Nga Aldo Renato Terrusi
Pjesa e katërmbëdhjetë
RIKTHIMI
Memorie.al / Aeroporti i Fiumiçinos. Avioni ‘MD 80’ i Alitalias është gati për fluturim. Është e shtunë, 6 nëntor 1993. Ora 11.25. Komandanti mori miratimin. Stjuardesat na kujtojnë dhe një here të lidhim rripin e sigurimit. Dy motorët çohen në fuqinë maksimale, ndërsa zhurma bëhet e mbytur dhe shurdhuese. Butonat dhe komandat provohen për të fundit herë sipas procedurave të fluturimit, lëshohen frenat, fillon lëvizja gjithë e më e shpejtë, përshpejtimi i përplas pasagjerët pas shpinores, avioni ngrihet në fluturim. Ndjej të më ngrejë një forcë e padukshme që më lë si të pezull në zbrazëti. Hedh sytë përreth për të parë nëse dhe pasagjerët e tjerë kanë të njëjtën ndjesi si unë. Ca lexojnë, ca shohin jashtë nga dritarja, ca janë shpërfillës, ca mezi rrinë të qetë dhe ca, të ngrirë në ndenjëse, lënë të ndër duken frikërat e veta. Me një ndërrim drejtimi të gjerë, avioni ngrihet në lartësi dhe drejtohet drejt radio farit të Barit, për të mësyrë pastaj drejt e në Tiranë, në vendmbërritjen tonë.
“Bashkë me babain ishit në qeli?”
Kur vdiq zoti Terruzi, unë isha me punë të detyruar dhe u ktheva në Burrel në 1953; në atë kohë me të ishte Petrit Velaj, që tani jeton në Vlorë me familjen”.
“Çfarë kujtoni nga Burreli?”
Më kujtohet gjithçka, sepse unë kam dalë në vitin 1963, pas 18 viteve burg”.
“Me thoni…”!
“Burgjet e Burrelit ishin më të tmerrshmit në Shqipëri. Hanim një herë në ditë njëfarë supe me ndonjë kokërr fasuleje ose patate me ndonjë fetë bukë të zezë, dhe kjo për gjithë ditën. Tani here pas herë më del gjak për shkak të ulçerës. Flinim në dyshekë të vegjël përtokë dhe kishim një nënkresë e një batanije.
Katër herë në ditë duhej të mblidhnim gjithçka për kontrollin e rojeve. Dritaret ishin pa xhama dhe gjatë dimrit ishte e tmerrshme. Kur duhej të shkonim në banjë, ditën na shoqëronin dhe na ruanin rojet, ndërsa natën na sillnin në qeli vetëm një bidon që duhej ta përdornim të gjithë. Çdo dy ose tre javë na çonin në qeli të tjera, për të shmangur krijimin e grupeve të vogla që mund të stisnin ndonjë arratisje”.
“Si i shtynit ditët?”
“Dy herë në ditë dilnim në oborrin e brendshëm për 40 minuta, nën syrin vigjilent të rojeve të armatosura. Në qeli mund të bënim muhabet dhe ndonjëherë edhe lexonim gazetat e vjetra që na i sillnin rojet. Dikush luante me letra, Por më së shpeshti tregonim historitë e familjeve tona. Histori që na sillnin shumë lumturi dhe trishtime pa fund. Të gjithë ne besonim në një të ardhme më të mirë dhe në rënien e regjimit. Disa mendonin edhe për amnistinë e ardhshme. Shpresa për të dalë nga ai ferr ishte gjëja e vetme që na mbante gjallë. Disa prej nesh punonin për të bërë galloshet që përdornim në burg”.
“Po babai im?”
“Ishte një njeri i qetë, një zotëri i vërtetë. Më kujtohet që lexonte dorën dhe gjithmonë e mbyllte me fjalë të mira. Kjo na jepte pak besim për të ardhmen. Besoj se ishte i vetmi italian në Burrel… e njihnin të gjithë… vuante nga zemra, por nuk kishte ilaçe”.
“A ju çuan në tortura”?
“Shume prej nesh u torturuan dhe vdiqën. Babanë tënd nuk e torturuan asnjëherë, sepse ishte njeri i shkëlqyer dhe nuk ankohej kurrë”.
“Për çfarë torturash bëhej fjalë?”
“Kur donin, por sidomos gjatë natës, në mënyrë që gjithë të tjerët të mund të dëgjonin ulërimat e rrezikziut të radhës dhe të mos flinin dot për gjithë natën, na çonin në atë dhomë të mallkuar. Shiko, ajo atje”.
Dhoma që na tregon gjendet në qendër të dy krahëve të burgut: e vogël, katër këndore, pa dritare, të shtie tmerrin vetëm kur e sheh.
“Shpesh më kanë ngritur në mes të natës dhe më kanë çuar aty, sepse isha shumë gjaknxehtë. Me një shkop më thyen dy brinjë dhe fyellin e këmbës së majtë…preke këtu…e ndjen?”
“Po”.
Shoh gunga të mëdha në fyellin e këmbës dhe ndjej, ndërsa prek kraharorin e tij, lugëti të thella. E mbaj veten nga tërheqja e dorës me një ndjesi neverie.
Kokoshi vazhdon:
“Shiko, na thyenin kockat nga të rrahurat dhe pastaj nuk na mjekonin, kështu vuanim për shumë kohë derisa eshtrat ngjiteshin vetë në mënyrë të çrregullt. Siç ju thashë dhe më parë, periudha më e zezë e burgut tim zgjati 76 ditë, dy muaj e gjysmë, gjatë të cilës isha i lidhur këmbë e duar. Si të mos mjaftonte kjo, për të më trembur dhe shkatërruar psikologjikisht, vrasësit përdornin metoda të ndryshme. Për tre net rresht më zgjuan, më zgjidhën, më dhanë një lopatë, më detyruan të hapja një gropë, më vunë para togës së rreshtuar gati për zjarr, por e kthyen mbrapsht pushkatimin dhe më kthyen në qeli. S’më kishte ardhur akoma radha”.
Ndërhyn Toli, që deri në atë çast nuk kishte hapur gojë dhe ishte i tronditur nga rrëfimi.
“Ju kujtohet gjë tjetër?”
“Sigurisht. Tortura më e zakonshme, kur kishin vendosur ta hiqnin qafe dikë, ishte ta rrihnin në atë dhomë famëkeqe dhe pastaj ta zhysnin shumë herë në atë fuçinë atje jashtë dhe në fund ta linin të lidhur brenda. Gjatë dimrit, natën, temperatura shkonte shumë gradë nën zero dhe i shkreti fatkeq në mëngjes kishte vdekur nga i ftohti. Të gjithë të burgosurit, përveçse dëgjonin ulërimat e natës së mëparshme, mund të shihnin gjatë gjithë ditës kufomën në fuçinë përballë dritareve të qelive të tyre.
Katër syresh, të zgjedhur mes më rebelëve, duhej të gërmonin gropën në varrezën e përbashkët para qelive. Kufomën e mbështillnin me një batanije dhe i bënin një ritual fyes, një farë funerali të përbindshëm, gjatë të cilit rojet recitonin përmbajtje fyese kundrejt të vdekurit dhe viktimave të ardhshme, që me pak fjalë do të ishim ne. Një torturë tjetër e tmerrshme ishte lidhja duar e këmbë me zinxhirë dhe futja në një farë tubi ku kishte vend vetëm për këmbët, në mënyrë që të mos mund të mbështeteshe dot te muret në asnjë lloj mënyre. Pra, në të vërtetë, gjendeshe varur në zbrazëti. Po të lëshoheshe, bije në ujërat e zeza poshtë, duke u mbytur në mut.
E shihni atë dhomën atje në fund… ishte dhoma e pleqve që duhej të vdisnin… i braktisnin atje derisa të jepnin shpirt. Me fjalë të tjera, çfarë nuk punonin për të na e marrë shpirtin!”
“Po kur sëmureshit, çfarë ndodhte me ju”?
“Kishte një dhomë të përshtatur për infermieri, por pa ilaçe. E megjithatë shërbente vetëm për rojet. O shëroheshim vetë, o vdisnim Jeta jonë vlente më pak se një copë bukë”.
“Sa prej jush vdiqën në ato vite?”
“Mes viteve 1949 dhe 1952 mund të kenë vdekur nja 60 veta. Disa zhdukeshin pa e marrë vesh kush se ç’fund kishin pasur. Në burg ishin rreth 120 të burgosur dhe nja një dyzinë rojesh që ndërroheshin me turne”.
“Ku varroseshin gjithë ato kufoma?”
“Gjithmonë në të njëjtin vend. Atje, pikërisht përballë dritareve të qelive mes dy rrethimeve, në mënyrë që të gjithë ta shihnin se ç’fund do të pësonin. Atje ka qenë një pemë qershie që në pranverë dukej se lulëzonte bash për ata që treteshin poshtë saj.
Kufomat, cullake – rrobat dhe gjërat e tjera i ndanin mes vedi xhelatët – të mbështjellë me batanije i varrosnin në radhë, njërin ndanë tjetrit, pa emër dhe pa asnjë nishan”.
Të vrerosur, me tmerrin, mëshirën dhe zemërimin të gdhendur në fytyrë e në zemrën plot me mallëngjim, afrohemi drejt daljes së burgut.Përshëndesim dhe marrim rrugën për në kthim; pak fjalë, shumë mendime dhe një trishtim i pambarimtë. Mbërrijmë në Tiranë rreth orës 15.00.
E shoqërojmë Kokoshin në shtëpi. I marr adresën, i jap dhe timen dhe e falenderoj pafundësisht. I premtojmë njëri-tjetrit ndihmë të dyanshme: ai të gjejë eshtrat e tim dhe unë t’i dërgoj ilaçe që nuk gjenden në Shqipëri. Megjithatë, do të takohemi edhe një herë në Konsullatë pas pak, aty nga ora 17.00, për një deklaratë të përbashkët rreth objektivave tona. Na sjellin deri te “Dajti”. Përshëndesim shoferin dhe Tolin, me të cilin do të takohemi prapë më vonë.
As kemi ngrënë e as kemi pirë, na është prerë oreksi fare. Bëjmë një shëtitje të shkurtër si për të nxjerrë jashtë të keqen që pamë dhe për të kërkuar ngushëllim mes njerëzve, mes burra e grave që shëtisin të pavetëdijshëm për hidhërimin dhe vuajtjen që mbajmë brenda. Kthehemi në hotel për t’u shplodhur dhe pushojmë për disa çaste në sallon para se të shkojmë në Konsullatë.
Shkëmbejmë ndonjë fjalë me Spartakun, i cili, përherë me shumë mirësjellje, na pyet për përshtypjet tona mbi burgun e Burrelit. Vërej se edhe sot, Burreli konsiderohet nga shqiptarët një vend i terrorit dhe i vdekjes.
Një ecje e shkurtër mjafton për të mbërritur në ambasadën tonë. Ndeshemi përballë me Tolin dhe Engjëllin. Para Kryekancelarit dorëzojmë depozitimin tonë, data 12 nëntor 1993. Pas pak ndahemi dhe përshëndetemi ngrohtë me Engjëllin. Mendoj se, me shumë gjasa, nuk do ta takoj më kurrë dhe kjo më pikëllon shumë, sepse te ai shoh babanë tim, në mos tjetër për atë bagazh kujtimesh që mban me vete. Do t’i shkruajmë njëri-tjetrit.
E shoh të largohet në errësirën e mbrëmjes bashkë me pardesynë e tij blu dhe atë ecjen e tij të lëkundur. Përshëndetemi edhe me Tolin, që na kujton se në darkë jemi të ftuar te Pierxhorxho.
“Do kaloj nga “Dajti” aty nga ora 20.00 dhe pastaj ecim në këmbë deri te shtëpia e Pierxhorxhos, që është në anën e kundërt të Sheshit Skënderbej”.
Ndërkohë që kthehemi në hotel, marrim edhe disa ëmbëlsira dhe shampanjë italiane. Apartamenti që ka marrë me qera Pierxhorxho ndodhet në një nga dy pallatet në formë kulle përballë sheshit “Skënderbej”. Pamja prej aty është e mrekullueshme: xhamia e hollë dhe e bukur, monumenti i heroit dhe pallatet hijerëndë qeveritarë të epokës së fashizmit.
Përveç të zotit të shtëpisë, takojmë edhe dy miq të tjerë italianë.
Dal vullnetar si kuzhinier për spageti me salcë domateje të freskët dhe djathë parmezan. Pjatë e dytë biftekë në hell. Të gjitha të shuara me verë Kianti të kantinës private të të zotit të shtëpisë.
Mes një bisede dhe një tjetre, Pierxhorxho u shpjegon miqve të rinj aventurën e rrallë të familjes sonë, të mbështetur ndonjëherë edhe nga ndërhyrja ime, tek-tuk.
Kjo është nata e fundit në Shqipëri, nesër menjëherë pas dreke avioni ynë do të na çojë në Romë. Një dolli urimi për ngjarjet e kaluara dhe për ato që shpresojmë se do të ndodhin në të ardhmen përmbyll edhe këtë natën tonë të fundit në Tiranë. I jemi shumë mirënjohës Pierxhorxhos dhe Tolit, të cilët i përshëndesim me dashamirësi dhe simpati.
Në shtrat, para se të më zëre gjumi, përpiqem të vë në rend idetë, mendimet dhe kujtimet që janë grumbulluar gjatë ditëve të kaluara në mënyrë të shpejtë e të rrëmbyeshme.
NISJA
Për të shmangur vonesa të mundshme për shkak të gjumit, u kërkova atyre te recepsioni të më zgjonin në orën 08.00 por, për të qenë më i sigurt, vura edhe orën time në zile. Nuk u desh as njëra, as tjetra.
Tashmë jam zgjuar dhe akoma në pizhame, po përgatis valixhen, pa u larë e veshur ende, kur troket daja te dera: “Erdha të të zgjoj”.
S’ka vajtur akoma ora 07.00. Pas pak valixhet tona janë gati dhe i kemi nxjerrë nga dhomat. Me qetësi relative, zbresim të hamë mëngjes. Në sallon gjejmë Spartakun.
“A mund t ju qeras me një kafe para mëngjesit?”
“Faleminderit, me kënaqësi”.
“Shpresoj të keni kaluar një javë të kënaqshme dhe që ti, Aldo, të realizosh idenë tënde për të marrë eshtrat e babait në Itali”.
“Në të vërtetë, do të doja të bëja diçka më shumë. Nuk di akoma si e qysh, por do të më pëlqente të ngrija një lapidar të vogël ose të vija një pllakë përkujtimore në kujtim të të vdekurve të përbashkët, italianë e shqiptarë, në burgun e Burrelit”, i përgjigjem.
“Sigurisht, është një ide fisnike, shpresoj të arrish ta realizosh. Nëse mundem, do të të ndihmoj”.
“Do të më bëhej shumë qejfi. Faleminderit”.
Hamë mëngjes dhe kërkojmë te recepsioni të na thërrasin një taksi.
Në sallon shfaqet trajta vogëlane e Xhavitit, që ka ardhur të përshëndetet me ne, po për habinë tonë, pas tij, dalëngadalë po vijnë gjithë “Mjeshtërit e sportit”.
Dikush ka sjellë edhe djemtë dhe nipërit, kështu që, brenda pak kohe, salloni mbushet dhe rreth nesh krijohet një turmë njerëzish që festonin. Ngazëllim dhe trishtim janë ndjenjat që përzihen mes ish-lojtarëve. Nga xhepat dhe nga portofolët del ndonjë fotografi e vjetër me këtë rast.
“A e shihni sa të bukur kemi qenë dhe sa ekip të bukur kemi pasur!”
Si mund të mohohej prova e atyre djemve të krekosur? Erdhi koha. Taksia na pret. Të mallëngjyer nga ngrohtësia e atij grupi njerëzish, përshëndesim derisa na humbasin nga pamja. Nuk flasim, secili nga ne është i mbështjellë nga mendimet e veta. Është e shtunë, 13 nëntor, avioni ‘md 80’ i Alitalias, fluturon drejt Romës në një të kaltër qielli të papërlyer”. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016