Nga Lek Pervizi
Memorie.al / Kush e kishte mendue se do të vinte dita që unë të shkrueja për Lemin, ndërsa kishte njerëz të tjerë të atij niveli, bashkëvuajtës e kolegë, që mund të paraqitnin figurën e tij, si njeri, si intelektual, si shkrimtar, si përkthyes, si profesor e si i burgosun dhe i internuem, me dënim të përjetshëm?! Unë që mund të quhesha një nxanës i tij, m’u dha rasti ta njoh e të bashkëjetoj me të ndër kampe të ndryshme, në një moshë fare të re, ku diktatura na kishte pllakosë, pa shpresë shpëtimi! Në fakt isha i parapërgatitun për ta njohun, sepse më kishte folë vllai im, Valentini, që kishte kalue bashkë me të, dy vjet në burgun e Shkodrës. Lemi me shokë ishte dënue në një seance gjyqësore, ku kishte spikatë egërsia shtazarake e prokurorit famëkeq Aranit Çela. Pretenca u kishte kalle tmerrin, sa që prisnin një vendim për pushkatim, gjashtë veta si zakonisht, ndër ta Guljelm Deda, mësuesi kosovar Zef Agimi, Mark Temali, Nush Doda dhe dy të tjerë.
Për çudi të të gjithëve, shpëtuen me dënime të lehta në dukje, por që zgjatën pastaj një jetë të tanë. Ishte e vetmja seancë që nuk pati dënime me vdekje, të atyne seancave që kishin çue në pushkatim, me qindra intelektualë e patriotë shkodranë. Aranit Çela, xhelat i vërtetë, merrte pjesë personalisht e me dorën e vet, në ekzekutimet! Koha kalonte, Lemi i bani pesë vjet burg e kampe pune, prej ku doli gjallë kot, punë fati! Kur ja, “dora e Partisë” e kapi prapë me kthetrat e saj dhe e degdisi në kampin e Shtyllasit, bashkë me shumë shkodranë dhe të tjerë bashkatdhetarë, të fajshëm vetëm se lëshonin hije mbi dhe! Pjesa ma e madhe, intelektualë të spikatun, ish-ministra, drejtora, oficera madhorë, personalitete, profesorë, filozofë, klerikë të shquem, shkrimtarë, piktorë, muzikantë, inxhinierë, juristë, agronomë, studentë, e tjerë, me disa doktorata e me disa gjuhë të hueja në zotnim.
Mes tyne dhe bijt e të arratisunve të randësishem. Unë e Valentini, u përfshime në këtë valë, dhe përfunduem po atje, bashkë me bij të tjerë baballarësh. Kështu unë e njoha Lemin dhe menjëherë u miqësuem, pavarësisht nga diferenca e moshës. Na afroi drita e jetës dhe e pishtarit të zjarrtë të Prometeut, heroj i pavdekshëm i gjithë atyne që vuejnë të mbërthyem në prangat e tiranisë njerëzore, që mishërimin ma të kobshëm e kishte në diktaturën komuniste, që po bante kërdinë mbi popullin shqiptar. Që po çfaroste shtresën ma të ngritun intelektuale dhe patriotë të atdheut e Kombit! Një përfaqësues i denjë i kësaj shtrese elite, ishte patjetër dhe Guljelm Deda.
Katër vjet i kaluem në kampin e Kuçit, hiç si sasi numërore, por që nuk kalonin kurrë. Atje, në të njëjtën dhomë, të mbërthyem nandë veta. Lemi në qoshen lindore, e me radhë, Valentini, Fatbardh Kupi, unë bri derës. Përballë nesh, nga qoshja perëndimore, Nikoll Paluca, Pjetër Bardheci, Zef Shiroka, Tomorr Dine, Ibrahim Sokoli e Thabit Rusi. Dhoma jonë u ba qendra e gjithë kampit, dhe mbushej gjatë ditës deri në mbramje, plot e përplot me njerëz, me tym duhani, me llafe e fjalime, me disertacione e referate, me lexime e recitime, me kangë e tinguj muzikore, me britma e vikama. Komanda na kishte lanë të lirë të bridhnim nëpër dhomat, por për çudi, të gjithë grumbulloheshin vetëm në dhomën tonë, që mori namin e një auditori akademik. Kur fillonin debatet, ato zhvilloheshin me za të naltë e me pasion të zjarrte, me na e pasë zili oratorët e mëdhej, Demostenët e Ciceronët e lashtësisë. Ali Erebara na lexonte çdo natë, një libër me histori mbretnish, që kishte përkthye nga kroatishtja, (zotëronte 12 gjuhe!).
Lemi e ngriti çështjen në nivel akademie, me 50 e sa intelektualë që ishin mbledhun aty me kokrra. Familjet që vinin në takim, kishin sjelle libra të zgjedhun. E gjithë letërsia frënge e angleze, u shfletue ma se njëherë, me kontorno nga kultura italiane e gjermane. Të rinjtë mësonin sa u dilnin trutë :frëngjishten, anglishten, gjermanishten, italishten, e doli Myqerem Bej Janina, për mësimin e turqishtes. Ishin të tjerë që zotnonin gjuhët evropiane, si gjermanishten, anglishten, frëngjishten, italishten, gjuhët sllave, romanishten, greqishten, etj. etj. Emnat e tyne, e tregojnë: Mikel Koliqi, Ali Ererbara, Mitat Araniti, Lazër Radi, Ali Cungu, Sander Saraçi, Zef Shiroka, Ibrahim Sokoli, Mark Temali, Baldasar e Zef Benusi, Nedim Kokona, etj. etj.
Ec e thuej pastaj se Kuçi, nuk u shëndrrue nga burg në universitet, apo Akademi. Ç’të qeshuna! Dikush propozoi të baheshin dhe dipllomat. Fajin e pata unë, që s‘i vuna rëndësi dhe nuk i vizatova. Do kishte qenë një punë e pashoqe! Dhe ja, i erdhi Lemit një libër. Ia solli vëllai, Pashko. Ishte poemi epik “Orlando Furioso”, i Ludovik Ariostos, 40 mijë vargje në dymijë oktava me rime, një kryevepër e letërsisë italiane dhe botnore. Duhej përkthye, sepse askush nuk e kishte marrë përsipër, atë barrë të randë. Pashko Gjeçi, Henrik Lacaj e Mark Dema, ia kishin rekomandue Lemit. Aty, në atë qoshe gjysmë të errët, mbi një fletore kalamajsh, filluen të radhiten shqip, vargjet e poezisë klasike të Ariostos, oktavat e të cilit ishin përcaktue “të arta”, për bukurinë e përsosmërinë e tyne. Lemi ynë, po i radhiste po aq bukur dhe po aq përsosmënisht, në gjuhën e Gjergj Fishtës.
Që në fillim, u pa se vepra që ai kishte nisë, pa asnjë perspektive fitimi, ishte vetëm si një përkushtim dhe një mundësi të vënies në lëvizje të trunit dhe të aftësive që diktatura donte të shuente. Sa të luente domino, apo spathi e, deri “bridge”, shah, cicmic, e tjera, ma mirë me lexue apo radhitë njato vargje njëmbëdhjetërrokëshe, me rimë. Krijimtaria e Lemit, sikur e shumë të tjerëve, ishte bllokue që në nëntor 1944. Një poem historik “Vegim” që ai kishte nisë në burgun e Shkodrës, nën vrullin e një frymëzimi të papërmbajtur, mbeti i gjymtuem vetëm në pese tingëllime, gjithsej 60 vargje njëmbëdhjetë rrokshe. Biles tre vargjet e fundit, pritën me durim të stërmadh, plot 46 vjet, që të radhiteshin përfundimisht, prej një dore që tashma dridhej. Torturat e mundimet, e kishin sfilitun atë trup të gjallë, e të lidhun! Diktatura kënaqej, kur merrte vesht të tilla gjana.
Por të rikthehemi atje maje Kuçit, ku ndizej flaka e dijes. Ishim në vendin e shqopës. Vendosa të gdhend një çibuk, Prometeun e lidhun, atë hero që na frymëzonte e në të cilin e ndienim veten të misheruem. Kisha pasë sajue një thikë me një copë helmetë gjermane, qysh në kampin e Tepelenës. Çelik i përsosun! Me atë iu vuna punës. Në fakt kisha gdhendë për qejf të duhanxhive miq, çibukë me koka luajsh, pleqsh, satirash, delfinash, e tjera. Kështu arrita të gdhend Prometen, e lidhun me zinxhirë pas shkambit, prej ku dilte tymi i duhanit, si prej një vullkani. Ndërsa shqipja ia kishte ngulë kthetrat e, ia sqeptonte mëlçinë. Ia dhurova Lemit. Gdhenda dhe të tjerë për shokë të ngushtë të vuejtjeve. Lemi u frymëzue dhe i thuri një poezi çibukut – Promete. Por nuk mbeti me kaq.
Ndërkohë kisha gdhendë një skulpturë të vogël, po në dru shqope, një luftim trup me trup, i një “dragoni ose kreshniku”, me një përbindsh “kulçeder”, që lidhej me legjendat popullore dhe njëkohësisht me gjendjen tonë, me qëndresë të papërmbajtur kundër diktaturës për-bindeshe të komunizmit, që mishërohej në kulçedrën gllabëruese. Edhe kësaj “vepre arti”, Lemi nuk ndejti pa i thurë disa vargje, që për fat kanë shpëtue në kujtesën time. Kjo poezi u shkrue në kampin e Gradishtës, 1958 – 1959.
Italishten unë e zotnoja mirë, sepse e kisha levrue në nivele letrare dhe për shqipen isha i prirun me i kapërcye rregullat e ngurta të thekseve, që i queja të kota, sepse e detyronin lexuesin të nxirrte tinguj të randë hundor e fytor. Veçanërisht për gegnishten letrare. Për këto probleme gjuhësore ishin krijue debate, dhe unë kisha mbrojtë tezën time, që Lemi ma kishte përkrahun. Kjo ide, nuk më kishte ardhë kot. Kisha pasë rastin të ndigjoja mendimet e disa profesorëve të letërsisë e gjuhës shqipe, si; Pashko Gjeçi, Henrik Lacaj, Mark Dema, Viktor Volaj. Qeshë i pari ai kujt Lemi i besoj, leximin e përkthimit, dhe vërejtjet e mija i pëlqyen. Përkthimi i dy kangëve të para, ishte i nivelit të naltë letrar. Por atje maje Kuçit, Lemi e pezulloi punën përkohësisht, sepse u pa se do të na hiqnin prej andej, për në fermën e Lushnjes, ku ishte krijue një sektor i ri, kampi i internimit të Gradishtës, mes kënetës, ku kishin çue familjet tona.
Ky përshkrim mund të quhet i panevojshëm për një parathanje, ndërsa mue më duket i domosdoshëm, për të hy në mbrendinë e asaj miqësie që lindi dhe u forcue në kondita të vështira dënimi, por nga ana tjetër dhe nga një përputhje mendore e shpirtnore, përsa i përket kulturës, artit dhe letërsisë. Vllai im Valentini, 10 vjet para meje, e pothuej moshatar me Lemin, kishte një miqësi të ngushtë me të, por për çështjet letrare e artistike, unë isha ma i afruem dhe ma në mirëkuptim. Prandaj, pas kaq vjetësh, kur Lemi doli në Itali, veprat e tija, m’i besoi të gjitha e prandaj unë vendosa që ta paraqes para lexuesve shqiptarë, ndonse kaq thjeshtë, por me një mbrendi shumë të thellë. Kjo mbrendi pra, del pikërisht nga ato letra, nga ato rreshta të radhitun me një dorë që dridhej e nuk i bindej, sa qe detyrohej të ia diktonte grues së tij besnike e të vendosun, Marie Muzhani, e bija e profesorit të mirënjohun shkodran, Luigj Muzhani.
Këto letra të pakta, janë testamenti i fundit shkrimor i Guljelm Dedës, dhe njëkohësisht një pasqyrë e mendimit dhe e shpirtit të tij të trazuem, nga pamundësia për të shpreh dellin e vet, krijues në vepra të denja letrare, me nivel të lart artistik. Prandaj, ndërmjet letrave, kam radhitë disa nga krijimet e tija poetike, se dhe komentin e bukur kushtue xhevahirit të poezisë epike popullore, kangës kreshnike të “Gjergj Elez Alisë”, e në mbyllje, parathanjen për studimin mbi gjuhën e Bogdanit në veprën “Cuneus Prophetarum” – ‘Çeta e Profetevë’, të përkthyeme prej meje shqip, nga teksti italisht që Lemi kishte hartue për të mbrojt laurën për letërsi – filozofi.
Për të plotësue dhe ma mirë ketë përmbledhje të krijimtarisë dhe të përkthimeve, do të paraqes edhe disa përkthime që ai mjeshtërisht kreu, nga gjuha shqipe në atë italiane, si dhe disa pjesë nga përkthimet në gjuhën shqipe. E pashë të arsyeshme, sepse nëpërmjet tyne, del në pah figura e ngritur e tij si njeri i kulturës, si shkrimtar, si poet i mirëfilltë, e si gjuhëtar.
Shkodra ka me kë mburret. Ajo ka nxjerrë vazhdimisht e në të gjitha kohnat, bij të denjë për ta përfaqësue e naltësue, qoftë heronj e burra shteti, po ashtu njerëz të dijes e të kulturës, njerëz të vendosun e të mbrujtun me shqiptarizëm të kulluet. Qyshë nga Buzuku, Budi, Bogdani, Barleti e, deri te Fishta, Mjeda, Gurakuqi, Koliqi, Camaj, Migjeni, e tjerë, të afirmuem historikisht, dhe te ata që mbeten akoma heronj e dijetar të heshtun, sepse u pllakosun në varrin e përbindshëm që diktatura e egër e barbare komuniste, e kishte gërrye me tytat e armëve vrasëse, e cila zbatoi politikën e huej e anmike të sllavizmit, për të zhdukë shqiptarizmin, që e merrte frymëzimin dhe forcën pikërisht nga shtresat intelektuale patriotike.
E në Shkodër, u bë kërdia! Zalli i kobshëm i Kirit, u mbush me gjak e me varre. Me gropa të përbashkëta që edhe sot e kësaj dite nuk u po gjenden eshtnat e viktimave. Shkodra vete u mbush me burgje. Gjyqet speciale, nen drejtimin e Josif Pashkove, Aranit Çelave, e me urdhën të “Partisë”, i çuen bijt ma të zgjedhun të Shkodrës, para skuadrave të pushkatimit e në burgje e kampe çfarosje e internimi, për gjatë një gjysmë shekulli! Ashtu mbaruen talente e burra që posa kishin fillue të afirmohen, si; Ndre Zadeja, Vinçenc Prenushi, Gjon Shllaku, te cilët u eliminuen ma lehtësisht se sa me këput një fije bari. Fatin e tyne ndoshta, mund ta pësonte edhe Guljelm Deda me shokë, por nuk ishte shkrue ashtu. Ata i priste një rrugë e gjatë mundimesh, një kalvar i pa përshkrueshëm vuajtjesh, për t’u asgjesue shpirtnisht, moralisht dhe mendërisht.
Por ja që mbijetuen dhe mundën me lanë gjurmën e tyne të pashlyeshme, në historinë e kulturës shqiptare. Sepse janë po ata bij të Shkodrës që i dolën zot lartësimit të letërsie botnore. E kjo ishte një meritë, por një meritë që kërkonte talent letrar e, kompetencë gjuhësore. Emnat e Pashko Gjeçit, Henrik Lacajt, Gjon Shllakut, Guljelm Dedës, Mark Demës, Injac Zamputit, etj., janë të shkruem me germa të arta në librin e nderit të qytetit të Shkodrës. Emnat e tyne lidhen me emnat e kolosëve të kulturës botnore, si; Homeri, Virgjili, Lukreci, Horaci, Ovidi, Dante, Ariosto, Tasso, etj., që ata i përkthyen e ia dhanë lexuesve shqiptarë
Në sektorin Plug të Lushnjes, filloi puna e vërtete e përkthimit, ku erdhi me u takue me Lemin edhe Mark Dema, i cili i solli një botim të mirë të “Orlando Furioso”, me mendime, udhëzime e kurajo. Mark Dema, e vlerësonte Lemin së tepërmi, dhe e inkurajonte të vazhdonte me ngulm atë përkthim që u duk që në fillim, i nivelit të lartë letrar. Lemi punonte në një brigadë ndërtimi, me të internuem. Shokët e punës e lehtësonin Lemin, duke mos e lejue në punë të randa. Në këtë mënyrë, ai kishte kohë e forcë për të luejt lapsin mbi rimat e vargjeve të Ariostos. Në 1962, u martue me Marie Muzhanin, e bija a Prof. Luigj Muzhani. Me ketë rast, Dega e Brendshme e transferoi në Savër, ku i caktuen një dhomë, në barakat e të internuemve.
Familja e Maries i dolën zot dhe Lemi iu vu përkthimit ma me ngulm. Në këtë kohë u ba një lirim, më 1964, dhe Lemi përfitoi. Çështja e përkthimit kishte arritë deri në sferat e larta shtetërore, kryesisht të Ministrisë së Brendshme. Kishte dalë një udhëzim për përkthimin e të gjitha kryeveprave të letërsisë botnore, që pat nismën me përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dantes nga Pashko Gjeçi. Por politika e diktaturës po merrte një kthesë ma të zezë e të kobshme për vendin. Lidhja me Kinën, solli një katastrofë tjetër në Shqipni, që me të famëkeqin “Revolucion Kulturor”, iu nënshtrue një radhe masash represive dhe ashpërsimi të “luftës së klasave”, që përfshiu dhe kulturën. Veprat e kulturës Europiane u ndaluen, si borgjeze, fetare, imperialiste, e tjera mbiemra denigrues.
“Orlandi i çmendun”, tashma i përkthyem krejtësisht, mbeti në sirtarët e shtëpisë së Muzhanëve, ku Lemi banonte. Por syni vigjilent i “nanës Parti”, e zbuloi përsëri Lemin dhe e mori për t’a syrgjynosun në një kooperativë të humbun të Myzeqesë, në fshatin Ndërnenas, ku qëndroi 24 vjet, tue shkrue vargje në parcelat e misrit e të pambukut, me kazmë, lopatë e duer! Kështu i vlerësonte regjimi njerëzit e dijes e të kulturës! Edhe kësaj mynxyre, Lemi arriti t’i mbijetojë. Por kur e takova pas 20 vjetëve në Tiranë, në verën e vitit 1989, dallova pasojat e randa të një jete të tanë vuajtjesh e torturash të çdo lloji, që ia kishin damtue shëndetin, sa që i dridheshin ato duer, të krijueme me shkrue poezi e vepra të tjera shkrimore, kurse tani ai nuk mund t’i zotëronte ma, qe t’i bindeshin fillit të mendimit e të frymëzimit, që kurr s’i kishin mungue as i mungonin.
Por i mungonte fuqia trupore! Ky kishte qenë dhe qëllimi djallëzor i regjimit totalitar të diktaturës komuniste. Asgjësimi i vlerave dhe njerëzve që përfaqësonin kulturën e vërtetë kombëtare! Jo rastëshist, eshtnat e Gjergj Fishtës, të Ndre Zadejës, të Gjon Shllakut, etj., u hoqën nga varret dhe u hodhën në lumë apo liqe. Veprat e tyne u ndaluen rreptësisht. Por diku atje, ndër bjeshkët e nalta, ushtonin e jehonin kangët homerike të “Lahutës së Malcsisë”, që populli i kishte skalitë në mendjen e në kujtesën e tij, për të mos u harrue kurrë. Kurse Lemi me shokë, ishin të destinuem të shkriheshin e të sfiliteshin, deri në qelizën e fundit të përbërjes trupore e mendore, për të mos i lejue që të krijonin vepra të tilla të pavdekshme!
Fatet e popujve të robnuem nën komunizëm, befasisht ndryshuen. Muri i turpit dhe i ndarjes së botës në dy kampe të kundërta u shemb, e me të u shembën diktaturat bolshevike staliniane të Europës Lindore. Edhe në Shqipni po ndodhte ajo shembje, ndonëse me përmasa të dyshimta. Lemi gjeti rastin dhe mundi me kalue atë det Adriatik, që e ndau nga Evropa për një gjysmë shekulli, për të kërkue shpëtim e shërim në botën e qytenimit perëndimor, pikërisht në atë Itali, ku ai kishte mbarue studimet e, ku kultura kishte qenë gjithmonë në plan të parë. Pritja në Itali, qe tronditëse, deri dhe mohuese! Askush nuk e çante kokën për vuajtjet e këtyne herojve dhe martirëve të shekullit XX-të, që i kishin qëndrue të pamposhtun tiranisë gjakatare gjysëm shekullore. Mezi i dhanë statusin e refugjatit e lejen e qëndrimit, pa asnjë ndihmë tjetër.
Falë disa qendrave fetare, murgesha e priftna, që Lemi dhe Maria mundën me gjetë ndihmë e strehim të përkohshëm në Trieste, e pastaj të përhershme në Perugia. Në letrat e tija spikat ky qëndrim apatik e mospërfillës, ndaj një njeriu, që nëse vuejti, vuejti për parimet ma të larta të shoqërisë njerëzore, për idealet e mëdha të lirisë e demokracisë. Lemi me shokë, pësoj mohimin e shkeljen e të gjitha te drejtave, qoftë ma elementare, të njeriut, në emën të shprehjes abstrakte “Njeriu kapitali më i çmuar… “, që Lenini e Stalini, patën krijue në letër dhe që e zbatuen ata vetë dhe pasuesit e tyne në praktikë, tue e kthye ketë njeri në një vegël pune, që si e tillë mund të bante pjesë në kapitalin e “çmuar”!
Edhe Lemi ynë, ishte pjesë e këtij kapitali të “çmuar”. Për diktaturën i “çmuar”, si skllav. Për shoqërinë, i “çmuar” si intelektual. Për botën perëndimore, i “çmuar” si refugjat, kallëp. Për kulturën i “çmuar” si talent. Për Kombin, i “çmuar” si hero e martir i gjallë. Për historinë, i “çmuar” si viktimë, ndër mija viktima. Por Lemi nuk ishte një viktimë dosido, dhe prandaj ne i japim vendin që meriton, atë në rradhë të elitës së kulturës njerëzore e kulturore të kombit shqiptar.
Njeriu dhe intelektuali, tek Guljelm Deda, janë një përbërje e dyfishtë që nuk mund të ndahen, ndonse me pika dalluese të kundërta. Ata që kanë njohun Lemin, si para burgjeve, gjatë tyne dhe pas daljes në liri, arrijnë ketë përfundim. Një Lem energjik e plot jetë, trup fortë dhe fjalë pakët. Kur shoqëria e kërkonte, shfaqej një Lem i papërmbajtun, i qeshun e plot humor, edhe në konditat ma të vështira. Gazi i tij homerik, ngjallte entuziazëm dhe përfshinte të gjithë ata që i rrinin për rreth. Por kur e kërkonte puna, ai dinte me fjalë të zgjedhuna e të rafinueme, me qëndisë fjalime e referate si ma i miri orator i auditorëve akademike. Jepte me kompetence gjykime mbi problemet letrare – artistike, gjuhësore e filozofike, etj. Nuk ishte fare praktik për punët e krahut, ku nuk ia thoshte fare! Por për punët mendore, nuk i ishte falë kujt!
Gjithë sa radhita unë deri tani, dalin vetvetiu nga leximi i kujdesshëm të këtyne pak letrave e, pak shkrimeve që ai na ka lanë. Tue mos harrue se këto të pakta shkrime, janë të karakterit krejtësisht personal, si letra miqve e shokëve, apo familjarëve ose, ndonjë personalitetit të kulturës. Letra që përmbajnë shumë të dhana, të shprehuna në pak rreshta, por me kuptime të thella. Por të mos harrojmë, siç e kemi thanë, se Guljelm Deda, na ka lanë një vepër madhore, përkthimin e përsosun të kryeveprës së letërsisë italiane dhe botnore, “Orlando i Çmendun”, të Ludovik Ariostos. Përkthim i shkallës më të lartë nga ana letrare, gjuhësore dhe poetike, me ia pasë zili vetë autori famëmadh. As gjermanët nuk kanë arritë ta përkthejnë, lënë popujt e tjerë, si; rus, polakë, rumunë, etj. Vende të tjera e kanë përkthye në prozë.
Përkthimi i këtij poemi kërkon të jeshë vetë poet, e zotnues i gjuhës amë dhe i gjuhës së autorit. Këto veti e cilësi, Lemi i kishte të gjitha, shtoi dëshirën për të shkrue e krijue që ai nuk mund të realizonte, se ia shkurtonin duert e kokën. Prandaj, përkthimi i tij, duhet konsiderue dhe si një vepër, mbi të cilën ai punoi sikur t’ishte vetë shkrimtari krijues, kaq hapësinë shprehje i kishte dhanë diktatura, që ia kishte mbyllun e ndalue çdo shprehje tjetër të pavarun. Në këtë kontekst, puna e tij duhet konsiderue në kendvështrimin letrar e gjuhësor, e sa i shërbejnë ato letërsisë dhe gjuhësisë shqiptare. Asht fare e kuptueshme se vepra e tij, do të ushtrojë ndikim, veçanërisht në trajtimin e gegërishtes letrare, ku asht mjeshtër dhe kompetent. Mjeshtër përsa i përket anës artistike të trajtimit të tekstit poetik Italian, të dhanun shqip, nëpërmjet shprehjeve, lokucioneve, krahasimeve, aforizmave, etj.
Në gjetjen e rimës, që e ban Arioston një nga poetët ma të zorshëm për t’u përkthye, sepse oktava e tij përbahet nga gjashtë vargje me rimë të alternuar dhe dy vargjet e fundit, me rime të puthitun, sipas skemës, AB, AB, AB, CC. Të mos harrojmë se vargu njëmbëdhjet rroksh, varg klasik, asht varg nga ma të vështirët për t’u trajtue. Te Guljelm Deda, këto vështirësi nuk kanë ndikue fare, sepse ai ishte i pasun në fjalor dhe stërhollime gjuhësore shqipe, si dhe mjeshtër në përdorimin e trajtimin e metrikës, sepse ishte vetë poet i mirëfilltë. Puna lavdiplotë e Lemit, si dhe e kolegëve të tij përkthyes që kemi përmendun, e ngrejnë gjuhën shqipe në nivelet e gjuhëve ma të afta dhe ma të pasuna, përsa i përket përkthimit dhe interpretimit të gjuhëve të tjera europiane, apo të viseve të tjera, si rrjedhim si një gjuhe e plotë dhe e përpunueme.
Para kësaj shfaqje të përmasave letrare të larta, ku gjuha shqipe ka tregue të tilla cilësi dhe aftësi adaptimi, deri në tejkalim të mundësive të kufizueme prej botëkuptimeve negative që bota ka pasun e ka ushqye ndaj kulturës shqiptare, kjo kulturë ngrihet si monument i ndritshëm e madhështor, jo pse i dhamë botës kryeveprat tona të mbetuna, të pa përkthyeme në gjuhë të hueja, por pse ditëm e qemë të zotët të përvetësojmë kryveprat botnore, në gjuhën tonë shqipe, si një proçes natural i kësaj gjuhe, që kryveprat i përkthen si kryevepra, dhe jo si trajtime formale e artificiale, pa shpirt e ndjenja artistike e, pa frymëzim, sa për dijeni të lexuesit, siç ka ndodhur në disa raste.
Në mbyllje të kësaj parathanje, mjaft të gjatë, mund të themi, se Guljelm Deda, mbetet, si me ato pak vjersha që ka lanë, ashtu edhe me disa shkrime studimore, por sidomos me përkthimin e tij madhor, “Orlandi i çmendun”, një njeri me veti të rralla, që ndonëse dhuna, terrori dhe dënimet, deshtën ta shkatërrojnë e ta asgjësojnë, pati atë kurajo dhe atë fuqi shpirtnore e mendore, në shembull të Prometeut, të mbijetojë tue e përballue stuhinë e diktaturës, pa iu tremb syni. Ruejti dhe mbajti të ndezun atë flakë të Prometeut, për ta ndriçue rrugën e vet dhe rrugën e kulturës shqiptare, denjësisht e me krenari. Para të tilla figurave, që mishërojnë njëkohësisht kulturën dhe heroizmin e popullit dhe kombit shqiptar, duhet të përulemi me respekt e nderim, sepse ata mbartin gjithë atë botë shpirtnore e mendore shqiptare, që i qëndroi e papërkulun shekujve dhe dijti t’i qëndrojë dhe viteve të trishta e të kobshme, të diktaturës ma të egër që ka njohun historia.
Lemi asht një nga ata përfaqësues heroikë të kulturës shqiptare, një shkodran, që lindi u rrit, aty ku qëndroi i ndezun gjithmonë zjarri i lirisë dhe i kulturës ndër shekuj, e do të qëndrojë akoma ndër shekujt e ardhshëm. Një bir krenar i këtyne trojeve, i denjë për të qëndrue mbi piedistalin e nderit, përkrah shumë figurave të tjera të ndrituna të kulturës kombëtare shqiptare: “Nder i Shkodrës e, nder i Shqipnisë”! Memorie.al