Nga Afrim Imaj
-Dokumenti arkivor me akt-akuzën nga gjyqtarët; Fehmi Abdiu, Fejzi Shehu, Mustafa Xhixha dhe prokurori Asim Ruli, ku tre të pandehurit u dënuan me 50 vjet burg politik-
Memorie.al / Në mars të vitit 1989, në Tipografinë Ushtarake në Tiranë, ku shtypeshin buletinet e Partisë të shkallës ‘sekret’ e ‘tepër sekret’ dhe dokumentet zyrtare të klasifikuara të tilla, u zbulua një organizatë antikomuniste, që synonte përmbysjen e pushtetit popullor. Lajmi i bujshëm tronditi mbarë opinionin, pavarësisht përkujdesjes së shërbimeve sekrete, (Sigurimi i Shtetit), për ta izoluar e fshehur ngjarjen. Këtë radhë elementi antiparti, nuk i kishte shpëtuar vetëm vëzhguesve vullnetarë të Sigurimit, por edhe armatës së rojeve të shumta që vigjilonin “non stop”, në çdo pëllëmbë të shtypshkronjës. Për autoritetet zyrtare, organizata e mirëstrukturuar “Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Popullit Shqiptar”, siç ishte vetëpagëzuar grupi i tipografëve rebelë, paraqiste rrezikshmëri të lartë. Të tillë e bënte platforma, synimet dhe sidomos thirrja e bërë së fundi, për të demonstruar para selisë së Komitetit Qendror të PPSh-së, revoltën popullore kundër krerëve të regjimit. Dokumentet e kohës, përmbajnë provat e siguruara në rrugë operative dhe rrethanat specifike, si u zbulua grupi që operonte në bazën e sigurisë së lartë, në zemër të Tiranës…!
Lajmi nga Shkodra
Në raportin e pasmesnatës të 10 marsit 1989, zyrtarët e Degës së Brendshme të Shkodrës, informonin eprorët e tyre në Tiranë, se grupe të paidentifikuara, kishin shpërndarë e vendosur në vendet më të dukshme të qytetit, komunikata me përmbajtje thellësisht armiqësore. Sqarimet e mëtejshme, bënin të ditur autorësinë e këtyre veprimeve, pas të cilave qëndronte organizata e vetë pagëzuar “Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Popullit Shqiptar”. Komunikata e saj mbyllej me thirrjen për një tubim publik, ditën e hënë, mëngjesin e 13 marsit ‘89, para selisë së Komitetit Qendror të PPSH-së, për të kërkuar dorëheqjen e lidershipit komunist. Kjo veçohej si pjesa më e rëndësishme dhe serioze e raportit nga Shkodra. Ai përfundonte me njoftimin për arrestimin e dy të dyshuarve.
Reagimi i menjëhershëm ndaj situatës së papritur nisi me shqyrtimin e ekzemplarëve të sjellë me urgjencë nga qyteti verior. “Ndryshe nga rastet e tjera të këtij karakteri, – kujton njëri nga oficerët e Sigurimit të Ushtrisë, që ka ndjekur çështjen, – fletushkat e 10 marsit 1989, nuk i përkisnin produktit të makinës së shkrimit, por teknologjisë më të përparuar të shtypshkrimeve”. Ky fakt, mundësonte identifikimin e shpejtë të makinerisë, që i kishte prodhuar. “Një të tillë, -shton eksperti ushtarak, – dispononte vetëm Tipografia Ushtarake në kryeqytet”. “Kjo, sipas tij, – konfirmoi pa mëdyshje se komunikatat ishin shtypur aty. Tanimë mbetej zbulimi i autorëve dhe teknikëve që ishin marrë me riprodhimin e tyre. Por a mund të mbërrihej te ta kaq shpejt? Situata, sado delikate, nuk paraqitej e pamundur për t’u zgjidhur…”!
Dy të arrestuarit
Petrit Nuri Ishmi dhe Xhuljeta Cuka, dy të arrestuarit në orët e vona të 10 marsit 1989, fillimisht u përballën me akt-ekspertimin e komunikatave të shpërndara në Shkodër, ku konfirmohej riprodhimi i tyre, në makineritë e Tipografisë Ushtarake. Në çastet e para, dy të dyshuarit, asokohe punonjës të kësaj ndërmarrjeje, u munduan të mohojnë çdo lidhje me ngjarjen, por nuk u funksionoi. Mënyra si ishin siguruar provat dhe rezultatet e ekspertimit të komunikatave, nuk linin shteg për asnjë lloj alibie. Ishte kjo arsyeja që Ishmi dhe Cuka, pa shumë rezistencë, rrëfyen gjerë e gjatë aktivitetin e organizatës së tyre. “Dëshmitë e Ishmit dhe Cukës, ishin befasuese”, – shprehet ish-oficeri i Sigurimit të Ushtrisë që është marrë me çështjen, duke iu rikthyer profilit dhe rrezikshmërisë së grupit, që kishte vepruar në zemrën e një baze sekrete në kryeqytet.
Njëherazi me autorësinë e komunikatave, dy të prangosurit pohuan me detaje historinë e organizatës ilegale, krijuar në vjeshtën e vitit 1987. Rrëfimi i tyre çoi sakaq, në kryqëzimin e një tjetër protagonisti të grupit, që operonte në Tipografinë Ushtarake. Emri i Alfred Berishës, i denoncuar rishtas nga Ishmi dhe Cuka, nuk ishte i panjohur për Policinë e Tiranës. Prej kohësh ai ishte skeduar, si organizatorë i shpërndarjes së fletushkave e trakteve armiqësore, në kohë e vende të ndryshme, me bojë, laps, dhe mjete të forta. Ballafaqimi në proces, zbardhi gjithë misteret e “çerdhes” antikomuniste, që vepronte aty ku shtypeshin buletinet sekrete…!
Provat tronditëse…!
Në raportin e datës 13.3.1989, të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, për sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë të rrethit, jepet një pasqyrë e zgjeruar e ngjarjes së pazakontë, në ndërmarrjen e sigurisë së lartë në kryeqytet. Njëherazi me të dhënat e tre të pandehurve, aty përshkruheshin me hollësi tërësia e provave të pakontestueshme të siguruara deri në atë moment. Dokumenti nënvizon se grupi i tipografëve të arrestuar, kishte përgatitur 5.000 copë komunikata dhe i kishte ndarë në tri pjesë, të destinuara për t’i shpërndarë brenda datës 10.3.1989, në qytetet Shkodër, Durrës e Tiranë. Raporti vë në dukje, se nga kjo sasi e konsiderueshme, 2.000 copë janë gjetur në shtëpinë e Petrit Nuri Ishmit, 1.560 copë ishin grumbulluar në qytetin e Shkodrës dhe pjesa tjetër, ishte gjetur në një qendër zjarri në qytetin e Durrësit.
Pjesa më e mistershme e njoftimit për kreun e partisë së kryeqytetit, ishte konstatimi se pas grupit të tipografëve, fshihej një diplomat i një vendi Perëndimor në Tiranë. Nga aq sa kishin zbuluar deri në atë periudhë organet e specializuara, bëhej fjalë për atasheun kulturor të Ambasadës së Francës në vendin tonë, Luc bounol La Font. Veç dyshimeve të forta, dokumenti shprehej i rezervuar për rolin e tij, në aktivitetin e organizatës së vetëquajtur; “Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Popullit Shqiptar”. Sidoqoftë, provat e ofruara nga Drejtoria e Punëve të Brendshme, ishin tronditëse dhe kërkonin vlerësimin maksimal. Situata që përjetonte vendi dhe zhvillimet politike në Europën Lindore, e bënin ngjarjen edhe më alarmante…!
Mysafiri nga Franca
Në shqyrtimin e të dhënave për Luc bounol La Font, diplomatit francez në vendin tonë dhe rolit të tij në aktivitetin e organizatës antikomuniste të tipografëve, shërbimet e specializuara kishin zbardhur një biografi të përmbledhur të tij. Mysafiri nga Franca, i datëlindjes 1964, i ardhur në vendin tonë më 8.9.1988, ishte zotërues i gjuhës frënge, ruse, çeke e së fundi kishte mësuar edhe pak shqip. Më herët kishte pasur një përvoje të shkurtër si stazhier në Moskë, ku kishte ndjekur çështjet e vendeve të Traktatit të Varshavës. Të dhënat e para, konstatonin prirjen e tij, për të përhapur influencën e vendeve të Traktatit të Varshavës dhe në veçanti atë të Bashkimit Sovjetik.
Ndërkaq, ishte provuar se Luc bounol La Font, mbante lidhje të fshehta dhe zhvillonte takime të shpeshta, me tre të pandehurit e procesit të tipografisë. Me emrin e tij lidhej më së shumti ideja e krijimit të një organizate ilegale, për të sensibilizuar opinionin kundër regjimit. Pohimet e Petrit Nuri Ishmit dhe Xhuliana Cukës, konfirmonin faktin që Luc bounol La Font, mori pjesë në formulimin e tekstit të komunikatës dhe ideoi planin për demonstratën antikomuniste, para selisë së Komitetit Qendror të PPSh-së, mëngjesin e 13 marsit 1989.
Dosja e dënimit të Petrit Ishmit, Frederik Berishës e Xhuljeta Cukës!
-Të pandehur, tipografët që shtypnin buletinet sekrete-
Plot 50 vjet burg, për 5.000 komunikata me përmbajtje armiqësore! Vendimi i formës së prerë për dënimin e Petrit Ishmit, Alfred Berishës dhe Xhuljeta Cukës, nënshkruar nga gjyqtarët; Fehmi Abdiu, Fejzi Shehu, Mustafa Xhixha dhe prokurori Asim Ruli, mban datën 11.08.1989 dhe numrin 456 në regjistrin e Gjykatës së Tiranës.
Artikulimet e tjera të dosjes gjyqësore për dënimin e grupit armiqësor të shtypshkronjës së Tipografisë Ushtarake, janë një përmbledhje absurde që rreket të përligjë rrezikshmërinë shoqërore, të sjelljeve antisocialiste të të akuzuarve të identifikuar tashmë si organizatorë të demonstratës antikomuniste, të paralajmëruar për t’u zhvilluar mëngjesin e 13 marsit 1989, para selisë së Komitetit Qendror në Tiranë. Po çfarë përmban tjetër dokumenti i procesit gjyqësor për dënimin e pjesëtarëve të grupit armiqësor të shtypshkronjës së buletineve sekrete, e njohur ndryshe si Tipografia Ushtarake…?!
“Petrit Ishmi, Alfred Berisha dhe Xhuljeta Cuka, duke qenë me nivel kulturor e ideologjik dhe nën ndikimin e propagandës borgjezo-revizioniste, kanë kaluar gradualisht në pozita armiqësore ndaj pushtetit popullor dhe Partisë së Punës.
Nga viti 1987, të pandehurit Petrit e Alfred, kanë punuar bashkë dhe kanë zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme në vende e kohë të ndryshme, agjitacion e propagandë kundër shtetit.
Agjitacionin e propagandën kundër pushtetit popullor në përgjithësi, e kanë kryer duke vendosur në vende të ndryshme, në 33 raste fletushka armiqësore, me të cilat kanë folur kundër udhëheqësit kryesor të Partisë, kundër kuadrove kryesor të saj, kundër të drejtave demokratike të rinisë e të popullit, etj.
Në shumë prej tyre kanë shënuar inicialet ‘KMDPSH’, duke e quajtur kështu veten si; Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Popullit Shqiptar. Në vijim të veprimtarisë së tyre armiqësore, kanë futur në të edhe të pandehurën Xhuljeta Cuka, që ka filluar punë në Tipografinë Ushtarake, në qershor të vitit 1988, e që kishte pikëpamje liberale për punën e për jetën!
Pra, pas muajit tetor të vitit 1988, veprimtarinë e tyre të pandehurit e kanë kryer bashkërisht. Edhe pas kësaj kohe ata kanë hedhur fletushka me përmbajtje armiqësore, kanë biseduar që në rastin e mitingut të madh që do të organizohej me rastin e përvjetorit të themelimit të Partisë, të hidhnin parulla armiqësore.
Në fillim të muajit mars 1989, Petrit Ishmi, Alfred Berisha dhe Xhuljeta Cuka, kanë rënë dakord që të shtypnin në vendin e tyre të punës, në Ndërmarrjen e Tipografisë Ushtarake, komunikata me përmbajtje armiqësore. Për këtë, kanë ngarkuar Xhuljeta Cukën, që të përgatiste tekstin e komunikatës dhe kjo e fundit pasi e ka përpiluar, ua ka lexuar dy të tjerëve, të cilët e kanë miratuar përmbajtjen e saj.
Më pas kanë biseduar për t’i shpërndarë komunikatat, që do të bënin në qytetet e Shkodrës, Durrësit dhe Tiranës, duke ndarë edhe detyrat për këtë qëllim.
Për të përgatitur komunikatat në fjalë, duke përfituar nga mungesa e kontrollit e nga shkelje të tjera të rregullit në punë, kanë sistemuar dy forma me përmbajtjen e komunikatës dhe në datën 6.3.1989, nga ora 19:00 deri në orën 23:00, kanë shtypur në pedalinën e Xhuljetës, 5000 copë të tilla.
Përmbajtja armiqësore e kësaj komunikate qëndron në faktin se në të i bëhet thirrje popullit për të bërë demonstratë për përmbysjen e pushtetit popullor, duke caktuar edhe kohën, edhe vendin ku do të organizoheshin. Atë natë, Petrit Ishmi, Alfred Berisha dhe Xhuljeta Cuka, i kanë nxjerrë komunikatat fshehurazi për t’i shpërndarë më vonë.
Para datës 10.3.1989, një pjesë të tyre i kanë fshehur në një qendër zjarri në Shkozet, ndërsa në këtë datë, Petrit Ishmi dhe Xhuljeta Cuka, kanë marrë me vete 1500 komunikata dhe kanë shkuar në qytetin e Shkodrës.
Atë datë, pasdite, pasi kanë arritur aty, me t’u errur kanë filluar shpërndarjen e tyre, në zonën industriale, ku kanë hedhur mjaft të tilla nëpër ndërmarrje, institucione dhe në banesa të qytetarëve të ndryshëm.
Më pas kanë fshehur pjesën që u ka mbetur e kanë dalë në Baçallëk për të gjetur makinë e për t’u larguar për në qytetin e Durrësit, por atje janë ndalur nga punonjësit e Policisë.
Veç këtyre, ka rezultuar se Petrit Ishmi, Alfred Berisha dhe Xhuljeta Cuka, pas muajit nëntor të vitit 1988, kanë biseduar dhe kanë rënë dakord disa herë, për t’u arratisur jashtë shtetit. Për këtë i kanë kërkuar ndihmë Bashkim Beqiragës, që kryente shërbimin ushtarak në Ksamil. Më pas i kanë kërkuar ndihmë një punonjësi të Ambasadës Franceze, për t’i ndihmuar që të arratiseshin.
Veç këtyre varianteve, Xhuljeta i ka kërkuar ndihmë Ylvie Kadiut, për t’i ndihmuar me ndonjë specialist të huaj, për këtë qëllim. Kohët e fundit kanë biseduar që pas shpërndarjes së komunikatave të arratiseshin për në Jugosllavi, duke kaluar kufirin nga Dibra.
Veprat e kryera paraqesin rrezikshmëri shoqërore të theksuar, pasi janë drejtuar kundër shtetit, diktaturës së proletariatit, lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë socialist. Kryerja e tyre, është dëshmi e luftës së klasave, që zhvillohet në vendin tonë nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, që punojnë frontalisht, por pa sukses, për të goditur Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Petrit Ishmi, ka qenë i dënuar më parë, ai ka personalitet të keq, sjellje e qëndrim të keq në punë e në familje. I tillë është edhe Alfredi, i cili edhe pse nuk ka personalitet jo të keq, ka disa vite që ka luajtur në vetvete, mendime armiqësore. Edhe Xhuljeta, ndonëse e re, ka qenë konsekuente në veprimtarinë kriminale. Memorie.al
Marre nga Panorama.com.al