Nga Ahmet Bushati
Pjesa e dytë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
PJESA E I-rë
FILLË BIOGRAFIE TË BREZIT TIM
Në ç’ka e pashë unë ma s’parit madhështinë e atdheut tim?
E pashë madhështinë e atdheut tim, qysh kurse mësuesi i klasës sẽ parë fillore, Ahmet Çaku, bashkë me germat ma të para të abetares, na pat mësue të këndojshim “Hymnin e Flamurit”, shpesh herë tue na e pasë shoqnue edhe me violinë. Madhështinë e atdheut unë dhe moshatarët e mi, do t’a shifshim përsëri në vjershat e këngët me përmbajtje patriotike, që mësuesit e nderuem dhe atdhetarë të asaj kohe, të formuem si mbas traditës së rilindësve që ishin, do të na i mësojshin me aq kujdes e dëshirë.
Tue kalue mandej nga nji klasë në tjetrën, ata do të na flitshin për ilirët, Skënderbeun e luftat e tij për liri; për Ismail Qemalin, që në Vlonë kishte ngrijt flamurin kombëtar; për dëshmorë që kishin ra në mbrojtje të tokave tona, tue pasë ba që ne, në të gjithë këto raste, të ndërtojshim me përfytyrim skena mbas skenash me lufta e fitore e, si të thuash, vazhdimisht të zotoheshim në heshtje, që kur t’u rritshim, t’iu gjindshim atdheut sa herë që ai do të kishte nevojë për ne, njashtu si ata fatosa, për të cilët po na flitshin mësuesit tonë.
Madhështinë e atdheut do t’a shifshim edhe ndër raste festash kombëtare, në kostumet “kuq e zi”, që nxanës e nxanëse të shkollës së Perashit vishshim në atë ditë të shënueme, me flamurin me shtizë të ndritshme që do të na printe për te Bashkia, ku do t’ u mblidhshin popull e shkolla tjera të qytetit; në valëvitjen madhështore të flamujve ndër ballkonet e godinave të mëdhaja të Prefekturës e Bashkisë, si dhe të dyqaneve vend për vend; në fjalimet e zjarrta që në lavdërim të Shqipnisë u mbajshin prej personaliteteve të vendit; në marshet me kumbim të fortë të bandës së qytetit, që ndizshin edhe ma shumë atë atmosferë feste, e në vazhdim, në mbramje, në ndriçimin vezullues të dritave të shumta në qendër të qytetit e para Bashkisë, e sidomos për gëzimin që na jepshin fyshekzjarret kur ata të çajshin qiellin e errët mbi krenat tonë.
Madhështinë e atdheut do t’a shifshim gjithashtu edhe çdo të hanë në mëngjes, kur para se me fillue orët e mësimit, nxanës e mësues, me në krye drejtorin e respektuem Et’hem Osmanin, të rreshtuem përmbas flamurit e në qëndrim gatitu, do të këndojshim me seriozitet e krenari “Hymnin e Flamurit”, e mbas tij, atë të Mretit Zog i I-rë, tue pasë shërbye edhe ky rast për t’iu përkulë me ma të naltin nderim atdheut e Mbretit.
Kështu pra shkolla, nga njena anë, dhe familja, në anën tjetër, e cila na kishte edukue rreptësisht si mbas traditës, kishin ushqye ndër ne ato ndjesi e nisë me formue atë karakter, që kur Italia fashiste të pushtonte Shqipninë, ne edhe pse ende të vegjël, do ta ndjejshim peshën e atij pushtimi, e me kalimin e kohës, edhe të luftojshim për lirinë e vendit në mënyrën tonë, ndërkohë që ma të rritunit, për njatë edukatë të marrë disa vite para nesh, asaj lufte do t’i kushtojshin energji e vlera të rralla morale, jetë gjithashtu, me mija e mija.
Çfarë vërejta unë në vigjilje të pushtimit të Shqipnisë, prej Italisë fashiste?
Në prag të pushtimit të Shqipnisë prej Italisë fashiste, studentët e gjimnazit, të primë prej profesorit nacionalist, Alush Leshanaku, disa ditë me radhë do t’u mblidhshin para prefekturës e të kërkojshin armë për të luftue agresorin që pritej t’u shfaqte prej orës në orë, ngjarje që edhe ne, ndonëse ende vocrrakë të shkollave fillore, do të dijshim me i përjetue, jo vetëm me frikë e trishtim, por edhe me dhimbje.
Në njenën prej atyne mbasditeve të fundit para pushtimit, ndërsa në qendër të lagjes tonë të Perashit, ishin mbledhë si zakonisht grupe-grupe të rinjsh e fëmijësh, papritmas u pa se nji tufë e madhe prej ndoshta qinda sorrash, po lëvizte në pështjellim të madh sipër do manash që atëhere u ndodhshin përballë nji rreshti të vogël dyqanesh, në qendër të lagjes.
Nji pamje e tillë e pazakontë dhe e çuditshme, tërhoqi vëmendjen e të gjithëve sa qenë aty. Kureshtja nxori prej dyqaneve të zotët e tyne bashkë me ndonji blerës të rastit e, pikërisht njeni prej këtyne të fundit, papritmas do të thyente heshtjen e thellë, që i kishte mbërthye të gjithë.
Ai burrë, si vërejti e vërejti me fytyrë të prishun lëvizjet e çrregullta dhe akrobatike të atyne sorrave të shqetësueme shumë, foli me ton të vendosun: “Këto sorra ndjellin luftë”, dhe u largue tue lanë të ngulitun në mendjet e të gjithëve idenë e frikshme të luftës.
Kund mbas nja dy ditësh, nji paradreke me diell – ndoshta dita 5 prill 1939- mbi qiellin e kthjellët të qytetit tonë, po kalojshin në formë demonstrative tetëmbëdhetë avionë të huaj, që me atë rast, lëshuan edhe do fletushka, me të cilat, siç do të merrshim vesh ma vonë, italianët kërkojshin me përligje para shqiptarëve pushtimin e vendit tonë, tue e paraqitë atë akt si gjoja “çlirim prej tiranisë së Ahmet Zogut”, e kjo si mbas nji deklarate sa naive aq edhe të papërgjegjshme, që kishte nënshkrue nji grup i të arratisunve shqiptarë, të mbledhun për atë qëllim në Grenoble të Francës.
Edhe në këtë rast, njashtu si dy ditë ma parë, do t’u gjindte përsëri nji tjetër burrë, që i ndodhun mbrenda nji turme njerëzish të mbledhun përsëri në qendër të lagjes, do të ndërhynte me za të naltë: “Këta avionë, janë ndihma që na vjen prej Jugosllavisë”, gja që u besue menjëherë prej të gjithëve, tue u çelë fytyrat e tyne të vranta deri atëherë. U gëzuem edhe ne fëmijët që përnjiherë lëvizëm tue u hedhë andej e këtej e tue bërtitë me të madhe si në kor: “Na ka ardhë ndihma prej Jugosllavisë, na ka ardhë ndihma prej Jugosllavisë”!
Unë, nga ana e ime, tue besue se ai lajm i gëzueshëm do të kthente edhe nji herë në jetë gjyshen time të sëmurë qysh prej disa ditësh, – e cila nji natë ma parë, tue e pasë pa vedin në prag të vdekjes, i pat lanë babës “sylyzin” – testamentin – u lëshova me vrap drejt shtëpisë, dhe kur u futa në dhomë me frymë të marrun, i thirra fort: “Nanë, nanë – nanë, – e thirrshim ne fëmijët gjyshen – na ka ardhë ndihma prej Jugosllavisë”, fjalë që ajo me siguri, as që i muer vesh, por që si gjithmonë, do t’u mjaftonte tue më drejtue me za të bjerrun, urimin e përditshëm “T’marrsha t’keqen!”.
Nuk do të shkonte gjatë e në rrugicën tonë “Danej”, do të hynte me ngut e shqetsim të dukshëm Muhameti, student gjimnazi e në nji rrugicë me ne, që tue iu drejtue Dritës, – edhe ajo studente si ai e, me shtëpi ngjitë me tonën – t’i thonte gjithë emocion: “Dritë, shumë shpejt nuk do të përshëndetemi ma me ‘Mirëdita’, ‘Mirupafshim’, etj., por me ‘Buongiorno’, ‘Arrivederci’! etj., sepse italianët që po hyjnë në Shqipni, po flitet se ne studentëve, nuk do të na i lejojnë përshëndetjet në gjuhën tonë”!
Drita, motër e dëshmorit të ardhshëm, Bardhosh Danit, nga ana e saj, e tretun në fytyrë prej fjalëve të Muhametit, shqiptoi me dëshprim vetëm fjalët; “Mos, mos mor Muhamet”! e dredhoi përmbas deret të oborrit të shtëpisë sẽ saj, me nji gja të madhe qe pat para duarsh, si të donte me mbulue nji vaj që ishte gati me i shpërthye. Nuk do të kalonte veç pak kohë, e para shtëpisë tonë do të ndalonte nji karrocë-pajton- që nanën me ne femijët, do të na largonte prej lagjes tonë të Perashit, e ndodhun jo larg kodrave, ku u besonte se do t’u zhvillojshin luftimet, për në lagjen “Rus”, te nanëdaja, që u mendonte si jashtë rrezikut.
Të nesërmen paradreke, ndërsa ne fëmijët po luejshim para shtëpisë së nanëdajes, papritmas ndigjuem me tronditje breshni të pandërpreme mitrolozash që vijshin nga ana e kodrave dhe kalasë. “Italianët që dojshin me kalue Urën e Bahçallekut, kishin ndeshë në rezistencën e ushtrisë shqiptare”, ishte lajmi që solli, jo pa tronditje, djali i dajës, në kohë që edhe ai po shpejtonte për t’u futë në shtëpi e, pikërisht në kuzhinën e vogël të nanëdajes, ku veç saj, nanës, tezes, nuses së dajës e nji bije të saj, si dhe të ndonji vajze tjetër të rritun, me shtëpi diku aty afër, do të ishim edhe na të vegjlit, që me krena përpjetë, shikojshim si me frikë e çudi fytyrat e trishtueshme të grave e vajzavet, të cilat, tue u dridhë e me lot ndër sy, shqiptojshin njiherit e me ritëm të shpejtë do versete Kur’ani në arabisht, të cilët, si punë refreni, herë mbas here do t’i alternojshin në shqip si: “O Zot, o Zot i madh, na pshto”! e kishte raste që nanëdaja e vetme të vazhdonte me tonin autoritar të zanit të saj: “O Zot i madh, pshtoje ymetin (njerzinë) tand”!
Kur në nji vakt të mbasdrekës breshnitë e mitralozave filluen me u rrallue, na ndigjuem prej ma të rritunve se luftimet po shkojshin drejt fundit të tyne, e sidomos kur mbrapa pamë me sytë tonë, grupe ushtarësh, që të lodhun e me fytyra të dëshprueme, po u kthejshin drejt kazermave për me dorëzue armët, edhe ne e kuptuem se lufta mund të kishte përfundue.
Në këtë rast, na do të ishim edhe dëshmitarë të ndonji skene të shëmtueme, kur ndonji ushtar, tue mos ndie ma asnji detyrim ndaj atdheut e, sidomos ndaj shtetit, në shkrehje e sipër, s’mendonte për tjetër, veç si të gjente nji matrapaz, me të cilin të ndrronte msheftas rrobat e tij ushtarake, me ato të tijat civile, tue lëndue me atë rast edhe ndër ne të vegjlit, nji ndjenjë të papërcaktueme sedre e keqardhjet.
Në vazhdim, ne do t’iu afrojshim me kureshtje nji grupi ushtarësh të porsa kthyem prej frontit të luftës, të cilët, të lodhun e të mërzitun siç ishin, u ulën për të pushue aty në fushë, fare pranë rrugës. Kishin lëshue para vedit pushkët e tyne të gjata dhe me mjaft dëshprim, po i tregojshin nji qytetari, për rrjedhën e hidhun të luftimeve.
Ndërkohë nji djalë i ri e me pamje sportive, i veshun krejt me të bardha, zu vend pranë tyne e nisi t’i pyeste nëse te Ura e Bahçallekut e kodrat përreth, vazhdojshin luftimet apo jo, dhe ndërkohë, ende pa pasë marrë prej tyne nji përgjigje të qartë, sa çel e mbyll sytë, ai ua rrëmbeu atyne njenë pushkë, e me të në dorë, u nis me vrap tue thirrë përgjatë rrugës: “Kush asht burrë, o sot, o kurrë”! Ai burrë që u ndodhte aty qysh para tij, do të sqaronte se personi në fjalë, ishte sportisti i famshëm Nazim Osmani, emnin e të cilit e kishim ndigjue edhe na fmijët, si sportisti ma i përmendun në Shkodër, që duhet të ishte në atë kohë.
Pak para prendimit të diellit, nji turmë njerëzish të bashkuem mes tyne prej rrugës e qëllimit, ishin nisë për me ba plaçkë ndër kazermat e ushtrisë. Përmbas tyne u vumë të ecshim edhe na, si fëmijë që ishim. Rreth nja njiqind metra pa arritë te hymja e kazermave, turma ndaloi, sepse nji oficer që duel prej mbrenda gjithë zemrim e, me nji pushkë të gjatë në dorë, e sidomos kur ai lëshoi dy plumba gjoja në drejtim të turmës, të gjithë u larguan në panik.
Të nesërmen, në shtëpi të dajës, do të ndigjojshim t’u fliste për rezistencën e treqind postrribësve me Adem Haxhinë e tyne në krye, diku ndër kodrat e Bërdicës; për vrasjen e nji oficeri italian në hymje të Urës së Bahçallekut; si edhe për episode të tjerë sporadikë, që ma tepër se luftë, kishin qenë manifestime patriotizmi prej anës së ndonji grupi njerëzish, ose individësh të veçuem.
Reagimi jonë ndaj pushtuesit
Të nesërmen paradreke, ne do të shikojshim se si ushtarët italianë, “bersalierët” – që në luftë ishin pararoja e ushtrisë italiane- e që atë ditë, të hypun mbi motoçikleta ushtarake dhe me helmeta mbi krena, – në majën e të cilave u varshin nga nji tufë puplash të zeza- po përshkojshin si në paradë edhe rrugën e lagjes “Rus”, që ishte e fundit për qytetin, e po u largoheshin për në drejtim të Koplikut, tue pasë marrë me vedi pikllimin e nji populli që përgjithësisht, po i ndiqte me shikim të heshtun, por të zemruem.
Do të kalonte nji kohë prej rreth dy vjetësh, që unë e moshatarët e mij, të kishim kalue nga shkolla fillore në lice, me sistem tetë-klasësh, kohë kur në njifarë mënyret, do të zente fillë edhe reagimi i jonë ndaj pushtuesit, në ato forma që na i lejonte mosha. Individualisht ose në marreveshje me shoqi-shojn, reagimin tonë të parë na do ta shfaqshim, tue mos iu bindë urdhnesave që vijshin prej nalt për drejtorin italian, Aldo Onetti, që si i tillë, do të na kërkonte zbatimin e tyne.
Kështu, disa prej nesh, nuk do të pranojshim me nderue me dorë “alla romana”, nuk do t’u këndojshim ato hymne fashiste që nji profesor italian kërkonte me na i mësue simbas programit që kishte, e në vazhdim, do të bojkotojshim edhe pjesëmarrjen e detyrueshme në dy “Mbasditet Fashiste” të javës, mbrenda nji formacioni, i quejtun “Balila”. Në këto “dy mbasdite”, na u kërkonte të vishshim uniformën e balilit, që u përbante nga nji bluzë e zezë, pantallona të shkurtë në ngjyrë bari, këpucë alpine, kapuç i zi, në majë të të cilit u varte nji fjongo në ngjyrë qielli që zbriste deri poshtë qafës me nji tufë thakësh të zezë mëndafshi, e së fundi, përsëri në ngjyrë qielli, do të ishte edhe nji shall po i mëndafshët, që mbasi t’u rotullonte rreth qafës, do të pushonte në trajtë trekandshi poshtë saj.
Italia fashiste, si shtet militarist që ishte, studentët e liceut, simbas moshës, i kishte nda në tre formacione paraushtarake: në “balila” përfshinte studentët e klasave të ulta të liceut; në “avanguardisti”, ata të klasave të mesme të tij dhe në “giovani fascisti”, studentët e klasave ma të nalta. Nga nji formacion i tillë ushtarak, nuk u përjashtojshin as vajzat e shkollës normale “Donika Kastrioti”, që u vishshin me bluza e funda të zez’, si dhe tue pasë nga nji kapuç të bardhë mbi krye.
Në tremujorin e parë të vitit shkollor, për të cilin flasim, atyne studentëve që kishin bojkotue “Mbasditet Fashiste”, u qe thye nga nji notë në sjellje, dhe në të njajtën kohë, qenë paralajmrue se në rast përsëritjet, gjatë tremujorit mbasardhës, do t’u përjashtojshin nga shkolla. Lidhun me sa ma sipër, qenë thirrë në drejtori të gjimnazit, prindët e nanësve në fjalë. Përfundimisht unë dhe disa të tjerë, qemë detyrue të bajmë kthesë, por jo të plotë, sepse ato mbasdite na do t’i ndiqshim prej frikës se mos u përjashtojshim prej shkollës, por ndërkaq, uniformën e “balilit” do t’a vishshim pjesërisht, tue pasë lanë në shtëpi ma së shumti, “bluzën” ose “kapuçin”, që ishin të zezë, pra të simbolit fashist.
Për nji gja të këtillë, do të vazhdojshin të na hiqshin vërejtje udhëhëqësit e rritun italianë, të veshun oficerë, që megjithatë, do t’u tregojshin, si gjthnji të durueshëm e mjaft të sjellshëm, edhe me ne. Ndërkaq prindëve tonë, as që u shkonte ndër mend se ne fëmijët e tyne, t’i ndigjojshim me interes sa herë që ata mbramjeve, në bisedat e tyne me miq e të afërm, të flitshin vazhdimisht kundër Italisë. Im atë në atë kohë kishte të internuem në Itali, dy nipat e tij, Xhemal e Galip Jukën. Ndër të tjera, mbaj mend se si ata, në kësi rastesh, – ende pa pasë hy në luftë Bashkimi Sovjetik – flitshin me indinjatë për pushtimet e Italisë e të Gjermanisë në Afrikën Veriore e, me simpati të veçantë për popullin e vogël finlandez, që në atë kohë po i bënte rezistencë sulmit të Rusisë së madhe e bolshevike.
Kishte raste që bisedat e tyne t’mos u mbyllshin për pa u pasë gjetë ndonjeni, që si me ironi e tue qeshë, të shtonte: “Po, por Duçja me folë të drejtën, po na mban me bukë grunit”, si të donte me vue në dukje, se Italia, pamvarësisht pushtimit, ia kishte tretë farën bukës së misrit që deri para pak kohe kishte mbajtë gjallë përgjithësisht popullin tonë, e ndoshta personi në fjalë, përmes bukës, aludonte edhe për ekonominë që në përgjithësi, në atë kohë, kishte nisë t’u gjallnonte në mënyrë të dukshme për të gjithë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016