Nga Llambi Kotta
Pjesa e tretë
Memorie.al / Në nëntor të vitit 2009, bije zilja e telefonit të shtëpisë time dhe një zë nga larg prezantohet dhe thotë: – “Jam Elida Jorgoni. Kërkoj Z. Llambi Kota”? –“Unë jam”, – ia ktheva. – “Doja t’ju pyesja, – vazhdoi ajo , – si quhet gjyshi juaj”? “Llambi Kota”, – ja ktheva unë. – “Atëhere, – tha ajo, – më së fundmi të gjeta dhe më dëgjo me vëmendje. Me rastin e festimeve kushtuar 100 vjetorit të Kongresit të dytë Kombëtar të Manastirit, që u zhvillua nga data 09 deri më 11 prill 1910, në qytetin e Manastirit, është ngritur një komision organizativ për të drejtuar dhe udhëhequr gjithë punën për të realizuar tërë programin e përcaktuar për organizimin e festimeve. Ndër të tjera komisioni po përpiqet të gjej dhe të ftoj për të marrë pjesë në ceremoninë e festimeve delegatë të Kongresit dhe në pamundësi të tyre, pinjoj, bijë apo bija të tyre.
Dy anëtarët e komisionit që u dërguan në Aleksandri, më 14 dhjetor 1918, organizuan një mbledhje të shqiptarëve të Aleksandrisë, ku ndër të tjera Llambi Kota dhe Leonidha Naçi, u zotuan të bashkëpunojnë me anëtarët e tjerë të Komisionit që ishte krijuar. Mbasi komisioni i përkohshëm të plotësonte detyrat që i kishte përcaktuar mbledhja, do përpiqej sa më shpejt të organizonte një mbledhje të përgjithshme, e cila do të zgjidhte një tjetër Komision apo Komitet të përgjithshëm (të përhershëm), i cili do të përfaqësonte tërë shqiptarët që ishin vendosur në tokën e Egjiptit, për çdo punë që do t’i përkiste çështjes atdhetare.
Një proces-verbal tjetër me datë 8 dhjetor 1918, është mbajtur në një mbledhje të organizuar në Kajro në shtëpinë e Filip Shirokës. Mbledhja vendosi të hartohej një Memorandum, i cili t’u dërgohej ambasadorëve të shteteve aleate (Anglisë, Francës dhe Italisë – H.K.) të Amerikës në Kairo. Memorandumi do hartohej prej një komisioni anëtar i të cilit u caktua edhe Llambi Kotta. Ky komision do t’ua jepte Memorandumin ambasadorëve të shteteve të sipërshënuar. Gjithashtu, mbledhja vendosi t’u dërgoheshin telegrame ministrave të Punëve të Jashtme të Francës, të Anglisë, të Italisë dhe të Amerikës.
Tu bëheshin telegrame marrëveshje Shoqërisë “Vatra” në Boston, Z. Mehmet bej Konica në Londër, Pandeli Cale në Lozanë, Pandeli Evangjeli në Bukuresht, Kol Rodhe dhe Tefik Mborja në Romë, Kristo Luarasi në Sofje, Sotir Kota në Korçë dhe Shoqërisë “Bashkimi” në Shkodër. T’u bëheshin telegrame filoshqiptarëve; Herbet në Londër, Miss Durham në Boston, Nerve në Paris. U vendos që dy anëtar të Komisionit të shkonin në Skënderie, që të bisedonin dhe të merreshin vesh me vëllezërit shqiptar të atjeshëm.
Proces-verbali i datës 5 janar 1919, pasqyron zhvillimin e mbledhjes së komisionit të shqiptarëve të Misirit (Egjiptit). Komisioni prej nëntë vetash, një nga të cilët ishte edhe Llambi Kotta, siç e vumë në dukje më lart, ishte zgjedhur ditën e parë të dimrit 1918 (mendoj se duhet të jetë fjala për datën 1 dhjetor 1918 – H.K.). Ky organizëm që ishte zgjedhur dhe përfaqësonte gjithë emigrantët shqiptarë të Egjiptit, u krijua për të organizuar dhe drejtuar gjithë veprimtarinë e tyre në favor dhe në interes të mbrojtjes së të drejtave të shtetit shqiptar të pavarur dhe sovran, nga ambiciet dhe synimet antishqiptare që shtetet shoviniste fqinj, i kishin paraqitur Konferencës së Paqes.
Në rendin e ditës të mbledhjes ishte shfaqja e mendimeve dhe diskutimi i tekstit të Memorandumit që do tu jepej ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Kajro, “për të kërkuar të drejtat e Shqipërisë”. T’i dërgohej telegram Presidentit të Amerikës Dr. W. Willson, për të cilin ishin përkujdesur prej kohe shqiptarët e Aleksandrisë (ku jetonte dhe ishte mjaft aktiv Llambi Kota), në mbledhjen e tyre të datës 15 nëntor 1918. U diskutua dhe u vendos që ky telegram u duhej dhënë disave prej gazetave evropiane. Të merreshin masat që duheshin për të dërguar nga ana e shqiptarëve të Misisrit (Egjiptit), të një ose dy përfaqësuesve në Konferencën e Paqes në Paris, ose gjetkë. Organizimi i një fushate për të mbledhur të hollat që do të duheshin për shpenzimet e përfaqësuesve.
Gjithashtu në rend të ditës u vu edhe diskutimi i çështjes: Në i përket këtij komisioni që të marrë kompetenca, në kohën që do ta gjykojë të vlefshme për të zgjedhur një Komitet të Përgjithënjëshëm (të përhershëm), i cili të përfaqësonte shqiptarët e Misirit (Egjiptit) pas rregullimit (statutit, rregullores), i cili do të ngjiste nga ky Komitet. Mbledhja pasi miratoi rendin e ditës, nisi diskutimin e dha vendimin për çdo problem.
Ajo filloi me diskutimin e projektit të Memorandumit që kishin përgatitur N. Kasneci dhe Andon Zako, i cili pasi u miratua u nënshkrua nga anëtarët e gjithë komisionit dhe u vendos që ata të përpiqeshin pët t’u dhënë nga një kopje ambasadorëve të Amerikës, të Francës, të Anglisë edhe të Italisë në Kajro, me lutjen që ta dërgojë secili në Ministritë e Punëve të Jashtme të shteteve që përfaqësojnë, dhe kësisoj të arrijë në duart e delegatëve të tyre në Konferencën e Paqes.
Mbledhja vendosi që telegramin që kishin përgatitur (për W. Willson), shqiptarët e Aleksandrisë, të kujdeseshin t’ia dërgonin ata vetë sa më shpejt. Pas një diskutimi të gjatë u vendos që nderi i shqiptarëve të Misirit, si dhe rëndësia e punës edhe e rastit e, do që të dërgoheshin në Konferencën e Paqes një ose dy përfaqësues, të cilët do t’i zgjidhte komisioni.
Për të siguruar të hollat e nevojshme për shpenzimet e dy përfaqësuesve, u hap një fushatë në gjithë qytetet ku ndodheshin shqiptarët. Z. Andon Zako e Rustem Begu, u caktuan për në Kajro, Vasil Thomaidhi për në Aleksandri, N. Kasneci e Xhaferr Begu për në Mansur-Zagazig, S. Pluska për në Bibeh-Beni Suef, Llambi Kotta për në Shibin-el-Kom, Loni Logori për në Minieh dhe Jani Vruhoja, për në Fayoum.
Komisioni i kushtoj vëmendje të madhe problemit të zgjedhjes së një Komiteti të Përgjithnjëshëm (të përhershëm) dhe vendosi që pasi të përfundonte punët për të cilat u zgjodh të merrte masat që duheshin për krijimin e një “Komiteti të Përgjithnjëshëm” (përhershëm) me atë mënyrë që do ta gjykojë të vlefshme për votimin të të gjithë shqiptarëve që gjenden në dhe (tokën) të Misirit”. Proces-verbali i mbledhjes së Komisionit u mbyll, pasi e nënshkruan gjithë anëtarët e tij.
Komisioni i Shqiptarëve të Misirit, anëtar i të cilit ishte edhe Llambi Kotta, më 5 shkurt 1919, pra pas një muaji nga mbledhja e 5 janarit 1919, zhvilloi një mbledhje në shtëpinë e Andon Zako (Çajupit) në Kajro. Sipas proces-verbalit, mbledhja ndër të tjera diskutoi në se duhej të dërgohej, edhe ne do dërgohej, sipas vendimit që u muar në mbledhjen e komisionit më 5 janar 1919, një ose dy përfaqësues të shqiptarëve të Misirit, në Mbledhjen e përfaqësuesve të shqiptarëve edhe te të tjerave koloni shqiptarësh në Evropë. Të hollat që do mblidheshin, në mos ishin të mjaftueshme për dy përfaqësues, të dërgohej vetëm një. Përfaqësuesi që do dërgohej të caktohej me votimin e anëtarëve të komisionit.
Gjithashtu mbledhja vendosi të diskutonte për caktimin e ditës dhe datës për mbledhjen e përgjithshme, në të cilën do zgjidhej një Komitet të Përgjithnjëshëm (përhershëm), i cili do të kishte detyrë të bënte rregullimin e ri (rregulloren e re). Mbledhja e 5 shkurtit zbatoi vendimin e mbledhjes së 5 janarit, për zgjedhjen e një përfaqësuesi të shqiptarëve të Misirit që do të dërgohej në mbledhjen e përfaqësuesve të Shqipërisë në Europë.
Me votim të fshehtë me shumicë votash, u zgjodh Leonidha Naçi si përfaqësues i shqiptarëve të Misirit në mbledhjen e përfaqësuesve të Shqipërisë në Zvicër, ose gjetkë. U vendos që mbledhja e përgjithshme për zgjedhjen e Komitetit të Përgjithnjëshëm (përhershëm), të bëhej në fund të shkurtit ose në fillim të marsit 1919, në shtëpinë e Filip Shirokës.
Mbledhja e Përgjithshme e Shqiptarëve të Misirit u bë më 9 mars 1919 në Kajro. Morën pjesë direkt mbi 52 delegatë të pranishëm, ndër të cilët edhe Llambi Kotta. Veç tyre, me letra përfaqësimi morën pjesë 7 vetë nga Aleksandria, 4 nga Wasta, 2 nga Beni-Suefi, 11 nga Bibeh, 9 nga Shibin-el-kom (3 nga të cilët i dhanë të drejtën e përfaqësimit të tyre Llambi Kotta-s), 6 veta nga Mansurah, 10 nga Kajro, 4 nga Fashnja, 1 nga Zagazigu. Kryetar i Mbledhjes së Përgjithshme të asaj dite, me një zë u zgjodh Llambi Kotta, i cili e hapi dhe e drejtoi mbledhjen. U votua për zgjedhjen e Pleqësisë së Përhershme prej 9 personash. Në mbledhje u propozuan 11 kandidatë për të cilët u votua.
Nga 114 votues Sotir Pluska mori 111 vota, Niko Kaznetsi mori 109 vota, Llambi Kotta mori 109 vota, Leonidha Naçi mori 107 vota, Rustem Korça mori 99 vota, Andon Zako mori 98 vota, Jan Armodhi mori 73 vota, Miltiadh Adhami mori 59 vota, Filip Shiroka mori 52 vota, Koço Donato mori 39 vota dhe Vasil Thomaidhi mori 29 vota. Pra nga 11 veta që u votuan, fituan 9 të parët, Koço Donato dhe Vasil Thomaidhi nuk arritën të hynin në Pleqësinë e Përhershme, por mbledhja e përgjithshme vendosi të ishin vend-zënës (zëvendësues). Mbledhja vendosi që 3 anëtar të Pleqësisë të ishin në Aleksandri, 3 në Kajro, 2 në Misir të Sipërm dhe 1 në Misir të Poshtëm dhe Pleqësia u zgjodh për dy vjet.
Mbledhja nuk arriti të përcaktojë Qendrën e Shoqërisë dhe të Pleqësisë dhe ia la në kompetencë për zgjidhje Pleqësisë së re që u zgjodh. Gjatë diskutimit të kësaj çështjeje, Leonidha Naçi tha se; “për shumë shkaqe qendra duhet të jetë në Aleksandri se ajo është buzëdeti edhe se atje ka qenë qendra e ‘Vëllazërisë’ së mëparshme, e cila është e njohur nga shumë qendra të jashtme e të tjera”. Edhe ky problem nuk u arrit të zgjidhej nga Mbledhja e Përgjithshme dhe u la ta zgjidhte Pleqësia e Përhershme.
LLAMBI KOTA U ZGJODH KRYETAR I PLEQËSISË TË PËRHERSHME TË VËLLAZËRISË TE GJITHË SHQIPTARËVE TË MISIRIT (EGJIPTIT)
Po më 9 mars 1919, në shtëpinë e Andon Zakos në Heliopolis në ora 5 pasdreke, u bë Mbledhja e Pleqësisë së Përhershme që u zgjodh paradreke nga Mbledhja e Përgjithshme. Nga 9 anëtar të zgjedhur morën pjesë 8. (Andon Zako, Filip Shiroka, Llambi Kotta, Leonidha Naçi, Miltiadh Adhami, Nikola Kaznetsi, Rustem Qemal Korça, Sotir Pluska, mungoi Jani Armodhi. Mbledhja u hap dhe u zhvillua nën kryesinë e Llambi Kotta-s. Mbledhja zgjodhi drejtuesit e Pleqësisë.
Kryetar i Pleqësisë u zgjodh Llambi Kotta, nënkryetar Andon Zako, sekretar Leonidha Naçi dhe arkëtar Jan Armodhi dhe 5 të tjerët të ishin këshillës (anëtar apo këshillues’). U diskutuan dhe u vendosën ndryshime të nyejve (neneve) të rregullores së vjetër të miratuar që në vitin 1910 kur u krijua dhe filloi veprimtarinë “Vëllazëria e Shqiptarëve të Misirit e Bashkim”, e cila në saj të punës dhe veprimtarisë sistematike në shërbim të çështjes së kombit shqiptar, u bë e njohur jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në Egjipt dhe në shumë vende të Europës.
Mbledhja vendosi që “Qendra e Vëllazërisë” të shqiptarëve të Egjiptit, të mbetej në Aleksandri. Që nga 9 marsi 1919, kur u zhvillua mbledhja e parë e Pleqësisë që zgjodhi po atë ditë Mbledhja e Përgjithshme e Shqiptarëve të Egjiptit, Llambi Kotta u zgjodh Kryetar i Pleqësisë për 2 vjet, pra u zgjodh drejtues i organit kryesor që udhëhiqte gjithë veprimtarinë e Lëvizjes Atdhetare të “Vëllazërisë të Shqiptarëve” të Egjiptit.
Me të drejtë ai e çmoi dhe e vlerësoi jo vetëm si besim dhe nder të madh që iu bë nga gjithë bashkësia shqiptare në Egjipt, e përqendruar më shumë në Kajro dhe Aleksandri, por edhe si një detyrë me përgjegjësi të veçantë. Kështu Llambi Kotta u bë ndër drejtuesit kryesorë të “Lëvizjes Atdhetare” të shqiptarëve të Egjiptit. Iu kushtua punës për realizimin e detyrave që diktonte nevoja e përparimit të lëvizjes atdhetare në shërbim të Shqipërisë.
Më 26 prill 1919, nën drejtimin e tij u organizua Mbledhja e Pleqësisë të “Vëllazërisë të Shqiptarëve” të Egjiptit, e cila i zhvilloi punimet në zyrën e hëpërhëshme (përkohshme) të “Vëllazërisë” në Aleksandri. Në mbledhje u lexuan dhe u nënshkruan proces-verbalet e mbledhjeve të mëparshme, të mbledhjes së përgjithshme që u bë në Kajro dhe i mbledhjes së Pleqësisë që u zhvillua në Heliopolis.
U vendos që mbasi të dërgoheshin ndryshimet që u propozuan t’i bëheshin rregullores së vjetër të “Vëllazërisë” nga mbledhja e Pleqësisë, në 9 mars 1919 dhe nga persona të tjerë kryesor, pasi të miratoheshin në Pleqësi, rregullorja e re të shtypej. Gjithashtu mbledhja vendosi t’i dërgonte një ndihmë prej 200 frangash gazetës shqip “Kuvendi” në Romë dhe “Vëllazëria” të abonohej në gazetën “Messaggero” për një vit.
Më 15 qershor 1919 në Aleksandri, në shtëpinë e Sotir Pluskës u zhvillua mbledhja e “Pleqësisë të Vëllazërisë së Shqiptarëve” të Egjiptit. Morën pjesë të nëntë pjesëtarët e saj. Ndër të tjera mbledhja diskutoi dhe vendosi çështjen e ndërrimit të Qendrës së “Vëllazërisë” nga Aleksandria në Kajro. Nga ky ndryshim dhe me qenë se sipas rregullores së “Vëllazërisë” ishte përcaktuar që kryetari, sekretari e arkëtari, duhet të gjendeshin kurdoherë atje ku ishte qendra e “Vëllazërisë”, u detyruan të jepnin dorëheqjen e tyre, kryetari Llambi Kotta, sekretari Leonidha Naçi dhe arkëtari Jan Armodhi dhe në vend të tyre Pleqësia zgjodhi:
Andon Zako kryetar dhe arkëtar, Leonidha Naçi nënkryetar, Filip Shiroka sekretar. Kështu për shkak të ndryshimit të qendrës së “Vëllazërisë” nga Aleksandria në Kajro, Llambi Kotta që banonte në Aleksandri, u detyrua të jepte dorëheqjen nga detyra e kryetarit të Pleqësisë dhe mbeti një anëtar i saj.
Ky ishte proces-verbali i fundit që kam mundur të gjej deri tani. Por pavarësisht nga kjo, kam bindje të patundur se edhe me këto dokumente që botohen për herë të parë zbulohet puna e veprimtaria e madhe patriotike e shqiptarëve të mërguar në Misir, ku ndonëse larg atdheut, ngrinin në lartësi të reja Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe punonin me vendosmëri për mëmëdheun e tyre dhe atje midis tyre shquhej puna dhe mendimi politiko-shoqëror me karakter kombëtar edhe i gjyshit tim LLambi Kotta-s, i cili në saj të kësaj veprimtarie hyri në analet e historisë tonë kombëtare dhe figura e tij mbeti në kujtesën kombëtare të shqiptarëve./ Memorie.al














