Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Çfarë ishte “Gjeli”, si fshihej ai dhe dollari? Nga kutitë e qumështit “Milk”, “Panda”, konservat e peshkut, deri te takat e këpucëve. Nga orët “Darvil” e “Atlantik”, magnetofonat, etj., çfarë blihej nga sportistët jashtë shtetit. Çastet e ankthit në kalimet doganore, histori dhe ngjarje të pathëna, por të jetuara e të paharruara në gjatë gjithë periudhës së Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Në Shqipëri, para dhe pas luftës, qarkullonin shumë monedha floriri, pasi me to bëhej kryesisht tregtia, këmbimi, ishte mjet jetese. Ishin disa tipe monedhash floriri dhe pas lufte, shumë tregtarë zotëronin sasi të konsiderueshme monedha ari, por me dekret të Kuvendit Popullor dhe me vendim qeverie, u konfiskuan nga regjimi komunist i sapoardhur në fuqi.
Kush nuk e dorëzonte apo e fshihte, kishte pasoja, me internim, burgime etj. Sidoqoftë, në vitet në vazhdim, kishte shumë familje që mundën të ruanin një pjesë të monedhave të floririt dhe bëhet fjalë për sasi të vogla, duke i përdorur fshehurazi si mjet jetese. (Rasti i mjekut të njohur Italian, Doktor Vincienco Lozzi, i cili tentoi të kalonte monedhat e floririt, duke i futur në kufomat e italianëve të vdekur në Shqipëri, të cilët i rregullonte për riatdhesim në vendin e tyre, që pasi u zbulua u dënua me pushkatim). Pikërisht në këto vite, nga Parlamenti shqiptar doli dekreti se asnjë shqiptar nuk kishte të drejtë të nxirrte jashtë kufijve valutë (vlerë monetare që përdoret në të gjitha vendet, siç janë dollari apo monedhat e floririt). Pasojat do të ishin të rënda.
Ata, që kishin mundësi të dilnin jashtë shtetit si të privilegjuar nga popullsia, ishin sportistët dhe artistët. Deri në fundvitet ’50- ’60, normalisht aktivitetet zhvilloheshin në shtetet ku miqësia ishte në plan të parë dhe këto ishin vendet e kampit komunist Lindor, ku edhe marrja e valutës e përdorimi atje, nuk kishte preferenca si në Perëndim. Gurët e çakmakëve, ishin disa nga çfarë mund të sillje nga këto shtete. Gjithçka ndryshoi pas viteve ’60-të, kur skuadrat shqiptare, kombëtarja apo klubet (në futboll kryesisht), filluan të merrnin pjesë në aktivitete të rëndësishme europiane. Këtu mund të themi se është periudha kur ka tentativa, ose fillon në mënyrë sporadike, por duke qenë më intensive vit pas viti, nxjerrja jashtë e valutës nga sportistë.
Dekreti që ndalonte nxjerrjen e monedhës
Ndonëse qëndroi gjatë në fuqi, të paktën deri në vitin 1990, në harkun e një gjysmëshekulli, dalja e monedhës së floririt jashtë kufijve shqiptarë, nuk ka munguar, edhe pse në mënyra, forma klandestine, shumë sportistë e artistë kanë mundur ta nxjerrin jashtë atë. Por, cilat ishin mënyrat, si veprohej, si fshihej, dollari apo “Gjeli” i famshëm? Dieta e sportistit, ishte vetëm dy dollarë në ditë dhe mundësia për të blerë diçka, ishte thuajse minimale ose e pamundur, aq më shumë për të kënaqur të afërmit, që prisnin diçka si dhuratë.
Hapi i parë, gjetja dhe blerja e monedhës
Gjetja dhe blerja e monedhës së floririt, ishte një proces që kryhej në fshehtësi dhe jo të gjithë kishin mundësinë, sepse duhej të njihje, të mos dilnin fjalë, të ishe shumë i sigurt për veprimin e ndaluar, e konsideruar si kontrabandë për kohën dhe përfundoje në burg). Ata që zotëronin flori monedhë, ishin natyrisht ish-tregtarët ose familjarët e tyre, të cilëve mund t’u kishin mbetur që nga vitet e para të pasluftës. Edhe ata që kishin familjarë jashtë dhe u dërgonin dollarë, shteti nuk ua jepte, duke ua konvertuar me lekun shqiptar (1 dollarë ishte 70 lekë, për emigrantë ekonomikë të periudhës së Monarkisë së Zogut, kurse për të arratisurit politik, 1 dollarë jepej me 20 lekë të vjetra, me të cilat blije gjysëm buke gruri). Kishte edhe një treg të zi floriri, që funksiononte në heshtje. Dy ishin vlerat monetare të rëndësishme: Dollari kartëmonedhë dhe monedha e floririt (‘Napolon’, në gjuhën e përditshme).
“Napoloni” i floririt ishte një monedhë me një gjel në mes. Ishte pikërisht ky simbol, që monedha 20 frangëshe, mori famë me emrin shumë popullor “Gjeli”, që konvertohej në 68 mijë lekë (të vjetra) në bankën shqiptare. (Me 68 mijë lekë, mund të blije një lavatriçe çeke ose rumune që importoheshin asokohe nga shteti shqiptar dhe një televizor të markës “Iliria”, “Adriatik”, ose “Lura”, bashkë me një stabilizator, që prodhonte Uzina e Radio-Televizorëve në Durrës). Pra, “Gjeli” përfaqësonte monedhën e artë që sportistët merrnin dhe e përdornin kur dilnin jashtë, për të blerë gjera të ndryshme. Kishte edhe monedhë, siç ishte “Lira turke, pesëshe”, që kishte vlerë më të madhe, por ishte e përmasave që nuk preferohej në dalje. “Gjeli” ishte thuajse si 100-lekëshi, metali i sotëm, për nga madhësia, që mund ta manovroje, për ta fshehur.
Ndryshe nga kartëmonedha në dollarë, marrja dhe fshehja e “Gjelit” të floririt, ishte i rrezikshëm në kontrollin doganor. Një “Gjel”, blihej afërsisht nga 2000 deri 3000 lekë, (të vjetra), e cila për kohën, ishte një gjysmë rroge mujore, ndërsa këmbimi jashtë shtetit, varej nga ai vend ku e përdorje. Pastaj, vlera e tij (“Gjelit”), u rrit, deri në dy apo tre orë të markës zvicerane “Darvil”, apo “Atlantik”, të cilat i sillni kryesisht, shoferët e Parkut të Eksportit të Tregtisë së Jashtme me automjetet e mëdha me rimorkio, ku shkruhej “ALBANIA”. “Gjeli” ishte rezistent, pasi futej kudo dhe ruante mos dëmtimin. Edhe dollari ishte shumë i kërkuar dhe i përdorshëm. Si kartëmonedhë, ishte më i lehtë në fshehje, por ishte delikat, se nuk duhej të lagej, të zhubrosej, duhej mbajtur në gjendje të mirë.
Kalimi i doganës nga Pikat e Kalim-Kontrollit të Kufirit dhe aeroporti i Rinasit
Dalja jashtë shtetit dhe dhe kthimi, ishte në tre drejtime doganore: me avion nga Rinasi, me anije nga Porti i Durrësit dhe me autobus, nga pikat e Kalim-Kontrollit të Kufirit tokësor. Në të tre rastet, kishte kontroll të imët dhe frika i detyronte sportistët apo artistët, të mbanin sekret gjithçka, asnjë fjalë e informacion as me mikun më të afërt të paktën në dalje. (Midis sportistëve, apo dhe artistëve që u jepej rasti të dilnin jashtë shtetit, kishte solidaritet të madh në heshtje, lidhur me këtë fakt). Skuadra apo grupet e artistëve, (si Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore, apo ansamblet e rretheve) etj., shoqëroheshin në të gjitha rastet, nga një person i Sigurimit të Shtetit, i cili ishte përgjegjës dhe mbikëqyrte gjithçka, sapo ajo nisej, gjatë qëndrimit dhe në kthim. Pas çdo udhëtimi, ai raportonte me shkrim deri në detaje, çfarë kishte parë e konstatuar, për çdo individ.
Pas marrjes së valutës, kalimit, këmbimit e konsumimit, një tjetër vështirësi për t’u kaluar, ishte ardhja në doganën hyrëse dhe dhënia llogari, justifikimi se ma çfarë parash i kishe blerë ato që kishe marrë, ku e kishe gjetur sasinë e parave, pasi dieta që të kishin dhënë, ishte shumë e minimizuar për çdo sportist, artist e drejtues grupesh. Një sportist, më shumë “binte në peshë” kur kalonte doganën, se gjatë 90 minutave të ndeshjes kur luante. Ishte një kalvar shumë i lodhshëm dhe i rrezikshëm. Një ndryshim i mimikës së fytyrës, një pasiguri në përgjigje, apo veprime me gjestikulacione të ndryshme, krijonte dyshime tek doganieri. Një informacion, një kontroll i orientuar i rrezikonte të gjithë, në veçanti personin që, nëse kapej, kishte pasoja, deri në burgim.
Format e fshehjes
Lidhur me mënyrën e fshehjes së kartëmonedhave të dollarit apo “Gjelit”, të floririt, fillimisht gjithçka ka qenë spontane, rrethanore dhe fantazi e individit, që guxonte t’i merrte ato në rrugët e daljet jashtë shtetit. Të tilla mbeten për një kohë të gjatë, edhe pse postat doganore, kishin informacion për mënyrat e nxjerrjes së valutës nga sportistët apo artistët. Kur kishte kalim nga dogana e aeroportit të Rinasit, kishte të tjera metoda, të cilat ndryshonin kur kalimi ishte tokësor, me autobus, rrallë me tren apo anije. Kur udhëtimi ishte me avion, fshehja e monedhës kryesisht bëhej në pastat e dhëmbëve, prodhim i NISH-KIMIKE (“Ndërmarrja Industriale Shtetërore Kimike”” – Tiranë. Ajo hapej nga fundi, futej monedha brenda, dhe mbyllej sërish, që në repartin ku prodhohej ajo.
Edhe në konservat e peshkut, kryesisht të sardeles, të cilat prodhoheshin në Fabrikën e Konservave “Ernest Telman” të Vlorës, futja e monedhës, bëhej që në prodhim, ku sigurisht duhej të komprometojnë diku që punonte aty, natyrisht pasi duhej ta paguaje. Ndërsa te konserva e qumështit “Milk” apo “Panda”, prodhim i Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi” në Tiranë, ajo merrej, hapej me kujdes vertikalisht dhe, pasi futeshin monedhat, mbyllej me saldim me kallaj, duke e mbështjellë sërish me etiketën e saj prej letre. (Një ndër ata sportistë që e ka praktikuar disa herë këtë metodë, është dhe Ajet Toska, legjenda e atletikës shqiptare në garën e hedhjes së çekiçit, i cili e ka dëshmuar këtë gjë, në emisionin “Rrëfim”, në TV SCAN). Por, edhe thembra apo takat e këpucëve civile, ishte një tjetër mënyrë efikase. Hiqej taka, vendosej monedha në takë, dhe ajo bashkohej sërish me këpucën me të cilën ecej normalisht. Një tjetër vend i vendosjes, ishin rripat ose fundi i çantave sportive (bazamenti). Pastaj, brenda në byrek, apo në kravatë (mjet shumë modern, për futjen e dollarit, monedhës, apo ndonjë ore). Por, edhe te rripi i pantallonave…!
Rripi i pantallonave
Është unikal, i paparë dhe shumë i rrallë, ai që është përdorur nga një ish-futbollist i njohur, (L.B.) mbi 20 vjet në kalimet kufitare tokësore e ajrore, pa mundur të zbulohet nga askush. Vetë sportisti, rripin “magjik” prej lëkure, e ka bërë publik vetëm vitet e fundit dhe e ruan si një relike të rrallë. I bërë saktësisht për një gjë të tillë, nga prodhuesit amerikanë (rripi edhe sot është në gjendje të mirë), e kishte një mik amerikan i familjes që erdhi si vizitor në vitet ’60-të. Në largim e sipër sportisti, që ia kishte vënë re krejt rastësisht, ia kërkoi si kujtim. I zënë në “befasi”, miku amerikan, fillimisht hezitoi, por i zënë ngusht, ia dhuroi. Me zinxhir rreth 20 cm. në pjesën e pasme të tij, ai është bërë në atë mënyrë, që mund të futësh rreth 20 “Gjela”, ose dollar, të bërë në formë kaushi. Edhe nëse rripi hiqet nga trupi, është e vështirë të vëresh apo konstatosh se, në pjesën e pasme, funksionon një mekanizëm i tillë kaq i sofistikuar.
Qitësit dhe pushkët e garave sportive
Ajo e futjes në armët sportive të qitjes, ka qenë një nga mënyrat e fshehjes dhe nxjerrjes së monedhës së floririt jashtë, nga ana e sportistëve të qitjes. Shfrytëzohej pjesa e pasme e qytës së pushkës, pikërisht në kanalin ku futeshin veglat e pastrimit, apo të mbajtëses metalike trupore. Vrimat kishin një diametër të bollshëm, për përmasat e monedhës apo të dollarëve. Një tjetër vend i sigurt, ishte dylbia që përdorej për garë. Ajo çmontohej para nisjes, vendosej monedha dhe montohej sërish. I gjithë materiali sportiv i qitësve për garë, si pushkë, dylbi, etj., vendosej në një vend të sigurt në autobus apo avion dhe askush nuk e kontrollonte. Nëse kalohej në dogana tokësore, format ishin ndryshe. Natyrisht, nuk hezitohej të aplikoheshin edhe te ato të kalimit nga aeroporti i Rinasit, por në këto raste, pra nga doganat e Pikave Kufitare të Kalim Kontrollit, kishte më lehtësi, pasi fshehja e monedhës, e dollarit bëhej në pjesët metalike të autobusit, si sedilje (pasi çahej lëkura futej aty), në tapetin e autobusit (në të tilla raste edhe kur zbulohej nuk i dilte askush për zot), etj.
Çfarë blihej nga sportistët?
Këmbimi i një monedhe në shtetet perëndimore, arrinte vlerat nga 70 deri 100 dollarë. Për kohën, ishte praktike dhe me leverdi ekonomike, blerja e orëve të dorës. Pëlqeheshin markat “Darvil”, “Atlantik”, “Omikron”, “Raketa”, etj. Një e tillë, shitej nga 10 deri 12 mijë lekë (të vjetra), në Shqipëri. Në atë kohë, orët e dorës ishin shumë të kërkuara, pasi shërbenin masivisht si shenjë fejese, te çiftet e reja). Të paktën deri në vitet `80- të, sepse më vonë, dolën sendet elektronike në plan të parë. Me paratë që mund të merrje me shitjen e disa orëve në Shqipëri, (një proces edhe ky në fshehtësi), dikush siguronte martesën, apo një jetesë pak më të mirë. Deri në fundvitet `70-të, as që bëhej fjalë për të marrë televizorë, magnetofona, apo sende të tjera voluminoze, e të kushtueshme.
Ankthi i kthimit
Dhënia llogari dhe justifikimi që duhej përgatitur për çfarë kishe blerë jashtë, ishte një tjetër shqetësim, pasiguri, por edhe fat për sportistët, artistët dhe atyre pak të tjerëve që u jepej mundësia për të dalë me shërbim jashtë shtetit. Shumë rëndësi kishte edhe punonjësi i doganës, tolerant apo jo. Me dy dollarë dietë në ditë, nuk mund të blije asgjë, përveçse sapunë e çamçakëzë. Gjithçka ishte e pajustifikuar, nëse merrje më tepër. Kontrolli ishte i rreptë, duhej deklaruar çfarë kishe marrë. Për të kaluar veshjet, dikush vishte dy palë pantallona, apo bluza e këmisha në trup, dikush i jepte një kolegu diçka të tijën, duke e shpërndarë mallin e blerë. Rrobat e blera jashtë, për t’u shpëtuar pyetjeve provokuese, zhubroseshin e hidheshin në çantë, si të përdorura. Nëse ishe në autobus, dikush përdorte topat që kishte skuadra në dispozicion, duke i çarë pak, për të futur brenda sahatet e blerë etj.
Shpesh herë, përdorej edhe miqësia me tifozët e dashamirësit kosovarë, duke shfrytëzuar si argument justifikimin, se gjithçka e blerë, gjoja ishte dhuratë e tyre. Por, në mjaft raste, sportistët i kanë lënë edhe në doganë ato, pasi nuk i kanë lejuar që t’i marrin, sepse, në bazë të ligjeve të asaj kohe, çdo dhuratë që mund të bëhej jashtë, duhesh dorëzuar tek ai institucion, Klub Sportiv, apo ndërmarrje që të kishte dërguar me shërbim jashtë. Dhe askush nuk mund të ankohej e, as të pretendonte për t’i rimarrë ato.
Sidoqoftë, ky ishte një sinjal për individin që të bënte kujdes. Përjashtim bënin sportistet vajza: Si në dalje edhe në kthim. Të qenët vajzë, e frenonte të kishte guximin apo kurajën e djalit dhe maksimumi që mund të bënte, ishte vendosja në qafë e një “Gjeli” si varëse, apo në rripin e reçipetave. Pastaj edhe aktivitetet ndërkombëtare për vajza, ishin thuajse minimale. Vetëm pas viteve `80-të edhe vajzat sportiste, u bënë “profesioniste” në kalimin e vlerave monetare të ndaluara jashtë kufirit. Ky proces tashmë kishte përfshirë jo vetëm djemtë, por edhe vajzat sportiste.
Si “mashtrohej” shoqëruesi i skuadrës?!
Futja në valle e shoqëruesit, që kryesisht ishte punonjës i Sigurimit të Shtetit e person i garantuar politikisht, ishte me rëndësi dhe shërbente edhe si një formë mbrojtëse, për në kthim. Ishte një strategji e menduar mirë dhe e praktikuar me sukses nga disa sportistë e artistë, që u jepej mundësia për të dalë jashtë shtetit në ndeshje dhe aktivitete të ndryshme. Rasti ka ndodhur në Gjermaninë Perëndimore, në vitin 1981, në takimin RFGJ-Shqipëri, 8-0 në qytetin Dortmund. Ja çfarë tregon për këtë gjë, njëri nga titullarët e skuadrës kombëtare, që preferon të mbetet anonim: “Dalja e valutës jashtë Shqipërisë, vazhdonte të ishte krejtësisht e ndaluar. Ishte koha e magnetofonave me kaseta, të preferuar dhe një luks në Shqipëri, që pakkush e kishte. Meqenëse kishim mundur të kalonim ‘Gjelat’, nisëm të interesoheshim për të blerë magnetofona.
E kështu gjetëm dyqanin ku shiteshin, kushtonin 500 dollarë copa. Një mik kosovar që jetonte në Dortmund, foli me shitësin dhe i kërkoi të na bënte një favor (e kuptoi që ishim futbollistë). I kërkuam që kur të shkonim për të dytën herë në dyqanin e tij, të thoshte se me shumicë, magnetofonat kushtonin 10 dollarë copa. Më pas u kthyem në hotel, ftuam për një shëtitje shoqëruesin e skuadrës (punonjës i Sigurimit të Shtetit), dhe si rastësisht, kaluam tek dyqani ku kishim bërë kompromisin. Shitësi, tashmë i përgatitur për pyetjen tonë, na tha se; me shumicë; kishte ulje deri në 10 dollarë copa.
Të gjithë bëmë të paditurin, u habitëm dhe i kërkuam të blejnë 7 të tillë. Edhe shoqëruesi u tregua i gatshëm, të blinte një për veten e tij, por ne i thamë, se e kishte dhuratë prej nesh. Pasi i morëm magnetofonat, fshehurazi i paguam shitësit shumën që i detyroheshim. Ajo që kishte rëndësi, ishte kthimi dhe paraqitja në doganë, e magnetofonave. E në fakt punonjësit e saj, u habitën dhe e kundërshtuan blerjen me çmimin që deklaruam ne, por ishte shoqëruesi ai që garantoi, duke u betuar se edhe ai e kishte blerë me atë çmim, bashkë me ne, sepse kishte qenë vetë prezent. Fjala e tij ishte garanci, nuk diskutohej, kështu që bashkë me të tijën, kaluan edhe magnetofonat tanë”.
Rasti “Flamurtarit” pas kthimit nga Beogradi
Ka qenë një ndër pikat kulmore të rezultateve sportive që arrin një skuadër shqiptare në Kupën UEFA: pikërisht në Beograd, “Flamurtari” i famshëm i Vlorës, eliminon “Partizanin” e Beogradit, pas një goli historik e të paharrueshëm, të Sokol Kushtës. Para nisjes për në Beograd, si rrallëherë, Komiteti i Partisë i rrethit Vlorës, në një mbledhje me skuadrën, u premton lojtarëve se do t’u jepte nga një televizor me ngjyra secilit, nëse do të bënin një prezantim dinjitoz, në ndeshjen e kthimit. (Kjo ndoshta, se askush nuk e kishte menduar kualifikimin). Skuadra, e mbuluar me lavdi, pas atij rezultati kthehet në atdhe. Deri në Podgoricë, vjen me avion, pastaj me autobus deri në Han të Hotit, aty ku do të kalonte kufirin doganor tokësor. Gjatë rrugës, shumë tifozë kosovarë, shqiptarë të Malit të Zi, etj., e shoqërojnë skuadrën me “kerrat” (makinat) e tyre tradicionalë dhe ndërsa autobusi ndalon në qendër të qytetit, ata afrohen e takojnë futbollistët dhe kush më shumë e kush më pak, me sa kanë mundësi, i ndihmojnë me të holla, për të blerë televizorë e magnetofon, në një treg aty pranë.
Ishte viti 1987. Mendohej se do të kishte disi tolerim, ose njëfarë mos kontrolli, për futbollistët dhe drejtuesit e Klubit Sportiv “Flamurtari”, pas atij rezultati historik. Por ndodhi e kundërta. Nuk ishte aspak kontroll formal siç u mendua, madje do të ishte si asnjëherë tjetër, shumë i ashpër. Futbollistët u shokuan. Pas verifikimit, me urdhër, magnetofonat e televizorët, u mbajtën në doganë dhe pa asnjë shpjegim, nuk iu kthyen më askujt. Ndonëse në Shkodër ata u pritën me shumë entuziazëm nga tifozë e dashamirës, dëshpërimi i futbollistëve qe me të vërtetë i madh.
Edhe kur u kthyen në Vlorë, televizorët me ngjyra të premtuar u harruan dhe as që u kujtuan më. Pas një muaji, skuadra luajti në Gjirokastër ndaj “Luftëtarit”, për kampionatin kombëtar. Futbollistët u lanë të lirë mesditën e së shtunës (takimi luhej të dielën), kësisoj dolën në Qafën e Pazarit, për të kaluar kohën. Ngjarjen e tregon njëri prej tyre, futbollist shumë i njohur: “Bashkë me një kolegun tim, duke ecur krejt rastësisht, ndaluam tek një dyqan valute (sapo ishin lejuar nga shteti me qëllim mbledhjen e valutës).
Në vitrinën e dyqanit ishin vendosur disa magnetofona, por vëmendjen ma tërhoqi një televizor i vogël, bardhezi, 12-polësh i markës ‘Tesla,’ me një çmim 400 dollarë. E njoha menjëherë, ishte pikërisht ai që e kisha blerë 100 dollarë në Mal të Zi. Të shtangur të dy, po vështronim njëri-tjetrin. Nuk u besonim syve se në shitje, kishin dalë pikërisht ata televizorë e magnetofona, që i ishin ndaluar në doganën e Hanit të Hotit, pak kohë më parë ekipit tonë të “Flamurtarit”. U kthyem dhe u treguam shokëve të skuadrës, çfarë kishim parë. Menjëherë filluan pyetjet, se mos ne kishim parë mallin e tyre në atë dyqan. Edhe sot e kujtoj këtë moment. Më vjen në mendje televizori ‘Tesla’ i ndaluar, por jo i harruar, si dhe ai me ngjyra, i propozuar dhe i mohuar. Në të dyja rastet, isha i dështuar”, – e mbyll bisedën, ish-futbollisti i njohur.
“Tregtia e ndaluar e sportistëve”
Për sportistë që kanë mundur të dalin jashtë shtetit për aktivitete, kjo “tregti”, ka qenë një bashkudhëtare e fshehtë e karrierës së tyre (natyrisht, jo për të gjithë). Bashkë me përgatitjet për ndeshjen, kush më shumë e kush më pak, mendonte edhe për këtë “tregti”, për “Gjelin” e dollarin, një domosdoshmëri e dyfishtë: Aq sa mund të përfitoje, aq edhe mund të rrezikoje, madje nëse zbulohej, ishte me pasoja të rënda. Dhe nuk kanë qenë të paktë ata, që e pësuan për një “Gjel”, një dollar ose për një orë “Darvil”, të gjetur në çantën e tyre. Histori të trishtuara, që kur i gjykon sot të duken absurde. Por, për ata që e kanë jetuar kohën dhe ngjarjet, këto detaje, mbeten gjithmonë në kujtesën e tyre.
Shumë breza sportistësh, kanë luajtur dhe janë ndeshur me botën, sigurisht për një rezultat sportiv, por edhe për të blerë një televizor, një magnetofon, një orë, një radio apo, për një veshje, që ishin të palejuara e të ndaluara po t’i blije. Sidoqoftë, mekanizmi i daljes fshehurazi jashtë i valutës, nuk është frenuar. Edhe pse në kalimet doganore, dihej që sportistët apo artistët ishin protagonistë të nxjerrjes së saj jashtë shtetit, edhe pse përdoreshin të gjitha format e mënyrat për ta zbuluar, nuk kanë mundur ta pengojnë. Rripi “magjik” i pantallonave, është një nga dëshmitarët më autentikë të “Tregtisë së ndaluar dhe kontrabandës” së sportistëve dhe artistëve shqiptarë, gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016