Nga Prof. Dr. Ardian Ndreca
Pjesa e parë
– Ndjesia historike e shqiptarëve –
Memorie.al / Nuk âsht fort e lehtë, sot, kur në Shqipní hapen vore e groposen kujtime, me paraqitë nji figurë aq të “përfolun” si atë të Mustafa Krujës. Ai bân pjesë në atë radhë burrash, si Lef Nosi, Dom Lazër Shantoja, Kol Tromara, Mark Gjomarkaj për të cilët nuk flitet gati aspak, edhe pse zânë nji vend nderit në altarin e kombit tonë. Sot në Shqipní zotnon prirja me rehabilitue ata figura të cilat deri dje regjimi komunist i kishte dënue. Shumë e drejtë. Por mâ të parët qi po na dalin atdhetarë e patriotë të përndjekun, janë taman ata qi u eliminuen në luftën e mbrendshme midis rrymave komuniste në fuqí. E shkrivanat e sotshëm përpiqen me ngjallë keqardhje në public, tue tregue shortin e padrejtë qi i tokoi për hise Koçi Xoxeve e Mehmet Shehave, tue hesht qëllimshëm faktin se me mija e mija vorre njerzish të vlerët e të pafajshëm, u mbollën në çdo kând të vendit shì prej dorës së tyne.
Kur flitet për Mustafa Krujën nuk bâhet fjalë me rehabilitue figurën e tij, pse ai nuk ka aspak nevojë për nji operacion të tillë të mundimshëm, flitet vetëm me bâ të njohtun se kush ishte Mustafa e, çka ka kenë jeta e tij. Tash qi prej ngjarjeve të turbullta të Luftës së Dytë Botnore, e cila për ne përfundoi mjerisht, ka kalue ma se nji gjysë shekulli, mund t’i shohim ngjarjet e njerzit në nji dritë mâ objektive, ashtu si u zhvilluen e si ishin me të vërtetë.
Rinia e Mustafa Krujës
Mustafa lindi në qytetin e Gjergj Kastrijotit me 15 mars 1887, në nji familje të thjeshtë qytetare, e cila âsht kujdesue qi ai të kryente shkollën fillore në qytetin e lindjes e mâ vonë të vazhdonte të mesmen në Janinë. Fundi i dhetëvjeçarit të parë të shekullit të XX e gjen Mustafën në Stamboll, të shkruem në institutin superior Mülkiye-i-Sehahané (Fakulteti i Shkencave Politike), prej kah do të dalë në vjetin 1910: “licencié en sciences politiques et sociales”.
Ishte koha kur lëvizja xhonturke kishte përfshí mbarë Turkín me pretekstin e rivendosjes së Kushtetutës së 1876. Në ketë periudhë, Mustafa fillon me u interesue për politikë tue shkrue artikuj të ndryshëm e tue marrë pjesë në nji shoqní revolucjonare. Për ketë arsye edhe pezullohet nga shkolla, por pranohet përsërí, falë protestave të deputetëve shqiptarë në Stamboll.
Shpallja e Pamvarsisë e gjên në Vlonë, në krah të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, në cilësinë e delegatit të popullit të Krujës, i gatshëm me nënshkrue pamvarsinë e atdheut krahas atdhetarëve mâ të shquem të kombit tonë. Me formimin e qeverisë u emnue zâvendës-prefekt në Vlonë e mâ vonë sekretar i kryesís së Këshillit të Ministrave. Shkruen për tê Karl Gurakuqi: “Kishte nji shpírt arsimtari.
Natyra e tij e pat shty qyshë në riní me u marrë me arsimin, pse prej arsimit Shqipnija priste zhvillim e përparim, sidomos n’atë kohë kúr duhej me i vû themelet shtetit të rí, të dalun nga errsina shekullore. Auktoritetet shtetnore, tue vrejtë prirjen e tij e tue i ardhë dishirit të çfaqun prej si, e panë të rrugës me i ngarkue drejtorín e arsimit në prefekturën e Elbasanit”.
Detyra të njejtes natyrë pati edhe gjatë sundimit të shkurtë të Princit Wied, në vjetin 1914. Kjo mund të thomi âsht periudha mâ e gjatë e ndejtjes së tij në Shqipní. Shkruen artikuj të shumtë në të përkohshme të ndryshme, si p.sh. në faqet shqip të “Corriere delle Puglie”, te “Kuvêndi” i Sotir Gjikës, te “Mbrojtja Kombëtare” e Dom Mark Vasës, te “Ora e Maleve” e Shuk Gurakuqit e Dom Lazër Shantojës. Në 1920 âsht përfaqsues i Shqipnisë, bashkë me Imzot Bumçin e Luigj Gurakuqin, në Konferencën e Paqes në Paris.
Mërgimi i parë
Në vjetin 1924, me fitoren jetëshkurtë të Nolit e Gurakuqit, emnohet prefekt i Shkodrës, tue kenë i shtërnguem shumë shpejt me e lanë Shqipninë për me mërgue n’Italí. Vendoset në Zara, qytet i njohtun për tradita arbëreshe, e këtu, rreth tij, grumbullohen edhe intelektualë të tjerë si Xhevat Korça, Ernest Koliqi, Kostantin Kotte. Nuk prânë së luftuemi me pendën e tij të fortë në gazetat e mërgimit si te “Lirija Kombëtare” e Omer Nishanit, te “Ora e Shqipnisë” e Shantojës. Por, mbi të gjitha nuk résht së punuemi asnji ças për atë qi do t’ishte vepra monumentale e jetës së tij: ‘Fjalori kritik i gjuhës shqipe’.
Idealet e jetës së tij
Vetëm në dy gjana Mustafa do të mbesë gjithë jetën i patundun: nuk do të pranojë kurrë asgja qi âsht kundra interesave të kombit e, nuk do të shklasë asnjiherë parimet e tija të nalta morale. Át Zef Valentini ka shkrue qi Mustafa, megjithëse i lindun në fé myslimane, ka pasë të vetat shumë vlera shpirtnore të katoliçizmit. Krahas virtyteve qytetare, ai do të kultivojë gjithë jetën nji ndjenjë të fortë përgjegjësie e detyre qi ndoshta e ka dâmtue në marrdhânjet me të tjerët, por e ka naltue personin e tij, sa jeta e tij përkon krejtsisht me idealin qi ai ka dishmue.
“Tek, Aj, – ka shkrue Tahir Kolgjini,- nuk gjêjshin mirëpritje formulat si ‘Shif e bân’! e ‘Shkel e shko’! Nuk i pat pervetuem kurrë këta formula. (…) Dikushi, e kritikoi Mustafën, tue thânun se, në Shqipní, programet, nuk janë të zbatueshme; prandej, Aj, duhet t’ishte nji akrobat politik dhe t’i përshtatej gjendjes. Mirëpo, Mustafa, mendonte krejt ndryshe. Aj, thonte se: – ‘Në kët botë, nuk ká gjâ mâ kollajt se me bâmë idarei maslahat, qi na tash, po i thomi oportunitet. Un, për të dijtë, e dij këtê, por, nuk e bâj; sepse , ‘Idare-i Maslahat-i’, të lêjon me e pranuem e me e vazhduem gjendjen ashtu si ç’âsht, ani pse nuk mbërrijhet në ndonji përmirësim”.
Lufta e tij fillon atëherë kur Shqipnija po delte shtet në vete, në 1912, e vazhdon me vjetët e turbullta të konfliktit të parë botnor, për t’u kunorzue në 1920 me njohjen e shtetit shqiptar prej Lidhjes së Kombeve e, me tërhjekjen e forcave pushtuese. Në 1924, Mustafa, përkrah Luigj Gurakuqit me shokë do të përpiqet me të tâna energjitë me e ndërtue Shqipninë moderne, europiane, me e shkëput njiherë e përgjithmonë prej mentalitetit oriental, qi kishte zânë njàk shpirtin shqiptar. Në këtë drejtim ai njehet si nji ndër etnit e Shqipnisë së re, pse âsht bir besnik i idealeve të Rilindjes e protagonist aktiv në kapërcyell të dy epokave vendimtare të jetës kombëtare.
Pa u ndalë me zhdrivillue shkaqet e fitores së qershorit 1924 e, gabimet qi çuen drejt disfatës, duhet nënvizue fakti se Mustafa âsht edhe nji herë në krahin përparimtar e demokrat të politikës shqiptare. Kapitulli i fundit i jetës së tij politike active, âsht koha e pushtimit fashist të Shqipnísë, janë çasat tragjike qi meritojnë nji thellim të veçantë, për me hjedh dritë mbi figurën e tij.
Mustafa Kruja e epoka fashiste
Âsht shumë vështirë me e përtrî mendjen e zvetënueme shqiptare prej klisheve të gjykimeve historike, me të cilat e ka regjë për nji gjysë shekulli pseudo-historiografija komuniste, edhe pse, siç vërente Ernest Koliqi në të largtin vjetë 1957: “Na Shqiptarët, përgjithsisht, jemi bukur fort të prirun kah epshi i prozhmimit. Jo vetëm levdata na del disi rryeshëm nga buza, por mâ tepër, gjêjmë vishtirsí në vetvete kur arsyeja e lypë qi të shfaqim pelqim e lavd mbi cilsít ase veprat e nji tjetri” – e vazhdon: “Kjo korrnecí shpirtnore, ndoshta na rrjedh prej krajatave historike nëpër të cilat u përshkueme na dhe të parët t’onë”.
Ngjarjet e 7 prillit e gjetën Mustafën në Gjenevë, ku ishte transferue nga Italija qysh prej vjetit 1936. Zogu kishte braktisë vendin e shumë emigranta politikë po u kthejshin në atdhé. Kjo ishte në vetvete nji arsye e mjaftueshme qi krahas dyshimit për italianët me pasë edhe nji simpatí, për faktin se i vetëshpalluni Mbret i Shqiptarëve, ishte përzânë.
Lind pyetja: pse shumë patriotë shqiptarë si Mustafa u afruen me regjimin fashist? (Mendojmë se paftësia për të ba nji zgjidhje të ndërmjetme kombëtare dhe demokratike, mes komunizmit dhe fashizmit, për të shpëtue vendin, asht thelbi i gabimit të Mustafë Krujës dhe ndonji tjetri. Të mbështetëshe në strukturat e krijueme nga fashizmi për të shpëtue vendin nga eversioni komunist mbartte në vetvehte të njëjtin gabim sikurse pati më mbështjetja tërësore në komunizmin bolshevik për të luftuar fashizmin dhe për të çliruar vendin. Shën. i red. Phoenix).
Shpirtënt idealista të asaj kohe shihshin në mbarë Europën nji rrezik të madh, ekspansionin bolshevik. Provat e përgjithshme të nji lufte vëllavrasëse ishin krye me “sukses” në Spanjen republikane, por t’ikunit prej Republikave sovjetike tregonin tmerret, deri atëherë të panjohtuna, qi provonin popujt nën zgjedhën e Moskës. Nji vend i vogël si Shqipnija, me nji shtet të pakonsoliduem, mund të binte kollaj pré e nji eksperimenti të tillë.
Në të vërtetë, shêjet e këqija i kishte kuptue edhe Zogu qysh në 1936-en, dhe kishte përdorë grushtin e hekurt kundër eversionit të kuq. Kah ana tjetër shtetet evropiane, q’prej vjetit 1927, i kishin lânë Italisë të drejtën e influencës mbi Shqipní; Anglia e Franca e shihshin pothuejse pa interes vendin tonë. Rreziku vinte gjithnji prej fqinjëve, por ketë herë ishte edhe rrezik ideologjik.
Nji element tjetër qi afronte nji pjesë të madhe të intelektualëve me Italinë ishte ideja e krijimit të nji “Perandorije të ré romake”, ku ligji, e drejta, dinjiteti i qytetarit, vëllaznimi, kultura – të drejtojshin nji her’ e mirë Shqipninë kah Perëndimi. Bâhej fjalë o me lidhë fatin e vendit me traditën perëndimore ose me e lanë në influencën lindore.
Taktika jo e goditun qi u zgjodh ishte me përdorë fashizmin për me pështue kombin. Nji tjetër arsye qi shtyu Mustafën e shumë të tjerë me simpatizue për fashizmin, ishte fakti se politika fashiste kishte sigurue përkrahjen e vet për rivendosjen e kufijve etnikë të Shqipnís, pra, tue përfshí Kosovën, Çamërinë e tue rishikjue edhe kufinin verí-perëndimor.
Duhet thânë se Mustafa, me intuitën e tij të mprehtë kishte kenë ndër ata të pakta personalitete shqiptare qi kishin kuptue se aleati mâ i mirë për me rrëzue Zogun, ishte Italia. Në vjetin 1927, me rastin e nënshkrimit të Traktatit të Aleancës ndërmjet Shqipnisë dhe Italisë, Mustafa ishte i vetmi emigrant politik qi i telegrafoi Mussolini-t, tue vlerësue ketë marrveshtje. Edhe Hasan Prishtina në nji intervistë dhânë nji gazetarit të fletores “Giornale d’Italia”, me datë 8 dhetuer 1927, e vlerësonte nalt Traktatin, jo për makiavelizëm, por tue u nisë prej interesave të atdheut. Duket paradoksal fakti, por në ketë mënyrë ata ekzaltojshin edhe vetë politikën e anmikut të tyne, Zogut.
Ky i fundit, tue mendue me përforcue pushtetin e vet, lidhte nji aleancë qi do t’a çonte drejt humbjes së pushtetit. Mbetë fakti qi jo vetëm propaganda komuniste, por edhe qarqe tjera politike, janë përpjekë me denigrue figurën e Mustafa Krujës, të Ernest Koliqit e të shumë tjerëve, tue i quejtë “fashista të shitun” e, prej bejtexhive vëllavrasës të regjimit të Tiranës, tue u apostrofue si “tradhtarë” par excellence. Por, sot qi shumë gjana janë fashitë, ja vlen me këqyrë se çka shkruente Dom Lazër Shantoja në vjetin 1941, pak ditë mbasi Mustafa u ngarkue me formue qeverinë e vet.
Pyetjes: Kush asht Mustafa Kruja? – Shantoja i përgjegjet: “… As nuk asht nji shënjt, as nuk asht nji mrekullbas! Me thanë vetëm se asht nji patriot, asht prap tepër pak. Na, prej atyne qi do të na përfaqsojnë para kombit e para botës, kërkojmë diça ma teper sesa stolín e nji vërtyti, qi tjetër s’asht veç se detyra qi duhet të jetë e përgjithshme, për të gjithë ata qi kan lindun prej nji babe e prej nji nane shqiptare. Mustafa Kruja asht diça ma tepër. Ai asht nji luftar! Luftari intelektual i nacionalizmës shqiptare marke ma të fjeshtë e ma të kulluet. Ai asht nji filiz i asaj dege nacionaliste, qi rrâjtë e veta i ka thellë në shtrojet e ma të pastra e ma të paprishuna të racës.
Mustafa Kruja – i stolísun me nji mende të hollë, me nji kulturë të gjanë e të shëndoshtë evropjane, me nji vullndet çeliku, me nji ndienjë të spikatun për nderë e drejtësí, me nji dashuní të veçantë për brezet e reja, me nji shtërngesë spartane vërtytesh shtëpijake – asht fytyra politike ma typike e Shqipnís së ré, fytyrë e ngjeshun me at brumë me të cilin fati i Shqipnís desh të ngjeshi fytyrën e shpirtin e Luigj Gurakuqit e të shokvet të tij dëshmorë”.
Vazhdon Dom Lazri: “Jeta e tij asht ‘lufta e tridhjetë vjetvet’! E gjatë ktyne tridhjetë vjetvet kurrnji triumf! I vetmi, ai qi rrjedh prej zanit të ndërgjegjes: ke krye detyrën t’ande! E kjo detyrë asht nji shumë vuejtjesh e sakrificesh qi nuk njehen as nuk peshohen”.
Arsyeja për të cilën Mustafa Kruja, Dom Lazër Shantoja, Lef Nosi, P. Anton Harapi morën pjesë në politikën shqiptare të periudhës 1940-1944, âsht vetëm vetëdija e thellë e flijimit të vetvetes për interesat e kombit. Këto persona (qi kah profesjoni s’ishin as teneqexhí kriminela as studenta të falimentuem), para së gjithash ishin të afirmuem si studjuesa sa në lâmije të gjuhës e të filologjisë shqipe, aq në historinë e atdheut, ishin prind të censhëm e udhëhjekës shpirtnorë të panjollë, kishin ideale e interesa ideale qi në vetvete mjaftojshin me u a mbushë jetën me kënaqësina intelektuale e morale.
Por, udhëkryqi në të cilin ndodhej kombi e largpamësía i shtynte mos me bâ sehir n’at orë tragjike. E nesermja e atdheut do t’u jepte mâ se të drejtë, mbasi ajo qi kombet perëndimore festuen në 1945, si ditën e lirisë, për ne u bâ çasi fatal i nji robnije qi na pau skllevën e të rrënuem…! / Memorie.al
*Docente di Filosofia Contemporanea
Pontificia Universitas Urbaniana-Roma
Vijon numrin e ardhshëm














