Nga Bashkim Trenova
Pjesa e tetëmbëdhjetë
MITE-MISTICIZËM, VIKTIMOMANI, RACIZËM DHE SERBONOSTALGJI
SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE
(KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE)
Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)
Milivoj Srebro – eseist, kritik letrar dhe profesor në Katedrën e Studimeve Sllave në Universitetin Bordo III:
Në të vërtetë, ndër të gjitha luftërat në të cilat hyri Serbia gjatë shekullit XX, Lufta e Parë Botërore ishte për të më vdekjeprurësja, më tragjikja. Edhe pse në fund të luftës, falë sakrificave të saj të mëdha dhe qëndresës së saj të guximshme në disa beteja të paharrueshme, ajo e gjeti veten në anën fitimtare, edhe pse mundi të arrijë qëllimin e saj kryesor, Serbia doli nga kjo luftë e dërmuar në mish dhe në shpirt. Për lirinë e saj, por edhe për atë të bashkatdhetarëve të rinj, ajo sakrifikoi më shumë se një të katërtën e të gjithë popullsisë së saj! Kjo sakrificë, e cila la trauma të thella dhe plagë të hapura, që nuk u shëruan kurrë plotësisht, as nuk u njoh, as nuk mund të njihej me vlerën që meritonte nga popujt e tjerë jugosllavë. (1)
—
Të gjitha këto pyetje ngrihen edhe më me forcë kur bëhet fjalë për trajtimin e eksodit serb nëpër Shqipëri në vitin 1915, këtë ngjarje kyçe të Luftës së Madhe Ballkanike, shoqëruar nga një sakrificë e tmerrshme me ngjyrime biblike, që ka mbetur përgjithmonë e gdhendur në kujtesën kolektive nën emrin rrëqethës “Golgota Shqiptare”. Kjo është arsyeja pse ne kemi zgjedhur ta vendosim në qendër të reflektimit tonë këtë ngjarje, në shumë aspekte e paparë, e vetme në historinë moderne serbe. (2)
1 – Milivoj Srebro. “Le Golgotha albanais” ou la traversée des enfers. L’écho de la Grande Guerre dans le roman serbe. La Grande Guerre des écrivains. 2016. (“Golgota shqiptare” apo kalimi i ferreve. Jehonë e Luftës së Madhe në romanin serb. Lufta e Madhe e shkrimtarëve). Fq. 682.
2 – Po aty. Fq. 683.
—
Më 25 nëntor filloi eksodi i një populli të tërë, sepse në mesin e të mërguarve, përkrah ushtarëve, ishin shumë refugjatë, gra e fëmijë, dhe përfaqësuesit kryesorë të shtetit – mbreti i moshuar Pjetri I, qeveria, anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Një eksod me ngjyrime biblike, një rrugëtim i vërtetë nëpër ferr: të rraskapitur dhe të uritur, të sulmuar vazhdimisht nga bandat e armatosura shqiptare, të mërguarve iu desh të kalonin për ditë të tëra, herë në këmbë, herë mbi kalë, malet e pakalueshme shqiptare. (1) —
Vdekje ka pasur veçanërisht në jug të Lezhës. Rrugëtimi në vazhdim do të jetë edhe më i tmerrshëm. Sipas të dhënave ushtarake, mijëra refugjatë dhe ushtarë humbën jetën pikërisht gjatë marshimit të detyruar nga Durrësi për në Vlorë. Ky marshim u shkaktua nga mospranimi i autoriteteve italiane për të siguruar shpëtimin e tyre nëpërmjet porteve të veriut të Shqipërisë. Etapa e fundit e kësaj zbritjeje në ferr – shpëtimi i të mbijetuarve – nuk do të jetë më pak dramatike. (2)
—
“Golgota shqiptare” ishte një sakrificë e pakuptimtë, e bërë në emër të projektit jugosllav të miratuar, për arsye pragmatike apo utopike, nga elitat politike dhe intelektuale serbe, të cilat vepruan kështu kundër interesave të tyre kombëtare.
Por, përveç rileximit politik apo ideologjik të “golgotës shqiptare”, një gjë është e sigurt: për shkrimtarët serbë, kjo ngjarje kyçe e Luftës së Parë Botërore në Ballkan, mbetet ende dhe gjithmonë – për nga veçantia e saj në historinë moderne kombëtare si dhe nga ngulitja e saj e thellë në kujtesën kolektive – një sfidë që duhet përballuar, një burim i fuqishëm frymëzimi dhe një subjekt për të medituar mbi peripecitë e historisë së trazuar të Ballkanit. (1)
1 – Milivoj Srebro. “Le Golgotha albanais” ou la traversée des enfers. L’écho de la Grande Guerre dans le roman serbe. La Grande Guerre des écrivains. 2016. Fq. 685-686.
2 – Po aty. Fq. 687.
****
Milosh Jagodiç – Katedra e Historisë, Fakulteti Filozofik në Beograd:
Jo të gjithë shqiptarët ishin larguar para ushtrisë serbe që po përparonte….Këta shqiptarë rrinin në shtëpi. Një numër refugjatësh shqiptarë u kthyen në fshatrat e tyre pas përfundimit të armëpushimit. Pothuajse të gjithë këta persona u dëbuan në Turqi pas Kongresit të Berlinit. Vendet e reja të krishtera, Serbia në këtë rast, nuk donin të kishin myslimanë në territorin e tyre. Qeveria serbe i shihte shqiptarët si një popullsi të padëshiruar dhe jo të besueshme, e cila duhej të zëvendësohej me një popullsi më të përshtatshme. Një politikë e tillë ishte krejt e zakonshme në atë kohë në Ballkan.
Kryeministri serb Jovan besonte se Serbia duhet të jetë një vend etnikisht homogjen. Për më tepër, territoret e banuara me shqiptarë ishin të një rëndësie strategjike. Ato ishin menduar të ishin baza për zgjerimin e ardhshëm në Serbinë e Vjetër dhe në Maqedoni. Prandaj ishte e nevojshme që të populloheshin me popullsi të besueshme. Një nga gjeneralët serbë, Kosta Protiç, tha atëherë se nuk donte që Serbia të kishte Kaukazin e saj.
Serbët, në ditën e tretë të luftës, morën Prokupljen.
Myslimanët brenda dhe përreth qytetit, kryesisht shqiptarë, u larguan nga shtëpitë e tyre në panik, duke lënë pas sasi të mëdha ushqimesh dhe bagëtish. Shqiptarët vendas ikën në malin e Pasjaçës, në jug të Prokupljes. Një pjesë e këtyre refugjatëve u kthyen shpejt në fshatrat e tyre, duke iu nënshtruar autoriteteve serbe, ndërsa pjesa tjetër vazhdoi të lëvizte në jugperëndim, drejt Kurshumlisë. Gjatë përparimit të vazhdueshëm drejt Kurshumlisë, trupat serbe u ndeshën me refugjatët shqiptarë, të cilët ishin shpërndarë nëpër të gjitha malet e afërta. Ndërsa tërhiqeshin, ata u rezistuan serbëve dhe nuk pranuan të dorëzoheshin.
1 – Milivoj Srebro. “Le Golgotha albanais” ou la traversée des enfers. L’écho de la Grande Guerre dans le roman serbe. La Grande Guerre des écrivains. 2016. Fq. 709 – 710.
Kurshumlia u kap menjëherë pas Prokupljes. Refugjatët kishin arritur tashmë në shpatet jugore të Kopaonikut. Forcat turke u përpoqën të depërtonin në Luginën e Toplicës, për të dërguar ndihma në Nishin e rrethuar, kështu që zona rreth Kurshumlisë u shndërrua në një fushë beteje. Prandaj shqiptarët e arratisur u detyruan të qëndronin në mal. Ata prisnin që serbët të dëboheshin nga fshatrat e tyre. Doli se po prisnin kot. Nishi u mor, turqit u tërhoqën dhe refugjatët nuk u kthyen në shtëpi.
Pas betejave të Gërdelicës dhe përballë Vranjës, serbët e morën këtë qytet. Shumë myslimanë u larguan nga rrethinat e Vranjës në muajt në vijim, pasi u ekspozuan ndaj të gjitha llojeve të trazirave nga fqinjët e tyre serbë. Shqiptarët mbrojtën kanionin e Veternicës, ndërsa familjet e tyre u strehuan në malin e Golakut. Serbët vendas morën pjesë në luftimet rreth Veternicës. Ata treguan armiqësi të madhe ndaj shqiptarëve duke ua djegur shtëpitë, duke i plaçkitur dhe ndjekur.
Unë nuk jam në gjendje të përshkruaj emigrimin e myslimanëve pas Kongresit të Berlinit, për mungesë burimesh të besueshme. Një numër i vogël i tyre janë dëbuar pas luftës, shumica janë larguar gjatë operacioneve ushtarake. Disa oficerë me ndikim ndërmorën masa të tilla dhe mbështetën masat qeveritare. Vetëm gjenerali Jovan Belimarkoviç kundërshtoi urdhrat e dëbimit. Ai nuk autorizoi largimin e shqiptarëve nga Masurica. Por ata u dëbuan pak më vonë, kur gjenerali ishte me leje. I vetmi grup kompakt i shqiptarëve mbeti në luginën e Jabllanicës. Në Nish, për shembull, punonjësit e administratës lokale i keqtrajtuan myslimanët e mbetur dhe i detyruan të emigrojnë.
Pas Kongresit të Berlinit, situata në zonën kufitare ishte ende e tensionuar. Në qershor të vitit 1879, shqiptarët sulmuan edhe qytetin e Kurshumlisë. Qeveria serbe protestoi pranë Portës, por ankesat e saj mbetën pa përgjigje.
Ardhja e refugjatëve shqiptarë në Kosovë e përkeqësoi shumë gjendjen e serbëve që jetonin atje….Shqiptarët ishin të inatosur, sepse kishin humbur një luftë kundër Serbisë. Kështu ata u hakmorën ndaj serbëve që jetonin në Kosovë. Autoritetet turke kanë qenë të pafuqishme për të parandaluar një sjellje të tillë, veçanërisht gjatë ekzistencës së “Lidhjes së Prizrenit”. Në vitet pas Kongresit të Berlinit shumë serbë u larguan nga Kosova për shkak të dhunës shqiptare, ndaj së cilës ishin të ekspozuar.
Kështu, serbët që mbetën në Kosovë, përfundimisht ishin më të paktë se shqiptarët. Shqiptarët u ndanë në klane. Disa prej tyre ishin armiqësorë me njëri-tjetrin. Ideja e një kombi të bashkuar shqiptar nuk ekzistonte te shqiptarët e Kosovës. Vetëdija e tyre ishte fisnore. Gjatë luftës kundër Serbisë ata shprehën vetëm patriotizëm lokal. Pas emigrimit të myslimanëve, rajonet e reja serbe ndryshuan shpejt pamjen e tyre.(1)
****
Milovan Spasiç – doktor i Filozofisë, anëtar i Këshillit të Shtetit, bibliotekari i parë i Bibliotekës Kombëtare të Serbisë:
Këto territore në fjalë populloheshin me popullatë të përzier shqiptaro-serbe, ndërsa në viset më jugore më tepër mbizotëronte elementi shqiptar. Kështu, vetëm në Qarkun e Toplicës, para luftërave serbo-osmane, gjendeshin mbi 246 fshatra të pastra shqiptare, por mund të ketë pasur edhe më tepër, pohon një autor tjetër serb, i cili i kishte vizituar disa vise që nga viti 1877. (2)
1 – Milosh Jagodiç. “The Emigration of Muslims from the New Serbian Regions 1877/1878”. (Emigrimi i muslimanëve nga rajonet e reja serbe 1877/1878). Balkanologie. Vol.II, nr.2/1998.
2 – Milovan Spasiç, Podaci o agrarnim odnosima hrišćana u oslobođenim kraje-vima okruga topličkog i vranjskog za vreme turske vladavine. (Të dhëna për marrëdhëniet agrare të krishterëve gjatë sundimit turk në viset e çliruara të rrethit të Toplicës dhe Vranjës). “Glasnik Srpskog učenog društva, LXXI, Beograd 1890. Fq. 235-243.
****
Momir Turudiç – gazetar:
Shqiptarët jetojnë në Ballkan, përveç Shqipërisë dhe Kosovës, edhe në Serbi, në Maqedoni, në Greqi dhe në Malin e Zi. Nëse do të duhej të përshkruanim me pak fjalë gjendjen e përbashkët të banorëve të kësaj zone, do të kishim një pamje të tillë : zemërim, pakënaqësi, mungesë e shpresës për një të ardhme më të mirë. Në një atmosferë të tillë, historitë e “armiqve shekullorë”, kryesisht fqinjë, referenca për “të kaluarën tonë të lavdishme” dhe “krimet e tyre”, priten nga shumica mjaft më mirë sesa vizionet e një të ardhmeje të përbashkët. (1)
****
R. Markoviç:
Në fillim të vitit 1912 pati një kryengritje të madhe. Shqiptarët u ngritën kundër turqve, pushtuan Kosovën, Shqipërinë Veriore, Shkupin dhe arritën në Selanik. Portës iu desh t’u premtonte autonomi, e cila përfshinte katër krahinat e përmendura. Në përgatitje për luftën e saj kundër turqve, Serbia iu afrua udhëheqësve shqiptarë në përpjekje për t’i joshur ata në anën e saj. …por shqiptarët ende besonin se territoret e tyre do të rrezikoheshin nga shtetet ballkanike, ndaj nuk pranuan të bashkëpunonin dhe vendosën të jenë në luftën e ardhshme përkrah Turqisë.
Shqiptarët e Kosovës e pritën ushtrinë serbe si pushtuese që shkatërronte ëndrrën e një “Shqipërie autonome”. Gjatë luftimeve të ashpra u rrafshuan shumë vende, si Ferizoviqi, i cili u quajt Ferizaj. Kundër popullatës civile u kryen reprezalje masive.
Serbët vazhduan përparimin drejt Detit Adriatik; në disa pjesë të Shqipërisë u pritën si çlirimtarë, në të tjera si pushtues. Ushtria serbe pushtoi pjesën më të madhe të Shqipërisë së sotme dhe pikën më të rëndësishme strategjike, portin e Durrësit, dhe u tërhoq nga Shqipëria vetëm në fund të vitit 1913, nën presionin e fuqive të mëdha.
Gjatë fushatës së saj, ushtria serbe kreu krime të shumta masive kundër popullatës civile shqiptare, siç shkruajnë Kosta Novakoviç, një politikan dhe gazetar socialist serb, pjesëmarrës në fushatën ushtarake në Shqipëri, dhe Dimitrije Tucoviç në librin e tij “Serbia dhe Shqipëria”, ku kritikon politikën pushtuese të borgjezisë serbe ndaj Shqipërisë dhe krimet ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike. Luftërat ballkanike përmenden ndër ngjarjet më tragjike në historinë e Shqipërisë.
Nga ana tjetër, historia serbe shënon “Golgotën shqiptare”, kur gjatë Luftës së Parë Botërore para ofensivës austro-hungaro-gjermane ndaj Serbisë, në fund të vitit 1915, ushtria serbe me 200 mijë refugjatë filloi të tërhiqej përmes Shqipërisë drejt detit. Shpesh theksohet se përveç dimrit dhe zisë së bukës, refugjatët serbë dhe ushtria u shkatërruan nga çetat shqiptare, të cilat i sulmuan (më pak flitet për raste të ndihmës nga popullata vendase). (1)
—-
1 – Momir Turudiç. Vreme. N. 1242. 23/10/2014.
****
Trisha Kacleroviç – gazetar, avokat dhe politikan:
Kur populli shqiptar është përpjekur të mbrohet nga robërimi i ri (më parë ka qenë nën robërinë turke) – atëherë ushtria serbe ka kryer masakra të papara mbi popullin shqiptar, ka vrarë e ka prerë, – po, praktikisht kanë therur, për të kursyer municionin – me dhjetëra mijëra njerëz: pleq e të rinj, burra e gra, dhe me zjarr kanë rrafshuar dhjetëra katunde e vendbanime shqiptare. Dhe të gjitha këto i ka bërë një shtet i vogël ndaj një populli edhe më të vogël, i cili pas rënies së perandorisë turke ka dashur të krijojë shtetin e tij të pavarur. Kështu ka vepruar Serbia e vogël kapitaliste, jo Serbia popullore, e cila vetëm dy muaj më parë kishte përfunduar luftën me Turqinë, për të çliruar popullin e saj të robëruar. Dhe, kur imperializmi Austro-Hungarez dhe ai Gjerman sulmoi në vitin 1914 Serbinë dhe e pushtoi atë, atëherë Serbia ulëriti dhe alarmoi tërë botën, por me këtë rast harroi se ajo veproi njëlloj me popullin shqiptar, duke luftuar kundër imperializmit të huaj, por duke zbatuar imperializmin e vet ndaj më të vegjëlve dhe më të dobëtëve se vetja. (1)
1 – R. Markoviç. Sta je tebi Albanija – Srpsko-albanski odnosi. (Ç’është Shqipëria për ty-Marrëdhëniet serbo-shqiptare).Vreme, N.1242. 23/10/2014.
****
Slavenko Terziç – historian, anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve:
Ushtria e RVA-së kaloi kufirin më 20 tetor, ndaloi para Kumanovës për të pushuar dhe për të pritur ardhjen e Armatës së 3-të, e cila duhej të depërtonte në Luginën e Vardarit, afër Shkupit, përmes grykës së Kaçanikut. Ajo nuk erdhi, për shkak të luftimeve kufitare në Kosovë e Metohi.
Gjendja shpirtërore e ushtrisë dhe atmosfera e një nate para betejës është përshkruar nga Branislav Pantiç, atëherë rreshter i kompanisë së 4-të të batalionit të tretë të regjimentit të 18-të, në artikullin: “Regjimenti i tetëmbëdhjetë i këmbësorisë në betejën e Kumanovës: Edhe humori ynë ishte i njëjtë me këtë mot të mirë dhe me sukseset e arritura deri më tani, kështu që mbrëmja e 22 tetorit kaloi plot kënaqësi, me të qeshura të nxitura nga batutat e ndryshme për turqit.
Me një fjalë, ishte një mbrëmje, e cila në asnjë mënyrë nuk la të para-ndjehej kaosi dhe rrënimi i të nesërmes, kur të gjitha iluzionet dhe fantazitë tona rinore për hyrjen fitimtare në Dushanovë Shkup, pothuajse u thyen, u thyen dhe u hodhën në përjetësi. Nuk po përmendim mundësinë e disfatës, e cila ishte aq afër dhe që na dukej krejtësisht e pamundur atë mbrëmje.
Në përputhje me planin e luftës dhe urdhrin e Komandës së Lartë të 3 Nëntorit, si dhe me politikën e qeverisë për të hyrë në Shqipëri dhe për të mbërritur në Detin Adriatik, në fillim të nëntorit 1912 ishin stërvitur nga Armata e Tretë trupat e Drinit dhe të Shumadisë. Komandanti i Ushtrisë Jankoviç i kërkoi Komandës së Lartë që të shtyjë lëvizjen në këtë drejtim “sepse nuk ka bukë, nuk ka foragjere, nuk ka…”, por atij iu tha të nisej sa më shpejt që të ishte e mundur, të depërtonte me shpejtësi në Shqipëri deri në Detin Adriatik, për të parandaluar në këtë mënyrë një ndërhyrje të fuqive të mëdha, të cilat praktikisht viheshin kështu përpara faktit të kryer. Në luftime të ashpra në të gjithë Shqipërinë nga data 8 deri më 29 nëntor, forcat serbe arritën të merrnin kontrollin e brigjeve qendrore dhe veriore shqiptare, duke pushtuar Lezhën, Krujën, Tiranën dhe Durrësin.
1 – Trisha Kacleroviç, “Berner Tagwacht”, Bernë, Zvicër. Maj 1916. Shih edhe Abdulla Mehmeti. Pse gjithë ky internacionalizëm, kozmopolitizëm dhe globalizëm ndër shqiptarët?
Lajmi. 13. 05. 2020.
Luftimet në territorin e Shqipërisë me trupat turke dhe forca të parregullta shqiptare, deri dje aleatë besnikë të Turqisë, vazhduan edhe gjatë muajve të parë të vitit 1913. Në nëntor 1912, ushtria serbe në Shqipëri vepronte ende në territorin e shtetit turk. Me rënien e Janinës më 6 mars, të Jedrenës më 26 mars dhe të Shkodrës më 23 prill 1913, operacionet ushtarake të Luftës së Parë Ballkanike praktikisht përfunduan. Në Vlorë, më 28 nëntor 1912, po atë ditë kur trupat serbe hynë në Tiranë dhe në Durrës, u shpall një Shqipëri e pavarur, e cila ndryshoi ndjeshëm situatën ushtarako-politike. Me ndërhyrjen e fuqive të mëdha, në radhë të parë të Austro-Hungarisë, në prill 1913 filloi tërheqja e trupave serbe nga Shqipëria. (1)
****
Vaso Çubriloviç – politikan, profesor i Universitetit të Beogradit, ministër dhe anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve:
Pastrimi i zonës rreth Toplicës dhe Kosanicës nga arnautët në vitet 1877 e 1878 ndoshta nuk është kryer sipas një plani nga lart, ai ishte më tepër instinktiv, por rrënjësor, gjatë luftërave e operacioneve. Që shqiptarët e këtyre krahinave janë shpërngulur vullnetarisht dhe nuk janë dëbuar qëllimisht me dhunë, kjo shihet mjaft mirë nga operacionet e ushtrisë serbe në këto krahina më 1877 dhe 1878. Sapo repartet e para serbe filluan të depërtojnë drejt Kurshumlisë, Prokupljes dhe Leskovcit, ndeshën në ngulime të dendura shqiptarësh, të cilët nuk donin të dorëzoheshin.
Luftën kryesore kundër tyre duhej ta bënin serbët. Duhej pushtuar njëri fshat pas tjetrit. Arnautët tërhiqnin popullsinë jo të aftë për luftë drejt jugut, e siguronin nëpër strehime dhe vazhdonin luftën. Kur ushtria serbe iu afrua edhe strehimeve ata u tërhoqën nëpër luginat e Moravës Jugore, Veternicës, Medvegjes, Pusta Rekës, Llapit e më tej në Kosovë. Kështu, me depërtimin gradual të çetave serbe, u spastrua Toplica nga arnautët. Ata lanë Kurshumlinë që në luftimet e para rreth saj në dhjetor të vitit 1877. Prokuplja u boshatis pa luftë. Jo rrallë arnautët, si në fshatin Krivak, godisnin çetat serbe në rrugë e sipër; atëherë duheshin dërguar repartet për të spastruar fshatin prej tyre. Korparmata e Timokut, duke marshuar përmes “arnautllëkut” në Toplicë drejt Kosovës, hasi në një qëndresë kaq të fortë të arnautëve, saqë iu desh të ngadalësonte përparimin për të spastruar prapashpinën prej tyre.
Disa arnautë u dorëzuan dhe u kthyen në fshatra nga mali Gollak. Brigada e Kragujevacit la garnizone në fshatrat Vllas, Oshtra, Glava dhe në Lalincë për t’i ruajtur ato. U pranua edhe dorëzimi i fshatarëve arnautë në anën e djathtë të Moravës rreth Surdulicës, Zhitorades, Prekodollcit, Llugojnices etj. Nën malin Gollak mbetën pak shqiptarë edhe pas paqes së arritur.
Popullsia myslimane në pjesën më të madhe i braktisi qytetet Nish, Ak-Pallank, Pirot, Leskovc dhe Vranjë që gjatë luftës. Ajo u vendos kryesisht në Serbinë e Vjetër.
1 – Slavenko Terziç: Oslobodenje Stare Serbie 1912 godine. (Çlirimi i Serbisë së Vjetër në vitin 1912). Nemanja. 27. 03. 2013. Fq.7-8.
Pasi u shtynë nga zona midis Moravës Jugore dhe Kopaonikut, në vitet 1877-1878, arnautët u vendosën menjëherë pranë kufirit të ri të Serbisë. Ata u dyndën në Luginën e Llapit dhe në Kosovë, sidomos rreth e rrotull Prishtinës ku, duke u tërhequr nëpër luginën e Medvegjës, u grumbulluan më shumë të shpërngulur nga rajonet që kishin pushtuar serbët. Sipas Cvijiçit, nga Serbia atëherë u shpërngulën rreth 30.000 frymë. Kështu u dendësua shumë popullsia shqiptare në Kosovë.
Pas vitit 1878 Serbisë iu desh të kolonizojë rajonet që lanë arnautët dhe turqit. Fshatrat kufitare me Kosovën duheshin populluar sa më parë me popullsi të sigurt nacionale për të garantuar kufirin me arnautët.
Procesi i shpërnguljes së turqve të mbetur nëpër qytete dhe popullimi i fshatrave të boshatisura shqiptare, u krye më shpejt sesa mendohej…As 30 vjet nuk u deshën që në luftërat 1912-1913,Toplica, arnautllëku më famëkeq në 1877, t’i jepte Serbisë regjimentin e dytë, më të mirin. (1)
—
Është e pamundur të dëbosh shqiptarët vetëm nëpërmjet kolonizimit gradual; ai është i vetmi popull që ka arritur gjatë rrugëtimit tonë mijëravjeçar jo vetëm t’i rezistojë bërthamës së shtetit tonë, Rashka dhe Zeta, por edhe na ka shkaktuar dëme, duke shtyrë kufijtë tanë etnikë drejt veriut dhe lindjes. Dhe, ndërsa gjatë mijëvjeçarit të fundit, kufijtë tanë etnikë janë zhvendosur në veri deri në Suboticë, dhe në veri-lindje deri në Kupa, shqiptarët na kanë dëbuar nga rajoni i Shkodrës, ish kryeqyteti i Bodinit, nga Metohija dhe nga Kosova. E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet për t’i përzënë është forca brutale e një shteti të organizuar, në gjirin e të cilit ne kemi dominuar gjithnjë.(2)
—
Mbetet edhe një mjet që Serbia e ka përdorur në mënyrë shumë praktike pas vitit 1878, djegia fshehurazi e fshatrave dhe lagjeve të arnautëve nëpër qytete.(3) Memorie.al
1 – Vaso Çubriloviç. Odabrani istorijski radovi. (Vepra të zgjedhura historike). Fq. 540-543. Beograd 1983, “Narodna Knjiga”.
2 – Vaso Çubriloviç. Nga fjala e mbajtur me 7 mars 1937 në një Konferencë të SKK-së (Klubi Kulturor Serb). Balkanologie. Vol.XII, Nr.1/ 2010.
3 – Vaso Çubrilloviç. Fjalim i mbajtur më 7 mars 1937 në Klubin e Kulturës në Beograd. “Mlladina” nr. 49. 1988. Fq.3.
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016