Memorie.al /Më 14 maj të vitit 2014, në kanalin televiziv ‘Albanian Screen’ në rubrikën “Prizëm” të gazetarit të njohur Aleksandër Furxhi, ku diskutohej për artin e kulturën, ka qenë i ftuar në studio, koreografi shqiptar me famë botërore Angjelin Preljocaj. Në intervistën e tij, “Kushëriri i engjëjve”, siç e ka cilësuar Preljocajn, shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, midis të tjerash foli edhe për rikthimin në Shqipëri pas 20 vitesh, arratisjen e familjes së tij, takimin me baletin në moshë fare të re dhe karrierën e tij si balerin e koreograf i përmasave botërore. etj.
. Pjesë nga intervista e Angjelin Preljocaj, për gazetarin Aleksandër Furxhi
Zoti Preljocaj, le të përpiqemi të kujtojmë pak se si fëmija juaj u largua nga Shqipëria dhe origjinën e saj…?!
Babai im është me origjinë nga Vermoshi, në veri të Shkodrës. Ai ka jetuar atje me familjen për disa vite dhe një ditë së bashku me të atin dhe vëllain e vogël, vendosën të largoheshin nga Shqipëria dhe të kalonin kufirin e të shkonin si emigrantë, por edhe për të takuar gruan e tij që ishte në Ulqin.
Në cilin vit?
Është pak e turbullt, pasi nuk kisha lindur, mendoj se ishte rreth vitit 1955… pastaj ai gjeti time më dhe u martuan atje. Qëndruan pak në Beran, në atë kohë, Ivangrad dhe pastaj u strehuan në një kamp refugjatësh në Gerovo, në ish-Jugosllavi. Atje ishin në pritje për të emigruar në Amerikë, kështu ishte ideja e parë. Në kampin e Gerovos, u ngjiza unë, mesa më kanë thënë prindërit, pastaj vazhduan rrugën dhe ime më dhe im atë, mbërritën në Francë, ku prisnin vizën, për t’u nisur në Amerikë.
Dhe ju jeni lindur në Francë?
Po. Sapo arritën në Francë linda unë, sepse ju është dashur njëfarë kohe, që të mbërrinin në Francë.
Dhe lindët në 1957…?
Po, 1957. Në atë kohë linda unë dhe ata prisnin vizën për t’u nisur në Amerikë. Vizën nuk mundën ta merrnin, për rreth një vit, një vit e gjysëm, por kur e morën, prindërit e mi kishin filluar të stabilizoheshin. Pra, kur e morën vizën, thane; ok, ta harrojmë më mirë Amerikën, të qëndrojmë në Francë, sepse, kemi nisur punë, kemi një shtëpi të vogël dhe kështu vendosën të qëndronin.
Në shtëpi prindërit tuaj flisnin shqip besoj, po ju, kur u rritët, si komunikonit me nënën dhe babanë tuaj?
Po pikërisht, duke qenë se im atë dhe ime më, erdhën në Francë dhe unë linda menjëherë, në atë moment që ata nuk flisnin frëngjisht, nuk kishin asnjë çelës të kulturës dhe traditës franceze, pra e gjithë fëmijëria ime, ishte në shqip, dhe me traditën shqiptare. Mendoj se, shpesh ka qenë nevoja që emigrantët që sapo vinin, për të ruajtur identitetin e tyre, ishin të detyruar të ishin më shqiptarë, sesa shqiptarët e vërtetë dhe kam përshtypjen se, unë jam rritur më tepër në traditën shqiptare, sesa ata në Tiranë.
Pra ishte diçka shumë shumë e rreptë e tradicionale dhe për këtë arsye, kam patur gjithmonë ndjesinë se, kisha me të vërtetë një kulturë të dyfishtë, në shtëpi ishte akoma Shqipëri, ndërsa kur shkoja në shkollë, ishte shkolla e Iluminizmit e Republikës Franceze dhe i gjithë zbulimi i një kulture tjetër dhe, me të vërtetë, kisha ndjesinë se, në njërën anë ishte tradita, disa gjera të thella, disi misterioze, ndërsa në krahun tjetër, një kulturë e filozofëve të Iluminizmit, të gjithë kulturës Franceze, pra një dyzim.
Si ka qenë kontakti juaj me baletin? Te ‘New York Times’ kam lexuar se, keni qenë rreth 11 vjeç, kur keni parë një foto të Nurejevit dhe në atë çast, diçka ka shkrepur në mendjen tuaj…! A është e vërtetë?
Po. Është për të qeshur që dashuria ime për baletin, lindi nga një imazh i fiksuar, pra është shumë paradoksale pasi, kërcimi është lëvizje, dhe shijen e baletit, ma dha një imazh i fiksuar. Ishte një imazh i dikujt që ishte Rudolf Nurejev, ishte një fotografi në një libër, që ma kishin dhënë hua. Në fytyrën e tij, kishte një dritë dhe një bukuri të tillë që, më mahniti. Dhe shpjegimi ishte interesant pasi, ishte shkruar:
“Rudolf Nurejev i shpërfytyruar nga kërcimi”, domethënë i transformuar, i metamorfizuar nga kërcimi, dhe thashë me vete: është e pabesueshme. Dhe mendova: çfarë është ky art, që transformon dikë dhe e bën kaq të bukur, të bukur nga brenda, jo thjesht të bukur kështu nga jashtë. Dhe kështu ja ktheva librin vajzës që, ma kishte dhënë hua, e cila ishte një balerinë e re, dhe e pyeta se ku bënte balet dhe ajo më udhëzoi. Kështu shkova dhe bëra orën e parë të kërcimit.
Kam lexuar se në atë kohë, ju keni qenë i regjistruar në kurs për xhudo mirëpo, i shpenzonit paratë për të shkuar në balet, a është e vërtetë?
Po është e vërtetë. Në orën time të parë të baletit, shkova me pantallonat e mia të bardha të kimonos, xhudos dhe një bluzë. Pa i thënë prindërve të mi. Shpesh here, kam shkuar për kërcim, por u kam thënë që po shkoja në xhudo dhe fshehtas, sepse prindërit e mi, nuk donin që të merresha me balet.
Kur e morën vesh që ju shkonit në klasën e baletit, si reaguan?
Është pak interesante pasi, ime më nuk u kundërvu shumë në fillim, pasi nuk e njihte baletin në fakt, sidomos baletin klasik. Ime më kishte qene fermere, kishte ruajtur delet, vinte nga një shtresë shoqërore ku, baleti klasik ishte totalisht i panjohur, pra nuk pati as reagim pozitiv, as negativ, gjë që nuk ishte keq.
Duke qenë se në Francë, ajo punonte në fabrikë, pyeti kolegët e punës çfarë mendoni; djali im shkon në balet, dëshiron të merret me balet. Dhe ata që e rrethonin, i thanë që është diçka e çuditshme, është për meshkuj të feminizuar, etj., pra të gjitha klishetë e kohës. Mamaja ime pati pak frikë për mua, pasi ëndërronte të bëhesha doktor, apo avokat, diçka e tillë, pra kishte frikë.
Në moshën 17 vjeçare u nisët në SHBA-ës, për tu marrë me balet. Përse në SHBA-ës?
Kisha nisur të studioja baletin klasik, pastaj baletin modern dhe pastaj kuptova që, të rejat koreografike, shfaqeshin sidomos në New York, kështu që kisha dëshirë të shkoja atje, të zbuloja tendencat e reja të baletit, takova dhe punova me Merce Cunningham nga i cili, mora leksione dhe mësova shumë për sa i përket kompozimit koreografik.
Është e saktë të themi se; Amerika ju formoi si balerin? Apo dhe Franca gjithashtu?
Franca gjithashtu, por edhe SHBA-ës, pasi në atë kohë, Shtete e Bashkuara, ishin qendër graviteti për krijimtari, por edhe në Francë, ndodhnin shumë gjëra, duke u lejuar balerinëve të rinj, të afirmoheshin gjithashtu.
Baleti Preljocaj, ka rreth 26 balerinë dhe prodhon më tepër se 100 spektakle në vit, si është e mundur?
Një spektakël në çdo dy-tre ditë, janë shumë…! Po janë shumë, është shumë punë por, unë nuk dua të qahem pasi, është një pasion për kompaninë. Dhe në të njëjtën kohë, nuk bëj vetëm spektakle me 26 balerinë. Për shembull; Mbretëria e Bashkuar (Royame Uni), është me 4 balerinë, ka spektakle me 12 balerinë por, ka edhe spektakle me të gjithë kompaninë dhe prodhime, siç është Borëbardha, që është balet i madh dhe merr tërë trupën në turne. Por nganjëherë, ndodh që, një pjesë e trupës është në Londër, ndërsa pjesa tjetër në Madrid, pra në të njëjtën mbrëmje, ne luajmë nga një balet secili, e njëjta trupë, luan dy balete.
Me teatrin e Baletit te Tiranës, ndoshta është vetëm fillimi, a keni ndonjë ide apo projekt për ta zhvilluar bashkëpunimin?
Jo vetëm që është e mundur, por është diçka të cilën e kemi nisur tashmë. Nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, nënshkruam një marrëveshje me Baletin e Operës së Tiranës dhe Baletin Preljocaj. Është një marrëveshje 3 vjeçare, është një mundësi e një bashkëpunimi të thellë, jo thjeshtë konsum baleti por shkëmbim, domethënë edukim pedagogjik, trajnime të balerinëve gjithashtu balete që i janë dhënë Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës por edhe balete që nuk ekzistojnë por që do t’i krijojmë bashkë ne të dy kompanitë.
Është me të vërtetë bashkëpunim interesant. Për shembull mund të bashkojmë 5 balerinë të Preljocaj dhe 5 balerinë të Teatrit te Operës dhe Baletit që të realizojnë një balet bashkë, është me të vërtetë bukur, mund të jenë 10 me 10. Por ajo që është interesante është bashkimi i energjive, të shohim sesi mund të krijojmë një përzierje shpërthyese mbase dinamike.
Kur keni ardhur për herë të parë në Tiranë kërcyet edhe ju në skenë, tani jeni këtu si koreograf. Sa vite bëhen që nuk kërceni më?
Është e çuditshme pasi ju më bëni këtë pyetje, por ndërkohë bëhen 3 vite që kam kërcyer vetëm, solo, për rreth një orë e çerek.
Po në familjen tuaj, fëmijët tuaj e kanë ndjekur shembullin e babait, a kanë ndjeshmërinë tuaj ndaj baletit?
Kam dy vajza që e duan baletin por ndjekin shembullin e mamasë që është kineaste, por mendoj se janë të pasuruara nga të dy artet, artin koreografik dhe artin kinematografik. Memorie.al