Nga Sokrat Shyti
Pjesa e njëzetë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Nënës suaj i kanë ndodhur kaq shumë gjema deri në këtë moshë, sa habitem si jam gjallë, marr frymë dhe nuk kam lajthitur!… Kam vetëm hallin tënd. Pse, more bir, u ktheve nga Moska? Po të kishe ndenjur atje, kur u prishim me sovjetiket, ndoshta këtij vulë humburit tonë, që çau ferrën, nuk do t’i shkrepte në kokë të na bënte gjëmën, kështu de ne do rrinim me banim në Tiranë. E shumta mund ta lëviznin vulë-humburin nga puna, por ama s’do na syrgjynosnin në kasollen e lopës”!…
– “Ja që ishte e shkruar të merrnin të tatëpjetën fatet tona”! ia ktheva unë, duke mos guxuar t’i tërhiqja vërejtje, t’i thosha që herë tjetër, të mos përsëritet kjo ankesë e pakuptimtë, pasi veçse na trishton! Pas dy ditësh, kryetari i Lokalitetit, në prani të të Plotfuqishmit, më njoftoi se drejtori i SMT-së dha pëlqimin, të më punësojë furnitor karburanti, domethënë hamall, (pavarësisht nga emërtimi i zbukuruar: sekretar furnizues). Pra, duhet të shpërndaja naftë me bidon, për të gjithë traktoristët që punonin në zonën e kooperativës së bashkuar bujqësore.
– “Po ta them qysh në fillim: puna është mjaft e lodhshme. Sepse nga mëngjesi gjer në darkë, do endesh me kilometra të tëra nëpër ugare, duke bartur me vete bidon me naftë dhe në kohën e drekës, do t’u çosh ushqim, pasi këta nuk e ndërpresin dot punën të shkojnë deri ne mensën e kooperativës. Puna e kërkon të vishesh me rroba të vjetra e çizme llastiku, sidomos kur moti është me lagështirë dhe balta mezi çahet. Doemos duhet të kesh mushama shiu. Nuk të thirra këtu për të dëgjuar mendimin tënd, por të urdhëroj të fillosh menjëherë punë! Ti, si gazetar, patjetër duhet ta dish ligjin e parazitizmit: kush nuk del në punë, detyrohet forcërisht nga organet e Diktaturës së Proletariatit dhe nuk i jepet paga për një kohë të caktuar!
Kuptohet, për ty do të përdoren ndëshkime më të ashpra, që ti besoj i merr me mënd…! Tani do të paraqitesh në SMT, i shoqëruar nga i Plotfuqishmi dhe aty do të të japin udhëzime konkrete, se si duhet kryer detyra. Edhe një porosi tjetër: drekën tënde, do ta marrësh me vete, pasi në shtëpi do të kthehesh vetëm kur të jetë ngrysur. Në qoftë se del ndonjë kërkesë familjare për pushtetin, do t’ia përcjellësh në fillim të Plotfuqishmit, në njërin nga tre rastet, kur paraqitesh.
Nga ky çast nisi kalvari i vuajtjeve të mundimshme trupore, krahas sfilitjeve mendore e shpirtërore, të cilat me kalimin e muajve dhe viteve, morën përmasat e torturës. Pak nga pak dhimbja po tejçohej drejt palcës, për të provuar sa do duronte qëndresa ime. Ishte ditë e diel dimri, me temperatura disa gradë nën zero dhe toka e ngrirë kallkan, kishte fortësinë e betonit. Ndaj, traktorët qenë larguar nga ugaret e kishin shkuar në pikat e riparimit, ku kryhen shërbimet nga mekanikët, në bashkëpunim me traktoristët. Kjo gjendje më dha mundësi të ndodhesha në kasolle bashkë me familjen time dhe të ngrohesha pranë stufës prej teneqeje.
Bënte kaq ftohtë, sa ngrohtësia e flakës që bubullonte brenda në stufë, dukej sikur humbiste kot në hapësirën pa tavan e dysheme, sepse acari futej përmes kanatave të dritareve pa xhama dhe nga e ashtuquajtura “derë”, që kishte bërë rojtari i pyjeve me resë kallamash. Meqë traktoristët nuk njihnin ditë pushimi, pasi bujqësia si industri pa çati, varet tërësisht nga tekat e motit, isha i detyruar të punoja dhe të dielave.
Kishin kaluar tre muaj nga jetesa e mundimshme, i shkëputur plotësisht nga përjetimet e gazetarisë në Radiodifuzion. E megjithatë, mendja shpeshherë më shkonte tek Vangjeli, kolegu im i kthinës në redaksinë e rinisë, të cilin e pyesja mjaft i shqetësuar si e përballon vetminë në qeli. Pas kësaj pyetjeje, më kaplonte i njëjti mendim brejtës, se do të ishte më mirë të më kishin arrestuar e futur në burg, pa e prekur familjen time, nënën dhe motrën, pasi aty brenda s’do ndjehesha kaq i poshtëruar e i përçmuar, sa këtu jashtë, për faktin se fare pranë meje do të më rrethonin bashkëvuajtës të tjerë, me të cilët do të shkëmbeja dy fjalë.
Sigurisht këtë mendim nuk guxoja t’ia shprehja nënës, e ruaja në thellësi të vetëdijes. Dhe këtu do ta mbaja përherë, në formë pengu, për të mos ia shtuar dhimbjen e përjetimeve. Ndërsa rrija pranë stufës me duar të zgjatura, i pështjelluar nga hamendësime kaq të trishtuara, u dëgjua një zë i panjohur nga jashtë, që thërriste emrin tim. Vetvetiu më shkoi mendja tek puna: ndoshta një korrier i SMT-së, vinte me urdhër nga brigadier i tij, për të më lajmëruar të paraqitem në filan parcelë, ku ndoshta toka e ngrirë, ka filluar të zbrujtet dhe plugu e çan, ndaj duhet t’i çoj traktoristit një bidon dhjetë litrosh me naftë!
– “Edhe sot do dalësh në këtë acar të egër”?!.. – shprehu ankesën e saj të dhimbshme nëna.
– “Përderisa më kërkojnë, patjetër duhet shkuar”! – ia ktheva unë, duke e përqafuar dhe u ngrita të shihja. Zëri u përsërit nga e njëjta largësi: ndoshta ai trembej të afrohej nga qentë, edhe pse ditën rojtari i pyjeve, i mbante lidhur. Kur dola prapa kasolles, i panjohuri më pa dhe nuk priti ta pyesja kush të ka dërguar, por shpejt e shpejt tha me një frymë:
– “Të kërkon dikush nga Tirana, me veturë”!
– “Pikërisht mua, me emër”?! mbeta atë çast i befasuar.
– “Me emër dhe mbiemër. Tek ne dhe në gjithë rrethin e Lushnjës, s’ka Sokrat Shyti tjetër. Vetura ndaloi nẽ kthesën e Kolonjës. Ai më pyeti për ju, ku banoni. Unë u tregova menjëherë i gatshëm ta ndihmoja: hipa në makinë. Ai po pret poshtë”.
– “Si duket në paraqitje? – e pyeta unë. – “I moshuar, shtat-imët, flokëzi, i hequr në fytyrë”.
Edhe pse nga përshkrimi i jashtëm, ky portret përqasej plotësisht me Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes së Shkrimtarëve, prapë pata njëfarë mëdyshje. Ndoshta ishte dëshira ime e brendshme, për të takuar dikë me shpirt të madh, (pas këtyre muajve me strese gërryese, të tejmbushur me fyerje, poshtërime dhe kërcënime), që e nxiti përfytyrimin të besonte në vërtetësinë e këtij hamendësimi. Megjithatë, më shumë më dukej imazh i bukur i një ëndrre, se sa realitet i mundshëm. Zbrita kodrën përmes rrugicës së yrtit, ashtu siç qeshë i veshur dhe dola në xhade më vështrim të ngërthyer mbi makinën ngjyrë gri të markës sovjetike “Pobjeda”.
Atë çast u hap dera e parë dhe para meje u shfaq bamirësi im, veshur me pallto stofi të trashe, ngjyrë e zezë, e gjatë deri tek nokëzat e këmbeve. Por edhe pse qëndronte pak hapa para meje, nuk u besova syve: ndoshta ngricat e janarit, krijonin një mirazh me
siluetën dhe portretin e tij! Zëri i trashe karakteristik e kundërshtoi këtë pandehmë. Megjithatë u përmbajta, nuk vrapova drejt tij, sepse ende nuk e dija ç’mendime i lëvrinin në kokë dhe nuk e merrja dot me mend, pse donte të më takonte: sillte me vete ndonjë propozim si duhet vepruar për të dalë nga humnera, apo qe dërguar enkas me mision të posaçëm nga shefat e mëdhenj, për të rënë në ujdi me mua, të më thotë haptazi se lehtësimi i ndëshkimit bëhet vetëm me një kusht, të shkruaja një roman me metodën e realizmit socialist, sipas skemës së njohur që mbizotëron në letërsinë artistike shqiptare, me patos revolucionar, ku veprojnë gjallërisht personazhe me partishmëri të lartë, që vetëflijohen për kauzën e shenjtë të socializmit!…
Ai e nuhati ngurrimin tim dhe u qas me hap tẽ ngadaltë drejt meje, hapi krahët të më përqafonte me përmallim atëror. Pastaj më futi krahun sikur do dilnim shëtitje dhe u larguam disa metra nga makina. Ishte një lëvizje e zgjuar, që të mos na dëgjonte shoferi, i cili kryente rolin e shoqëruesit dhe përgjuesit.
– “Gjendesha jashtë shtetit, në një delegacion, kur ndodhi fatkeqësia në familjen tuaj, – nisi ai të flasë me ton të shtruar, ngadalë. – Por edhe sikur të ndodhesha këtu, me gjithë dëshirën e madhe dhe përpjekjet për të të ndihmuar, prapë s’do t’ia dilja dot në krye. E shumta mund të takoja ndonjë anëtar të Komisionit Qeveritar për sqarim, dhe natyrisht do t’i thosha fjalë të mira për ty. Ky, cilido të ishte, vetëm do të dëgjonte, pa u ndikuar aspak nga kjo ndërhyrje. Sepse duhet ta kesh të qartë, që anëtarët e çdo komisioni qeveritar, por sidomos ky i Internim-Dëbimeve, kanë një procedure tepër të ngurtë: përveç atij që raporton, të tjerët tregohen mjaft të matur e të kujdesshëm, nuk shfaqin mendime vetjake.
Përjashtime shumë të rralla mund të bëhen vetëm nëse anëtari më me peshë, Ministri i Brendshëm, paraqet në komision një shtesë të veçantë, ku parashtron, bie fjala, se personi i ndëshkuar, mund të kryejë një shërbim mjaft të rëndësishëm po të infiltrohet në spiunazhin e huaj. Ndërsa, përsa i përket formës së dënimit tënd, pse je i veçuar nga të tjerët, nuk të dërguan në një pikë të përbashkët, të prunë këtu, nuk mund të jap dot asnjë shpjegim! Po në Tiranë, si u sollën ndaj teje, kur të njoftuan për arratisjen e vëllait”? – pyeti ai.
– “Llahtarshëm! Tmerrësisht vrazhdë dhe egërsisht”, – ia ktheva unë. Dhe ia përshkrova shkurtimisht në mënyrë të përmbledhur skenën tek Selvia, me kolonelin shtatlartë.
– “Po me nënën në shtëpi ç’qëndrim mbajtën”? – shtoi ai.
– “Njësoj, me të njëjtën egërsi! Përdorën fjalor të ashpër, poshtërues, tallës! E përmbysën kokëposhtë kthinën e vetme të banimit, morën me vete dorëshkrimet e mia”!
– “T’i kthyen më vonë, apo i mbajtën”? – pyeti ai me mjaft interesim.
– “I dogjën me cinizëm para syve të mi, në qoshen e oborrit të Ministrisë së Brendshme! Shkak i vetëm për këto veprim, u bë shkrimi im shumë i imët, gati i palexueshëm. Nga ankesat e tyre doli se tërë natën qenë ‘torturuar’ me lente zmadhuese, derisa arritën në përfundim se e pamundur t’ia dalin dot në krye, ndaj e vetmja zgjidhje mbetej, t’i propozonin shefit të madh ta asgjësojnë dorëshkrimin…”!
– “Paske përjetuar një skenë tmerrësisht të dhimbshme”!… – psherëtiu thellë shkrimtari. – “Tortura më mizore për çdo krijues. Të kanë shkulur një pjesë të shpirtit dhe zemrës! Megjithatë, ky veprim mizor, ka dhe anën ‘shpëtimtare’ të medaljes, sepse zhduk çdo mundësi ta përdorin dorëshkrimin kundër teje, të citojnë më vonë një thënie, frazë, apo monolog personazhi, që mund të manipulohet nga kalemxhinj shtriganësh”.
– “Por ka mbetur dëshmia më e madhe kërcënuese, kopja e daktilografuar e romanit ‘Madam Doktoresha’, – gjeta rastin të interesohesha për fatin e romanit.
– “Fatmirësisht romani ndodhet në duart e mia! – nxitoi të thoshte me vështrim të ngrohtë. – Dhe për siguri do ta mbaj unë, pasi në strehën tënde, mund të bëhen bastisje të befasishme. Nuk e di burimin nga u përhap, por për ne ka rëndësi që në redaksitë e Lidhjes së Shkrimtarëve, flitet për ‘humbjen’ e dorëshkrimit të romanit. Dhe meqë ty, si autor, të janë hequr të gjitha të drejtat qytetare, u avullua vetvetiu shqetësimi i disave, nëse romani do të botohet libër më vete, apo fragmente në revistën ‘Nëntori’? Kjo do të thotë se s’do kesh as ngacmime të mëtejshme e, as interesime. Kapitulli mbyllet me kaq, pa na shqetësuar për të ardhmen.
Prandaj, për ty ka rëndësi parësore të kesh gjetur në vetvete forca që të përballosh mbijetesën në këto kushte”!… – shtoi ai me vështrim të dhimbsur.
– “Ky takim i sotëm me ju, shërben si mbështetje morale dhe shpirtërore për mua. Besoj do të fiksohet në kujtesën time për vlerën e jashtëzakonshme që bart, duke patur parasysh faktin se një funksionar kryesor i letrave shqipe, shkon enkas të përshëndesë publikisht një shkrimtar të ri të deklasuar, i cili vazhdimisht do të jetë në karantinën e ndëshkimit, për të mbetur i panjohur, anonim”! – theksova unë me ton falënderimi, duke e kuptuar që takimit i erdhi fundi.
– “Do bëj të pamundurën t’ju shoh e të shkëmbejmë mendime, sa herë të kaloj këtej me shërbim, sigurisht nëse udhëtoj vetëm, pa shoqërues të tjerë, dhe ju të ndodheni në strehën tuaj!… Por pavarësisht si u mpleksën rrethanat, ju kurrsesi s’duhet ta humbisni besimin se jeni ‘prozator i shquar’, me gjithë moshën e re, ashtu si e theksova në deklaratën time personale, drejtuar Ministrit të Arsimit. Unë kam besim të plote, se do të vijë dita e bekuar, që ju tq pluskoni me vepra madhore”!
Pas këtij vlerësimi të çiltër, që tingëlloi në veshët e mi si bubullima e ylberit të shpresës, ne u përqafuam miqësisht! Për një kohë të gjatë, m’u vërtitën në koke fjalët e tij: “Jeni prozator i shquar, me gjithë moshën e re… dhe se; “do vijë dita e bekuar, të pluskoni me vepra madhore”! Por kur do të vijë? Sa do të zgjas kjo pritje? Me vite apo me dekada?!… Ndalesa e Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Shkrimtarëve në kthesën e Ardenicës, enkas për të takuar të internuarin Sokrat Shyti, u përhap me shpejtësinë e zërit, në krejt rrethin e Lushnjes dhe tërhoqi vëmendjen e autoriteteve.
Disa u ndjenë të fyer nga kjo sjellje “liberale” kaq publike, ndaj donin të hakmerreshin kundër meje, për t’i treguar këtij militanti idealist, se; “tek ne nuk pinë ujë këto soj marifetesh mikroborgjeze, dhe nuk e zbutin dot luftën e klasave, duke përkrahur një të deklasuar”! Pas dy ditësh, në mbrëmjen e të martës, rreth orës 8.00, u shfaq si sfinks operativi i zonës, në kornizën e lesës me kallama, që shërbente si derë e kthinës, dhe me urdhër të prere e, ton të rreptë, m’u drejtua mua:
– “Të kërkojnë në Degën e Brendshme! Tani, në këtë çast! Ndaj çohu dhe vishu”!
E kuptova menjëherë që kjo thirrje natën, (e cila nuk dihet sa mund të zgjaste në birucat e Degës), bëhej në shenje hakmarrjeje kundër “liberalit”, duke shfryrë mbi kurrizin tim mllefin dhe urrejtjen ndaj meje.
Zëvendëskryetari i Degës, me priti me këmbët e para, duke klithur sa i nxirrte zgurdha, se duhet ta harroja njëherë e përgjithmonë, cili isha para internimit, një gazetar që shëtiste i lirë në tërë Shqipërinë!
– “Prandaj mblidhe mendjen top e, mos bëj gafa si ajo e pardjeshmja, që vajte i kapardisur të takoje drejtuesin e Lidhjes së Shkrimtarëve, për të na thëne neve: Ja kush jam. Vlerën njësoj e kam, si më parë”!
– “Kjo ishte një rastësi…”, – desha të shpjegohesha unë.
– “Mbylle zgurdhën, nuk dua të ta dëgjoj zërin”! – m’u kanos ai.
– “Ishte rastësi”, – përsërita unë.
– “Lëri dënglat se nuk të shkojnë tek unë! – klithi ai si i ndërkryer. – Përndryshe të hodha prangat e, të plasa brenda në birucë! Ja ku po ta them, si përfaqësues zyrtar i Diktaturës së Proletariatit: – Ti je një hiç, një zero me xhufkë, një dështak i pashpresë, që të shtypim si plesht me thoin e gishtit të madh! Mblidhe mendjen top: në baltën dhe llucën e Myzeqesë, do të të kalojë rinia e pleqëria, gjersa të ngordhësh!… Po guxove një herë të dytë, të takosh ndonjë personalitet, ta dish: do të të plas brenda në birucë, që të flesh në çimento, si qen, dhe të ushqehesh vetëm me bukë e ujë!…
E more vesh? Tani m’u hiq sysh, se nuk të shoh dot! Dhe mbathja drejt kasolles së lopës! Dhe aty e ke të tepërt, pasi mund të përfundosh tek kolibja e qenit!… Çfarë pret?! Mos shpreson të gjejmë makinë? Nisu në këmbë! Po pate fat, nëse të rastis ndonjë kamion dhe shoferit i teket të ketë një shoqërues natën, ndoshta i shpëton ecjes tre orë e са…”?!
Por pavarësisht synimit të tij të lig e poshtërues, fjalët e fundit shërbyen si udhërrëfyes, më treguan si duhet tê veproja kur dola nga porta e hekurt e Degës së Brendshme. Prandaj u drejtova tek vendqëndrimi i policit rrugor dhe i thashë këtij të më gjejë një makinë çfarëdo, deri në kthesën e Ardenicës. Fatmirësisht, pas një gjysmë ore, ndaloi një kamion i ngarkuar me tulla, që shkonte ne Fier, dhe shoferi u tregua i gatshëm të më merrte.
– “Që nuk je fshatar dhe banor i këtyre anëve, kuptohet menjëherë. Mos qofsha i gabuar, ti duhet të jesh ai gazetari i Tiranës, që banon në kasollen e lopës të atij zdapit gjatush të pyjeve. Besoj i rashë në të. Ne, shoferët, i mësojmë të parët këto soj lajmesh. E di që jeni familje e nderuar dhe e tillë do të mbeteni për ne njerëzit e thjeshtë, pavarësisht nga nofka që ju ngjitin. Krundet, or ti shok, sado imët t’i bluash, prapë krunde mbeten, miell nuk del prej tyre.
E kam llafin që fshatari apo katundari, kudo të shkojë, çfarëdo rrobe të veshë, prapë sojin e tij, nuk e ndryshon. Duhet të paktën të jetojnë tre breza në qytet, që të përshtaten pak nga pak me sjelljen e qytetarisë. Sipas mendimit tim, për të mos i djallosur qytetet, duhet që në drejtimin e Komiteteve Ekzekutivë e të Partisë, të mos vendosen kuadro katundarë.
Se fshatarët e kanë mendjen të sjellin në qytet tërë farefisin dhe miqtë e tyre, e jo si ta kullandrisim më mirë jetën e banorëve. Mirëpo kohët e fundit, po vihet re një dyndje e drejtuesve katundarë. Qe caktojnë fshatarë të shkolluar, si kryetarë kooperativash apo të këshillave të bashkuar, veprojnë drejt, pasi këta i njohin mirë hallet dhe punët e fshatit. Ama këta, jetën e qytetit nuk e drejtojnë dot, sepse s’kanë fare haber. Ndaj vetvetiu do përhapin zakonet dhe sjelljet katundare. Nëse më lejohet të pyes, meqë rruga na takoi: tani që të zuri rrota bishtin, ç’punë të kanë caktuar”?…Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016