Nga Shpendi Topollaj
– Marçel Hila, një befasi e këndshme me letërsinë e tij për krimet e diktaturës-
Memorie.al / Sikur autorit shkodran, Marçel Hila, t`i ishte dhënë vendi i merituar si në mediat e shkruara, ashtu dhe në opinionin e lexuesve në përgjithësi, ndofta nuk do t`i hyja fare këtij shkrimi, për krijimtarinë e tij, e cila flet mësë miri, se kemi të bëjmë me një talent tepër të spikatur. Tri janë librat e këtij shkrimtari, që lexova kohët e fundit: “Perla mbi plagën e një martese”, “Kujtime nga një mision i largët” dhe romani; “Zoti zbret në ferr”. Gjëja e parë që më erdhi ndërmend ishte: Sa u detyrohet kritika letrare shkrimtarëve të tillë. Si heshtin ata që e kanë lexuar, qoftë edhe njërin nga këto libra? Dhe menjëherë u ula të rendis përshtypjet e mia, për veprën e tij, ku gjeta: intelektualin me kulturë të madhe, por edhe shkrimtarin e kompletuar e me shije të holla. Në çdo faqe të këtyre librave, asgjë të shkruar me sforco dhe të stisur, nuk të zë syri.
Gjithçka rrjedh krejt natyrshëm: me stil të sinqertë, të pastër si uji i kristaltë, i përrenjve të maleve tona, të bukur në thjeshtësinë e vet, lavdërues i padukshëm i virtyteve të njerëzve tanë, stigmatizues i qartë, por asnjëherë imponues i veseve tona dhe sidomos i fatit tonë të keq historik, optimist dhe plot dritë edhe kur përshkruhen vuajtjet dhe mjerimet e llahtarshme të kohës së diktaturës, apo intriga nga ato të grekëve të lashtë, pa folur pastaj për gjendje të ndryshme psikologjike të protagonistëve, sa të bëhet se po lexon, ndonjërën nga tragjeditë e mbetura nga poeti i Salaminës, Euripidi.
Kam mendimin se ashtu si elokuenca e të folurit edhe finesa në të shkruar, është padyshim shprehja më autentike e nivelit kulturor të njeriut. Dhe Marçeli këtë cilësi, e ruan me fanatizëm në çdo paragraf të tij. Ashtu sikurse ai e manifeston këtë kulturë, deri në erudicion, në trajtimin e temave që ka zgjedhur, në informacionin që gjen aty, në analizat e gjendjeve të ndryshme dhe shpesh gati të pabesueshme, e sidomos në leksikun jashtëzakonisht të pasur që përdor.
Le t`i marrim me radhë: Fati i oficerit atdhetar, Valentinit, djalit të gjeneralit të njohur Preng Previzi, jo vetëm të trondit, por edhe të bën të mos harrosh poshtërsitë e pafund, të atij sistemi të urryer. Studioi në Modena, dashuroi vajzën e mirë italiane Gorician, u martua me të dhe provoi vuajtje dhe peripeci aq të mëdha, sa para tyre zhvleftësohen edhe ato që hoqi Odiseu me Penelopën. Italianët e vjetër, i kanë besuar hyjneshës të fatit që quhej Fortuna dhe që ishte e bija e Jupiterit. Ajo shpërndante të mirat dhe të këqijat, lumturinë dhe fatkeqësitë e njerëzve.
Ndaj dhe Goricia i lutet të shoqit, që para se të nisen për në Shqipëri, të shkojnë tek një fallxheshë. Dhe ai edhe pse nuk praktikon këto gjëra, pranon dhe nuk e beson atë grua, kur i thotë se ju; do ndaheni me një hendek të madh, do vuani dhe do bashkoheni pas dyzeteshtatë vjetësh. Sapo mbërrijnë në Shkodër, pa asnjë arsye, vetëm pse i ati i tij, ishte kundërshtar i regjimit, i vënë hekurat, duke ia prerë në mes gëzimin e martesës dhe një gjykatë me analfabetë, e dënon me dhjetë vjet burg. E shoqja e hutuar kthehet në vendin e vet, kurse ai edhe pas burgut, provon vite të pafund persekutimi e internimi. Vetëm ardhja e demokracisë, mundëson lidhjen me të shoqen dhe bashkimin me të. Ajo e kishte pritur pa u lodhur për plot dyzeteshtatë vjet. Fortuna e romakëve mbi rrotën e paqëndrueshmërisë së fatit, jetonte akoma.
Libri tjetër; “Kujtime nga një mision i largët”, na përshkruan udhëtimin gjatë shoqërimit të At Flavio Cavalinnit, në zonat e Dukagjinit, Temalit dhe Dushmanit, në Shqipërinë e Veriut. Ky prift katolik 37 vjeçar, që kishte qenë profesor teologjie në Verona, buzë lumit Adixhe pranë Venecias, në vitin 1993, kishte qëndruar vullnetarisht në malet e Pultit, Shoshit, Shalës dhe Tropojës, ku kishte nevojë për një meshtar, në dioqezën më të varfër të Shqipërisë. Asnjëherë nuk kanë munguar këta emisarë vullnetarë të katolicizmit, që pranonin çdo lloj sakrifice e privacioni për popullin tonë, sikurse ka ndodhur dhe e kundërta, derisa djaloshi durrsak, Pelini, u martirizua dhe shenjtërua në mbrojtje të krishterimit në Brindizi të Italisë, pa folur për mbrojtjen që kësaj feje, i bëri vetë Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti.
Marçel Hila, qysh kur feja ishte sakrilegj, mori në familjen e tij në Shkodër, një edukatë të shëndoshë fetare.
Ai e di mirë se nga e folura kishtare, është një shprehje; “In camera caritatis”, që do të thotë “Në dhomën e dashurisë”, pra një gjë që duhet thënë në fshehtësi. Pikërisht këtë, i kishin kërkuar nëpërmjet Zefit, dy malësorë pleq, At Flavios. Dhe ai i shoqëruar nga Marçeli, si përkthyes, pranon pa asnjë mëdyshje dhe përmes shumë vështirësive, mbërrin tek ata. Nuk dua të zgjatem këtu me historitë interesante të tyre, por dua të theksoj përshkrimin e mjerimit të pashembullt, ku i kishte katandisur komunizmi këta njerëz, ai komunizëm që duke u shkatërruar edhe objektet e kultit, kishte bërë siç shprehet autori, që; “Njerëzia kishin lindur e ishin rritur, pa ditur se çfarë ishte mesha, sakramendet: pagëzimi e krezmimi, rrëfimi e bekimi i kurorës së martesës”. Nuk e besoj se në mesjetë, kanë jetuar gjyshërit e tyre më keq.
Ja si e përshkruan vetë Marçeli këtë tej-skajshmëri varfërie: “Ecëm dhe iu afruam derës së asaj shtëpie, që derisa të vdes, nuk do ta harroj, sepse ishte një derë që nuk mbyllej. Ishte e shkatërruar. Nga varfëria, nuk mund ta ndreqnin. Ishte shtëpia e mjerimit dhe e vuajtjes…! Varfëria që na kapi syri, ishte unike. Nuk kisha parë kurrë në jetën time, një situatë të tillë, apo të përngjashme. Shqipëria kishte qenë e varfër dhe të gjithë ishim rritur në varfëri, por ajo pamje, nuk kishte shoqe. Në kujtesën time, nuk gjendet asnjë skenë, si ajo. Libri “Të mjerët” i Viktor Hygosë, -… as që mund të merret si shembull, për të ilustruar varfërinë e një familjeje”. Dhe ai arsyeton se; ata fundja, ishin të mjerët e Parisit, kurse këta, të mjerët e Dukagjinit të Shqipërisë, për të cilët nuk ishte gjetur kurrë një penë, që ta përshkruante atë mjerim, një aparat që ta fotografonte, dhe t`ia tregonte botë së qytetëruar, hallet e tyre të pafund.
Në atë dhomë, ku dyshemeja ishte me dhe natyral, pa asnjë shtrojë, me mure guri të ashpër, të pa suvatuar, vetëm me llaçin e lidhjes, dhe ku i ftohti ishte njësoj si jashtë, ku kishte rënë dëborë, nuk kishte zot që as me hamendje, ta gjente se në ç`vit ishte ngritur në këmbë, ajo ndërtesë. Dhe të vjen të vajtosh, kur me penelata mjeshtërore, pikturohet portreti i një plaku të paralizuar, që njërën dorë e kishte të ngrirë, të vdekur dhe që e lëvizte vetëm duke e marrë me dorën tjetër. Dhe aty pranë, dëgjoni: qëndronte e shtrirë një vajzë, gjashtëmbëdhjetë vjeçare, e bardhë në fytyrë, si letër, në ditët e fundit të jetës, në agoni, pasi ishte me leuçemi.
Dhe pikërisht këta mjeranë, sistemi i ashtuquajtur më përparimtar i botës (çfarë ironie?!), nuk i linte në hallet e veta, por ua nxinte akoma jetën, duke u sajuar lloj – lloj poshtërsish dhe duke i burgosur e vrarë, sikurse flitet te romani mjaft i arrirë; “Zoti zbret në ferr”.
Ende nuk është përcaktuar, se kush nga poetët e Portugalisë, ka thënë; “Më mirë i vdekur, se i turpëruar”. Por në praktikën e malësorëve tanë, në përditshmërinë e jetës së tyre, nderi dhe dinjiteti, kanë qenë të shenjta, aq sa para turpërimit, ata kanë parapëlqyer vdekjen. Dhe pikërisht këtë shenjtëri, u munduan ta përlyejnë komunistët. Këtë të vërtetë, e ndeshim në mes të masës leckamane, me palltot bojëkafe që përbën turmën e topitur të të burgosurve kokëqethur, e me fytyra të zbehta të Burrelit, e cila gjatë pajtozit, mezi hedh këmbët, në personin e malësorit, Gjelosh Gjeto Kola.
As ai nuk e di përse është dënuar! E kanë akuzuar se atje në fshatin e tij, Shoshaj, ka strehuar një herë diversantët. Por ai e ka kuptuar, se të tilla sajesa, kanë vendosur fatin e zymtë të aq e aq burrave të tjerë, politikanë, intelektualë, klerikë e madje, edhe komunistë të orëve të para, por që regjimit tani i është mbushur mendja, se nuk i hyjnë më në punë. Ajo që e mundon deri në dhimbje atë, është diçka krejt tjetër. Diçka e rëndë sa shkëmbi dhe që atë nuk e lejon të ngrejë kokën lart, e të thotë dy fjalë. Ka një brengë torturuese, pasi i kanë nxjerrë si dëshmitar në gjyq, atë që kurkujt nuk ia merr mendja e, ca më shumë atij! Ka qenë i biri i tij i shtrenjtë, Ndoi, drita e syve të tij, ai që ka dëshmuar për të. I duket se të gjithë flasin për ta, si familje spiunësh. Ndaj tani, ai rri i veçuar dhe i mpirë. Asgjë nuk i bën përshtypje. As uria, as i ftohti, as mundimet e pafund… por vetëm mendimi, se çfarë do të mendojnë bashkëvuajtësit për të?!
Rri i mënjanuar, i zymtë, pa i lëvizur fytyra, zgjohet i “vdekur” nga gjumi, shtyn orët e ditët në heshtje, pa asnjë interes, pa shkëmbyer asnjë fjalë, me kërkënd, pra i vetizoluar dhe i padeshifrueshëm. Pra i mbaruar dhe i pakallur në dhe. Po a mund të kalosh vitet e gjata të burgut, kështu?! Pa trokitur në derën e zemrës, së një shoku e miku, për të cilët më shumë se kudo, ke nevojë pikërisht në burg. Kur të tjerët duan t`a afrojnë, ai me një farë zotnillëku, ua kthen: – “Mos keni hall për mue, more burra”! Por të tjerëve u dhimbset Gjeloshi dhe vetëm i urti dhe i dituri, At Antoni, arrin t`a zbërthejë dhe të mësojë prej tij të vërtetën. Ai vazhdon detyrën e tij me predikime, me fjalën e Krishtit, nga i cili herë pas here, përsëriste: “Mos t`i keni frikë, ata që vrasin mishin, sepse s`kanë fuqi, t`ju vrasin shpirtin!” Njerëz si ai, apo priftërinj të tjerë, dinë t`ua mbajnë lart moralin fatkeqëve dhe të mos i lenë ata të degradojnë në bashkëpunëtorë të xhelatëve, të cilët bëjnë çmos t`i fusin në rrjetat e tyre. Dhe vjen dita, që Gjeloshi i rrëfehet At Antonit. Nga ana e tij, At Antoni, me arsyetim të qetë, e bind këtë burrë, që t`a falë të birin, pasi patjetër që e kanë detyruar, të flasë kundër babait të tij, siç edhe kishte ndodhur në të vërtetë.
Mirëpo, kur ky e thërret Ndoin, për t`i thënë se e ka falur, me anën e një spiuni birucash, Sigurimi e mëson këtë dhe realizon një plan djallëzor. Hakmerren ndaj Ndoit, i cili i kundërshton, për të demaskuar një prift të asaj zone, patër Gjon Grudën, duke thënë se një herë gabova, se më detyruat, por tani, kurrë nuk do të them gjëra të pavërteta. Atëherë ata i thonë, se; kemi marrë vesh se do të shkosh të pajtohesh në burg, me babanë, por dije se ai, t`a ka me hile, pasi kërkon të të pështyjë, para shokëve të tij dhe të të njollosë përjetë. Lloj – lloj mendimesh të turbullta, i shkojnë ndër mend atij. I kërcënuar deri me burgosje dhe shkatërrim të familjes, ai njeri, pasi bisedon me të ëmën dhe gruan, vendos të arratiset, ndërkohë që i ati Gjeloshi, e priste në Burrel. Ditën që kishte takim, Gjeloshi gati duke u dridhur, del të takojë atë, por sheh vetë të shoqen, Dilen dhe nusen e të birit, veshur me të zeza. E ngushëllon këtë të fundit për vdekjen e dajës, dhe habitet, kur e shoqja i thotë, se na kanë lanë edhe të tjerë!
Dhe qan i ziu malësor, kur mëson se të birin, që ishte nisur me dy feta bukë, e kishin vrarë në kufi dhe pas dy ditësh, e kanë sjellë në fshat, të lidhun pas një qerre. Pastaj – i tregon e shoqja – e hodhën në nji qoshe dhe nuk na lanë me e varrosë si të tjerët, por u detyruam me e mbulue, buzë nji stomi. Para se të ikte, i kishte thënë së ëmës, se veten nuk e fal, por babës, që asht ma i miri në botë, i kërkoj falje. Nuk shkoi gjatë dhe Gjeloshi u mbyll në vetvete, e humbi vetëdijen, ra në kllapi, arriti të thotë në përçartje fjalët; “Ndoj, baba të ka falë! Si nuk e pe ma babën?” dhe mbylli sytë përgjithmonë. Teksa e përcillnin për tek qershia, dëgjohet kënga makabre e gëzimit të gardianëve, të cilët besonin se po shpëtonte Shqipëria. Autori pohon në pasthënie, se ka marrë shkas për këtë roman, nga një fabul e vërtetë dhe nga ato që treguan ata që panë dhe përjetuan ferrin komunist, si; At Pjetër Mëshkalla, Myfit Bushati, Metish Çeta, Xheladin Baci, Pjetër Arbnori, Xhevat Gjyrezi, Ahmet Bushati, Viktor Kujxhia, Agim Musta, Atë Agostin Ashiku, Beqir Ajazi, etj.
Por Marçeli, duke i ndërtuar ato ngjarje artistikisht, ka bërë një detyrë mjaft të rëndësishme, qytetare. Se nuk bëhet fjalë në këtë roman, vetëm për ligësitë e atij pushteti despotik, as për padrejtësitë e ngritura në sistem si askund tjetër, dhe as për qëndresën prej martirësh të klerikëve të dënuar, pa asnjë faj, veç bindjeve të tyre, por kemi aty ballafaqime dhe përplasje botëkuptimesh të ndryshme. Dialogjet mes atyre intelektualëve të krahëve të kundërt, marrin përmasa filozofike. Debatohet për doktrinën gënjeshtare të marksizmit, përshkruhet ideuesi dhe zbatuesi i së keqes të atdheut tonë, nxënësi më i zellshëm i Makiavelit, Enver Hoxha.
Figurën diabolike të tij, Marçel Hila, si pakkush deri tani, e ka realizuar në tridhjetë faqe, që përbëjnë dhe pikën më mbresëlënëse të romanit. Kjo është meritë e një autorit me shpirt atdhetar, i cili ka ditur të shfrytëzojë kujtimet e shokëve të tij të fëmijërisë dhe të shkollës, të cilët për t`u mbyllur gojën, mizori i përplasi burgjeve, kur i shpëtuan plumbit. Kurse në analizat letrare, kur bëhet krahasimi për veprën e shkruar të Migjenit dhe Gjergj Fishtës, del mësë miri në pah, niveli jashtëzakonisht i lartë i këtij shkrimtari, që duke ecur në vazhdën e shkrimtarëve më të mirë që Shkodra ka nxjerrë, i bën nder gjithë Shqipërisë.
Sikurse e theksova edhe më lart, Marçeli është marrë gjatë në këtë libër, me doktrinën fetare të katoliçizmit. Por ai, nuk ka pasur për qëllim, që fatin e vendit, t`a verë në funksion të saj. Përkundrazi; ai synon dhe ja ka dale, që fatin e fesë dhe të përfaqësuesve të saj, t`i verë në shërbim të Atdheut. Ai nuk operon artificialisht, me dogma fetare, por me qytetari dhe dashuri, për vendin e vet, predikon virtytin dhe moralin e lartë njerëzor. Madje ai mbron idenë, se At Antoni, bëri mirë, kur pas daljes nga burgu, e fali hetuesin e vet. Veçanërisht në dy librat e tij, rreth misionit të largët dhe zbritjes së Zotit në Ferr, Marçeli shkëlqen në njohjen e historisë të katoliçizmit dhe kjo flet qartë, se ai prej kohe e ka bërë të vetën, atë sentencën e vjetër; “Memoria minitur nisi eam exerceas”, që do të thotë se; Kujtesa pakësohet, po të mos ushtrohet!
Por duhet ditur se ai, e ka mbajtur të freskët kujtesën edhe me librat e shumtë artistikë, etj., që ka lexuar dhe sidomos ka jetuar dhe ndjerë vuajtjet e të tjerëve, si dhe mjerimin e atdheut nën komunizëm. Sot ka ca teori të çuditshme, se nuk duhet marrë shumë me të shkuarën. Duhet parë përpara thonë disa. Personalisht, nuk jam i të njëjtit mendim. Ne kemi detyrimin dhe përgjegjësinë, që t`u kujtojmë brezave se ç`hoqëm, t`i themi botës mbarë, se nga vijmë dhe fundja të nderojmë plagët e pashërueshme, të të pafajshmëve, ose të atyre që u dërguan të gjallë në Ferr, vetëm pse nuk u pajtuan me ata, që sikurse shprehet një personazh i këtij romani, kaq interesant, duke mos pasur shpirt, “nuk kanë as origjinë e as të ardhme, as ndërgjegje e as moral”. Asgjë më shumë se kaq, nuk kërkon në librat e tij të mençur, Marçel Hila, libra që duam apo s`duam, do i japin atij vendin e merituar, në letërsinë tonë të pas diktaturës. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016