptoj shkakun e shqetësimit tuaj. Familjarët, nga turpi me që viktima qëndronte e varur në një vend të ekspozuar, hoqën lakun dhe e shtrinë kufomën. Kur erdhi porosia që vendi i ngjarjes nuk duhej prekur, ata e vendosën përsëri kufomën në pozicionin e saj të parë vertikal të varjes”.
Më pas, gjatë këqyrjes së kufomës u vu re gjithashtu që përveç njollave kufomore në pjesët e poshtme të gjymtyrëve nga qëndrimi i saj vertikal, tek ajo kishte filluar edhe formimi i tyre në zonën e shpatullave (nga qëndrimi i shtrirë i mëparshëm i kufomës).
Në qytetin e Durrësit, në vitet 1960, një grua e ndarë nga burri, jetonte në një apartament së bashku me fëmijët e saj. Por ish-burri shkonte shpesh në shtëpinë e saj dhe e rrihte atë; prandaj ajo ruhej prej tij. Një ditë, ai e gjeti vetëm atë në shtëpi, i hodhi një lak në qafë dhe e mbyti. Pastaj, për të fshehur vrasjen, ai simuloi varjen e viktimës në banjon e apartamentit.
Në ekzaminimin e parë të kufomës, u konstatua brazda e strangulimit me drejtim të pjerrët e varjes dhe u mendua se gruaja nga dëshpërimi, ishte vetëvarur. Por nga të dhënat e para hetimore, sipas dëshmisë të një banori të pallatit ku banonte viktima, rezultoi se përpara se të ndodhte kjo ngjarje, në shtëpinë e gruas, kishte qenë ish-burri i saj.
Prandaj, u kërkua një këqyrje e dytë, më e kujdesshme e kufomës, ku u konstatua që përveç brazdës së strangulimit të varjes, kishte edhe një brazdë tjetër më pak të dukshme, me drejtim horizontal, karakteristike kjo e mbytjes me lak. I ndodhur para një fakti të tillë, ish-burri u detyrua të pranonte kryerjen e këtij krimi nga ana e tij.
Në fshatin Domje të Kasharit (rrethi i Tiranës), në vitet 1960, një grua kthehet nga puna në drekë dhe duke ju afruar shtëpisë në një kodër afër saj, sheh vajzën e vogël, me moshë 4 vjeçare, të veshur me një fustan veror, që kishte vdekur. Shkon në shtëpi e alarmuar ku gjen vjehrrën e saj të moshuar, e cila i thotë që fëmija ishte larguar nga shtëpia.
Në këqyrjen e kufomës u konstatua në qafë një brazdë strangulimi, rrethore, e plotë dhe në njërën gjymtyrë të poshtme nga kofsha e poshtë, kishte një djegie me formë të çrregullt, të shkallës së parë dhe të dytë, me flluska si në një derdhje, e ngjashme me përvëlimet.
Pra ky ishte një rast i qartë vrasjeje, me anën e mbytjes me lak. Në fillim u dyshua se autori i saj mund të ishte një nga banorët e një shtëpie pranë vendit ku u gjet kufoma, që konsiderohej me biografi të keqe për atë kohë, si ish-kulak dhe nuk shkonte mirë me familjen e vajzës.
Por më pas u pyet vjehrra plakë e cila, shpjegoi që vajzën mund ta ketë mbytur bolla (një lloj gjarpri johelmues); kur i pa shenjat në këmbë, ajo tha që bolla mund ta ketë rrahur fëmijën me bisht. Por në fund ajo pranoi të tregonte të vërtetën: fëmija kishte rrëzuar padashur gjymin me ujë të nxehtë dhe u dogj e, prandaj filloi të qante shumë; vjehrra për ta pushuar, sepse kishte frikë nga njerëzit e shtëpisë që silleshin keq me plakën, i shtrëngon vajzës rruazat që kishte në qafë dhe e mbyt padashur (mbytje me lak).
Në një rast të praktikës së vendit tonë të viteve 1960, në qytetin e Beratit, gjendet i vdekur në shtëpinë e tij një burrë i moshuar. Vdekja e tij u konsiderua e dyshimtë, sepse në qafën e viktimës, u konstatuan dëmtime në trajtën e gërvishtjeve dhe ekimozave, të ngjashme me ato të mbytjes me duar, si dhe një brazdë strangulimi horizontale e zbehtë (tentativë mbytjeje me lak).
Të gjitha këto dëshmonin për një vrasje që u dyshua të ishte kryer nga e shoqja, me moshë shumë të re, me të cilën viktima zihej në mënyrë të vazhduar. Për këtë vrasje, menjëherë pas ngjarjes, u ekzaminua edhe gruaja e viktimës, të cilës pasi ju hoq shamia që mbante në kokë, iu zbulua në ballë një ekimozë e freskët, shenjë kjo e përleshjes me të shoqin, në momentin e mbytjes me duar, sikurse e pohoi edhe ajo vetë, duke e pranuar njëkohësisht kryerjen e këtij krimi nga ana e saj.
Rasti i mbytjes së një fëmije me një kokërr fasuleje
Ky rast ka të bëjë me vdekjen e një fëmije, me moshë 1 vjeç, më datën 5.05.2006, i shtruar në shërbimin e Pediatrisë të spitalit të qytetit Korҁës disa ditë më parë. Nga autopsia e kryer, në trakenë (tubi i ajrit i vendosur në qafë që ajros të dyja mushkëritë) e fëmijës u zbulua një kokërr fasuleje, e shoqëruar me ndryshimet e tjera të një vdekjeje asfiktike.
Pra kjo, një vdekje asfiktike aksidentale nga zënia e rrugëve të frymëmarrjes me trup të huaj (kokrra e fasules).
Po si kishte ndodhur kjo ngjarje? Disa ditë para vdekjes, gjyshi që kujdesej për fëmijën (meqenëse prindërit kishin vajtur për të punuar në Greqi), u alarmua, sepse fëmija filloi të kishte marrje fryme.
Për këtë thërret mjekun pediatër, i cili menjëherë e dërgon fëmijën në spital. Atje u vizitua, ju bë edhe radiografia e gjoksit, u diagnostikua me ftohje të mushkërive dhe u fillua menjëherë mjekimi, pavarësisht se fëmija nuk kishte temperaturë. Pas disa ditëve, nga një kollë që pati, i shfaqet papritur një marrje fryme e rëndë dhe fëmija vdes.
Pas kësaj ngjarjeje, prindërit e denoncuan rastin në prokurori me pretendimin që vdekja e fëmijës ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së mjekëve. Për të zgjidhur këtë ҁështje, prokuroria e Korҁës, i kërkoi Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë (IML) që ta shqyrtonte këtë rast. Për këtë ajo dërgoi në IML, dokumentacionin përkatës.
Në kartelën klinike të ndjekjes së fëmijës në spital, kishte dhe një grafi, e bërë menjëherë pas konstatimit të gjendjes jo të mirë të fëmijës në fshat dhe pas shtrimit në spital. Unë e konsultova këtë rast me mjekun radiolog, duke i treguar grafinë e bërë menjëherë pas shtrimit në spital.
Pasi e pa me vëmendje, ai përcaktoi se mushkëria e djathtë, paraqitej e shtypur në mënyrë të plotë (atelektazë), për shkak të bllokimit të futjes së ajrit në tubin që ajros këtë mushkëri (bronku i djathtë). Nga ky konstatim, u kuptua qartazi, që kjo vdekje kishte ndodhur për shkak të një pakujdesie mjekësore.
Pra në këtë rast, kokrra e fasules duhet të ketë qenë futur në rrugët e frymëmarrjes të fëmijës, në fillim në bronkun e djathtë, që para disa ditëve, veprim ky që nuk u vu re nga gjyshi i fëmijës, por që vërtetohej nga radiografia e bërë menjëherë pas shtrimit në spital. Për këtë, ju shfaq marrja e frymës dhe fëmija u shtrua urgjent në spital.
Atje për shkak të pakujdesisë mjekësore, nuk u arrit që të zbulohej që shtypja (atelektaza) e plotë e mushkërisë së djathtë, kishte ndodhur nga bllokimi i bronkut kryesor të saj, nga një trup i huaj, gjë që do të bënte të mundshme nxjerrjen menjëherë të tij dhe shërimin e fëmijës. Por fëmija në spital u mjekua në mënyrë të gabuar, për një ftohje të mushkërive.
Nga kjo neglizhencë, në ditën e tretë të shtrimit në spital, lëvizja që ka bërë trupi i huaj (kokrra e fasules), nga bronku në trake, ku fasulja u gjet në autopsi, ka sjellë vdekjen e menjëhershme të fëmijës nga bllokimi i plotë i rrugëve të frymëmarrjes (trakesë) nga trupi i huaj. Gjykata, duke u mbështetur në radhë të parë në ekspertimin mjekoligjor, i dënoi mjekët fajtorë të kësaj pakujdesie të rëndë.
Helmimi me kokainë
Në muajin janar të vitit 2008, në një kohë me diell, në një restorant të një prej plazheve kryesore të vendit tonë, dy persona të rritur: një burrë dhe një grua, që u ulën atje për të drekuar, sapo filluan të pinë verën që e kishin marrë me vete dhe të hanë ushqimet e restorantit, menjëherë rrëzohen dhe humbasin ndjenjat. Dërgohen urgjent në spital, ku gjatë rrugës, ju shfaqen konvulsione, por kur arrijnë në urgjencën e spitalit, të dyja viktimat kishin vdekur.
Të dhënat e para hetimore ngrinin dyshimin për një helmim nga ushqimet e përdorura prej tyre gjatë drekës. Nga ekzaminimi toksikologjik i shishes së verës, që viktimat kishin filluar ta pinin gjatë drekës, rezultoi se ajo përmbante kokainë në një përqendrim shumë të lartë.
Autopsia dhe ekzaminimi toksikologjik i organeve dhe gjakut të të dy kufomave, vërtetuan se këto dy vdekje kishin ardhur nga helmimi me një sasi shumë të madhe kokaine, që u pasua me një vdekje asfiktike, por që u parapri edhe me konvulsione të forta para vdekjes, e ashtuquajtura “epilepsia kokainike”.
Nga shqyrtimi i të gjitha të dhënave, këto dy vdekje u konsideruan aksidentale nga pirja e verës me kokainë, e përgatitur jashtë vendit tonë, për t’u trafikuar, që ishte dërguar me postë në Shqipëri dhe që një punonjës i postës ja kishte dhuruar viktimës që punonte edhe ai në postë, si shofer.
Kjo ngjarje, padyshim përbën një rast të trafikut të kokainës të futur në pijen e verës, të dërguar nga Amerika e Jugut, por që u zbulua nga ekspertimi mjekoligjor. Në të vërtetë, në çështjet e krimit të organizuar, ku përveç trafikut të drogave, përfshihen edhe trafiku i klandestinëve, vrasjet me grabitje, llojet e ndryshme të korrupsionit, për të gjitha këto, në zbulimin e tyre ndihmojnë edhe ekspertimet mjekoligjore.
Helmimi vdekjeprurës me selinon (dinitrokrezol)
Në një rast të praktikës mjekoligjore të vendit tonë, më datën 14.03.1985, në orët e mbrëmjes në qytetin e Fushë Krujës, në një familje: nëna, 47 vjeçe, tri vajzat e saj, me mosha 18, 17, 13 vjeçe, dhe nipi i vogël, 4 vjeç, meqenëse kishin shenja të zgjebes, për mjekimin e saj, janë lyer që të gjithë me një lëndë me ngjyrë të verdhë, të tretur në vaj, që e kishte gjetur njëra nga vajzat, duke menduar gabimisht, se ishte një medikament me squfur, kundër zgjebes.
Në të vërtetë, ky ishte medikamenti i selinonit, ose dinitrokrezolit, që përdoret në bujqësi si insekticid, duke spërkatur drurët dhe shkurret, për luftimin e barërave të këqija dy kotiledone të grurit, misrit, pambukut, sojës, etj., për defolimin e gjetheve të patates në parcelat e farës etj.
Pas lyerjes me këtë lëndë, në darkë dhe gjatë natës nuk patën ndonjë shqetësim. Por të nesërmen në mëngjes, në fillim fëmija dhe më pas njëra nga vajzat filluan të ankoheshin për dhimbje koke, marrje fryme, të vjella, djersitje të theksuar. Po këto shenja, por në një shkallë më të lehtë, u shfaqën edhe te nëna dhe dy vajzat e tjera.
Ato vizitohen menjëherë nga mjeku i poliklinikës, i cili i dërgon urgjent në spitalin e qytetit, ku me gjithë ndihmën e dhënë, njëra nga vajzat dhe fëmija vdesin brenda 1.5 ore; ndërsa nëna me dy vajzat e tjera, dërgohen në repartin e toksikologjisë të Spitalit të përgjithshëm Ushtarak të Tiranës, ku u mjekuan dhe dolën prej tij të shëruara, më datën 16.03.1985.
Unë kam vajtur në morgun e spitalit të Krujës, ku gjendeshin të shtrira në dy tavolina kufomat e dy viktimave. Në këqyrjen dhe autopsinë e tyre, menjëherë më ra në sy zverdhje e lëkurës së trupit, pjesëve të bardha të syve dhe shenja të pakta të sëmundjes së skabiesit (zgjebes). Në ekzaminimin e organeve të brendshme, u konstatua stazë venoze dhe ndryshime distrofike të tyre, fryrje mushkërive, gjak i lëngshëm, etj.
Në ekzaminimin toksikologjik të gjakut dhe organeve të brendshme të kufomave, u gjet prania e selinonit dhe u krye përcaktimi sasior i tij, madje edhe sipas organeve të ndryshme, që rezultoi në vlera nga 45 γ /g – 95 γ /g.
Më pas, unë shqyrtova me kujdes kartelat mjekësore të dy viktimave para se të vdisnin dhe ato të nënës dhe dy vajzave të tjera, që ishin dërguar për t’u mjekuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Midis të tjerave në këto kartela, përshkruhej gjendja shumë e rëndë e viktimave, të shoqëruara me një temperatura të larta mbi 40 gradë dhe shenjat e prekjes së organeve të brendshme dhe trurit.
Rrethanat e përbashkëta të helmimit të njëkohshëm të disa personave, nga të cilët 2 me përfundim me vdekje, të dhënat klinike, autoptike dhe të ekzaminimit toksikologjik, dëshmuan në mënyrë të qartë, për helmimin me selinon. Ndërsa sasitë më të vogla të helmit, që u gjetën në mushkëri, veshka dhe zorrë, në krahasim me organet e tjera, ishin në favor të argumentit që ky helm, eliminohet me ngadalë nga organizmi.
Kjo vërtetonte vetinë që ka ‘selinoni’, për t’u akumuluar në trup, veti kjo e rrezikshme për jetën, siç rezultoi edhe në këtë shembull.
Vdekja nga helmimi me çerepujkën e egër
Kjo ngjarje ka ndodhur në një fshat të rrethit të Gjirokastrës. Atje, në kohën e pasdites të datës 9 prill, 1981, rreth orës 17.00, ka vdekur në shtëpinë e vet, një shtetas, me moshë mesatare.
Nga të dhënat hetimore rezultoi se atë ditë, në orën 14.30, viktima, së bashku me gruan e tij, djalin dhe nusen e djalit, hëngrën për dreke një shapkat (lloj lakrori, byreku), të bërë me miell gruri dhe një lloj lakre, të quajtur “çerepujkë”, të cilën gruaja e kishte mbledhur në gardhin e kopshtit prapa shtëpisë.
Gjysmë ore pas ngrënies së shapkatit, të gjithë anëtarët e familjes filluan të kishin dhimbje koke, marrje mendsh, errësim të pamjes, të përziera, të vjella, dobësi trupore.
Në orën 17.00, viktima (i zoti i shtëpisë) vdes, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes, dërgohen urgjent në spital me diagnozën: “Intoksikim alimentar, i papërcaktuar me veprim neurotrop”. Në ekzaminimin në spital, ata kishin takikardi 100 në minutë, dobësim të përgjithshëm të forcës muskulore, reflekse osteotendinoze, të ulura.
Ndërsa në autopsinë e kufomës së viktimës, u konstatuan dalje e materieve fekale nga anusi, ënjtje e trurit, gjak i lëngshëm, stazë venoze e organeve të brendshme, stomaku i fryrë, i mbushur me lëndë ushqimore, të përbërë nga barishte, prekje në përgjithësi e organeve të brendshme etj.
Rrethanat e ngjarjes, shfaqja e çrregullimeve të shëndetit te të gjithë pjesëtarët e familjes, menjëherë pas ngrënies së drekës dhe më pas të dhënat e autopsisë së viktimës, të gjitha këto dëshmojnë, për një helmim aksidental nga ndonjë lëndë helmuese, e marrë padashur gjatë drekës.
Në fakt, dreka e bërë nga gruaja e shtëpisë, ishte një shapkat që u vërtetua se ishte përzier me bimën helmuese të çerepujkës së egër, të marrë gabimisht në vend të çerepujkës së butë, që nuk është helmuese dhe përdoret për ushqim nga njerëzit
Në ekzaminimin toksikologjik të organeve të brendshme të kufomës, u gjet prania e koninës, që siç dihet përbën alkaloidin toksik të kësaj bime, që vepron duke paralizuar mbaresat motore të muskujve, por duke ruajtur funksionet e trurit.
Kjo përputhet edhe me dëshminë e gruas së helmuar, cila para se burri të vdiste, tregonte në lidhje me dobësinë trupore të saj: “E ndjenja veten kaq të dobët, sa as që mund të ngrihesha për të ndihmuar burrin që po vdiste, i shtrirë në krevatin tjetër”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016