Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Një rrugëtim në kujtesë, kështu do ta përcaktoja këtë libër. Por nuk ka qenë i lehtë ky udhëtim i gjatë, i lodhshëm në kërkim të çdo detaji të harruar nga ajo kohë kur luhej me këpucë me taka sholle, me topin e lëkurës, fanellat pa sponsorë, si dhe rrëfimi me kujdes i një ngjarjeje, i një historie, i karrierës sportive të një personazhi, që në njëfarë mënyre kanë qenë pjesë e jetës sonë, bashkë me “Qemal Stafën”. Janë kujtime që rikthehen, episode, foto të bëra në kohë të ndryshme që rishikohen e që shoqërojnë një zinxhir me emocione të forta, si dhe shumë nostalgji. Një libër filtër për të kujtuar më të veçantën, më të bukurën, fragmente të së kaluarës së stadiumit kombëtar të vetëm shqiptar.
Një zhytje në detin e madh qemalstafas, një libër që të shoqëron në mënyrë kronologjike nga ngjarja në ngjarje, duke ofruar ndeshje, kampionë, data, gara, për t’ua rrëfyer kureshtarëve që nuk i kanë përjetuar dikur ato. Veçanërisht kjo për miq, kolegë, familje sportistësh, arbitra, atletë, rekordmenë, drejtues, gazetarë, radio-telekronistë, tifozë të tribunave A dhe B, ata kuqezinj, për brezat e shumtë, por edhe për të rejat e të rinjtë pasionantë. Edhe për mua, me një karrierë arbitrore mbi 20 vjet, me flamur e bilbil në atë stadium, përkrah emrave të mëdhenj, personaliteteve të gjykimit shqiptar, në shumë ndeshje të paharruara, përballje, sfida epokale.
Autori
Na ishte njëherë “Qemal Stafa”
Sa herë i kemi ngjitur e zbritur ato shkallë! Sa herë, të gëzuar, por edhe kokulur! Sa herë entuziastë, euforikë, me shumë shpresë, por edhe plot trishtim, dëshpërim! Sa rezultate, çaste brilante, por edhe zhgënjyese, dramatike na ka ofruar “Qemal Stafa”, ai stadium që ka qenë shtëpia jonë sportive! Si fëmijë, pastaj adoleshent, më pas i rritur, edhe unë jam një ndër ata që e kam frekuentuar si dëshmitar, kur, edhe pa biletë në xhep, i kërkonim dikujt: “O shok, më merr edhe mua”. Sa herë e kemi lënë biçikletën tek Ali Pazari, sa herë kemi ndenjur në radhë për një biletë, në diell, në shi, me çadër, në këmbë ose me një stol në dorë! Sa herë nga entuziazmi jemi përqafuar edhe me ndonjë të panjohur aty pranë e në kor kemi bërtitur “Goooool”!
Me topin në qendër të fushës, me emocionet e një goli ose të një rasti të humbur, aty kemi ëndërruar, fantazuar. Aty kam ndjekur skuadra shqiptare e të huaja shumë të famshme. Kam asistuar në ndeshje të mëdha, epike, finale, klasike, derbi, idhujsh, legjendash, goleada, por edhe disfata. Aty kam parë figura të mëdha të sportit kombëtar dhe ndërkombëtar, deri edhe Topa të Artë, kampionë të shquar në futboll. Aty kam njohur shumë fotografë, gazetarë, radio-kronistë, telekronistë, opinionistë. Kam parë tabelën prej dërrase të rezultateve, orën e madhe, më pas atë elektronike, daljen e futbollistëve, rreshtimin në mesfushë, shortin, pikën e 11-metërshit, portat, golat, stolat e rezervave. Pastaj vërshëllima e arbitrave për fillimin e lojës dhe fundin e saj; drejtorët e paharruar, punonjësit, bileta prerësit, tribuna A, B, ajo VIP, portativet, ajo karshi ose dhjetëshet.
Aty kemi kaluar orë, ditë, javë, muaj, vite, kemi lënë pak nga vetja. Ai stadium na ka hapur dyert, aty ku lindi pasioni, dashuria për një skuadër, që nuk ndryshoi asnjëherë. Aty kemi ndjekur spartakiada, kampionate, veprimtari atletike, me protagonistët, kampionët, rekordmenët e tyre. Deri edhe gara çiklistike. Sa emocione kemi kaluar që nga dita e parë, kur kemi ngjitur shkallët, e deri tek e fundit, kur i kemi zbritur ato, me dridhjet e zemrës, ankthin e pritjes: stadiumi i ëndrrave me energjinë që tejçonte, një stadium i të gjithëve ka qenë e për të gjithë do të mbetet dëshmitar, por edhe një vend frymëzues e si të tillë duhet ta kujtojmë: i gatshëm sa herë që situata e kërkonte! Nuk janë 10, as 50, as 100, por më shumë ngjarje që e kanë shoqëruar kombëtarin “Qemal Stafa” në 70-vjetët e jetës së tij. Ne përzgjodhëm vetëm disa prej tyre, të arkivuara në kujtesën tonë e të tijën.
Mirënjohje stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”!
Një rikthim emocional në epoka, ndeshje, takime ndërkombëtare me përfaqësuese, klube, sfida të famshme derbi, finale, përballje historike, etj.
Pas librave sportivë ”Emocione 1,2,3” dhe atij satirik, “Unë, Belul, megalomani i sportit”, gazetari, publicisti Uvil Zajmi na sjell botimin e tij të ri,“Na ishte një herë “Qemal Stafa” (Ngjarje që bëjnë histori). Një libër voluminoz, i pari që i dedikohet dhe na fton që si një album, film, ta shohim e të përjetojmë, duke kujtuar gjithçka që ka lidhje me stadiumin tonë kombëtar në 70-vite të karrierës së tij. Një rikthim emocional në epoka, ndeshje, takime ndërkombëtare me përfaqësuese, klube, sfida të famshme derbi, finale, përballje historike, kualifikime, goleadorët legjendarë, një aleancë e këtij stadiumi me skuadra, arbitra, trajnerë, fushën, pistën, atletë, sportistë, gazetarë, artistë, spektatorin, kampionë, rekorde, rekordmenë.
Mbi 170 ngjarje, që i referohen periudhës nga shekulli i kaluar, për të vijuar në atë aktual. Gjithçka e shoqëruar me informacion, detaje, kuriozitete dhe fotografi. Episodet kanë jetë, janë energjike, shumë prej tyre, ashtu siç shprehet vetë autori në hyrje i ka përjetuar nga afër. Nga veprimtaria e parë pas lufte, si garat e atletikës në shtator të vitit 1945, pastaj debutimi i futbollit, deri në atë mbyllës, vërshëllimën e fundit, maj 2016. Nga Vllaznia kampionia e parë, Ballkaniadat në futboll, atletikë, Lojërat me Dorë, Spartaku i Moskës, Levski, Dozha, barazimi 0-0 me Hungarinë, RDGj-në, sfidat ballkanike me klube, Norçepingu, Këln, Standard, Ajaks, etj. Fitoret ndaj Atdvidaberg, Çeltikut, pastaj kombëtarja, triumfi me Danimarkën, goli i parë i Krajës, takimet e paharruara, nga Irlanda, Gjermania, Belgjika, Greqia, Milan, Real, Spanja, Anglia, Bayern, etj.
Duke kujtuar, që në atë stadium, himni kombëtar është kënduar më shumë se në çdo vend tjetër. Nga Boriçi, Jareci, Spahiu, Fagu, Vathi, Xh. Demneri, Biçaku, M. Dibra, Llambi, Mirashi, Parapani, Gjinali, Vogli, Resmja, Pano, Janku, Zëri, Përnaska, Bizi, Rragami, Zhega, Kaçi, Musta, Minga, Kola, Muça, Murati, Çeço, Dibra, Demollari, Kushta, Fortuzi, Bogdani, Tare, Rraklli, te Begeja, Hatibi, Balluku, Stefanllari, Demiraj, Jegeni, Mazniku, Bajraktari, Toska, Bebeziqi, Mulla, Ruli, Papuli, Driza, Afezolli, Alia,Kacagjeli, Dimraj, M. Ranxi, Sh. Spahiu, Z. Frania, A. Duli, L. Markolaj, Pronjari, Evro, Spaho, Moçka, Gjini, Duli, Shala, A. Dani, Preka, Nih Çin Çini, Bubka, Koe, Menea, arbitrat Toptani, Shala, Kuka, Dervishi, Karapici, Kotherja, Pregja, etj. Nga Mazreku, Bellova, Këlliçi, te Shqarri e Grillo, apo çiklistët me B. Agalliun në finishet e paharruar deri edhe sfidat e boksit, ato ndërkombëtare të kohës.
Nga Samaranç te Johanson, Blater; nga Best, Krujf, Bekenbauer, Overat, Myler, Netzer, Xhaiç, Rumenige, Ferguson, Platini, Boniek, Baxhio, Rosi, Ibrahimovic, Eusebio, Figo, Guardiola, te goli i mohuar i Gjinalit me RFGj-në, F. Vokrri, Topat e Artë që kanë shkelur në atë stadium, nga i pari Suarez, te Kaka e Ronaldo. Pastaj këngëtari Albano, grupi muzikor La Bouche, Morandi me to edhe Gjebrea, Gaçe, etj. Pa harruar tifozët kuqezi. Një libër i jashtëzakonshëm që i referohet kujtesës, rikthim në ngjarje reale, të sjellura me kujdes, thjeshtë, faqe që kalojnë, të tërheqin, ka shumë dashuri, duke u përpjekur që Zajmit të mos i shpëtojë asgjë, ku çdo veprimtari ka historinë, personazhet dhe fotot e saj. Një stadium që ka qenë dhe mbetet kombëtar, unikal, i të gjithëve, që ka ka bërë të rrahë fort zemra e një tifozi, spektatori në një mesditë, fundjavë, duke ofruar argëtim, miqësi, emocione, shumë gëzime, por edhe zhgënjime.
Lojtarë, sportistë kolosë shqiptarë, por edhe të huaj që kanë shkelur në të. Falë një kujtese të admirueshme, Uvil Zajmi i është rikthyer me një simpati të veçantë e plot dashuri atij stadiumi, shkallët e të cilit të gjithë i kemi ngjitur e zbritur sa herë. Një rrugëtim i gjatë siç shprehet autori për të rrëfyer ato çfarë ka përjetuar ai dhe vetë kombëtari. Me një stil të veçantë, ndryshe nga librat e tjerë të tij, te “Na ishte një herë “Qemal Stafa”, o ofron një libër dinamik, me vlerë jo vetëm për lexuesin, por edhe për literaturën e arkivin sportive, pasi stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” ka qenë dhe mbetet një pjesë e rëndësishme edhe e jetës sociale, historisë sonë jo vetëm sportive.
Një libër i mbërritur në momentin e duhur, me ngjarje të përmbledhura e të pa rrëfyera asnjëherë më parë, ku Zajmi shfaqet i pranishëm në shumë prej tyre të shtrira në kohë, disa edhe të harruara e që pak njihen për brezat e rinj e që pak kujtohen nga ata që i kanë përjetuar. Një lidhje e afërt, gati intime me stadiumin e ëndrrave, katedralen e futbollit, selinë atletikës, me kronongjarje, një stadium që i afroi shqiptarët me sportin në etapa, histori të ndryshme sportive deri edhe artistike të zhvilluara brenda tij. Mbyllja e librit shoqërohet me një prolog interesant, kur edhe vetë kombëtari dëshiron të flasë e të tregojë disa të veçanta që i ka ruajtur në ditarin e tij, “mjafton të hapësh për t’i lexuar. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016