Nga Belina Budini
Pjesa e dytë
Memorie.al / Një letër mund të të rrokullisë jetën dhe kjo ndodhi me Koço Tashkon, protagonistin e komunizmit shqiptar të viteve të para, të diplomuarit në Harvard, mandej të joshurit nga idetë komuniste dhe pinjollit të një prej familjeve fisnike korçare të kohës, asaj të Tashkove. Bëhet fjalë për një letër të cilën Koço Tashko ia drejtoi Kominternit (Internacionales Komuniste) por që në Komintern nuk arriti kurrë. E destinuar për të njoftuar këtë organizatë që bashkonte dhe drejtonte gjithë partitë komuniste të botës dhe që e kishte qendrën në Moskë, ajo mbërriti aty ku nuk duhej. Në duart e Enver Hoxhës dhe Miladin Popoviçit. Fatalitet.
Letra e Koço Tashkos dërguar Kominternit
Vazhdimisht deri sot, Mustafa Kruja zhvillon aktivitetin më të madh antikomunist ndër kosovarët. Atje kanë vajtur personalitetet më të larta fashiste (ndër të cilët edhe Mustafa Kruja vetë) për të kaluar urrejtjen kundër komunizmit, pa përmendur asnjë fjalë për Nediçin (kryetar i qeverisë kolaboracioniste të Serbisë), Kosta Peshancen (kolaboracionit jugosllav, bashkëpunëtor i Nediçit) dhe çetnikët e tyre. Kundër Mihajloviçit foli, vetëm kur ish i bindur, se ai bashkëpunon me partizanët.
Mustafa Kruja pra ka mundur të rekrutojë kosovarë shqiptarë, për luftën kundër partizanëve të Malit të Zi dhe është rrezik i madh, që kosovarët të zbresin në Shqipëri kundër nesh (një nga bataloniet që kishin rrethuar Myslimin në Pezë më 29 shtator 1942, ishin milicë kosovarë). Pavarësisht “zgjidhjes” që i kemi dhënë ne çështjes së Kosovës dhe heshtjes sonë mbi këtë çështje, Mustafa Kruja i ka përdorur sistematikisht, për t’i larguar nacionalistët dhe popullin shqiptar në Shqipërinë e vjetër, prej Partisë Komuniste Shqiptare.
Nga ana tjetër, anëtarët e Partisë në propagandën e tyre kanë qenë krejt në errësirë për këtë çështje dhe nuk kanë mundur t’i përgjigjen shtypit fashist, i cili po e rreh këtë çështje pothuaj përditë, me majën e shigjetës drejtuar kurdoherë kundër nesh. Nacionalistët, edhe ata na kanë kërkuar shpjegime dhe ne nuk kemi patur çfarë t’u themi konkretisht.
Shokëve dhe shokut Miladin u hoqa vërejtjen, sapo e pashë atë proklamatë, duke e cilësuar atë si një gabim që do të ketë konsekuenca negative për ne, se nuk di që të ketë dy parti komuniste të shpallura në një vend dhe shpallja e dy partive në një rast të tillë, do të thotë që ai vend ka nevojë për organizatën e vet dhe si një zgjidhje internacionaliste dhe jo nacionalçlirimtare kosovare.
Shokut Miladin i tregova që Kominterni kish pasur një Komitet Kosovar pranë “Çlirimit Nacional” (organizatë demokratike e shqiptarëve antizogistë në mërgim (Vjenë), krijuar më 1937, trashëgimtare e Konares) në Berlin dhe i propozova që ose të krijohej për Kosovën një organizatë komuniste kosovare, ose të paktën një Këshill Nacionalçlirimtar Kosovar.
I shfaqa bindjen që fjala e Partia Komuniste Jugosllave, nuk mund të ngrejë kandar për shqiptarët e Kosovës, sikundër që për serbët e Kosovës nuk mund të ngrejë kandar fjala e Partia Komuniste Shqiptare. Shoku Miladin u zotua që të japë përgjigje, por përgjigje nuk më dha, veç asaj që kjo është puna e Partisë Komuniste Jugosllave dhe ne nuk kemi pse të ngatërrohemi dhe nuk duhet të lejohet që të ngatërrohemi…!
Që atëherë e gjer më sot me heshtjen e vazhdueshme të PKSH-së, Kosova është bërë një burim shumë i rëndësishëm, për rezervat e armatosura në shërbim të fashizmit. Qëndrojmë pra përpara detyrës që ta ndalojmë fashizmin të përfitojë nga ky burim, tue neutralizue kosovarët shqiptarë, mundësisht t’i bëjmë rezervat tona.
Urrejtja dhe frika e kosovarëve ndaj serbëve e malazezëve, është shumë e madhe, por të mos harrojmë që ata kanë një urrejtje për Italinë Fashiste, të cilën e quajnë “burracake” dhe “kaure” dhe besimi që kanë pasur tek Hitleri, si shpëtimtar i tyre prej sundimit serb, ka filluar të tronditet. Veç kësaj, gjendja ekonomike atje është vështirësuar në atë grade, si gjendja në Shqipëri.
Më 12 shtator, në një mbledhje shokësh në Pezë, dy ditë përpara hapjes së Konferencës me nacionalistët, u theksua që çështja e Kosovës nuk mund të lihej në heshtje, se këtë çështje nacionalistët do ta hapnin, sikurse me të vërtetë e hapën. Në këtë mbledhje shoku Miladin tha që Kominterni ka vendosur që çështja e Kosovës është një çështje që do të zgjidhet vetëm prej Jugosllavisë demokratike dhe Shqipërisë demokratike.
Kësaj thënieje ne iu përgjigjëm që nacionalistëve nuk ua shtrojmë dot problemin e Kosovës në këtë mënyrë dhe se detyra jonë immediate, nuk është të presim sa të bëhen Shqipëria dhe Jugosllavia shtete demokratike, por të mobilizojmë tërë forcat shqiptare, për ta bërë Shqipërinë demokratike.
Kosova nuk duhet të bëhet rezerva e armikut, që të na shtypë ne dhe partizanët e Malit të Zi dhe të Serbisë, por mundësisht të bëhet rezerva jonë për të shtypur armikun, ose të neutralizohet ajo që të mos e pengojë shtypjen e armikut e, pra, të mundim të arrijmë Shqipërinë demokratike, për të cilën lufton Kominterni, luftojmë ne.
Veç kësaj, në mbledhje u shfaq dhe fakti që në Shqipëri janë mbledhur mjaft anëtarë të Partisë Komuniste prej origjine kosovare, të cilët mund të vlerësoheshin shumë më mirë në Kosovë, ku, sikundër që e pranon edhe shoku Miladin, shqiptarët komunistë janë shumë të paktë. Thënia e një anëtari të Komitetit Qendror, se për shqiptarët e Shqipërisë së vjetër, problemi i Kosovës nuk ekziston, kjo nuk i përgjigjet së vërtetës, por vetëm është një tentativë për të justifikuar dorëheqjen tonë nga ai problem, deri sot.
Thënia e shokut Miladin që për Kosovën është më mirë të rrijë nën Partinë Komuniste Jugosllave, se Jugosllavia ka për t’u çliruar më parë se Shqipëria, ishte një profeci e ëmbël e këtij shoku, e dalë nga zemra e tij, por aspak revolucionare, se me atë profeci nuk mobilizon forcat e revolucionit antifashist, as neutralizohen forcat e pavendosura në Shqipëri, që mund t’i shërbejnë armikut, për ta bërë të pamundur realizimin e asaj profecie.
Përfundimi që u mor në këtë mbledhje ishte që për Kosovën të formohej një Këshill Nacional-Çlirimtar, i cili të jetë në lidhje me Këshillin Nacional Çlirimtar që do të formohej dhe u formua në Shqipëri dhe kjo zgjidhje të popullarizohet sa më gjerë. Nga ana ime mendoj se kjo zgjidhje nuk është e mjaftueshme, sepse në Kosovë, Këshilli i atjeshëm do të flasë thjesht me parulla Nacional-Çlirimtare dhe në emrin e vet, dhe pra, fytyra komuniste dhe fakti që vetëm Partia Komuniste mund të sigurojë realizimin e plotë të të drejtave nacionale të popullit nuk do të duket veçse me ndërhyrjen e Partisë Komuniste Jugosllave.
Kurse një organizatë komuniste për Kosovën do të mënjanojë këtë të metë dhe do të mund të bashkojë me të vërtetë luftën e elementëve të ndryshëm në Kosovë. Organizata komuniste për Kosovën, do të mund të jetë e lidhur eventualisht me Partinë Komuniste Jugosllave dhe, pra, në qoftë se është e vërtetë thënia e shokut Miladin, që viset e Mbretërisë Jugosllave duhet të mbeten si më parë, në Partinë Komuniste Jugosllave, ky rregull nuk prishet, njëkohësisht dhe e meta e sotme ndreqet.
Përpara vendimit të mbledhjes për formimin e një Këshilli Nacional-Çlirimtar për Kosovën, shoku Miladin deklaroi se në Kosovë ekziston një Këshill Nacional-Çlirimtar. Kur e pyeta pse nuk është shpallur proklamata e atij Këshilli, ai u përgjigj se Këshilli është në formim e sipër, d.m.th., që nuk është formuar akoma. Shoku Miladin beson se autokritika rrëzon prestigjin, kurse unë besoj se prestigji mbahet më mirë me ballë hapur.
Në këtë mes mund të kujtoj që në rezolucionin e Konferencës për zgjedhjen e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar ndodhet kjo parullë: “Rroftë Shqipëria e lirë, e pandashme, indipendente dhe demokratike”. Nacionalistët në këtë Konferencë theksuan që me Shqipërinë e pandashme, nuk mund të kuptojnë veç Shqipërinë e kufijve të reja.
Çështja e Ushtrisë Shqiptare
Në fund të korrikut Komiteti Qendror nxori një sërë direktivash. Citojmë tekstualisht këto dy paragrafë:
“Duke marrë parasysh situatën politike në të cilën ndodhemi, Komiteti Qendror po iu dërgon gjithë qarkoreve dhe përgjegjësve të celulave, të cilët t’ua njoftojnë anëtarëve të celulave direktivat e poshtëshënuara, të cilat duhet të zbatohen përpiknisht prej të gjitha organizatave të Partisë (nënvizimi është i autorit të letrës).
“Veprimet e guerileve duhet të jenë të vazhdueshme, duhet të djegin depot e armikut, të sulmohen qendrat e milicisë, të karabinierisë, të SIM-it, kazermat, mbledhje trupash, kolonat në ecje, radio-stacionet, telefonat, të vriten pa mëshirë oficerët, karabinierët italianë, grumbuj ushtarësh, dhe gjithë agjentët e Kolonës së Pestë, sidomos spiunët e milicët” (nënvizimi është në tekstin të cilit i referohet autori i letrës).
Shprehja është mjaft konfuze, diferencimi midis ushtrisë shqiptare dhe italiane nuk ekziston, nuk ekziston asnjë diferencim i mjaftueshëm midis formacioneve të fuqive të armatosura ose shqiptare nga njëra anë, ose italiane nga ana tjetër. Theksohet që direktiva duhet të zbatohet përpiknisht, kështu që elasticiteti kufizohet.
Anëtarët e Partisë kuptuan nga kjo direktivë që Partia i ngarkon të sulmojnë edhe ushtrinë shqiptare në ecje, mbledhje trupash shqiptare, grumbuj ushtarësh shqiptarë; gjithashtu edhe kazermat me ushtri shqiptare dhe oficerë shqiptarë pa diferencim. Për fat të mirë komunistët shqiptarë, veç atyre me një majtizëm të shquar ose, me mbeturina të forta të gangsterizmës së kaluar, kuptojnë që ushtria shqiptare është tërësisht jona.
Ajo ka marrë pjesë në demonstratat tona, ka bërë demonstratat e saj, ka dezertuar në luftën me Greqinë, nuk mund të përdoret kundër partizanëve të Malit të Zi, as kundër një populli jashtë kufijve të Shqipërisë, mbahet në kyç sa herë bëhet ndonjë aksion prej Partisë në Shqipëri, ka dezertuar kur i kemi dhënë direktivën, ka ardhur në çetat tona partizane dhe të vetmin ankim që ka kundër nesh, është që nuk kemi mundur ta mbajmë a ta përdorim, kur na kanë ardhur si dezertorë nga ushtria.
Mund të themi që e vetmja pjesë e popullit shqiptar që mund të jetë gati të hyjë në aksione me ne kundër zaptuesit është ushtria shqiptare. Nuk duhet pra të detyrojmë të mbrohet kundër nesh e ta shpiem nga ana e fashizmit. Ata duhen sulmuar me trakte e jo me bomba.
Partizanët e Skraparit, të cilët kanë fituar lavdi, jo vetëm që nuk kanë atakuar ushtrinë shqiptare, por sipas lajmeve të fundit, kanë liruar karabinierët shqiptarë që kishin zënë robër, pa i çarmatosur dhe milicë shqiptarë të zënë robër, të cilët i kanë liruar, pasi i kanë çarmatosur dhe zhveshur. Si pasojë, një grup i madh milicësh, u hodh në anën e partizanëve dhe ndjekjet kundër tokave të çliruara të Skraparit, të paktën përkohësisht kanë marrë fund.
Përpara protestave të shokëve, shoku Miladin tha që direktiva nuk ka atë kuptim, se çdo aksion duhet studiuar më parë. Është e vërtetë që çdo aksion studiohet më parë, por studimi është kryesisht teknik. Sa për pjesën politike, çeta drejtohet nga parimi i përgjithshëm politik i paraqitur në direktivë. Një tjetër shok i Komitetit Qendror më tha që do të ketë ndonjë gabim shtypi. Nga ana tjetër shoku Taras (Enver Hoxha, shënim redaktimi), më shkroi tekstualisht kështu:
“Edhe ushtarëve shqiptarë duhet t’u biem, çdo vegle ose njeriu që i shërben armikut, për të shtypur Lëvizjen tonë. Por kjo direktivë nuk është që nesër duhet të vrasim ushtarët shqiptarë se qenka puna më e lehtë. Ne, me formimin e çetave, do të godasim, armiku do të marrë masa. Nga masa në masë, natyrisht puna do të keqësohet dhe gjendja do të marrë një hov tjetër.
Do të vijë dita që armiku të përdorë edhe ushtarët tanë dhe karabinierët tanë, që të na godasë dhe t’u përgjigjemi. Evenimentet do ta sjellin që do të hedhim parullën: “O me ne o kundër nesh”. Direktivat parashikojnë se as ushtarë italianë nuk po vrasim dot, por do të vrasim nesër, nesër do të vrasim edhe ushtarë shqiptarë, në qoftë se ata bëhen vegla të armikut”.
Mirëpo direktiva jepet për sot dhe jo për nesër. Dita që përmend “Tarasi”, nuk ka ardhur. Kur të vijë kemi kohë ta japim direktivën. Tani kemi detyra të tjera karshi ushtarit shqiptar, detyrën se si të marrim në çetë dhe detyrën që t’u japim anëtarëve mejtime të qarta mbi ushtrinë shqiptare dhe jo mejtime që mund të inkurajojnë “majtizmin” dhe mbeturinat e gangsterizmit që kemi trashëguar nga grupet e kaluara.
Si në çështjen e Kosovës, ashtu edhe në këtë çështje, mua më duket që po kërkojmë të shpejtojmë aksionet jashtë mundësisë së gjendjes objektive në Shqipëri, edhe bile në kundërshtim me këtë gjendje, duke u bazuar në një bindje të disave që lufta ka për të marrë fund brenda një kohe fare të shkurtër në favorin tonë, dhe pra, nuk do të ketë kohë reaksioni të shpërthejë furishëm kundër nesh.
Të gjithë e dëshirojmë fitimin e shpejtë dhe nuk përjashtohen surprizat. Për shembull revolucioni në Gjermani në këtë vjeshtë, por strategu më i mirë nuk punon vetëm për kohë të bukur, por mejton edhe për kohën e shiut dhe nuk mund të harrojmë që kontributi ynë për shkatërrimin e fashizmit do të jetë i madh, po të jetë se nuk ndahemi nga turmat popullore dhe nuk harrojmë që edhe pas fitores në Frontin Sovjetik, do të kemi edhe një tjetër periudhë lufte civile brenda këtu në Shqipëri, se Bashkimi Sovjetik nuk ka dhënë garanci, që do të mundë të dërgojë Ushtrinë e Kuqe në tërë vendet e zaptuara prej fashizmit, brenda disa ditëve pas fitores.
Parulla e lartpërmendur që i vë të gjithë ushtarët italianë dhe shqiptarë në një thes reaksioni si një injeksion i majtë në botimet e K. Qarkor të Tiranës, i cili dy javë më parë (fillimi i shtatorit) nxori një parullë të tillë: “O me popullin për çlirimin e Atdheut, o me armikun për skllavërimin e popullit shqiptar”.
Nga teksti kjo parullë duket që qëllonte të thosh: “O me ne, o kundër nesh”. Vërtetimi erdhi tri a katër ditë më vonë në një tjetër botim të Komitetit Qarkor, ku thuhej: “Do të vazhdojmë luftën gjer në fund edhe pa pasur shumë pretendime nga populli”. Dhe përsëri dy-tri ditë më vonë një tjetër: “Ja milic dhe polic kundër popullit, ja me popullin kundër milicëve dhe policëve”./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm