Nga Vasil Qesari
Pjesa e njëzet
Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit? Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
HAPJA E ‘DRITËS JESHILE’
Nica, motra e Jusuf Vrionit, e cila jetonte në Itali, e alarmuar, i shkruan një letër Enver Hoxhës për ta lejuar që të kurohet pranë saj. Letra bie në duart e Nexhmijes, e cila është e interesuar që Vrioni të shërohet sa më shpejt. Pas kësaj, drita jeshile, hapet. Formalitetet bëhen me urgjencë. I jepet pasaporta për jashtë, i akordohet viza e, ai nuk u beson syve, kur avioni ulet mbi pistën e aeroportit të Fiumiçinos në Romë. Ishte mars i vitit 1985…!
Përveç çmalljes me motrën, mbas vitesh ndarje që s’mbahen mend, përveç kujdesjeve e kurave për rikthimin e shëndetit, ai ndjen ta pushtojnë ndjenjat e nostalgjisë për vitet e rinisë dhe kujtimet e paharruara të saj. Por, tashmë ai gjen një Itali tjetër e ndryshimet nuk i ndjellin veçse keqardhje. I shëruar, Jusuf Vrioni, kthehet në atdhe ku e presin ngjarje të reja. Enver Hoxha ka vdekur dhe drejtimin e Partisë e ka marrë Ramiz Alia. Shumë shpejt, Vrionit i duhet t’i përvishet punës për përkthimin e librit të tij ‘Enveri ynë’. Më pas, më 1987, një tjetër lajm i mirë. Mbas shume hezitimesh, jepet aprovimi për përkthimin e romanit “Koncert në fund të dimrit”, të Kadaresë, i cili gjer atëherë, konsiderohej pothuajse një libër i ndaluar.
E ja, pak më vonë, ndodh mrekullia…!
Ministria e Jashtme franceze e fton në kremtimet e 200 vjetorit të Revolucionit Francez.
“Një nga gjërat e para që bëra sapo mbërrita në Paris, ishte të shkoja e të shihja vendet ku kisha kaluar vitet e mia të rinisë, aty në avenynë Victor Hugo. Qysh prej 50 vjetësh, për mua aty fshiheshin kujtimet më të bukura të jetës. Shkova në shtëpinë ku kishim banuar e, me ndrojtje u ngjita gjer në katin e tretë, aty ku dikur qe një korridor i gjerë, në faqet e të cilit kisha bërë kushedi sa vizatime. Ai tashmë ish transformuar e qe ndarë në apartamente të veçantë. Kush banonte tani aty…? S’i rashë asnjë zileje e, meqenëse poshtë më prisnin, zbrita shkallët me dhembje e me sytë mbushur plot lot…”!
Parisi…!
Nostalgjia hap portat e ai vrojton, shikon, kujton. Ndryshe nga imazhet e fëmijërisë, qyteti i duket i bardhë e me më tepër dritë. Ndërtesat e dikurshme të nxira nga shekujt, i gjen më të pastra, më të reja, më të ndritshme. Ai përfshihet në jetën e tij plot gjallëri. Takime me miq të vjetër. Lot e emocione. Pritje të ngrohta. Ndër të tjera edhe me Claude Durand, drejtorin e Shtëpisë Botuese Fayard…! Pas një viti, me 1990-ën, e pret përsëri një udhëtim tjetër, po në Paris. Aty takohet me Liri Begenë, kineasten e njohur me orgjinë shqiptare.
Merr pjesë në Kolokiumin Ndërkombëtar të Përkthyesve në Arles. Përsëri takime plot mall. Me miq e shokë të rinisë. E përsëri kthim në Shqipëri. Vendin e gjen në tension. Në gjendje të nderë. Pritet të ndodhë diçka. Mbas gjysme shekulli shtypje, dukej se po vinte shpërthimi. Ngjarjet precipitojnë për ditë. Ambasadat e huaja sulmohen e pushtohen nga mijëra vetë. Me 25 shtator 1990, Ismail Kadare, kërkon strehim politik në Francë.
“…Isha në shtëpi kur dëgjova lajmin e dhenë nga radioja. Jehona e atij veprimi ishte shumë e fortë në mbarë vendin. Në princip, unë e konsiderova të drejtë vendimin e Ismailit, sepse në atë mënyrë ai distancohej nga regjimi totalitar, ndërkohë që diktatura vazhdonte të ishte endé kërcënuese. Por, për mendimin tim, Kadareja iku në një moment kur prestigji i tij personal qe mjaft i madh, jo vetëm në letërsi por edhe më tepër…”!
Ngjarjet e asaj vjeshte tronditëse, ndjekin njëra-tjetrën me vërtik. Lejohet praktikimi i riteve e hapen objektet fetare. Hiqen statujat e Stalinit e Leninit. Lëvizja studentore bëhet vatra e revoltës kundër regjimit komunist. Në sheshin “Skënderbej”, demonstruesit rrëzojnë e heqin zvarrë statujën e Enver Hoxhës. Shqipëria flak tutje, me neveri e guxim, dyzetë e ca vjet frikë, vuajtje e terror të pashembullt.
“Dy – tre muaj pas ikjes së Ismailit, në shtëpi më erdhën Preç Zogaj e Pirro Misha. Më pyetën në se pranoja të paraqitesha si kandidat i Partisë Demokratike në zgjedhjet e para pluraliste. U thashë se e vlerësoja propozimin e tyre por s’kisha ndërmend t’i përkushtohesha karrierës parlamentare. Mendoja se kish edhe mënyra të tjera për t’i shërbyer ngjarjeve në zhvillim. Ndërkohë, në vijim të ngjarjeve të vitit 1991, u kooptova në Komitetin e Mbrojtjes të së Drejtave të Njeriut”.
Rruga e Vrionit drejt Perëndimit, tashmë është plotësisht e lirë. Në vjeshtën e vitit 1990 ai, merr pjesë në manifestimin La fureur de lire, në Paris. Më 1993, dekorohet nga qeveria franceze me Urdhrin e Letërsisë e Arteve. Më 1994, merr çmimin Halperine Kaminsky, për përkthimet e tij në frëngjisht. E së fundi, si për t’i u kthyer gjer në detajet më intime jetës e viteve të shkuara, në pranverën e vitit 1995, në shoqëri me ambasadorin francez në Tiranë, bën një vizitë në ishullin e Korfuzit, aty ku edhe kish lindur 79 vjet më parë.
Para tij, shpalosen përsëri, kujtime të largëta. Çdo gjë përreth ka ndryshuar. Pjesa më e madhe e njerëzve të njohur kanë vdekur. Ndërsa, ai?
Ai është gjallë. I shpëtuar për fat e mrekulli, nga vorbullat e përgjakura të kohëve. Por, ndërkohë, është vonë. Tepër vonë, për ta ndjerë veten, tërësisht e thellësisht të lumtur! E, megjithatë, teksa mbi gjinjtë e vegjël e të bardhë të ishullit helen bie bryma ngjyrë trëndafili e mëngjesit e, një varkë me vela nis të rrëshqasë duke u përkundur lehtë-lehtë mbi detin vaj, ai bindet se jeta e njeriut s’ka fund dhe se, ngjarjet, kujtimet, ndjenjat e emocionet të cilat e shoqërojnë përjetësisht atë, nuk mund t’i përkasin kurrë Harresës dhe Vdekjes!
AUTOPSIA E VIOLENCËS
“…Shteti totalitar nuk mund të jetojë dot pa armiq. Ata janë për të justifikimi më i mirë për ushtrimin e terrorit. Edhe po qe se nuk ekzistojnë, ata sajohen e pastaj me t’u “identifikuar”, eliminohen pa mëshirë…”!
NJERIU I HIJES
Një episod i hershëm i shumë viteve të shkuara, më sjell edhe sot e kësaj dite, të gjallë, kujtimin e kontaktit të parë me atë që në Shqipëri quhej Sigurimi i Shtetit, (alias policia sekrete). Një mbrëmje vjeshte të vitit 1963, në rrugën Vlorë-Skelë, një grup marinarësh nga Gjermania Lindore, po ktheheshin drejt portit ku qe akostuar anija e tyre tregtare.
Të bërë rrumbull nga konjaku e vodka që kishin kthyer në klubet e qytetit, ata qenë ndalur pranë Kombinatit të Konservave “Ernest Telman” e kërcenin, duke kënduar këngën e njohur të asaj kohe Twist again. Ne, një grup fëmijësh, siç ndodhte rëndom në qytetit tonë bregdetar, u shkonim prapa duke i shoqëruar miqësisht e duke u kërkuar ndonjë çamçakëz, stilolaps a distinktiv. (Më parë, kjo gjë, ndodhte rëndom me marinarët sovjetikë, të cilët ishin si të shtëpisë. Por, papritur, ata qenë zhdukur e mbas asaj, vaporët e huaj që vinin në Skelë, qenë kryesisht, rumunë, polakë e gjermanë).
Kënga e marinarëve ish aq gazmore, sa që dhe ne ishim bërë njësh me ta. Përplasnim duart sipas ritmit e lëvizim ijët e këmbët, duke u përpjekur të imitonim twist -in e tyre, i cili nuk ngjante aspak me tangot e qeta e të mërzitshme që valëzoheshin darkave në bar- lulishten e ‘Sheshit të Flamurit’…! Ishim, pra, mes marinarëve kur, papritmas, kënga na ngriu në gojë. Matanë trotuarit, nga errësira, mbrapa një palme, pamë të vinte drejt nesh një burrë. Ai u afrua e na kërcënoi ashpër duke na thënë se, duhej të largoheshim menjëherë nga grupi i të huajve. Edhe pse të vegjël, e morëm me mend se, ai njeri-hije i cili na u ndërsye si qen i egërsuar qe, patjetër dikush i cili gjurmonte pas të huajt.
Fill pas kësaj, grupi ynë u shpërnda i trembur, ndërsa unë e një shok, u treguam disi më trima. Bëmë vetëm ca hapa më tutje e, kur pamë që civili u largua, u kthyem përsëri te grupi i gjermanëve hokatarë. Vazhduam të zbaviteshim e të qeshnim me ta. Në rrugë e sipër, marinarët u ndalën e u ulën mbi trotuarin para kombinatit, duke kaluar dorë më dorë një shishe me konjak:.
Hej, tavarish gjerman! Pa shih…! Ajo, godina aty, është Kombinati i Konservave që mban emrin “Ernest Telman”. E njihni Ernest Telmanin?– tregova e njëkohësisht pyeta në rusisht. Ata s’u vunë rendësi fare fjalëve të mia, ndërkohë që mendoja se, gjithsesi, do të tregonin pakëz interes.
“Ah, ja, ja!…Ernest Telman! Dojç komunist...”, – tha një prej tyre, i vetmi që u tregua disi kureshtar, mes gjithë të tjerëve.
Është ndërtuar nga specialistët tuaj! Dhuratë e popullit gjerman për Shqipërinë !- shtova unë me entuziazëm.
“Ah, Sehr Gut! Sehr Gut”! – shtoi ai.
Ja dhe Ernest Telmani. E sheh?! – iu drejtova një marinari tjetër, biond e trupmadh, duke i treguar me gisht bustin e ndriçuar zbehtë, mes oborrit të kombinatit. Ai u afrua pranë kangjellave të portës metalike, siç duket, për të parë më mirë, e tha:
“Ernest Telman…? Gut! Harasho, harasho…!
Po bëhesha gati t’i shpjegoja, me rusishten time të çalë se, në një libër, kisha lexuar diçka për jetën e Telmanit kur, papritmas, mbi zverk ndjeva peshën e rendë të një dore, e pastaj dhembjen e futjes në mish të kthetrave të saj kockore. Dikush më hoqi zvarrë. Më përdrodhi dy-tri herë rreth vetes e, pastaj, më shtyu tutje me fuqi. Pashë që shoku im, ia dha vrapit e, për pak sekonda, u zhduk nga sytë këmbët. Ndërsa, gjermani pranë, bëri tre – katër hapa mbrapa dhe, i trembur, u bashkua me grupin e tij.
Ktheva kokën i tmerruar. Para meje qe përsëri burri i hijes, i cili për pak po ma këpuste qafën duke më tërhequr zvarrë mbi asfalt. Marinarët shtangën, po askush prej tyre s’lëvizi nga vendi. Burri i hijes, më mori me vete e vazhdoi të më tërheqë zvarrë, gjersa më përplasi në hyrjen e një pallati aty pranë: “Ç’ kërkon prapa tyre, këlysh i qelbur? Ç’po u thoshe? Si quhet yt atë? Ku banon? Në ç’shkollë mëson ti…”?!
Pyetjet s’pushonin, ndërkohë që qafa më dhimbte për vdekje. I thashë me shpirt ndër dhembë se nuk po bëja asgjë të keqe, se njërit prej marinarëve i kisha folur për emrin e Kombinatit dhe bustin e Telmanit. Vetëm aq. Asgjë më tepër. Gishtat e hekurt m’u ngulën dhe më thellë në mish. Me gjysmë zëri i tregova si quhesha, i kujt isha, ku banoja e në ç’shkollë mësoja. Dora e tij ma liroi qafën vetëm mbas rrëfimit tim të plotë. Pastaj, burri futi duart në xhepat e pantallonave, kërkoi diçka i inatosur e nxori që andej një bllok të vogël. Mbajti shpejt e shpejt disa shënime dhe e mbylli.
“Mirë…! Tani ikë! Shporru! E mos të shoh më prapa të huajve”! – bërtiti ai duke më dhenë edhe një dackë të fundit në fytyrë. S’di sa shpejt kam vrapuar. Mbaj mend vetëm se, ia mbatha me sa mundja e, për pak minuta e mbajta frymën në shtëpi. Por, megjithatë, s’isha i qetë. Ndjeja se zemra me hidhej si zog, duke rrahur fort e plot ankth. Atë natë fjeta plot ëndrra të frikshme. Natyrisht, në shtëpi nuk guxova të them asnjë fjalë. Për ditë të tëra, prisja që im atë të më thërriste e të më pyeste për ngjarjen. Patjetër që, pas asaj, do të haja dhe një të rrahur tjetër të mirë. Po ashtu, edhe në shkollë, s’do shpëtoja paq. Për dreq, burri i hijes, kish mbajtur shënim ku mësoja e pa tjetër që do të më denonconte në drejtori.
Për fatin tim të mirë, nga gjithë ato, nuk ndodhi as njëra e as tjetra.
Dukej se problemi im, qe mbyllur pa pasoja. Megjithatë, për vite të tëra, bile dhe sot që shkruaj këto radhë, fytyra e egërsuar, thonjtë e ngulur në qafë e shuplakat e njeriut të hijes, më kanë mbetur të stampuara në memorie. Përfundimisht, ai qe edhe kontakti im i parë me një njeri të Sigurimit të Shtetit. Emër ky, kuptimin e përmbajtjen e plotë të të cilit, do ta mësoja më mirë në vitet që do vinin. Emër që do të drithëronte këdo! Jo vetëm ata, që do të kishin fatin tragjik të binin në duart e tij vdekje-prurëse, por edhe tek çdo njeri tjetër i cili kish lindur e jetonte në vendin e diktaturës së proletariatit...!
CERBERËT E FERRIT
Sigurimi Shtetit (Policia Politike famëkeqe shqiptare), qe ngritur mbi bazën e mësimeve të Leninit e Stalinit si dhe përvojës së çmuar të Partisë Bolshevike Sovjetike. Logjika e atyre mësimeve qe fare e thjeshtë. Për asgjësimin e vazhdueshëm të kundërshtarëve, shtetit totalitar, nuk i mjaftonte vetëm pushteti i tij absolut, por i nevojitej edhe shndrimi i vendit në një ferr real. Në një lloj kampi përqendrimi, me anë të të cilit, pastaj, jo vetëm do të mposhtte çdo rezistencë a revoltë, por do të realizonte edhe trembjen masive të shoqërisë.
Merita e zbulimit të asaj strategjie si edhe e zbatimit në praktikë, i dedikohen në radhë të parë, V.I. Leninit, themeluesit të shtetit të parë totalitar. Sepse, qe pikërisht ai, i cili, fill pas fitores së Revolucionit Bolshevik në Rusi, zbatoi principin e ruajtjes së pushtetit me anë të terrorit. Sipas tij, gjithë ata që guxonin të mos i nënshtroheshin pushtetit proletar, kishin vetëm një fund, likuidimin e tyre fizik.
(“Armiqtë tanë duhet të shfarosen pa mëshirë”. V.I.Lenin). Një zbatim i tillë i strategjisë së terrorit, përveç eliminimit të kundërshtarëve, kish edhe një efekt tjetër: trembjen masive të popullit dhe frikësimin e shoqërisë në përgjithësi. Atë detyrë, Partia, ia kish ngarkuar Policisë Politike. Ajo duhej të ishte organ i goditjes së rrufeshme, aksionet e së cilës do të duhej të gjeneronin në popull, terror e trembje me përmasa aq të mëdha, sa që vetëm dëgjimi i emrit të saj, duhej të paralizonte jo vetëm çdo individ, por edhe mbarë shoqërinë.
Një nga udhëheqësit e revolucionit bolshevik rus, Leon Trocki, e justifikonte kështu nevojën e ushtrimit dhunës e frikës: Frika është një armë e fuqishme politike. Revolucioni ynë duhet të konsiderohet si një betejë ku eliminimi i disa individëve duhet të terrorizojë e të trembë mijëra të tjerë.
E njëjta ide, shprehej edhe në thënien e njohur të shefit të sindikatave sovjetike, M. Tomski, i cili, në nëntor të vitit 1927, në gazetën Trud, ndër të tjera, shkruante:
Në diktaturën e proletariatit, mund të ekzistojnë, dy – tre, bile edhe katër parti, por vetëm me një kusht: njëra në pushtet e të tjerat në burg. Kush nuk e kupton këtë, nuk merr vesh fare nga diktatura e proletariatit, nga Partia Bolshevike…!
Ndërsa N. Buharin, theksonte: Tek ne nuk mund të ekzistojnë parti të tjera. Ky është edhe tipari themelor i ndryshimit të shtetit tonë nga ata Perëndimorë. Pra, çdo gjë është e qartë: Partia qëndron mbi gjithçka, të tjerët e kanë vendin në burg.
Konkretisht, në Bashkimin Sovjetik, zbatimi i asaj strategjie të frikshme do t’i besohej një organi special të quajtur CEKA, (Komisioni i Jashtëzakonshëm Sovjetik i Luftës ndaj Kundër-Revolucionit e Sabotimeve), për të cilin, themeluesi i tij F. Xherxhinski, shprehej: “Aparati ynë i ka rrënjët e ngulura kudo. Populli i trembet atij…! Po, përvoja shqiptare në atë fushë, cila qe…? Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016