Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e katërt
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Loka i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
Për çdo gjë që nuk kishte më të bënte me detyrën e tyre, pleqtë e fshatit dhe të bajrakut, ishin në njëjtë me anëtarët e tjerë të fisit. Nuk kishte privilegjime, si në sistemin feudal apo partiak. Gjaku i tyre, kishte të njëjtën vlerë më atë të bariut më të varfër dhe ato u nënshtroheshin të njëjtave gjoba. Edhe ato duhej gjenin dorëzanë, që garantonin përmirësimin e sjelljes së tyre, si çdo anëtar i thjeshtë i fisit. Ata duhej të dilnin me pushkë në dorë, si gjithë të tjerët, kur ishte nevoja dhe duhej të merrnin pjesë në punët publike, të urdhëruara nga bajraku dhe fshati, si për shembull; mirëmbajtja e rrugëve dhe kanaleve.
I vetmi privilegj; që kishin pleqtë dhe krerët, sipas hierarkisë së posteve të tyre, ishte një vend në “qoshe” të tavolinës, si vend nderi, koka e dashit dhe kafja e parë, gjithmonë; kur shtëpia nuk kishte ndonjë mik me rang më të lartë, se ai. Përsa u përket çështjeve juridike, pleqtë dhe krerët, peshonin më rëndë se anëtarët e tjerë të fisit. Nëse për shembull një kryeplak, duhej të figuronte si dëshmitar i një betimi, për të cilin duheshin njëzet e katër betarë, dëshmia e tij, vlente sa për dymbëdhjetë veta. Në kuvendet e popullit, nuk mund të merreshin vendime të rëndësishme, në lidhje me njësinë fisnore, pa praninë dhe miratimin e krerëve dhe pleqve të tij. Ata ishin gjyqtar edhe mbi bajraktarët. (47)
Ndryshe prej bajrakëve të tjerë të Mirditës, Oroshi ka patur vetëm tre pleq të mëdhenj bajraku: shpitë e Gegë Dodës i Marpepaj, plak i parë; e Bushit i Markolaj, plak i dytë dhe e Kolës Gjatë, i Dedaj, plak i tretë. Shpia e Bushit dhe e Kolës së Gjatë, përfaqësonin fiset e “tetëdhjetë shtëpive” dhe shtëpia e Dodë Gegës, përfaqësuese e “pesëdhjetë shtëpive”.
Fiset e Oroshit, formuan në fund të shekullit XVII-të bajrakun me të njëjtin emër, që është bajrak i parë në Mirditë dhe prandaj, kishte përparësinë në zbatimin dhe interpretimin e Kanunit të Lekës. Në çdo rast, që bajrakët e tjerë kishin ndonjë mosmarrëveshje në mes njëri-tjetrit, për çështje kufijsh apo çështje tjera të rëndësishme, merrnin si plak për të gjykuar e zgjidhur çështjet, një të oroshas. Ka mbet edhe sot shprehja popullore; “Me grosh se me grosh, merre plakun në Orosh”. Plaku në Orosh, merrej kur pleqet e vendit, nuk binin dakord dhe çështja mbetej pa u zgjidhur prej tyre. Kur ndonjëri nga bajrakët e tjerë, nuk i dukej i drejtë vendimi i dhënë nga pleqtë e vendit, ose ishte i dyshimtë për këtë, ai shkonte në Orosh, për të pyetur ose për t’u sqaruar, me që oroshasit i kanë konsideruar si më të zgjuar dhe më kompetent, ndër bajrakët e Mirditës. Këta kudo kanë zënë kryet e vendit. (48)
Ky superioritet, i ka mbet Oroshit si vëlla i pare, ndër tre bajrakët e parë të Mirditës. At Zef Valentini, shkruan se; “malësorët e Oroshit, ndihen më të shquar se ata të bajrakëve të tjerë; veshjet e tyre janë më të pastra, në marrëdhënie me të tjerët, janë më hijerëndë dhe duken që në fytyrë, nga mirësjellja dhe sinqeriteti”. (49)
Kjo sjellje është formuar në kushtet kur vetë e Drejta Zakonore, i ka rezervuar një trajtim të veçantë. Në dasma dhe fatkeqësi, në pritje dhe kuvende, oroshasi zinte kryet e vendit. Gjithashtu oroshasit, kishin më shumë mundësi të merrnin pjesë në kuvende të rëndësishme dhe në detyra pleqnie. Nëpërmjet Kapidanit, ata kryesonin zabitnamen, për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave. (50)
Natyrisht që ajo pozitë duhet të justifikohej me aftësi, prandaj çdo oroshas, përpiqej sa mundte të mësonte të drejtonte dhe t’i jepte rrugë muhabetit.
Duke qenë bajraku i pare, i një krahine me emër të madh, Oroshi, respektohej nga të gjitha malet e Gegërisë. Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, në variantin e Mirditës “u tubuen malet e Dukagjinit, prej Lezhe në Prizren, kryet e vendit në ndeje e prije, e ka Oroshi me Gjomark. Bajraku i Oroshit, ka vendin e parë në bajrakët e Dukagjinit. Ndërsa në malet e Veriut: Dukagjin dhe Malësi, prijen e ka Hoti i Shkodrës, dhe Oroshi vjen menjëherë pas tij.(51)
MARKOLAJT E OROSHIT
Markolajt e Oroshit, janë një fis shumë i përmendur, sepse prej një dege të tyre, u formuan Gjonmarkajt e Mirditës. At Zef Valentini, i cilëson Markolajt, si vëllazëri të njohur proverbialisht për përdorimin e shpatës. (52)
Në lidhje me këtë fis, Dom Nikollë Kimza, shkruan: “Ma i pari ndër fiset e Oroshit, asht fisi Markolaj, e t’ktij fisi, janë Gjomarkajt dhe Bajraktari me shpia t’veta”. (53) Gojëdhënat përcjellin kujtesën se; “krijimi i Oroshit, ka xanë fillë me fiset: Markolaj, Dedaj, Dodaj në Kodër Kolike, ku janë gërmadhat e katundit të vjetër, ku thuhet se këtu kanë zatetë së pari mirditasit”. (54)
“Fiset e barqet e tyre kanë ardhur tue u krijue e zhvillue mbas kohet dhe shpërndamjes tyne, në luginën e Grykës Oroshit dhe deri në kufi me Kryezez të Malcisë Lezhës, në Livadhe, për të gjetë tokë të punueshme”. (55)
“Markolajt, përfshijnë edhe Bushin e Lulin, që konsiderohen anas. Jo të gjithë Markolajt, kanë lidhje gjaku në mes tyre”. Vëllazëritë Luli e Bushi, që mendohen si më të vjetrit në Orosh, janë të mbështet me Markolaj, sidoqoftë Markolajt, duhet të kenë ardhur herët, sepse u takoi të hynë në marrëveshje me fiset e vjetra, të gjetura në vend, duke u bërë vëllezër trojesh me ta.
Në Mirditë, vjetërsia është tregues domethënës i fisnikërisë. Kanuni i Lekë Dukagjinit, e përcakton qartë pozitën e të ardhurit më përpara në një vend: “Shpija e vjetër, asht shpija e kahershme në katund e Dhé. Asht shpi themeli, ama e zarmit të vet. Shpija e vjetër, asht e vogël jase e madhe, ka nderet si shpi themeli, prej shpive të zarmit të vet”. (56)
Sali Vuçiterni, në bazë të një dokumenti, për të cilin nuk na e thotë burimin, shkruan se; “shtëpia Markolaj (Marpalaj), stërgjyshër të Bibë Dodës, bashkë me të tjerë, ka ardhur nga Pashtriku i Gjakovës më 1633 dhe është vendosur në Mirditën e sotme”.(57)
Pleq të fillimit të shekullit të kaluar, tregonin me bindje se paraardhësit e familjes së Prengë Bibë Dodës së Oroshit, kanë patur pronat e tyre në Pashtrik e në Rrafsh të Hasit, të trashëguara që kur kanë ardhur prej andej dhe merrnin qira për kullosë në mal të Pashtrikut e, në tokat e tyre në Has të Rrashfit, qira që me kohë ishte ndërprerë. (58)
Zef Mark Harapi, që i ka mbledhur gojëdhënat në vend, rreth vitit 1930, kur shërbente si drejtor i Konviktit të Oroshit, i nxjerr Gjomarkajt, me prejardhje si të gjithë oroshasit e tjerë. “Në vitin 1931, më ka pasë tregue Çup Kolë Skana, i fisit të Skanës nga Oroshi, se në Pashtrik, ashtë një fis që quhet Marosh, me besim mysliman dhe nji prej fisit, i quajtun Sherif Maroshi, pasanik shumë i madh për në atë krahinë, ka ardhë në vitin 1921 n’Orosh, te shtëpia e Gjomarkajve, për me ndejë disa ditë për qejf, si kushërinj e fis që mbaheshin. Prejardhja e emnit Orosh, pra, thuhet se vjen nga emni Marosh, megjithëse nji gojëdhanë tjetër, thotë se emni Orosh, vjen prej Varosh i Gjakovës. Thanjet e plakut të mendshëm, Çup Kolë Skanës, mendoj se duhen marrë ma shumë për bazë. Po kështu, ka thanë edhe Prengë Kola, i vllai të famshmit komit në Kosovë, Zefit të Vogël, me origjinë prej Fani i Mirditës, por me banim të përhershëm në Gjakovë. (59)
Ka studiues që e lidhin emrin e fshatit Orosh, me emrin e fisit Marosh. (60)
Por, pavarësisht se nga i njëjti fis, për shkak të identitetit të spikatur, Gjomarkajt, e ndajnë veten nga Markolajt, ose të paktën, e trajtojnë atë prejardhje të përbashkët, si diçka që nuk ka shumë rëndësi për ta, pasi lavdinë e Derës së vet, e fituan kur u njohën si Dera e Gjonmarkut. Këtë e shpreh më së miri, Ndue Gjonmarkaj, djali i Gjon Marka Gjonit, kur i përgjigjet Mustafa Krujës, në lidhje me Markolajt e Oroshit. Në përgjigje ndaj pyetjeve të intelektualit erudite, Kruja, për Markolajt, Ndoi shfaq pak dije dhe pak interes për Markolajt, pasi atij i intereson dhe i mjafton, qënia si Gjomark. Përgjigjen ndaj Mustafait, Ndoi e fillon me pyetje, çka do të thotë se as ai, një njeri i shkolluar dhe me interesa për të njohur vjetërsinë e Derës së tij, nuk ka dije, ose nuk i intereson përfshirja e Gjinmarkajve, në Markolaj. Ndoi i shkruan Mustafait: “Emni i fisit Markolaj nga rrjedh, mbasi dhe na Gjonmarkajt jemi të atij fisi, por si shpi jemi Gjomarkaj.
A thue, nuk asht e mundun, me rrjedhë emni Markolaj, prej Marka Kolë Palit, t’et të Gjon Marka Kolë Palit? Në se jo, prej këtij, prej kah mund të rrjedhi”? (61)
Ndërsa Mustafa Kruja, para se t’i kthente përgjigje i kërkon edhe disa sqarime: “Për me dhanë nji gjykim, pak a shumë afër të vërtetës mbi ta, në lidhje dhe me familjen t’uej, duhet pikë së pari, të më përgjigjesh ti: “Ç’besojnë Markolajt për vete? Çfarë beson populli i Oroshit, për ata? E ju Gjomarkajt? A janë fis i madh”? (62)
Pasi merr ato sqarime, Mustafa Kruja i dërgon përgjigjen Ndoit: “Markolajt, nuk vijnë nga Gjon Marka Kolë Pali, por ata që quhen sot Markolaj dhe Gjomarkajt, janë të një fisi. Historia e madhe e Gjonmarkajve, fillon me Gjon Marka Kolë Palin dhe Mark Kola, që ka dhënë krejt fisin, nuk ka qenë person i njohur”. (63)
Mesa duket, Mustafa Kruja, nuk e kishte fjalën për babain e Gjon Markut, qefalinë e njohur të Oroshit, Marka Kolë Palin, që në krye të mirditasve, pranoi të shkonte në luftë për llogari të turqve, por për një Marka Kolë, paraardhës të tij, që mendohet si i parë i fisit. Mosha e një fisi në një vendbanim të caktuar, ka luajtur rol në përcaktimin e pozicionit shoqëror të atij fisi dhe të gjithë bashkësitë e familjeve që formojnë çdo fis, janë njësoj vllazën dhe nuk mund të konsiderohen në thelb të ndryshëm në rang, por vetëm në moshë dhe efikasitet. Disa familje, zotërojnë një ndikim më të madh, se të tjerat. Këto familje, fitojnë rolin e prijes, d.m.th. të përparësisë, apo në shkallën më të lartë, të udhëheqjes…! (64)
Brenda Markolajve, plak fisi, është shpia e Bushit, për arsyen e vjetërsisë së saj, si anas. Pavarësisht se Markolajt, si fis, gëzojnë në Orosh të njëjtin pozicion shoqëror, Gjomarkajt, fituan një pozicion të veçantë, në mes vëllazërive të tjera të fisit, sepse ishte Marka Kolë Pali dhe sidomos i biri, Gjon Marku, që u ngrit shumë në rangun shoqëror dhe natyrisht atë rang, e përfituan vetëm pasardhësit e tij.
Fisi i Markolajve, ka zjarmet: Gjomarkajt, Bushi, Bajraktari, Topalli, Luli, Curri, Marëpërndrecajt, të Gjokë Llesh Dodës. Nga ky fis, veçohen tri zjarme: Gjomarkajt, të parët e krejt Mirditës, Bushi, i pari i fisit, që bën pjesë në 25 krerët e Mirditës dhe shpia e Bajraktarit, që gjithashtu bën pjesë në 25 krerët. Nga kjo rezulton se; Markolajt, janë fisi më i përfaqësuar në Mirditë, me dy krerë e Gjomarkun, kur të gjithë fiset e tjera të Mirditës, kishin së bashku 22 krerë. Duhet përmendur se; edhe Luli, shpi anase, e gjetur në Orosh, e mbështetur me Markolaj, ka emër për shkak të vjetërsisë. Bushi dhe Luli, u dha Markolajve tagrin e vjetërsisë, që në bazë të së Drejtës Zakonore, u krijoi mundësi Markolajve, të fitonin të drejtën e prijes. Në vitin 1637, si Qefali i Oroshit, përmendet Marka Kolë Gjoka, (65) i Markolaj, babai i Gjon Markut të famshëm, i cili mendohet se mori së pari titullin “Kapidan”. Ai si Kapidan, fillimisht kryente vetëm funksionet e komandantit ushtarak, për forcat e Mirditës dhe ishte Krye vetëm për Oroshin, por, pastaj mori dhe të drejtat e kreut, për tre bajrakët e fisit. Në ato kushte, si plak fisi, u bë familja e Bushit. Markolajt, përmes Bushit, kanë plakun e dytë, sepse plakun e pare, e kanë Marpepajt, përmes shtëpisë së Gegë Dodës.
Pretendimi që kishin për Kreun e Oroshit dhe rivalitetin me Gjomarkajt, Marpepajt, e mbështesin në të drejtën e të parit, pasi sipas tyre; “janë ata ndër të ardhurit, më të vjetër në Orosh”. Në fakt, si protagonist të zhvillimeve në Orosh dhe në të gjithë Mirditën, kanë qenë Gjomarkajt e fisit Markolaj dhe Gegëdodajt, e fisit Marpepaj, si përfaqësuese të dy tarafeve të ndryshme: gjashtë fiseve të “tetëdhjetë shpive” dhe po aq fiseve të tjera, të “pesëdhjetë shtëpive”. Edhe përfaqësimi në Kuvendin e Krerëve të Oroshit, ka patur karakterin e fraksioneve, ku të dy grupimet, përplaseshin me njëri-tjetrin për të zgjidhur problemet, prandaj gjithmonë, duhet të arrinin ndonjë marrëveshje, që shoqërohej më lëshime të ndërsjellta. Organizimi i vonë fisnor në Orosh, tregon se Markolajt, ua lanë Marpepajve funksionin e Kryeplakut (Vojvodës së Oroshit) dhe të drejtën e vendit të parë, anës së oxhakut, brenda Oroshit. Të vjetrit thonë se; ”në Orosh, në bajrakun e vet, shpia e Gjomarkut; zinte më herët, gjithmonë vendin e dytë…”! (66)
Natyrisht, fjalën “më herët”, autori ka parasysh një kohë të shkuar, me siguri të para njëqind vjetëve. Në vitet 1735-1737, Marka Kolë Gjoka, ishte Qefali i Oroshit dhe me siguri ai vetë dhe fisi i tij, në atë kohë, zinte kryet e vendit, pasi nuk kishte në atë kohë një funksion më të lartë se Kreu (Qefalia). Sipas gojëdhënave, Markolajt kanë gjetur në Orosh Bushin dhe Lulin, që nuk u dihet prejardhje tjetër, ndërsa Marpepajt, kanë gjetur Skanën, që thuhet se erdhi nga Kruja. Mbështetur në zakon, Markolajt me Bushin dhe Lulin në përbërje të vet, fituan të drejtën e fisit më të vjetër, për faktin se Bushi e Luli, që u njohën si Markolaj, u konsideruan më të vjetër se Skana, që e gjeti Marpepa, pasi Skanës, i dihet prejardhje më e hershme dhe dihet se nuk ishte vendës. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- Walther Peinsipp, Populli i shqipeve të malit,… f. 64-65
- Kolë Shtjefni, Mirdita etnike,…f. 61
- At Giuseppe (Zef) Valentini, Ligji i maleve shqiptare, “Plejad”, Tiranë 2007, f. 238
- Xhemal Meçi, Kanuni i Lekë Dukagjinit në variantin e Mirditës,… f. 25
- Xhemal Meçi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, variant i Mirditës,… f. 101-102
- Luigj Martini, Bibë Doda,… f. 39
- Dom Nikollë KImza, Hetime mbi vjetërsinë e Derës së Gjonmarkajve të Mirditës, f. 347-349
- Zef Marka Harapi, Mirdita në histori dhe gojdhana deri n’vjetë 1929, Hylli i Dritës, Nr.1 viti 1931, f. 41
- Kolë Shtjefni, Mirdita etnike… f. 59-63
- Xhemal Meçi, Kanuni i Lekë Dukagjinit në variantin e Mirditës,… f. 38
- Mark Tirta, Lëvizje migruese të shqiptarëve, f. 183
- Zef Marka Harapi, Mirdita në histori dhe gojdhana deri n’vjetë 1929, Hylli i Dritës, Nr.1, viti 1931, f. 41
- Zef Marka Harapi, Mirdita në histori dhe gojdhana deri n’vjetë 1929, Hylli i Dritës, Nr.1, viti 1931, f. 41
- Zef Marka Harapi, Mirdita në histori dhe gojdhana deri n’vjetë 1929, Hylli i Dritës, Nr.1,viti 1931, f. 41
- Mustafa Merlika-Kruja, Kuvend letrash me miqtë, Omsca-1, Tiranë 2014, f. 85
- Mustafa Merlika-Kruja, Kuvend letrash… f.110
- Mustafa Merlika-Kruja, Kuvend letrash… f.117
- At Giuseppe (Zef Valentini), E drejta e komuniteteve në traditën juridike shqipatre, botimet “Plejad”, Tiranë 2007, f.16
- Nikollë Loka, Prengë Bibë Doda i Mirditës, dritëhijet e një burrështetasi, Geer, Tiranë 2010, f. 23.
- Pal Doçi, Vetëqeverisja e Mirditës, Tiranë 1996
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016