Nga Ali Buzra
Pjesa e parë
– JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Dëshmitë rrëqethëse të njerëzve, viktima të një paranoje, të ngjashme me ato të kampeve famëkeqe të nazizmit, po tashmë në emër të “diktaturës së proletariatit”, vijnë nga autori si pjesë e kujtimeve a kontakteve të drejtpërdrejta me ta apo familjarë të tyre, me aktorë të gjallë e të vdekur, mbetur në memorien e autorit prej një periudhe të gjatë kohore.
Pikërisht, ky libër u kushtohet atyre familjeve, atyre njerëzve që përjetuan ferrin e persekutimit komunist për dekada të tëra; gjatë pushtimit nazi-fashist, por edhe pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. Ishin persona, familje e fise të tëra, të cilët në emër të atdhetarisë projektuan një Shqipëri të lirë por që përfunduan burgjeve e kampeve të tmerrshme komuniste.
Ky libër, deri në këtë formë, është rezultat i një punë të gjatë të mbledhjes së informacionit, hulumtimeve mbi libra a shkrime të bëra mbi këtë çështje, por edhe intervistave të drejtpërdrejta me persona që e përjetuan individualisht këtë ferr apo, të afërm të tyre, duke u bërë kështu pjesë e lindjes dhe rritjes së këtij libri.
Autori nuk synon të nxjerrë konkluzione, apo të japë përfundime rreth një realiteti të mprehtë që vijon të jetë i pranishëm deri në ditët e sotme, por të ndihë sado pak në pasurimin e kësaj problematike që çuditërisht vazhdon të jetë akoma e pa unifikuar, në qëndrime e shpesh kontradiktore. (Siç duket, as vetë autorët e tyre nuk i shpëtuan dot indoktrinimit, duke u bërë pa dashje pjesë e “persekutimit”).
Në këtë kontekst, ky libër përbën, padyshim, një qasje të re në analogji me studime për te njëjtën periudhë. Ndaj, edhe kur mund të mos jemi të pajtuar me vlerësime e konkluzione të caktuara,(ardhur prej burimeve e këndvështrimeve të ndryshme), ta gjykojmë librin si një kontribut me vlerë, pjesë e respektit për ata njerëz, për jetën e vuajtjet e tyre, për qëndresën dhe heshtjen stoike.
Të gjithë kemi detyrim ndaj atyre fiseve, familjeve apo personave konkretë, që përjetuan apo i mbijetuan këtij ferri, që duruan vuajtjet e mbajtën për vete dhimbjen e që presin, të paktën të gjejnë prehje si kompensim i vlerësimit të munguar në vite.
Bedri Kaza
Vështrim i përgjithshëm mbi kontekste historiko-kohore para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri
- Vështrim i përgjithshëm mbi kontekstin historik të periudhës deri në pushtimin fashist të Shqipërisë.
Luftërat e popullit shqiptar në përgjithësi, si dhe të zonave të ndryshme të Librazhdit në veçanti, janë pjesë e historisë shekullore të kombit tonë. Mbivlerësimi e njërës apo tjetrës periudhë, mund të shihet më shumë si pasion se sa realitet. Në rrethana të caktuara historike e politike, populli shqiptar është ngritur në kryengritje të armatosur kundër pushtuesve të huaj, ndërsa në situata të pafavorshme nuk është bërë pjesë e luftës.
Kështu, shqiptarët megjithëse zhvilluan një sërë kryengritjesh të armatosura kundër sundimit osman në vitet 1909-1910 e 1911-1912, në Luftën Ballkanike anti-osmane nuk morën pjesë. Edhe në Luftën e Parë Botërore nuk pati qëndresë të organizuar mbarëkombëtare të popullit shqiptar, megjithëse territori shqiptar u shkel dhe u pushtua nga disa prej ushtrive të të dy blloqeve ndërluftuese. Gjatë kësaj lufte në Shqipëri hynë forca serbo-malazeze, austro-hungareze, italiane, greke, bullgare e franceze.
Kjo ka arsyet e veta, të cilat nuk po i analizojmë imtësisht në këtë rast, por më duhet të theksoj se në kujtesën e popullit tonë brenda e jashtë kufirit shtetëror janë të gjalla mizoritë e ushtrive pushtuese të shteteve fqinjë si ato; serbe, malazeze e greke. Nga ana tjetër austriakët nuk janë të njohur për reprezalje të kësaj natyre. Kështu në zonën Austro-Hungareze, si dhe në atë Franceze të pushtimit, u krijua administrata me nëpunës shqiptarë e u lejuan shkollat shqipe e flamuri kombëtar.
Lufta e Dytë Botërore ndodhi në të tjera rrethana politike ndërkombëtare. Vendimet e Konferencës së Paqes, të pas Luftës së Parë Botërore, qenë të padrejta. Ato u morën në interes të fuqive fituese të Bllokut të Antantës, kryesisht të Anglisë e Francës, duke bërë të mundur më pas, ndarjen e botës në zona ndikimi në favor të tyre, gjë që ngjalli pakënaqësi te shtetet humbëse. Nga ana tjetër, në Europë u vendosën diktatura totalitare të djathta; fashiste në Itali e naziste në Gjermani, të cilat manifestonin politika agresive.
Ndërkaq, në shtetin e madh rus ishte vendosur e forcuar diktatura totalitare komuniste e majtë. Demokracitë europiane, Anglia e Franca, punonin për të penguar përhapjen e komunizmit në perëndim, duke mos reaguar ndaj politikave agresive fashiste e naziste e duke i vlerësuar ato si pengesa ndaj komunizmit. Ato reaguan vetëm mbas sulmit gjerman ndaj Polonisë më 1 Shtator 1939. Duke ndjerë rrezikun e cënimit të territoreve të tyre, ata i shpallën luftë Gjermanisë, më 3 shtator. Ndërkohë, Stalini “i madh”, trumbetuar si “hero” i Luftës së Dytë Botërore, që në gusht të vitit 1939, nënshkroi me Gjermaninë “Paktin e Mossulmimit”, i njohur si Pakti Sekret Ribentrop-Molotov, ku parashikohej ndarja e territorit polak.
Në këtë mënyrë, pjesa perëndimore e Polonisë u pushtua nga ushtria gjermane, ndërsa pjesa lindore nga ushtria sovjetike. Kjo e fundit pushtoi edhe territoret e vendeve Balltike; Letonisë, Lituanisë, Estonisë dhe një pjesë të Finlandës. Kur Gjermania përparoi drejt veriut duke pushtuar Danimarkën e Norvegjinë, e më pas në jug; Hollandën, Belgjikën e Luksemburgun, Bashkimi Sovjetik pushtoi Besarabinë e Moldavinë, territore këto të Rumanisë.
Pra, Bashkimi Sovjetik, me në krye Stalinin, u bë pjesë e politikave agresive nazifashiste. Dhe vetëm mbas 22 Qershorit 1941, kur Hitleri filloi sulmin ndaj Rusisë Sovjetike, në kundërpërgjigje, Stalini, ndryshoi kurs, duke u bërë pjesë e Bllokut Aleat kundër nazifashizmit.
Por, a do të ishte bërë pjesë e koalicionit Bashkimi Sovjetik në rast se do të ishte ruajtur Pakti i Mossulmimit? Ka gjasa që dy shtetet e mëdha diktatoriale të kohës, Gjermania naziste e Rusia komuniste, do të donin të vendosnin sundimin e tyre në rajone të ndryshme të botës. Edhe një fakt tjetër bindës, është se, shtetet totalitare të majta, vazhdimisht kanë propaganduar internacionalizmin vetëm për demagogji.
Edhe më herët, paraardhësi i Stalinit, Lenini, sapo mori pushtetin duke rrëzuar Qeverinë e Përkohshme në Rusi, më 1917, shpalli daljen nga Lufta e Parë Botërore, bëri marrëveshje paqeje me Gjermanët, duke u shkëputur nga aleatët e Bllokut të Antantës, pikërisht në kulmin e periudhës së luftës, e duke e hedhur popullin në një luftë civile të përgjakshme për pushtet, me pasoja tragjike e me afro 5 milion viktima.
Megjithatë, mendojmë se, nuk mund të vësh në një balancë luftën vendimtare dhe heroike të popullit rus kundër nazizmit gjerman, me politikat reaksionare e antidemokratike të udhëheqjes sovjetike me në krye Stalinin; si para, gjatë, e pas Luftës së Dytë Botërore. Ishin pikërisht këto politika, që patën ndikimin e tyre në mjaft vende të Europës Qendrore, Lindore, e në Ballkan.
Më sipër prezantuam një vështrim panoramik të situatave e ngjarjeve kryesore ndërkombëtare, para e pas fillimit të Luftës II-të Botërore të cilat, padyshim, patën referencat dhe ndikimet e tyre konkrete edhe në Shqipëri.
- Qëndrimi i shqiptarëve dhe i forcave të ndryshme politike ndaj pushtimit nazi-fashist. Panorama politike e periudhës 1939-1944. Ndikimi i përfaqësuesve jugosllave mbi lëvizjen komuniste në Shqipëri.
Më 7 prill 1939, Italia fashiste sulmoi e më pas pushtoi Shqipërinë. Anglia e Franca nuk reaguan ndaj këtij pushtimi. Siç edhe dihet, populli shqiptar e priti me indinjatë të thellë pushtimin fashist. Pati disa vatra qëndrese në portet kryesore të vendit. Ajo më e forta ishte në portin e Durrësit, e organizuar nga Komandanti i xhandarmërisë Abaz Kupi, ku vra edhe kapteri i Marinës Mujo Ulqinaku.
Që në ditët e para të Prillit 1939, qeveria shqiptare nuk pranoi kërkesat dhe ultimatumin e qeverisë italiane, që çonte në humbjen e pavarësisë së vendit. Parlamenti i hodhi poshtë ato dhe vetë Mbreti Zog deklaroi në Radio Tirana, qëndrimin e tij e të shtetit shqiptar dhe njëkohësisht kërkon ndihmën ndërkombëtare, por nuk gjeti përkrahje. Në këtë situatë, bashkë me kabinetin qeveritar u largua nga vendi mbas pushtimit fashist.
Në lidhje me këtë qëndrim të tij, nga përfaqësuesit e sistemit të kaluar për 45 vite është quajtur tradhtar, që i shiti vendin Italisë fashiste, grabiti floririn etj. Sot rreth këtij fakti ka shumë qëndrime e polemika të cilat ndajnë mendime të kundërta. Gjithsesi, mendoj se, edhe në qoftë se do të ishte zgjedhur rruga e qëndresës së organizuar e të armatosur të ushtrisë shqiptare, pushtimi i vendit do të kishte ndodhur. Italia kishte sulmuar me 20 mijë ushtarë të pajisur me armatim modern për kohën, 300 aeroplanë e mbi 100 anije lufte, si dhe me shumë mjete të blinduara.
Realisht, në atë kohë, shteti shqiptar nuk kishte mundësi e mjete luftarake për të përballuar një agresion të tillë të planifikuar e organizuar nga një fuqi e tillë siç qe Italia fashiste. Po pasojat në humbje njerëzore e materiale, cilat do të ishin? Pra ky problem, mbetet i hapur për tu diskutuar në të ardhmen. Do të jetë historiografia e paanshme, ajo që do të thotë fjalën e saj, në ishte tradhti, apo veprim i momentit ikja e Mbretit Zog.
Ndërkaq, situata pothuajse të ngjashme, ndonëse pak më vonë u përsëritën edhe në Jugosllavi e Greqi ku qeveritë e tyre nënshkruan kapitullimin me forcat italo-gjermane. Edhe Franca e mirë-përgatitur për luftë mbrojtëse, një nga shtetet e fuqishme ushtarakisht për kohën, e ndodhur mes dy goditjeve, më 14 Qershor 1940, nënshkroi kapitullimin dhe gjermanët pushtuan Parisin.
Gjatë viteve 1939-1941, filloi të organizohej qëndresa e armatosur me grupe e njësi të vogla luftarake kundër pushtuesit. U ngritën disa çeta të armatosura si ajo e Myslym Pezës, Safet Butkës, Hysni Lepenicës, Haxhi Llleshit, Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit etj., të cilat organizonin sulme e sabotime ndaj forcave pushtuese në zona të ndryshme të vendit. Këto çeta drejtoheshin nga elementë nacionalistë patriotë, të cilët nuk ishin komunistë.
Me hyrjen e Bashkimit Sovjetik në luftë përkrah Bllokut Aleat, ky i fundit u forcua shumë. Shteti sovjetik dispononte mundësi shumë të mëdha në mjete ushtarake e forca njerëzore nga të cilat do t’i vijë goditja vendimtare Gjermanisë naziste. Një ngjarje e tillë përjetohet pozitivisht, zgjoi shpresat e vendeve nën pushtim dhe nxiti zgjerimin i lëvizjeve komuniste në Evropën Qendrore, Lindore dhe në Ballkan. Popujt e këtyre vendeve, edhe shqiptarët ndër ta, panë te ky vend, ”një vëlla të madh”, frymëzues dhe besim-dhënës.
Ndërkohë, Bashkimi Sovjetik dhe Kominterni do të angazhohen totalisht, që njëherazi me fitoren e luftës kundër nazi-fashizmit, të instaloheshin regjimet komuniste në vendet e çliruara. Natyrisht, kjo politikë, ndesh me qëndrimin demokratik të vendeve të tjera aleate; Anglisë, SHBA-së e Francës, të cilat do të përpiqen të pengojnë përhapjen e komunizmit, por prioritet, përbën aleanca për fitoren e luftës së përbashkët çlirimtare.
Qëndrimet e kundërta të vendeve demokratike me Bashkimin sovjetik, do të shfaqen dukshëm mbas rënies së “Bllokut të Çeliktë” dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, që u njoh në histori si “Lufta e Ftohtë” e që përfundoi me rënien e regjimeve totalitare komuniste në vitet ‘80-’90-të.
Në këtë shtrirje kohore të ngjarjeve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ashtu si në shumë vende të tjera edhe në Shqipëri, në nëntor të vitit 1941, u krijua Partia Komuniste Shqiptare. Në krijimin e PKSH-së, morën pjesë përfaqësues të Partisë Komuniste Jugosllave (PKJ), me cilësinë e të dërguarve të Kominternit, të cilët qëndruan pranë saj gjatë gjithë periudhës së luftës. Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi, ndikuan ndjeshëm në të gjitha vendimet e marra nga ana e PKSH-së, si dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.
Popullsia e Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, dhe jo vetëm kjo, por edhe ajo e viseve qendrore e veriore të Shqipërisë ka qenë ndër vite objekt sulmi e dhune të egër nga forcat serbo-malazeze. Në rastin konkret, ku pranë PKSH, qëndrojnë, organizojnë e drejtojnë dy emisarët jugosllavë, përfaqësuesit e pushtuesve të vjetër shekullorë të popullit shqiptar, kundër një pushtuesi të ri, nuk mund të ishte normale e pa pasoja.
Kjo lidhje e varësi e PKSH-së nga ajo Jugosllave nuk mund të mos kishte ndikimin e saj brenda e jashtë Shqipërisë. Në këtë kontekst, një pjesë e elitës intelektuale të vendit, shtresa tradicionale e fisnikërisë shqiptare në veri e jug të vendit, që përbënin krahun nacionalist, e shihnin komunizmin sllav si armikun më të madh të Shqipërisë dhe si pengesë për bashkimin kombëtar.
Në nëntor të vitit 1942, u krijua Partia e Ballit Kombëtar, në krye të së cilës u vu Mit’hat Frashëri, një nga personalitet e shquara të kohës. Në lidhje me krijimin e Ballit Kombëtar, ka edhe një version tjetër të besueshëm. Dhe ky është se, origjina e krijimit të organizatës së Ballit i përket datës 8 prill 1939, ku elementë nacionalistë e patriotë, në rrethanat e krijuara vendosin të krijojnë këtë organizatë si reagim serioz ndaj pushtimit fashist të vendit.
Në nëntor të vitit 1943, krijohet Partia e Legalitetit (Zogiste), me në krye Abaz Kupin, ish oficer i Mbretërisë shqiptare, organizator i qëndresës në Durrës kundër forcave italiane të pushtimit. Në programin e të tria grupimeve politike, si pikë e parë përfshihej lufta kundër pushtuesit të huaj.
Balli dhe Legaliteti parashikonin në programin e tyre një Shqipëri etnike, ndërsa PKSH e ndodhur nën ndikimin e PKJ, nuk e përfshinte këtë në programin e saj. Pikëpamja nacionaliste për luftën, në situatën politike që kalonte Shqipëria, është e shprehur qartë në raportin e përgatitur nga Muharrem Bajraktari, në shkurt të vitit 1944, dërguar misionit anglez, për t’ia transmetuar Antoni Idenit dhe Uinston Çurçillit./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm