Nga Eugen Shehu
Pjesa e tretë
Memorie.al / Është krejt si të thuash aksiomë, mendimi i shprehur se historia është kujtesa e zgjuar e një populli! Ajo nuk fle kurrë. Ajo nuk mund të flejë, se përndryshe do të ishte vdekje e kombit. Kjo nuk do të thotë aspak se nuk mund të gjenden njerëz, që të kërkojnë të vrasin historinë. Përkundrazi, këta janë në bollëk dhe këtë e dëshmoi sidomos diktatura shqiptare gjysmëshekullore e cila, jo vetëm falsifikoi e denigroi një periudhë relativisht të gjatë të historisë së këtij shekulli por, sidomos u përpoq ta vrasë atë. Ajo çka rëndon në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoninë Shqiptare, u quajt “Periudha e Zogut”, e cila u vesh prej historiografisë komuniste, me gjitha të zezat, ashtu siç u konvenonte ekspansionizmit sllavo-ortodoks, greko-serbo-bullgar e, atij italian.
Edhe arsimi po vihej në udhë të mbarë. Në vitin 1930, qeveria shqiptare pat hyrë në marrëveshje me organizatën filantropike amerikane “Near East Foundation”, e cila u kurorëzua me ndërtimin e një shkolle model në Golem të Kavajës për teknikën bujqësore, ngase janë ditur nevojat e mëdhaja të Shqipërisë të asaj kohe. Shkolla e liceut Francës në Korçë, ndërkohë që ka qenë bërë ndër ma të njohurat në Ballkan. Ajo çka tërheq vëmendjen sot, është padyshim edhe konstitucionalizmit i religjioneve fetare.
Ky konstituim do t’u vinte fre përpjekjeve të fqinjëve armiq tanë,të cilët sigurisht në mungesë të mësymjes drejt kufijve, donin të ngjallnin luftë artificialisht, midis religjioneve tona fetare. Interesant asht të dihet prej shqiptarëve (viktimat mjeranë të historiografisë komuniste), se Mbreti Zog, askurrë nuk bashkëpunoi me dikë për të shitur Shqipërinë, kështu ani pse italianët dhanë shumë ndihma në këto momente, ata nuk mundën të komprometonin assesi oborrin mbretëror dhe ardhmërinë e kombit tonë.
Ka qenë personalisht Mbreti Zog, që hodhi në koshin e letrave propozimin italian për bashkimin doganor të dyja vendeve. Ai mund të parashihte skllavërinë e ligjëruar në këtë rast dhe u dha përgjigje edhe tendencave italiane në strukturat e ushtrisë e xhandarmërisë shqiptare. Kanë qenë pikërisht këto qëndrimet e prera të Mbretit Zog, që bënë të acarohej thellë qeveria italiane e ardhur në Durrës në verën e vitit 1934, tek e mbramja nuk fliste se “Zogu ishte shitur tek Italia”, siç ka qenë shkruar 50 vjet me radhë në Historinë Shqiptare.
Por, ekuilibrave të brishta shqiptare, po i kërcënoheshin në horizont luftëra edhe më të mëdha. Nënshkrimi i marrëveshjes italo-gjermane, e ashtuquajtura me emrin Boshti Romë-Berlin, natyrisht do të kishte rrjedhat e saj tronditëse. Musolini nënshkruan gjithashtu edhe me anglezët, të cilët paradoksalisht i njohën Italisë të drejtën e Sovranitetit ndaj Etiopisë. Në këto rrethana, sigurisht se Mbreti Zog nuk mund të flinte në dafina.
Ai pat potencuar nevojën e një vigjilence duke paranderë stuhitë që i afroheshin Adriatikut. Është interesant të dish në këto momente, përkufizimet e Hugh Grant, ish ministër i SHBA-ve në Shqipëri, në ato vite, lidhur me Mbretin Zog; “Në një nga audiencat që pata me të, në 1937, më paralajmëroi se një luftë e dytë botërore do t’ë plaste brenda dy vjetëve. Profecia e tij u vërtetua.
Nëse Shqipëria njihesh dhe konsiderohesh prej Departamentit tonë të shtetit në Vashington si një vend vëzhgimi politik në Evropë, kjo mund t’i atribuohet gjerësisht faktit se Mbreti Zog ishte një studiues i hollë i punëve ndërkombëtare dhe ishte i informuar mirë mbi skenën politike evropiane”. (Hugh Grant, ‘Mbreti Zog ashtu siç e kam njohur’, fq. 74).
Pranvera e vitit 1939, do të sillte të vetmin gëzim në jetën e Mbretit Zog, i harruar në atë rrjedhë të trazuar të historisë së popullit të vet. Në këtë pranverë, biri i Matit martohet me konteshën Geraldina Apponyj, e cila rridhte prej familjes së shquar Apponyj të Hungarisë. Edhe në këto çaste të pakta, Mbreti Zog do t’i ndante emocionet dhe gëzimet e tij me miqtë, motrat e të afërmit. Një vit më vonë, nga kjo martesë e lumtur do të lindet një djalë. Mbreti Zog, ndiqte tanimë krejt situatën politike në Ballkan dhe Evropë.
Ai me po atë energji që organizonte e drejtonte shtetin, ishte kurdoherë në zemrën e hapur të shqiptarizmës. Me dekret të veçantë të tij, janë vendosur shqiptarët e Çamërisë në Vlorë, Lushnjë e Fier, ashtu sikundër po me urdhër të tij, qindra familje shqiptare në trojet e robëruara nën serbo-sllavët, të detyruar nga dhuna dhe terrori serbo-sllav, të cilët emigruan në shtetin amë u vendosën në Durrës e Kavajë. Me fonde të shtetit shqiptar, duke iu ble tokë dhe iu dhuruar përgjithmonë, kësisoj duke ngrohur zemrat e mardhura të tyre.
Po kaq kujdes tregoi Zogu edhe ndaj Ushtrisë Kombëtare, duke inspektuar vetë herë pas herë e duke dhënë ndihma konkrete. Ndërsa duke parë “kokëfortësinë” e Mbretit shqiptar, italianët u përpoqën në disa mënyra për rrëzimin e qeverisë dhe vetë Ahmet Zogut. Punët arritën aty derisa komplotet ja binin radhën njëri tjetrit.
Në një prej komploteve të fundit, Ahmet Zogu u detyrua të largonte prej Shqipërisë, Giovani Giro, i cili kishte organizuar dhjetëra të rinj shqiptarë për veprën kriminale. Marrëdhëniet me Italinë po keqësoheshin edhe ngase këta të fundit patën nisur traktativat e fshehta me jugosllavët.
Në fillim të vitit 1939, Konti Ciano (dhëndër i Musolinit), shkoi në Beograd dhe sipas të dhënave të historiografisë, ai foli gjerësisht me Stojadinoviqin rreth çështjes të aneksimit të Shqipërisë. Natyrisht veprimet ushtarake eventuale prej Italisë, shiheshin me sy të mirë nga Beogradi, ngase në Shqipëri kishte jetuar përgjithmonë një rrymë nacionaliste që kërkonte bashkimin e Kosovës me trungun e vet.
Menjëherë pas kthimit nga Jugosllavia dhe pas konsultimeve me Duçen, Ciano i paraqiti Mbretit Zog një dokument, gjoja për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve. Me pak fjalë, përmbajtja e këtij dokumenti, shpreh qartë zinxhirin skllavërues që italianët donin të vinin në qafën e shqiptarëve.
Tetë propozimet e Gianos përfshinin:
1- Përfundimin e një aleance mbrojtëse vetëm me Italinë.
2- Premtimin e ndihmës ushtarake italiane në rast kërcënimi të jashtëm ndaj territorit shqiptar.
3- Lejimin e qeverisë italiane për të ndërhyrë në rivendosjen e rendit publik.
4- Koncesion shtetit italian për të përdorur në mënyrë të lirë portet, aerodromet dhe linjat e komunikacionit shqiptar.
5- Ngritja e një legate italiane në Titanë, në rangun e ambasadës.
6- Pranimin e ndihmës dhe të këshillave financiare dhe teknike italiane në çdo ministri shqiptare.
7- Heqjen e barrierave doganore midis dy vendeve.8- Shtrirjen e qeverisë italiane në Shqipëri.
(Lavine; Count Ciano; Foreign Affaris and Policy Determinacion in Fascist Italy, faqe 33).
Mbret Zog assesi nuk mund të pranonte t’i nënshtrohej kaq paturpërisht Italisë. Dokumenti i Cianos përbënte në fakt më shumë se një ultimatum. Në këtë klimë tepër të acaruar, në mëngjesin e 6 prillit të vitit 1939, Ahmet Zogu merr një telegram personal prej Musolinit, i cili lidhur me ultimatumin e dërguar konfirmon se ky merr fund në mesditën e 6 prillit duke paraparë ndofta një kthesë të Mbretit Shqiptar. Po atë mbrëmje, Mbreti Zog mbledh urgjentisht kabinetin e tij dhe duke sqaruar situatën, kërkon mendimin e bashkëpunëtorëve të tij.
Votimi ishte i njëzëshëm. Ata denoncuan kërkesat e qeverisë fashiste italiane dhe kundërshtuan me forcë zbarkimin e trupave ushtarake italiane. Shqiptarët kështu i nënshtroheshin fatit për të mos iu nënshtruar okupimit. Historia veç përsëritej. Skenat pothuaj ishin të njëjta. Tragjeditë luheshin me jetën e njerëzve të trollit të lashtë arbëror. Më 7 prill 1939, mbi 40 mijë trupa italiane fashiste u dukën në brigjet e Shëngjinit, Durrësit, Vlorës e Sarandës. Veçmas në Durrës, rezistenca qe e madhe. Komandanti i xhandarmërisë së qytetit, Abaz Kupi dhe një grusht trimash të ushtrisë kombëtare, mundën të zmbrapsin valën e parë të sulmit.
Por qielli shpejt u nxi prej aeroplanëve dhe bombardimet po e shëndronin Durrësin në gërmadhë. Edhe në portet e tjerë, italianët u pritën me armë por këto ishin të pakta dhe mungoi organizimi i duhur ushtarak. Prej trupave italiane pushtuese u vran mbi 200 vetë, por ranë edhe disa pjesëtarë të xhandarmërisë shqiptare. Ende sot ka ngelur në Shqipëri debati i hapur rreth largimit nga Shqipëria i Mbretit Zog. Ai që dikur pat çarë rrugën midis turqve për në Vlorë, ai që pat luftuar po në Vlorë më 1920, ai që s’iu tremb syri atentateve të armiqve personal, u largua.
Mendimi im është se duke qenë mjaft i zgjuar, duke parë më larg se 7 prilli, Mbreti Zog u largua nga lufta për ta pushuar atë, për ta ndaluar gjakun të rrjedhë, përballë një fuqie aq të madhe dhe të përgatitur, dihet forca ushtarake e fashizmit të asaj kohe, por dihet dhe forca ushtarake shqiptare e cila ishte në ngritjen e sipër. Ai ishte dhe mbeti bir i kësaj toke dhe donte ta shihte atë kurdoherë të lirë e të bashkuar.
Në vitin 1942, në organizimin që atdhetarët shqiptarë donin të organizoheshin për të luftuar okupatorin italian, u ndje e domosdoshme jo vetëm zgjuarsia por edhe intuita dhe trimëria e Mbretit Zog. Tamam në këto momente, një prej mendimtarëve të mëdhenj, Faik Konica do të shkruante; “Mbreti Zog është më i shquari personalitet shqiptar i gjallë, ndaj përjashtimi i tij, do t’i hiqte fuqinë lëvizjes që propozohet të bëhet”. (Faik Konica, Gazeta “Dielli”, Boston 28 nëntor 1942).
Jeta e Ahmet Zogut në mërgim, ani pse e ndodhur midis të papriturave e vështirësive të mëdha, jetohej në çdo moment me trazirat që kalonte Shqipëria. Ky shqetësim, pos të tjerave shihet në një letërkëmbim të madh të Mbretit Shqiptar, me personalitete diplomatike perëndimore, ku ndriçohej sadopak terri i hedhur sa prej fashistëve aq edhe prej komunistëve (pas vitit 1944). Paradoksi qëndron në faktin se; ndërsa Ahmet Zogu jetonte me dëshirën për ta parë Shqipërinë në krah të shteteve perëndimore të Evropës e botës së civilizuar, në zbulimet e fshehta të komunistëve të Tiranës, rrinte plani i gatshëm për t’i marrë jetën Mbretit të tyre.
I lodhur, i sëmurë, i merakosur, i zhytur në melankoli, më 9 prill 1961, Ahmet Zogu mbyll sytë në një klinikë të Parisit. Do të desha që këto shënime t’i mbyllja me një konkluzion të analistit gjakftohtë amerikan, Bernd Fisher, i cili kumton; “Një prej rezultateve më pozitive të stabilitetit politik unik, dhe pa dyshim një prej kontributeve të rëndësishme të Zogut, ishte krijimi i një mjedisi ideal për rritjen e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.
Përpara ardhjes në fuqi të Mbretit, e vetmja forcë nacionalizmi që ekzistonte në vend, ishte një lloj sedre kombëtare. Kur Zogu u largua prej pushtetit në vitin 1939, në Shqipëri ishte vënë në lëvizje procesi i krijimit të një forme trashëgimtare të nacionalizmit, i domosdoshëm për krijimin e shtetit modern”. (Bernd Fisher, “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”, fq. 321).
Pak shqiptarë e dinë se Mbreti i tyre, Zogu, ka vdekur me 9 prill 1961. Por ai u mbajt dy ditë e dy net i vdekur në gjendje klinike dhe data e vdekjes, u bë 11 prill, ngase nuk duhej të kishte përqasje me datëlindjen e Ahmet Zogut. C’ka tremb tek komunistët një datë-vdekje, ata mund ta dinë përnjëmend më së miri. Memorie.al
Bern-Zvicër