Nga Vepror Hasani
Pjesa e dytë
-Saga e familjes së njohur atdhetare dhe më të pasur të Korçës, ku pinjollët e saj, u diplomuan në universitetet e Europës-
Memorie.al / Atë mbrëmje, Selim Mborja (Venxha) me bashkëshorten e tij, Fitreten, u kthyen vonë në shtëpi. Në Korçë kishin 65 dyqane, kafene dhe banesa, mijëra hektarë tokë dhe pyje. Fillimisht, kishin banuar te shtëpia në fshatin Mborje, në krah të kishës së Ristozit, te një ndërtesë e madhe dykatëshe, me pamje madhështore, ndërtuar me gurë të skalitur, me shumë dhoma të dekoruara me elemente druri të gdhendur dhe tavane të zbukuruara, me oborr të madh në pamjen ballore e, të thurura me avlli. Përreth kësaj shtëpie, ngriheshin shtëpitë e tjera të fisit Mborja (Venxha), Më pas ndërtuan një shtëpi tjetër të madhe dhe të bukur mbi fabrikën e Birra Korçës. Tashmë jetonin aty.
Pasuria e tij, vlerësohej nga të gjitha bankat: “Agjenti i Bankës vjeneze, mori vesh kur ishte në Selanik, se një person nga qyteti i Korçës, zotëronte një sasi të konsiderueshme monedhash floriri. Ai quhej Selim Mborja. Erdhi e takoi në shtëpinë e tij.
Selimi e mirëpriti propozimin e agjentit, për t’i depozituar në atë bankë florinjtë, por me një kusht, që përqindja e interest, t’i paguhej duke llogaritur jo sasinë e monedhave, por peshën e tyre në kilogram. Sekseri, i habitur për këtë kërkesë të padëgjuar gjer atëherë në asnjë vend të botës, njoftoi Bankën e Vjenës, duke thënë se; ky bej korçar, nuk i kishte paratë me grushte, por me bidona teneqeje.
Banka mblodhi këshillin, për të vendosur. Të nesërmen, gazetat vjeneze dhanë lajmin sensacional: “Një pasanik shqiptar, detyron Bankën e Vjenës, t’i bëjë një shtesë rregullores së vet”! (Vangjush Ziko, “Korça, kujtime dhe qyteti”).
Kjo ishte dhe arsyeja pse Selim Mborja, gjatë gjithë kohës që qëndroi në Korçë, ose ishte anëtar, ose kryetar, në të gjitha shoqëritë e krijuara, sepse gjithkush e dinte që ai, nuk kursehej financiarisht; mbështetja e bashkëshortes nuk i mungoi kurrë; ajo ishte një shpirt i dhimbsur.
Emri i Selim Mborjes, gjendet në federatën “Vatra e Shqipërisë”, me qendër në Korçë, te “Kryqi i Kuq”, te “Sport Klub Korça”, te komisioni për mbledhjen e ndihmave për ngritjen e Liceut të Korçës, pasi fondi prej 50.000 franga nga buxheti i shtetit, ishte i pamjaftueshëm, te “Shoqëria Cinematro”, te “Oda Ekonomike”, te “Tenis Klub Korça”, te shoqëria “Këneta e Maliqit”, etj., etj. Në vitet 1921-‘22 botoi gazetën “Jetë e re”, së bashku me Fazlli Frashërin.
Të gjitha këto, bashkëshortët Mborja, i kujtuan natën e parë të mbërritjes në Selanik. Në mëngjes Selim Mborja, u takua me sportelistin e hotelit. I vuri përpara një monedhë ari dhe i tha: “Një monedhë të tillë, do ta marrësh çdo mëngjes, por nëse në hotel vijnë njerëz dhe pyesin për mua, ti do do t’u thuash; Selimi sapo doli’ dhe ndërkohë do të më njoftosh. Përpiqu të mbash mend ç’tipare kishte personi, si ishte veshur etj.”! Njësiti gueril i Korçës, mund të vinte edhe aty, dhe Selimi kishte patur të drejtë.
Pas disa ditësh, dy persona pyetën nëse Selim Mborja ndodhej në hotel. Kishin arrestuar Koço Kotën dhe donin të merrnin me vete edhe Selim Mborjen. Makinën e kishin lënë diku afër hotelit. Operacioni sekret, drejtohej nga Koçi Xoxe: “Selim Mborja, sapo doli,- u tha sportelisti, – me të ardhur ai, vij unë te makina juaj dhe ju them”. Ndërkaq vuri në dijeni Selim Mborjen. Sportelisti bëri edhe përshkrimin e personave. “Paska ardhur Nevzat Haznedari”! – tha Selim Mborja. Mori të shoqen dhe dolën nga dera e prapme e hotelit.
Do të shkonin në Stamboll. Para se të largohej, porositi sportelistin: “Pas 5 minutash, shko thuaji personave, që Selim Mborja u nis për në port, do të shkojë në Turqi”. Me të mbërritur te anija, i kërkoi drejtuesit të mjetit, të priste edhe 5 minuta, pasi i duhej të takohej me dikë. Dhe sërish Selim Mborja, kishte patur të drejtë.
Pas 5 minutash, mbërriti Nevzat Haznedari: “Desha t’ju takoj…”, – i tha ai. “Dëgjo ti këlysh i Xhemiles, – i tha Selim Mborja, – familjen tënde, e kemi mbajtur me bukë, por dije se do të vijë një ditë, që gjithkush do të pështyjë në fytyrë”. Pas këtij shkëmbimi replikash, anija nisi lundrimin drejt Stambollit.
Atë çast ia desh shpirti, të pinte një birrë “Korça”. E kishte ndërtuar vetë atë fabrikë, bashkë me italianin Umberto Uberti. Projekti i fabrikës “Birra Korça”, u hartua vitin 1928. Ndërtimi i saj, nisi në tetor të vitit 1929, mbi një sipërfaqe prej 20.000 metra katrorë, me vlerë 350.000 franga ari, pronë e Selim Mborjes. Ujin e sollën nga mali i Moravës, 8 km. larg prej fabrikës. Fabrika u pajis me makineritë, më të mira të kohës.
Më 1931, filloi prodhimi. Regjistrimi i shoqërisë “Birra Korça”, u bë në Odën Ekonomike të Korçës, më 18 dhjetor 1933: “Në bazë të shkresës nr. 2215, datë 18.12.1933, të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, me anë të së cilës urdhërohet transkriptimi i kopjes së aktit konstitues të shoqërisë anonime “Birra Korça”, në regjistrin e tregtisë, konform nenit 11 të Kodit Tregtar në fuqi, vërtetohet se akti konstitues i shoqërisë anonime “Birra Korça”, i omolguar prej Gjyqit Kolegjial të Korçës (dega tregtare) me vendim nr 1, datë 8 nëntor 1933, u transkriptua në radhorin e posaçëm të Odës së Tregtisë së Korçës, me nr. 1, datë 18 dhjetor 1933. Shoqëria, siç rezulton nga kontrata me datë redaktimi 1 prill 1933, fillon më 1 prill 1933 dhe mbaron më 31 dhjetor 1956. (“Gazet’ e Korçës”, 19 dhjetor 1933).
Inaugurimi u bë pas 6 muajve: “Të hënë, më 4 të këtij muaji, më ora 5.30 pasdreke, u bë inaugurimi i fabrikës “Birra Korça” të shoqërisë “Umberto-Mborja”. Ishte ftuar një shumicë e madhe me autoritetet në krye. Të ftuarit e shumtë, vizituan më parë fabrikën, e cila ishte në punim e sipër dhe admiruan makinerinë e fabrikës, ku ishin shtruar pa kursim birra me mezera të zgjedhura.
‘Birra Korça’, është me të vërtetë prej kualiteti më të mirë, se shumë birra të huaja, dhe e njëjta më atë të fabrikave më të dëgjuara gjermane. Z. Umberto Uberti dhe Selim Mborja, pritën urimet e sinqerta të të gjithëve për mbarëvajtjen e shoqërisë së tyre. Shitja e birrës së Korçës, filloi që dje. Çmimi i saj u caktua prej shoqërisë, 4 lekë për shishet e mëdha dhe 2, për të vogla”. (“Gazet’ e Korçës”, e mërkurë, 6 qershor 1934).
Shoqëria punësoi 220 shqiptarë dhe 25 specialistë italianë. Ndërsa për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, ngritën dhoma frigoriferike për prodhimet e qumështit. Fabrika u bë e njohur edhe për prodhimin e ujit “Kristal”.
Ndërsa po udhëtonin me anije, e shoqja iu drejtua Selim Mborjes: “Si thua, a do të vijë dita të kthehemi përsëri në Korçë?! Do të na marrë malli, për njerëzit tanë”?! Fitretja fliste me zë të dridhur. “Ndoshta, – iu përgjigj Selim Mborja, – por e rëndësishme është që ne, bëmë gjithçka për qytetin tonë. Nëse kthehemi, ti si gjithnjë, do të merresh me bamirësinë, atje ku gjen kënaqësi shpirti yt”.
Fitretes sërish i rrëshqiti një pikë loti. “Të kujtohet, – i tha Selimi, – pasi vizituam Jetimoren, dhuruam edhe truall për ngritjen e Spitalit të Korçës”. Në fytyrën e saj, ndriti buzëqeshja. Veç kësaj, Selim Mborja furnizoi me ujë të pijshëm, një pjesë të qytetit; krijoi Shoqërinë e Tenisit, mbështeti grupet muzikore, etj., etj.
Shpresonte shumë që edhe të afërmit e tij, të bënin gjithçka për Korçën. Dhe ata nuk e zhgënjyen: Selaudin Mborja, (kushëri i tij), liceist, përfundoi shkëlqyeshëm studimet për Mjekësi, në Sorbonë të Francës. Karrierën si mjek e nisi në spitalin Umberti I-rë, në Romë. Me kthimin në atdhe, punoi për shumë vjet në qytetin e Shkodrës.
Sot njihet si një nga personalitet e Mjekësisë Shqiptare dhe si një nga themeluesit e Spitalit Ushtarak. Në vitin 2004, Selaudin Mborja u shpall “Nderi i Qarkut Korçë”; emrin e tij e mban Poliklinika e qytetit të Korçës, kurse emrin e Haki Mborjes, e mban shkolla 9-vjeçare e fshatit Mborje dhe një rrugë e qytetit të Korçës.
Të gjithë fëmijët e Haki Mborjes, shkëlqyen në profesionet e tyre. Skënderi studio për Mjekësi në Turqi, nuk u kthye më në Shqipëri, u vendos në Australi, ku shërbeu edhe si këshilltar i kryeministrit të asaj kohe; vdiq në Australi. Saliu shërbeu si profesor në liceun e Korçës, kishte studiuar në Francë, për Shkencat Botanike, më pas punoi si pedagog në Universitetin e Tiranës dhe si sekretar i Kuvendit Popullor.
Petriti studioi në Hungari në degën ushqimore, kurse Demir Mborja, një tjetër person i këtij fisi të madh, ndërtonte me shpenzimet e veta çezma në lagjet e Korçës; si çezma më e bukur e tij përmendet “Çezma e zonjës” në lagjen Kasaba.
Në fisin e madh të Mborjarve (Venxhave), shkëlqyen edhe gratë. E para ishte, Fitretja, bashkëshortja e Selim Mborjes, sipas shtypi të kohës: “Fitrete Mborja, ishte aktiviste e shoqërive të emancipimit të gruas, kish lindur rreth vitit 1893. Ishte anëtare e shoqërisë ‘Gruaja Shqiptare’ dhe ka organizuar festime, ballo mondane, në vitet ’30-të. Gjithashtu çifti Mborja solli në Korçë për herë të parë një piano, me porosi në Paris.
Emiri i saj, përmendet edhe për bamirësi të ndryshme. Së bashku me Ballkëze Frashërin, Ismete Sali Zavalanin, Drita Elmaz Vilën, Zenepe Dalip Sheqerxhiun, Asije Ymer Fazlliun, Nevrije Leskovikun, etj., u bënë bashkëpunëtoret më të mira, të princeshës Sanije Zogu, kryetare e ‘Grave të Shqipërisë”.
Haki Mborja, kishte tri vajza: Liria studioi për Drejtësi, Shpresa për Mësuesi, ndërsa Drita shkëlqeu si aktiviste në shoqatën e grave. Reshideja, bija e Mehmet Mborjes (Venxha), u martua me Asim Mborjen, i cili kur pa se ndërtimi i spitalit të Korçës po vonohej, ndërtoi me shpenzimet e veta, një ndërtesë dykatëshe, me 28 dhoma, e cila shërbeu si spital, nga viti 1930 deri në vitin 1935.
Kurse Ifetja, mbesa e Sali Haki Mborjes, u martua me Tosun Selenicën. Shtypi i asaj kohe shkruante: “Që njëditëzaj nisi në Prefekturë, zyra e Xhandarmërisë Ndjekse, nën komandën e z. kapiten Ferid Frashëri dhe togerit Tosun Selenica”. (“Gazet’ e Korçës”, 9 tetor 1920).
Kurse Naxhia, bija e Sulejman Mborjes, bashkë me Tefik Mborjen, shënuan martesën e parë civile, në gjithë prefekturën e Korçës. Shtyi njoftonte: “Dje Bashkia jonë, afishoi shpalljen e parë për martesë. Z. Tefik Mborja, shef i seksionit të administratës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe zonjusha Naxhie Sulejman Mustafa Mborja, kërkuan shpalljen e martesës së tyre, e cila do të celebrohet në Bashkinë e Korçës.
- Tefik Mborja, i cili inauguroi martesën civile në Prefekturën tonë, njihet mirë midis të gjithëve, për inteligjencën dhe kulturën e tij. Çiftit të parë që po martohen, i urojme jetë të gjatë e, të lumtur”. (“Gazet’ e Korçës”, 25 prill 1929).
Pra, edhe gratë e fisit Mborja (Venxha), ishin një hap më përpara nga gratë e tjera të prefekturës. Me të mbërritur në Stamboll, bashkëshortët Selim dhe Fitrete Mborja, u vendosën në shtëpinë e Idaetes, vajza e Sulejmanit, vëllai i Selim Mborjes, që ishte martuar në Stamboll. Atje qëndruan deri në fund të jetës së tyre. Thuhet se në vitet e pleqërisë, Fitretja pati një mall të madh për t’u kthyer në shtëpinë e saj. “Kishim një shtëpi të bukur, – thoshte gjithnjë ajo, – me pemë e lule”.
Mrekullia e hapësirës që rrethonte shtëpinë e tyre, i dedikohej Qemal Mborjes, djalit të xhaxhait të Selimit, i cili kishte studiuar për agronomi në Turqi. Ishte një nga specialistët më të mirë të Korçës, së bashku me Demir Alizotin. Ai mbolli rreth shtëpisë së Selimit, të gjitha llojet e pemëve dhe të gjitha llojet e luleve. Shtëpia dukej si një parajsë, që as në përralla nuk e gjeje dot. Fitretja i gëzohej gjithçkaje që ishte e bukur.
Ashtu si gjithë të tjerët edhe Qemali ishte i pasur, kishte aksione në Minierën e Mborjes, kurse biri i tij, Fiqiri Venxha, studioi për Drejtësi. Punoi si kryesekretar i Gjykatës së Korçës; implementoi me sukses, sipas frymës perëndimore, Kodin Civil dhe Tregtar. Megjithatë, edhe pse kaluan vite e vite, as Fitretja dhe as Selim Mborja nuk u kthyen më në qytetin e Korçës.
Selim Mborja u nda nga jeta, më 3 prill 1952, e shoqja vdiq vite më vonë, me brengën për t’u kthyer edhe një herë në shtëpinë e saj, por vila ku banonte ajo, ishte bërë rezidenca e Enver Hoxhës, aty qëndronte ai, sa herë vinte në Korçë, për të kaluar pushimet e verës. Megjithatë, përsa i përket bamirësisë ndaj jetimëve dhe të varfërve, bashkëshortja e Selim Mborjes, Fitretja, mund të quhet pa asnjë dyshim, Zonja e Parë e Korçës./Memorie.al