Nga Bashkim Trenova
Pjesa e trembëdhjetë
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
Vijon nga numri i kaluar
“Armiqtë e popullit”
Në mbledhjen e organizatës më akuzuan se kisha pranuar dhurata nga Nils dhe Renée Anderson!
Nils dhe Renée Anderson, pavarësisht nga trajtimi që i’u bë gjatë qëndrimit në Shqipëri, duke qenë të huaj, ishin gjithnjë të dyshimtë. Në Shqipëri çdo i huaj shihej si agjent i shërbimeve sekrete, që punonin kundër udhëheqjes së Partisë së Punës, që thurnin komplote për ta përmbysur këtë udhëheqje dhe për ta kthyer Shqipërinë, këtë bastion të fundit të socializmit, në një vend kapitalist. Kështu, shoqërimi, jo më miqësia me të huajt, shihej edhe ajo me mjaft dyshim. Ajo, më së paku, të deklaronte si agjent potencial i agjentëve sekretë të botës kapitalisto-revizioniste, por edhe si i rekrutuar prej tyre, si i shitur tek të huajt. Për të arritur deri këtu, sigurisht që ish-shefave të mi në Radion e Jashtme, u duhej që të kërkonin e të paraqisnin edhe prova.Ata i gjetën dhe i serviren këto “prova”.
Kiço Pandeli në një mbledhje të organizatës bazë të Partisë së Radios së Jashtme, deklaroi se: Bashkim Trenova ka marrë dhurata nga Nils dhe Renée Anderson, kur ata kanë ardhur me pushime në Shqipëri. Më tej ai shton se ata më kanë dërguar, nga vendi ku banonin, edhe një aparat televizori. Jo këto, por edhe një çakmak po të pranoje si dhuratë nga të huajt, ishte e pafalshme për regjimin në pushtet në Shqipëri. Kur them ketë, kam parasysh një fakt konkret të ndodhur disa vite më pas, kur punoja në “Zëri i popullit”. Në organizatën e Partisë të “Zërit të popullit”, bënte pjesë edhe shkrimtari dhe poeti i njohur i Luftës Antifashiste, Shefqet Musaraj, një burrë i urtë dhe modest, megjithëse kishte me se të krenohej. Ai ishte edhe mik i diktatorit. Së paku kështu njihej se në të vërtetë diktatori nuk kishte asnjë mik.
Nga sa më kujtohet, në komodinën pranë shtratit të tij, ai mbante edhe një fotografi që kish bërë me Enver Hoxhën dhe me dedikimin e tij. Një ditë ai u takua me një delegacion të shkrimtarëve kosovarë, që ishin ftuar për një vizitë në Shqipëri nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve. Një nga anëtarët e këtij delegacioni, para se të ndaheshin, i len atij në dorë një çakmak apo një stilolaps krejt të zakonshëm si dhuratë, si kujtim. Për këtë, organizatës së Partisë së “Zërit të popullit”, i’u dha orientimi që të mblidhej dhe të merrej masë ndaj Shefqet Musarajit, deri në përjashtim nga Partia. Më pas, erdhi një orientim tjetër që anulonte të parin. Shefqeti ishte një figurë e njohur, një personalitet. Dënimi i tij do të ishte i dëmshëm për vetë Partinë. Siç duket dikush e kuptoi këtë dhe nuk lejoi të merrej masa ndaj Shefqet Musarajit. Një tjetër në vendin e tij, nuk do të falej kurrë sesi.
Rreth 30 vjet më pas, i kam treguar Nils Andersonit gjithçka mbi “dhuratat” që më kishin bërë ai dhe e shoqja, Renée Anderson. “Gjithçka e kuptoj, më tha Nilsi, por një gjë megjithëkëtë, nuk arrij ta përtyp. Përse na dhanë dekoratat e larta si “Mik i Shqipërisë?” Nuk kishin asnjë detyrim ta bënin këtë”!? Nilsi kishte të drejtë. Edhe, së paku, i dyshuar për agjent i shërbimeve të huaja, edhe i dekoruar si mik i madh, sikur nuk shkonte….! Këtë të thotë një logjikë e shëndoshë, por ajo është e huaj për një logjikë të sëmurë, siç ishte ajo e regjimit dhe e të gjithë atyre që i shërbenin atij në Shqipëri pa asnjë rezervë. Kjo lloj logjike u vu në lëvizje duke bërë objekt thashethemesh edhe jetën time private. Gjithçka që u shërbente drejtuesve të Radios për të hedhur baltë mbi mua, ishte e dobishme.
Akuzat ndaj meje, pse u ‘ndava’ me vajzën e gjeneralit të njohur!
Unë, në fillimin e viteve ‘70-të të shekullit të kaluar, kisha njohur një vajzë. Liza Fejzo, quhej. Ishte një vajzë e mirë, e sjellshme, kishte mbaruar studimet në Fakultetin e Mjekësisë. Babai i saj, Abaz Fejzo, mbante gradën e gjeneralit të ushtrisë dhe ishte komandant i ‘Brigadës së Tankeve’. Ai njihej si ideatori dhe krijuesi i teorisë dhe rregulloreve të luftimeve tankiste në terrenin shqiptar. Me Lizën u ndamë një ditë qetësisht, në paqe. Të dy e kuptuam se nuk mund të vazhdonim bashkë. Unë nuk isha “princi” i ëndrrave të saj. Ajo po kështu për mua. Ne nuk ishim as të fejuar dhe as të martuar. Familjet tona e pritën me keqardhje vendimin tonë, por e respektuan atë. Në Radio, përkundrazi, kërkuan të nxjerrin përfitimet e rastit. U diskutua kulisave dhe u vendos që mua të më vinin para përgjegjësisë për shqetësimin, që i kisha krijuar familjes së Abaz Fejzos, i cili njihej si për lidhjet e tij me kupolën komuniste, ashtu edhe për vetë pozitën e lartë pranë kësaj kupole. Në aparencë ata dilnin kështu në mbrojtje të një kuadri të lartë partie, solidarizoheshin me të, kundër një “aventurieri”, siç mund të isha unë.
Nuk u vazhdua gjatë në këtë sipërmarrje, jo se në Radio e kuptuan se nuk duhej vazhduar, por se ngjarjet rrodhën jo në favor të tyre. Abaz Fejzo, një burrë i mençur, erudit, për të cilin ruaj gjithnjë respekt të plotë, u arrestua dhe u akuzua si komplotist. Atë e cilësuan si “bashkëpunëtor apo anëtar i grupit të lartë ushtarak bonapartist”, që kishte planifikuar përmbysjen e diktatorit dhe të udhëheqjes së Partisë së Punës. Ky ishte versioni zyrtar, që shkonte në linjë me ëndrrat paranojake të diktatorit. ‘Trojkës’ së Radios së Jashtme, i’u desh tani të kthejë velat në drejtimin e erës. Ata i’u vërsulën Abaz Fejzos, duke kërkuar dënimet më të rënda për të, si edhe për ushtarakët e tjerë të lartë. Gjeneral Abaz Fejzo u dënua rëndë dhe nuk pa asnjë ditë të lirë pas këtij dënimi. Ai vdiq në burgun e tmerrshëm të Burelit. Edhe pas këtij dështimi, drejtuesit e Radios nuk i lëshuan “armët.” Ata kërkonin, me çdo çmim, të hakmerreshin, të më bënin të paguaja shtrenjtë për ta, së paku të mos më shihnin më fytyrën.
Njohjen time me Liza Fejzon, e trajtuan sipas të njëjtit stil edhe rreth 15 vjet më pas disa anonimë, në një artikull që botuan në “Zëri i popullit”. Në atë kohë unë punoja në “Rilindja Demokratike” dhe kisha botuar vazhdimisht artikujt kundër diktaturës. Anonimët u kujtuan të shkruajnë se unë kisha qenë martuar me Liza Fejzon dhe se isha ndarë me të sepse kisha vlerësuar më tepër karrierën time, gjë që ishte rrezikuar sepse babai i Lizës, Abaz Fejzo, ishte burgosur si armik i Partisë. Anonimët, që përdornin si kallashnikov kundër meje gazetën e themeluar nga Enver Hoxha, nuk mungonin të më cilësonin edhe si enverist, d.m.th., një simpatizant fanatik i diktatorit. Unë botova një përgjigje në “Rilindja Demokratike”. Ashtu si para 15 vjetëve, përsërita se nuk kisha qenë kurrë as i martuar dhe as i fejuar me Liza Fejzon, se ndarja jonë ishte bërë disa vite para se babai i saj të arrestohej. Për cilësimin “enverist”, ata ishin të zhvendosur në kohë. Unë nuk e kam mohuar asnjëherë se e kam dashur Enver Hoxhën, se kam parë tek Enver Hoxha idealin e madh të komunizmit, siç e vlerësoja në atë kohë. Unë nuk kam qenë disident. Problemi nuk ishte tek unë, por tek ata që vetë Enver Hoxha mbante pranë tij, që i thurnin kultin, i serviloseshin, i shërbenin si skllevër, pa bindje, pa dinjitet. Këta asnjëherë nuk më pranuan jo më si enverist, por po të flasim me gjuhën e asaj kohe, as si nxënës të mësimeve të Enverit. Besoj se kanë patur arsyet e tyre. Ata e kanë njohur më mirë se unë Enver Hoxhën, por le të kthehemi sërish në Radio Tirana.
Me urdhër të shefave, polici i Radios ma morri fletë-hyrjen dhe nuk ma ktheu më!
Pavarësisht se punoja në OAN, unë isha gjithnjë kuadër i Radios së Jashtme. Si i tillë isha pajisur edhe me një kartë-hyrje për në godinën e Radios. Këtë kartë të gjithë punonjësit ishin të detyruar t’ia tregonin policit, që bënte roje në hyrje të godinës. Një ditë polici, Muharremi, ma kërkon kartën. Pasi i’a dhashë atë, ai nuk ma ktheu. Muharremi më tha se kishte urdhër që të vepronte kështu. Ky ishte vendimi i shokëve drejtues komunistë të Radios, ndaj një kolegu të tyre që do të bëhej komunist! Ata as që dëshironin të komunikonin më me mua. Për këtë gjë kishin zgjedhur policin. Edhe unë nuk dëshiroja të kisha të bëja më me ta. Në atë periudhë unë punoja tri ditë në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit dhe tri ditë të tjera të javës në Radio Tirana. Në mbledhjen e kolektivit për Plenumin e IV të Komitetit Qendror të Partisë, kërkova që stazhi im si kandidat partie në këtë ofiçinë, të ishte i plotë, d.m.th. që unë të punoja atje gjatë të gjithë ditëve të javës. Këtu, më duket, për herë të parë dhe të fundit, trojka dhe unë kemi qenë të një mendimi.
Unë vazhdova stazhin në OAN. Radio e Jashtme, shokët e shoqet, kolegët e mi, analizat dhe komentet mbi ngjarjet ndërkombëtare do të më mungonin shumë. Asnjëherë më parë nuk isha shkëputur kështu, për një kohë kaq të gjatë nga puna dhe shokët në Radio. Isha larguar vetëm një herë për tre muaj në vitin 1969. Në mesin e dimrit të këtij viti, më dërguan të bëj një kurs si oficer rezervist në Uznovë, një fshat në afërsi të Beratit, një qytet ky në qendër të Shqipërisë. Në atë kohë në Shqipëri, të gjithë ata që mbaronin studimet universitare, ishin edhe oficerë rezervistë. Unë, pra, isha i tillë. Në Radio nga Dega Ushtarake që merrej me rekrutimin, erdhi kërkesa për këtë kurs për disa punonjës të saj. Përfundimisht Drejtoria vendosi që vetëm unë të shkoja larg Tiranës, në Uznovë. Albert Shala, bëri të njëjtin kurs në Tiranë. Të tjerët, sipas kërkesës së Drejtorisë së Përgjithshme të Radio Televizionit, u liruan nga ky detyrim, vazhduan punën e tyre të përditshme.
Tre muajt në Uznovë do të kalonin shumë shpejt. Shokët e kolegët nuk harronin të më shkruanin plot humor dhe me rrëfime nga më të pabesueshmet për mua. E tillë ishte, p.sh. edhe një letër e Lulzim Hanës. Para se të shkoja në stërvitje ushtarake, mua më kishin ngarkuar të drejtoja “formën e edukimit” me të rinjtë e Radios. Në të vërtetë fjala është për një mbledhje të përmuajshme, ku diskutohej për subjekte të ndryshme. Nëpërmjet tyre synohej formimi ideo-politik i punonjësve, sipas mësimeve të Partisë së Punës dhe të Enver Hoxhës. Me largimin tim këtë detyrë, i’a ngarkuan Lulzimit. Ja ç’shkruan ai: “Bashko, mungesa tënde po më kushton “shtrenjtë” mua uzurpatorit Brut. Të them të vërtetën, jam lodhur mjaft, bile edhe dobësuar, por megjithëkëtë nuk dorëzohem. Përkundrazi i kam futur në “telashe” disa njerëz e, sidomos shoqet e formës tënde, të cilat po presin me padurim që të kthehesh ti, sepse me sa duket, revolucionari ynë, kalorësi ynë, përdorka “shpata kartoni”, në marrëdhënie me femrat!! Sidoqoftë respekti kundrejt seksit të dobët, duhet të jetë dhe kjo të justifikon. Prandaj po pres me padurim që të kthehesh dhe t’i “qetësosh”.
Kthimi im në Radio u bë rreth dy muaj pas letrës që më dërgoi Lulzimi. Kthimi nga OAN do të bëhej vetëm pas rreth dy vjetësh dhe për të qëndruar aty jo më shumë se dy javë.
Rikthimi i Thanas Nanos si Drejtor i Përgjithshëm i Radi-Televizionit Shqiptar në ’73-in
Pas Plenumit të IV të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, në Radio u rikthye Thanas Nano, si drejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit. Sikurse del nga proces-verbali origjinal i mbajtur më 28 prill të vitit 1971 në takimin e Enver Hoxhës me nëmurin një të rinisë komuniste, Agim Meron, diktatori Hoxha ka thënë: “Me sa duket shoku Thanas nuk qenka në gjendje të kuptojë kërkesat e drejta të rinisë”. Vetë Enver Hoxha ne shkurt të vitit 1972, e largon atë nga Radio Televizioni. Vendin e tij e zuri Todi Lubonja. Tani që Todi ishte deklaruar armik i Partisë, po vetë Enver Hoxha e rikthen Thanas Nanon si drejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar…?!
Në prillin e vitit 1973 Thanas Nano rikthehet në Radio Tirana. Asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur diçka e ngjashme, d.m.th. që të rikthehej në postin e tij të mëparshëm një kuadër i larguar andej me urdhër të Enver Hoxhës. Ishte vetë diktatori që po “korrigjonte” veten. Thanasi zbarkoi kështu në Radio si një drejtues i pazëvendësueshëm, si njeriu ndaj të cilit vetë diktatori paranoja kishte besimin më të plotë. Në vendimin e nënshkruar nga Enver Hoxha për kthimin e Thanas Nanos në Radio Televizion, diktatori ka vendosur këtë shënim: “Në Radio-Televizion të kthente Thanasi. Në fushën profesionale mangësi edhe mund të kemi, por, ama, proçka si të Todit, nuk do të bëjë”.
Kiço Pandeli dhe e tërë shpura e servilëve, e pritën me gëzim të madh Thanas Nanon. Ky kur u largua nga Radio-Televizioni kishte deklaruar: “Kam punuar, por edhe kam gabuar, ndaj më falni”. Tani ai kthehej si triumfator me shpatë të madhe. Punonjësit e Radio-Televizionit e njihnin hakmarrjen e Thanas Nanos. Vetë Thanasi e dinte këtë gjë. Për t’i “qetësuar” ata, në një nga mbledhjet e para që bëri me kolektivin, ai tha: “Mos pandehni se kam ardhur të marrë hak? Mos pandehni se kam mbajtur shënim emrat e atyre që nuk kanë diskutuar në mbledhjet kundër Todit Lubonjës? Gaboheni”! Thanasi, përveçse me një shpirt tiranik, ishte edhe demagog i përkryer. Edhe ky tipar i karakterit të tij, njihej mirë nga punonjësit e Radio-Televizionit. Ishte ai që gabohej, duke menduar se të tjerët do t’u zinin besë fjalëve të tij.
Thanasi largoi nga Radio e Jashtme dy kolegët e mi, Lulzim Hana dhe Bardhyl Zekia
Shumë shpejt, pas kthimit të Thanasit, gjithçka filloi të shihet me dyshim. Redaksitë e programacioneve u “pastruan” nga emisionet, filmat, koncertet, regjistrimet muzikore të huaja e të vendit, që u vlerësuan si armiqësore për ideologjinë komuniste. Kjo gjë çoi në një varfëri të madhe në transmetimet e përditshme. Njëkohësisht filloi edhe dënimi dhe largimi nga puna i mjaft punonjësve. Nga Redaksia e Lindjes e Radios së Jashtme do të largoheshin Bardhyl Zekia dhe Lulzim Hana. Bardhyli, gjatë spastrimeve të mëdha në Radio, nuk ishte aty. Ai vazhdonte studimet në Shkollën e Partisë “Vladimir Iliç Lenin”. Me mbarimin e tyre, atë e emëruan instruktor për kulturën në Komitetin e Partisë së Tiranës. Drejtuesit e Radios, si Thanasi dhe Kiço Pandeli, bënë çmos që Bardhyli të mos kthehej sërish në Radio por, kur muarrën vesh emërimin e tij të ri, bënë çmos që atë ta largonin nga Komiteti i Partisë së Tiranës, si të padenjë për këtë detyrë.
Lulzim Hana, pasi u largua nga Radio e Jashtme, filloi punë në Institutin e Ekonomisë, pranë Akademisë së Shkencave. Këtu ai mbrojti dhe mori titujt doktor dhe profesor. Në vitet e demokracisë, ai zuri edhe postin e rektorit të një universiteti privat në Tiranë, prej nga ku u largua për të dalë në pension. Për njerëz me një përgatitje të tillë, nuk kishin nevojë në Radio-Tirana. Lulzimi ishte i vetmi gazetar i ri ekonomist në Radion e Jashtme, pra i vetmi që mund të bënte artikuj analitikë, seriozë në fushën e ekonomisë. Për drejtuesit e Radios, aftësitë dhe kapaciteti në punë i gazetarëve, nuk llogariteshin si vlera, por si shqetësim, si pengesë prej së cilës duhet të liroheshin sa më parë.
Si Bardhyli ashtu edhe Lulzimi e provuan rrugën e emigracionit. Bardhyli shkoi në Itali, ndërsa Lulzimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dy u rikthyen në Shqipëri. Bardhyli u kthye pasi pësoi një aksident automobilistik dhe qëndroi për një kohë relativisht të gjatë në koma. Lulzimi u kthye pasi, siç e mendoj unë, familja e tij nuk mundi të përballojë krizën, që kalon çdo emigrant gjatë muajve dhe, pse jo, gjatë viteve të para të emigracionit. Në fund të fundit, as njëri dhe as tjetri, nuk ishin në moshë për të përballuar emigracionin me të gjitha vështirësitë e tij.
Jam takuar disa herë vitet e fundit në Tiranë si me Lulzimin ashtu edhe me Bardhylin. Kemi biseduar për të kaluarën dhe të tashmen. Lulzimi më sjell ndër mend gjithnjë një mbrëmje vere, kur ai donte të më thoshte diçka, një mendim kundër regjimit. Ne ishim ulur në një stol në parkun qendror të qytetit. Lulzimi fliste me zë aq të ulët, saqë unë nuk dëgjoja asnjë fjalë të tij. I thashë të ngrinte zërin, ndërsa Lulzimi ngriti kokën për të kontrolluar, se mos ndokush ishte ngjitur në pemën, që hidhte shtat pas stolit tonë dhe mund të na përgjonte! Sot mendimet tona, të Bardhylit, Lulzimit dhe të miat, nuk janë gjithnjë në harmoni, por kjo nuk e cënon miqësinë tonë. Kjo sot mund të shihet si diçka mëse normale dhe ashtu është. Gjatë diktaturës, mendimet e kundërta, sidomos në politikë, përcaktonin jo vetëm fatin e njeriut, por edhe atë të marrëdhënieve shoqërore apo miqësore.Unë,siç duket, duke qenë i pandërgjegjshëm për këtë realitet, në mjaft raste e kam injoruar atë.
Më kujtohet kur punoja në Radio Tirana, erdhi për pushime në Shqipëri, Vincent Vuillemin, student zviceran, vëllai i Rennée Andersonit. Unë e shoqërova atë gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri duke i folur, sigurisht, edhe për epërsinë e sistemit socialist mbi atë kapitalist si edhe për revolucionin. Pas kthimit të tij nga Shqipëria, ne shkëmbyem një korrespondencë të rregullt. Në një letër që më ka dërguar më 17 prill 1969, pas kthimit në atdhe, midis të tjerave, ai shkruan: “Mendoj me nostalgji për diellin e vendit tuaj dhe qetësinë e ullishtave buzë lumit. Të 15 ditët e mija në Shqipëri, ishin të jashtëzakonshme. Unë të falenderoj sinqerisht që më konsiderove si mik edhe pse nuk ishim të një mendimi.”
Shumë vite më vonë, Enver Muça, një shok i im me të cilin kam punuar në Radio Tirana, duke kujtuar disa sjellje të ngjashme të miat, do të më thotë: “Me ato që ke bërë, ti e ke merituar burgun” në diktaturë. Ndoshta ka të drejtë, por ja që në diktaturë, ndodhte, për shumë arsye, në raste të izoluara, që edhe “meritave” të tilla të mos u jepej me nxitim vendi që u “takonte”. Mua vetë as që më ka shkuar ndonjëherë në mendje se “meritoja” të përfundoja në qeli, si element disi turbullues. Gjithashtu për asnjë nga shokët apo kolegët e mi nuk e kam menduar këtë gjë. Gaboja rëndë.
Drejtori Thanas Nano, ‘spastroi’ Radio-Televizioni në ’73-in, duke larguar 266 punonjës!
Nga shokët e mi të Radio Tiranës, Gramoz Mborja ose Glinka, siç i thërrisnim, do të kishte një fat, me të vërtetë, tragjik. Po kështu edhe mjaft nga përkthyeset që punonin në Radion e Jashtme. Grushti do të binte i pamëshirshëm në të gjithë Radio-Televizionin.
Sipas dokumentacionit zyrtar të botuar tashmë, vetëm disa javë pas Plenumit të IV të Komitetit Qendror të Partisë, nga Radiotelevizioni shqiptar do të largoheshin 126 vetë dhe ky nuk ishte fundi. Vala e spastrimeve dhe e largimeve nga puna do të vazhdonte edhe në vitet në vazhdim. Më 28 prill 1975, Thanas Nano boton një artikull në organin qendror të Partisë së Punës, në gazetën “Zëri i popullit”, në të cilin, midis të tjerave, shkruan: “Më skuqet fytyra që i kemi fryrë jashtë mase organikat e institucionit tonë”. Duke i’u referuar gjithnjë dokumenteve zyrtare të botuara, në vitin 1975 u larguan, ose, sipas termit zyrtar të kohës, “qarkulluan” nga Radio-Televizioni Shqiptar edhe 140 vetë të tjerë. Disa dhjetëvjeçarë më pas, në prag të vdekjes, në një intervistë dhënë në shtypin shqiptar, Thanas Nano është munduar të përligjë të gjithë këtë batërdi me fjalët: “Po, kam qenë i ashpër, më saktë i rreptë, por i tillë kam qenë ndaj hileqarëve, përtacëve, ndaj kujtdo që i bënte bisht punës…”! Kam dëgjuar se në prag të vdekjes, mjaft ateistë, duke i’u trembur misterit të pas jetës, i kthehen besimit tek Zoti. Ndoshta Thanas Nano, kërkonte kështu të lehtësojë disi gjynahet e tij edhe pse duke bërë një gjynah të ri, duke mashtruar këtë herë edhe vetë Perëndinë!
Fati tragjik i kolegut Gramoz Mborja, që u arrestua pas largimit nga Radio!
Gramoz Mborja nuk ishte nga ata që “qarkulluan” ose që thjesht u larguan nga Radio e Jashtme. Atë e burgosën për vite të tëra sepse ishte nipi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Petrit Dume, i pushkatuar si komplotist dhe tradhtar. Atij i vunë prangat sepse ishte i biri i Koli Mborjes, komandant i Akademisë Ushtarake, një burrë babaxhan, faji i vetëm i të cilit ishte të qenurit kunat i Petrit Dumes.
Gramozi, ose Glinka, siç e thërrisnin prindërit dhe më pas edhe ne miqtë e tij, erdhi në Radion e Jashtme pasi mbaroi studimet për Shkencat Politike në Universitetin e Tiranës. Ai ishte gjithnjë i qeshur dhe mjaft miqësor, i gatshëm për të ofruar ndihmën e tij . Glinka kishte një fizik muskuloz e të ngjeshur, për të cilin tregonte mjaft kujdes. Në shtëpi ushtrohej rregullisht me shtanga. Ai banonte shumë pranë shtëpisë sime, kështu që edhe shkonim e vinim tek njëri-tjetri. Mua më kishte thërritur që të bëja dush tek ai. Në dy-tri raste edhe përfitova nga kjo ftesë. Në ato vite, dushi ende nuk ishte futur në shtëpitë tona. Ne vazhdonim të laheshim në socializëm, si gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë në feudalizëm.
Glinka kishte shumë ëndrra në jetë. Duke e ndjerë veten të përkohshëm në redaksinë e Radios së Jashtme, ai edhe nuk u tregua shumë i zellshëm për të luftuar pa mëshirë imperializmin amerikan, apo social imperializmin sovjetik siç bënim ne të tjerët. Ëndrra e tij ishte të shkonte në ndonjë ambasadë, të punonte në ndonjë përfaqësi diplomatike të Shqipërisë dikund në botën e jashtme. Ne të tjerët guxonim të ëndërronim vetëm një udhëtim një apo dyjavor jashtë shtetit, qoftë edhe vetëm një herë në jetën tonë. Shqipëria ishte atëhere totalisht e vetizoluar nga bota. Jashtë shtetit mund të dilje ose me një mision zyrtar, gjë që ishte mjaft e rrallë, pothuajse e pamundur, ose duke kaluar kufirin ilegalisht, gjë që paguhej me jetë në shumicën e rasteve. Rojet e kufirit kishin urdhër të prerë që të qëllonin dhe vrisnin këdo që do të tentonte të largohej nga Shqipëria. Ata, madje, edhe shpërbleheshin për çdo vrasje të kryer në kufi.Për më tepër, gjithçka nuk mbaronte me kaq. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016