Nga Uran Kalakulla
Pjesa e njëzeteshtatë
Nazizmi dhe komunizmi
Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.
Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KQB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.
O normën, o shpirtin!
Këtë parullë nuk e kam shpikur unë, por e gjeta në kamp-burgjet ku më degdisi fati im i keq; duke derdhur atje djersën, gjakun, duke pësuar stërmundimet dhe vuajtjet, torturat dhe fyerjet, dënimet dhe poshtërimet, si dhe një shfrytëzim çnjerëzor deri në palcë. Dhe, sigurisht, si unë dhe bashkëvuajtësi e tjerë të kohës së burgimit tim, vite e vite me radhë, për aq kohë sa sundoi me një egërsi shtazore, kriminale, regjimi komunist në vendin tonë fatkeq.
Sot janë të publikuara në libra e me dokumente arkivore materialet që argumentojnë gjithçka që kemi kaluar në burgjet e kamp-burgjet, në vendet e internimeve apo në qelitë e torturave të Degëve të Punëve të Brendshme të shtetit komunist, madje edhe në spitalet psikiatrike.
Nuk do të përsëris ato që kanë shkruar e botuar të tjerët para meje në libra e artikuj, megjithëse janë pak, shumë pak për të rrëfyer atë gjëmë që pësuan shqiptarët, nga kolera gjysmëshekullore komuniste. Por, nuk mund të rri pa treguar e pa përshkruar për aq sa mundem, ato që kam parë me sytë e mi dhe sidomos ato që kam hequr unë vetë, gjatë atyre vuajtjeve mizore. E kamp-burgu i Rubikut, ishte një nga këto vende torture.
Kamp-burgu i Rubikut kishte mbi 400-500 të dënuar, të ndarë në disa brigada. Brigadierë ishin zakonisht të dënuarit e poshtër, që kishin rënë pre te Sigurimi dhe ishin bërë spiunë. Kështu, për këtë farë “merite”, u kishin dhënë postin “e lartë” të brigadierit. Ndodhte fort rrallë që brigadieri të ishte një njeri i ndershëm e serioz. Se, siç dihet, çdo rregull ka përjashtimet e veta, qofshin këto edhe të rralla.
Meqenëse puna jonë ishte ndërtimi, gjithkush mund të mendojë se kjo lloj pune është disi më e lehtë se puna e bonifikimit dhe e minierës. Po, padyshim që kështu është. Por në dorë të komunistëve, sidomos në burg, asnjë lloj pune nuk ishte e lehtë, edhe sikur vetëm të fshije me fshesë shqope bulevardet. Megjithatë, mund të them se edhe ndërtimi, sidomos i një vepre industriale, ka plot telashe e mundime ferri, jo vetëm në acarin e dimrit, por edhe në zhegun përvëlues të pikut të verës.
Dihet që në ndërtim puna e parë janë gërmimet. Dhe, në burg, këto bëheshin vetëm me krahë, me kazmë e me lopatë. Sepse ne të burgosurit politikë, kushtonim shumë-shumë më pak se një ekskavator, buldozer e, nuk di ç’lloj makine tjetër. Djersa rridhte çurkë, se në gërmim norma ishte 12 m. dhe për njeri, kanal qoftë apo gropë e madhe bazamenti. Po të mos e bëje këtë, të merrte dreqi, pasi mbi kokë kishe parullën sadiste: “O normën, o shpirtin”!
Gropat e bazamenteve dhe të plintave, do të plotësoheshin me rrjetin e hekurave, ashtu si kolonat vertikale apo trarët e kapriatat (armaturat) prej dërrase. Edhe ato i nënshtroheshin po asaj parulle, ashtu si dhe muret prej tulle, përgatitja e betonit, çdo lloj transporti materialesh, sheshimi e shtrimi me kalldrëm i rrugëve, etj. Deri shkulja e gozhdëve dhe drejtimi i tyre, për t’i futur përsëri në punë, kishte mbi krye po atë parullë. Nuk ka pasur punë a proces pune në kamp-burgjet e Shqipërisë, që të mos kishte mbi krye parullën e mësipërme kobzezë.
Me përjashtim të gjysmorëshit të ngrënies së mëngjesit në punë, nuk kishe të drejtë pushimi asnjë minutë tjetër, gjatë gjithë orarit të punës, që formalisht ishte tetorëshi, por shkonte shpesh 10 e 12 orë në ditë.
Dhe po qe se kapteri i punës (një në çdo brigadë), të shihte se po përpiqeshe të merrje pak frymë, të kapte, të lidhte pas ndonjë shtylle me duar prapa, në acar të dimrit apo në pikun e vapës përvëluese të diellit të korrikut e, të rraste në birucë, për një muaj të tërë. Por prapë edhe kjo sikur nuk mjaftonte. Në birucë të lidhte e të hynte me shkelma, sidomos kur mundoheshe të justifikoheshe në një farë mënyre.
Atëherë mbi ty mblidheshin një tufë kapterësh dhe fut e bjerë gjersa të lodheshin. Megjithatë, të fusnin që të fusnin një muaj në birucë, ndërkohë që ti ishe i dërrmuar e i gjakosur. Kështu. puna në kamp-burgun komunist, nuk ishte kënaqësi, gëzim, por një torturë e vërtetë.
Oh, sa të gjymtuar, madje edhe të vrarë ka pasur nga një punë e tillë e mallkuar. Unë nuk i numëroj dot. Mjafton të them se nuk ka objekt të ndërtuar nga të burgosurit politikë, kanal qoftë ky, ndërtim apo minierë, që të mos ketë pasur viktimat e veta, që të mos ketë në themelet e veta kontributin dhe gjakun e shokëve tanë martirë, nga fillimi i pushtetit komunist e, gjer në shembjen e tij, nga Jugu në Veri.
Edhe sot, kur më qëllon të udhëtoj me makinë, ulur rehat në sediljen e autobusit “Benz” apo veturës, kur kaloj pranë atyre vendeve të punës torturuese (kanal qoftë, minierë, ndërtime banimi, stadiume, spitale, tarraca etj.), një hije trishtimi ma zymton shpirtin, tek mendoj se sa djersë e gjak nga yni është derdhur në themelet e atyre vendeve; tek kujtoj shokët tanë të varrosur, diku andej rrotull, në varre të humbura; tek kujtoj ata që sot e kësaj dite lëngojnë të gjymtuar, kur ecin shpinë kërrusur nga mosha dhe sëmundjet, gjithnjë të dëshpëruar, të zhgënjyer keqas edhe nga liria e demokracia e sotme.
Ata kanë mbetur prapë të varfër, të harruar e të imagjinuar nga shoqëria, madje gati-gati të tallur e të përbuzur, pa asnjë mbështetje të drejtë dhe efikase shoqërore dhe shtetërore, shumë-shumë më poshtë se veteranët e luftës, në mes të të cilëve mund të hazdisen ende të pandëshkuar, torturuesit tanë të burgjeve e kamp-burgjeve dhunës, tmerrit dhe të vdekjes. Dhe ende sikur na tingëllon mbi thellësinë e shpirtit, jehona e thirrjes së tërbuar e kalsberos; “O normën, o shpirtin”!
Operativi
Operativët ishin kuadro të Sigurimit të Shtetit, që vepronin drejtpërsëdrejti në terren, mes njerëzve, në qytet apo në fshat, në gjithë territorin e Shqipërisë fatkeqe. E përkthyer në shqip, ky emër i huaj do të thotë (për ata që nuk e dinë), thjeshtë “veprimtar”. Por, ama, nuk ishin të tillë as në fushën ekonomike, as në atë kulturore. Ata ishin veprimtarë apo më mirë përçues të së keqes, të tragjedisë për qytetarët e çdo shtrese a, kategorie.
Ata ishin dërgues të luciferit Enver Hoxha, qenër gjahu për të zbuluar dhe për të kapur më pas viktimat që përfundonin në zgrofin njeringrënës të diktaturës, zgrof që bluante jetë njerëzish, me mish e kocka bashkë, si kuçedra e legjendave.
Operativë kishte kudo: në çdo vend pune, në çdo lagje qyteti e fshati. Kishte ndër zyra, fabrika, kantiere ndërtimi, shkolla, kolektiva artistike, spitale, brigada bujqësie, reparte ushtarake, madje edhe në vetë polici, deri në vetë organet e Punëve të Brendshme, ku spiunoheshin e kontrolloheshin policët e thjeshtë, oficerët e tyre e, mundet, edhe vetë punonjësit e Sigurimit!
Ku lloj zanati ishte si puna e atyre sondave të imëta mjekësore, të cilat arrijnë deri në indet, damarët, kapilarët e barkut të qenieve të gjalla, për depistimin e tyre. Operativi kishte për detyrë të hynte deri në shtratin martesor, për të kontrolluar mundësisht edhe mbathjet e grave e, kështu me radhë. Përgjimi apo mbledhja e përgjimeve, ja detyra themelore e operativit.
Kështu, përgjohej e spiunohej gjithçka, deri vetë Partia, deri anëtarët e Komitetit Qendror, madje, edhe ata të Byrosë Politike, me një përjashtim të vetëm, sekretarin e parë të Komitetit Qendror të Partisë, Enver Hoxhën. Sepse ishte ky ajo qenie e përbindshme me dy koka (a më shumë koka, po të doni), si kuçedrat.
Shefi suprem i partisë, në fakt shefi suprem i qeverisë, i ushtrisë, i ekonomisë, i kulturës dhe i arsimit, i gjithçkaje, ndoshta vetëm jo, i botës së të vdekurve, megjithëse edhe të vdekurit nuk i linin rehat, se ose i linin fare pa varr, si të pushkatuarit e të vdekurit në hetuesi apo burgje, ose ua ndërronte varret edhe atyre që i kishin, duke mos ua lënë të qetë as kockat që të treteshin si ka dhënë urdhër Perëndia. Sepse, me sa duket, e quante veten Perëndi, ngaqë edhe vetë Perëndinë nuk e njihte fare.
E thënë më thjeshtë, për arsyet që renditëm më lart, si krye-sundimtar i gjithçkaje, të gjallë e të vdekur, në atë tokë prej 28.000 km., që quhej “Shqipëri Socialiste”, kjo kokë supreme, kishte në dorë dy përbërësit kryesorë të këtij farë shteti të llahtarshëm: Partinë dhe Sigurimin e Shtetit, të cilët, në thelb, ishin dy anë të së njëjtës medalje.
Madje, them se do të ishte më e saktë të thoshim se edhe Partinë e komandonte Sigurimi dhe Enver Hoxha, duke mos arritur kurrë të jetë një Napoleon i vogël, ishte munduar me mish e me shpirt të bëhej një Fushe, figurë të cilën ai e kishte adhuruar gjithë jetën e tij.
Kush e njeh figurën e zymtë të Fushesë, e di që ai u tregua fort i zoti në shkallëzimin e spiunimit, ku çdo spiun kishte një tjetër pas shpine që e gjurmonte, nga kreu e deri në fund. Ja, këtë mësim zbatoi me besnikëri nxënësi i tij shqiptar, duke përvetësuar, së pari, edhe metodat e Rankoviçit, më pas, edhe ato të Berias. Por, sigurisht, pasi kishte zbatuar më parë ato të Stalinit.
Për të burgosurin politik (ashtu si dhe për të internuarin), operativi ishte armiku kryesor, të cilit mundoheshe t’i rrijë sa më larg që të ishte e mundur, ashtu si i shmanget, jo vetëm njeriu, por edhe kafsha e egër, gjarprit. Sepse operativi rrinte në shtigjet e botës shqiptare të kohës së komunizmit, tamam si gjarpërinjtë e pështirë. Domosdo, si gjithë të tjerët, mundohesha të bëja edhe unë gjatë gjithë kohës së gjatë të burgimit dhe internimit tim. Fundja, siç kisha vepruar edhe kur isha “qytetar i lirë”, para burgosjes.
Operativit, në burgje e kampe pune, i afroheshin vetëm spiunët, ndyrësirat, gjysmë-njerëzit, që, fatkeqësisht, dallonin mes nesh të mbjellë kastën për të zezën tonë. Njerëzit e ndershëm dhe seriozë, e shihnin operativin tek sillej mes nesh në ato ambiente të zymta, sa me frikë, aq edhe me neveri, me urrejtje, shpesh duke kërcëllitur dhëmbët apo, duke shtrënguar nofullat. Këtë bëja dhe unë.
Nuk i kishim aq frikë as komandantët dhe komisarët e atyre vendeve të vuajtjes, as policët, që na vinin hakut, sa kishim frikë operativët. Sepse, ishin ata, në fakt, që bënin ligjin. Kam qenë dëshmitar sa e sa herë kur, edhe një komandanti katil e të tërbuar, që nuk i dilte përpara as komisari, i dilte qetë-qetë operativi dhe, atëherë, ky komandant xhelat, e priste menjëherë yryshin e vet shtazarak prej kafshe dhe mbetej i nemitur, siç mbetet me bisht në shalë e, tërhiqet tigri dhe luani i xhunglës, para gjarprit “Kobra”, sepse, tek e fundit, tërhiqej para Sigurimit.
Operativi, në burg, në radhë të parë kishte detyrën e rekrutimit të spiunëve. Dhe kështu qe i pranishëm, ashtu siç ishte edhe jashtë burgut. Nga një anë ishte ai që rekrutonte spiunë dhe nga ana tjetër, mblidhte informata për gjithkënd që donte, për t’i skeduar ata dhe për të marrë masat e dënimit!
Ri dënimi penalisht, duke qenë ende i burgosur, rekomandimi për internim pas daljes nga burgu, dënimi me biruca herë pas here, sidomos në dimër kur thellimi e të ftohtët të priste si brisk, transferime nga kampi i punës në burg, sidomos në burgun e Burrelit, që kishte hijen e vdekjes, sa shkelje në derën e tij. Ja, pra se kush ishte operativi: syri, veshi dhe kthetra e Sigurimit të Shtetit kudo.
Të përpiqeshe t’i shmangeshe operativit, ishte e pamundur. Të mos takoheshe me të, ishte një fat. Sidomos për ata që ishin kryesisht nën vëzhgim apo, paraqisnin interes të veçantë për të. Të kishe rënë në burg me një akuzë tamam politike, duke patur një personalitet, kulturë dhe një të kaluar tënden dhe të kishe një farë vlere apo rëndësie në burg, ishe, pa asnjë dyshim i përzgjedhuri i operativit. Dhe, kështu, përpjekja me të ishte gati e pashmangshme. Ja, një fat të tillë të mbrapshtë pata edhe unë, si mjaft shokë të mi.
Gjatë burgimit tim të gjatë njëzetenjëvjeçare, kam qenë gjithnjë nën vëzhgimin e drejtpërdrejtë të operativëve të ndryshëm, fill sapo dola nga izolimi dhe me çuan në burgun e vjetër të Tiranës. Operativi i atij burgu quhej Qorri. Ishte një skërfyell i dobët, i verdhë në fytyrë, gjithnjë i ngrysur, tamam si emisar i vdekjes. Nuk ia dëgjova zërin kurrë, se, shyqyr Zotit, pata fatin të mos e takoj asnjëherë, megjithëse me të, veç atij burgu, më takoi të jem edhe në dy kampe pune radhazi: në Tiranë dhe në Rubik.
Ai nuk më thirri kurrë, kur qëllonte që kalonte andej pari ku ndodhesha unë. Më hidhte vetëm një shikim të ngulitur hetues e gjithmonë të vrenjtur. Dhe mua gati më shkonin mornica në shtat, sikur në ato çaste (qoftë edhe mes beharit), të kishte kaluar pranë meje thëllimi therës dimërak apo, vetë hija e vdekjes.
Operativi i dytë që ai i kampit të Rubikut, zëvendësuesi i Qorrit. Quhej Sabri Meta. Ishte nga Shëngjergji i Tiranës dhe kishte qenë saldator, komunist domosdo, kishte bërë Shkollën e Partisë dhe e kishin bërë operativ e, na e kishin sjellë aty në këmbë të Qorrit, i cili, siç thoshin, kishte dalë në lirim.
Sabriu kishte një trup mesatar: i bëshëm, me një fizik gati atleti a mundësi. Po të të kapte me dorë, ai mund të t’i thyente kockat kollaj, pa qenë nevoja të kërkonte ndihmën e policëve përreth. Ndryshe nga Qorri, i vrenjtur dhe verdhaman, ai ishte gjithë shëndet dhe nuk dukej i vrenjtur: Madje, e kisha parë mjaft here, duke u zgërdhirë.
Të folurit e tij ishte ai i rrethit të Tiranës, që unë, si ish-mësues, e njihja për bukuri, ashtu siç njihja dhe psikologjinë e fshatarëve e malësorëve të asaj ane. Ndryshe nga Qorri, që hynte rrallë në burg a në kamp, Sabriun e kishe thuajse vazhdimisht nëpër këmbë, si një grenzë e bezdisshme, në objektet e punës apo në kapanonet e fjetjes, duke u sjellë vërdallë kudo e, duke nuhatur si qen policie, çdo skutë e çdo vrimë.
Një ditë, qëllova në “sallën e kulturës” të kamp-burgut të Rubikut, ku na kishin çuar për të ndërtuar Uzinën e Rafinimit të Bakrit. Pothuaj në çdo kamp-burg të asaj kohe, veç birucave, ministria kishte urdhëruar të sajoheshin edhe “biblioteka” apo “dhoma kulture”, ku të dënuarit, në kohën e lire, pas orarit të punës, mund të shkonin të lexonin libra të partisë ose, të letërsisë së realizmit socialist, që të “riedukoheshin”. Demagogjia dhe hipokrizia, shkonin në një hap me dhunën fizike e shpirtërore.
Me këtë lloj “riedukimi” merrej posaçërisht komisari, i cili kishte detyrën të na mbante hera-herës konferenca, që të na i bënte të qartë “vijën e partisë”. Pra, të na edukonte që ne, nga armiq, të transformoheshim në “miq” të “partisë dhe pushtetit popullor” sigurisht duke plotësuar vitet e dënimit, të jepnim shpirtin duke punuar dhe të tregonim me fakte, se tashmë ishim penduar për “krimet dhe fajet e rënda” që kishim bërë dhe se na digjej zemra, të hynim në “gjirin e ngrohtë të nënës Parti”!
Ama, në këtë udhë “rehabilitimi”, mbi të gjitha, ia vlente të bëheshe spiun për shokët dhe (kuptohet vetiu), lake i komandës a, më saktë, i operativit. Madje, kjo punë ishte kulmi i devotshmërisë, prova e parë dhe madhore e besnikërisë mbi gjithë të tjerat.
Sepse, mund të shkoje rregullisht në “sallën e kulturës”, të lexoje të gjithë librat e Partisë, me preferencë sigurisht “veprat” e shokut Enver, mund të diskutoje pro vijës së komandantit në mbledhjet e tij, mund edhe të jepje shpirtin duke punuar, por, nëse nuk bashkëpunoje me operativin, për t’u bërë varrin shokëve të tu bashkëvuajtës, s’kishe bërë ende asgjë. Të gjitha të tjerat shumëzoheshin me zero! Pra, “riedukimi” donte të thoshte, më saktë, “spiunim”.
Për zell në këtë fushë, mundet që komisari apo operativi, mund të të emëronte punonjës, jo më në kantierin e punës fizike, punëtor i thjeshtë me kazmë dhe lopatë, por anëtar i prapavijës”, domethënë nuk dilje më në kantierin e punës, por rrije brenda kampit, ku banonim ose: rojë kapanoni, pastrues, kuzhinier, infermier, këpucar i komandës (jo i të burgosurve), marangoz a rrobaqepës (gjithnjë i komandës), berber (këtë radhë i të dënuarve), e sidomos tellall (ai që lajmëronte urdhrat e oficerit të rojës, me sa i hante zëri), e që ishte njëkohësisht edhe tellalli i operativit (këtë radhë me zë të ulët në veshin e këtij të fundit). Kështu, tellallët ishin hafijet “zyrtarë” të komandës e hiç më pak!
Një “profesion” i privilegjuar ishte ai i punës pa lodhje të “bibliotekarit” a përgjegjësit të të ashtuquajturës “sallë kulture”. Kjo “sallë kulture” në kamp-burgun Rubikut, veç rafteve me libra, kishte edhe tavolina dhe stola, ku mund të rrijë të lexojë “veprat” ose t’i shkruaje letrën familjes.(Një herë në muaj, siç e kishin “racion”, një faqe të vetme fletoreje, nga ato të shkollës fillore).
Dhe unë, pas orarit të punës, pasi kisha ngrënë copën e bukës dhe garuzhdën me languriqin që na servirej, veja shpesh në këtë “bibliotekë”, merrja ndonjë nga librat e Marksit dhe të Engelsit (jo të tjerët) dhe me to si “mburoje” përpara, merresha me shkrimet e mia.
Në një nga këto ditë, bashkë me mua, qëlloi në tavolinën tjetër edhe një i burgosur nga Durrësi, trup-bëshëm, i ardhur në atë kamp-burg nga burgu i Burrelit. Ai kishte vënë para syve një nga vëllimet e trasha të Maos (i sapo përkthyer në shqip) dhe ishte thelluar fort në to. Kurse unë kisha “Antiduringun” e Engelsit. Por, ndërsa ai lexonte, unë shkruaja diçka timen. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm