Nga Agim Musta
Pjesa e tetë
Memorie.al / Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991. Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm. E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Gjyqet politike të regjimit komunist shqiptar-
(1945-1991)
Gjyqet ushtarake, godasin me grusht të hekurt Shkodrën, Korçën, Dibrën, etj.
Gjatë periudhës 1945-1948, në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë dhe në qendrat e nënprefekturave, si; në Delvinë, Përmet, Lushnje, Fier, Krujë, Kavajë, Lezhë, vepronin gjykata ushtarake, që jepnin dënime me vdekje të formës së prerë. Nga ato gjykata, janë dënuar me vdekje rreth 1.500 persona dhe mbi 10 mijë të tjerë, janë dënuar me burgime të rënda. Në asnjë qytet të Shqipërisë, shpata e Demokleut, Hoxha, nuk ra aq mizorisht sa në qytetin e Shkodrës.
Jo vetëm në Shqipëri, por në të githë Ballkanin komunist, nuk ka pasur qytet me 13 burgje hetuesie. U kthyen në burgje: Shkolla dhe kisha, kuvende fretërish dhe murgeshash, deri dhe shtëpi private, midis lagjeve të banuara. Operacionet e “spastrimit” drejtoheshin nga xhelatët famëzinj: Mehmet Shehu, Shefqet Peçi, Zoi Themeli, Vaskë Koleci, dhe të tjerë zulmëmëdhenj të popullit shqiptar. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Koci Xoxe, urdhëronte; “Keni autorizim të plotë, të vrisni, të prisni, të digjni, vetëm të pastroni veriun nga reaksionarët”!
Hetuesia e Sigurimit të Shkodrës, punonte 24 orë pa u ndalur. Nga 13 burgjet e hetuesisë, natën dhe ditën, dëgjoheshin ulërimat e viktimave, që torturoheshin. Banorëve të lagjeve ju rrëqethej mishi dhe ju ngriheshin flokët përpjetë, nga britmat e fajtorëve pa faj. Petro Ballati, Rasim Dedja, Nesti Kopali, Hys Zaja, Zoi Shkurti, Lilo Zeneli, Xhevdet Miloti, Fadil Kapisyzi, Iljaz Haxhia, etj., bij të ferrit komunist, ishin kthyer në kasapë njerëzish. Të shumtë kanë qenë ata, që dhanë shpirtin gjatë torturave në duart e tyre.
Ata që mbeteshin gjallë, tërhiqeshin zvarrë prej policëve për t’i dërguar në sallat e gjyqeve. Rrugës qëlloheshin me vezë të prishura, gurë dhe shishe, nga turma çakejsh, të nxitur nga sekretarët e organizatave bazë të partisë. Çfarë thirrje poshtëruese ju drejtoheshin atyre fatkeqve, që gjithë jetën e tyre kishin punuar me nder dhe devotshmëri, për këtë vend dhe për këtë popull?! Po kush ishin ata fakteqë, që u bënë pre e bishave gjakësore? Ata ishin klerikë të respektuar si: Patër Fausti, Patër Dajani, Patër Meshkalla, Hafëz Ali Kraja dhe shumë të tjerë.
Ishin bajraktarë dhe atdhetarë, si; heroi legjendar i Kelmendit, bajraktari i Vermoshit, Prek Cali, një gjigant mitologjik 2 metra e 20 cm. i gjatë, atdhetar i kulluar që me sakrifica dhe përpjekje mbinjerëzore, bëri që Vermoshi në vitin 1913, të mbetej brenda kufirit të shtetit shqiptar. Oficerë të shtetit shqiptar si; Llesh Marashi, Halit Kazazi, Pjetër Berisha etj., kishin vendosur rend dhe rregull në Shqipërinë e dalë nga kaosi i Luftës së Parë Botërore.
Intelektualë të të gjitha fushave, si: Ndoc Saraçi, Musa Gjylbegu, Haki Bushati, Nino Kurti, e shumë të tjerë. Nxënës shkollash dhe student, si: Martin Camaj, Fran Miraka, Rauf Uruçi, Ahmet Bushati, Sami Repishti e shumë të tjerë, një pjesë e të cilëve ishin adoleshente, pa hequr brisk në faqe. Po kush ishin gjykatësit dhe prokurorët, që ju lexonin akt-akuzat e kopjuara nga gjyqet staliniste të viteve ‘30-të në Bashkimin Sovjetik?
Mustafa Ijazi, ish-shkrues gjyqi me arsim të mesëm të pambaruar. I hyri rrugës së krimit dhe me spaletat e togerit të Sigurimit, kishte marrë përsipër të dërgonte në “botën tjetër” cilindo që atij ia kërkonte partia – shtet. Misto Bllaci, gjysmë analfabet, vrasës profesionist, që me shumë mundime i lexonte dënimet që i jepte. Aranit Cela, prokurori i llahtarshëm nga pamja dhe nga zëri, që shumë shpejt, arriti në majën më të lartë të “drejtësisë” komuniste shqiptare.
Thuhet se ka dhëne 500 “Kolpo di grazie”, gjatë karrierës së tij si prokuror. Edhe sot e kësaj dite, si një katana, shëtit rrugëve të Tiranës, pa i hyrë gjemb në këmbë. Gjyqet e Shkodrës, i kanë drejtuar edhe Namik Qemali, Hys Zaja, Tonin Miloti, Subi Bakiri, etj., të gjithë oficerë të Sigurimit, me duar të lyer me gjak. Për t’ua mbyllur gojën avokatëve, klientëve të tyre, u arrestua në sallën e gjyqit, avokati guximtar, Myzafer Pipa, të cilin e torturuan mizorisht, deri sa vdiq në qelitë e Sigurimit.
Për të krijuar alibinë, në terrin e natës, kufomën e nxorën jashtë mureve të hetuesisë, me një plumb mbrapa shpine, që gjoja ishte vrarë gjatë tentativës për arratisje. Për të traumatizuar popullatën e qytetit, të dënuarit me vdekje, të lidhur këmbë e duar me pranga dhe litarë, i parakalonin rrugëve kryesore të Shkodrës, si një kortezh të përmotshëm, drejt Zallit të Kirit, të shoqëruar nga britma poshtëruese të turmave vrastare, që qëndronin në dy anët e rrugëve.
Edhe sot, që kanë kalue mbi 60 vjet, nga ato ditë të çmendura, ka njerëz që i mbajnë të gjalla në kujtesën e tyre ndodhitë e lebetishme dhe bëmat e përbindëshave të Sigurimit komunist shqiptar. Fatkeqësisht me veprat e artit dhe letërsinë e 17 vjetëve të pluralizmit shqiptar, ato gjëma zënë një vend shumë të vogël, në krahasim me ndodhitë e tjera, të asaj kohe të trishtuar…!
Por le të kthehemi te gjyqet ushtarake, nëpër qytetet e tjera të vendit. Edhe Korça nuk mbetej shumë mbrapa Shkodrës. Në qarkun e Korçës, gjatë viteve 1945-1948, u arrestuan dhe u dënuan mbi 1600 persona. Shumica ishin kolonjarë, devollinj dhe pogradecarë. Shumë godina në qytet, u kthyen në burgje hetuesie, përveç burgut të vjetër të Korçës, të ndërtuar në Luftën e Parë Botërore. U shndërruan në burgje hetuesie, një pjesë e Mitropolisë, hotel “Manastiri”, shtëpia e Rrakos e, të tjera godina private.
Gjyqi Ushtarak i Korçës, kryesohej nga ish-furrtari, major i Sigurimit Niko Çeta dhe me prokuror, sadistin famëkeq, kapitenin Nevzat Haznedarin. Ky gjyq, brenda një periudhe 2-vjeçare, ka dhënë 140 dënime me vdekje. U dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan intelektualët nacionalistë: Faslli Frashëri, Muamerr Liço, Nafiz Babani, Xhevat Starova, e shumë të tjerë. Absurditetet e asaj gjykate ushtarake, të drejtuar nga furrxhiu i rëndomtë, s’kishin fund.
Një ditë prej ditësh, u dënua një fshatar devolli, shurdh-memec, me dhjetë vjet burgim, se kishte bërë propagandë antikomuniste. Avokati mbrojtës, Ali Selenica, u ngrit në këmbë dhe protestoi energjikisht, që t’u jepej fund absurditeteve të tilla, duke i kthyer seancat gjyqësore në një tragji-komedi makabre, që nuk kanë ndodhur në asnjë kohë dhe në asnjë vend të botës.
Në mbyllje të seancës, avokat Selenicës, iu hodhën prangat dhe pas disa javë torturimi, u dënua me 20 vjet burgim! Jeta e juristit të nderuar, Ali Selenica, i diplomuar në Universitetin e Romës, u mbyll tragjikisht në burgun e Burrelit. Ai u sëmur nga verdhëza dhe në vend që ta mjekonin, e mbyllën në një qeli dhe e lanë atje deri sa vdiq.
Në Gjirokastër, gjyqi ushtarak drejtohej nga ndihmës hanxhiu Ago Çelo dhe me prokuror, ish-infermierin e kuajve, Bexhet Mema. Asnjë mendje njerëzore, sado e fandaksur ose naive që mund të jetë, nuk do t’i besojë kurrë, ato që kanë ndodhur në Shqipëri me “drejtësinë” e diktaturës komuniste.
Gjyqi kundër Edip Tërshanës me shokë
Në qarkun e Dibrës, një numër intelektualësh dhe patriotësh, të mashtruar nga propaganda komuniste, ndihmoi Lëvizjen Antifashiste duke dhënë një kontribut jo të vogël në fitoren e Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, të gjitha ato që i ishin premtuar popullit nga udhëheqja komuniste shqiptare, dolën gënjeshtra dhe mashtrime.
Kosova dhe pjesa shqiptare e Maqedonisë, mbetën jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë dhe në ato krahina, forcat jugosllave me ndihmën e komunistëve shqiptarë, ushtronin një terror që ia kalonte edhe periudhës së Mbretërisë Serbe. Me bashkimin doganor midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë në vitin 1946, me barazimin e lekut shqiptar me dinarin jugosllav, me “reformat” e bëra gjatë viteve 1945-1946, Shqipëria po kthehej, jo në një republikë të shtatë të Jugosllavisë, por në një koloni të shtetit komunist të marshallit Tito.
Gjendja e krijuar tronditi thellësisht mësuesin patriot dibran, Edip Tërshana, i cili pa marrë parasysh vdekjen, i hyri punës për të krijuar një organizatë klandestine antikomuniste, të pagëzuar me emrin “Bashkimi Demokratik”. Me anën e Qenan Dibrës, u krijuan lidhje me organizatat antikomuniste që ishin krijuar në këtë kohë ne Tiranë. Në vitin 1946, Edipi i shpalos platformën e grupit profesorit të letërsisë, të ardhur me detyrë në Peshkopi z. Hysni Alimerko, i cili do të bëhej krahu i djathtë i Edipit, në propagandën antikomuniste dhe një nga organizatorët kryesorë të lëvizjes “Bashkimi Demokratik” në qarkun e Dibrës.
Me grupin u bashkuan edhe intelektualë të tjerë me filozofi demokratike, si: juristi Jani Konomi, Alqi Nushi dhe Kozma Gjergo. Aktiviteti i grupit ra në syrin e Sigurimit, që i kishte ngritur kudo tentakulat e tij. Në pranverën e vitit 1947, mbi grupin e Edip Tërshanës, bie shpata e Demokleut. Arrestohen: Edip Tërshana, Hysni Alimerko, Jani Konomi, Alqi Nushi etj. Ndaj të arrestuarve, u përdorën tortura nga më mizoret, duke filluar nga hekuri i skuqur, deri në varjen në çengelë me kokë poshtë. Për t’i shpëtuar këtij tmerri pa fund, Edip Tërshana, pret damarët e duarve, por diktohet nga gardianët, që mundën t’i ndalonin vdekjen.
Pas 6 muajsh torturash mesjetare, më 17 nëntor të vitit 1947, në qytetin e Peshkopisë fillon gjyqi, kundër grupit “Bashkimi Demokratik”. Gjykata ushtarake e kryesuar nga major Myftar Grabova dhe me prokuror Stavri Grabockën, ishin udhëzuar të goditnin me grusht të hekurt, me akuza të trilluara, atë grup patriotësh, që u dhimbej atdheu dhe kombi. Para se të dilte në gjyq, Edip Tërshana, nga qelia e hetuesisë, ju drejtua kryetarit të partisë-shtet, Enver Hoxhës, me një letër të cilën e titullonte: “Enver! Ti tradhtove”!
Duke ia numëruar të gjitha tradhtitë që kreu i partisë-shtet, kishte bërë ndaj atdheut dhe popullit shqiptar, gjatë tre viteve të fundit, Edip Tershana, e kishte tërbuar diktatorin dhe ai personalisht, kishte urdhëruar që Edipi të ekzekutohej, pasi të torturohej mizorisht. Në bankën e të akuzuarit, qëndronin 12 fajtorë të pa faj, 12 të tjetërsuar nga torturat, që i shpalosën mendimet e tyre, pa marrë parasysh vdekjen.
Më 21 nëntor, gjykata jep vendimin me vdekje, për Edip Tërshanën, Hysni Alimerkon dhe Jani Konomin, Alqi Nushi, Rexhep Mborja, Selim Graceni, Adem Shehu, Rifat Dibra, Mahmut Ndreu, Blez Selishta, Ferit Previzi dhe Munir Shatku, dënohen me burgime të rënda. Pas ca ditësh, Edip Tërshanën e ekzekutuan. Ai shkoi drejt vdekjes me kokën lart. Në ekzekutimin e tij, përveç prokurorit mori pjesë dhe shefi i Sigurimit, famëkeqi Kopi Niko. Fjalët e fundit të Edipit, ishin: “Rroftë Shqipëria! Poshtë tradhtia”!
Krime ndërkombëtare të qeverisë komuniste shqiptare
Incidenti i Kanalit të Korfuzit
Forcat gjermane të dislokuara në bregdetin jonian, gjatë vitit 1943, minuan Kanalin e Korfuzit, me qëllim që të pengonin anijet anglo – amerikane, për të kryer ndonjë zbarkim të mundshëm në brigjet e Detit Jon. Nga fundi i vitit 1944, ku ushtria gjermane u tërhoq nga Greqia dhe Shqipëria, anijet angleze për pastrimin e minave, e pastruan Kanalin e Korfuzit nga minat dhe gjatë viteve 1945-1946, asnjë anije luftarake ose tregtare, nuk pati ndonjë dëmtim në Kanalin e Korfuzit.
Për habi të shumë ekspertëve në këtë fushë, më 22 tetor të vitit 1946, dy anije luftarake angleze; “H.M.S. Saumarrez’ “H.M.S. Volage”, duke lundruar në Kanalin e Korfuzit, ranë në mina dhe u dëmtuan rëndë. 43 marinarë anglezë, mbetën të varë dhe 29 të plagosur. Një komision hetimor ekspertësh të admiraliatit britanik dhe të flotës ushtarake greke, konstatuan se minat nuk kishin asnjë javë që ishin vendosur në Kanalin e Korfuzit dhe ato ishin mina të prodhimit gjerman, të lëna në bregdetin Dalmat, pas largimit të trupave gjermane nga Jugosllavia. Minat u vendosën në Kanalin e Korfuzit, nga marina jugosllave titiste, me pëlqimin dhe ndihmën e qeverisë komunistë të Enver Hoxhës.
Çështja e dëmtimit të dy anijeve britanike, u shtrua në Këshillin e Sigurimit, më 25 mars të vitit 1947 dhe në bazë të fakteve të pakundërshtueshme që paraqiti qeveria britanike, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, shpalli fajtore Shqipërinë, për incidentin e Kanalit të Korfuzit dhe ia kaloi çështjen për gjykim, Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës. Gjyqi i Hagës, konstatoi se: dy anije jugosllave minavënëse me emrat: “Mljet” dhe “Mejline”, kishin ngarkuar minat në portin jugosllav të Shebenikut, me 16 tetor të vitit 1946 dhe ishin nisur menjëherë drejt Shqipërisë, për në portin e Sarandës.
Më 20 tetor, në një natë pa hënë, të ndihmuar nga oficerët e Sigurimit Shqiptar, anijet jugosllave, të maskuara si anije peshkimi, kishin vendosur minat në Kanalin e Korfuzit. Dy ditë më vonë, më 22 tetor 1946, dy anijet luftarake britanike të sipërpërmendura, u dëmtuan rëndë me humbjen e jetëve të 43 marinarëve anglezë. Në Gjyqin e Hagës, dëshmoi edhe kapiteni i anijes jugosllave “Mljet”, i cili disa muaj pas inciditentit ishte arratisur nga Jugosllavia dhe kish kërkuar strehim politik në Evropën Perëndimore. Më 9 prill të vitit 1949, Giykata e Hagës dha vendimin që e cilësonte qeverinë komuniste shqiptare; përgjegjëse për incidentin e Kanalit të Korfuzit dhe e detyronte atë, të paguante dëmshpërblimin e duhur.
Për këtë qeveria angleze, bllokoi arin e shtetit shqiptar (rreth 24 kuintal florinj në lingota) që ishte marrë nga Banka e Romës nga ushtria gjermane, në vjeshtën e vitit 1943. Në vitin 1945, trupat angleze të pushtimit në Gjermani, e hodhën në dorë depozitën e arit shqiptar dhe pas incidentit të Kanalit të Korfuzit, u mbajt e bllokuar në bankat angleze, për të dëmshpërblyer familjet e marinarëve të vrarë dhe të plagosur. Zgjidhja e çështjes së arit shqiptar, u arrit në vitin 1994, kur në Shqipëri, ishte përmbysur diktatura komuniste.
Ndërhyrja e Shqipërisë komuniste në luftën civile në Greqi gjatë viteve 1945-1949
Qeveria Komuniste Shqiptare dhe personalisht Enver Hoxha në vitin 1948, ngarkoi zëvendësministrin e Punëve të Brendshme të atëhershëm, z. Myftar Tare, të drejtonte operacionin “Aksioni 10”. Me këtë operacion, ishin angazhuar oficerët e Sigurimit të Shtetit Shqiptar më të devotshëm, që njihnin mirë kufirin greko-shiptar dhe ishin të përgatitur për aksione brenda territorit grek, jo vetëm në dërgimin e ndihmave të ardhur nga kampi komunist, por edhe në veprime luftarake. Oficerët shqiptarë si Iljaz Lumani, Koço Kazanxhi, Neshat Hysi, Sotir Vullkani, Sotir Mero, Jorgo Koço, Myslim Rroka, Bajram Goni, Sami Hormova, Mihallaq Vangjeli, Hajro Troka, Faik Lamçe, Llambi Treni, Pandi Dishnica dhe shumë të tjerë, kanë marrë pjesë në veprime luftarake, kundër forcave qeveritare greke.
Në një nga këto aksione, është kapur i plagosur nga forcat qeveritare greke, oficeri i Sigurimit Koço Kazanxhiu, (durrsak), i cili me vendim të një gjykate speciale greke, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua në Gregi, më 27 dhjetor 1951. Qeveria greke, shumë herë e kishte ngritur në OKB, çështjen e ndërhyrjes së Shqipërisë në luftën civile në Greqi edhe pse Shqipëria, akoma nuk ishte anëtare e saj. Gjatë periudhës 1947-1949, forcat komuniste greke, të quajtura EAM u kanë dorëzuar autoriteteve shqiptare, disa qindra ushtarë dhe oficerë të qeverisë greke, të kapur rob prej tyre. Gjithashtu qeverisë shqiptare, ju janë dorëzuar nga EAM-istët, disa mijëra civilë dhe fëmijë grekë të marrë peng, për t’i përdorur për qëllimet e tyre të mbrapshta.
Qeveria shqiptare kishte ngritur disa kampe internimi si në Krujë, Burrel, Seman, Cërrik, etj., dhe një pjesë e tyre u dënuan me burgime dhe përfunduan në kampe me punë të detyruar të Llakatundit, Gjadrit, Vlashukut, etj. Një pjesë jo e vogël e tyre lanë dhe kockat në baltovinat e Shqipërisë, ose bënë vetëvrasje në kampet me punë të detyruar. Në pranverën e vitit 1949, me urdhër të qeverisë shqiptare, në Fier, Lushnje, Durrës dhe Tiranë, u organizuan mbledhje, për të krijuar një regjiment të armatosur prej 2000 vetësh, të cilët do të dërgoheshin në Greqi, për të luftuar përkrah komunistëve grekë. Çamët të thirrur në ato mbledhje, e hodhën poshtë thirrjen e qeverisë komuniste shqiptare, duke refuzuar kategorikisht që të bëheshin mish për top, për interesat e komunistëve grekë.
Si kundërpërgjigje të mosbindjes të urdhrit të Partisë – Shtet, u arrestuan 600 çamër, të cilët u dërguan në kampe me punë të detyruar të Gramsh- Lozhanit. Nga trajtimi mizor, puna e rëndë dhe sëmundjet, brenda 10 muajve, në këtë kamp vdiqën 30 çamër dhe të tjerët që u liruan ishin të sëmurë dhe të rraskapitur fizikisht. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm