Nga Dalip Greca
Memorie.al / Tonin Mirakaj e ka nisë veprimtarinë në Federatën “Vatra”, që në vitin 1961, pesë vite pasi kishte lënë vendlindjen. Me 20 shtator 1956, familjarisht ishin larguar nga Shqipëria për të fituar lirinë, por sapo shkelën në Jugosllavi, e ndjenë se kishin rënë nga shiu në breshër. Sistemet e qeverisjes dhe shtypjes të drejtave njerëzore, ngjasonin si vëllezërit siamezë. Gjithësesi azilkërkuesit shqiptar përfitonin në atë kohë, nga që mes dy shteteve vazhdonin mosmarrëveshjet ideologjike. Sipas z. Tonin Mirakaj, ekzistonte edhe një tjetër faktor i favorshëm për emigrantët azilkërkues: Jugosllavia si nënshkruese e traktatit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, duhej të pranonte refugjatë politik, për të cilët edhe merrte ndihma të konsiderueshme nga Komisariati i Lartë i Refugjatve në Gjenevë.
Natyrisht që këto ndihma kontrolloheshin nga shërbimi sekret i shtetit, UDB-a, që fuste në rrjetën e saj refugjatët shqiptar dhe i perdorte si karrem ndihmat. Gjuetia e UDB-së niste me ata që ishin të njohur, nëse nuk pranonin të futeshin në agjenturën e shërbimit sekret për t’u përdorur kundër Shqipërisë, atëherë futeshin në listën e armiqve të Jugosllavisë dhe asgjësoheshin.
Në fund të vitit 1959, Toninini me vëllanë e motrat, i dërguan në kampin e refugjatëve të Gerovës në Kroaci, një kamp i njohur për keqtrajtime e vuajtje. Kalimi nga Kroacia për në Perëndim, ishte një aventurë më vete, që nisi në gusht 1960. Zgjodhën mesnatën si aleate dhe së bashku me një mik të familjes, lanë kampin në terr dhe u arratisën. Aventura zgjati plot katër ditë e net, duke zgjedhur rrugë të parrahura, shtigjeve të maleve të Kroacisë dhe Sllovenisë, arritën në Itali.
Mbërritjen e tyre në aeroportin “Idle Wild” të New York-ut dhe historinë që sillnin me vete, e ka përshkruar Gazeta “Daily News” e datës 25 shkurt 1961. Tonini, pat fatin që të takonte dhe të bashkëpunonte me disa nga përfaqësuesit historik të diasporës, nacionalistët që kishte ardhur në SHBA-ës pas Luftës së Dytë Botërore. Ai kujton se si njohu atdhetarë të tillë si: Miko Kokalari, një patriot i vërtetë, dhe një ndër udhëheqësit e “Vatrës”.
Profesor Nexhat Peshkëpia, editor i gazetës “Shqiptari i Lirë”, Prof. Rexhep Krasniqi, kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Ing. Vasil Gërmenji, përfaqësues i Shqipërisë, në organizatën e Kombeve të Robëruara, A.C.E.N. ( Assembly of European Captive Nations), Kostandin Vangjeli, sekretar i Komitetit dhe të tjerë.
Po si shkoi tek Federata “VATRA”, Tonini? Në majin e vitit 1961, ai kujton se kishte shkruar një tregim dhe ia dërgoi gazetës “Shqiptari i Lirë”. Pas pak ditësh mori një telefonate nga Prof. Peshkëpia, i cili e ftoi për një takim në zyrën e tij, që ishte në 14 East 34 th Street, në Manhattan, N/Y. Profesori e priti me dashamirësi. Takimi i ka mbetur në kujtesë. Tregimi i shkruar nga Tonini “Kokrrat e Misrit” u botua në qershor të vitit 1961. Nexhatit i kishte pëlqyer tregimi, dhe e inkurajoi Toninin. U botuan disa tregime e shkrime dhe bashkëpunimi me “Shqiptari i Lirë” vazhdoi deri në vitin 1991, kur u mbyll.
Tonin Miraka u bë pjesë e veprimtarive të komunitetit shqiptar. Ai kujton se me kërkesën e Kryetarit të Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Prof. Rexhep Krasniqit dhe bashkëpunëtorëve të tij, Tonini kryesoi kremtimin e 28 Nëntorit të vitit 1970, ku morën pjesë me qindra shqiptarë dhe amerikanë, si dhe përfaqësues të 9 shteteve të Europës Lindore, anëtarë të A.C.E N.- it.
E ka përcjellë këtë ngjarje gazeta “Shqiptari i Lirë”, nëntor-dhjetor 1970. Por kur dhe në ç’rrethana shkoi Tonini në “Vatër”? Profesor Nexhat Peshkëpia, që në takimin e parë, e pati këshilluar që të zgjidhte një shoqëri kulturale, siç ishte Federata “Vatra” dhe jo partitë politike, qe kishin grindje me njëra-tjetrën.
Në fund të bisedës, Prof. Peshkëpia i kishte dhënë Kanunoren e “Vatrës” dhe e kishte këshilluar që ta lexonte, të shihte c’program kishte dhe më pas do të bisedonin. Tonini e lexoi menjëherë ‘Kanunoren’ dhe iu duk “Vatra” çerdhe atdhetarie e idealizmi. Pikat 1,2, 5 dhe 28, e binden se kjo ishte shoqëria, ku duhej të aderonte. U anëtarësua në verën e vitit 1961, 51 vite të shkuara. Tonini sjell ndërmend disa “coffee houses”, në zonën ku banonte, të cilat frekuentoheshin nga shqiptarët e vjetër, që nuk i kishin në sy të mirë emigrantët politik. Mendonin se Shqipëria ishte e lirë, me qeveri shqiptare, dhe emigrantët e pasluftës, i cilësonin reaksionarë. Ishte vështirë të merrje përkrahje prej tyre.
Bënte përjashtim Miko Kokolari, i cili, sipas Toninit, përpiqej të balanconte marrëdhëniet mes të vjetërve dhe emigrantëve politik. Me kalimin e kohës, kjo situatë ndryshoi. Miko e kishte zyrën në Revington Street, dhe aty u vinte në ndihmë emigrantëve të rinj dhe të vjetër, pa dallim. Aty, gjendej gazeta “Dielli”, si edhe lajmërime të tjera për aktivitete në komunitet.
Tonini u anëtarësua në degën e “Vatres”, # 29, N.Y. dhe N.J., e cila bënte dy mbledhje në vit.
Njëra ishte për të zgjedhur delegatët për në kuvend, që ishte i përmotshëm, dhe mbahej në Boston. E dyta mbas kuvendit, ku bisedohej për vendimet, që ishin marrë në kuvend, dhe zgjidhej udhëheqja e re e degës. Këto mbledhje, bëheshin në sallën e kulturës, pranë kishës Orthodokse të Shënkollit në 48 th street, ndërmjet 10 dhe 11 th avenue, në Manhattan. Në mbledhjen e parë që mori pjesë si “Vatran”, ndjeu një gëzim të veçantë.
Në atë mbledhje kishte ardhë Hirësia e Tij, Peshkop Fan S. Noli. Ishte hera e parë që e takonte. Në kuvendin vjetor të vitit 1970-‘71, Tonin Mirakaj ishte një ndër delegatët e degës #29, N.Y. dhe N.J. Kujton udhëtimin nga Nju Jorku së bashku me Muharrem Babameto, Agim Karagjozi, dhe Hajdar Tonuzin. Ishte kuvendi i parë që merrte pjesë dhe u takua edhe me Anthony Athanas, Barny Kirka, Gregory Chiriako, Kristo Thanas, Rev. Arthur Liolin.
U njoh me delegatë nga shtete të ndryshme. Nga Detroit me ing. Ahmet Dervishi, dhe Fehmi Kokalari, nga Toronto, u njoh me Ibrahim Kullën e të tjerë. U familjarizua me punimet e kuvendit vjetor, dhe zbatimin e “kanunores”, si edhe me kulturën dhe pjekurinë e vatranve të vjetër si Ramadan Ali Arza, Florence Pano, Nik Kreshpani, Pauline dhe Peter Lukas, Harry Stoja, e të tjerë. Të gjithë kishin një dashuri të zjarrtë për “Vatrën” dhe Atdheun.
Kjo shprehej në diskutimet në Kuvend. Përmes jetës në Vatër fitoi pjekurinë e një aktivisti që mori përsipër edhe organizimin e drejtimin e veprimtarive. Tonin Mirakaj ka qenë anëtar i bordit, i zgjedhur në disa kuvende, ka qenë zv/kryetar i përgjithshëm i “Vatrës” më 1980, 1981, 1982, ndërkohë që kryetar ishte Dr. Andrea Elia, dhe 1984-‘85 me kryetar Harry Stoja.
Po ashtu ai është zgjedhur kryetar i Deges # 29 New York dhe New Jersey, 1978-79, me N/kryetar ing. Mahmut Cungu, sekretar Rasim Sina, arkëtar Zef P. Deda, dhe anëtare Nexhmije Zaimi, Ramiz Dani, Zef Perndoca e te tjere. Ka kryer edhe detyrën e arkëtarit të kësaj dege, me 1976-‘77, kur ishte kryetare zonja Nexhmije Zaimi. Detyrën e arkëtarit të degës, e ka kryer edhe më 1977-‘78, kur ishte kryetar Selahedin Velaj.
Ndër veprimtaritë ai veçon Seminarin e vitit 1972, kushtuar 100 vjetorit të lindjes të At Gjergj Fishtës, ku ishte bashkorganizator me Muharrem Babameto, që u organizua në Waldorf Astoria Hotel, ne NeW York. Po ashtu në kuvendin vjetor të vitit 1978, u zgjodh kryetar i kuvendit të Federatës “Vatra”, mbajtur në “Hilton Hotel”, New York, duke patur si sekretar Rasim Sina, dhe reporter Gjeto Sinishtaj.
Në vitin 1979, ishte sekretar i kuvendit te “Vatrës”, mbajtur ne Anthony’s Pier 4, ne Boston, Mass. Ndërkohë që në vitin 1982, Tonin Mirakaj ishte një ndër organizuesit e seminarit të 100 vjetorit të lindjes së Fan S. Nolit, mbajtur në New York “Hilton Hotel”. Ai qe përgjegjës për mbledhjen e ndihmave për shpenzimet e rastit, dhe botimin e librit “Flamurtar i Kombit”, me autor editorin e “Diellit”, Edward Licho.
Kronika e pjesëmarrje së tij në veprimtaritë e “Vatrës”, është e pasur: Me 6 nëntor 1983, ishte folësi kryesor në drekën organizuar nga “Vatra”, për nder të editorit të gazetës “Dielli”, z. Xhevat Kallajxhi, mbajtur në Anthony’s Pier 4, në Boston. Fjalimi gjendet në “Dielli”, 16 mars 1984. Në vitin 1984, Mirakaj ishte sekretar i kuvendit të “Vatrës”, që u mbajt në Detroit, Michigan, ku u kremtua edhe 75 vjetori i gazetës “Dielli”, ndërsa në kremtimet e 28 nëntorit 1994, kryesoi kremtimet e festës së Flamurit, që u mbajt në New York Hilton, organizuar nga “Vatra”, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar.
Tonin Mirakaj ka kryer edhe detyrën e sekretarit për “Vatra’s Permanent Fund”, me kryetar ing. Agim Karagjozin.
Po ashtu ishte anëtar i “Vatra’s “Konstitutional Revision Committee”, bashkë me profesor Sami Repishti, Harry Stoja, Agim Karagjozi e të tjerë, si dhe bashkorganizator me ing. Agim Karagjozin i transferimit të eshtrave të Faik Konicës, në Atdhe, 1995. Z. Miraka ka punuar me disa kryetarë të “Vatrës”, si me Kristo Thanas, Nik Kreshpani, Barny Kirka, Gregory Chiriako, Ahmet Dervishi, Dr. Andrea Elia, Harry Stoja, Arshi Pipa dhe ing. Agim Karagjozi. Ai pohon se të gjithë kishin një dashuri të zjarrtë për “Vatrën”. Ka qenë në strukturat udhëheqëse nga viti 1970, deri më 1997. Ai veçon Anthony Athanas dhe Prof. Arshi Pipa.
- Mirakaj mendon se shkruhet e flitet shumë për 50 vitet e para të jetës së “Vatrës”, dhe fare pak ose aspak, për 50 vitet e dyta, përpjekjet dhe dedikimin e shumë vatranëve, për ta mbajtur dhe forcuar “Vatrën”. Nga kontribuuesit udhëheqës të gjysmës së dytë të shekullit kaluar, ai veçon Peter Chikos, Kristo Thanas, Barny Kirka, Ramadan Ali Arza, Ing. Ahmet Dervishi, Dr. Andrea Elia, Pauline Lukas, Anthony Athanas. Nga aktivistët në degën # 29, Neë York dhe Neë Jersey, veçon Miko Kokolari, Vahit Çika, Muharrem Babameto, Nexhmije Zaimi, Petraq Ktona, Ing. Mahmut Cungu e të tjerë.
Nuk harron të përmend edhe editorët e “Diellit”, Dr. Athanas Gega, Refat Gurazezi, dhe Xhevat Kallajxhiu. Të gjithë këta në Botën e Amshuar. Nga ata që ende janë në këtë botë, çmon punën e ing Agim Karagjozit, Hajdar Tonuzit, prof. Sami Repishti, Selahedin Velaj, vëllezerit Seidi dhe Sabit Bytyçi, Zef Pernoca, kryetarit të tanishëm, Dr. Gjon Buçaj, Anton Çefa, Esat Bilali e të tjerë, të gjithë vatrane të “Dimrit dhe të Beharit”.
Vatrani gjysmëshekullor, mendon se “Vatra” ka meritën se ka ditur që të ruajë marrëdhënie të shkëlqyera me bashkësitë fetare në Amerikë, veçanërisht në festën e Flamurit, aplikon rotacionin në lutjen fetare. Levizja kombëtare e shqiptarëve të Amerikës e ka bazën te Kisha Orthodokse dhe “Vatra”, që u formua 3 vjet mbas Kishës. Të dyja mbështetën njëra tjetrën në mbrojtjen e interesave kombëtare.
Këto institucione, patën në fillim udhëheqës të përbashkët, që koordinonin përpjekjet për të bashkuar mërgatën shqiptare. Udhëheqës të shquar, largpamës, patriotë të vërtetë dhe intelektualë të përsosur si Fan S. Noli, Faik Konica, Llambi Çikozi, Kristo Kirka e shumë të tjerë, organizuan mitingje ndër qytete e shtete, ku banonin shqiptarë, dhe shumë shpejt themeluan “Vatrën” dhe degët e saj, duke bashkuar në federatë më shumë se 5 mijë shqiptarë.
Për Mirakën shembull i veprimtarive të “Vatrës”, mbetet kremtimi i 60 vjetorit të gazetës ‘Dielli’, në nëntor të vitit 1969, mesha në Kathedralen e Shën Patrikut, në Manhattan, Neë York, me celebrant kryesor Eminencen e Tij, Terence Cardinal Cooke, dhe pjesëmarrje të mijra shqiptarëve, duke qenë të pranishëm klerikë të tri besimeve, Katolik, Orthodoks dhe Musliman.
Pati gjithashtu një grup klerikësh dhe besimtaresh arberësh të ritit Bizantin, ardhur nga Italia. Duke qenë një veprimtar aktiv, z. Mirakaj, ka qenë pjesë e pritjeve dhe përcjelljeve të personaliteteve nga trojet shqiptare. Ai veçon dr. Ibrahim Rugovën, që u ftua në SHBA-ës në tetor 1989, nga Kisha Katolike “Zoja e Këshillit të Mirë”, që organizoi në Fordham University, seminarin për 300 vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit. I ndjeri Dr. Ibrahim Rugova, ishte ndër folësit e seminarit, i ftuar nga komisioni organizator, që e kryesonte Tonin Mirakaj.
Ai kujton se kaluan një javë bashkë nën shoqërimin e një rrethi miqsh, si: Dom Rrok Mirdita, Dom P.Popaj, Gjek Gjonlekaj, Fran Shala, vëllezërit Bytyçi, Simon Simolacaj, i ndieri Pretash Curanaj, etj. Dr. Rugova kishte informacion të gjerë për “Vatrën”, dhe konsideratë të lartë. Në përshëndetjen përpara ligjëratës mbi Bogdanin, ndër të tjera tha: “Nisma e Kishës Katolike Shqiptare, për të shënuar këtë jubile, është nismë e mirë…! Pa ndonjë kompliment të tepruar, kjo nismë sikur e vazhdon traditën e “Vatrës” së Bostonit, e cila me dekada veproi në planin kulturor e kombëtar”. Mirakaj kujton porosinë e Rugovës: “Forcojeni ‘Vatrën’, se u duhet shqiptarëve”.
– “E ndiej veten të lumtur, që isha një ndër personat kryesor, që bënë të mundur, ardhjen e parë të Dr. Rugovës në Amerikë”, thotë Mirakaj. Po ashtu ai kujton pritjen e Dr. Berishës me 16 qershor 1992, si presidenti i parë i Shqipërisë demokratike: ”I bëmë një pritje madhështore, me pjesëmarrjen e 2000 bashkatdhetarëve në ‘Hilton Hotel’, në New York. Mbrëmja u kryesua nga z. Seidi Bytyçi, fjalën përshëndetëse e mbajti Profesor Sami Repishti. Komisioni përgatitës pati Co-Chairman z. Sokol Neçaj dhe Tonin Mirakën”. Ndër personalitetet e botës shqiptare, Miraka kujton me shumë dashuri, profesor Martin Camaj, i cili kishte respekt dhe konsideratë të veçantë për “Vatrën”. Sa herë që vinte në Amerikë, e kishte mysafir në shtëpinë e tij.
Po ashtu kujton edhe takimin me presidentin Rexhep Mejdani, në New York, ku Tonini ishte i ftuar së bashku me bashkëshorten në darkën e shtruar ne Roosevelt hotel me 2 maj 2000. Ai thotë se presidenti la përshtypje të mirë, me vizion intelektual. Me një respekt të veçantë, ai kujton Nexhmije Zajmin, zonjën e “Vatrës”, e cila pat studiuar ne Ëellesley College, ku edhe botoj librin “Doughter of the Eagle”.
Mori pjesë në disa mandate, në këshilla të degës # 29, NY dhe NJ, si edhe në bordin e Federatës, me qendër në Boston. Në kuvendin e vitit 1977, u zgjodh nënkryetare e “Vatrës”, me kryetar ing. Ahmet Dervishin. Në New York, ajo kishte një rreth aktivistësh me të cilët kishte një bashkëpunim shumë të mirë, si: Petraq Ktona, Agim Karagjozi, Hamdi Oruchi, Selahedin Velaj, Zef Pernoca, Tonin Mirakaj etj.
Kur i vinte ndonjë mysafir nga larg, Nexhi i thërriste miqtë e sajë për “Wine and cheese”, ku bisedohej gjithmonë, në një atmosferë të këndshme miqësore. Ajo, banonte në 120 East 79th street, dhe Tonini me familje ne 81 street dhe 5th Ave. Kjo afërsi i bënte vizitat më të shpeshta. Ai kujton një rast kur në shtëpinë e saj, takuan të Hasan Dostin. Biseda kishte zgjatur 4 orë. Tonin Mirakaj ndjehej i gëzuar që përjetoi atmosferën e 100 vjetorit të “Vatrës”, pasi është anëtar i saj për më shumë se gjysëm shekulli dhe uron federatën për shekullin e dytë të jetës së saj.
Mesazhi i tij, është mesazh urimi për të gjithë vatranët, që nuk kursyen mundin e tyre për të ndihmuar federatën, me të cilën mburren shqiptarët e Amerikës, veçanërisht vatranët. “Shqiptarët e Amerikës, – këshillon ai, – duhet t’i japin përkrahje asaj. Brezi ri po trashëgon një “pasuri” të çmueshme, që duhet ta çojë më të konsoliduar në shekullin e dytë. Memorie.al