Dashnor Kaloçi
Pjesa e gjashtë
Memorie.al/publikon historinë e panjohur të Ndue Marashit, ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, deputetit të Kuvendit Popullor dhe anëtarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili në datën 16 dhjetor të vitit 1975, u gjet i vdekur nga një plumb pistoletë në një nga dhomat e vilës së tij (tek “Shkolla e Kuqe”), rrethanat e së cilës nuk janë zbardhur ende edhe sot pas kaq vitesh?!
Dëshmia e rrallë e të birit të tij, Xhovalin Marashi që banon prej vitesh në Belgjikë, i cili dëshmon historinë e panjohur të babait të tij dhe familjes Marashi, duke filluar nga: origjina e tyre, ardhja në Tiranë, puna, shkollimi, diplomimi dhe karriera e Ndues, fillimisht në Kamzë e më pas në kooperativën e Kasharit, Komitetin e Partisë së Rajonit Nr. 4 dhe më pas si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ku ai shërbeu nga viti 1973, deri në 16 dhjetorin e vitit 1975, kur Xhovalini me vëllanë më të vogël, Vlashin, e gjetën të atin e tyre, të përgjakur në minutat e fundit të jetës dhe autoambulanca që ata njoftuan me telefon, erdhi pas vetëm 45 minutash?!
Rrëfimi Xhovalinit për miqësitë që kishte babai i tyre, me një pjesë të udhëheqjes së lartë si: Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, Fadil Paçramin dhe Myslym Pezën, apo të tjerë me poste e funksione si: Irakli Bozo, Abedin Çiçi, Mark Dodani, Hazbi Lamçe, Demlush Thaçi, Fadil Lamin, Halim Stërmasi, Ilir Gjylbegu, Panajot Pano, Fatmir Frashëri, Bert Jashari, Miti Dheodhosi etj.
Kjo ngjarje e rëndë e cila nuk kaloi pa zhurmë edhe në atë kohë që ndodhi, pasi po t’i referohemi versionit zyrtar, ishte hera e parë pas shumë vitesh që ndodhte një vetëvrasje, nga një funksionar i lartë i shtetit,(kemi parasysh, në vitin 1947 Nako Spiron, ish-Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, që ‘de jure’, ishte kryeministri i vendit dhe më pas në vitin 1956, Omer Nishani, Presidentin e Shqipërisë, apo siç quhej në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor), dhe sipas moralit komunist, e gjithashtu ligjeve në fuqi, vetëvrasja konsiderohej vepër armiqësore dhe personi që bënte një gjë të tillë, aq më shumë kur ishte me funksione zyrtare, në rastin më të mirë konsiderohej “disfatist e kapitullant”, ndryshe etiketohej si: “tradhtar dhe armik i popullit”!
Nisur nga këto, edhe për Ndue Marashin nuk u bë asnjë përjashtim nga regjimi komunist i asaj kohe dhe mbi të ranë të gjitha akuzat, si “armik i popullit” etj., dhe familja e tij u dëbua nga Tirana dhe u persekutua deri në shembjen e regjimit komunist.
Zoti Xhovalin, po më pas si rrodhi jeta e familjes suaj, aty në atë fshat në periferi të Tiranës, a patët më probleme dhe a ju luftonin si familja e “armikut të popullit”, Ndue Marashi?!
Që në fillim po u them se gjatë atyre 15 viteve, që ne kemi jetuar në Tapizë si të dënuar, i kemi larë me lot rrugët e atij fshati (edhe pse mundoheshim ta mbanim veten, që mos të ligështonim mamanë tonë), pasi problemet nuk na u ndanë, deri ditën që ne familjarisht të gjithë, u futëm nëpër ambasada dhe u larguam nga Shqipëria në korrikun e vitit 1990. Pra, për 15 vite, ku më shumë dhe ku më pak, kemi vuajtur shumë, sidomos vitet e para. Por më pas edhe ne u rritëm dhe filluam të bëheshim më të aftë për punë dhe gjithashtu t’i kuptonim më mirë disa gjëra. Pas vajtjes në Tapizë, gjëja e parë që na rëndoi më shumë, ishte ajo që ua thashë edhe më lart në këtë intervistë, pra fatura prej 42.000 lekë, që na e solli shoqja Katina Starja, të cilën fillimisht mamaja hezitoi që ta pranonte, jo vetëm për faktin se ne nuk kishim me se ta paguanim, (pasi siç u thashë ne ishim pa bukë dhe na solli, tezja, Tereza, ca ushqime dhe na dha ca lekë nga pensioni invaliditetit), por sepse ajo gjë ishte krejt e padrejtë. Fillimisht mamaja deshi të shkonte të ankohej, por një njeri shumë i mirë, Sokol Uka, ja mbushi mendjen mamasë, duke i’a shpjeguar, se ata që e kishin dërguar atë faturë, e kishin menduar mirë dhe nuk do prisnin që të ankoheshim ne, për ta anuluar atë pagesë. Sokoli i tha prerë mamasë: “Paguaji moj Çeska, se do t’ju fusnin në burg dhe…”, kështu u detyruam dhe e firmosëm atë dokument, ku çdo muaj ne linim gjysmën e rrogës për shkak të Katina Starjes.
Përveç këtyre problemeve ekonomike, a kishte njerëz që ju sulmonin apo ju provokonin për t’ju dënuar?
Kemi pasur shumë provokime nga njerëz të ndryshme të cilët i mësonte dhe nxiste një Punëtor Operativ i Sigurimit të Shtetit, i quajtur S. S., një vrasës i vërtetë, kriminel i lindur, i cili nuk la gjë pa bërë vetëm e vetëm që të na fuste ne në burg. Ai bëri të pamundurën që të na dënonte, sidomos Lulin, vëllanë më të vogël, pasi mendonte se me të, do e kishte më të lehtë. S.S., u jepte urdhër atyre të kooperativës, që ne të na e mbanin rrogën dhe të na shënonin gjithnjë sa më pak të ardhura, në mënyrë që ne të flisnim ndonjë fjalë dhe të na dënonin për agjitacion e propagandë. Por ne e dinim e ruheshim shumë dhe nuk i’a dhamë atë mundësi atij, që të na akuzonte dhe të na dënonte, edhe pse ai s’la gjë pa bërë, për të na dënuar. Por për fatin tonë të mirë, pas disa vitesh e hoqën që andej dhe në vend të tij sollën Ndue Gegën, (i biri i Frrok Pjetër Gegës, ish-zv/ministër i Punëve të Brendshme), i cili të themi të drejtën, jo vetëm që nuk na ngacmoi, por përkundrazi na morri në mbrojtje dhe nuk i merrte për bazë denoncimet që bëheshin ndaj nesh, herë pas here. Pra, po të mos kishte ndodhur transferimi i S.S., dhe ardhja aty e Ndue Gegës, ne do të kishim përfunduar në burg. Po kështu gjatë periudhës së qëndrimit tonë në Tapizë, na kanë ndihmuar dhe përkrahur shumë edhe disa persona të tjerë, si: Riza Tafa, Maliq Tafa, Besnik Vraja, Tit Vraja, Dyl Vraja, Saba Vraja, Cil Vraja, Ramiz Vraja, Xhemal Vraja, Dane Gjoka, Agim Beshiri, të cilët na kanë dalë në mbrojtje. duke na shpëtuar edhe nga burgu. Po kështu kujtoj se kur na vdiq gjyshja në Tapizë, (nëna e mamasë), erdhi dhe e nderuan të gjithë fshatarët e asaj zone, pastaj ne e dërguam për tek shtëpia e vet në Tiranë (që ishte e mbyllur), ku përsëri erdhi pothuaj e gjithë lagja me e nderu, ku si gjithmonë ishin: familja Nallbani, me Shefqet Nallbanin në krye, (dajën e mikut tonë të ngushtë, Fatos Kaceli, që theu me kamion ambasadën italiane), si dhe familja Zenuni, Meti, Gimi, Beni, Shaba, Nandi etj. Por problemet mua nuk m’u ndanë edhe gjatë periudhës së kryerjes së shërbimit ushtarak, ku përsëri tentuan të më dënonin, duke më provokuar pothuaj çdo ditë.
Ku e kryet shërbimin ushtarak?
Shërbimin ushtarak e bëra në Xhenjo (ku siç dihet ishin ushtarë me probleme biografike), ku çdo ditë në mëngjes vinte komandanti i repartit dhe për të më provokuar, ai thoshte: “Diktatura e proletariatit, i’a këput kokën kujtdo që ngre krye kundër saj”. Po kështu, tre ditë para lirimit, ai na qethi zero, mua dhe disa shokë të mi, si: Nazmi Harizi, Aleksandër Pisha, Ylli Leka, Apollon Zenuni dhe të shkretin Kujtim Xhaja, të cilin e vranë në kufi (në fshatin Skënderbe të Librazhdit), pak muaj para se të hapeshin ambasadat, duke lënë bashkëshorten vetëm me një vajzë të vogël dhe shtatzënë. (Apollon Zenunin dhe Kujtimin, i kishin futur në burg politik, vetëm pse ishin shokët e mi).
Po vëllai, Luli, ku e kreu shërbimin ushtarak dhe a pati probleme?
Edhe Luli në Xhenjo e kreu shërbimin ushtarak, por në qytetin e Laçit, ku përveç disa shokëve të tij të mrekullueshëm, ushtarë me probleme biografike, si Devi Llagami (i biri i Fiqri Llagamit, ish-gazetar i Zogut), Sandër Meçe (djali i Ali Meçe, ish-Komisar i Shkollës së Bashkuar), etj., Luli pati fatin që ta përkrahin dhe ta mbanin afër edhe një grup djemsh nga qyteti i Laçit, si: Sandër Shllaku, Tonin Prela, Edmond Qesja, Bashkim Curri, Fatos Sanxhaku, Agim Curri, Agim Duro, Sadedin Zavalani, Fatos Kokalari, Sokrat Zhango, Shkëlqim Haxhi Hoxha, Pëllumb Yzeiri, etj., ku pjesa më e madhe e tyre ishin futbollistë të ekipit “Industrali”. Nisur nga fakti se Luli ishte një futbollist i talentuar, me ndërhyrjen e këtyre shokëve të tij, (të cilët e donin dhe e respektonin, jo si djali ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, që tashmë ishte shpallur “armik i popullit”, por sikur, babai të ishte ende Kryetar Komiteti në Tiranë), trajneri i ekipit të Laçit, Ndue Tarazhi, bëri të pamundurën që ta merrte në ekip, por nuk ja arriti dot, pasi hija e babait tonë, Ndue Marashit, që na ndiqte kudo, e ndoqi Lulin dhe në Laç.
Po të afërmit tuaj, pra njerëzit e familjes nga nëna dhe babai, a patën probleme pas asaj që ndodhi me babanë tuaj, Ndue Marashin dhe dëbimin tuaj familjarisht në Tapizë?
Të gjithë e pësuan. Siç u thashë i pari që e pësoi ishte Zef Marashi, xhaja jonë, të cilin e sollën familjarisht bashke me ne menjëherë në Tapizë, që me datën 26 dhjetor 1975. Më pas arrestuan dy dajat e mi, Andon Doçi dhe Zef Doçi, të cilët i futën në burg politik, duke i akuzuar për: “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, etj. Andoni, që ishte 39 vjeç, e dënuan tetë vite, kurse Zefin që ishte vetëm 21 vjeç, fillimisht e dënuan me pushkatim, pastaj ja ulën në 25 vite burg. Gjatë asaj kohe që ishte në burg, vetëm mamaja jonë, Franceska dhe tezja, Marta, shkonin çdo dy muaj për ta takuar dajat në burg në Spaç dhe për t’u çuar ndonjë ushqim. Njëherë shkova dhe unë me Martën me taku dajat në Spaç, por kur më panë pasaportën, nuk më lejuan duke më thënë, se për mua duhej një leje speciale nga Ministria e Punëve të Brendshme në Tiranë, të cilës duhet t’ja bënte kërkesën, Operativi i Sigurimit dhe Këshilli Popullor, aty ku banonim ne në Tapizë, gjë e cila ishte e parealizueshme. Kur daja hyri në burg, ne e morëm gjyshen në shtëpinë tonë në Tapizë, ku ajo vdiq pas pak kohësh nga marazi për të birin. E shkreta gjyshe, ato kohë që jetoi me ne në Tapizë, rrinte te shkallët e shtëpisë dhe na priste mua me Lulin që të vinin nga puna, pasi kishte frikë se do të na kishin arrestuar, ashtu si dy djemtë e saj, dajat tonë, Andonin e Zefin. Po kështu, edhe tezja, Marta, me tre fëmijët e vegjël, më shumë rrinte te ne në Tapizë, se në shtëpinë e saj në Tiranë, me merakun për të na ndihmuar dhe për të na u gjendur sa më pranë. Në vitin 1986, kur internuan gjyshin tonë nga nëna (Kolën, babanë e Franceskës), i biri i tij, pra daja jonë, Aleksandri, iku nga Tirana dhe erdhi te ne në Tapizë, duke më thënë mua: “Lini, ikim në Velipojë, arratisemi…”, pasi atë gjë i’a kisha kërkuar unë shumë kohë më parë, sepse e shikonim veten pa asnjë perspektivë.
Po ju, si u përgjigjët, pranuat?
Unë nuk pranova pasi ajo ishte e pamundur, sepse gjyshit Kolës, atë ditë sapo i kishin komunikuar internimin dhe Aleksandrin, po e ndiqte policia, ndërsa ne ishim të survejuar dhe praktikisht ajo gjë nuk mund të bëhej atë ditë. Kështu, u detyrova dhe i thashë Aleksandrit që të ikte përsëri në Tiranë. Vetëm pas 30 minutash që kishte ikur Aleksandri, aty erdhi vetë zv/ministri i Punëve të Brendshme i shoqëruar nga forca policie dhe të Sigurimit të Shtetit, të cilët na bënë një arrestim spektakolar mua, mamasë Farnceskës dhe Lulit, duke na lidhur me hekura dhe na futën secilin në një makinë më vete. Pas kësaj na dërguan në Tiranë, të Drejtoria e Punëve të Brendshme, ku na merrnin në pyetje, duke na bërë presion, të tregonim se ku e kishim fshehur, dajën Aleksandrin. Por pak para se të vinte policia dhe Sigurimi për të na arrestuar, unë u kisha thënë, mamasë dhe Lulit, për takimin me Sandrin dhe të tre ramë në një fjalë që të mos tregonim se ai kishte qenë aty.
Çfarë ndodhi më pas me ju?
Ata vazhduan presionet, sidomos me Franceskën, të cilës i thoshin: “Do t’i vrasim dy djemtë, po nuk tregove ku është Aleksandri”, dhe ajo u përgjigjej, duke u thënë: “Ju i keni vrarë djemtë e mi dhe mua, që atë ditë që i vratë babain atyre”. Pas kësaj, aty erdhi Punëtori Operativ i Sigurimi, Ndue Gega, dashamirësi i yni dhe e pyeti Lulin (duke i bërë shenja), se ku mund të ishte Aleksandri dhe Luli i tha, të shikonin se ai duhet të ishte te tezja në Tiranë, gjë e cila nuk e penalizonte Sandrin, pra që nuk kishte dashur të arratisej. Vërtet pas 10 minutash atë e gjetën aty Sandrin dhe e morën, kurse neve erdhën për të na nxjerrë, duke na thënë se do prisnim pak, sa të vinin makinat që do të na çonin në Tapizë. Por ne nuk pranuam, duke u thënë se ikim vetë dhe dolëm nëpër Tiranë ashtu të zbathur, (pa sandale, siç na kishin arrestuar) dhe vetëm me kanotiere, e kur mbërritëm në Tapizë, erdhi gjithë fshati për të na takuar nga gëzimi se ishim liruar.
Dajat, Andoni e Zefi, kur u liruan nga burgu?
Dajat dolën nga burgu dy ditë pasi ne kishim hyrë në ambasada, në korrikun e 1990-ës dhe Andoni ndërroi jetë në vitin 2018, nga një depresion i rëndë që kishte përjetuar nga torturat që i kishin bërë sapo hyri në burg, (ku nga 120 kg. doli 58 kg.) dhe gjatë gjithë atyre viteve jetoi me ankth, duke mos qëndruar dot në shtëpi, se kishte frikë se do ta arrestonin përsëri!
Tjetër njeri nga të afërmit tuaj, a pati probleme?
Po po patën, tezen time, (motrën e mamasë), Martën e hoqën nga puna dhe bashkëshortin e saj, Kosta Pleqi, nga oficer madhor në Flotën Ushtarake Detare, pasi e përjashtuan nga partia (gjë e cila asokohe siç e dini konsiderohej “pushkatim politik”), e transferuan në rrethin e Lezhës, duke e caktuar me detyrën më të ulët që mund të kishte një oficer, si komandant toge. Por probleme nuk patën vetëm të afërmit tanë, si nga mamaja ashtu dhe nga babai, por edhe ish-shokë e miq të babait, madje deri tek komshinjtë tanë në Tiranë, me të cilët ne kishim pasur hyrje-dalje familjare, disa prej të cilëve u dënuan edhe me burg politik. Pra kush më shumë dhe kush më pak, të gjithë miqtë e familjes sonë, patën probleme pas ngjarjes që i ndodhi babait tonë, Ndue Marashit.
Konkretisht, kujtoni ndonjë prej tyre dhe çfarë problemi patën?
Rrethi më i ngushtë i familjes sonë, kanë qenë Shuaip Dibra me të shoqen, Agimen, (të dy me origjinë nga Shkodra), me të cilët ishim edhe komshi dhe dyert e shtëpive tona kanë qenë të hapura për njëra tjetrën. Shuaipi ishte jurist dhe me detyrë në Kuvendin Popullor të Shqipërisë, si Drejtor i Drejtorisë së Ligjshmërisë. Një natë përpara se të ndodhte ngjarja e babait tonë, pra më datën 25 dhjetor të vitit 1975, baba, Nduja, ka qenë te shtëpia e tyre dhe aty ka qëndruar duke biseduar vetëm me Shuaipin për më se dy orë, por se çfarë kanë biseduar ata me njëri-tjetrin, ne nuk e mësuam dot kurrë. Përveç familjes Dibra, ne kemi pasur komshi dhe kemi shkuar shumë mirë edhe me familjen Sheshi, (me Shefqet Sheshin e vëllezërit e tij, të gjithë njerëz të mrekullueshëm), po kështu me familjen e Vasil Micit, me familjen Akshia, (Sul Akshia, punëtor dhe njerëz të mrekullueshëm), me Myslym Qefalia, (njeri i shkëlqyer), me Perikli Dhalesin dhe bashkëshorten e tij Donika, me Halit Distafa, (njeri shumë i mirë), me mjekun e famshëm. Dr. Prof. Hamdi Sulçebe, (i cili na kuroi dhe shëroi vëllanë, Lulin, që ishte me zëmër të zmadhuar), me Fet Tufina, (njeri shumë shumë i mirë), me Haxhi Muka, (kryetar i Kooperativës Bujqësore të Shëngjergjit), që baba, Nduja, e pati propozuar për “Hero i Punës Socialiste”, e shumë e shumë të tjerë, por ndaj këtyre që përmenda, u morën masa, duke përfunduar edhe në burg, pa bërë asgjë, por u dënuan si miq të Ndue Marashit.
Kush u dënua me burg nga këta që përmendët?
Fet Tufina u dënua me 8 vite burg, djali i tij, Ben Tufina po ashtu përfundoi në burg, Haxhi Muka, Bajram Muka, Shefqet Sheshi, Fadil Lami, nuk i kujtoj saktësisht se sa, por me shumë vite burg. Familjen Sheshi e masakruan, vetëm për faktin, se nëna e tyre, Ija, përveç bisedës që kishte bërë me babën, Nduen, para se ai të futej në shtëpi, ajo kishte treguar edhe se kishte parë dy ushtarët e Gardës së Republikës që dolën nga vila jonë, të cilët i kishin i thënë: “Futu brenda moj shtrigë”), ndërkohë që ajo kishte dëgjuar krismën e armës që i morri jetën babës sonë, Ndues.
Të kthehemi tek jeta e familjes suaj në Tapizë, ku pak më lart u shprehët se problemet tuaja vazhduan deri në shembjen e regjimit komunist?
Po është mëse e vërtetë ajo që thashë pak më lart, pra që problemet tona nuk na u ndanë deri në vitin 1990-të, kur u hapën ambasadat dhe ne u larguam të gjithë familjarisht nga Shqipëri, pasi kishim hyrë në ambasadën italiane dhe shkuam në Itali.
Po në Itali, si rrodhi jeta juaj?
Me ndihmën e qeverisë italianë, ne na u dha mundësia që të vazhdonim dhe të mbaronim shkollat e larta, të cilat në Shqipëri na ishin privuar siç dihet prej shkaqeve biografike. Unë u diplomova për Menaxhim Biznesi, ndërsa bashkëshortja ime, Rina Uka Marashi (të cilën e kisha rrëmbyer që kur ishim në Tapizë, pasi familja e saj nuk donte prej biografisë sonë), u diplomua për Mësuesi. Po kështu edhe pas largimit nga Italia dhe vendosjes në Belgjikë, (ku falë respektit që na ka bërë qeveria belge, jemi rregulluar), me mua ka jetuar edhe mamaja jonë, Franceska, duke qenë mjaft e kënaqur, deri ditën që mbylli sytë. Po kështu edhe vëllai im, Luli, ka jetuar prej shumë vitesh në Francë, ku kishte krijuar një kompani transporti dhe aty ka punuar deri ditën që u nda nga kjo jetë. Djali im i madh, Antoni, është diplomuar në Mjeksi dhe punon në një spital, kurse vajza, Michelle, është menaxhere në një bankë (por ka prirje për muzikë dhe kompozon), kurse djali, i dytë, të cilit i kam vënë emrin, Anxhelo-francesko (për nder të mamasë), është diplomuar në Ekonomi, Fakulteti i Shkencave Financiare, në një nga universitetet më të famshme të botës. Të tre fëmijët, nuk kanë paguar asgjë për të ndjekur shkollat dhe gjithçka është bërë me mbështetjen e qeverisë belge. I përmenda të gjitha këto, për të treguar dhe bërë krahasimin me ato që ne kaluam në Shqipëri./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016