Nga Eugen SHEHU
Pjesa e dytë
Memorie.al / Është krejt si të thuash aksiomë, mendimi i shprehur se historia është kujtesa e zgjuar e një populli! Ajo nuk fle kurrë. Ajo nuk mund të flejë, se përndryshe do të ishte vdekje e kombit. Kjo nuk do të thotë aspak se nuk mund të gjenden njerëz, që të kërkojnë të vrasin historinë. Përkundrazi, këta janë në bollëk dhe këtë e dëshmoi sidomos diktatura shqiptare gjysmëshekullore e cila, jo vetëm falsifikoi e denigroi një periudhë relativisht të gjatë të historisë së këtij shekulli por, sidomos u përpoq ta vrasë atë. Ajo çka rëndon në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoninë Shqiptare, u quajt “Periudha e Zogut”, e cila u vesh prej historiografisë komuniste, me gjitha të zezat, ashtu siç u konvenonte ekspansionizmit sllavo-ortodoks, greko-serbo-bullgar e, atij italian.
Tashmë jo vetëm për bashkëpunëtorët e tij por për krejt popullin tonë, ishte më se e qartë mendimi që ky prijës 27 vjeçar, i ardhur prej kullave të Burgajetit, jo vetëm po mëshironte tiparet e vyera të të parëvet të vet, por edhe shtrinte më larg rrezet e diellit të shqiptarizmës. Në gjenet e trimit të Matit, ishin ngjizur jo vetëm trimëria e ndershmëria e Zogollëve, por edhe fisnikëria e përkushtimi i tyre në rrafsh të ndjenjave kombëtare. Edhe në detyrën e kryeministrit shqiptar në vitet 1922-1924, Ahmet Zogu kontribuoi sa mundi, në rrafsh të politikave kombëtare shqiptare.
Ngase vendi në këtë periudhë, kalonte dallgë të revoltave krahinore, dhe rebelimeve separatiste, kryeministrit shqiptar iu desh të strukturonte strategji të reja, çka mund ta mbanin në këmbë shtetin shqiptar, aq shumë të sulmuar, qoftë prej shpirtit anarkik tonin, aq edhe revolta të inicuara nga të huajt. Të kësaj periudhe dy vjeçare, janë arkivat tana me qindra mijëra urdhra e udhëzime të Ahmet Zogut, të cilat dëshmojnë jo vetëm zgjuarsinë dhe tejpamësin e tij në ngritjen e shtetit shqiptar, por edhe vendosmërinë për t’iu përshtatur modeleve perëndimore të funksionimit të shteteve.
Sidoqoftë, veprimtaria e tij në këto dy vjet, nuk mund të ngjishet në aspektin dokumentar. Ngase dimensioni atdhetar i Ahmet Zogut, do të ishte i plotë, ai shpesh do t’i linte zyrat e shkresat, për t’u gjendur mes ushtarëve dhe kuadrove të ushtrisë sonë kombëtare, e cila vigjilonte në kufijtë e Shqipërisë. Këto lëvizje të kryeministrit shqiptar nga Vermoshi në Konispol, nuk mund të kishin vetëm anën spektakolare të çështjes.
Përkundrazi, intuita luftarake e Ahmet Zogut, ndikonte ndjeshëm në krejt strukturimin dhe qëndrimin e forcave kombëtare në rrafsh të ruajtjes së tërësisë sonë tokësore. Orientimet e Qeverisë Shqiptare të drejtuar prej Kryeministrit Ahmet Zogut, do të ishin kurdoherë të qartë dhe do të përpiqeshin të ndiqnin rrjedhat e kohës, duke synuar natyrisht në civilizimin e shoqërisë shqiptare dhe afrimin e mentalitetit të saj me mentalitetet e shoqërive perëndimore.
Vetë kryeministri Ahmet Zogu, në ditët e para të marrjes së kësaj detyre, është shprehur tekstualisht; “Besoj se qeveria e sotme ka me realizue të gjitha sentimentet politike e sidomos mendimin, që kemi me themelue një shtet oksidental e plot qytetërim…! Qeveria në kurrnjë mënyrë, nuk do të pengojë lirinë e popullit e të shtypit e do të jetë gati të presë me qejf, çdo bisedim që do të bahet për të mirën e shtetit shqiptar.
Shteti ynë asht i vogël dhe politika e tij do të jetë e qartë e pa imagjinacione, të cilat mund të na bëjnë nji dam të madh… Me shtetet fqinje do të jemi miq e do t’i respektojmë tue u kërkue që të na respektojnë independencën dhe integrimin e plotë të shtetit tonë, edhe bashkë me këto edhe respektimin e independencës së plotë ekonomike”. (Arkivi i Kryeministrisë së Shqipërisë, fondi 47, fjala e kryeministrit para kabinetit 21 dhjetor 1922).
Personalisht mendoi se Ahmet Zogu, hynë në radhët e pakta të atyre politikanëve shqiptarë, unikë, përmes fjalës së tyre dhe veprës. Porositë e përmendura më lartë, u shndërruan me forcë të madhe lëvizëse, duke synuar modernitetin e shtetit shqiptar i cili lëkundej midis tallazeve të fatit si nji varkë druri në dallgët e detit. Përgjithësisht, si udhëheqës, Ahmet Zogu askurrë nuk luajti në politikat e kulisave, ngase njihte rreziqet e tyre.
Ai deklaronte gjithashtu fqinjësinë e mirë të dëshiruar pa hequr askurrë vështrimin e vet tejpamës nga çdo piramidë e kufirit të atdheut të vet. Ajo çka ngjau në Shqipëri në vitin 1924, kur Fan Noli me gjakftohtësi, ngase pasionet shpesh herë e shtynë njeriun në verbëri dramatike, por gjithsesi unë mendoj se në pjesën më të madhe të shqiptarëve, është i qartë mendimi se lëvizja noliste ishte deri në fund një imitim i Revolucionit Bolshevik të Tetorit më 1917.
Noli (i cili u pagëzua prift në Amerikë prej peshkopëve rus), shprehte idetë e një pan-ballkanizmi duke mos njohur mirë prapavijën politike të ortodoksizmit ruso-serbo-grek, të cilat dhe synonin futjen e luftës krahinore në mes shqiptarëve dhe definitivisht shkatërrimin e Shqipërisë përfundimisht. Këtu mendoj se përsëri Ahmet Zogu, dëshmoi përsëri, me ato njohuritë e veta prej një politikani të klasit të lartë, i cili duke analizuar turbullirat e krijuara nga politika noliste, Ahmet Zogu u largua prej Shqipërie, duke mos përkrahur luftën krahinore që mund të zhvillohej.
Ai ishte dhe mbeti kurdoherë, armik i betuar i atyre që kërkonin gjakmarrje dhe këtë e provoi me kundërshtar të njohur të tij, si: Hysni Lepenicën, Kostë Çekrezin, Ali Kelmendin, Fan Nolin, Shefqet Shkupin e, dhjetëra nacionalistë e komunistë të tjerë shqiptarë. Largimi i tij disa muaj prej Shqipërisë, shkaktoi kriza të thella në vend me ritme të shpejta, ndërsa Noli duke pritur ndihmat dhe përkrahjet e vllezërisë sllavo-greko-ortodokse (të cilët prisnin kulmin e krizës shqiptare pastaj ta gllabëronin Shqipërinë), zhgënjente Perëndimin e Evropës, për vendin e Shqipëve.
Kështu që ndërsa Zogu vinte në Tiranë më 24 dhjetor 1924, populli parandiente sërish se shpresat e tij për shtet, nuk mund të shuheshin si flluska sapuni. E vërteta është se Ahmet Zogu, sërish ja zunë rrugën, ashtu si me 1920, kur kthehej nga Lushnja, por ai nuk mund të frikohej, ai se njihte frikën. Është kjo arsyeja që krejt populli e miratoi kthimin e tij në fund-dhjetorin e vitit 1924, pati që edhe brohoritnin këtë kthim. Shpëtimtari i kombit, në këtë ndjenjë ngazëlluese, sigurisht ka paraparë të tjera sakrifica të mëdha që duhej të bënte. Gazeta italiane ‘Mezzogiorno’ e disa ditëve më pas, do të shkruante me germa të mëdha se;
“Rilindja e Shqipërisë fillon vetëm më 1924, kur Ahmet Zogu, duke hyrë në krye të ushtrisë së tij ngadhënjyese, e liroi vendin nga luftërat e partive dhe të njerëzve të qeverisë pa vleftë dhe largpamësi”. Kështu që me 3 shkurt 1925, Asambleja kombëtare e dalë nga vullneti i popullit tonë, proklamoi Republikën e parë Shqiptare me Ahmet Zogun, President si dhe Komandant të Përgjithshëm të Ushtrisë Kombëtare. Në të vërtetë, aso kohe, Ahmet Zogu, ishte vënë në krye të Republikës Shqiptare e cila, do të mund të ravijëzohej qartë, sidomos në sfond të realitetit politik shqiptar.
Po t’u hedhësh një sy shkarazi disa dokumenteve arkivore, deklaratave apo intervistave të Presidentit Shqiptar të asaj kohe, nuk mund të mos vesh re një qëndrim të matur, që ai potenconte me Evropën e qytetëruar. Edhe pse fitoi me kundërshtarët e vet, edhe pse mundi të vendos një rend stabil e kontroll të plotë të shtetit, tek ai nuk ngritën krye sindromat e oxhakut të madh sipas riteve feudale. Jo rrallë, armiqtë e tij i konsideronte realisht bashkëpunëtorë.
Në vitet 1925-1928, Ahmet Zogu u përpoq të sillte një begati relative të bashkëkombësve të vet. Ngase gjykoi se Greqia dhe Jugosllavia, mbesin armiq të shqiptarëve dhe Shqipërisë, ndaj dhe nuk mund të shërbenin si shtete ku mund të mbështetej (ndaj dhe përforcoi ruajtjen e kufijve mirë), ai ndërmori një sërë tratativash për lidhje ekonomike me Italinë. Natyrisht nuk mund të thuhet sot se Italia, nuk ka pasur qëllime territoriale ndaj vendit tonë, por sidoqoftë Ahmet Zogu, nuk mund të harronte Vlorën e vitit 1920, ku edhe vet në krye të disa trimave matjanë, pat luftuar për të hedhur në det italianët.
Ndërsa Ahmet Zogu nënshkruante në vitin 1926, paktin e Tiranës me baronin Aloisi, ai u tundua pakëz, ndaj kur ju shfaq mikut italian për një monarki të ardhshme. Them u tundua ngase baroni Alois, jo vetëm u tregua i gatshëm, por e siguroi se do të mund të kurorëzohej me ndonjë princeshë italiane. Por nuk kish munguar edhe ideja se nëse do realizohej kjo, Presidenti Shqiptar duhej të njihte vendimin e konferencës së Ambasadorëve në vitin 1921, ose thënë më saktë, protektorat italian.
Përballë këtij propozimi, biri i Matit u tërhoq pa hezitim ngase askurrë ai s’mund ta parafytyronte popullin dhe atdheun e vet nën protektorat të huaj. Sidoqoftë, gjatë këtyre viteve,u ndjen disa ndryshime në Shqipërinë e varfër. Patën filluar të çelen disa rrugë, të ndërtohen ndërtesa e pallate të reja si dhe ura (të cilët edhe sot e kësaj dite janë që nga koha e Zogut, të trashëguara), filloi të forcohet e organizohet ushtria dhe xhandarmëria shqiptare.
Paralelisht, me mendjen e Ahmet Zogut evolucioni i mendimeve për shpalljen e Monarkisë, ecte pandërprerë. Në atë kohë, tek e mbrëmja shqiptarët nuk e konsideronin monarkinë si diçka të re,në trajta çudie. Kur gjitha shtetet e Evropës dhe Ballkanit ishin Monarki, por për ne shqiptarët pat vlejtur sidomos shembulli i Skënderbeut, i cili bashkoi krejt principatat shqiptare, duke lënë gjurmë të pashlyera jo vetëm në historinë tonë, por në atë të krejt Evropës. Në këtë rrafsh mendoj se edhe në vitin 1913, kur Fuqitë e Mëdha caktuan në Shqipëri Princ Vidin, ato sidoqoftë kanë paraparë si formë regjimi më të përshtatshëm pikërisht Monarkinë.
Vlen të thuhet gjithashtu se Ahmet Zogu, dalëngadalë, krejt natyralisht, me pikësynime të guximshme pat menduar që herët për Monarkinë dhe Kurorën Mbretërore. Nuk besoj që të jetë rastësi, konstatimi i studiuesve të huaj, që kumtojnë se në Stamboll në shkollën ushtarake, trimi i Matit ishte tepër i dhënë pas figurës së Napoleonit. Madje këtë tezë e përforcon edhe shtypi i huaj gjatë kohës së Monarkisë, ku konstatohet se; “Zogu ka pohuar se gjatë kohës që qëndroi në Vjenë, ai kaloi një pjesë të madhe të kohës jo vetëm duke studiuar kulturën dhe organizimin politik perëndimor, por pati edhe rast të vendoste lidhje personale si me perandorinë e Franc Josef, ashtu edhe me perandorin Karl”. (Gazeta “Nationale Zeitung”, 14-shtator-1928).
Një far stabiliteti ekonomik, rend, deri diku i vendosur dhe hapa përpara në pikëpamje të arsimit të popullit tonë, kjo ishte me dy penelata të shpejta, situata në gushtin e vitit 1928, atëherë kur u organizuan zgjedhjet e reja për në Asamblenë Kushtetuese. Këto zgjedhje u shoqëruan natyrisht edhe me polemika të shumta në shtypin e kohës. Siç ndodh rëndom në kthesa të tilla politike pati, pro dhe kundër këtij hapi që po hidhte Presidenti Ahmet Zogu. Natyrisht unë nuk marr përsipër të bëj analizën e qëndrimit të shtypit të asaj periudhe, por më ka tërhequr së tepërmi një qëndrim i një gazete italiane ku në te thuhet tekstualisht;
“Nëpërmjet këtij ndryshimi kushtetues, Shqipëria ripohon pavarësinë saj, ngre më lart nevojën e një paqëtimi të brendshëm, konsolidon pushtetin qendror dhe ndron vendosmërinë dhe besimin e një burri që ka mundur t’i sigurojë popullit të vet të mirat e paqes dhe të rendit publik të brendshëm. Merita ma e madhe e Ahmet Zogut, është se ai shpëtoi vendin prej makinacioneve të panserbizmit, duke penguar kështu kthimin e Shqipërisë në një provincë jugosllave…”! (Gazeta “Popolo d’ Italia”, 25 gusht 1928).
Po me 1 shtator 1928, në orën 17, Mbreti 33 vjeç i Shqipërisë, do të deklaronte përpara asamblistëve: “Zotërinj! Sot po ju drejtohem ju si shok, bashkëpunëtorë të idealit të përbashkët… Mbas sodit, detyrën e kemi më të rëndë se duhet t’i ditojmë botës se edhe shqiptari,si çdo popull i qytetëruar, mund ta marri kulturën, e cila asht pasuria e të gjithëve dhe ideali i botës mbarë. Vetëm në këtë mënyrë, tue i sigurue vendit tonë një t’ardhme të mirë, mund ta paguajmë një detyrë historike…!
Si ta mbaroni detyrën e shenjtë, të ktheheni në vendet e juaja, i thoni popullit sovran se Prijësi i tij, e sheh vetveten si çdo shqiptar, edhe me sa shpejtësi e kënaqësi e kemi vue në fronin e Gjergj Kastriotit, aq me shpejtësi e kënaqësi kemi me e gjetë gjithmonë gati për me i sakrifikue të gjitha,në asht nevoja edhe jetën, mbas dëshirës të tij dhe për të mirën e vendit. Zotërinj, dalshim faqebardhë përpara historisë”! (Arkivi i kryeministrisë, Fondi Asambleja Kushtetuese, Dosja 3, data 1 shtator 1928).
Tashmë për Mbretin Zog, duheshin shpejtuar sa ma shpejt reformat ekonomike pasi varfëria e skamja e klasifikonin Shqipërinë ndër vendet më të varfra të Evropës. Edhe këtu ra në sy energjia e madhe e tij,pasioni me të cilin punonte, largpamësia me të cilin gjykonte situatat. Muarën një hov të ri ndërrimet kryesisht me kapital italian. Erdhën edhe investitorët e parë amerikan dhe anglez, të cilët synuan investime në industrinë minerale. Memorie.al
Bern-Zvicër
Vijon numrin e ardhshëm