Nga Mark Brunga
Memorie.al / Disa kohë më parë në media u publikua një lajm i veçantë, mbi zbulimin e disa ndërtimeve nëntokësore në qytetin e Kukësit që cilësoheshin; “të pabesueshme”! Një spital për 500 shtretër, fabrika e prodhimit të bukës, hapësirat e tjera, për vend-komanda ushtarake e shumë zyra për administratën. Në koment të këtij lajmi, theksohej se; nuk është habi, kur pak kohë më parë, mediat e huaja ndërkombëtare, e renditën Shqipërinë, pas SHBA-së dhe Zvicrës, si vendi me sigurinë më të madhe, për sulmet bërthamore dhe atomike, për shkak të vend-strehimeve të shumta, të ndërtuara gjatë luftës së ftohtë. Duke u nisur nga ky informacion, për hir të së vërtetës, objekti i shfaqur për herë të parë nga nëntoka e Kukësit, është vetëm maja e ajsbergut të punimeve gjigante, që janë bërë në mënyre sekrete, për mbrojtjen e vendit, në periudhën e sistemit të kaluar të regjimit komunist.
Në qytetin e Durrësit, ky tunelizim ka pasur përpjesëtime shumë më të mëdha. Ndërkohë, punimet janë kryer për një sistem mjekësor, sa më të efektshëm, në spitalet ushtarake në shumë rrethe, si; Korça, Elbasani, Durrësi, Shkodra, Vlora, etj. Duke u nisur nga Kukësi, mund që të ketë edhe shumë të tjerë. Për këtë, po i referohem disa shënimeve që kam mbajtur disa vite më pare, në biseda me ish-ushtarakë të cilët, me treguan me detaje mbi ndërtimet e bëra në Durrës, mbi punime nëntokësore të kësaj natyre.
Ata theksonin se në vitet e luftës së ftohtë në Shqipëri, bëhej një punë e madhe ideologjike, e shoqëruar me stërvitje praktike, për të përballuar një lufte të gjatë, kundër sulmeve eventuale të superfuqive të asaj periudhe, ose vendeve fqinje. Për këtë, qenë siguruar armatime të shumta, për strukturat e Forcave të Armatosura, ku hynin afërsisht 700.000 trupa të gatshme dhe rezerviste, që stërviteshin për luftë. Për të bërë një betejë të gjatë dhe sa më të efektshme në mbrojtje të kufijve tanë, një nga prioritetet e mbrojtjes, ishte krahas bunkerizimit edhe tunelëzimi i zonave strategjike, që do te mundësonte dëmtimin sa më të paktë, të trupave tona ushtarake.
Për rastet e plagosjeve të ndryshme, funksiononin një sërë spitalesh ushtarake, të kompletuara me mjekë specialiste dhe shumë prej këtyre spitaleve, ishin projektuar në tunele të nëndheshme. Një ushtarak i asaj periudhe, Shpendi Topollaj, tregonte se sistemi i ndihmës mjekësore në ushtri, ishte nga më perfektët. Në periudhën kur opsioni i luftës “dhëmb për dhëmb” me armikun, qëndronte si opsion i ditës, tregonte ai, në çdo repart ushtarak, kishte një shef shëndetësie, që ishte një mjek shumë i kualifikuar, i cili ishte ose mjek ushtarak ose mjek rezervist, i inkuadruar në repart si shef shëndetësie, për kohë të veçantë dhe në përbërje të ekipit, kishte edhe një ndihmës mjek ose sanitar.
Në këtë kuadër, çdo batalion kishte spitalet fushore të përgatitura për të gjitha variantet e luftës. Brigadat ishin me të kompletuara. Këtu, shëndetësia varej nga njësia e prapavijës. Ishte e pajisur shumë mirë dhe kryenin në kohë paqeje, deri tek ndërhyrjet operacionale, në raste stërvitjesh dhe traumash. Ata ishin spitale fushore, por edhe të sistemuara në tunele. Këto tipe spitalesh nën sipërfaqen e tokës, kishin rrjete dhe sisteme ajrimi, me filtra me ventilacion, që edhe për rastet e përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë, të mos ndërpritej dhe të dëmtohej puna për riaftësimin shëndetësor, të të sëmurëve ose të plagosurve.
Spitalet ushtarake ishin të pajisura me salla operacionale të fjalës së fundit, të asaj periudhe që mbaheshin rezervë për kohë të veçantë, si dhe me medikamente shëndetësore, që rinovoheshin vazhdimisht. Për një sistem mjekësor sa më të efektshëm, spitalet ushtarake ishin të shpërndarë në shume rrethe, si; Korça, Elbasani, Durrësi, Shkodra, Vlora, etj. Në atë periudhe, i është vënë shumë rëndësi, ndërtimit të një spitali nëntokësor në Durrës, i tipit suedez, i cili ka pasur edhe një kosto shumë të madhe nga ana financiare.
SPITALI NËNTOKËSOR I DURRËSIT, SIPAS DËSHMISË SË OFICERIT LUTFI SHEHU
Lutfi Shehu, i cili sot është oficer pensionist, për rreth 12 vite, ka shërbyer në Durrës si Shefi i Mbrojtjes Civile, pranë Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Durrësit. Ai tregon se; një nga ndërtimet më të mëdha nëntokësores, është Spitali i Durrësit, krahasuar edhe me shumë vepra të tjera nëntokësore, të ndërtuara për kohë të veçantë në kurorën kodrinore të qytetit. Spitali Ushtarak nëntokësor, është ndërtuar në afërsi të Spitalit të atëhershëm të Durrësit, ku është ri-ngritur tashmë Spitali Rajonal, në një afërsi relative. Për rastet emergjente, spitali civil komunikonte me atë nëntokësor ushtarak, me një tunel të posacëm, i ndërtuar edhe ai në fshehtësi në mënyre sekrete, ashtu siç është ndërtuar tërë spitali i nëndheshëm. Spitali kishte kapacitet prej 500 shtretërish.
Lutfiu tregon se vendimi për ndërtimin e spitalit nëntokësor është marrë në vitin 1981 nga Këshilli i Ministrave dhe ndërtimi i tij, ka vijuar deri në vitin 1991. Propozimi për këtë objekt është bërë nga Drejtoria e Mbrojtjes Civile, me drejtor Rrapi Minon. Me projektimin e tij është marrë Instituti i Projektimit te Veprave të Mbrojtjes, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë. Pas marrjes së vendimit, erdhën topografët dhe inxhinierët, të cilët në bashkëpunim me Institutin e Ministrinë e Shëndetësisë, gjetën vendin e përshtatshëm, ku do ndërtohej spitali ushtarak nëntokësor. Ai u përcaktua që të ndërtohej në kodrinën afër spitalit ekzistues, pasi parashikohej që në rast goditjeje ajrore, lidhja mes dy objekteve të bëhej me tunel, për transportin e të sëmurëve ose të të plagosurve të mundshëm.
Ai u konstruktua që të bëhej me tre hyrje dalje. Njëra, kishte funksionin e hyrjes dhe të pritjes së të sëmurëve, të të gjymtuarve, tjetra e furnizimit, ndërsa e treta të daljes. Spitali fillimisht u bë tunel, me seksion të gjerë dhe me pas zgjerohej e degëzohej, në seksione të veçanta. Fillimi ishte sektori i pritjes dhe kontrollit të të sëmurëve, ku bëhej për raste goditjesh me lëndë helmuese luftarake edhe dezinfektimi i ushtareve dhe degazimi nga reparte special, të mbrojtjes kundër kimike. Aty ekzaminohej shkalla e dëmtimit të plagosjeve dhe përcaktohej salla, ku do të ndiqej terapia.
Spitali kishte të projektuara, përveç repartit të pritjes edhe sëmundjet, plagosjet e lehta, kirurgjinë, dhe sallën e likuidimit të traumave. Në fillim të përpunimit, ishte salla e dusheve. Depozita nëntokësore, kishte rezerva uji për një muaj autonomi. Ndërsa funksiononin edhe tubacionet nëntokësore, me depon kryesore të ujit të qytetit. Brenda ndodhej edhe një laborator modern, për analizat dhe diagnostifikimet e nevojshme. Në të parashikohej që të shërbenin mjekët e spitalit të Durrësit, si dhe mjekët ushtarakë që ndodheshin nëpër repartet e zonës. Si p.sh mjekët e Batalionit Xhenjero – Kimik, që ndodhej në afërsi dhe që ishin të specializuar.
ZV/KRYEMINISTRI BEKTESHI PËRGËZON PËR PUNIMET INXHINIERIN E TALENTUAR SABRI ÇIKU
Lutfiu tregon se për ecurinë e punimeve, raportohej rregullisht prej tij dhe nga Lefter Shuka, në instancat e larta shtetërore. Ndërsa zbatimi bëhej nga Kantieri i Mbrojtjes, me drejtues inxhinierin e shkëlqyer, Sabri Çiku, i cili kishte përzgjedhur një staf punonjësish profesionistë, të cilët mahnitën me mënyrën e punës dhe cilësinë e rrallë të punimeve të realizuara, edhe Zv/Kryeministrin Besnik Bekteshi. Ka qenë viti 1985, kur erdhi Bekteshi. Atij i tërhoqi vëmendjen puna e specialistëve që drejtonte Sabri Çiku. Objektet dhe elementët prej betonarmeje prodhoheshin brenda, staxhionoheshin brenda tunelit dhe montoheshin po prej tyre, në kushte të fshehta, pa pasur njohuri askush nga jashtë, se çfarë bëhej në thellësi të nëntokës.
Pasi pa gjithë atë volum pune të kryer, në kushte të vështira, plot sakrifica, duke thyer çdo lloj standardi teknik, Zv/Kryeministri Bekteshi, propozoi një prej këtyre specialistëve për dekorim si dhe urdhëroi, që t’u planifikohej një rrogë mujore shpërblim, për të gjithë. Për ndërtimin e spitalit nëntokësor sekret, është përdorur hekur dhe beton i cilësisë më të mire, që kishte vendi ynë në atë kohë. Hekuri i përdorur në këto tunele, ka qenë i njëjtë me atë që u përdor për hidrocentralin e Fierzës, ndërsa betoni ishte i markës 400 e sipër. Kantieri i ngritur në Durrës, përbëhej nga rreth 60 punëtorë, specialistë dhe inxhinierë.
Teknikët dhe punëtorët kanë qenë shumë të kualifikuar, për punime të brendshme nëntokësore. Ata kishin marrë përvojë në ndërtimet e hidrocentraleve të Shkopetit dhe Bistricës dhe pas tyre, erdhën në Durrës. Në lidhje me teknikën e ndërtimit, duhet thënë, se nuk ka qenë ndonjë teknikë moderne. Janë përdorur traktorë gërmues për hapjen në thellësi të tuneleve, që u siguruan nga reparti i xhenjos së ushtrisë. Ndërsa u tha se projektet për ndërtimin e tyre, janë marrë nga vendet nordike, kryesisht Suedia dhe Norvegjia.
JETA E ZBATUESIT TË PROJEKTIT, SABRI ÇIKU
Konstruktori i zbatimit të projektit të Spitalit Nëntokësor, Sabri Çiku, ka lindur më 10 prill 1939, në fshatin Fushë-Muhur të Peshkopisë. Në moshën 8 vjeçare mbetet jetim dhe në gjendje të keqe ekonomike. Shkollën fillore e mbaron në fshatin e lindjes, ndërsa arsimin 7 vjeçar e përfundon në Peshkopi, në konvikt shtetëror. Pas kësaj periudhe ai shkon si nxënës i shkollës së mesme të ndërtimit në Tiranë. Pas përfundimit të shkollës me rezultate të mira, ai dërgohet nga shteti në Bashkimin Sovjetik, si student në shkollën ushtarake të Aviacionit në Shadrinek e Krasnodar, në specialitetin e Shturmanit, Bombardues.
Në vitin 1961, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, duke qenë me rezultate të shkëlqyera në mësime, ai dërgohet ne Republikën Popullore të Kinës, për të studiuar në të njëjtin specialitet. Në vitin 1963, kthehet nga Kina me një karakteristikë mjaft të veçantë, si student i shkëlqyer, por për arsye shëndetësore, nuk mund të vazhdojë të punojë në aviacion dhe filloi punë në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Porteve në Durrës.
Studion dhe diplomohet për Inxhinieri Ndërtimi dhe në vitin 1970, ai kalon në funksionin e drejtorit në ndërmarrjen “Komunale Banesa” të këtij qyteti, ndërsa në fillim të viteve ‘80-të, ai nis punën si drejtor i Kantierit të Veprave të Mbrojtjes. Realizoi disa objekte të rëndësishme, mes të cilave Spitalin Sekret në lagjen nr 10-të. Ka marrë disa dekorata dhe medalje të ndryshme. Ndahet nga jeta në moshën 60 vjeçare, në ndërrim të shekullit, në vitin 1999. Memorie.al