Memorie.al publikon historinë e panjohur e të riut nga Berati, Pelivan Mjeshova, i cili në prillin e vitit 1984, së bashku me dy shokët e tij nga Berati, Luan Berberi dhe Adnand Kuka, tentuan të arratiseshin për në Greqi, nga kufiri toksor në fshatin Peshkëpi të rrethit të Gjirokastrës, por ranë në pritat e njësive kufitare të asaj zone dhe Pelivani mbeti i vrarë, kurse dy shokët e tij të plagosur, i arrestuan dhe i dënuan më pas me nga 25 vjet burg, me akuzën “tradhëti të rëndë ndaj atdheut”. Trajtimi çnjerzor deri në kufijtë e makabritetit që i’u bë kufomës së Pelivan Mjeshovës, të cilën e shëtitën me makinë të hapur në fshatrat e asj zone, për të terrorizuar banorët e asaj krahine, e duke e ekspozuar më pas për tri ditë me rradhë te Dega e Punëve të Brendshme e qytetit të Gjirokastrës, ku me detyrim, u dërguan pothuaj të gjitha ndërmarrjet e atij rrethi, për ta parë “armikun e popullit”! Dëshmia e rrallë e nipit të Pelivanit, Eduart Mjeshova, nga qyteti i Beratit, i cili tregon të gjithë historinë që ai ka mësuar për ekzekutimin e xhaxhait, peripecitë që pati familja e tyre dhe si arritën t’ia gjenin eshtrat pas 12 vitesh!
Pas vrasjes së Pelivan Mjeshovës, në tentativë për t’u arratisur, e vetmja gjë që mësoi familja, ishte që ai kishte vdekur pasi kishte tradhtuar atdheun. Dosja që siguroi më vonë nipi, Eduart Mjeshova, tregon sesi Pelivani, ishte vrarë në përpjekje me forcat e kufirit, e cila pas parullës “Ndal” kishte qëlluar mbi të riun, derisa ai ishte rrëzuar dhe më pas, nga plagët e marra, kishte dhënë shpirt.
Ajo që nuk thuhet në dosje, por që, sipas Eduartit, e di gjithë Gjirokastra, është që; për tri ditë, trupin e pajetë të Pelivanit e kanë shëtitur dhe e kanë ekspozuar për të ngjallur terror në popullsinë e qytetit dhe të rrethinave. Familjes Mjeshova i’u deshën 12 vjet për të gjetur eshtrat, gjashtë deri sa u shemb komunizmi dhe gjashtë të tjerë kërkimesh të dështuara, pasi njerëzit druheshin për të treguar të vërtetën ose, nuk ishin të interesuar për ta bërë këtë, por më në fund eshtrat u kthyen në shtëpi dhe sot prehen në Berat, në qytetin e tij të lindjes.
Dëshmia e plotë e Eduart Mjeshova nga Berati
Unë jam nipi i Pelivan Rexhep Mjeshovës, djali i Xhevahirit, i një prej pesë vëllezërve të Pelivanit. Quhem Eduart Mjeshova.
Në ç’vit tentoi xhaxhai juaj të arratisej?
Ngjarja ka ndodhur më 3 prill 1984.
Si e kujtoni atë periudhë kohe dhe me se merrej Pelivani aty në Berat?
Kur ka ndodhur ngjarja, unë kam qenë 10 vjeç. Xhaxhai im Pelivani, edhe ushtrinë që ka bërë, e ndërpreu përgjysmë, sepse u dënua një herë për arsye se kur kishin një darkë shoqërie, goditi një punonjës policie dhe e dënuan 1 vit me burg dhe burgun e bëri në Borsh. Një herë ishte në një burg tjetër, në burgun e Lezhës, në Torovicë. Nga Torovica e sollën në Borsh se ishte i sëmurë nga stomaku, vuante pak dhe atje bëri dënimin. Pastaj, u dënua me tre vjet internim në fshatrat Tërpan, Vokopolë. Pas asaj, e thërritën ushtar prapë. Ishte në moshën 25 vjeç.
Si vendosi të arratisej?
I shkreti, si e si donte të ikte nga ky vend, se nuk e duronte dot atë regjim komunist. Ai ishte shumë i zhvilluar, por merrte informacione edhe nga televizionet, pasi ne e mbanim te italiani, te jugosllavi. Shikonte që bëhej jetë më e mirë, edhe vendosi bashkë me dy shokë të tij, me Adnand Kukën e me Luan Berberin, për t’u arratisur.
Nga cila pikë do arratiseshin?
Si fillim, ishte gati dy javë që kanë bërë muhabet me Kujtim Malon, që ka qenë krahu i djathtë i tij. Kanë qenë te Klement Veshoja në Pogradec, ndenji dy javë aty, por nuk arriti dot. E pati të pamundur që të arratisej që andej. Pastaj, kishte bërë muhabet me një Ladi, ne e kemi njeriun tonë, me një nipin e burrit të tezes.
Ai kishte bërë ushtrinë në Librazhd, por ai i kishte thënë: “Vani, këtu nga Librazhdi, është frikë, se këta të kthejnë. Është shumë zonë e thepisur edhe të kthejnë”. Edhe nuk arriti as që andej të ikte, pastaj vendosi të ikte me çdo kusht, nga të mundte. Ka takuar Adnand Kukën, ka bërë muhabet edhe me Luan Berberin. Vendosi për t’u arratisur në drejtim të Gjirokastrës, të pikës kufitare Peshkëpi.
Çfarë dini për vazhdimin e historisë?
Unë di, sipas të dhënave, se unë pata fatin edhe të mirë, edhe të keq, (se unë xhaxhanë tim e mbaja mend djalë king), por kur më thotë xhaxhai tjetër, Flamuri, (që është para Vanit) pas viteve ’90-të: – “Edi, na duhet një dokument, që jemi të persekutuar”. Nuk e di çfarë ndihme do merrte. “Duke qenë se ti punon jashtë shtetit, punon edhe këtej nga Gjirokastra, shiko se na duhet të marrësh një dokument”.
Edhe mbylla makinën, se punoja me maune. Marr një taksi, 10 mijë lekë për në Gjirokastër dhe vete te Gjykata e Gjirokastrës. Aty vajta shpejt në fakt, s’ishte hapur akoma. Ishte polici, roja i objektit. Edhe llafe muhabet me të. – “Për çfarë je i interesuar”, më pyeti ai? – Unë dua të marr një dokument, – thashë, – këtu, këtu. – “Po,- më tha, – për çfarë bëhet fjalë”? Unë nuk po i jepja të dhëna. Pastaj, i thashë: Këtu, këtu… – “Për ushtarin e ’84-ës?-tha.-Po, e dimë të gjithë”.
Çfarë mësuat nga dosja për vrasjen e xhaxhait?
Kur kam marrë dosjen me dokumentet arkivore, kam marrë vesh se çka ndodhur…! Unë xhaxhanë tim e mbaja mend, kam qenë dhjetë vjeç, e mbaja mend king, por kur pashë në atë gjendje (nga fotot që kishte dosja) ku dukej qartë që kishte një plumb në kokë, se katër plumba në trup, më ka filluar një urrejtje e madhe për ish-komunistët si, shumë e shumë familje të tjera, si shumë e shumë njerëz si puna ime kanë vuajtur nga ai regjim…!
Harrova të përmendja edhe diçka tjetër se, kur janë nisur nga reparti me Lulin edhe me Adnandin, këta kanë ikur me mendjen e fjetur, sepse e dinin se kufiri ishte 6 orë larg, se kaq u ka thënë Adnandi: “për 6 orë jemi në kufi”, ndërsa këta janë gdhirë në fushat e Jorgucatit. Edhe më vjen keq, pasi ai i shkreti, xhaxhai im, Vani, kur e kanë kontrolluar nëpër xhepa, (pasi e kanë vrarë), i kanë gjetur sodë buke edhe një recetë.
Ka menduar, që “do kaloj andej, edhe marr ilaçet e stomakut”, sepse vuante pak nga stomaku, edhe pinte sodë. Edhe i ka thënë Luanit: “Luli, unë nuk bëj mbrapa, e di që mua edhe po të më kapin, do më pushkatojnë”. Se ishte edhe më i madhi në moshë, edhe kështu që ai nuk bëri mbrapa.
Çfarë dinte polici i gjykatës për ngjarjen e ’84-ës?
Ai më tregoi që…! “E kam parë me sytë e mi,- tha. E di shumë mirë ngjarjen, -tha. E kam parë, se trupi i tij, nga ora 8.00 e mëngjesit, deri në 12.00, ka ndenjur në fshatin Jorgucat, me një “Gaz” 51-sh, me sponde të hapura dhe spondet kullonin gjak. Trupi i tij është gjezdisur nga Jorgucati në Gjirokastër, në rrugën nacionale, pastaj, trupi i vdekur, është lënë te Dega e Punëve të Brendshme e Gjirokastrës, te qymyri, ka qenë një…!
E di gjithë Gjirokastra këtë, po të pyesësh Gjirokastrën për ngjarjen e ’84-ës. Edhe është organizuar nga qyteti aty, është organizuar në ndërmarrje pune, siç ishte ndërmarrja e Këpucëve, e Duhanit të Gjirokastrës, të cilat linin punën që të shikonin ‘armikun e popullit’. Të trembnin popullin edhe duke parë trupin e tij të vdekur”. Kështu më tregoi polici i Gjykatës që e takova rastësisht.
Sa kohë zgjati ky demonstrim?
Kjo ka zgjatur tri ditë. Ka qenë tri ditë…!
Familja juaj, si e mori vesh për vrasjen e Pelivanit?
Në datën 4 prill ‘84, na ka ardhur…! Unë kam qenë fëmijë. Rrinim te pallati në “Çelepias”, te pallati i harkut. Na ka ardhur kryetari i Këshillit Popullor të lagjes, nuk e di, kryetar Këshilli a çfarë ka qenë, Kastriot Bejko. Ka trokitur në derë edhe e ka hapur gjyshja, (u bë për rahmet e shkreta), që ka nja pesë vjet që ka ndërruar jetë, e ëma e Pelivanit.
Ka hapur derën. – “Urdhëro Kastriot, brenda”,- i tha ajo. – “Jo nuk do hyj brenda,- tha, – por ndonjë nga çunat, është aty”? Në atë kohë del Luti, Mevluti, xhaxhai tjetër që është pas babait tim se të tjerët ishin në punë. – “Urdhëro Kastriot, hajde”. –“Jo, jo, hajde një çikë përjashta:, i tha ai. Edhe kanë dalë te hyrja. Aty i ka thënë Kastrioti: “Vëllai yt ka vdekur”. –“Nga se ka vdekur?! Se unë vëllanë e kam ushtar.
“E ka zënë ndonjë tunel”?-se punonte në xhenio.- “Jo, jo,- tha. -Ka tradhtuar atdheun”. Xhija, gjyshja ime e shkreta, si gjithmonë e trembur, ka dëgjuar nga pas tyre këto llafe….! Ka hequr shaminë e kokës dhe është futur në shtëpi, e ka lidhur në brez dhe kaq vite, lahej, shpëlahej me atë, nuk e hiqte, i thahej në trup, I njomej, I thahej.
Për mundësinë e marrjes së trupit, ju thanë gjë në atë kohë?
Jo. Ne nuk dinim gjë fare. Edhe ne jemi trembur. U bënë vëllezërit të gjithë bashkë, se ne…gjyshja ishte një, nuk e di, si ajo nënë, si ajo gjyshe nuk lind më një herë, ishte shumë e zgjuar, e pashkolluar ishte, por ishte shumë e zgjuar. Se një djalë i iku, e kupton, edhe ne kishim frikën e internimit.
Ç’ndodhi me ju, pra me familjen tuaj, a patët pasoja?
Pasojat…, të parat ishin këto: xhaxhai im, i madhi punonte agronom, Bashkimi (u bë për rahmet se ka dhe ai 2 vjet që ka ndërruar jetë), e hoqën nga puna…! Xhaxhai tjetër, Besniku, ishte shef kuzhine në Hotel – Turizëm dhe në pikën turistike të Beratit, një nga kuzhinierët më të mire, e lanë tre vjet pa punë, pasi e hoqën menjëherë nga puna. Xhaxhai tjetër që ishte para Vanit, që punonte shofer, ia hoqën makinën.
Ata nuk lëvizën nga puna vetëm babanë tim, që punonte në Parkun Automobilistik të Mallrave që punonte me hekurat, kurse xhaxhanë tjetër, (që ishte para Vanit), e çuan dhe atë në Park, e çuan të fshinte territorin e Parkut, pra pastrues, pastaj më vonë e çuan gomist. Edhe Mevlutin nuk e lëvizën se, ai ishte një punëtor i thjeshtë i ndërmarrjes së ujërave, punëtor lopate, pra nuk kishin ku ta çonin më keq.
Nuk ju internuan?
Nuk na internuan. Këtë desha të theksoja. Na u bë një mbledhje demaskuese siç bëheshin atëhere, na u bë në “Këndin e Kuq” dhe ne na ka ndihmuar shumë lagjja, i’a di për faleminderit dhe dua të theksoj këtu një emër. Ka qenë kryetar i Frontit Demokratik të lagjes, Fatmir Vrapi, që ka folur, i cili ka hedhur një llaf të mirë për ne. (Unë kam pasur fatin ta kem edhe mësues kujdestar atë, në Tekstile, shkollë Mekanike). Ai Fatmiri, ka thënë një llaf: “Ç’keni me çunat e tjerë? Këta janë mirë, nuk kanë sjellje të keqe. T’ia heqim triskat e Frontit vetëm Naxhies”. Edhe kështu u bë se, i dëgjohej llafi atij.
Pas shembjes së komunizmit ju nisët të kërkonit eshtrat. Si arritët t’i gjenit?
Në atë kohë, xhaxhai që ishte shofer, bleu një makinë (kur u privatizuan edhe këto makinat) dhe filloi të lëvizte për këtë punë, pra ishte në kërkim të eshtrave të vëllait të tij dhe një më dy, shkonte në Gjirokastër, në Kakavijë. Mundoheshim, pyesnim, po si duket ishin po ata njerëz, edhe nuk i tregonin gjë njeriu. Ndoshta nga frika, ndoshta nga…! E ne nuk dinim gjë fare, nuk kishim asnjë të dhënë se ku mund të ishte varrosur Vani. Kjo vazhdoi për pesë vjet rresht.
Kur një ditë prej ditësh, na ka ndihmuar një shoku…ai ishte polic, por kishte bërë burg në kampin e Qafë-Barit…! Ishte një shok i Dane Çifligut. Ai është interesuar dhe gjeti skemën dhe gjeti edhe emrin e atij që e kishte varrosur xhaxhanë tim, Pelivanin. Ai punonte gardian burgu në Berat, por kishte bërë ushtrinë atje dhe aty ishte si shkollë e këtyre të Sigurimit të Shtetit.
Di që i ka vajtur xhaxhai i ka thënë: “Po ti e di që ke varrosur vëllanë tim? Ne kemi pesë vjet që e kërkojmë dhe ti s’na tregoje”? – “Jo, kush të tha”?, u përgjigj ai. Ai si duket u tremb fillimisht, por pastaj tha: -“Po unë e kam varrosur”. Kështu tha dhe në këtë kohë, ne kemi vajtur, e kemi marrë me vete, ditën e parë në Gjirokastër.
Gërmuam ditën e parë, nuk gjetëm gjë. Pastaj, kemi vajtur ditën e dytë e ditën e tretë, duke kërkuar vendin, sipas të dhënave, “ishte një shkëmb”, tha ai. – “Po, mbaj mend që e kam vënë dhe shtrembër se, nuk e merrte as gropa”, na tha ai. Në këtë kohë duke gërmuar, se na kishte thënë që mbante mend që dhjetë metra, dhjetë hapa nga shkëmbi dhe aty pamë një vend që kishte bërë vend, që dukej që ishte gropë. Filluam gërmimet. Unë e kam edhe të filmuar. Filluan kërkimet, kur dolën pullat e kapotës, doli kapota e tij pa tretur, mbathjet pa tretur, bluza pa tretur, unaza e tij, çorapet pa tretur. Kam qenë vetë prezent….!
Në ça viti ndodhi kjo, pra kur i gjetët eshtrat?
Kjo ndodhi…kur i gjetëm eshtrat, ishte në ’96-ën…! Pastaj i kemi marrë eshtrat, i futëm në një qese, në dy qese të zeza në mos gabohem, kemi ardhur pastaj menjëherë për në Berat.
Çfarë do të thoshte për ju gjetja e eshtrave?
Ai ishte një gëzim i madh për ne sepse, shumë familje të tjera nuk i kanë gjetur eshtrat akoma dhe sot, edhe ai prehet në…prehet sot në varrezat e Beratit, në Burdullias, por nuk më harrohet vetëm diçka. Dy gjëra kam nga historia e xhaxhait tim. Ai kishte shumë nipër dhe ka shumë nipër e mbesa. E para ishte, kur na ndodhi kjo (pra para se të shkonin për t’u arratisur) dhe kishte sjellë një sobë, e kishte blerë në Pogradec, se kishte një shok në Pogradec, Klementin… Muça që i thoshin.
Edhe i thotë e ëma: “Pelivan, shiko mos na merr ndonjë sobë”. Edhe e sjell ai. Edhe gjyshja e shkretë qante, duke pastruar atë sobën se i gëzonte vetëm asaj sobës që kishte prej atij, as trupin…! Edhe herën e fundit, kur kanë ardhur eshtrat në shtëpi, doli…! E rregulluam në një arkivol të vogël. – “Të keqen nëna,- tha,- e dija që do i vije një ditë nënës në shtëpi, erdhe pas 12 vjetësh”. Edhe po puthte…hapi arkivolin, puthte ato eshtrat…!
Keni ndonjë një mesazh për familjet që ende i kërkojnë eshtrat e të afërmve dhe për institucionet përkatëse shtetërore?
Unë uroj që gjithë ato familje që nuk kanë gjetur viktimat e komunizmit dhe të vuajturit, duhet më shumë mbështetje të kenë nga institucionet, për t’ia lehtësuar dhimbjen, se nuk kanë pasur deri tani. Edhe për të persekutuarit, duhet të ketë më shumë vëmendje shteti shqiptar, se janë njerëz të vuajtur edhe njerëzit më të nderuar. Memorie.al
Marrë nga Kujto.al