Nga Uvil Zajmi
Pjesa e parë
-Karriera e gjatë në Radio Tirana, miqësitë me kompozitorë, politikanë, aktorë dhe sportistë me famë botërore…! –
Memorie.al / “Mirëdita të dashur dëgjues të Radio Tiranës…” – ka qenë shprehja e njohur që për shumë vite ka shoqëruar shqiptarët. Një karrierë profesionale e gjatë dhe e ndërthurur si një xhungël, “nuk di ku futem e nga të dal, nuk di si të orientohem” – siç e përcakton vetë ikona e radio-kronikës sportive kur e pyesin për karrierën e tij gazetareske gati gjysëm shekullore. I vogël, ai nuk e kishte menduar ndonjëherë që kjo do të ishte rruga e tij, një karrierë e bujshme e një radio-kronisti sportive, kur në gusht të vitit 1969, ngjiti për herë të parë shkallët e Radio Tiranës, u ul në një zyrë të katit të tretë bashkë me disa kolegë, një makinë shkrimi përpara, dhe punë intensive me dhe pa orar në kërkim të lajmit, gjithmonë nën shoqërinë dhe i pandarë nga magnetofoni “Uher”.
Qindra kronika, transmetime, reportazhe e intervista në Radio e TV, me artikuj në të gjitha gazetat e revistat, një histori profesionale e nisur nga Xhirot Çiklistike, me kulmin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, emisioni më i ndjekur dhe me jehonë kombëtare. Pastaj transmetimi befasues nga Barcelona, miqësitë me kompozitorë, politikanë, aktorë, edhe ato më famë botërore nga: Mina, Kryeziu, Kodra dhe intervistat e ndaluara të Vokrrit e Albanos. Një dashuri shumëvjeçare me radion e TVSh-në, pa u shkëputur as edhe një ditë, deri kur ai “ndërroi shtëpi”. Por, “Fenomeni Shqarri”, nuk ndalet dhe një tjetër bum mediatik: “Gol” në “Radio + 2” dhe në “TVA -1” do të shoqëronte shqiptarët për disa vite të tjera me zërin dhe figurën të Ahmet Shqarrit.
Fëmijëria, mes librave dhe kinemasë…!
Njëri nga zërat më autentikë, absolutë, origjinal, gjuhë e pastër letrare, ritëm si vetë “Shqarri-Story”. Nga mësuesja e fillores Fani Kocilja (tezja e Robert Shvarc-it, përkthyesit të njohur), pastaj në klasën e dytë ka qenë, kur ka lexuar Evlija Çelebi, librin e parë që ja pati dhënë daja i madh, Shefqet Gripshi, i cili pati ndjerë etjen e nipit për lexim. Ai libër i parë i autorit dhe kronikanit turk, ndër të tjera fliste dhe për qytetin e tij, Peqinin, që sipas tij, në kohën e Perandorisë Osmane, shquhej për lulëzimin e begatinë e tij.
Për të shkuar te librat e panumërt të autorëve shqiptarë, të huaj e atyre të ndaluar për kohën. “Ato ishin shkolla ime e dytë në jetë, pasi më shtynë të studioja Gjuhë-Letërsi në Universitet”. Një adoleshencë si skënderbegas, më pas shërbimi ushtarak, ishin një tjetër shkollë, ku krahas librit zuri vend edhe sporti ku si atlet pjesëmarrës në Spartakiadat e Ushtrisë, por dhe në Kampionatin Kombëtar për të rinj, në garat e shpejtësisë, konkurroi me të njohur të kësja disipline si Çlirim Balluku, etj.
Pastaj jeta në Universitet e mbushur me atmosferë profesorësh, dijetarësh dhe akademikë, nga Ismail Kadare, Jakov Xoxe, Shaban Demiraj dhe më vonë në kursin e parë dyvjeçar të gazetarisë me Dritëro Agollin, Vangjush Gambetën, Hamit Boriçin etj. “Ishin këto personalitete që më forcuan më shumë bazamentin e të ardhmes si gazetar” – shprehet Shqarri, kur flet për jetën dhe karrierën e tij.
Anton Mazreku, radio dhe vetëm një bobinë, si dhuratë…!
Ka qenë një mundësi, e fat i madh të vijoje rrugën e Anton Mazrekut, Ismet Bellovës dhe Skifter Këlliçit, pa e kuptuar se do bëhej skllav i këtij profesioni, zëri kryesor, një ndër komentatorët më popullorë sportivë në vend. Ndoshta një mësues, një gazetar, por me sportin jo, por, diplomimi dhe emërimi në Radio Tirana, i vetmi mjet komunikimi shumë i rëndësishëm pasi pak televizorë ka në qarkullim, janë nxitja për Shqarrin e ri.
Fillimi i viteve ‘70-të në Radio, ka nevojë për ndryshim radikal të paktën në sport, kërkohen njerëz me ide, ndonëse nuk ka redaksi sporti, dhe i vetëm ka nisur të angazhohet.“Duhet të bëja intervista, radio-kronika e më duhet të shkoja në stadium, pastaj të vrapoja në Pallatin e Sportit, që nuk ishte e lehtë, pa mjete dhe me “Uherin” 7 kg. në krah. Shumë shpejt e kuptova se futbolli ishte sporti i parë që hyri në kordet e mia”, – tregon Shqarri.
Nga Mazreku pati “trashëguar” vetëm një bobinë magnetofoni. “Surprizën ma bëri mësuesi im, Kozma Vasili, që kishte një kopje të transmetimit të një gjysmë shekulli më parë. Ishin vetëm 8 minutat e fundit të takimit Hungari-Shqipëri nga Budapesti në vitin 1950, dhe rezultati është 12-0 për vendasit, të cilat Mazreku i përshkruan: ‘Janë minutat e një ndeshjeje që mbaroftë sa më shpejt’. Kur e dëgjova, më pati sjellë pranë zërin melodioz të atij që “shpiku” i pari në Shqipëri transmetimin e një ndeshjeje futbolli në radio. Ishte 1 shtator i vitit 1938, nga Fusha e Shallvares, Tirana-Kavalla e Greqisë”, kujton Shqarri.
Fillimet, gjithmonë ka një herë të parë!
“Veç transmetimeve të futbollit që i gjeta, kam realizuar transmetime direkte për herë të parë në Shqipëri, të ndeshjeve të volejbollit, basketbollit, mundjes, peshëngritjes, atletikës e deri te festivalet kombëtare të Lojërave Popullore, finalet e Spartakiadave Kombëtare, atyre të Ushtrisë, të Punëtorëve, Kooperativave Bujqësore, ku një vend të rëndësishëm e të paharruar kanë zënë transmetimet direkt gati 30-të rretheve çiklistike të Shqipërisë.
Për herë të parë kam futur në transmetimet e Radio-Tiranës, një intervistë direkte dhe jo të regjistruar. Të gjitha këto bëheshin për herë të parë në radio sepse nuk futej asgjë pa u kontrolluar, por nëpërmjet sportit, si “jo të rëndësishëm” që e konsideronin, futeshin këto që ishin tabu për kohën.
Në makinë, në hollin e një hoteli, pallati sporti, mjedis sportive jashtë në natyrë, arrija të realizoja intervistat që jepej pas lajmeve të orës, 15.00 apo 20.00 të cilat më parë i dëgjonte Drejtori i Përgjithshëm, Thanas Nano. Deri te kollitja e të intervistuarit ishte kujdesi, kur të thonin hiqe apo lëre.
Ose fjalë që nuk lejoheshin si p.sh., një herë nga Elbasani, thashë që Frashëri i “17 Nëntorit” nuk “pati fat”, më kritikuan duke më thënë se në sport ka pasion, luftë dhe garë sportive dhe jo fat. Për herë të parë krijova një Rubrikë Sportive të dielën në orën 21.00.
Po kështu rolin e bashkëpunëtorëve për sporte të ndryshme, veç Bellovës, afrova Vangjel Shundin për Lojërat me Dorë, Xhafer Bogdani në sportet e rënda, Zef Ashtën, Kristaq Andonin për shahun, por edhe sportistë, si P. Ketën, Xh. Laçin për ngjarjet e veprimtaritë te sportet masive.
Për herë të parë në Shqipëri “shpika” rolin e analistit, apo komentatorit, gjatë transmetimit të ndeshjeve, duke afruar personalitetet në rolin e opinionistit si Sabri Peqini, Skënder Begeja, Refik Resmja, me të cilin kam patur kënaqësi të punoj për disa vite. po kështu Gëzim Kasmi, më jetëgjati në emision, Mikel Janku, Ramadan Shehu, Astrit Hafizin, etj.”, kujton Shqarri, vitet e para të karrierës së tij si gazetar sportiv në Radio-Televizionin Shqiptar.
Jo vetëm në Radio, edhe në Televizion, i gjithanshëm
Ahmet Shqarri i vetëm ka nisur për herë të parë disa rubrika dhe emisione sportive. “Rubrika Sportive” në fillimet e saj kishte edhe folësit e lajmeve të jashtme sportive, që i merrnin me pikatore të tillë ishin L. Meçani, Violeta Gjoka, Virgjil Kule, edhe Lorenc Zadrima, inxhinier në Fabrikën e Armëve në Gramsh që vinte të dielën në Tiranë, vetëm për rubrikën, dhe të nesërmen në ora 4 të mëngjesit, nisej për të qenë në orën 7 në punë. Ky fakt, në një farë mënyre tregonte për pasionin dhe interesimin që ngjallnin rubrikat dhe emisionet e rinj sportivë të asaj kohe.
Po kështu edhe “Jehona Sportive”, një emision që jepej të hënave nga ora 16.00 deri 17.00. Vinte Ismet Bellova duke plotësuar ato që nuk ishin thënë të dielën, ose transmetohej ndonjë intervistë pikante, ndërkohë që flitej edhe për Kategorinë e Dytë, etj.
Ndërsa emisioni “Sport-Kalitje-Shëndet”, më dha mundësinë të shkelja në çdo cep të Shqipërisë, deri në zonat më të largëta, si Kooperativa Bujqësore, ku tregoja si zhvillohej sporti aty, si u organizonte fizkultura në shkollë dhe tema të ndryshme, një emision që jepej nga ora 9 deri 10 të mbrëmjes me bashkëpunëtorë të ndryshëm, ndër të cilët Sabri Çelnikasi, që më përkthente materiale nga gjuhë të huaja.
Pastaj në Televizion, në të parat Rubrika Sportive me të ftuar.
Mbaj mend se ndonjë emision e kam realizuar atje ku një vit më vonë ajo “Studio” u kthye në kafeteri….! Pastaj në studion e madhe në formë amfiteatri, bashkë me regjisorin Albert Minga, me të cilin futëm disa gjëra të reja, madje njëherë kisha mbi 50 të ftuar: ekipin kampion të volejbolli, basketbolli, bashkë me stafet e tyre.
Kam ndërruar shumë drejtorë, nga të cilët i pari Thanas Nano, njeri i disiplinës, rregullit e pastërtisë, ndërsa Todi Lubonja liberal, simpatik dhe që përkrah propozimin tim për të realizuar me të ftuar emisionin, pasi ishte e rrezikshme, sepse transmetohej direkt”, shprehet Shqarri.
“Rrethi çiklistik i Shqipërisë”, një kronikë e pa imagjinuar për kohën…!
A mund të imagjinohej për kohën që edhe Shqipëria të transmetonte “drejtpërdrejtë” një garë çiklistike dhe jo një “Rreth Çiklistik, kur këtë e realizonin vetëm disa shtete potente si “Xhiro në Itali” apo “Tour” në Francë, , pas të cilëve qëndronin qindra njerëz! Por, edhe kjo është një tjetër faqe e jashtëzakonshme e paharruar e “Shqarri-Story”.
Lidhur me këtë, ai kujton: “Ka qenë një pasion i imi për t’ju përshtatur këtyre garave të mëdha botërore.
I kam transmetuar direkt, mbi motorë, duke intervistuar çiklistin gjatë ngjitjeve malore të Ulzës, në kohë të keqe erë dhe me shi, por edhe nën diellin përvëlues. Një angazhim i tillë, garë pas gare, në rrugët e Shqipërisë, bëri që të rritet dhe interesimi i dëgjuesve dhe u arrit që në finalet e etapave të ndërpriteshin edhe lajmet kryesore të mesditës, që nuk ndodhte për asgjë tjetër në atë kohë, vetëm për t’u lidhur me “të dërguarin tonë të posaçëm Ahmet Shqarri”.
Arrinim në vijën e finish më shpejt se të vinin çiklistët, hipja në ballkonin e turizmit, apo diku në një lartësi dhe bashkë me teknikët M. Berberi, S. Paçrami H. Sala, e më vonë F. Sala, transmetoja dhe përshkruaja finishin e garës. Pastaj realizoja intervistat”- kujton Shqarri.
“Nga njëra ndeshje, në tjetrën”, një “shpikje” e madhe sportive!
Fillimet e viteve ‘80-të regjistrojnë një revolucion, ndryshim radikal për emisionet sportive në radio. E dielë 2 tetor 1983, mesditë. “Të dashur dëgjues të Radio Tiranës…”. Ishte hera e parë që do të niste startin e tij emisioni, që gazetari i mirënjohur Ahmet Shqarri, e ideoi dhe arriti ta bëjë realitet transmetimin e tij, duke i ofruar shqiptarëve për herë të parë në atë ditë tetori një emision të ri, kur pas siglës hapëse u dëgjua: “Nga njëra ndeshje në tjetrën”.
Ky emision i ri do t’i ngjasonte një orkestre, me Shqarrin dirigjent, ndërsa Bellova do të ishte zëri apo ‘violina e parë’ e saj. E bashkë me të, Aleko Gjergo, Veli Rada, Ymer Stërniqi, Fico, Qiqi, Ymer Kurti, Rrok Preçi, Efica, Allkja, Arbër Emiri, Mikel Mbrriçaj, Qesja, Ngjela, Agron Kaja, Fatmir Mneri, Moisi Dalipi, etj. “Nga njëra ndeshje në tjetrën” do të shënojë kështu fillimin e një formati radiofonik sportiv të ri, që në pak kohë do të jetë emisioni më i ndjekur me një rekord dëgjuesish.
Vetë Shqarri e konsideron si “shpikjen” më të madhe “Nga njëra ndeshje, në tjetrën”, të cilin e drejtoi për 20-vjet, si emisioni më jetëgjatë dhe më i ndjekur për kohën, tetor 1983 – tetor 2003. “Përvjetorin e 20-të tij e festova në një ceremoni në Akademinë e Arteve, me të ftuar të shumtë, radio-kronistë e personalitete edhe nga fushat e tjera të jetës, ku pata vlerësimet, si ideatori dhe drejtues për më dy dekada i këtij emisioni”, kujton Shqarri.
Në 80-vite jetë të Radio Tiranës, (1938-2018), shpenzoi për këtë institucion gati gjysmën e jetës së tij: 35-vite të mbushura me kujtime, pasion, entuziazëm! Madje “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, i ka shërbyer futbollit shqiptar, ekzistencës së tij, pa u ndërprerë asnjë javë. Ishte ai që e “shpëtoi” futbollin tonë në vitin 1997, kur UEFA e FIFA i përjashtuan skuadrat tona nga ndeshjet evropiane, dhe emigroi kombëtaren si çifuti në shkretëtirë”- kujton Shqarri.
Barcelona dhe “Camp Nou”, përtej fantazisë
E tilla ka qenë e do mbetet për Shqarrin, apo çdo shqiptar, si një ëndërr që kalon fantazinë, nga njoftimi, nisja, udhëtimi, Romë – Barcelonë, barazimi, emocionet që ka provuar në atë mbrëmje të paharruar të “Camp Nou” në Barcelonë. Një transmetim i rrallë, i pa dëgjuar për kohën, madje askush nuk kishte guxuar më parë. I ka ardhur krejt befasishëm kur e kanë njoftuar se do shoqërojë skuadrën e “Flamurtarit” në transfertën Barcelonase, për të transmetuar direkt ndeshjen e kthimit, pas barazimit 1-1 në Vlorë.
Ishte hera e parë, që një ndeshje për klubet shqiptare do të transmetohej nga jashtë e vendit dhe për ironi të fatit, nga “Camp Nou” i Barcelonës të Spanjës! ”Ka qenë një udhëtim fantastik bashkë me Petro e Vasil Rucin, Kreshnik Çipin, Rrapo Tahon e të tjerë. Do të luhej ndaj Barcelonës së Linekerit të famshëm që sapo ishte shpallur golashënuesi i Botërorit ’86. 90-të minutat kanë qenë më shumë se dramatike dhe 0-0, një rezultat i çuditshëm për kohën”, kujton Shqarri udhëtimin e tij të parë jashtë Shqipërisë.
Një skuadër modeste, jo me futbollistë, por me heronj të vërtetë vlonjatë, që marrin një barazim të pa imagjinuar, madje kualifikimi i katalanasve u sigurua me golin e shënuar në fushën kundërshtare, pas barazimit 1-1 në Vlorë. Ishte eksperienca e parë për Shqarrin që, transmetoi i vetëm një takim ndërkombëtar futbolli të drejtpërdrejtë, për 90-të minuta.
Në “Bayer Arena”, me kampionin e madh
Ka qenë 24 marsi i vitit 2001, kur nga stadium “Bayer Arena” i Leverkusenit, ka transmetuara takimin Republika Federale Gjermane-Shqipëri, 2-1, kur në studio ka pasur edhe radio-kronistin e njohur nga Lezha, Zef Shtjefni, ndërsa në rolin e opinionistit, të famshmin Panajot Pano. Një praktikë kjo e aplikuar edhe në shumë ndeshje të tjera ndërkombëtare, me përfaqësuesen dhe klubet.
Gjithmonë u bë zakon që krahas radio-kronistit të ishte dhe opinionist, ndër të cilët trajnerë e futbollistë të njohur. “Nga jashtë vendit – shprehet Shqarri, – këtë risi e kam realizuar me disa të tillë si: Skënder Ibrahimin, Bejkush Birçe, Suljeman Memën, K. Bozgon, Halim Mersinin, A. Maxhunin, etj. Kujtoj, se në atë kohë, që ndeshjen e Kretës, Greqi – Shqipëri, e kam transmetuar me kolegun tim, të mirënjohurin Vladimir Grillo”.
Ndaj sovjetikëve, akti i parë diplomatik i afrimit…!
Ky është takimi që regjistron njëkohësisht edhe kthesën e madhe historike, jo vetëm në sport. Përballjen dhe transmetimin për herë të parë të një ekipi shqiptar me “Uraloçka”, një skuadër e Bashkimit Sovjetik. Në Ravena të Italisë në 1989-ën zhvillohet “Final Four Euro” për vajza në volejboll dhe pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mbi 30-vjeçare midis dy vendeve, i ka takuar “Dinamos” të nënshkruajë “aktin e paqes diplomatike” Shqipëri-Bashkimi Sovjetik.
Në Hotel “Ambasador”, para se të zhvillohej ndeshja, bashkë me trajnerin Tartari dhe gazetarin Kastriot Ahmati, ne po diskutonim nëse do të luanim apo jo. Aq më shumë transmetimi, një iniciativë tjetër kjo e guximshme, nëse mund të bëhej dhe nga një moment tek tjetri, prisja aprovimin nga Radio Tirana. Në fakt ishte marrë një aprovim me gojë i Ramiz Alisë që, kishte orientuar “shihni e veproni si të jetë situata” – kujton Shqarri. Ka qenë pikërisht ky turne që shënoi “takimin e pare” mes dy vendeve, pas ndërprerjes së tyre në fillim të viteve ‘60-të.
Me Koço Kokëdhimën, nga RADIO+2 te TVA-1, i gjithanshëm, sukses dhe fame!
Jo duke “vjedhur” krijimin e tij në Radio-Tirana, por duke “shpikur” një emision tjetër, me një format krejt origjinal si “Gol” në “Radio + 2”, ku e veçanta qëndronte në rubrikat “Ora pas ndeshjes”, ku nëpërmjet celularëve tashmë, mikrofoni shkonte nga një fushë, tek një autobus me skuadrat që po kthehen nga ndeshja, tek një lojtar, trajner, drejtues, deri në shtëpitë të ndryshme të shqiptarëve për ta bërë komente të ndeshjeve që sapo ishin transmetuar.
“Nga qindra të intervistuar pata zgjedhur çiftin edhe simpatik të operës, Luiza e Gaqo Çako. Ose kur nga Rrogozhina kam marrë Brigelin, i cili drejtpërdrejtë ndërmjet të tjerave, me pati thënë se kishte relata të mira me Maradonën, që nga koha kur ai luante me Napolin, ndërsa Brigeli ishte kampion me Veronën. Armand Duka, në “Ora pas Ndeshjes”, ishte intervistuar aq shumë kur ishte nëpër stadium, por edhe në zyrë e shtëpi, saqë një ditë më thotë: Ahmet Shqarri, më ke bërë sikur të isha një korrespondent rrethesh.
Ose intervista nga “Ariston” i Sanremos me Ardit Gjebrenë, kur ai ishte nën shoqërinë e këngëtares Ana Oksa, që nuk harroi të më pyeste si kishte përfunduar ndeshja “Partizani” – “Flamurtari”. Apo Anjeza Shahinin nga Stambolli, ku zhvillohej Eurovizioni i Këngës. Ka qenë ndër emisionet më të dëgjuara në Radio + 2. Pastaj “Gol” në TVA 1, një tjetër emision tashmë televiziv, po aq i ndjekur ku veç të tjerave, ishin edhe emocionet e Europianit 2004, dhe Botërorit 2006.
Nuk harroj kur midis të ftuarve ishte i përhershmi Muç Fagu, replikat e të cilit janë të paharruara, dhe po ashtu kujtoj me kënaqësi se si në këtë emision, pati ardhur si të ftuar posaçërisht nga Italia, Igli Tare apo Erion Bogdani. Ishte kënaqësi se si njerëz me famë vinin vetëm me një telefonatë që i bëja. Apo një telereportazh në shtëpinë e Bogdanit në Tiranë, duke ndjekur transmetimin në televizionin Italian, një takim ku luante ai, dhe ku përmes emocioneve të prindërve, realizova gjëra pikante, për të mos qenë shtampë.
Emisioni ngjallet interes deri në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë e Korfuz. Ishte një kohë kur Koço Kokdhima, më vlerësonte shumë dhe “bill bordet” e mëdha me portretin tim mbushnin Tiranën. Ndërkohë vetë Koço, realizonte një emision të tijin ‘Si të bëhesh milioner’. Ai gjithmonë shprehej se: Dy janë emisionet më të ndjekura, ai i Ahmet Shqarrit dhe i Edi Ramës, atëherë Kryetar Bashkie, i cili çdo mëngjes bënte në Radio+2, një lloj përjetimi të tijin, për të ndryshuar jetën e Tiranës” – kujton Shqarri. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016