Nga Fatos Baxhaku
– Prapaskenat mbi Shqipërinë, në ditarin e fshehtë të “njeriut të Lajpcigut” –
Memorie.al / Duhet të kenë qenë kohë të vështira 16 vjetët e fundit të Gjergj Dimitrovit, përndryshe nuk ka se si shpjegohet hermetizmi, që nga njëherë përfshin të gjithë materialin kolosal të përmbledhur në “Ditarin” e tij. Asnjë koment, mbi ato ç’ka ai ka hedhur me skrupulozitet në letër. Asnjë qëndrim i tipit mirë apo keq, vetëm data emra dhe fjalë të thëna nga të tjerët. Madje edhe ngjarja më tragjike e jetës së tij, vdekja e djalit, Mitja, gjatë rrethimit të Moskës, kalon thuajse në heshtje, vetëm duke mbajtur shënim data dhe emra profesorësh. Hera-herës del në shesh edhe gruaja e tij austriake, porse pjesa tjetër e ditarit, është më shumë një mburojë për të kujtuar fakte, në rast se do t’i duhej të mbrohej.
Në këtë lëmsh të ngatërruar emrash gjeografikë, shkurtimesh të rënda institucionesh sovjetike, frazash të hedhura larg e larg, mbledhjesh të stërzgjatura, është vështirë të gjesh emrin e Shqipërisë. Më kollaj mund të gjesh mungesën e saj, atëherë kur ajo normalisht duhej të ishte prezente. Ky detaj është përdorur më poshtë, për të zbuluar mendjet e të mëdhenjve të komunizmit, lidhur me të ardhmen tonë. Gjatë shfletimit të “Ditarit”, do të zbulojmë ëndrrën e Titos, për të pasur një Jugosllavi edhe më të madhe, pastaj hapat e parë që u hodhën, për të realizuar idenë e Dimitrovit, për krijimin e një konfederate ballkanike dhe vendin që do të zinte Shqipëria në të.
Misteri më i madh mbetet qëndrimi i Stalinit. I përkryer në stilin e tij prej diktatori, Stalini duket se nuk është shfaqur asnjëherë hapur, me ndonjë përjashtim të rrallë. Një Ballkan i bashkuar, qoftë edhe nën flamurin e komunizmit, do ta vinte disi në siklet supremacinë e porsakrijuar të Bashkimit Sovjetik. Nga ana tjetër Stalini, ende nuk mund të vepronte në kundërshtim me atë që ishte vendosur në “pazari” e Jaltës. Ja përse diktatori herë hapur, por më shumë fshehur, i kundërshtoi gjithmonë tendencat bashkuese në Ballkan.
Duket se pikërisht nga kjo situate, ka përfituar Enver Hoxha. Në një Shqipëri nën Jugosllavi, apo në një Konfederatë, ai do të ishte vetëm një nën punës i çfarëdoshëm i shtetit të ardhshëm gjigant ballkanik. Me shkathtësi varet shpejt në ganxhën e Stalinit dhe vazhdon të drejtojë edhe për 40 vjet të tjera. Ja përse në Tiranën komuniste, deri vonë, Stalini kujtohej gjithnjë me admirim.
Më në fund na zënë me gojë
Edhe për të parën herë në “Ditar”, Shqipëria, me këtë emër, përmendet e lidhur me Jugosllavinë dhe me hallet që kishin partizanët e Titos. Është pranvera e vitit 1942 dhe partizanët ende të paktë në numër të Titos, kishin nisur të hasnin në vështirësitë e para. “Duhet të na ndihmoni, sepse partizanët tanë po bien në duart e armikut, i cili më pas i dërgon në kampe përqendrimi në Shqipëri”, i shkruan Tito me ankth Moskës. Në Kremlin, ende nuk e dinin mirë se me kë kishin të bënin. Dinin vetëm se “Valter” – kështu ishte pseudonimi i Titos gjatë Luftës – kishte filluar të lidhej me anglezët. Historia e kampeve të përqendrimit, na kujton Miladin Popoviçin, të internuar në Shqipëri. Pas 1942-it, do të na duhet të presim shumë gjatë, deri sa Dimitrovi të kujtohet sërish për ne shqiptarët.
Ballkani i pasluftës
Në janarin e 1945-ës, entuziazmi në Kremlin ishte në apogje. Armata e Kuqe po avanconte kudo, ndërsa gjermanët e paktë të mbetur, kishin nisur të shpartalloheshin. Që në këtë kohë kanë nisur planet për gllabërime territoresh, për qeveri fantazëm dhe me histori të ngjashme, me të cilat është mbushur periudha e “Luftës së Ftohtë”. Hapin e parë “për bashkim” e propozojnë jugosllavët. Dimitrovi ishte dakord në parim, porse jo në detaje.
“Sipas meje – shkruante Dimitrovi në prill 1944 – orientimi më i preferuar për Ballkanin dhe për Bashkimin Sovjetik, do të ishte krijimi i një federate të sllavëve të Jugut, të formuar nga bullgarët, serbët, kroatët, sllovenët, malazezët dhe maqedonasit, mbi baza barazie. Në këtë federatë, Maqedonia mund të fitonte lirinë dhe integritetin kombëtar dhe nuk do të ishte më një mollë sherri, mes shteteve ballkanike, porse të flasësh për këtë publikisht tani dhe të përhapësh parulla të tilla, sipas pikëpamjes time, është e nxituar dhe ndoshta e dëmshme”.
Stalini merakoset menjëherë. Në janarin e 1945-ës, ai i shkruan Dimitrovit: “Ne duhet të mbështesim si Jugosllavinë, ashtu edhe Bullgarinë, nëse atyre i ndodh diçka. Por për këtë ata duhet të merren vesh me ne, për iniciativat e tyre të rëndësishme, ose të paktën të na njoftojnë gjërat e tyre…”! Dimitrovi duket se është përpjekur t’a realizojë qëllimin e tij edhe për shumë kohë të tjera, edhe pse tashmë në Krime, tre fituesit e kishin ndarë Ballkanin, në copa letre. Marrëdhëniet me Titon, nuk kanë qenë edhe aq të mira.
“Është mendjemadh, e nënvleftëson kompleksitetin e situatës dhe vështirësitë që na presin përpara, ka një lloj dehjeje nga suksesi…”, shkruan në shënimin që mban datën 8 prill 1945. Diskutimet për shtetin e ardhshëm, do të vazhdojnë, porse nuk do të kenë kurrë sukses. Dimitrovi donte një konfederatë jugosllavo-bullgare. Tito këmbëngulte në idenë e një federate ku Serbia, Bullgaria dhe ndoshta dhe të tjerët, të kishin të drejta të barabarta. Me pak fjalë, në kthimin e Bullgarisë në një republikë jugosllave. Mund ta imagjinojmë lehtësisht se çfarë mendonte për Shqipërinë, të cilën tashmë e kishte krejtësisht në dorë.
Janar 1948, protokolli sekret i Kremlinit
Andej nga fundi i vitit 1947 dhe fillimi i 1948-ës, entuziazmi i Dimitrovit kishte shkuar aq larg, sa që të propozonte krijimin e një Konfederate, të të gjitha vendeve të Europës Lindore, ku kishte fituar komunizmi. Në konfederatë, sipas tij do të përfshihej edhe Greqia. Ndërkohë, bisedimet mes bullgarëve dhe jugosllavëve, po shkonin gjithnjë e më keq, ndërsa Tito i kishte hyrë sfidës së madhe, duke e shpërfillur Stalinin. Një zgjerim i pushtetit të tij edhe në Shqipëri dhe në kufijtë e Greqisë, do ta bënte atë shumë të fuqishëm, ndërsa aleatët anglo-amerikanë, do të inatoseshin keqas.
I alarmuar, për ato që po ndodhnin në Ballkan, Stalini i thërret të dy palët në Kremlin. Në 10 shkurt 1948, në një nga sallat e rënda të Kremlinit, nisin bisedimet. Nga pala sovjetike morën pjesë: Stalin, Mollotov, Zhdanov, Malenkov dhe Zorin. Jugosllavët kishin dërguar, Kardelin, Gjilasin dhe Bakariçin. Bullgarët nën drejtimin e Dimitrovit, ishin: Kollarov dhe Trajço Kostov. Në këtë mbledhje të mëdhenjtë e Kremlinit, kujtohen më në fund për Shqipërinë. Pjesë nga këto bisedime, është më mirë të botohen pa koment, ashtu sikurse i ka shënuar Dimitrovi në Ditar…!
Pjesë nga “Ditari” i Dimitrovit, për bisedimet me Stalinin
Mollotov: “Midis nesh, bullgarëve dhe jugosllavëve, ekzistojnë divergjenca të mëdha që duken kryesisht në tre çështje thelbësore: marrëveshja bullgaro-jugosllave, intervista e shokut Dimitrov, dhe futja e trupave jugosllave në Shqipëri (…). Rastësisht mësuam se në fund të janarit, do të futej në Shqipëri një divizion jugosllav. Ky do të vendosej në kufirin shqiptaro-grek dhe do të zmbrapste një sulm grek, të mbështetur nga anglo-amerikanët.
Shokët jugosllavë, nuk na patën paralajmëruar për këtë. Kur e pyetëm Titon, ai u përgjigj kështu: Do të bënim një bazë ushtarake jugosllave në Shqipëri, për mbrojtjen e përbashkët të kufirit. Shqiptarët na thanë se ishin të bindur se kjo po bëhej me miratimin tonë. Nga kjo rrjedh që ne e vlerësojmë ndryshe gjendjen në Shqipëri. Kjo është një divergjencë së cilës nuk mund t’i anashkalohet(…). Pa konsultime për të tilla çështje nuk duhet të veprohet në interes të çështjes dhe të marrëdhënieve tona të përbashkëta (…).
Stalin: “(…) Sa i takon Shqipërisë, duket se shokët jugosllavë e kanë marrë punën lehtë. Gjatë kohës së Luftës, tre fuqitë aleate njohën pavarësinë e Shqipërisë. Dhe thanë se do t’a mbrojnë atë. Nga të gjitha hallkat e luftës, mes reaksionit dhe demokracisë, Shqipëria është pika jonë më e dobët. Ajo nuk është pranuar ende në Kombet e Bashkuara. Anglezët dhe amerikanët, nuk e njohin atë. Çështja është e qartë. Vend të tillë kaq të dobët, nuk ka. Vetë Shqipëria në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk është e mbrojtur. Sikur Tito të çojë atje divizione, apo qoftë edhe një batalion të vetëm, kjo s’do të mund të bëhet fshehurazi.
Ata do të fillojnë të thërrasin se Shqipëria, është e pushtuar. Se mos i kërkoi ndihmë Shqipëria Jugosllavisë? Dhe atëherë batakçinjtë anglezë dhe amerikanë, do të dalin me flamurin e mbrojtësit të pavarësisë shqiptare. Cili, me përjashtim të ndonjë njeriu të paarsyeshëm, do t’i vihet punës të formojë një front krejtësisht të pambrojtur?! Tani duhet që të forcohet ushtria shqiptare. Le t’i jepen asaj instruktorë e armatim. Pastaj, nëse Shqipëria do të sulmohet, ajo duhet t’i drejtohet për ndihmë Jugosllavisë (…).
Shihni luftën që ka plasur në Kinë dhe ne atje nuk kemi asnjë ushtar tonin. Se mos shqiptarët janë më të këqij se kinezët. Mësojini ata, armatosuni ata, pastaj dinë vetë se si të mbrohen. Është mirë që ata t’a mbrojnë vetë pavarësinë e vendit. Amerikanët vështirë se sulmojnë vetëm. Përndryshe sulmi i tyre do të dobësohej. Ju këto gjëra i merrni lehtë, ndërsa ato janë aq të ngatërruara. Sikur partizanët grekë të mundeshin a do hynit ju në luftë”?
Kardelji: “Jo”
Mollotovi: “ (…) Shokët jugosllavë nuk lejuan që Shqipëria të blejë prej nesh, 5.000 ton tërshërë dhe e çuan të kërkojë andej nga Argjentina (…)”.
Stalini: “(…) Jugosllavët duket se kanë frikë, se ne po i’a heqim Shqipërinë. Shqipërinë ta merrni, por me zgjuarsi. (…) Vetëm tre federata janë të mundshme dhe reale: 1. Jugosllavi-Bullgari, 2. Rumani-Hungari, 3. Poloni-Çeki. Konfederata mes të trejave, është e pamundur (…)”.
Kardelji: “Ne mendojmë se në bashkimin me Bullgarinë nuk duhet të shpejtohemi për arsye ndërkombëtare, sepse kjo mund t’a vështirësojë gjendjen”.
Stalini: “Këtu gaboheni. Ju nuk duhet të vonoheni në bashkimin e tre vendeve. Jugosllavi, Bullgari, Shqipëri. Por është e domosdoshme që asambletë kombëtare, të porosisin udhëheqjet e tyre, që të nisin procedurat për bashkim. Është më mirë që të fillohet me bashkimin politik dhe pastaj të dërgohen trupa në Shqipëri, sepse kjo do të shërbente si pretekst për sulm. Pa pasur Traktat Paqeje me Bullgarinë, është i parakohshëm krijimi i federatës. (…)
Federata i zgjidh të gjitha problemet. Afërsia mes bullgarëve e jugosllavëve si në racë ashtu edhe në zakone është shumë e madhe dhe të gjithë do ta kuptojnë këtë bashkim. Por edhe shqiptarët do të fitojnë nga federate, sepse do formohet një Shqipëri e bashkuar, me pothuaj dyfishin e popullsisë (…)”.
Katër ditë më vonë Mollotovi drejton ceremoninë ku firmoset protokolli, sipas të cilit Jugosllavia dhe Bullgaria, angazhoheshin për një bashkim sa më të shpejtë.
Pavarësisë së Shqipërisë i ishte prerë një biletë pa kthim. Për fat, kontradiktat e thella mes Titos e Stalinit, ishin bërë ta papajtueshme. Pak kohë më vonë në Tiranë, mbërrin letra demaskuese nga Kremlini. Shqipëria kishte shpëtuar, porse e destinuar të mbetej, vetëm nën Enver Hoxhën.
Historia e një ditari
Gjergj Dimitrovi, nisi të mbajë ditar nga marsi i vitit 1933, atëherë kur i duhej të përballej me akuzat e ngritura nga nazistët. Që nga ajo kohë ai nuk rreshti së shkruari thuajse çdo ditë, përgjatë 16 vjetëve. Takime, shënime nga mbledhje të ndryshme të rëndësishme, emra njerëzish të famshëm të lëvizjes së atëhershme komuniste, por edhe fatkeq të fshirë nga defteri i kohës, të gjitha këto mundën t’i rikthehen historisë vetëm tash së fundi.
“Ditari” voluminoz i Dimitrovit, përmbledh dy faza të rëndësishme. Faza e parë, janë vitet e punës në Moskë (1934 – 1945) dhe faza e dytë dhe e fundit, janë vitet e pakta, gjatë të cilave drejtoi Bullgarinë, pra periudha 1945 – 1949. Pas vdekjes së tij, për shumë e shumë vite, “Ditari”, bëri një gjumë të rëndë në arkivat e Partisë Komuniste Bullgare, derisa më 1990, dikush u kujtua t’ua shkulë pluhurin dhe t’i botojë. “Ditari” nuk kishte se si të botohej, pa marrë më parë miratimin e familjarëve të Dimitrovit.
Vetë Bojko Dimitrov, djali i Gjergjit, rrëfen në një nga parathëniet e tij, se nuk e pat pritur edhe me aq entuziazëm botimin e librit. “Në vitin ’90-të, gjithçka ishte ende e turbullt dhe ditari i babait mund të shkaktonte edhe keqkuptime apo telashe”, shkruan Bojko Dimtrov, ish-Ministër i Jashtëm i Bullgarisë. Porse Bojko gabohej. Botimi i parë i “Ditarit” në Sofje, u prit me shumë kuriozitet.
Falë tij shumë pjesë të errëta të historisë, nisën të sqarohen. Menjëherë pas kësaj “Ditari” u botua në gjermanisht dhe më pas e drejta e botimit, u ble nga Yale University, në SHBA-ës. Pak muaj më vonë ka dalë në dritë në Itali, një version i tij që përfshin vetëm vitet e qëndrimit në Moskë, (Georgi Dimitrov, Diario, Gli anni di Mosca (1934 – 1945), Einaudi, Torino 2002, 968 faqe, çmimi 55 Euro).
Njeriu qe mposhti Hitlerin
Georgi Dimitrov (Kovaçevci 1882 – Moskë 1949) në vitin 1919, ishte ndër themeluesit më kryesorë të Partisë Komuniste Bullgare. Nga viti 1929, deri më 1933, drejtoi në Berlin Zyrën për Europën Perëndimore në Komintern. U arrestua në mars të 1933, me akuzën se kishte organizuar djegien e Raijhshtagut. Mbrohet energjikisht në procesin e Laipcigut, duke u shndërruar në një simbol të lëvizjes antifashiste.
Që nga shtatori i vitit 1934, vendoset në Moskë, ku mbulon detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kominternit, prej vitit 1935 e, deri më 1943. Pas shpërndarjes së Kominternit, ishte përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë, të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Kthehet në Bullgari më 1945, duke u bërë lider i padiskutueshëm i saj. Vdiq në Bashkimin Sovjetik, ku kishte vajtur për t’u kuruar. Vdekja e tij, si e shumë liderëve të tjerë komunistë të kohës, ende është e mbuluar me një hije misteri. Memorie.al