Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e tridhjetepesë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
“Nëpërmjet urisë janë stimuluar luftëra pafund; ajo ka shërbyer si zanafillë për sëmundje epidemike, për shfarosje masive. Po t’i referohesh historisë njerëzore qysh herët, do vëresh se shumë turbullira janë shkaktuar në emër të kësaj murtaje, por popujt sërish kanë mbetur të varfër e të uritur. Perandorë dhe mbretër, demokratë e republikanë, kapitalistë dhe komunistë, demagogë dhe sharlatanë, në emër të luftës kundër kësaj flame, kanë zënë majat pushtetore por gjendja s’ka ndryshuar. Të vobektët, si pasojë e urisë edhe tani vdesin. Rrënjët e këtij mjerimi duhen kërkuar edhe te sistemet politike, edhe te ata që dalin në krye në emër të barazisë, edhe te makutëria e individëve që me çdo mjet, kërkojnë të akumulojnë më tepër e më tepër kapital. Sot në Perëndim, një mori politikanë, ekonomistë, sociologë, demografë, filozofë, humanistë, pra gjithë ata që operojnë në sferat e personalitetit dhe mentalitetit njerëzor, e kanë kuptuar shkakun dhe rreken të gjejnë ilaçin më efikas.
Të frymëzuar nga teoria e Xhon Lokut, kanë konsoliduar themelet e shoqërisë së konsumit, një formë humanizmi i kapitalizuar, ku të mirat materiale ndahen në bazë të meritave dhe punës, ku për shtresat në nevojë aplikojnë gjerësisht asistencën sociale, gjë që ka çuar në zbutjen e fenomenit uri. E kundërta po ndodh në pjesën tjetër të botës, aty ku politikat ekonomike bazohen mbi materializmin ekstremist, në teorinë marksiste të mbivlerës dhe ku antagonizmi klasor është ulur këmbëkryq. Si pasojë e luftës së të kundërtave, numërohen me miliona viktima me shkak urinë, mal-trajtimet politiko-ekonomike dhe etnike. Bëj fjalë për vendet që pretendojnë se gjasme ndërtojnë shoqërinë e re socialiste, ku mjerimi, varfëria, uria, sëmundjet që rrjedhin prej saj, bëjnë kërdinë, ku vdekshmëria foshnjore nga mungesa e ushqimit, është në nivele alarmante, ku mosha mesatarja e popullsisë në vend të rritej, si pasojë e modernizimit të teknologjisë e të përparimit të shkencës mjekësore, ka pësuar stanacion dhe për fat të keq, në mjaft vende ka rënie drastike…”!
Ai vazhdoi me këtë terminologji që e dëgjoja për herë të parë. Me thënë të drejtën, e kuptoja se fliste shqip, por s’po arrija të merrja vesh, ç’donte te thoshte. Shumë terma, teori dhe emra filozofësh s’i kisha dëgjuar ndonjëherë dhe më dukej se i përkisnin një planeti tjetër, të panjohur. Ajo “rr-ja” grykore, e shndërronte edhe më misterioze brendinë e këtij referati. Sidoqoftë m’u duk interesant dhe i dhashë të drejtë dibranit të zgjuar: “Vërtetë te ky, xha Sherefi s’paska gabuar, e meritoka titullin”! Kur debatet shterën dhe biseda u rikthye në hullinë e zakonshme, ai heshti. Dëgjonte ç’thoshin të tjerët, rrallë herë kur e pyesnin, përgjigjej. Përfitova nga një moment heshtje, për ta pyetur nga ishte, m’u përgjigj shkurt: – “Jam nga Libohova, më quajnë Hilmi Leka”. Me kaq mbaroi vakti; sepse e ndërprenë fishkëllimat e gjarpërinjve dhe ulërimat e tellallit. Kish ardhur momenti i apelit. Si përherë u rreshtuam, kaluam në intervistën e mjerimit, para oficerit të rojës dhe kapterëve. Meqë ditët e pushimit ishin mjaftë të rralla, gjithsecili u largua të kryente detyrimet vetjake.
Mua, më vunë në mes vëllezërit Dyli dhe nisëm varavingot, në gjashtëdhjetë metër gjatësi dhe tetë gjerësi, që i thoshim “shesh” dhe që shkodrani Shyqyri Gruda, e quante “pjacë” dhe e miklonte: “Tash, kena dalë n’pjacë me gjuajt fllanxa”. Sigurisht, unë dhe shumë të tjerë, s’e kuptonim ç’donte të thoshte Shyqi me këtë shprehje, ndaj ca kohë më vonë e pyeta për kuptimin e vërtetë. Shyqi ma shpjegoi domethënien me këto fjalë:-“A ke vue re, kur na xhirojmë n’oborr e, gjithkush shkon n’hesap t’vet”? – “Sigurisht e kam parë”! – ia ktheva. – “E pra, t’gjithë flasim fortë, kush e kush ma naltë se shoqi; mirëpo ndër cepa rijnë spiujt, njashtu si gjahtarët në pritë, presin me ndi çuçurimat! Nji ata pra, kan dal ‘me gjujt fllanza’! Ndaj, miq të dashtun mos çuçurisni ma, po çoheni zanin sa ma naltë, me trëmb spiujt…, më falni ‘fllanzat’”!
Kur dëgjova këtë shpjegim kamë qeshur me duart në bark, sa më zuri një kollë që ma mori shpirtin. Në këtë farë “pjace”, unë në mes dhe në çdo krah nga një Dylë, xhironim këtij lëmi ku grupe dyshe dhe treshe, bënin të njëjtë gjë. Trokëllimat e nallaneve dhe tonet e lartë të të folurit, të jepnin ndjesinë se gjendeshe mes rrokopujës. – “O Çimo, kam një muaj që po vë dhjamë”! – më jehoi në vesh zëri i bollshëm i Muharremit. Pastaj u ngrit më i ekzaltuar: – “Bravo çuno, na zbardhe faqen, të lumtë qyreku”! Ndjeva të frymë-merrte shpejt dhe të shpërthente: – “Po paske qenë flamë fare, ‘re! Tani e pashë, s’më paska dalë huq mësimi”! – po mburrej. – “Ama, ç’mi bëre hakun atij b…q…! Pse re, ça dinte pederasti, kemi djem ne, ‘re babam! Që ta lërojnë edhe nënën edhe babanë”! – vazhdoi monologu trimërues, i Rremos së çartur.
– “Boll Rremo, tani duhet ta mbajmë larg sherrit çunin…”, – e ndërpreu Rizai. – “Pusho ti, ‘re! – iu hodh në fyt vëllai më i vogël. – Me moralizmat e tua, përfundon shok i tyre! Pse ‘re, marrin vesh këta, ashtu si hysht ti! Jo or babam, jo, vetëm huri e bije në islla, këtë xhins mileti! Me sojlliun sojlli, me dinsëzin dinsëz! Kështu de, hurin, ai soj robi atë kanë xhins! Ka dalë nga xheneti ai, ore babam! Hajd se ke vllanë ti, mos çaj b…”! – “Po dale o Rremo, pusho ta pyesim djalin si kaloj”! – “Or, po ka një muaj birucë i biri botës dhe ti avazin, jo hurin, jo qyrekun! Kur doli Dom Marku, na tregoi që paskeni kaluar edhe një taksirat tjetër”? – m’u kthye mua. – “Po, e zuri garameti edhe priftin”! – nisa të shpjegoja unë. – “Jo, or jo, s’qe aq kotë, sa e bën ti”! – ndërhyri Muharremi. – “Ai H. M., u tregua burrec, e turpëroi të gjyshnë! Në këmbë të tij, e hëngrët ju, po këtu ndahen burrat ‘re…”!
– “Po ka dalë o Rremo, se s’janë të gjithë prej hekuri, është prej mishi robi i gjorë, një duron e një s’duron”! – deshi t’a zbuste vëllai i madh, inatin e më të voglit. – “Ore byrazer, s’po të marr vesh fare! Pse ‘re, këta të tjerët, lopa i paska pjellë? Po edhe këta, si gjithë dynjaja, mish e kocka kanë! Jo or babam, jo, janë farsë e dobët thuaj! Kjo është e gjitha, o xhan i vëllait”! – i dha dum Rremua dhe tundi duart e ashpra, me grushtet shtrënguar, siç e kishte ves. – “Lëre ç’thotë Rremua, dëgjo Zaken ti”! – xha Rizai m’u kthye mua, i qetë si ngaherë. – “Perëndia o bir, i ka ndarë takatet dhe iratet në këtë jallane; ka bërë luanin, po ka bërë dhe miun, njeri ron si mbret, tjetri poshtë nën dhet; ka bërë zhgabën, po ka bërë dhe zhabën, njera rron në male, tjetra në kanale; pa po, ka bërë mushkën, ka bërë dhe gomarnë, mushka me një kujtal ngjitet në Tomorr, gomari me dy kosha të mbetet në dorë. E more vesh nashti, si e ka jaratisur i Madhi Zot, që i qofshim falë”?
Habitesha me këtë burrë të urtë, që edhe pse pa shkollë, me arsyen dhe gojëtarinë e shkëlqyer, s’iu linte gjë mangët as poetëve! Se ku i ujdiste ca figura të goditura, që edhe shkrimtarët do t’ia kishin zili, pastaj qetësia olimpike, se si i shtronte problemet, i jepte këtij plaku pamjen e një patriarku biblik. Ishte antipodi i vëllait më të vogël, Rremos shpirtmadh por sherrxhi e çapraz, që merrte zjarr si pushka e jevgut. Pasi do kaloja kohë me ta dhe do miqësoheshim më tepër, iu vura nofkat, Rizait “Truri” dhe Rremos “Huri”. Natyrisht mbasi qeshnin me shpirt, i kalonin pa siklet shakatë e mia patëkeq. Padyshim, ata ishin modeli i dashurisë pa kushte dhe plotësonin njeri tjetrit. Unë i respektoja si prindërit e mi, Rizait i blija trurin pa cena, Muharremit, kur më lipsej, trimërinë pa rrena. Edhe ata më donin shumë, më ndihmonin e më respektonin pakufi, saqë mes tyre ndihesha si personalitet, me dy badigardë, njerin për tru dhe tjetrin për hu.
Para dreke na erdhi Hilmi “profesori”. I përshëndeti të gjithë dhe më ftoi të dilnim pak jashtë. Zbrita shkallët e dolëm në oborr. – “Tani do shkojmë në depo, se do të dorëzoj amanetin”! Kur përmendi depon, m’u kujtua topalli, Emin depoxhiu. Qortova veten: si më kish dalë nga mendja? “Ama edhe ai, s’u bë i gjallë, të vinte e të më takonte, kur dola nga biruca”?! u shfajësova për këtë harresë. “Mbase s’do ta ketë marrë vesh”! e shfajësova dhe atë. – “Te Emini? – e pyeta. – Në depo”. – “Po Emini s’është më”! – “Pse e hoqën…”?! – “Jo, ç’ne! Ai ka dhjetë ditë që është liruar”! – më ndërpreu ai. – “Më bëhet qejfi”! – shpreha kënaqësinë, kur mësova këtë sihariq t gëzueshëm. – “Të gjithë u lumturuam, që ja mbërriti ditës”! – “rr”-të grykore sikur llokoçiteshin në fytin e vulashit. – “Pikërisht ai më la amanetin që p plotësoj unë”. U ndjeva i lehtësuar.
Dhuratën duhej ta kisha pritur nga ai, po në birucë, i mbytur në hallet e mia, kisha lajthitur datën, madje për të qenë i sinqertë, më kishin dalë fare nga mendja edhe vet Emini. Gjithsesi iu gëzova faktin, që pas kaq vitesh burg, iu dha mundësia t’i bashkohej familjes. Kujtova takimin me të, fjalët e sinqerta që kish thënë në infermieri. Sidomos më ishin ngulitur në tru, ankesa për fatin e zi që e priste në internim, kënetave të Myzeqesë. M’u bë se po më ushtonte ende në vesh ajo shprehje: “Më kanë mbetur edhe një muaj e ca, po ku do vete bre, më pret internimi, atje ku kanë çuar të mitë, në Myzeqe!… Në këtë derexhe që jam katandisur unë…”! Rashë në të thella: “Në internim, po të paktën je me të tutë”! m’u ndërmend se iu përgjigja personit që s’ishte prezent, po në fakt këtë ia kisha pohuar vetes.
– “Pse po mendohesh”? – më pyeti Hilmiu. – “S’di ç’më kujton ai njeri fatkeq, sikur më ndjell të ligën”?! – ia ktheva. – “Gabon, Emini është nga më të ndershmit që kam njohur. Për kaq e kaq vite, mbajti qëndrim burrëror! Përfundimisht, do thoja është nga karakteret më pozitive”. – “S’e kisha fjalën aty, thjeshtë më dhimbset, pse privoi veten nga ato që ka lenë për mua! – “Jo, po gabon sërish, duket s’e paske njohur Eminin”! – “Vërtetë s’e kam njohur! Të këmbesh ca muhabete në këmbë dhe ca keqardhje në infermieri, s’mund të quhet njohje, apo jo”? – “Sigurisht, ke të drejtë. Po për një individ me parime, të cilit materialja s’i bënte aspak përshtypje, një spiritualist dhe idealist i palëkundur si ai, patjetër duhet të ketë patur një shkak të pakundërshtueshëm. Atij s’i mungonte intelekti, për të peshuar personat që e rrethonin, as rrethi miqësor që e qarkonte, qoftë këtu në Reps, qoftë gjetkë në burgjet e tjerë, por qëllimi i tij, do të ketë qenë padyshim i veçantë, ndaj e ka vënë gishtin, pikërisht te ti”.
Në këto muhabete, mbërrittë te dera e depos, ku një mustaqe ala- arixhinjçe, ish mbështetur te kasa. – “Tungjatjeta Refat, si je me shëndet? Ke marrë lajme nga familja”? – e pyeti Hilmiu, në intimitet. – “Falemnderit presoro, mirë jam shyqyr Zotit”! – iu përgjigj Refati buzagaz, mustaqet i vareshin deri poshtë mjekrës dhe i jepnin fytyrës zeshkane, pamjen e një xhambazi kuajsh, mandej u kthye nga unë. – “Po këtë çunin, nga e kemi”? – “Nga Berati”! – u përgjigja edhe pse s’më pyetën direkt.- “O presoro, mos është ky ai që na tha Emini”? – ju drejtua Hilmiut. – “Po Refat, ky dora vetë! Për atë erdhëm”. – “Po ore, i kam gati”! – ai u fut brenda, ku zhvendosi diçka nga një raft.
Pas pak doli me një thes sargjie, me një etiketë të qepur në anën e dukshme, ku shquhej emri Emin Shehu. Ia la në dorë Hilmiut dhe u kthye së dyti andej nga kish dalë. Ja behu sërish, po këtë herë mbante në duar një bohçe, që m’a zgjati mua. – “Këto janë për ty”! Ndërkohë Hilmiu, më dorëzoi thesin: – “Edhe këto janë të tuat, vëri te vendi yt”! Por unë s’kisha vend, sepse ende s’kisha plaçka. Njëherë mendova t’i fusja direkt në raftin nga i nxorën, pastaj ndërrova mendje. Kërshëria të shihja ç’përmbante thesi, më shtyu të ndërroja drejtim. Hodha thesin në krahë e bohçen në dorë dhe iu drejtova kuzhinës private. Desha ta zbrazja, të shihja ç’më kishin lënë, ani pse dhuratat nuk vlerësohen. Mezi prisja t’i gëzohesha trashëgimisë sime të re, të fituar me një testament të çuditshëm: të falur nga një i sapo njohur, që s’do ta shihja më asnjëherë të vetme!
Zgjidha lidhësen e thesit, një bisht tigani u dha mbi të tjerët. E nxora. Ishte skrromë i zi, si brenda dhe jashtë. E afrova ta këqyrja nga afër, në paretet e tij, dallova dhjetëra shkarravina hieroglifësh, të gërryera me ndonjë majë gozhde apo thike por, ngaqë shtresa e lyrës kish vajtur një gisht, ishin të padeshifrueshme. E lash mënjanë, “do ta shohë ndonjë ditë me nge”, dhe i ktheva buzës së thesit, për të parë më në thellësi. Zgjerova grykën me gishta. Të ç’rregullta, ngucur pas njëra tjetrës, ishin ngjeshur tenxhere, sapllake, tasa alumini, ca lugë alumini e druri dhe në fund, sërish një tigan, po ky ish prej bakërri, i pakallajisur. I sërita të gjitha, në paretet e tyre me qindra germa, dhjetëra emra njerëzish, vendesh, datash, por gati të palexueshme, si të nxjerra nga tumultat e lashta. E ndava mendjen, ndonjë ditë me nge do t’i pastroja me rërë dhe do rrekesha t’i deshifroja hieroglifët, e epokës komuniste.
I zhyta sërish në thes e lidha gjalmin. Zgjidha bohçen; në krye një këmishë pupuline, përshtatur si bluzë, çarë midis qafës, nën të edhe dy këmisha të tjera të palosura me të njëjtin kujdes, më poshtë ende dy palë benevrekë, një kostum burgu dhe në fund, një peliçe pambuku, e dy kapele të bardha. Veçova peliçen. Të tjerat, i mblodha sërish në mësallë, i lidha dhe i lashë mënjanë. E vesha, çuditërisht më erdhi pas shtatit, si ta kishin prerë në masën time. Ndjeva të më ngrohej trupi. Instinktivisht, futa duart në xhepa të më ngroheshin, kur gishtat prekën një letër. E nxora, e shpalosa; ish një dopio-fletë e shqyer nga mesi i fletores, mbushur në të dyja anët me një shkrim të gjerë e të trashë. U ula mbi bohçe e nisa të lexoj.
Fatkeqësisht, në vitet e burgut, më transferuan disa herë. Në ecejaket nga njëri kamp në tjetrin, s’pata mundësi ta ruaja atë copë letër. Më humbi në kontrollet e herë pas hershme, por në kujtesë, më ka mbetur përmbajtja, të cilën po e paraqes në pak rreshta, ashtu si më vjen ndërmend sot. Niste me “I dashur Shkëlqim” dhe vazhdonte me një përshkrim të dënimit të parë, në moshë minore. Fliste pastaj për historikun e ri dënimit pas arratisjes nga Rinasi dhe peripecitë që i qenë dashur të përballonte mbas këtij akti; zgjatej me detajet e transferimeve nga njëri burg në tjetrin dhe kamp më kamp, për historikun e çdo sendi që po më linte trashëgim dhe jetëshkrimin e pronarëve të tyre të parë. Mbas kësaj, renditeshin një varg pafund këshillash, për shembull: si duhej të sillesha, si të zgjidhja miqtë pa gabuar, si të reagoja në rastet specifike, etj. Në fund mbyllej me fjalët që do t’i citoj tekstualisht, të paktën ashtu si më kujtohen:
“Tani mbas kaq vitesh, më erdhi radha të lirohem, gjë që s’e mendoja prej kohe! Të njëjtën, të uroj edhe ty! Por në vitet e gjata të burgut, trashëgova nga bashkëvuajtësit që liroheshin, këto sende, që po t’i lë ty! Arsyet përse po t’i lë, janë dy që njëkohësit, janë edhe kushte: 1 – Kur më dënuan, isha më i vogli në kamp. Si i tillë, gëzoja dashurinë e më të moshuarve që shihnin te unë, djalin e tyre e, më këshilluan për mënyrën e sjelljes dhe se si duhej të shtyja vitet e burgut. Po t’i kisha dëgjuar, do isha liruar me vakt, mbase s’do ishim pjekur kurrë! Por unë s’ia vura veshin trurit të tyre, po dëgjova zemrën time dhe, e pagova. Kur ata plotësonin dënimin, si më të riut, plaçkat m’i lanë mua, por me amanetin, që kur të vinte dita të lirohesha, t’ja lija po më të riut. Kështu po veproj!
2 – Ditën që të takova, gjeta veten në kohën e dënimit të parë, njëkohësisht vura re një karakter të qëndrueshëm. Kur të dënuan me birucë, sikur m’u lëkund paksa besimi, por kur Dom Marku më foli për qëndrimin në qeli, ndërrova mendje dhe thashë; më mirë se ti, kush do ma shpjerë amanetin në vend? dhe vendosa të të klasifikoj fitues. Pra, kushti është ky: Këto plaçka, do mbeten brenda kësaj dere, kur të vij dita e lirimit dhe qoftë sa më e shpejtë, këto sende, do t’i dhurohen një tjetri, që të plotësojë kushtet, që mendoj se plotësove ti”.
P.S. “Të gjitha po i lë te Refat Arixhiu, i cili më zëvendësoi në depo, por dorëzan është filozofi Hilmi Leka. Ti nuk e njeh, po ai do të takoj vetë. Te Refati, po të le edhe një velencë. Të përqafoj miqësisht edhe pse s’e patëm kismet të takoheshim fizikisht! Zoti të ndiftë dhe dalçë sa më pare, me faqe të bardhë”! E. SH. firma. Eminin s’e takova më asnjëherë në jetë, as në burg dhe as në liri, por porositë dhe amanetin që më la në atë copë letër, e çova në vend, ndoshta jo aq strikt sa këshillonte ai, po me siguri ia dhurova më nevojtarit, patriotit të tij G. Medollit, që do dënohej dhe ri dënohej disa herë, deri afër viteve nëntëdhjetë. Po kjo, u takon kapitujve të tjerë. U ktheva në depo. Refatin e gjeta atje ku e kisha lenë, te pragu i derës, veçse tashmë vet i dytë. Me një tjetër mustaqemadh, po luanin domino.
“Qenkan bërë dy arixhinj bashkë, prite tani kur të fillojnë me llaka- llaka, e të më lodhin trutë”! Mirëpo ai tjetri, vërtetë kishte mustaqe të mëdha po të verdha e, të përdredhura drejt veshëve. Ishte bardhosh, biond, rreth të tridhjetave, trup shkurtër e, mesa dukej, i zhdërvjellët. Kjo binte në sy nga dinamizmi, si i përplaste gurët mbi kompensate. I përshëndeta por s’qëndrova. Hyra brenda, vura thesin në raftin ku etiketa me emrin E. Shehun s’ish hequr ende, e sistemova dhe bëra të largohesha. Sapo mora udhë, Refati më luti të qëndroja: – “Prit nja dy minuta sa të mbyll këtë dorë”, se kam edhe diçka tjetër për ty. U ula në bisht aty pranë, me sy ngulur mbi dominotë. Mustaqe-verdhi çoi kokën dhe kur vuri re kuriozitetin tim, pyeti: – “Do të lozësh? Po deshe, hajd, bëjmë një treshe”? – nga theksi dukej lab. – “Jo, s’para ja shkrep për domino”! – ia ktheva. – “Si të duash! Ore, nga të kemi”? – “Nga Berati”.
– “Dre, dre, po qenkemi zëre patriotë a derëbardhë, unë jam nga Salaria! Jemi nga jugu, a derman”! – dhe u ngrit e më zgjati dorën. – “Et’hem Hito”! – m’u prezantua. – “Gëzohem, Shkëlqim Abazi”! – i thashë me dorën shtrirë. Ndërkohë Refati u dha me një rrotull të lidhur në mes, me spango. Kur doli me të në duar, mustaqe-verdhi e pyeti: – “O Refat, mos është ai i qyrekut ky, ore”? – më hodhi një vështrim të habitur. Ndoshta pas qyrekut priste të shihte ndonjë gjigant, siç do më qëllonte me të panjohurit e tjerë, që kishin dëgjuar këtë histori, po s’më njihnin personalisht. – “Po, ky është”! – pohoj arixhiu. – “Dre-eee, dre-eee”! – lëshoi këtë pasthirrmë dhe heshti labi, me sytë ngujuar mbi mua. E kuptova çudinë; legjendat i shndërrojnë qeniet e zakonshme, ca në kolosë e, ca në liliputë, pa qenë aspak të tillë, po thjeshtë njerëz si gjithë të tjerët.
– “S’të kuptoj, ç’ka për t’u çuditur”?! – e nxora nga topitja unë. – “Jo, or jo, s’ka gjë! Po, se si të mendoja më ndryshe. Ajo që bëre ti, për ne që s’të njihnim, ishte e veçantë, ndaj edhe përfytyrimi kështu ishte, i veçantë. Po hajd, këtu jemi, do njihemi”! – dhe më zgjati kutinë e duhanit. Drodha cigaren, e ndeza dhe iu mora leje. U largova me rulon në dore. Fillimi i mbarë, thonë është gjysma e punës! Kështu, me Et’hemin dhe Refatin, do bëheshim miq të mirë. Murtaja komuniste, u përhap si epidemi, pothuaj në gjysmën e vendeve, më të vobektë të botës. Për të garantuar mbijetesën, përsosën demagogjinë, gjasme do ish sistemi që do përmirësonte situatën social- ekonomike të shtresave në nevojë. Si mjet për zbatimin e dogmës pa bazë, zgjodhi, zhvilloi e zbatoi luftën e të kundërtave. Te ne urrejtja klasore, mbërriti pikun, u përhap me shpejtësinë e rrathëve koncentrikë.
Lufta në gjirin e shoqërisë shqiptare, nisi që nga shtrati martesor ku gruaja spiunonte burrin; u fut në familje, ku djali apo vajza përgjonin babanë e nënën; në fis, në fshat, në lagje, në rajon, në qytezë, në qytet, ne krahinë, në ndërmarrje e kooperativa bujqësore; në shkolla c universitete, në stadiume e reparte ushtarake dhe deri në kopshte e çerdhe; në jugë e në veri, në lindje e në perëndim; në racë e në etni, deri edhe në gjirit e vet Partisë së tyre, madje u zhvendos edhe brenda në burgje; me një fjalë infektoi çdo qelizë. Gjithkund mbretëroi spiunllëku e censura; ato stimuluan heshtjen, dhe heshtja nxiti dhunën.
Nën okelion e luftës; “të gjithë kundër të gjithëve”, paranoja e paskajshme e Drejtuesit Kryesor, u transmetua te Partia-Shtet; si pasojë e mosbesimit plasi murtaja, efektet e saj ranë mbi gjithkënd pa dallim; të moshuar, të rinj, burra, gra, madje edhe fëmijë e kyçën gojën. Heshtje, heshtje dhe heshtje! Kush merrte guximin të shprehej, i gjenin vendin; kështu askush s’thosh ç’mendonte, po i impononin vetvetes censurën: “Më mirë një gojë e qepur, se një kokë i prerë”! Kur s’mbeti kërkush të fliste, nisën të ndëshkonin edhe heshtjen. Për të ruajtur kuotat e dënimeve politike dhe të mbanin ndezur fitilin e bombës “kllasore”, i mbushën burgjet plotë me kundërshtarë, po edhe me “pseudo-kundërshtarë”, mbështetës. Dënonin pa dallim, si; “armiq”, të vjetër dhe të rinj. Mjerë kë zuri rrota!
Gjeta nëpër burgje politikë, që nga antikomunistët e vjetër, të inkuadruar në disa parti kundërshtare, deri të komunistët më fanatikë, që edhe aty ku “dhisnin në teneqe”, s’e besonin që gjendeshin në burg, si pasojë e paranojës, por e gjykonin veten viktima të një gabim njerëzor dhe shpresonin që gabimi të ndreqej së shpejti! Madje këta bartës të pandreqshëm të këtij mentaliteti të mbrapshtë, arrinin deri në atë shkallë marrëzie, sa për çdo festë kombëtare apo partiake, përvjetorë lindje apo përkujtimore, t’i uronin jetë të gjatë, Drejtuesin Kryesor dhe lakenjve të tij. Kish ndër ta, të vetëquajtur revizionistë që shpëtimin e shihnin te Bashkimi Sovjetik dhe Demokracitë Lindore dhe, që aty nga burgu, luftonin me zell të tepruar imperializmin amerikan e, bllokun Evropiano – Perëndimor. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016