Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e tridhjeteshtatë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Sipër në krye të sheshit, “Korroziu” u fut në një barakë dërrase, ndërsa unë jashtë prisja udhëzimet. Mbas dy minutash që nga pragu i derës, ai më bëri shenjë t’i afrohesha. Shkova atje. – “Mos doje edhe një kafe me dorë në zemër zotërote, që po më rrike kaq serbes? Ça pret mo, të të ftojnë me ceremoni!? – më qortoi me ironi”. – “S’të kërkoi kush kafe ty! – ia ktheva gjithë mllef.- Po edhe të ma jepje’ s’do ta pranoja kurrë nga surrati yt i qelbur”! – e pashë hidhët. Ndoshta s’e priste këtë mënyrë reagimi, se vura re që u tkurr, pastaj me sforco, m’u ngërdhesh: – “S’ta thashë në atë kuptim, po doja të bëja të qartë se këtu jena për punë”! – e zbuti. E kuptova, u tremb. Tani e prapa doja ta shfrytëzoja epërsinë që më dha biruca. Nëpërmjet miqve mësova opinionin e përhapur në kamp, se për gjithë ta që dënoheshin për rrahje si puna ime, thuhej:
“Duhet ruajtur se ku i dihet, këta allçak s’e kanë për gajle, të ta japin edhe ty një lopatë kresë dhe hajde gjeje të drejtën pastaj”! “Sa për fillim, mësimet ala Muharrem Dyli, po më dalkan të hairit, të parë e me të bërë! Rëndom këta tipa kështu e duan, sepse po të vunë përpara, hajt t’i mbash pastaj”! E ndjeva se kokëfortësia ime e kish bërë efektin. – “Eja brenda”! – më ftoi zë ulët korroziu që zgërdhihej ende. – “Dëgjomë me vëmendje tani: këtu në brigadën time, vetëm tri veglave u bihet; kazmagofonit, karrocofonit dhe qyrekofonit, s’ka të tjera. Meqë ti je miku i Vaskës, që është edhe miku im, po të jap mundësinë të zgjedhësh. Je tek i ke, o karrocën, o qylyken, o qyrekun.
Po unë të këshilloj qyrekun, meqë je më i njohur për atë! – më zgjati një bisht, që e shoqëroi sërish me një zgërdhitje kuptimplote. – Jo se ka punë të lehtë këtu, po karroca me këtë rrotë druri kaba, është shumë e rëndë, gjithë ditën të çjerrë veshët krriq-frriq. Ama kazma është edhe më e rëndë akoma, se vendi është shkëmb dhe hajde çpoje me qylyke, lopata është pak më e lehtë, se fundja po s’pati material të gërmuar, s’ke ç’ngarkon. Më kuptove”? – dhe u ngërdhesh sërishmi si servil. – “Besoj, po”! – kapa bishtin që më zgjati e dola jashtë. S’e dija tamam ku duhej të paraqitesha, sepse grupet ishin tre vetash. Ata punonin prej kohësh me njeri tjetrin, kurse unë si i ri aty, ende s’kisha ndonjë grup të përcaktuar, kështu prita korroziun.
Disa metër më tej, nja dhjetë dymbëdhjetë persona, çapiteshin e llafosshin. Në ca karroca druri, kishin hedhur veglat e punës që binin në sy, vetëm nga bishtat mbi spond, po se ç’ishin konkretisht, s’i shquaja dot. Brigadieri bëri drejt tyre, unë pas tij. Kur u afrova i përshëndeta me një “mirëmëngjes” të thatë dhe u mbështeta në bishtin e lopatës e ndenja pak i veçuar. “Korroziu” diç foli ta, po se ç’tha konkretisht s’e dëgjova, pastaj pashë njërin të shkëputej grupi e të vinte drejt meje. Ishte një burrë katana, rreth pesëdhjetë vjeç, me mustaqe të spërdredhura, po jo shumë të gjata, me trup pak të kërrusur nga pesha e vuajtjeve apo e motive, përshëndeti: – “Po si je, bre djalkë! Nga të kemi”? I thashë kush isha dhe nga isha. Ai qeshte dhe shakatosej:
– “T’ma gëzosh qyrekun, po sa lezet të paska bre! Pa shikoni bre mia sa besim paska Partia ne ky, menjëherë ia dha allatin”! – dhe vazhdoi të qeshej me të madhe. Më mërziti ky debil, u bëra gati t’ja ktheja kur ndërhyri një nga grupi më tej: – “Lëre, o Xhelal bej! Eja, afrohu”! – m’u drejtua mua. – “Mos ua vër veshin llafeve të Xhelal beut”, kështu e ka ai! – sikur kërkoi falje për gjestet e parafolësit. – “Dale bre, a e njeh tinë këtë, o Xhavit? Jo, s’e njeh, pusho e mos fol! Ky është ai djalka i qyrekut, bre”! – shpjegoi mustaqja duke tundur duart në hava. – “Cili the”? – “Ai bre, që e bëri atë b…q…të hajë m… e vet! Dhe më pas, bëri një muaj birucë për qyrekun”! – vazhdoi llomotitjet mustaqe miu.
– “Oh-ho-oh-h, pse ore, ai je ti! – m’u drejtua i habitur Xhaviti. – Po afrohu mo, se ti je joni”! Gjithë grupi ktheu shikimin nga ana ime. – “Ki djali, është më të vërtetë i ini”! – u hodh një trashaluq me dialekt gjirokastriti. M’u krijua mjedisi, duket më mirëpritën sepse të gjithë po më buzëqeshnin dhe më shtrënguan dorën përzemërsisht. Brigadier “Korroziu”, më caktoi të punoja në grup me Xhavit Murrizin, një bujk nga fshatrat e Kavajës dhe Tafil Tafanin, një shakaxhi çapkën, mustaqelli; edhe ky bujk nga fshatrat e Dumresë. Pra, edhe pse s’kisha haber nga puna, tani kisha edhe unë grupin tim.
Si fillim bëmë njohjen. Më pyetën dhe i pyeta nga ishin, pse i kishin dënuar dhe të zakonshmet e rastit, pastaj nisëm punë Secili me veglën e tij. Tafili rrëmihte, unë ngarkoja me lopatë dhe Xhaviti shtynte karrocat deri te rrëpira, rreth njëqind metër larg. Vazhduam kështu deri nga mesdita. Kur ra çanga për pushim, nxorëm bukën e mbështjellë me letër thasësh çimento, hëngrëm atë çapë thatë, ndezëm nga një duhan ndërkohë, më prezantuan me grupet fqinjë. Meqë ishin të parët që më mirëpritën, po i përmend të gjithë me radhë: Gjirokastriti ishte Profesor Agim Musta, që do të bëhej edhe mësuesi im i historisë dhe mik i imi, edhe sot pas dyzetedy vjetësh. Ish dënuar me grupin e Pjetër Arbnorit, për krijimin në ilegalitet të Partisë Social- Demokrate.
Profesor Vangjel Kule, bashkëqytetar i imi, ish-mësues gjeografie në shkollën Pedagogjike “Babë Dudë Karabunara”, i dënuar në fillim-vitet gjashtëdhjetë, me grupin e mjekut Thoma Dardeli. Por në ndryshim nga pjesa tjetër e grupit, që u ndëshkuan për krime ordinere, mbi Vangjelin u stisën akuza politike dhe përfundoi armik i Partisë. Do bëhej mësuesi im i gjeografisë, po dhe miku im i afërt, deri sa vdiq mbas viteve nëntëdhjetë. Asistent profesor, Richard Richy, shqiptaro-amerikan i ardhur në Shqipëri në shoqërinë e s’ëmës. Ajo në fillim të vit 1945, erdhi t’i gjendej pranë në grahmat e fundit nënës saj, në Korçë. Por mbas vdekjes së plakës, mbetën nënë e bir në Shqipëri, ngaqë s’i lejuan më të largoheshin në Amerikë te njerëzit e tyre të dashur.
Kështu do përfundonin, nëna nën varr dhe djali në burg, ku mbas rreth tridhjetë vitesh vuajtje, në 1988, do përfundonte edhe ai, në varrezat e të dënuarve, në Shën Vasi. Edhe ky do bëhej mësuesi im i gjuhëve të huaja dhe do ruanim miqësinë sa kohë mundëm. Mësuesi Marko Popoviç, nga Vraka e Shkodrës. Një burrë i dobët, përherë i sëmurë, i cili ish dënuar për agjitacion dhe do vdiste para demokracisë. Gjithashtu edhe nga ky përfitova shumë, sidomos në shkencat ekzakte, matematikë e fizikë. Kosta R…, një minoritar nga Mursia me profesion shofer, mjaftë i shkathët dhe shumë inteligjent, artist i vërtetë, pati fund të dhimbshëm. mbas një izolimi të dhunshëm, pësoi traumë psikike dhe më pas s’e fitoi drejtë peshimin mendor, deri sa në vitet tetëdhjetë, u gjet i mbytur në Bistricë. Kisha marrëdhënie shumë të afërta me Kostën, edhe pasi shkau nga “binarët”.
Hajri Pashaj, një djal nga Hekali i Mallakastrës rreth të tridhjetave, muzikant brilant, ishte kënaqësi e veçantë ta shihje tek luante në bateri, çdo moment do ta dëgjoje, o të këndonte, o duke fërshëllyer lehtë motive të këndshëm. Pati fund tragjik, por të lavdishëm. Në revoltën e Spaçit, më 22.5.1973, do përplasej ashpër me bashkëfshatarin e tij, ish zv/ministrin e Brendshëm, Feçor Shehun dhe do përfundonte i ekzekutuar, sot pa varr. Si krahinorë, kishim shkuarje shumë të mirë. Xhaferr Dema, një dibran i tiranizuar, burrë rreth të gjashtëdhjetave, qefli pijeje, aq sa shkëmbeu unazën e gruas, me një shishe raki kumbulle. Ishte shumë hokatar, edhe në momentet më të dhimbshme, dinte të ngrinte moralin dhe humorin e të tjerëve.
Policët injorantë e ngatërronin shpesh me ish-ministrin e Brendshëm shqiptar të viteve të invazionit gjerman, Xhaferr Devën dhe për këtë, e kish pësuar disa herë. Deri sa sqarohej problemi, Xhafa priste i lidhur pas shtyllës në rrugën e “Golgotës”. Isha shumë mik me Xhafën, i cili me shaka më thoshte: “Çuno, kur të bjerë rruga n’Tironë, baj nja dy çapa te kafja e Xhafës, të kthejmë nja dy-tri teke”! Mujë Balaj, një burrë i qeshur rreth tridhjetepesave, nga familjet më të mira të Mbishkodrës, mjaft i dashur e korrekt me të gjithë. Edhe me Mujën lidhëm miqësi të ngushtë.
Xhavit Murrizi, nga fshatrat mes Kavajës dhe Lushjes, ishte punëtor i palodhur, njeri i sinqertë, baballëk siç thuhet, i dashur dhe i shkueshëm. Edhe me Xhavitin pata miqësi të gjatë. Tafil Tafani, ishte pinjoll i denjë i fisit të shquar Tafani, i njohur në gjithë zonën e Dumresë, po dhe më gjerë në qarkun e Elbasanit. Nga ky fis kishin dalë trima, saqë në çdo eveniment të rëndësishëm kombëtar, do ishte prezent patjetër një Tafan. Tafili ishte në burg bashkë me djalin e xhaxhait, Rakipin, një burrë moshatar me adete të vjetra. Të dy ishin model i burrave të besës. Kishin përkrahur luftën kundër pushtuesve, ishin rreshtuar me partizanët, po kur nisi zbatimi i reformës agrare dhe më pas kolektivizimi, shpejt do zhgënjeheshin.
Gjatë fundviteve dyzet dhe fillim-viteve pesëdhjetë, përpjekjet e nacionalistëve u intensifikuan, Tafanët u bënë strehë dhe jatak për ta, por lojërat e kundërspiunazhit britanik dhe rus, me Kim Filbin, bënë që shumë nga këta nacionalistë, miq dhe bujtës të Tafanëve, të futeshin ne kurthin e Sigurimit të Shtetit. Ky qe fundi i tyre dhe përfundimisht mbi fisin e shquar, ra pa mëshirë shpata e luftës famëkeqe të klasave. Burrat e këtij fisi, e panë veten në burgjet politike. Pra, Tafili si bartës i denjë i këtij llagapi, mbante lartë emrin dhe dinjitetin e të parëve të vet. Ai ndihej krenar, se ishte burri me mustaqet më të mëdha në burgje’ për të cilat kujdesej veçanërisht. Me Tafilin u miqësova shpejt, falë njohjeve e miqësive të përbashkëta.
Jo më kotë e lashë të fundit Xhelal beun. Xhelal Cenko, ishte një fshatar i thjeshtë nga Starja e Kolonjës. I përkiste një familjeje nacionalistësh, që për disa breza kishin shërbyer në dyert e mëdha të bejlerëve të zonës. Ai mburrej, se një katrgjysh i tij, kish qenë fresnik i Zylyftar Podës dhe, se vetë Zylyftari, na i paskësh dhënë titullin bej, që stërnipi, me sakrifica të pabesueshme e të pa rrëfyera, përpiqej ta trashëgonte me nder. Kur e njoha Xhelalin, vura re se ish paksa i mangët, po shumë krenar. । Krenaria e kish burimin te trashëgimia dhe shkonte, deri në vetëmohim. Xhelali ish në burg përsëdyti. Herën e parë e kishin dënuar fill pas luftës me njëqind e një, si anëtar i çetës së Safet Butkës; po falje mbas faljesh, pas një duzinë vitesh, u lirua.
U kthye në fshatin e tij dhe u martua. Mbas një viti i lindi djalë, por ky ogur i mirë, iu prish nga lajmi i keq për krijimin e kooperativës. Ja kolektivizuan gjithë gjënë e katandinë, që edhe ashtu individuale s’kish qenë ndonjë prokopi kushedi. Titullin “bej”, s’e kishte real, po të mbetur rudiment që nga koha e Tanzimatit, kur këta tituj kishin pësuar inflacion. Pra, një pseudo-bej i rënë nga vakti, që edhe atë pak pasuri: dy ara, dhjetë dhi, dy qe, ia morën dhe si përfundim i mbeti gomari, gruaja, djali dhe titulli honorifik. Ekonomia e Xhelalit mori rrokopujën. Me gomarin e tij me zor nxirrte bukën e gojës, me një barrë dru që shiste në qytet. Përpiqej të kullundrisej me bimë mjekësore, që i mblidhte maleve dhe përrenjve të fshatit, por gjithsesi, titullin rrekej ta mbronte me nder.
Kur shihte bashkëfshatarët çapaçulë të kapardiseshin nëpër tribuna dhe davete, ai veçohej prej të tjerëve: “Unë mbetem bej, ndaj s’mund të barabitem me ta. Me sa mund të bëhet buxhaku oxhak, aq mund të bëhet edhe harbuti pari”! gjykonte ai, dhe vazhdoi në të tijën. Presionit të komunistëve dhe rinisë së fshatit, i kundërvuri kryeneçësinë e xhinsit. Për këtë arsye, nisi njëfarë ndeshje e heshtur mes tij dhe harbutërisë komuniste, që me tmerrin e terrorit, donin të futnin nën hyqëm edhe hirin e vatrës familjare. Xhelali si burrë zamani, s’pranoi ta nxirrte gruan në punë fushe, siç u quajt organizimi në brigada. S’pranoi të bëhej as pjesë e fushatave propagandistike komuniste, madje me kokëfortësi mushke, i neveriste hapur këto metoda.
Mirëpo kryeneçësia kultivoi te ai vesin e mos përuljes, e konsideronte veten zotëri, pavarësisht se momentalisht zvarritej prapa bishtit gomarit. Kur e thërritnin: “Xhelal”, s’denjonte të kthente as kokën. Bënte sikur s’dëgjonte dhe vijonte rrugën; kur e thërritnin: “Xhelal bej”, ndalonte menjëherë, po të ish mbi samarin e gomarit zbriste, e sajdiste bashkëfolësit gjithë temena, me fjalët: “lepe”; kur i kërkonin një nder, ne stimë të veçantë përgjigjej: “peqe”, edhe sikur para tij të qëndronte një fëmijë dhjetë vjeç. Po ky njeri kaq xhentil, i edukuar e i sjellshëm, deri në shkallën më sipërore, sapo dikush e qesëndiste me apelitivin: “shoku Xhelal”, tërbohej e shpërthente si një enë nën presion. I ikte tepeleku i kresë, i kthehej kuturisësit edepsëz, me fjalor rrugaçësh, të ulët e banal si:
“Xhelali i sat’ëme dhe i tyt eti! O plehra! O pushta e bij putanash, të lënë nëpër stanet serbe dhe greke!” e tjera si këto. Grandomania për t’u hequr zotëri, i ish bërë obsesion, e kish kthyer të në një objekt humori e talljesh nëpër udhët e fshatit dhe në zyrat e kooperativës bujqësore. Ky veti-ves iu ra në vesh ustallarëve të Degës së Punëve të Brendshme, ë nisën endjen e rrjetës, që mandej të sajonin një grup armiqësor, që gjasme agjitonte rrënimin e kooperativës dhe mbillte urrejtjen, kundër arritjeve ë pushtetit popullor. Provokuan një mbledhje në qendër të fshatit, ftuan në oborrin e shkollës gjithë burrat e zonës. Por më parë instruktuan disa të rinj, që të cysnin Xhelalin, mandej hapën mbledhjen, me temë: “Lufta kundër mbeturinave feudo-patriarkale të së shkuarës”.
Në debat e sipër, të rinjtë drejtuan gishtin Xhelalit, si bartës i së vjetrës dhe i zakoneve prapanike, pastaj presidiumi i kërkoi shpjegim për qëndrimin e tij, me një fjalor të denjë për hamejtë: – “Shoku Xhelal, si do na përgjigjesh për këto akuza”? – ndërhyri sekretari byrosë, një lëngaraq ordiner, pa din e pa iman. Fillimisht Xhelali provoi të shmangte debatin, po kur provokatorët i përsëritën disa herë, s’duroi dot më, shpërtheu me sharjet dhe fyerjet pike për të: “Xhelali i sat’ëme dhe tyt eti,… etj.”! Bash në këtë pikë, mbledhja mori drejtimin që kish projektuar operativi, mbasi e lanë të shfryhej mirë e mirë, i vunë gjermankat mes mexhlisit dhe mbas një muaji, me një gjyq shembullor, i dhanë një dhjeçe!
Atëbotë e shoqja priste fëmijën e dytë dhe, pas tre muajsh burg, Xhelali u bë baba me dy djem. Kur mbërrita unë në Reps, ai donte më pak se dy vjet, të mbyllte dënimin e dytë. S’do ta kisha tjerrë kaq gjatë këtë histori, sikur të mos kish ndodhur edhe dënimi i tretë, po për të njëjtin motiv. Sapo doli nga burgu, të rinjtë të inspiruar nga Sigurimi, vazhduan provokimet në stilin e vjetër dhe mbas njëmbëdhjetë muajsh, e arrestuan sërish, po për agjitacion e propagandë. Mbasi shtoi familjen edhe me një djalë tjetër, i shtuan gjithashtu edhe një dhjetçe tjetër. Pra, la në shtëpi tre djem, që u rritën jetim, me baba në burg; rrjedhimisht edhe ata armiq, të lindur nga një armik. Pas dhjetëvjetëshit të tretë, do t’i taksnin edhe një dhjetçe të katërt.
Përfundimisht fshatari nga Starja, beu inflacionist, plotësoi dyzet vite burg. Dhe ai që e lashë pa futur në grup, mbetet brigadieri korrozi, Nashua. Ky ish një arumun, i dënuar me grupin e Teme Sejkos, që veç çamëve, të cilëve s’kish lënë gjyq pa u dalë dëshmitar, kishte marrë më qafë edhe shumë sivëllezër të tij, vlleh. Nasho Gërrxho, ishte figura më e diskretituar e komunitetit arumun, ai ishte personifikimi i së keqes por edhe tepër frikacak. Meqë një sivëllai i tij në vese, e kishte pësuar keqas, ai ndihej i terrorizuar. Kjo më dha dorë t’i bëja presion, me gjasme dhunën që mund të ushtroja edhe ndaj tij, gjë që as më shkoi ndonjëherë ndërmend. Por më mirë syri se nami, mua m’u dha rasti të hiqesha “garip” dhe e shfrytëzova. Të gjithë çuditeshin me sjelljen e butë, gati servile të Nashos ndaj meje, por e vërteta fshihej, pas hijes së një qyreku.
Kjo ishte ajo pjesë e brigadës, ku më caktuan të punoja, sepse brigada gjithë-gjithë, numëronte rreth shtatëdhjetë vetë, që më pas do t’i njihja e më njihnin të gjithë. Pa dashjen time, në saj të një qyreku, u bërë pjesë e “brigadës rebele”, siç e thirrnin atje, apo në brigadën më homogjene të Repsit, përsa i përket anës moralo-politike. Në të kishte fare pak spiunë dhe shumë intelektualë, fushave të ndryshme, por edhe njerëz të zakonshëm, persona me integritet e karakter të sprovuar në rrjedhën e pafund të viteve të burgut.
Tani edhe dy fjalë për “qyrekun”. Për herë të parë këtë term e dëgjova nga një plak përmetar, kur lopatës që punoja, iu thye bishti. Ishin ditët e para në kamp, atëkohë isha me elektricistët, në “brigadën e tekahytëve”. Xha Takja pastronte udhën ndanë kanalit, që më kishin piketuar të hapja. Të gjithë e njihnin për plak sqimatar, që veglën e punës, e trajtonte si mëma foshnjën. Domethënë: me të mbaruar punë, e pastronte nga dherat e mbetjet e tjera dhe e lyente me graso të djegur. Në depon e veglave, lopata e xha Takes, kishte një vend të rezervuar vetëm për të. Njëkohësisht, meqë s’ia përtonte askujt dhe për gjithkënd e kishte përgjigjen hazër, e konsideronin plak zevzek, me huqe dhe xanxar, ndaj edhe i kishin vënë nofkën: “Take hazër-xhevapi”. Kjo edhe për shkak të arkaizmave, që përdorte, vend e pavend.
Pra, ditën kur më huajti lopatën, punonte shumë pranë kanalit që po hapja unë. Lopata që më kishin dhënë, qëlloi të ishte me bisht të krisur, ku për ta ngecur, i kishin futur një gozhdë. Sapo e zhyta në zhur, bishti më mbeti në dorë, kurse pjesa metalike me një copëz dru, ra në ulluk. Iu luta xha Takes të më huante lopatën e tij, po ai para se të ma zgjaste, më paralajmëroi: “Hap sytë djalo, mos më thyen ‘qyrekun’! Se ju çunat punoni rrëmujshëm, me sa fuxhut keni! Këpusni edhe hekurin, jo më drurin”! Gjithsesi, ma dha. Unë pastrova dheun e mbetur me terezi, kur do t’ia ktheja, e falenderova: – “Falemnderit xha Take, pleqëri të mbarë dhe dalsh shëndoshë e mirë”! – “Hejvallah, o bir, Zoti të dhëntë ymrë, që s’ma theve ‘qyrekun’”! – ma ktheu ai.
Emërtimi përsëdyti: “qyrek”, më intrigoi, ndaj pa pikë takti e pyeta: – “Çdo të thotë qyrek”? Ai më hodhi një vështrim mosbesues, sikur donte të thoshte: “Me kë do të tallesh ti”?! Po duket u bind se s’ia kisha me hile, ndaj m’u kthye seriozisht: “Ore, vërtetë s’e ditke që lopatës i thonë ‘qyrek’”?! – “Jo, ia ktheva, e dëgjoj për herë të parë”! – “Hëm…mirë, mirë”! – u mendua pak, pastaj shtoi: – “Qy-rek’, lop-atë!-’, p-at-a…, aa lopës ore’ Për Perëndi, s’ka mundësi! Ore, sheh ti ndonjë ngjashmëri mes lopatës dhe lopës, nga duhet të rrjedhë ky emër”? m’u drejtua mua. – “S’e kam vrarë mendjen ndonjëherë për këtë! Po ti, çfarë ngjashmërie shikon”? e pyeta beftaz.
“Jo, s’kanë ngjashmëri! Po, s’kanë si të kenë bre! Lopa na jep qumësht, kjo na nxori qumështin e nënës nga hundët! Lopa na jep mishin, kjo na e hëngri mishin një çik e nga një çikë! Lopa jep lëkurën për opinga, kjo na e rropi lëkurën! E more vesh nashti, pse s’duhet të rrjedhë lopata nga lopë! Për Allah, s’ka ngjasim! Kurse ‘qyrek’, ndryshon puna”! “Pse ndryshoka për ‘qyrekun’ dhe për lop-at-ën, jo”? – e nguca me kast. – “Ore, ‘qyrek’ duket ashiqare që vjen nga turqishtja”. – “Na shpjego kuptimin, o xha Take”! – sërishmi me shpoti unë. – “Kuptimin, çdo me thënë? Të them të drejtën edhe unë s’e di tamam, po me siguri, vetëm me lopën s’ka lidhje”! – e mbylli shpjegimin etimologjik xha Takja.
Natyrisht, ky shpjegim mjaft empirik, jo se më bindi fund e majë por, meqë atë çast s’po më kujtohej ndonjë sinonim tjetër, që t’i kënaqte atij shijen, e pranova. Më vonë këtë term, e dëgjova më shpesh edhe nga të tjerët, kështu s’më bënte më përshtypje dhe kur rastisi që lopata m’u bë armë vetëmbrojtëse, e pranova pa mëdyshje emërtimin; “qyrek”. Kaq, sa për kulturë etimologjike edhe pse pa fakte shkencore. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm