Dashnor Kaloçi
Pjesa e dyzetë e gjashtë
Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!
Dokumenti sekret i Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, me bisedat e bëra në burgun e atij qyteti nga të dënuarit: Muhamet Prodani, Vaskë Gjino, Todi Lubonja dhe Xhavit Qesja, të cilat janë zbardhur nga përgjimet me Teknikë Operative
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË Sekret
Ministria e Punëve të Brendshme Ekzemplar Nr. 2 Dega e Punëve të Brendshme Grupi i II-të
Ana e Sigurimit Burrel, më 23.7.1983
Nr. 33
Ndalohet riprodhimi!
Legjenda:
M – Muhamet Prodani
V – Vaskë Gjino
T – Todi Lubonja
Xh – Xhavit Qesja
……………………………………Sqarimet e Punëtorit Operativ, T. Operative
I N F O R M A C I O N
Mbi drejtimin me T.O. stacionare të dënuarit antiparti, Muhamet Prodani, Vaskë Gjino, Todi Lubonja dhe Xhavit Qesja, më datë 14.7.1983
M – Dhe ja kështu ishte puna.
V – Si të mbajti të nxehtit, hë?
M – …….
T – Po i hip njërit apo tjetrit ore ti vëlla, niveli i ulët ore, niveli i ulët shumë!
M – Niveli i ulët.
T – E tmerrshme, do ta kalonte ky komb, e paevitueshme!
M – Ehhh, niveli i ulët shumë!
V – Varja.
M – Po ato të parët, menjëherë dhe u bë hetuesia.
T – Po ata e patën tak tak?
M – Po ata menjëherë para popullit.
T – Para popullit, hë?
M – Po po.
T – Kështu që llahtarisën edhe popullin!
M – I thanë popullit se kush ka menduar…!
T – Si këta?
M – Ndryshe, kush ka folur me njeri afër Partisë, mos ja mbajnë….!
T – Të thanë gjë ata?
M – Po, ata thanë.
T – Thanë, hë?
M – Po ca i dënuan dhe ca i ndëshkuan.
T – Hej more dreq, e more shejtan…!
V – …..Po nuk të thanë ty more Muhamet, se kush të bëri komandant të Brigadës së Parë?
M – Mua, jo.
T – Po nuk të shkoqën…?
M – ……të Mehmet Shehut dhe të Fiqiret Shehut.
V – Hëëëë….!
M – Ky ishte misioni i parë?
T – Po.
M – Unë u thashë, se u kam q….tëmën Fiqiretes dhe Mehmetit….
T – Bashkë?
V – Të dyve, soj e sorollop.
M – Edhe më nuk ma përsëritën. “Marrëdhëniet me të”, më thanë ‘pas çlirimit”, po s’kam pas me të marrëdhënie, u thashë.
V – Po asnjë marrëdhënie?
M – Po si, më ka ardhur në ’72-in për Vitin e Ri njëherë dhe i kam vajt një herë a dy herë kur i vdiq e ëma, edhe këtë me shokët.
T – Po më duket se atëherë kam qenë edhe unë aty ato ditë.
M – Ehhh…. mundet, po unë as nuk i kam vajt në shtëpi dhe as nuk më kanë ardhur.
T – Edhe nuk insistuan më dhe nuk e zgjatën…?
V – Po e dinë ore ata.
M – Po e lanë atë akt-akuzë, me marrëdhëniet e tija….
T – E lanë të hapur, hëëë…?
M – Të hapur.
V – Edhe mbeti i paqartë, hë?
T – Po pse, për Mehmet Shehun luftove ti, e i…….zotin.
V – Po unë thashë se mos të kanë thënë se Mehmet Shehu të propozojti për t’u bërë komandant?
T – Po për ata kemi luftuar neve, nën hijen e bajraktarëve?!
M – Po,….më thanë mua se e ke pas shok të pandarë…..po dhe e ke dasht më thanë. Po edhe e kam dasht, u kam thënë, po shok lufte, u thashë ka qenë ai, jo vetëm e kam dasht, por e kam ndihmuar.
T – Po akoma ti s’ishte shok me Petrit Dumen, po mos të ishte shok me të, ti në atë kohë do të ishte ballist.
V – Po unë u thashë, si nuk e kesh shok Petrit Dumen që ishte shefi Shtabit të Përgjithshëm dhe zv/ministër i Mbrojtjes Popullore dhe komandant i B. Politike?
M – Po duan të justifikojnë këta, si u godita, për këto jam habit.
V – Po mua, më hipi inati me atë.
M – Se ata mua më caktuan zëvendës të Mehmetit, kur u godit Beqiri me Petrit Dumen.
T – Ashtu hë…?!
M – Po si ore, më dhanë gjithë ato merita, të gjithë drejtorët vareshin nga unë.
V – Jo ore?
M – Po si ore.
V – Po ti paske pas qenë bërë i madh?!
M – Po si ore.
V – Po pastaj, kur u katër-vare?
M – Dhe pastaj, u mpleksëm me të, për çështjen pse dënohet Ushtria dhe nxirret e zezë, për çështjet e gatishmërisë së Ushtrisë…….atëhere më thanë mua, do të rrish, ku të shpiem….atë s’e di, kush edhe Kadriu, Kadriu tha dhe këtë, sa mirë….(nuk i kuptohet).
T – Shi… shi… shi…?!
M – Po më tha pastaj, se ke heq edhe gjilpërat e tankeve dhe të topave!
V – Ëëëë gjilpërat…?!
M – Po, po unë këtë u thashë se nuk e di këtë punë dhe kjo është një ofezë e madhe që bëhet për Ushtrinë.
V – Po kjo është si ajo që thoshin se: puç do bëhesh….po kështu ore e kishin bërë, po më thanë mua!
M – Jo, unë nuk e di atë….po këtë ma thanë edhe përpara se këtë nuk po e merr seriozisht dhe pritshim shumë gjëra….po ai thoshte: kuadrot e Ushtrisë, të infektuar dhe unë këto nuk i pranoja!
T – E po kjo, ky muhabet të ka ngrenë kokën ty atëhere….po ja ke thënë Partisë këtë, dhe pse ti nuk ja thua?!
M – Po ja thashë të tëra.
T – Haaa, i ke shkruar?
M – Po si, dhe bile kam insistuar dhe se insistoj jo vetëm për interesin tim, por të shoqërisë dhe të Partisë.
T – Po s’do mënd, ajo dhe në rast të parë të shoqërisë dhe të Partisë.
M – Po edhe prokurorin.
T – Po atëhere se mos nuk ja kanë dhënë ore?
M – Po të gjitha ato letrat që kesha me vete, i mori hetuesia.
T – Hetuesia? Tashti?
M – Tashti ore.
T – Po më turp ore, më turp?!
M – Po edhe nga Hetuesia, këtë ja kam vënë…
T – Po edhe atij duhet të ja kesh dhënë se ti këtë duhet ta dije, se pa aprovimin e tij, asnjë qime nuk lëvizte Muhamet Prodanit dhe të as njeriut……..(qesh me ironi).
M – Po doli dhe me atë që ka disformue Partinë dhe u thashë se me shpifjet dhe trillimet nga Mehmeti….!
T – Po këtë e ke thënë mirë dhe mos të jesh hiç pishman.
M – Po pse ore të bëhem pishman unë…?!
T – Po me këtë ti o ke thënë të vërtetën…..!
Punëtori i T. Operative
Ndue Sulejmani
U pa, 1.8.1983
Dokumenti me të dhënat biografike të Xhavit Qeses, i përpiluar nga Punëtori Operativ, Maksim Çela
VËRTETIM BIOGRAFIK
XHAVIT HAJDAR QESJA
Xhaviti është biri i Hajdarit dhe i Sabrijes, i datëlindjes 1922, lindur në qytetin e Krujës dhe sot i dënuar si anti-parti, me origjinë shtrese e pasur tregtare, i martuar, ka dy fëmijë, me arsim të lartë, me kombësi e shtetësi shqiptare.
Gjatë regjimit anti popullor të Zogut, familja e tij ka qenë e lidhur dhe e përkrahur nga ai regjim, mbasi gjyshi i tij, Ismaili, ka qenë tregtarë i madh dhe njeri me influencë për atë periudhë. Kjo familje ka lidhje miqësore me Abaz Kupin, mbasi xhaxhai i Xhavitit, ka pasur për grua vajzën e vëllait të Abaz Kupit.
Gjatë okupacionit nazi-fashist, Luftës Nacionalçlirimtare, familja e Xhavitit, është marrë me tregti, ndërsa vetë Xhaviti ka qenë i lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, ka qenë komisar i batalionit Krujë – Ishëm. Mbas çlirimit si familje e madhe tregtare, një pjesë e pasurisë së tyre është konfiskuar.
Xhaviti, mbas çlirimit ka patur funksione drejtuese në parti, si Sekretar i Parë i Komitetit Partisë Shkodër e Berat. Në vitin 1956, është arrestuar dhe dënuar si element anti-parti.
Nëna e Xhavitit, Sabrija, është motra e Hajdar Ferrës nga qyteti i Krujës, me banim aktualisht në qytetin e Durrësit, Sabrija dhe Hajdari kanë kushëri të dytë Xhemal Ferrën (Konti Ferra) me banim në Itali.
Xhaviti ka tre vëllezër, Xhaferr Qesen, anëtar Partie, me banim e punë në qytetin e Durrësit, Besim e Tuç Qesen, me banim e punësim në qytetin e Durrësit, për qëndrimin e të cilëve nuk njihen nga ana jonë. Xhaxhallarët e Xhavitit, janë Xhemal Qesja me banim në Ibë të Tiranës, Haxhi Qesja me banim në qytetin e Tiranës, i pari për tatime të jashtëzakonshme, ndërsa i dyti për tendencë arratisje jashtë shtetit.
Kushëri të parë të Xhavitit janë: Lutfi Qesja me banim në Krujë, punëtor, është i regjistruar në kontingjent, Ibrahim Qesen, mësues në fshatrat e Laçit, Agim e Ismail Qesen, me banim në Krujë, punëtor, që të gjithë të evidentuar në kontingjent, mbajnë qëndrim të mirë. Në qytetin e Tiranës, ka dy kushëri të parë, Fadil e Gani Qesen, qëndrimi i të cilëve nuk njihet nga ana jonë. Ka kushëri të dytë Sabri, Haxhi, Fitnete Qesen, që të gjithë anëtar Partie.
Xhaviti ka qenë i martuar me Neriban Nejdenin, nga qyteti i Tiranës, me të cilën ka dy fëmijë, është ndarë në kohën kur Xhaviti është dënuar.
Të dhënat biografike u murrën nga N.G.F.H. P.K. dhe u përpilua nga unë./Memorie.al
PUNËTORI OPERATIV
MAKSIM ÇELA
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016