Nga Keze Kozeta Zylo
– Vëllai i tij, Dr. Jani Dilo, ish-eksponent i ‘Ballit Kombëtar’, ishte dënuar me vdekje nga regjimi komunist, ndaj Dr, Oresti, nuk u kthye në Shqipëri, për 50 vjet rresht –
Memorie.al / Për aftësitë e tij të jashtëzakonshme në mjekësi, ai u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Spitaleve Publike në New York. Pas shumë vitesh me përvojë, hapi klinikën e vet private në Alpha New Jersey, ku punoi për 30 vjet, si doktor në atë zonë. Një muzeum bamirësie, i ngritur në zemrat e njerëzve, sidomos tek pacientët amerikanë, qëndron si këmbë mali përtej Shqipërisë, buzë Adriatikut në New York dhe Nju Xhersi. Ndonëse muzeumi nuk ka godinë, por ka mijëra pacientë ciceron, që flasin nga zemra për doktorin shqiptar nga Sheperi i Zagorisë, i cili shëroi pacientët e tij, me shpirtin e bardhë si bora e Çajupit dhe profesionin e mjekut.
Ishte djalosh me ëndrra të bukura, kur u largua nga dera e madhe e Dilejve, nga Shqipëria, ku sundonte dhuna dhe arriti të ketë një sukses të jashtëzakonshëm e, të krijojë një folezë si skulpturë Mikelanxheloje, në zemër të botës në Amerikë. Mjerisht, miliona shqiptarë janë larguar nga mëmëdheu në periudha të ndryshme, si në kohën e komunizmit dhe pas viteve ’90-të, për të gjetur një jetë më të mirë jashtë kufijve, por duhet veçuar, se nën sistemin diktatorial enverist, u ndaluan me ligj të ktheheshin në atdhe, “Pëllumbat e Paqes”, e një ndër ta, ishte Dr. Oreste E. Dilo.
Lindur në vitin 1915, në Sheperin piktoresk, në vendlindjen e Çajupit, shkrimtarit te madh rilindas, i cili u magjeps duke shkruar poezitë e tij, ku me duhet te shtoj se Andon Zako Çajupi, ishte fis me Dilot. Në dasmën e babait të Dr. Dilos, gjuhëtarit dhe burrit të ndritur të kombit, Ilia Dilo Shperit, (“Nderi i Kombit”, çmim pas rënies së komunizmit), Ksenofon Dilo, nipi i tij, do të shkruajë se; Çajupi këndoi këngën për Savën, gjyshen e Dr. Dilos, motrën e Aristidh Rucit, delegatit të Tepelenës, firmëtarit të Pavarësisë, (“Nderi i Kombit”), si: “Dil moj dil, apo s’të lenë, sos je yll, sos je hënë”…!
Dr. Dilo është një nga dhjetë fëmijët e Ilia Dilo Sheperit dhe Sava Rucit. Edhe pse babai ishte nëpunës dhe i siguronte të ardhurat, nëna e tyre, kur ishin të vegjël, i merrte me vete në mal, për të mbledhur bar në Dhëmbel dhe për t’i edukuar me punë. Ata si fëmijë shijonin nga afër natyrën dhe pemët rreth e rrotull, si kumbullat e egra, që i mblidhnin dhe i hanin me bukë. Kur erdhi në Tiranë, në vitet ‘90-të, i pyeti nipërit dhe mbesat, se; a ishte akoma ajo kumbull në Dhëmbel?
Shkollimin e hershëm e mori nga vëllai i tij, Qirjakoja, i cili ishte mësues që në moshën 15 vjeçare. Ndërkohë dhe Pano Xhamballo, i rënë për atdhe (Dëshmor i Luftës Nacional-çlirimtare), i cili pati ndihmën e madhe të Prof. Ilia Dilo Sheperit, luajti një rol të çmuar në formimin intelektual të nipit të tij Dr. Orestit. Siç tregon Eduard Dilo, pinjoll i familjes së Dilejve, i cili kur erdhi në atdhe pas 50 vjetësh, u tha nipave, se me Panon, duheshin si dy vëllezër. Prof. Diloja, iu bënte mësime në gjuhë të huaja, për të përvetësuar italishten dhe frëngjishten.
Pas fillores në Sheper, vazhdoi Liceun e Gjirokastrës dhe Liceun e Korçës (vinte kudo pas babait të tij, Ilia Dilo Sheperi, atje ku transferohej ai), si në gjimnazin e Shkodrës dhe ne gjimnazin e Tiranës. Kur Ilia Dilo Sheperi doli në pension, e mori me vete i vëllai Dr. Jani Dilo. Të gjitha universitetet që mbaruan fëmijët e Ilia Dilo Sheperit, u bënë me ndihmën e njeri-tjetrit, jo me bursa nga shteti i asaj kohe.
Atdheu e kishte dënuar me burgje dhe vdekje familjen e tij Ëndërronte e ëndërronte pakufi, doktori shqiptar, “Pëllumbi i Paqes”, për t’i shërbyer kombit të tij, por vrastarët nuk e njihnin medicinën, njihnin vetëm kokrrën e plumbit, plumbin ballit, mjeranët nuk e linin të kthehej. Në gazetën “Bashkimi”, ku ishin publikuar shumë emra patriotësh të ikur dhe të dënuar me vdekje nga regjimi komunist, midis tyre, ai pa dhe emrin e vëllait të tij, Dr. Jani Dilo, një ish-eksponent i ‘Ballit Kombëtar’ dënuar me vdekje, ndaj nuk u kthye në Shqipëri, për 50 vjet rresht.
Vëllai tjetër që ngeli në Shqipëri, Margariti kishte mbaruar shkollën e Fultz-it dhe universitetin për matematikë, në Athinë, por ai vuajti dënimin si i burgosur politik, në kalanë e Gjirokastrës dhe në kënetën e Maliqit. Edhe vëllai tjetër, Koço I. Dilo, provoi burgun e Spaçit. Diskreditohet para popullit të Zagorisë, xhaxhai tjetër, doktor veterinar, Mihali, të cilin e shpallin “armik të popullit”, më vonë vritet dhe masakrohet duke i nxjerrë sytë dhe prerë kokën, tek pragu i shtëpisë nënë Kaliopit, bashkëshortes së doktor Mihalit.
Si shumë emigrantë të tjerë politikë, që nuk i hodhën një dorë dhé prindërve të tyre, edhe Dr. Oresti, pati të njëjtin fat. Ja si shkruante për nënën e tij, kur mbylli sytë përgjithmonë: “E dashura Dede, të thërrasim ashtu si na kërkove dhe nuk na gjete. I mbylle syt’ e tua të bukura, me të njëjtën buzëqeshje, që na pritje nga-hera. U largove dalëngadalë, ashtu si dielli që perëndon dhe na le në errësirë. Do të kthehemi dhe nuk do të të gjejmë o Dede e dashur, o Dedea jonë e mirë! Biri yt, Oreste”.
Kalvari i vuajtjeve si të Krishtit, për familjen e Ilia Dilo Sheperit, ja kishin copëtuar zemrën doktorit, birit dhe vëllait të tyre. Edhe pse vetë ishte në këtë profesion aq të çmuar, edhe pse po shëronte qindra pacientë amerikanë, ai nuk mundi të shëronte vëllain e tij, Margaritin, që po vdiste nga torturat e barbarëve të Sigurimit të Shetit. Nuk e linin t’i ndodhej pranë. Ja si i shkruan letër, më 15 gusht 1965 dhe i kërkon ndihmë kolegut të tij, Dr. Theodhosit, për vëllain që po lëngonte në shtratin e vdekjes:
“I dashur Dr. Theodhos, kam marrë këto ditë letrën t’uaj skjaruese dhe shumë informative. rreth gjendjes së vëllait t’im Margaritit dhe ju falënderoj nga zemra. për gjithçka që jeni duke bërë për të. Në lidhje me diagnozën t’uaj “….…” dhe nga përshkrimi i gjendjes që më bën vetë vëllai, ka mundësi që ai të vuajë nga…! Natyrisht e mira e të gjithave, do t’ishte dalja jashtë shtetit e vëllait t’im, duke e drejtuar atë në një institut të jashtëm, me të cilin Shqipëria është në relata.
Vëllai im na dha rastin e mirë, që të njihemi me anë letrash, sido që kam qenë në dijeni, se ju jeni mjeku i familjarëve të mi aty. U them sinqerisht, se çmoj shumë kujdesin dhe shërbimet t’uaja për ‘ta dhe ju jam borxhli, për jetë. Përfitoj nga rasti t’u siguroj, se jam gjithnjë në dispozicionin t’uaj, për çdo gjë që do të kishit nevojë, t’u dërgoj këtejazi, për veten ose familjen t’uaj. Me përshëndetje miqësore, Juaji, Oreste”.
Në New York, ai kishte dhe vëllain e tij, Dr. Jani Dilon, një figurë e shquar intelektuale dhe që i dha aq shumë kombit. Duke lexuar biografitë e gjithë familjes Dilo, të këtyre djemve që i dhanë dritë Shqipërisë, ndjej se si barbarët, donin t’i shfarosnin, t’i zhduknin, të shuanin dritën. Ndjej se në se do të kisha fuqi financiare, që mjerisht i kanë zhvatësit dhe kriminelët, me siguri do të ngrija një Muzeum për këtë familje, ku do ta ndaja në pavione të ndryshme, gjithë historinë e tyre plot kulturë, por dhe tepër të dhimbshme, sidomos do të ekspozoja mjetet e torturës si kanxhat e burgut, torturat.
Një pavijon do të ishte krejtësisht i veçantë, ku do të shkruaja: “Fëmijët nën moshën 18 vjeç, ndalohen të hyjnë: pasi jepen skena të dhunshme, ku nga goja e një të burgosuri, do të dali vetëm gjak, gjak, gjak, dhe mund të ndodh që, t’ju zërë sëmundja e gjakut, të humbisni ndjenjat. Fundja vetëm me këto muzeume, shqiptarët mund të kuptojnë dhe mos të lejojnë kurrë, të përsëritet historia makabre, për intelektualët më të zëshëm shqiptarë.
Muzeumin tjetër, do ta ngrija në New York, për të gjithë intelektualët e ndritur të Diasporës, që mjerisht shteti amë dhe kultura, vazhdon të mos i ketë në vëmendje. Dr. Jani Dilo, ishte një patriot i madh. Sipas intervistës që kam realizuar me Eduard Dilon, ai thotë se në shtëpinë e Dr. Jani Dilos, në Manhattan, tregojnë bashkëkohësit e tij, (si Motrat Juka, Ing. Agim Karagjozi, Prof. Sami Repishti, Dr. Nihat Bakalli, Dr. Fuat Myftia, Idriz Lamaj, Prof. Luan Gashi, Sefer Mujo Luarasi, Kadri Bajrami, etj.), kur në vitet ’80-të, filluan demonstratat në Kosovë dhe u përgjakën rrugët e Prishtinës, aty u bënë mbledhjet e para.
Gjithashtu ka mbajtur fjalimin në OKB, për Kosovën, dhe po nga foltorja e OKB-së, Dr. Jani Dilo, iu drejtua qeverisë së kuqe të Tiranës, duke thënë: “Në Shqipëri, veç burgimeve, internimeve e dënimeve, me ose pa gjyq, qeveria grabit e sekuestron dhe gjithë reliket që ruajnë familjarët, si gjë të shenjtë nga të parët e tyre”. Dr. Oresti, i përjetoi nën dhimbje të papërshkrueshme largimin nga vendi dhe ndalimin që i bënë, por njëkohësisht dhe ikjen para kohe të vëllait të vetëm, që e kishte në Amerikë. Ja letra e ngushëllimit të Dr. Orestit, drejtuar familjarëve, për Dr. Jani Dilon, një tjetër intelektual erudit:
“E dashur Ifi, Hriso, Male, Koço, Henrik dhe Edi. Kam mbetur vetëm i mjeruar dhe i pa ngushëlluar; Janaqi im, Janaqi ynë, Janaqi i të gjithëve, i dashur, i urtë, i mirë, i shenjtë, u nda prej neve. Ngado që të kthehem, nga do ku shkoj, nuk gjej pushim, nuk gjej shpëtim. Punuam gjithë jetën, bëmë sa nuk bëmë, u hodhëm nga të gjitha anët dhe kur erdhi koha të gëzonim dhe të shfrytëzonim djersën e kaq kohe, ti Janaqi im, Janaq i pa fat, u largove: le pas djalin, vëllezërit, motrat nipërit dhe mbesat.
Neve të thërrasim, neve të kërkojmë, neve bërtasim; pa Janaqin, neve nuk mund të rrojmë. Ike prej nesh, pa pritur…! Vdekje e papritur, kjo e Jotja por,… 14 Janari, dita e zisë, ditë e shkatërrimit dhe e mjerimit. Janaq të lutem, ktheu te djali, ktheu tek unë. Te thërret Oresti, që aq e dashuroje, të thërret vëllai, që për të, betoheshe”.
Oreste Dilo, Alpha, N.Y.
Respekti dhe mirënjohja për punën e tyre plot sqimë intelektuale, është shprehur dhe nga Shefki Miraku, botuar në gazetën “Dielli”, më 31 dhjetor, 1973. Ja si shkruhet aty mes të tjerash, nga autori: “Ilia Dilo Sheperi; Dy dhuratat e tija, shoqnis shqiptare”. …Unë dëshiroj të ve në dukje, dhuratën tjetër të këtij edukatori, atë që e pashë, njojta, dhe i ndejta pranë. Dy djemtë e tij, Jani dhe Oresti. Te dy ata, në bisedime, në sjellje dhe për ma tepër në vepra, lenë gjurmët e dy njerëzve të brumuem, nëpërmjet të diturive dhe civilizimit.
Vetëm një shoqni e pa zhvillueme dhe e mbrapambetme, nuk i kupton dhe nuk i di me i vleftësue këta dy djem, që janë burrënue dhe janë brumue drejt qëllimit, për me i shërbye me urtësi dhe me bujari shoqnisë shqiptare. Ata, kudo, ndër bankat e shkollave, ndër detyra, në miqësina dhe në përkrahje, i kan zgjatë duert e tyre, edhe kur i kanë pasë të shkurtueme nga rrethanat dhe të papritmet e jetës, i kanë zgjatë me zemër, drejt gjithë atyne që mbajnë emëna shqitparësh”.
Amerika humane dhe e demokracisë, e priti krahëhapur birin shqiptar Dr. Dilon
Dr. Dilo, mbaroi studimet për Medicinë në Torino të Italisë. U burgos si antifashist në burgjet e Italisë dhe diplomën e mori pasi doli nga burgu. Në vitet e universitetit, pati miqësi me Pano Xhamballon, Themo Vasin, Qemal Stafën, Asim Zenelin, Ajet Xhindollin etj.…! Kishte miqësi dhe me studentë italianë, si motrat Ravizza të cilat, i ndihmoi dhe i vizitoi kur ai kishte bërë karrierë, si në jetë dhe në boten e shkencës dhe pasuri.
Ëndërronte të kthehej në Atdhe për shërimin e malaries që ishte kudo, por dëshira ngeli vetëm ëndërr, ai erdhi vetëm pas viteve ‘90-të. S’kishte ku të kthehej, e priste skëterra, tortura dhe vdekja e zezë në vendin e tij, ndërsa Amerika, e kishte marrë në mbrojtje “Pëllumbin e Paqes”, e kishte pritur krahë hapur doktorin shqiptar.
Ai kishte bërë betimin e Hipokratit dhe e zbatoi atë deri në frymën e mbrame të jetës, siç thuhet në paragrafin e fundit të Hipokratit, se: “Nëse e respektoj këtë betim dhe nuk e dhunoj atë, le të mundem ta gëzoj jetën dhe profesionin tim, i nderuar prej të gjithëve e, në të gjitha kohërat; por nëse e thyej dhe e dhunoj këtë betim, le të jetë fati, im i ndryshëm”.
Dr. Oresti vazhdoi kualifikimet e mëtejshme për mjekësi në Amerikë dhe ia arriti qëllimit të tij të lartë intelektual, duke marrë titullin “Doktor i Shkencave Mjekësore”. Për aftësitë e tij të jashtëzakonshme në mjekësi, ai u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Spitaleve Publike në New York. Pas shumë vitesh pune me përvojë, hapi klinikën e vet private, në Alpha New Jersey, ku punoi për 30 vjet si doktor, në atë zonë.
Shumë pacientë të tij, flasin me një simpati të jashtëzakonshme, gati gati e çmojnë; “doktor me shpirt Zoti”. “Kur shikoja ndonjë pacient të varfër në klinikën time’ – i tha nipit të tij në Tiranë, Yllit, ‘e thërrisja në veçanti dhe i jepja 100 dollar, kurse vizita ishte 50”.
Në vizitën e parë dhe të fundit në Shqipëri, ai i la kujtim nipit të tij, Etjenit, një intelektual tepër i çmuar, një radio, së bashku me një orë. “Kjo është ora, që më ka zgjuar gjithë jetën, e kam fituar në një konferencë ndërkombëtare, në New York”. Ai e vizitoi vendlindjen në moshën e pleqërisë, duke sjellë valixhe të mëdha me medikamente, që i dhuroi për të sëmurët dhe disa pajisje mjekësore, në Universitetin e Tiranës.
Gjithë kohën që ndenji në Tiranë, vizitoi pa asnjë shpërblim, cilindo që iu paraqit. Vendosi lule dhe në ‘Varrezat e Dëshmorëve’, tek shokët e tij. Menjëherë dërgoi ekspertë, për të vënë në shërbim pasurinë e akumuluar në vite në mërgim, por vdekja e menjëhershme, pasi u kthye në New York, ia la të parealizuara.
Tronditja nga vuajtjet e mëdha, mos gjetja e asnjë prej vëllezërve në Shqipëri, të cilët ikën nga kjo botë, të torturuar nga regjimi diktatorial, që kishte vënë në shërbim ushtarë besnikë të etur për gjak, me siguri që ja shpejtuan pushimin e zemrës përgjithmonë doktorit, në moshën 75 vjeç. Duke lexuar dhe studiuar për birin shqiptar, Dr. Oreste E. Dilo, i cili iu shërbeu me aq zell, përkushtim dhe dashuri pacientëve amerikanë, ndjen, se ndërsa i kuroi mijëra pacientë amerikanë, u sëmur nga “pacientet” shqiptarë, skllav të sistemit të egër diktatorial. Memorie.al