Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e dyzetë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Takimi i parë
(Varka e mbytur në stere)
Nën rrapëllimën e shiut, veshi më kapte tek-tuk ndonjë pasazh, po s’arrija të lidhja fillin logjik. Gjithsesi termat “lejohet-s’lejohet” i shquava qartë dhe në fund, dikënd që urdhëroi zë plotë: “Lërini të takohen”! Këto fjalë më bënë njësh me derën, që po vononte të hapej. Ankthi i pritjes po më gufonte gjoksin, zemra hovte shpejt, aq shpejt sa besova se do ta shpërthente kafazin e kraharorit. Vura dorën mbi të, po edhe dora ndiqte të njëjtin ritëm, ngrihej dhe ulej po me atë shpejtësi
Sekondat e pritjes pas derës, po më dukeshin pambarimisht të gjata, shiu që vazhdonte të më lante me të njëjtin intensitet, s’më bënte më përshtypje, sepse edhe truri sikurse trupi, ish mpirë dhe e kish ndërprerë perceptimin. Ky është çasti më i pambarimtë që kam fiksur në memorje, më i pa suportueshmi, që më është dashur të përballoj në jetë.
Edhe sot mbas dyzetedy vjetësh, kur sjellë në kujtesë dhe përpiqem të arsyetoj me gjakftohtësi kundërshtitë e ndjenjave të atyre sekondave torturuese, s’arrij ta lidh dot, zinxhirin e këputur të logjikës. Mbase ky proces i beftë në jetën e një individi, mund të shfaqet vetëm njëherë dhe mund të japë efekte imediate e të pakthyeshme, mbi qelizat që kondicionojnë plakjen. Te individë të ndryshëm, fenomeni pritje, mund të jap efekte të ndryshëm.
Gjithsesi, ajo që përjetova atë rast, ishte një ankth i pakapërdishëm. Pritja shumëfishoi adrenalinën, stimuloi ndjesitë, vuri ndjenjat në një situatë alarmi total, elektrizoi qendrën e sistemin nervor e në veçanti, shkaktoi në subkoshiencë një gjendje makthi, që i zgjati minutat pambarim, i shndërroi ato në muaj, orët në vite dhe ditët në dekada. Arsyeja e shëndoshë u hepua, logjika u errësua dhe humbi aftësinë perceptuese, realja dhe irealja u mpleksën keqas dhe shkaktuan një rrokopujë emocionale; organet jetësore mbase humbën vitalitetin, trupi u squll e u flashk, mendimin e përpiu kaosi etern, që kapërcen mbi të prekshmen dhe perceptimi s’përkoi me rrethanat.
Mbase ky fenomen ndodh me individët që kalojnë trauma të rënda, si pasojë e të cilave organizmi pëson ndryshime esenciale, deri në nekrotizim celulash, që përshpejtojnë rrudhosjen, shtojnë me progresion gjeometrik thinjat; përfundimisht na bëjnë peshqesh, plakjen. Së fundi, u hap dera. Një polic me pelerinë të gjelbër, hedhur mbi krye, më bëzani te afrohesha. U avita mekanikisht. Matanë cergës gjemba shpuese të telave, babai mbështjellë me një kapërdinë meshine të zezë, me qylafin e zi në kokë, priste.
Ndërsa nën vetullat e vrenjtura, i rridhnin vrunduj uji sterrë i zi. “Mos janë lot? Po pse, paska edhe lot të zinj? Më duket apo është realitet? O Zot, mbamë mendjen!” Gjithsesi qenia e tij në çdo nerv përçonte zi! “O Zot, zi unë këtu, zi edhe ky jashtë! Zi mbi zi, “Xhihi-i-xhi”! “Helmi, kundër helmit”! m’u ndërmend kjo idiomë koreane, domethënien e së cilës, ma kish shpjeguar Richard Rich, amerikani, kur rrekej t’i referohej rezistencës ndaj së ligës. “Helmi, kundër helmit!” m’a përktheu, mbasi këmbëngulja për shpjegimin shqip. Por sidoqoftë, s’jam fort i sigurt, në ishte tamam traduksion i drejtë.
– “Xhihi-i-xhi”! baba! – pa dashje kisha pëshpëritur, këto rrokje të pakuptueshme, që i tërhoqën vëmendjen policit. – “Ç’je tuj fol, or tëj”?! Babai shihte i përqendruar brenda retinës sime. “Më paska lajthitur djali”! do ketë menduar ato momente, por s’u ndje. Edhe unë heshta. Në heshtje arsyetoja: “Moti sterrë, policët të zinj, qeni i zi, gryka e sharrësit e zezë, birucat të zeza, komunizmi më i zi, se vet zezona që rreket të përndaj tej e, ndanë rruzullimit! Babai i zi; unë i zi se i zi”! “Xhihi-i xhi”!… mbase ky melhem, e shëron më së miri këtë plagë, i përshtatet përsosmërish kësaj epoke të nxirosur, nën këtë pushtet të zi, të qeveritarëve katran”! Përhumba në përsiatje trallitëse, mandej u përpoqa të mblidhja veten.
Duket emocionet që s’i mposhta dot, qenë më të fuqishme nga ç’i kisha pandehur. E kisha imagjinuar krejt ndryshe takimin e parë! Kaq herë në netët pa gjumë, mbi halat e kashtës së dyshekut, nën pickimin thumbues të çimkave, morrave dhe pleshtave apo, në akullimën kallkan të qelive, e kisha sjellë e përcjellë në fantazinë time, si një çast sublim, unik e të përmallshëm, kur unë dhe im atë, do rrokeshim përqafe. Mbase do na mungonin fjalët, fenomen normal për kushtet ku gjendesha, ama heshtjen do ta mbushnim me ngrohtësinë e trupave dhe me të rrahurat e zemrave!
Kurrë s’e kisha imagjinuar takimin në një distancë të tillë, nën këta rrëshekë të pareshtur uji, unë këtej, ati im i dashur matanë telave, të topitur e të shtangur pas cergës gjembaçe, do këqyrnim në bebe të syrit njëri-tjetrin e, do heshtnim si dy mumie. Duket heshtja e tej zgjatur e mërziti edhe policinë, që ish ngarkuar të ndiqte takimin, ndaj ai ndërhyri pa takt: – “Fol or tëj, apo të ka hangër mica gjuhën”! – m’u drejtua mua. – “Or shoqj, dhetë minuta kohë ke”! – iu kthye babait. Po ne s’bzamë. Vëreja çurkën e ujit që i shkiste nga fytyra drejt qafës, sytë e skuqur e të buhavitur, ku shquhej qartë një lodhje e madhe apo dhimbje e hidhur.
Paraqitja i kish ndryshuar shumë, mbase udha e gjatë e kish drobitur, mbase pagjumësia dhe stresi e kishin kapitur, ndoshta kishin influencuar negativisht lotët e derdhurn para se të më takonte mua, që tani përpiqej t’i shihte nën këtë pamje të përzishme. – “Qyre, t’ka ardh baba or të”j! – m’u shkreh sërish polici dhe tërhoqi epin e pelerinës mbi ballë.
Bëra një sforco të jashtëzakonshme, e mblodha veten: – “Baba si jeni me shëndet”? – gati, s’po njihja zërin tim. – “Mirë, po kishim merakun tënd”! – m’i nguli sytë, si të shihte një të anjohur. – “Po bënim kohë, pa lajme”! – vazhdoi më tej. – “Ja tek jam”! – ja futa kot fare, ngaqë s’po më vinte në mënd gjë tjetër. – “Tani që të pashë, u qetësova”! – “Edhe unë”! – “Lus Zotin të takohemi më shpesh”!
– “Më falni, u hapa shumë telashe”! – e ndërpreva. – “Shih veten o bir, pa për ne mos u qederos”! – fliste shpejt siç nuk e është zakon. Gjykuar nga mënyra e të foluri, që s’ish në natyrën e tij, mendova se po shpejtohej të shprehte shumë gjëra, në ato pak minuta që kishim në dispozicion. Ndonëse s’më besohej se mund të më fshihte diçka, një endje më thosh se diç do kish ngjarë.
I njihja tim atë, s’ish tipi që ngutej kur fliste, përkundrazi, si një csikograf sqimatar, zgjidhte përherë fjalën e duhur që kur të ndërtonte fjalinë, ajo të zinte vendin e përshtatshëm, si perla në kolan. “Ai që s’po më lë kohë ta pyes, diçka më fsheh! Padyshim, duhet te ketë diçka shumë e dhimbshme”! Parandjenja e ligë po më shtypte. – “Baba, a mbahet Gjyshja”? Pashë të mbrudhej, shtati sikur iu tkurr. Pyetja e beftë për njeriun që ndjeja veçanërisht, e vuri në siklet. “Do jetë e pamundur. Zaten, shëndetligë ka qenë gjithmonë”? – mendova. Por ai burrë që s’e njihte gënjeshtrën, po përtypej. Ai në veçanti, e dinte dobësinë time për Gjyshen.
Ne fëmijët, atë e kishim idhull. E thirrnim Gjyshe, madje gjithë lagja kështu e quante. Ky sinonim kish zëvendësuar emrin e saj të vërtetë, aq sa pakkush ia kujtonte. Te Gjyshja, përmblidhej krejt bota ime, të gjitha dashuritë! Ajo më kish rritur, ajo më kish mëkuar, ajo më kish mbështetur në hapat e parë, me të kisha nisur belbëzimat, ajo më kish ushqyer me dashuri të pafundme për dijen edhe pse vet, ish e pashkollë.
Ajo ishte arkiv i gjallë i familjes, dinte të rrëfente tregime dhe përralla, me një gjuhë të pasur, paçka se pak të dalë mode, sa ta thoshte mendja, se jetoje në kohët e legjendave. Ajo më bënte të ndihesha krenar, për të parët e mi, më rrëfente për trungun familjar, për farefisin, për gjyshin që s’pata fatin ta njihja. Ishte udhërrëfyesja shpirtërore dhe mësuesja e parë, më e painteres. Ne fëmijët, në prehrin e saj gjenim një strehë të sigurt, na mbronte nga ndëshkimet fizike, për gjithë paudhësitë e moshës. Pra, me pak fjalë, Gjyshja në shtëpinë tonë, gëzonte një status mjaftë delikat, fjala e saj ish ligj; vullneti punë; dëshirat urdhër, që s’e diskutonte kush, edhe pse s’ishin ngaherë të këndshme.
– “Bëhu i fortë bir, gjyshja, na la”! – vetullat e varura dhe sytë e mbrusur, folën më tepër se goja. “Nga më erdhi ky kumt i zymtë? Nga goja e tim eti apo, ma sollën oshtimat e gjëmimeve, grykës së Oroshit”?! – “O Zot”! – më shpëtoi ky eksklamacion. “I doli xhani me emrin tënd! U nisa nën këtë qamet edhe të përmbushja amanetin e saj”! “Shikoni djalin! S’kam për të gjetur derman edhe në atë dynja, ku do vete! kështu tha, në çastet e fundit. Ndaj, që të prehet rehat atje ku ka rënë, erdha sot, sa kaluam të tretat”!
E këqyra me dhimshuri biri atë burrë të rreptë që hallet e kishin plakur para kohe. Tashmë munda të lexoja qartë në sytë e skuqur dhe nën qepallat e fryra, dhimbjen për nënën e ikur nga kjo botë me brenga dhe për birin e burgosur e të syrgjynosur, honeve të Mirditës. Vuajtjet dhe hallet kishin vulosur mbi tiparet e këtij pesëdhjetëvjeçari, damkën e pleqërisë së parakohshme. Vetëm bebet me ndriçimin e beftë, vetullat dhe mustaqet ende të zeza, të jepnin të kuptoje, se para kishe një burrë në kulmin e moshës.
Ndërmenda këto, e zemrën se ç’ma shtrëngoi një ngërç i paprovuar më parë. Ndjenja e fortë e dhembshurisë, për atë që më kish sjellë në jetë, me njëmijë mundime, më kish rritur dhe edukuar mes skamjes e luftës klasore, erdh e t’u nakatos me neverinë dhe urrejtjen e egër për regjimin, që na ndau për së gjalli. M’u faneps figura imcake e Gjyshes së dashur, që s’i hoqi asnjëherë rrobat e zeza nga shtati. Në njërën anë dhimbja për humbjen e pazëvendësueshme, në tjetrin telashet dhe dertet që pllakosën të tjerët, pushtuan gjithë qenien time.
Gjaku më hipi në tru. Një gulsh lotësh të vale, më rrodhën nga sytë, ca dënesa të paprera më shpërthyen pavullnetshëm nga kraharori. Parandjenja s’më kishte gënjyer. U ndërmenda, për gjithçka që më shëmbëllente e zezë. “Jetonim kohën e sterrosur, nën regjimin mynxyrë, me xhelatët më mizor që kish parë ndonjëherë njerëzimi”! M’u mërgua fjala! As figura e përzishme e atit aty pari, as rrebeshi i furishëm që më fshikullonte mbi kokën e qethur, s’po bënin efekt.
– “Mbahu, bir”! – zëri i lodhur i tim eti, i ngjiste një tingëllime të largme, që vetëtimat e sillnin me vete, mbyturazi nga bota e përtejme. – “Bëhu i fortë”! – shtoi dhe sërish heshtje. Heshta edhe unë. Heshtja dhe dënesja. Dy metrotë që na ndanin, e thellonin heshtjen edhe më. Ngjashmëria mes këtyre dy botëve, i shëmbëllente një pasqyre konkave, që i shpërfytyronte sendet, deri sa i kthente gati opake.
E ndante universin në dy botë, me përmasa mikroskopike: ajo ku më kishin ndryrë mua, rrethuar me tela gjembaçë, ruajtur me ushtarë të armatosur deri në dhëmbë, me qenë kufiri, me policë, me pranga, me kërbaç dhe tjetra matanë këtyre telave; gjithsesi edhe ajo e rrethuar me tela-klone, pas te cilëve vigjilonin gjithashtu, qenë roje dhe ushtarë të armatosur me arme dhe të mëkuar me urrejtje klasore, ku qenë të dënuar të vegjetonin im atë dhe të tjerët që pretendonin se gjasme i gëzoheshin lirisë, përkundrazi, përpëliteshin në batakun e tmerrit, në humnerat e lebetisë, nën shoqërinë e horrave dhe të lavireve, në botën e hiçit dhe të hipokrizisë, në një ekzistencë sureale, ku i detyronin të buzëqeshnin edhe kur i mbyste vreri, të këndonin edhe kur iu qahej, të lëvdonin edhe kur duhej të vinin kujën, të survejonin të afërmin, të spiunonin vëllanë, të tradhtonin të dashurin, të dashurën, prindërit, gruan, fëmijët, gjithkënd që s’përkonte rrymën; pra, të bojkotonin çdo vizionar që kapërcente kohët.
– “Ti tashmë je i rritur”! – më erdhi si nëpër muzg, zëri i babait. – “Burrat përballojnë dallgët më të rrëmbyeshme në jetë! Ne besojmë te ti”! – shtoi ai më tej, me sytë e mbrrudhur, të ngulur ethshëm mbi mua. – “Sido që të ndodh, llogarit se prapa ke lenë prindër, vëllezër e motra, që të duam shumë dhe të presim me padurim!
Ne do jemi përherë pranë teje, do ta kalojmë bashkë këtë hall. Ti ke detyrim të bësh pjesën tënde, domethënë: të shohësh punën e, të sillesh mirë, që të fitosh besimin dhe dashamirësinë e shokëve, të përvetësosh më të mirat e mundshme, pa dëmtuar askënd; pastaj për ç’farë të kesh nevojë, ke kujt t’i drejtohesh, unë dhe tre vëllezërit e tu, do rropatemi për t’u gjendur”!
Heshti, kur mbushej me frymë, ndjeva që aspironte me vështirë. M’u ngjall një ndjenjë keqardhje, për gjithë ç’i kisha shkaktuar jashtë vullnetit tim. Por minutat po iu afroheshin fundit, ndaj shpejtova t’i thoshja: – “Ju falenderoj, për gjithë ç’keni bërë për mua! Veçanërisht ty, baba”! – “Ç’është ajo fjalë, o bir”! – “Këtu në këtë vend, mbase jam nevojtar për shumëçka, po mbi gjithçka, më duhen libra, sepse kam nisur studimet” – me një frymë i serita një varg tituj shkollorë dhe jashtëshkollorë.
– “Mos u shqetëso, të gjitha do të t’i kesh, sa më shpejt. Në mos vet, me anë të postës apo, do gjej një mënyrë për t’i nisur…”! Pikërisht këtë moment ndërhyri polici: – “Takimi mbaroi, kaluan dhetë minuta, tash duhet m’u nda”! Faktikisht ne të ndarë ishim: dy palë gjerdhe gjembash, vijëzonin në mes dy botë! Aq sa mundësia për të tokur njeri tjetrin, s’ekzistonte.
Ndërkohë, nga pas godinës së oficerit të rojës ushtoi boria e një makine. – “Është makina që më solli e, do më marr sërish, deri në Laç. Mirupafshim bir”! – me gishtat e trashë të dorës që i dridhej, më çoi një të puthur. Si i ktheva përshëndetjen, pashë të bënte një rrotullim me kokën kthyer drejt meje, mandej u kalamend, deri sa humbi pas godinës. Shiu vazhdonte ende me të njëjtin ritëm, ndërsa errësira tashmë po ndehte perden e zezë e po zaptonte luginën, kurse shpati matanë Fanit, ish tretur në terr…! Me trasta në dorë, bëra për nga hyrja e kampit. I dehur dhe i troshitur, nën rrëshekët e shiut, më mbuloi hija e territ.
SHKOLLIMI
(Universitetet e mia)
Mbase arsyeja për t’iu arratisur rutinës mbytëse, më detyroi mua dhe miqtë e mi, të gjenim në ato kushte, mjetin më efikas për të vrarë kohën. Nën nxitjen e tyre, por me dëshirën time, iu futa shkollës. Shkollë në kushte burgu! Ç’ironi e hidhur! Brenda atij ambienti të rënduar nga dhuna dhe privacionet e panumërta, kërkova shpëtim me mjete të tjera. Në brendësi të vathës ku ishe i detyruar të shtyje njëzetekatër orë non stop, në të njëjtin mjedis, me të njëjtët njerëz, i gjori rob e humbte orientimin.
Ngaqë atje s’ndodhte asgjë e re, që të krijonte njëfarë variacioni, e të mbushje hapësirën kohore, shpesh detyroheshe t’iu riktheheshe sërish e sërish muhabeteve të vjetra. Si përfundim, të rrëmbente rutina dhe, o do bije preh e thashethemnajës pa bukë, që të zhyste në rrugë pa krye, aq sa mund të përfundoje peng i kacafytjeve banale, o do jepeshe pas ca veseve pa bereqet, si për shembull, të bëheshe pjesë e grupeve të bixhozit, që sërish të çonin në të njëjtin fund, sherre dhe grindje.
Ndaj pjesa më e përgjegjshme, sajonin metoda origjinale që t’i shfrytëzonin ato pak orë të lira që iu mbeteshin, në mënyrën më te dobishme. Rrjedhimisht: kush merrej me lexime, kush shkruante, kush pikturonte, kush gdhendte, kush studionte muzikë apo art, të tjerë që s’e honepsnin kulturën, merreshin me kuzhinë, qepnin, arnonin, thurnin me shtiza, lanin tesha që të mund të siguronin diçka plus për mbijetesë; të tjerë ende, tirrnin llafe në hava e, zdërhalleshin me lodra kumari.
Pra, gjithkush zgjidhte sipas aftësive intelektuale e prirjeve individuale. Në thellësitë e këtij FERRI shtetëror, orari i veprimeve monitorohej rreptë. Deri edhe frymëmarrja ishte i programuar. Rituali i përditshëm fillonte në orën pesë. Dang-dungu i çangës, pasohej nga fishkëllimat çjerrëse të gjarpërinjve dhe ulërimat e tellalli vazhdonte me ec-e-jaket; nevojtore-çezma-kazani i supës, zinxhiri zgjatej e gatitjet për në punë-rreshtim në rrugicën ndarëse të dy kampeve, që ora shtatë, t’i gjente në kantier me alete në dorë.
Vijonte atje me gërmime-zbarkime-transportime dheu e gurësh, pasonte një detantë në mesditë dhe riniste nga e para. Nën presionin e dhunës fizike dhe kërcënimet e policëve të punës, duhej të plotësoje pa mëdyshje normën, në të kundërt përfundoje në rrugën e “Golgotës”, i lidhur pas shtyllave me tel bari. Kështu zgjatej deri në rraskapitje e shterim forcash, sa të oshtinte sërish çanga, që sinjalizonte përfundimin e ditës së punës. Mirëpo kjo shpesh zgjaste e zgjaste pambarim, sidomos në behar. Edhe dhjetë edhe dymbëdhjetë orë! Orari i punës, lidhej me dëshirën dhe humorin e policëve. Mbaronte dorëzimi i veglave, po në udhën e “Golgotës” vinte rreshtimi sfilitës; numërimi dy e nga dy, në shtrungën poshtëruese.
Shpesh s’iu delte numri dhe stërmundimi përsëritej; edhe dy, edhe tri herë! Mandej fishkëllima gjarpërinjsh, që urdhëronin sërish një tjetër rreshtim; tashmë para kazanit të supës. Kur vinte radha, merre këllirën, e gjerbje, o të akullt në dimër, o me miza të ngordhura në behar. Nëse i tekej oficerit të rojes, të “blatonte” pak orë të lira dhe… sërishmi rreshtim, për apelin e mbrëmjes. Dita mbyllej ashtu si niste, me fishkëllimat e gjarpërinjve dhe ulërimat e Malos, që sinjalizonin ndalim-qarkullimin veshur nëpër kamp. Mbas këtij sinjali “lirie”, fjalën e merrte ushtari: “Prapa-ktheu! Ndal se do të qëlloj”! dhe me “kollë” të zgjatur, niste “vallja” e automatikut dhe e mitralozit të lehtë. që kishin për destinacion kurmet njerëzorë.
Mënyrën se si një i burgosur politik i shtynte vitet e burgut, mund ta përmblidhje pa e tepruar, në një frazë të vetme, të një program-ditari që bënte “biz”, të njëjtin avaz. Kështu, me gjashtë fjalë, mund ta përkufizoje: “Fishkëllima-rreshtime-apel-punë-kazan-fantazma”. Pra, niste në pesë fishkëllima gjarpërinjsh, vazhdonte me rreshtim te kazani i supës, sërish rreshtim për në frontin e punës, pastaj, punë dhe punë, mandej, fishkëllima-rreshtime-apel dhe prapë fishkëllima e fishkëllima, dhe serish fishkëllima e fundit, që i shndërronin ata në ca fantazma të bardha, me këmisha e benevrekë pupuline!
Kësaj sfilitjeje të sinkronizuar, unë i shtova me vetëdashje edhe një barrë më shumë, përgatitjen e mësimeve. Por në krye të herës, s’e mendova se bashkë me vështirësitë, do më duhej të përballja edhe rigorozitetin e mësuesve të mi. Po ta kisha parashikuar këtë zahmet, s’do kisha guxuar t’iu hyja këtyre garrameteve. Përkundrazi, do zgjidhja të bëja, sot një dorë domino, nesër një parti poker, pasnesër një përrallë dhe, më të rrallë ndonjë libër, sa për të vrarë kohën, siç vepronin shumë të tjerë.
Natyrisht kjo mënyrë e lehtë jetese, mund të më kish dhënë ca kënaqësi provizore, po me siguri e ardhmja ime, s’do kish hyrë në këtë hulli; mbase sot s’do isha ky që jam, me të metën e madhe të “nxënësit të përjetshëm”, si pasojë e efektit të atyre viteve. S’thonë kot: “koka bën, koka pëson” dhe “oreksi shtohet duke ngrënë e dija duke nxënë”!
Porse, ndërsa për të ngrënën ekziston një kufi fiziologjik, përtej të cilit fryhesh dhe s’mundesh më, truri përkundrazi qenka një sfungjer i panginjur dhe dija një hapësirë pacak; sa më thellë u zhyske këtij oqeani, aq më i padurueshëm u bëkërke dhe kurioziteti të shtyka të zhytesh e të zhytesh, në kërkim të perlave të pakapshme. Dija t’u kthekërka në mani dhe mania në obsesion, që ndoshta vetëm vdekja mund ta ndalë! Në shkollë kisha qenë nga nxënësit më të mirë.
Prindër dhe mësues, ishin të kënaqur me ecurinë time. Me gjithë hallet ekonomike dhe telashet politike, babai ishte kërkues ndaj nesh, përherë do gjente kohën e duhur, të na shoqëronte në shkollë dhe në aktivitete jashtë shkollore. Meqë në qytetin tonë të vogël, të gjithë pa përjashtim e njihnin njeri tjetrin, s’ishte e vështirë të mësoje përparimin e fëmijës tënd, mjaftonte një xhiro në bulevardin e vetëm të qytetit, që t’i takoje gjithë mësuesit. Këtë bënte babai dhe çdo kohë kishte informacion të bollshëm, për ecurinë tonë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016