Nga Veli Haklaj
PERSEKUTIMI I KLERIT KATOLIK – PYETJET NGA SIGURIMI I SHTETIT, NË VITIN 1946
Memorie.al / Në historinë e kombit shqiptar, Kisha Katolike ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe shpeshherë shumë të çmuar. Fatkeqësisht, raporti që ndërtoi pushteti komunist në Shqipëri, me besimin në tërësi, solli si pasojë një valë represioni të paparë ndaj klerikëve të të gjitha besimeve në vendin tonë, veçanërisht ndaj udhëheqësve shpirtërorë të besimtarëve katolikë. Sipas përcaktimit që bën Imzot Rrok Mirdita: “Pavarësisht nga forca vigane, me të cilën kisha ka bartur peshën e kulturës kombëtare, pavarësisht nga drita e papërballueshme që ajo ka hedhur mbi hijet e historisë sonë të vjetër e të re, pavarësisht nga shpirti i flijimit që e ka shoqëruar orë e çast jetën e saj në vendin tonë, madje pikërisht për këto arsye, kundër Kishës Katolike në Shqipëri, janë lëshuar shumë rrebeshe, e njëri ndër më të tmerrshmit, ka qenë ai komunist, që bashkë me procesin e zhdukjes fizike të katolikëve më në zë, vuri në skenë edhe procesin e shtrembërimit të historisë, mbi marrëdhëniet e Kishës Katolike me Shqipërinë”.
Siç dihet, në gusht të vitit 1945, Partia Komuniste, ndërmori një numër masash për të kufizuar veprimtarinë e fesë dhe ndikimin e saj në popull. Kjo i acaroi marrëdhëniet midis qeverisë dhe institucioneve fetare, veçanërisht me ato katolike. Në këto kushte, me angazhimin e priftërinjve; Giovanni Fausti, Padër Daniel Dajani, Padër Gjon Shllaku, etj., në Gjimnazin Jezuit dhe në Seminarin Françeskan në Shkodër u krijuan respektivisht grupi “Bashkimi Shqiptar” dhe grupi “Demokristian”.
Në nëntor 1945, ato u bashkuan në një organizatë të vetme “Bashkimin Shqiptar”. Siç ishte përcaktuar në programin e saj, kjo organizatë synonte që ta çlironte Shqipërinë nga diktatura komuniste. Në janar 1946, organizata u zbulua nga strukturat e Sigurimit të Shtetit. Pasi u arrestuan, anëtarët e saj dolën para gjyqit në shkurt 1946. Tetë veta prej tyre, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan më 4 mars 1946. Disa muaj më pas, do të fillonte vala e dytë e goditjeve ndaj përfaqësuesve të Klerit Katolik në Shkodër. Një nga dosjet që paraqet këtë tragjedi, të ndodhur në periudhën; shtator 1946-janar 1948, do ta publikojmë në vijim të këtij dossieri.
Nëpërmjet dokumenteve arkivore që do të publikohen, lexuesi do të njihet me procesin hetimor-gjyqësor, në ngarkim të Padër Ciril Canit, Padër Mark Harapit, Padër Frano Kirit, Padër Filip Mazrekut, Padër Agostin Ashikut dhe Dom Pjetër Grudës. Përveç njohjes me mekanizmin e hetimit, gjykimit dhe dënimit të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë me rrezikshmëri të lartë për sistemin komunist, lexuesi do të marrë dijeni, edhe për mjaft fakte me interes për historinë dhe kulturën tonë, sidomos për marrëdhëniet e autoriteteve osmane, austro-hungareze, të qeverisë së Zogut, të pushtetit fashist, nazist dhe veçanërisht atij komunist, me Kishën Katolike, fakte që sillen nëpërmjet pohimeve të vetë klerikëve të dënuar nga diktatura.
Theksojmë se një pjesë e konsiderueshme e fakteve publikohen për herë të parë. Gjithsesi, duhet konsideruar fakti se ata që patën fatin tragjik të kalonin në seancat hetimore të Sigurimit të Shtetit u është dashur të përballojnë një kalvar të paimagjinueshëm vuajtjesh dhe torturash nga më çnjerëzoret.
Paradokset gjyqësore, të arrestimit të klerikëve katolikë!
Paradoksi dhe paligjshmëria e veprimit të organeve të diktaturës në Shqipëri, në vitet e para të instalimit të pushtetit komunist, duket edhe në urdhrat e ndalimit për të pandehurit. Prokurori publik i Prefekturës së Shkodrës, Hys Zaja, më 21 shtator 1946, do të firmoste letër-ndalimin e përhershëm dhe mbylljen në burgun e Shkodrës, për një kohë të pacaktuar, për Padër Ciril Canin, i cili pandehej për deliktin e “dobësimit të mbrojtjes kombëtare”, të kryer në vazhdimësi, që parashikohej nga neni 7, paragrafi II, i ligjit nr. 368, datë 5 dhjetor 1946, i publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 113, datë 15 dhjetor 1946.
Pra, prokuroi Zaja, do firmoste letër-ndalimin më 21 shtator 1946, bazuar në akuzën që do të parashikohej në ligjin që do të miratohej 76 ditë më pas (më 5 dhjetor 1946) dhe që do të zbardhej në Fletoren Zyrtare pas 90 ditësh (më 19 dhjetor 1946).
Me të njëjtën akuzë dhe bazuar në të njëjtin ligj, do të arrestoheshin: Dom Pjetër Gruda, më 13 shtator 1946; Padër Filip Mazreku, më 28 shtator 1946; Padër Mark Harapi, më 5 nëntor 1946. Kurse për Padër Frano Kirin, prokurori Hys Zaja, do të firmoste letër-ndalimi të përkohshme, më 19 dhjetor 1946. Në vijim, po japim pjesë nga proces-verbalet e pyetjes së këtyre klerikëve, në zyrat e Seksionit të Sigurimit të Shtetit në Shkodër. Sqarojmë se në proces-verbal, nuk pasqyrohen pyetjet e drejtuara nga oficeri pyetës, por vetëm përgjigjet e personit që merrej si i pandehur.
Proces-verbali i pyetjes së Padër Mark Harapit
Më 12 dhjetor 1946, në zyrën e Seksionit të Sigurimit të Shtetit, në Shkodër, nga kapiten i parë Nesti Kopali, në prani të sekretarit Qako Prokopi, u muar në pyetje Mark Harapi, 58 vjeç, i biri i të ndjerit Loro dhe i të ndjerës Luçije, me profesion nën-famullitar e profesor teologjie, në ish-Seminarin Jezuit, i pamartuar, i padënuar ndonjëherë, i cili deklaroi sa vijon:
Jam arrestuar nga organet e Sigurimit të Shtetit, qysh më pesë nëntor 1946. Besoj se Seksioni në fjalë, më ka arrestue për çështje dyshimi. Kam qenë dhe jam gjithnjë kundër komunizmit ateist. Për këtë, ju kam folur nxënësve në mësim, në Seminar, qysh në vitin 1939, se Zoti ekziston dhe se po të mohohet Zoti, mohohet morali e njëkohësisht zhvishet shoqëria njerëzore. Bile, kam pas thënë atëherë, se shoqëria pa moral, është si shtëpia pa çimento. Se ka komunistë ateistë në Shqipëri, më kanë thënë malësorët e Malësisë së Madhe. Gabimin e këtyre komunistëve, e urrej, por personin jo.
Ardhja e Italisë, më ka gjetë në Shkodër. Mua për veten time, më ka ardhë keq dhe s’kam dalë prej shtëpie, por kleri në përgjithësi, e ka pritë mirë. Bile disa u kanë dalë para trupave italiane, në shenjë nderimi. Nga ata që kanë shkuar, më kujtohet vetëm Padër Antoni. Atë ditë të gjitha kishat u ranë kambanave në shenjë feste, me urdhër të të parëve. D.m.th. famullit me urdhër t’Ipeshkvit (Thaçi), fretërit me urdhër të Provinçialit (më duket Padër Çiprian Nikës), dhe jezuitët, me urdhër të Rektorit (Padër Chiezës).
Unë (Padër Mark Harapi) në vitin 1941 kam përkthyer nga italishtja, një qarkore të ardhur nga Papa Piu i XI, e cila flet rreth komunizmit, duke thënë se ai (komunizmi) është kundër fesë, kundër moralit etj. Gjatë okupacionit gjerman, kam pasë lidhje shkencore (botanike) me oficerin gjerman, Mangrof. Nuk kemi biseduar me të, për çështje politike. Përhapja e frymës së Luftës Nacional-Çlirimtare gjatë okupacionit, ka qenë e ndaluar në Seminar. Kur xhakoni Gjon Shllaku, u diktua se kishte trakte të Lëvizjes, iu ndalua menjëherë. Është e vërtetë se Arqipeshkvi Thaçi, më ka mbajt afër vedit, por më ka pyet vetëm për teologji morale. Për këtë ai më pat shënuar edhe nji zyrë, si Arqipeshkvi.
Për Padër Antonin, që ishte në Kir të Dukagjinit, unë në fillim s’e kam ditë, por më vonë e kam marrë vesh n’oborr të shkollës, nga një fëmijë, që s’mi kujtohet emri. Fëmija e kishte dëgjuar në shtëpi të vet, ndërsa familja e tij, e kishte marrë vesh nga nji katundar prej Shoshi. Atëherë unë shkova te Padër Çiprian Nika, në Kuvend të Fretënve, dhe e pyeta nëse dinte gjë. Ai m’u përgjigj se; po. Bile më tha, se i çojshin edhe harxhe vazhdimisht. Padër Çiprani më tha se; këtë çështje e din edhe Padër Mati Prenushi.
Në dimër të vitit të kaluar (1945), mora nji letër nga Padër Antoni, me anë të zotit të shtëpisë që e mbante. Në letër më thoshte: “Jam tue u lujtë mendsh. Lutjunu zotit për mua”. Letra nuk kishte nënshkrim. Mandej unë iu përgjigja, duke i shkruar një letër po me atë katundar: “Mos u mërzit. Bëj uzdajë më zotin. Të fala”, dhe emrin s’e vuna. Frano Kiri, më pat thënë në Kuvend të Gjuhadollit, se në famulli të Kirit, ndodhej edhe Lef Nosi. Mirëpo ishte mërzitë aty, dhe ra poshtë. Padër Franua e dinte, mbasi në kohën që ata (Lefi e Padër Antoni) ishin në famulli, ky ishte vetë famullitar aty.
Traktet e organizatës “Bashkimi Shqiptar”, që u zbuluan vitin e kaluar, i kam kënduar nja dy herë. Ato m’i ka prurë; o Fratel Ljarja, o Fratel Gjekaj, o Fratel Gjoni, mbasi ata i merrnin ke dera. Për lëvizjen e Llesh Marashit, nuk kam dijtë, vetëm Arqipeshkvi Thaçi, më pat thënë: “Shkrelësit janë mërzitë, e duan të bëjnë një punë”. Mandej, mbrapa ndjeva prej popullit se kishin fjalë, që t’i binte [pushtetit komunist] dhe Hasan Isufi e të tjerë këndej.
Luftës Nacionalçlirimtare gjatë okupacionit, nuk i kam bërë asnjë dâm, vetëm duke mâ paraqitur si antifetare, e kam urryer, d.m.th. në parim kam qenë kundër saj. Prandaj atëherë jam interesuar shumë të pyes, sidomos njerëz që vijshin nga Tirana, nëse Lëvizja në Toskëni, ishte një lëvizje komuniste, apo jo. Mirëpo, nuk kisha pasë ndonjë përgjigje të preme. Veçse dikush më thoshte kështu, e dikush ashtu. Prandaj, opinioni i jem karshi Lëvizjes, ka qenë i errët, deri në ditët që doli Statuti i Republikës Popullore, i cili e garantoj lirinë fetare me ligj.
Projekt – Statutit, para se të kthehesh në Statut, i kam bërë një seri kritikash, të cilat shënohen edhe në kopjen që më është gjetë. Një herë unë e kam studiuar mbas dëshirës së Delegatit (Frano Gjinit) dhe kam arritë në përfundim, se fuqia nuk është në dorë të popullit, sikurse shprehet nga Projekt – Statuti, por në dorë të Partisë Komuniste.
Duke krijuar këtë opinion, unë kam thënë se; artikulli 2, i Projekt – Statutit, shkon në kundërshtim me të parin, që thotë se; “i gjithë pushteti buron nga populli dhe i takon popullit” – ndërsa pushtetit është Partia – dhe derisa Partia nuk gëzon përkrahjen e të gjithë popullit, do të thotë se; jo i gjithë populli, përfaqësohet në këtë pushtet.
I kam bërë vërejtje gjithashtu artikullit 5, ku thotë; “mjetet e prodhimit, përbehen prej pasurisë së përbashkët”. Unë mendoj se në këtë rast, do t’ishte mirë që mjetet e prodhimit të përbëheshin prej pasurive private dhe shteti të kishte të drejtë të vinte një taksë t’arsyeshme. Gjithashtu, nuk e kam konsideruar me vend që; pyjet, kullotat, tokat, ujnat, etj., që kanë zot, të deklarohen pronë e përbashkët e popullit.
N’artikullin 6, kam bërë vërejtje dhe kam thënë që iniciativa private, nuk duhet të jetë nën kontroll të shtetit, por përkundrazi, ajo të përkrahet prej shtetit, etj., sepse prej mosqenies private, vjen mosqenia e përgjithshme. Përsa i përket reformës agrare, mua nuk më është dukur e mirë, që t’u merret toka disave dhe t’u jepet të tjerëve. Unë me këtë rast kam dëshirue, me iu marrë toka vetëm atyre që e kan grabitë, ndërsa të tjerët që i kanë pasë me tapina, s’duhet t’u prekeshin. Edhe marrjen e tokës kishës, nuk e kemi quajtur me vend.
Për punëtorin, nuk kam dëshiruar që të fitojë liri të plotë, vetëm pronari t’i paguajë rrogë të plotë. Në qoftë se ai (pronari), s’e bën këtë, atëherë duhet të ndërhyjë shteti. Njëkohësisht nuk kam kundërshtuar që edhe punëtori po të mundej të bëhej pronar. Për fetarët, është një gjë e padrejtë, që të merren ushtar. Bile edhe një herë në kohë t’Italisë, kanë dashtë me na i marrë xhakojtë ushtarë, por ne e bam çështje dhe mbeti. Ushtrimit të fees, mendoj se duhej t’i jepej garanci më e madhe në Statut. Si p.sh., ku thuhet; “Shteti është i ndam nga kisha”, duhet të shtohej; “por shteti, nuk është ateist”.
Statuti thotë se ka liri shtypi, mirëpo neve sot, s’kemi aspak shtyp. Kështu që këtu duket se na është cenuar kjo liri. N’artikullin 28, të Statutit, pushteti i sotëm e cenon përsëri Kishën, mbasi aty thuhet: “Kisha s’ka të drejtë të mbajë shkolla”, ndërsa këtë të drejtë Kishës, ia ka njoftë deri Gjykatorja Ndërkombëtare e Hagës.
Të gjitha këto kritika, i kam bâ Projekt – Statutit, para se të kthehej në Statut, ndërsa mbrapa, nuk kam folë ndonjë fjalë. Në kishë kam predikuar disa herë edhe këto kohët e fundit, kundër materializmit që sulmon fenë dhe jam munduar gjithnjë, t’u provoj besimtarëve se Zoti ekziston, por nuk më kujtohet të kem drejtuar ndonjëherë, fjalë kundër pushtetit.
Për Lëvizjen e Postribës, para se të bëhej, nuk kam ditë gjë, ndërsa mbrapa, më ka dhanë disa hollësina Dom Nikoll Deda. Ky erdhi në Çelë, nja një javë mbas ngjarjes dhe u ndodha vetëm unë aty. Dom Nikoll Deda më tha se, nga ana e Zadrimës, kishte ardhë me sulmue drejt Tepës, Llesh Gjonmarkaj. Mirëpo u afrua deri në fushë dhe e la, mbasi i ati (Gjon Marka Gjoni, që është n’Itali) e kishte lajmëruar që; pa të çue fjalë unë, mos bân gjâ.
Dom Nikolla më tha, se kishte ndie që Llesh Gjonmarkaj, kishte radio transmetuese që merresh vesh me të atin. Mandej Dom Nikolla më shpjegoi, që programi ishte që t’i binte (pushtetit komunist); Jup Kazazi brenda në Shkodër, Lleshi nga Zadrima dhe Postriba nga ana e saj. Mirëpo marrëveshja s’qe e mirë dhe s’u bë gjë e organizuar.
Gjithashtu në Çelë, më ka thënë Dom Mark Hasi me Dom Ernest Çobën, se Jup Kazazi vrau veten prej dëshpërimit, që nuk u ngritën gjindja në Shkodër. Nga kjo e kuptova, se paska qenë fjala dhe për këtu. Është e vërtetë që në një pretk më 18 maj 1945, për tre herë në Shkodër (një herë në Kishë të Madhe, një herë në kapele të Çelës, dhe një herë në Seminar), kam thënë se; “ç’do mbretëri, shkon e vjen, po ajo e Krishtit, është e pandërrueshme”. Me këtë kam dashtë të forcoj besimin se feja jonë është e pavdekshme. Me Dom Mark Hasin, kam diskutuar shumë herë rreth ngjarjeve të ndryshme politike, e sidomos rreth Konferencës së Paqes. Ne dëgjojshim radion dhe flitshim se s’po ndreqet gjë.
Di se Monsinjor Frano Gjini i ka dërguar nji letër Vatikanit ku e lajmëronte se xhakojtë kanë vepruar kundër pushtetit dhe se Seminari është në rrezik. Letrën ma këndoj vetë në zyrë të tij. Sesi e dërgoj nuk e di dhe as nëse ju përgjigjën më.
Së bashku me Padër Mati Prenushin kemi qenë një herë n’Arqipeshkvi dhe biseduam aty me Monsinjor Thaçin për çështje të shtypit (shtypin katolik), mbasi atëherë kishte ardhur urdhër nga pushteti që ai duhej të mbyllej dhe ne e shtruam si do të veprojmë, por vendosëm që të mos i përgjigjshim fare pushtetit.
Edhe për punë të Padër Antonit jemi këshilluar me Padër Mati Prenushin. Padër Antoni me çoi fjalë me anë të zotit të shtëpisë se donte të dorëzohej. Unë shkova dhe e pyeta Padër Neotean dhe ai u përgjegj se është shpejt. Edhe me Dom Tom Lacën kemi dëgjue shpesh radion dhe kemi diskutuar mbi çështje politike, por s’kemi vepruar gjë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm