Nga Hysen Selmani
Pjesa e tetë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Mbreti qeshi dhe më tha: “A na thuaj të na sjellin kafe, ora është 1 pas mesnate. Dola dhe porosita kafe, ndërsa në këtë kohë, erdhi dhe kryeministri. Unë ika pak lart të shikoj Mbretëreshën, ku aty ishin të gjithë doktorët dhe princeshat. Pyeta për Mbretëreshën, e më thanë që përpiqet shumë. Është mjaft sëmurë, e pyeta doktor Mokinin?! Ai më tha se jo, nuk është sëmurë, por natyrisht ka dhimbje, se po i vjen fëmija. Kjo është e asgjë tjetër, por i kemi dhënë medikamente e nuk ndjen gjë.
A është shpejt i thashë?! Po më tha, nuk kalon as 10 orë dhe siç duket, ishalla është një djalë. Ashtu duket, më tha duke qeshur doktori. Zbrita poshtë dhe kur hyra brenda, Mbreti më pyeti: “Po ku ishe, merre kafen”. Më dha dorën Kryeministri Kota dhe duke qeshur, ju përgjigja Mbretit se këtu isha.
Aty filluan bisedimet, e unë kisha dëshirë që Mbreti, të bjerë e të flejë pak. Kjo sepse, ai kishte dy javë që natë e ditë, ishte pa ngrënë, e pa gjumë. Ishte aq i lodhur, se e gjithë puna tek ai varej. Po na qëlloi dhe kjo lindje shyqyr, e këtu u vërtetua burrëria e Musolinit, që edhe në shekullin e XV-të, nuk bëhej barbarizëm në këtë mënyrë.
Iu luta Mbretit, duke i thënë se: “Nesër keni në mëngjes Hugh Grantin dhe shkoni e flini pak, sepse këtu, jemi me kryeministrin e, ministrin e Jashtëm, e do të bisedojmë gjerë e gjatë mbi të gjitha. “Jo – më tha – koloneli im, sepse nuk kam gjumë”. Sallonet ishin plot të mbushur, e prisnin nga Mbretëresha një trashëgimtar. Ndërsa populli, thërriste rrugëve, e këndonin këngë kombëtare.
Më kërkon kolonel Ali Riza Topalli në telefon, nga Vlora. Ai më lajmëron se, të gjitha urdhrat i ka dhënë, po Komanda e Mbrojtjes Kombëtare, nuk i ka dhënë asnjë urdhër Garnizonit të Vlorës, përsa i përket ushqimit. “Kam kërkuar Komandën në telefon, por nuk më përgjigjen. Dhe i kam dhënë dy shifra. Nuk kam marrë përgjigje, deri tani. Kjo sjellje e Komandës, më vë në dyshime sepse, personeli i Komandës nuk është i sigurt. Siç duket, janë në gjumë e nuk dëshirojnë të zbatohet një veprimtari. Po ashtu, flitet dhe për shtabin e Komandës dhe për Prefektin e Durrësit, Mark Kodhelin. Të keni kujdes, pasi dhe nga paria, janë të lidhur me Melonin, Konsulli Italian, është shumë i rrezikshëm”.
“Deri tani, ka thënë Ali Rizaja, këtu kam kapiten Dod Nikollën, me një kompani të Rojës së Kufirit, me 40 xhandarë, si dhe togën e Ndërlidhjes, e asgjë tjetër. Kam urdhëruar Batalionin e Kufirit në Korçë të Instruksionit, nën komandën e kapiten Rexhep Radomirës, që të vijë në Grykën e Këlcyrës. Po ashtu, kam urdhëruar major Gjek Marashin, me Batalionin e Xhandarmërisë në Gjirokastër, që të jetë i gatshëm në çdo orë, për t’u nisur ku do t’i caktohet vendi. Kapiten, Haxhi Gilagolli, me dy kompani të Rojës së Kufirit, është në Jorgucat. I kam dhënë urdhër, të jetë i gatshëm, për mbështetje të Sarandës. Në Sarandë, është një togë e Rojës së Kufirit, me 20 xhandarë, nën komandën e toger Taifur Dibrës dhe po ashtu, në Himarë dhe Kuç.
Për sa i përket kreshnikëve, të Prefekturës së Vlorës, ende nuk kam rregulluar asgjë. Të gjitha armët, i kam këtu në komandë. Major, Bilal Nivica, ka shkuar në Kurvelesh dhe ende nuk është kthyer dhe nuk më ka lajmëruar se kur do vijë. Këtu propaganda, është shumë e përhapur në popull dhe thuhet se; anijet luftarake janë duke u grumbulluar në Sazan, e pritet të shkarkojnë në Vlorë. E unë tani për tani, jam vetëm me kapiten Dod Nikollën, e me një kompani të Rojës së Kufirit.
Zoti kolonel, unë jam i vjetër në këto punë e, nuk gabohem fort. Komanda e Mbrojtjes Kombëtare, është tepër e ndërlikuar prej italianëve, të keni kujdes se, një pjesë e shtabit të Komandës, janë të lidhur ngushtësisht me italianët dhe se ata, kanë punuar për këtë ditë. Jo vetëm Giro, por të gjithë. Mos prisni që Komanda të zbatojë mbi çfarë është urdhëruar se, unë kur isha në Tiranë, i shikoja të mërzitur, se kur ju hapja ndonjë gjë që nuk ju ishte komunikuar, më thoshin që; do t’ju thërrasim.
Këto janë të vërtetat deri më sot, ju lutem intervenoni pranë Komandës së Mbrojtjes, për plotësimin e instruksioneve që më kanë dhënë, si për trupat, ashtu dhe për ushqimet” përfundoi Ali Rizai.
Kur u ktheva në Pallat, më thirri Mbreti. Ai ishte me Koço Kotën dhe Ekrem Libohovën. Më tha se, çfarë kisha. Jo asgjë, i thashë. Por më pa që isha i mërzitur e, u ngrit duke më thënë; hajde pak. Shkuam në fundin e zyrës, ku i thashë për sa më tha kolonel Ali Rizaja. Po nuk më bëri përshtypje mbi Komandën, sa më bëri që, akoma armët, nuk janë shpërndarë në Vlorë, e të tjera. E mora vesh tha Mbreti, dhe shkuam e u ulëm, ku ishte kryeministri dhe ministri i Jashtëm.
Pas kësaj, u ngrita dhe shkova në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare. Ishte ora 2 pas mesnate. Po i bëja telefonatë, që të vijë në Komandë, Kolonel Xhemal Aranitasit. Mbreti më tha; kolonel, ku po shkon?! I thashë se po shkoja për të parë gjeneral Aranitasin. “Shumë mire, po kujto që të thërrasësh dhe Musa Jukën e Shefki Shatkun dhe jua shpjego të gjithëve, haptazi. Edhe dua që brenda kësaj nate, të ketë një përgjigje të konfirmuar nga të tre”, tha Mbreti.
Mbreti jua tregoi Koço Kotës dhe Ekrem Libohovës, për sa qëndronte gjendja në Vlorë, sipas kolonel Ali Rizasë. Pas këtyre, Mbreti tha: “Kolonel, lipset që aty ku janë dyshimet, të mënjanohet personeli i dyshimtë”.
“Po Madhëri, – i thashë – është pak vonë, por do bëjmë ç’është e mundur, për ta rregulluar këtë gjendje”. U ngrit kryeministri, e i tha Mbretit: “Më lejoni Madhëri, ka të drejtë koloneli, pasi siç po na rezulton, koha nuk premton për një ndryshim. Por, sidoqoftë, më mirë vonë se kurrë, për këtë gjë, e unë e kam kuptuar me kohë”. “Keni të drejtë zoti kryeministër, por i gjithë faji, është tek koloneli, që para tre muajve, se me qenë sot, do të kishim një ushtri të vogël, por si një napolon ari në dorë, por nejse, tani kjo është. “Po koloneli im, – tha Mbreti, mblidhi të tre bashkë dhe shpjegoi e, kërkoi me këmbëngulje, se si qëndron e vërteta, jo me fjalë fshehurazi, njëri kështu e tjetri ashtu, po burrërisht, në sy të njëri-tjetrit, e mos të kujtojnë se, do i shpëtojnë përgjegjësisë”.
Me këto fjalë, mora leje e shkova në Komandë. Atje më priti gjeneral, Xhemal Aranitasi, dhe pasi u përshëndetëm, i thashë për sa më tha kolonel Ali Rizaja. Pastaj, i thashë dhe shumë fjalë të tjera. Për këto, do ishte mirë të ishin dhe Musa Juka e Shefki Shatku, dhe do të bisedojmë, për të gjitha haptazi, se Mbreti kërkon patjetër sonte, të gjitha sa ekzistojnë”. “Po mirë – më tha, – thirri zotëria juaj, se po i thirra unë, nuk vijnë”. Atëherë mora telefonin, thirra ministrin Juka, e më tha që brenda 10 minutave, jam aty.
Menjëherë erdhi ministri Musa Juka, ashtu dhe komandanti Shefki Shatku. Unë menjëherë, ju vura në dukje të treve, mbi të gjitha ç’më tha kolonel Ali Rizaja, po kështu dhe për atë të Stamatit dhe të Prefektit të Durrësit, Mark Kodheli, e ju thashë burrërisht, e haptazi, se; tani duhet një përgjigje ekzakte, që e kërkon Mbreti prej jush, të tre bashkë, të konfirmuar, sepse koha nuk pret. Këto fjalë, ua thashë me një ton tepër serioz. Këta të tre, u tronditën se, kujtuan se unë po formoj shtetrrethimin. Por koha nuk lejonte, sepse e kisha bërë sipas urdhrave të Mbretit. Por ju thashë,- jo jo – në urtësi e pa frikë, të dalë në shesh e vërteta, se duhet sipas urdhrave të Mbretit.
Tiranë, më 5 Prill 1939
Më 5 prill, në orën 5 të mëngjesit, lindi Prici Trashëgimtari i Shqipërisë. Porsa u dha lajmi në popull, se lindi një “Djalë Trashëgimtar i Shqipërisë” të gjitha demonstratat që vazhdonin gjithandej, anti-italiane, menjëherë u kthyen në një buçitje gëzimi të pa përshkruar, duke shfaqur simpatinë, për Familjen Mbretërore, e duke thirrur: “Rroftë Mbreti, Rroftë Princi Trashëgimtar, Rroftë Mbretëresha jonë e dashur” dhe prej gëzimit të madh, e humbën karakterin anti-italian, që kishin.
Në këtë kohë, nga kënaqësia e madhe që u ndie, dhe që panë një Trashëgimtar në gjininë e tyre, pas 500 vjetësh, shpërtheu një entuziazëm i pa përshkruar, në zemrat e të gjithë shqiptarëve. Ky lajm gazmor, menjëherë u përhap në të gjitha anët e Shqipërisë. Kështu filluan menjëherë festimet gjithandej. Populli i kryeqytetit, plot gëzim, shkollat e djemve e vajzave, e populli mbarë dhe ushtria që ndodhej në kryeqytet, filluan përgatitjet për të parakaluar para Pallatit, të mbledhur e të rrethuar në bulevardet rreth Pallatit, duke kënduar këngë kombëtare, e duke kërcyer valle nacionale.
Në orën 8 të mëngjesit, vjen Kryeministri Koço Kota, me gjithë qeverinë dhe po ashtu edhe Kryetari i Parlamentit, Pandeli Evangjeli, me një delegacion, për të paraqitur urimet gazmore të lindjes së Trashëgimtarit të Kombit. Të gjithë të veshur me uniformë të madhe. Ndërkaq, Mbretëresha, ndodhet shumë e sëmurë nga një infeksion.
Në orën 10 të mëngjesit, kanë filluar të gjuajnë me top, 101 herë dhe tamam në atë kohë, filluan parakalimet para Pallatit Mbretëror, brenda në lulishte, të radhitura, shkollat, populli i veshur me kostum kombëtar, ushtria, dhe bandat që luanin himnin Mbretëror të Flamurit. Mbreti Zog, bashkë me qeverinë dhe Parlamentin, kishin dalë në lulishte dhe Mbreti i falënderonte, të gjithë parakaluesit.
Nga të gjitha Prefekturat, ishin nisur të vinin delegacionet e popullit në kryeqytet, për të shfaqur urimet gazmore, që Perëndia i solli popullit bujar një Trashëgimtar, pas 500 vjetëve. Të gjithë ishin të veshur me kostume kombëtare. Tamam në kohën kur po kalonin shkollat e djemve e vajzave, para Mbretit të tyre, duke kënduar në parakalim, vjen me shpejtësi, Ministri i Punëve të Jashtme, Ekrem Libohova, me një letër në dorë dhe ja paraqet Mbretit Zog. Ajo ishte ultimatumi Musolinian.
Po në këtë kohë, erdhi ministri i Italisë, Jakomoni i veshur me uniformë të madhe, për t’i paraqitur urimet Mbretit Zog. Kur po i jepte dorën, Zogu i tha: “Ju faleminderit Zoti Ministër, për urimet e bukura e miqësore, që po më paraqisni, se kështu i bëhen një aleateje”. Pasi i dha dorën, i skuqur, Jakomoni u kthye dhe iku. Kjo ishte aleatja e mikja, dhe burrnia me plot premtime e garanci gënjeshtare, e Musolinit. Mesa dukej, tani do ta kuptonin shtetet tona fqinje, që nuk e besonin.
Tiranë, më 5 Prill 1939
Në këtë datë, ora 11 paradite, kur i gjithë populli shqiptar po parakalonte duke uruar e nderuar Mbretin e vet, aleatja e mikja e Shqipërisë, Italia Fashiste, i jep ultimatumin kërcënues. Ndërkohë edhe ka nisur Armatën me Flotën Luftarake, kundër Shqipërisë. Këto ishin urimet miqësore të Musolinit, që i bënte aleates së tij, me mijëra premtime e garanci!
Zogu i I-rë, Mbreti i Shqiptarëve, menjëherë mori kryeministrin Kotta me Qeverinë dhe Kryetarin e Parlamentit me delegacionin parlamentar. Dhe si e falënderoi popullin, bashkë me ta, hyri në sallën e Këshillit. Pasi u studiua ultimatumi, u vendos:
Qeveria Mbretërore Shqiptare, e mbledhur nën kryesinë e sovranit, duke pasur pranë dhe kryetarin e Parlamentit, me një përfaqësi parlamentare, vendosi, të mos i pranojë kushtet e kërkuara, në kopjen e traktatit, duke qenë se kushtet në fjalë, e zhduknin integritetin dhe sovranitetin e Shtetit Shqiptar. Kështu ai u refuzua dhe ju dha përgjigje menjëherë. Dhe në rast zbarkimi të trupave italiane, në tokën shqiptare, kjo do të quhet një violence, kundrejt sovranitetit dhe do të kundërshtohet me armë. Në këtë mënyrë, ju dha përgjigja ultimatumit verbal, të ministrit Jakomoni.
Brenda në Këshill, Mbreti Zog, thirri komandantin e Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Xhemal Aranitasin, komandantin e Xhandarmërisë, Kolonel Shefki Shatkun, kryetarin e Shtatmadhorisë, gjeneral Myrdash, nënkryetarin e Shtatmadhorisë, nënkolonel Sami Kokën, dhe i urdhëroi, që të ndalohet çdo parakalim ose festim. Por menjëherë, Ushtria të vihet në bazat e saj për luftë, dhe të jetë e gatshme, për të kryer detyrën e shenjtë, që ju përket për Atdhe dhe ju tha: “Zoti ju ndihmoftë, e të nderoni Kombin Shqiptar” dhe u ngrit në këmbë, duke ju shtrënguar dorën dhe shtoi se, kishte besim të plotë, në veprimtarinë e tyre burrërore.
Komandantët e nderuan Mbretin dhe së bashku dolën. Në këtë kohë, çdo përgatitje festimi, u kthye në një pamje krejtësisht për luftë. Por mjerisht, pa fryte, sepse, nuk kishin tjetër përveç kraharorit, për t’ja nxjerrë Duçes përpara, pa armë, pa mjete, pa përkrahje. Këshilli Ministror, i bashkuar me Parlamentin, vazhdonte bisedimet, në kryesinë e Mbretit, dhe u urdhërua ministri i Punëve të Jashtme, Ekrem Libohova, që menjëherë të vinte në dijeni, gjithë legatat e huaja e Lidhjen e Kombeve, e më vonë, kanë për të dërguar protestat kundër Italisë, për veprimet që po zhvillon, kundër Shqipërisë së vogël e, anëtare të Lidhjes së Kombeve.
Në këtë kohë, më urdhëroi Mbreti Zog, mua dhe ministrin e Brendshëm, Musa Jukën, të shkonim në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare dhe në Komandën e Xhandarmërisë, dhe të shikonim se, a janë përfunduar veprimet, e deri ku kanë arritur, me shpejtësi të sistemohen në Vlorë, Durrës, Shëngjin, e Sarandë, vijat e para. Duhen që, për gjithë këtë natë, të vihen në vija mbrojtjeje. Pastaj, duhet të shkoni në Ministrinë e Brendshme, e të vini në dijeni Prefektët.
Galeazzo Çiano, dhëndri dhe ministri i Jashtëm i Musolinit, në ditarin e tij, tregon hollësirat e organizimit të pushtimit të Shqipërisë, më 7 prill 1939, ku shprehet se; duhet të përfitojnë nga lindja e fëmijës. Musolini, këtë radhë me këto vepra, ja kaloi bashkatdhetarit të tij Machiavelit, duke shkelur çdo parim moral dhe ndjenjat njerëzore, në tradhti të aleates së tij të vogël, Shqipërisë. “Udhëheqësit e fashizmit, siç thotë Ciano, nuk e kishin njohur aq mirë Mbretin Zog, që të sakrifikojë atdheun, për hir të familjes. Jo, Mbreti Zog, atdheun, e kishte mbi të gjitha, se familja e tij, ishte e barabartë me familjen e popullit shqiptar, si në gëzime, ashtu dhe në hidhërime”.
Çiano, thotë në ditarin e tij, se: “Kryeministri jugosllav, ishte dakord për copëtimin e Shqipërisë natyrisht duke i dhënë disa pjesë shqiptare”. Pasi u siguruan Musolini dhe Çiano, filluan përgatitjen për pushtimin e Shqipërisë. Qëllimet e tyre, ishin që të provokonin trazira në Shqipëri, që të paralizonin çdo rezistencë. Por Mbreti Zog, i kuptoi sjelljet e tij në tradhti burrërore dhe dha urdhër, për sigurimin e qetësisë së vendit. Ditën që lindi Princi Trashëgimtar Leka, në 5 Prill, Mbretit Zog, ju dorëzua ultimatumi i Musolinit, siç është shënuar më sipër. Mbreti, menjëherë, ia dha kryeministrit Koço Kotta, për t’ja paraqitur Parlamentit, dhe vetë salutonte popullin, që i kalonte para lulishtes së Pallatit.
Parlamenti, së bashku me Qeverinë e studiuan atë, por kërkesat italiane, ishin të papranueshme me sovranitetin e shtetit dhe unanimisht u rrëzuan, e të dyja ato institucione, nuk pranuan asnjë kërcënim, qoftë edhe me luftë, dhe ultimatumi musolinian, u hodh poshtë. Në këtë kohë, u dha kushtrimi: “Atdheu në rrezik”, gjithë ai demonstrim gazmor u kthye kundër Italisë. Si populli ashtu edhe zyrtarët e lartë, ishin mbledhur në sheshin e Bashkisë, duke mbajtur fjalime për të shënuar rëndësinë e kësaj dite, të lindjes së Princit Trashëgimtar Leka, dhe turma u derdh për të kërkuar armë, për të vdekur për Atdheun, duke u grumbulluar në lulishten e Pallatit, e kërkonin Mbretin Zog. Mbreti, doli me buzëqeshje e ju tha: “Bijtë e mi, jemi duke u përpjekur, për sheshimin e kësaj ndodhie, në rrugë diplomatike, por, ju siguroj se, as Shqipërisë e as, shqiptarëve, njolla nuk do t’i vihet prej askujt”.
Në 6 Prill 1939, me paturpësi, Musolini dërgon gjithandej skuadra aeroplanësh, mbi qiellin e Shqipërisë, duke hedhur trakte kërcënuese e, në anën tjetër, dërgonte pa nda, telegrame premtimesh e miqësie, dhe vetë Çiano, siguronte ambasadat e huaja në Romë, se nuk kemi asgjë kundër Shqipërisë, kur ende organizatorët italianë, ndodheshin në Shqipëri. Ja këta ishin miqtë fashistë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016