Nga Ahmet Bushati
Pjesa e tretë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhëtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Në luftë edhe ne të vegjlit!
Gjatë viteve 1942-‘43 Lufta Nacionalçlirimtare kishte tërheqë rreth vetes shumicën e studentëve të liceut. Brenda kësaj periudhe të mbushun me ngjarje të shumta lufte, po u rritshim edhe ne, e si të thuash, po u bajshim përditë e ma tepër pjesë e nji lufte të madhe, thërmue në mija e mija pika të pambarim graviteti anë e kand vendit. Të mbushej mendja se të gjithë njerëzit ishin të prekun prej etheve të luftës. Me kalimin e kohës, edhe reagimi jonë po u bante gjithnji e ma i vetëdijshëm, aktiv e konkret.
Kështu ne, në mënyrë të organizueme, do të fillojshim me u mbledhë msheftas ndër shtëpia shokësh, e si mbas rastit, edhe ndër livadhe deri buzë liqenit. Në emën të luftës, do të shkruejshim parulla me zhargonin e kohës, ndër vende të dukshme të qytetit e, do të shpërndajshim natën trakte nën dyer të shtëpijave. T’u caktojshe me detyrën e vëzhguesit rreth nji shtëpie, ku u zhvillonte nji mbledhje ilegalësh, ose me këtë rol të shoqnojshe deri tek agjensia S.A.T.A., korrierin e qarkorit të Shkodrës, Haki Llazanin, sa herë që ai t’u niste për Prizren ose Durrës, ose dhe të çojshe nji pusull madje edhe të parëndësishme nga nji bazë në tjetrën, do t’u dukte se ke krye nji punë të vlefshme, që të mbushte me gëzim e krenari.
Do t’u ndiejsha shumë krenar kur nji ditë të më vinte në shtëpi udhëheqësi i grupit ku unë bajsha pjesë, Jonuz Tuli, që tue më dorzue nji zymbyl – kanistër – plot me trakte në italisht, do të më thonte: “Për besimin që kemi tek ti, asht mendue që të shpërndajsh trakte nëpër ushtrinë italiane, tue fillue qysh prej kazermës së parë me ushtarë italianë, pak mbas fushës së sportit, e deri në të fundit, diku afër Urs së Mesit. Janë trakte me randësi të veçantë, sepse u bajnë thirrje ushtarëve italianë, që të dezertojnë prej nji ushtrije në shërbim të fashizmit e, të bashkohen ndër male me çetat tona të lirisë”.
Dhe unë atë mbasdreke vere, për nderin tim ma të madh, e kreva atë detyrë, simbas porosisë që më qe dhanë. Do të kryejshim, simbas rastit, edhe shërbime të tjera, po demostratat do të shënojshin për mue momente tepër prekës, për parullat anti-italiane me tingllim të fortë patriotic, që me atë rast u hidhshin me guxim prej demostruesve të zjarrtë, si edhe për kangët patriotike që u këndojshin me patos të veçantë, që së bashku, do të bajshin që ne të përjetojshim nji gjendje të papërsëritishme, ekzaltimi patriotik.
Sidomos dy nder disa demostrata që u patën zhvillue në Shkodër, mue do të më lejshin mbresa të pashlyeshme për të gjithë jetën: ajo e 22 shkurtit e vitit 1942, e zhvillueme me rastin e nji përvjetori të “Marcia su Roma” fashiste, kur në përleshje e sipër, qe vra në sy të të gjithëve, komunisti Vaso Kadia, – mbasi që edhe ai nga ana e tij, plagosi për vdekje nji oficer të karabinierisë italiane – i cili do të vdiste pak orë mbrapa në spital.
Po ndoshta përshtypje ma të madhe në atë demostratë, do të më bante guximi i studentes Vehbije Barbullushi, e cila, e vendosun siç ishte në ballë të demostratës, pamvarësisht pushkëve që krisshin përpjetë prej karabinierive italianë, për të frikesue demostruesit e, pamvarësisht nëse ata i bijshin asaj pa pushim dhe e tërhiqshin zvarrë për flokësh, ajo s’do t’a lëshonte e s’do ta lëshonte asnjiherë prej duarsh, flamurin kombëtar të demostratës.
Demostratë tjetër për t’u shënue ka qenë ajo e zhvillueme me 26 korrik 1943, pa dyshim ma e madhja e të gjitha të tjerave, në të cilën do të merrshin pjesë bashkarisht të gjitha partitë e kohës, e kjo, për nji klimë afrimi që ishte krijue ndër ato ditë të vigjiljes së Mukjes. Sinjalin e fillimit të demostratës me “Eja mblidhuni këtu, këtu!” që tue pasë nisë prej Bashkie, do t’a jepte Ramadan Kazazi i Ballit Kombëtar.
Mbas disa dhjetra metrash që do të bante ajo demostratë tepër impozante, si për numin e madh të pjesmarrësve të saj të zjarrtë, ashtu edhe të kangëve patriotike, me ushtimën e fuëishme të të cilave do të të dukej sikur ishte mbushe krejt qielli përsipër, ai ortek tejet i madh njerëzish të ekzaltuem nga thirrjet për liri, do të befasohej, por nuk do të ndalonte, kur papritmas t’i shfaqej në distancë nji rresht i gjatë kavalerie italiane, që ecte drejt saj me kërcnimin e nji kundërshtareje ushtarake të zemrueme, si asnjëherë ma parë.
Mbasi ata ushtarë të hypun mbi kuaj të naltë të futshnin në rrethin e tyne edhe rreshtat e fundit demonstrueseve, me qëllim shpënrdarjet të tyne, do të qitshin disa pushkë përpjetë, po nganjëherë edhe poshtë, me ç’rast qe folë se u plagosën katër vetë, ndër ta edhe Adem Kombi, Vehbi Ramadani, e se po me atë rast, u vra Mustafa Dervishi, sekretari i Rinisë së ‘Ballit Kombëtar’ për Shkodrën, e nji prej të rinjve intelektualë ndër ma të shquemit e qytetit tonë, i cili vetëm nji vit ma parë, ishte diplomue shkëlqyeshëm në Itali për arkitekturë.
Ndonji takim me partizanët, i realizuem diku jashtë qytetit, do të shënonte gjithashtu nji ndër ato raste interesante të kohës së luftës, e kjo për roben ushtarake që ata kishin veshë, për nga nji pushkë të gjatë që mbajshin pranë vetes, ose edhe për ndonji bombë që mund të kishin të varun në brez, e mbi të gjitha, për shumë entuziaste që u tregojshin për misionin që kishin marrë përsipër, tue pasë ba që unë, e të gjithë të tjerët si unë, të besojshim se ishin vetëm ata që në vetvete, mbartshin misterin e mrekullueshëm të luftëtarëve të lirisë.
Kur në moshë je i ri e, vendin e ke të pushtuem, aq shumë të rëmben romantika e luftës për liri, sa bukuritë e shpirtit tand të naltsuem shumë prej saj, do t’ia mveshish çdo gjaje përrreth, edhe natyrës, e cila do të të duket sikur edhe ajo asht përfshi në luftë. Kështu malet që shikon prej së largu, nuk mund t’i shkëputish nga ideja se nëpër ta qarkullonte me armë ndër duar, luftarët e lirisë, të gatshëm për luftë e çdo sakrificë, e se ato shtëpi që prej qytetit të duken të vockla e të rallueme, pa asnji dyshim, strehë për ta.
Në ato kohë, thuajse për ditë do të hidhshim shikimin tonë me simpati të veçantë, drejt bogave të zhveshuna të katundit Domën, për arësye se në fillim të pranverës 1943, në bjeshkën mbi të, ishte zhvillue e para përpjekje e partizanëve me milicinë fashiste, me ‘rast kishte ra i riu Tom Kola, ish-student gjimnazi e konviktor i “Maleve Tona”. Po ashtu, netët nëpër qytet, sikurse edhe rrugët e tij me kthesa, do t’u dukshin sikur edhe ato të merrshin pjesë në luftë, tue mshehë e ruejtë luftëtarët nga armiqtë e rreziqet. T’u mbushte mendja pra, se gjithçka ishte kthye në pjesë përbase e luftës e, në funksion të saj, e se vetë mirazhi i Shipnisë së ardhëshme me liri, me t’u dukë nji andërr disi e papërceptueshme, e si nji gja jo shumë e mundshme për t’u kthye vërtetë në realitet, pikërisht për njatë bukuri të saj të veçantë që do të kishte.
Ishte e atillë ajo luftë marramendëse, që sa ma të mirë e të ndjeshëm që të kishin qëllue idhtart e saj, aq ma afër rrezikut do t’i çonte ajo, qoftë edhe kur kauza t’mos ishte vetëm çlirimi i vendit nga i huaji, por edhe realizimi i nji “verbi”, sado që absurd e mizor për gjithë njerëzinë, por dhe atëherë u besonte prej nji pjese të rinisë si shpëtimtar, simbas të cilit gjoja do të çlirohej përfundimisht njerëzimi, prej padrejtësive të shumta të akumulueme prej kohës në kohë!
Ndryshe, si mund të shpjegohet pjesëmarrja në shkallë të gjanë e rinisë në atë luftë dhe përkushtimi i parezervë ndaj saj, tue fillue qysh prej ma të mirëve, si Qemal Stafa me shokë, të cilët, për aq kohë sa ti zgjaste ajo luftë, si protagonist të saj që ishin, do të futshin në veprim anët ma pozitive të qenëjeve të tyne, pamvarësisht nga fakti se si ata do të qëndrojshin në kushte diktature, kur edhe siç dihet tashma, se nji pjesë e tyne, në kohën e duhun, do tö ktheheshin në viktima të saj, kurse pjesa tjetër, që natyrisht do të përbante shumicën, do të ndryshonte deri në shpërfytyrim të plotë.
Vijnë kohët me veçoritë e tyne, që disa njerëzve, për të mirë a për të keq, ua zblojnë e zhvillojnë edhe ma shumë karakteret e tyne. Kështu, duhet të kishte luftë për liri, që në skenë të dilshin edhe martirë e heronj, njashtu si mbrapa nën diktaturë, bashkë me nji ushtri të pafarë hipokritësh, servilësh e spiunjsh, të dilshin përsëri edhe martirë e heronj. Pra, ashtu si gjatë Luftës që nji entuziazëm i madh kishte pushtue rininë, deri në atë pikë sa nji pjesë e saj, të të dukej sikur kishte pushue së jetuemi për vete, njashtu do të ndodhte mbrapa edhe me ne të rinjtë idealistë, kur do të vuejshim burgje e kampe komuniste!
Nji kushri i imi, Naim Gjylbegu, pikërisht pse në jetë kishte ardhë me prirjet e nji njeriu të mirë e, rrite në gji të nji mjedisi të shquem qytetar, ai aq ma shumë do t’iu kushtonte luftës, sa edhe pa nevojë, në ndonji rast, t’iu ekspozonte rrezikut, veç si të mundte me afirmue ndaj vetes e të tjerëve, besnikrinë për kauzën, jashta së cilës për të, nuk ekzistonte asgja tjetër në atë kohë. Po ashtu, nji tjetër kushri i imi, Malo Bushati, i kthyem me mision në qytet prej grupit partizan, do të derdhte lotë, kur të ndigjonte për luftimin e Domnit, zhvillue në mungesë të tij.
Kështu pra, të rinjve të asaj kohe, mbi gjithçka po u flitshin vetëm ndjenjat, dhe se me përjashtime të pakta, sidomos deri në Mukje, askush nuk mund të besonte që ajo luftë e tyne të ishte nji gabim, e jo ma që pikërisht ata vetë t’ishin tue lujtë tragjedinë ma të kobshme për vendin e tyne. Po ashtu, tue përjashtue emisarët jugosllavë pranë “Shtabit të Përgjithëshëm” të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si dhe Enver Hoxhën e ndonji tjetër, asnji pjesmarrës i Luftës, nuk duhet të ketë besue në atë kohë që ajo luftë e tyne e drejtë e gjithë sakrifica njerëzore, të gjeneronte nji prej diktaturave ma të egra për popullin e tyne.
Tue mos u ngatërrue hë për hë me pasojat e asaj lufte dhe as me metamorfozën që do të pësojshin shumë prej pjesëmarrësve të saj, për ilustrim të sa ma sipër e, në shenj homazhi të thellë, unë do të shtoj se ajo luftë, nuk do të merrte fund edhe pa sakrificën e nji shoku e kushrini tim, me moshë vetëm dy vjet ma shumë se unë: Nuk pat qenë veç 16 vjeç, kur mbi supet e tij të brishtë, të kishte mbajtë pushkën e gjatë të partizanit e, si i tillë, të ishte ndoshta ma i riu i batalionit “Perlat Rexhepi”. Mbas nji viti, do ta kapshin në befasi veglat shiptare në shërbim të gjermanëve, e këta të fundit ta internojshin në Prishtinë, ku përsëri duhet të ketë qenë njeni ndër ma të rinjtë e atij kampi famëkeq, e pa dyshim, ma i riu mbrenda nji grupi prej tridhet vetësh, që nji ditë do t’u ndante veç, për t’u pushkatue.
Kshtu që, në nji natë të fundit të jetës së tij, në kohën kur të gjithë të tjerët po e pritshin me ankth e frikë zbardhjen e ditës, kur edhe do t’u pushkatojshin, ky nga ana e tij, për njatë bukuri të shpirtit të tij rinor e, idealit të lirisë, që e kishte frymëzue e dhanë aq guxim, sa me mall të gëdhendte fjalët e fundit, në faqen e ashpër të nji guri në mur: “Nuri Bushati, 17 vjeç, prej Shkodret”, emën, moshë e vend, me të cilët ai sikur kërkonte që t’mos u treste në harresë, fjalë që edhe sot vazhdojnë të tingëllonte, si përshëndetje e tij e largët për njerëzit e shokët që i pat lanë në jetë, përshëndetje që mue gjithnjë më ka tingllue e më tingllon, edhe si nji protestë e butë ndaj vetë fatit, sepse në fund të fundit, nji jetë me vetëm shtatëmbëdhjet vjet, ishte tepër shpejt për t’u futë në dhe, pamvarësisht cilitdo altar që atë ta priste.
Asht obligim i imi gjithashtu, që të kujtoj me këtë rast edhe profesor Mark Ndojën, i cili gjatë viteve shkollore ‘42-’43, na pat dhanë gjuhë shqipe e latine. Te ai njeri e profesor, do të më bante përshtypje kur ai, me sy të skuqun e të mbledhun nga miopia, përmes leximit e interpretimit të vargjeve nga të “Lahutës së Malcisë”, – pjesë të shumta të së cilës na i kishte dhanë që t’i mësojshim përmendësh – të kërkonte me ndezë ndër ne ato ndjesi patriotike, që në atë kohë duhet të ishin qëllim në vete i punës së tij me ne.
Kur nji herë si klasë ne patëm bojkotue për motive politike mësimin, të nesërmen ai, si profesor-kujdestar i jonë që ishte, po edhe tue iu druejte gabimeve tona të mundshme, do të na qortonte me nji ton sa këshillues, aq edhe miqsëor: “Shkollën ta ndiqni pa mungue, jemi na, ma të rritunit, që e kemi për detyrë të mendojmë edhe për tjetër gja”!
Nga ç’luftë vinte Shqipnia, atë ditë kur partizanët po hyjshin triumfalisht ndër qytete?
Tue mos qenë objekt i këtij punimi periudha e luftës dhe as vetë lufta që zhvilloi populli jonë, kundër dy pushtuesave me radhë, e shoh me vend që shkurtimisht, të vë në dukje shkaqet kryesore që atë luftë e çuan përfundimisht në fitoren e pashmangshme e totale të komunistëve, shkaqe që simbas meje, konsistojnë në: Pushtimi fashist solli koinçidencën fatale të interesave tona kombëtare, me ato të lëvizjes komuniste, nga e cila gja ajo “Lëvizje” përfitoi e, u zhvillue me shumë sukses nën ombrellën e luftës për çlirim, pra tue pasë shpalosë flamurin nacionalist të lirisë e pamvarësisë dhe jo programin e saj real, që do ta rezervonte për ma vonë, për në kohën e duhun.
Kështu komunistët, tue mos pasë ba aspak fjalë për “revolucion socialist”, për “vendosje diktature”, “shtetëzim mjetesh prodhimi” dhe as për “luftë klasash” e “luftë kundër fesë”, do të ishin të parët që me demagogji, të thyejshin çdo kufi ideologjik, krahinor e shoqnor, të lëshojshin thirrjen për bashkimin e gjithë shqiptarëve rreth luftës së tyne, thirrje së cilës rinia shqiptare, e ndezun prej pushtimit të vendit, mezi ç’do të priste që t’iu përgjigjte masivisht e me entuziasëm, e në vazhdim, të shkruente edhe faqe të nji heroizmi të rrallë, ndërkohë që shumica e nacionalistëve, me përjashtime të pakta, si ato të Abas Kupit e Muharrem Bajraktarit në Veri, apo të Safet Butkës, Hysni Lepenicës e Abas Ermenjit në Jug, që me nga nji çetë të tyne, do ta luftojshin në kohë pushtuesin.
Kurse të tjerët, në përgjithësi, për shumë miopi politike, do të vazhdojshin me u lëkundë mes dilemës; “nëse duhej luftue nji Itali, që na kishte kthye Kosovën mbas pesëdhet vjetësh shkëputjeje”, si dhe prej faktit se duhej të kalonte shumë kohë e çmueshme, derisa ata të bindeshin se fitorja e aleatëve ishte e sigurtë, në ndryshim pra edhe me nacionalistët grekë, që me luftë mundësuen ndërhymjen e aleatëve në Greqi. Veç sa ma sipër, nacionalistët shqiptarë, për nji edukatë e kulturë që kishin, e sidomos për nji formim të tyne qytetar e patriotik, nuk përqafuen në kohë luftën e ligjet e saj të ashpra edhe për motive humave, tue u pasë shprehë se; “mos po na digjen fshatrat tona të varfra”, e se “Vëllau s’duhet të vrasë vëllain”, etj., e kjo, deri edhe atëherë kur forcat komuniste po dojshin me fillue sulmin përfundimtar ndaj tyne, Enver Hoxha mandej, tue pasë edhe ndihmën e aleatëve anglo -amerikanë, – që kundërshtar të forcave të “Boshtit” – do të bajshin që ato mangësi e vakume të krijueme prej nacionalistëve, t’i shfrytëzonte në atë mënyrë, që nji ditë ai me komunistët e tij, të uleshin të vetëm rreth tryezës së fitimtarëve.
Mendoj se faktori i jashtëm nuk do të kishte qenë aq vendimtar, në përfshimjen e Shqipnisë mbrenda kornizës sovjetike, nëse nacionalistët Shqiptarë t’i kishin dalë zot vendit, me luftë e në kohë. Nga ana tjetër, po të kishin qenë bashkue mes veti e t’mos ndodhte që nji pjesë e tyne, si Abas Kupi në Krujë, Ismail Petrela në Tiranë, Mestan Ujaniku në rrethet e Beratit, Kryezezët në Veri e disa të tjerë, që kontributin patriotik t’u detyrojshin me e dhanë në kuadër të “Luftës Nacionalçlirimtare”.
N’anë tjetër Rusia dhe vetë Stalini, nuk patën tregue gjatë luftës ndonji interesim të veçantë për Shqipninë, kështu që ata nji ditë, jo domosdoshmënisht do të kambëngulshin që edhe ky vend i vogël e me popullsi josllave, t’u kthente në pjesë përbase e sferës së tyne, gja që mund të ndodhte, po qe se lufta, si rezultat i pjesëmarrjes së nacionalistëve në të, t’mos ishte mbizotnue prej forcave komuniste.
Përsa i përket Shkodrës, mund të thuhet se ajo në përgjithësi, në nji formë a në nji tjetër, e mbështeste luftën, por që ndoshta për refleks të historisë së saj disi të veçantë, si dhe botkuptimit e traditës së saj të fortë, nuk u qe dhanë asnjanës prej partive, ndonëse dyert e çdo shtëpie, përfshi deri edhe ato të funksionarëve të kohës, do të ishin vazhdimisht të hapuna për cilindo njeri, që t’u ndiqte prej pushtuesit e veglave të tij.
Po për nji veçori të saj, në kundërshtim me sa ngjiste në jug mbas Mukjes – ku vëllavrasja ishte në rend të ditës – në Shkodër, veç nji ashpërsimi të propagandës nga ana e komunistëve, ku mbizotnonte parulla e tyne bajate e agresive; “me ne, ose kundër nesh”, asgja tjetër nuk do të ndodhte, pra, nuk do t’u shënonte asnji akt vëllavrasës, me përjashtim të vrasjes në Grykë të Valbonës, të Patër Lekë Lulit, eksponent i Legalitetit, e të nji ballisti njizetepesë vjeçar nga Përmeti, nga ana e dy partizanëve të batalionit “Perlat Rexhepi”, njeni prej të cilëve me pseudonim “Harapi”, ngjarje që do të ndodhte fillë mbas nji takimi që nji grup partizanësh të atij batalioni, kishte ba në Sllatinë të Dibrës, me udhëheqjen partizane të Divizionit të I-rë, në rrugën e tij për në Veri.
Ishte ky takim e ky rast, që ata partizanë të Shkodrës, i kishte pasë frymëzue si për aktin e ma sipërm, ashtu edhe që t’i shkojshin në ndihmë nji brigade të pestë malazeze, e quejtun “proletarë”, në luftën e saj kundër forcave nacionaliste shqiptare të Plavë – Gucisë, të quejtuna prej tyne, “reaksionare”!
S’fundi nji ditë, ajo luftë e madhe do të mbaronte tue u pasë kthye liri e paqe gjithë vendeve të Europës që kishin qenë pushtue prej forcave të “Boshtit”, gja që për fat të keq nuk do të ndodhte me popujt në lindje të saj, që me atë rast do të bijshin nën sundimin e regjimeve totalitare komuniste, mes të cilëve edhe Shqipnia, me të cilën fati do t’u tregonte edhe ma i ashpër se me gjithë të tjerët, ndoshta edhe për faktin ma banal, se në krye të saj do t’u vendoste prej jugosllavëve e në shërbim të tyne, nji njeri mediokër, por edhe shumë ambicioz e përvers, me emnin Enver Hoxha, që për katër dekada me radhë, do të mbante nji popull nën kambë e të braktisun nga bota, tue i pasë kërkue që “dhunën” t’ia quente “drejtësi”, “privacionet” – “liri” e “mjerimin” ma të thellë të jetës – “lumtuni”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016