Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Iljaz Lumani me origjinë nga fshati Sanjollas i Kolonjës, por i lindur në Stamboll, i cili në periudhën e Luftës u inkuadrua si partizan në Batalionin “Hakmarrje “ të Petrit Dumes, gjatë luftimeve në gushtin e 1943-it, u arrestua nga gjermanët dhe u internua në burgun e Selanikut, ku forcat gjermane mbanin të izoluar edhe disa qindra shtetas shqiptarë. Arratisja e Lumanit nga kampi gjerman dhe kthimi në Shqipëri, duke u bashkuar përsëri me batalionin “Hakmarrje”, pas mbarimit të Luftës, ai u thirr në Tiranë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Koci Xoxe i caktoi një mision tepër sekret, si oficer ndërlidhës dhe shoqërues i krerëve më të lartë të Partisë Komuniste Greke dhe Ushtrisë së tyre, të cilët i merrte ilegalisht në disa baza sekrete në Malin e Gramozit dhe i sillte në Tiranë, duke i siguruar dhe ruajtur ata, në një vilë sekrete në Rrugën “Skënderbej”, nga ku ata shkonin në takime me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Abdyl Këllezin etj. Arrestimi i tij pas një debati me Mehmet Shehun, lidhur me disa dhurata që ai kishte pranuar nga Niko Zaharjadhis dhe bashkëshortja e tij, lirimi pas letrës që i bëri Enver Hoxhës dhe çmobilizimi nga ushtria, pasi nuk pranoi të shkonte si komisar batalioni në Pukë, duke dyshuar se do ta eliminonin fizikisht dhe puna si punëtor në ndërmarrjet e Tiranës deri sa doli në pension në vitin 1980-të.
Në Batalionin “Hakmarrje”
Iljaz Lumani u lind më 23 prill të vitit 1921 në Stamboll, ku babai i tij, Nevruzi, kishte shkuar si emigrant nga Greqia ku e kishin internuar, pasi vëllai i tij Veipi, kishte vrarë një oficer turk në fshatin e tij Sanjollas të Kolonjës prej nga është dhe origjina e asaj familje. Gjatë viteve të Luftës e gjithë familja Lumani u lidh me Lëvizjen Antifashiste, duke marrë pjesë aktive në formacionet partizane. Lidhur me këtë, Iljazi kujtonte: “Në qershor të vitit 1942, familja jonë u lidh me Lëvizjen Antifashiste nëpërmjet familjes së Dylbere Bacit në Korçë, tek e cila ne çonim armë. Për herë të parë për rëndësinë e Luftës mua më foli Dylberi dhe aty nga fundi i dhjetorit të vitit 1942, unë shkova dhe u inkuadrova si partizan i thjeshtë, në çetën e Kolonjës, që asokohe udhëhiqej nga komandanti Petrit Dume dhe Komisari Josif Pashko. Në atë kohë ajo çetë meqë ishte e vogël në numër, ishte bashkuar me çetën tjetër që komandohej nga Demir Staravecka dhe aty nga data 20 qershor e vitit 1943, ajo u kthye në Batalionin që mori emrin “Hakmarrje”. Në përbërje të atij batalioni unë mora pjesë në të gjitha luftimet që u zhvilluan, si ai prillit të vitit 1943 në Urën e Çarshovës, ku pasi i zumë pritë një autokolone italiane, i kapëm 12 ushtarë robër dhe i dogjëm gjashtë kamionë dhe një autoveturë. Po kështu kam marrë pjesë në luftimet për marrjen e Postëkomandë të Milicisë Fashiste, që përbëhej prej 25 ushtarësh, si dhe atë të marrjes së postës së xhandarmërisë dhe karabinierëve italianë. Beteja e fundit që unë mora pjesë në përbërje të atij Batalioni, ishte ajo që bëmë për marrjen e Postës së Kufirit, që ruhej nga 12 ushtarë shqiptarë dhe 12 italianë, të cilët i komandonte Shefqet Melcka, i cili më pas u bashkua me çetën e Kolonjës dhe u bë komandant shumë i zoti i njësiteve partizane”.
Arrestimi nga gjermanët
“Në përbërje të Batalionit “Hakmarrje” kam qëndruar deri në gushtin e vitit 1943 dhe beteja e fundit që kam marrë pjesë në përbërje të atij Batalioni, ka qenë ajo e Barmashit më 6 korrik, kundra forcave gjermane. Më pas, nga data 10 korrik e deri nga fundi i gushtit kur u arrestova nga gjermanët, kam qenë i sëmurë nga tifoja dhe ndodhesha në fshatin Bënjë të Radomit, pasi komandanti i Batalionit, Petrit Dume, më kishte urdhëruar të qëndroja pranë familjes dhe për të më kuruar, më kishte lënë vëllanë e tij. Në atë kohë që unë ndodhesha në atë fshat, gjermanët ndërmorën një operacion të gjerë në atë krahinë, me qëllim që të zbulonin e godisnin bazat ku fshiheshin e strehoheshin partizanët. Por edhe pse ishim fshehur aty, u rrethuam nga gjermanët, pasi na spiunoi A. Barmashi dhe së bashku me 23 të tjerë, u arrestuam prej tyre”, kujtonte Iljaz Lumani.
Në burgun gjerman të Janinës
Lidhur me këtë, Iljazi kujtonte: “Gjermanët mua më arrestuan së bashku me vëllanë, më të madh Vehipin dhe babanë tonë Novruzin, e së bashku me 23 partizanët dhe fshatarët e tjerë, si: Dule Ismolli, Sulo Selimi, Shahin Temja, Estref Baci, Fari Arifi, Dine Rushiti, etj., na nisën për në Greqi, duke kaluar nga ura e Borozanit, ku na lanë katër ditë pa bukë dhe më pas na dërguan në burgun e Janinës, i cili ishte një burg i vjetër që ishte ndërtuar, që në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Në atë burg ku na çuan, gjermanët mbanin të arrestuar rreth tre mijë e ca grekë dhe ç’është e vërteta, ne nuk na trajtonin keq e nuk na torturonin, por ushqimi ishte shumë i pakët, sa mezi mbanim frymën gjallë. Pasi qëndrova për tetë muaj në atë burg, më 20 prill të vitit 1944, teksa isha duke mbushur ujë për të burgosurit, ushtarët gjermanë që na shoqëronin u goditën me armë nga disa partizanë grekë dhe unë duke përfituar nga rasti, u arratisa dhe u largova me të shpejtë, në drejtim të periferisë së qytetit të Janinës. Pasi isha shumë larg dhe u sigurova që nuk po më ndiqnin gjermanët, trokita në derën e një familje greke, të cilët më ftuan brenda. Pasi më mbajtën për disa ditë në shtëpinë e tyre, unë u kërkova atyre të më jepnin një nga djemtë e tyre të më shoqëronte për tek partizanët grekë të EAM-it, të cilat i kishin bazat e tyre në fshatrat përreth Janinës. Kështu u largova prej tyre dhe djali i asaj familje, më shoqëroi deri në një fshat jo shumë larg Janinës ku u takova me çetën e partizanëve grekë të komanduar nga Niço dhe komisari Jorgo”.
Lufton me partizanët grekë
“Që ditën e parë kur shkova dhe u bashkova me çetën e partizanëve grekë dhe gjithë kohës prej katër muajsh, që unë qëndrova në përbërje të efektivit të asaj çete, ata më pritën dhe më trajtuan shumë mirë. Një nga partizanët e njohur grekë i quajtur Aris Zdrava, që ishte komandant i një Regjimenti, sapo shkova atje më dha rroba ushtarake angleze dhe ai më mbante gjithë kohën afër dhe më ndihmonte për çdo gjë. Po ashtu gjatë asaj kohe unë njoha dhe sekretarin e Partisë Komuniste të asaj çete, që quhej Çakallov, i cili dhe ai më mbante afër, që të mos e ndjeja vetminë. Gjatë atyre katër muajve që unë qëndrova në atë çetë, mora pjesë në të gjitha luftimet që zhvilluan ata, duke luftuar përkrah partizanëve grekë, kundër forcave gjermane si në: Trikalla, Agrinjo, Koshan, Mesallonjë dhe rrethet e Konicës. Në atë kohë partizanët grekë të EAM-it ndonëse ishin shumë liberalë dhe nuk e kishin disiplinën e partizanëve shqiptarë, luftonin vetëm kundër forcave gjermane dhe nuk bënin luftë vëlla-vrasëse, ashtu siç bënim ne këtu në Shqipëri. Asokohe partizanët grekë kishin marrëdhënie shumë të mira me partizanët shqiptarë dhe ata e njihnin udhëheqjen kryesore të Partisë Komuniste, duke filluar nga Enver Hoxha, Koci Xoxe etj., por më shumë ata njihnin Koci Xoxen e Lefter Talon, që komandonte partizanët e minoritetit”, kujtonte Iljaz Lumani.
Kthimi në Shqipëri
“Pasi më dhanë si shoqërues partizanin grek nga Pilkati të quajtur Stavri, unë u nisa së bashku me të dhe ai më shoqëroi dhe më solli deri në fshatin Arrëz të Kolonjës. Pasi mbërrita në atë fshat dhe u ndava me Stavrin, unë shkova dhe u strehova në shtëpinë e Thoma Illiut, të cilët i njihja prej kohësh. Ata më pritën shumë mirë dhe pasi më mbajtën disa ditë në shtëpinë e tyre, unë kërkova të largohem dhe ata më përcollën për në një fshat tjetër, nga ku unë u ktheva përsëri në Batalionin “Hakmarrje” aty ku kisha qenë përpara se të arrestohesha nga gjermanët, në gushtin e vitit 1943. Pasi qëndrova disa kohë në radhët e Batalionit “Hakmarrje”, unë shkova në një fshat të Kolonjës, ato ditë ishin grumbulluar shumë partizanë, pasi aty po riorganizohej Brigada e Dytë e Beqir Ballukut, pas shpartallimit që ajo kishte pësuar në Operacionin gjerman të Dimrit, kur kishte qenë në zonat e Malësisë së Tiranës dhe ato të Martaneshit. Në përbërje të Brigadës së Dytë unë qëndrova deri në çlirimin e vendit, duke marrë pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi ajo Brigadë”.
Koci Xoxe i ngarkon misionin sekret
Pas mbarimit të Luftës, Iljazi u thirr në Tiranë dhe në janarin e vitit 1946, atij iu ngarkua një detyrë tepër e veçantë. Lidhur me këtë, ai kujtonte: “Atë ditë së bashku me mua në Ministrinë e Brendshme, kishin ardhur dhe një grup oficerësh prej 10-12 vetash dhe të gjithë siç ishim, u pritëm nga zv/ministri i Brendshëm, nënkolonel, Myftar Tare, që ishte ndihmësi i Koci Xoxes, i cili në mes të tjerash na tha: ‘Ju kemi thirrur për t’ju caktuar në një detyrë tepër sekrete dhe të një rëndësie të veçantë, që na ka ngarkuar Partia. Ju jeni zgjedhur dhe do të punoni në zonën kufitare të Qarkut të Korçës, për të ndihmuar partizanët grekë të EAM-it’. Pas këtyre fjalëve që Myftar Tare na tha për të na njohur me detyrën e re, që po na ngarkohej, ai na caktoi edhe detyrat e veçanta për gjithsecilin nga ne dhe lidhjet që do të kishim. Pas takimit me Myftar Taren, ne na priti dhe ministri i Brendshëm, Koci Xoxe, i cili pasi na uroi për detyrën e re, na porositi që për çdo gjë që të kishim gjatë punës sonë, do të kontaktonim vetëm me ndihmësin e tij, Taren. Një nga detyrat që mua ngarkua mua, ishte vendosja e kontakteve me partizanët grekë të komanduar nga gjenerali Markos Vafjadhis, të cilët e kishin vendosur Shtabin e tyre në Malin e Gramozit, për t’i furnizuar ata rregullisht me armatime, ushqime, veshmbathje dhe për çdo gjë tjetër që ata kishin për nevojat e luftës së tyre kundra forcave qeveritare të kryeministrit Caldaris. Gjithashtu unë së bashku me disa nga kolegët e mi oficerë, duhet të kujdeseshim për partizanët grekë të plagosur dhe t’i shpërndanim ata në disa spitale, që në atë kohë u ngritën enkas për ta, si në Voskopojë, e në disa fshatra të tjerë të Korçës dhe Ersekës. Pas marrjes së detyrës, unë u nisa për në zonën kufitare që mua m’u caktua dhe aty mora lidhje me J. O. i cili ishte caktuar si përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme në Qarkun e Korçës dhe ishte direkt shefi im. Gjatë atyre katër pesë vjetëve që unë punova në atë detyrë në zonën kufitare në Malin e Gramozit, disa herë kam hyrë e kam dalë brenda territorit të Greqisë, një pjesë e madhe e atij territori kontrollohej nga partizanët e EAM-it. Sa herë që hyja në tokën greke për të kryer detyrat e ndryshme që më ngarkoheshin, unë thirresha në Degën e Punëve të Brendshme, ku nënshkruaja një deklaratë që nuk do të dekonspiroja misionin e ngarkuar në çfarëdolloj rrethane që do të ndodhesha”.
Sjellja e grekëve në Kongres
Një nga misionet tepër sekrete që i’u ngarkua në atë kohë Lumanit, ishte ai i sjelljes së dy udhëheqësve të lartë grekë në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste Shqiptare, që do të zhvillohej në atë kohë në Tiranë. Për këtë, Iljazi kujtonte: “Disa ditë përpara se të fillonte punimet Kongresi i Parë i Partisë Komuniste Shqiptare në Tiranë, mua më thirri shefi dhe më ngarkoi që të merrja ministrin e Jashtëm të EAM-it, Jani Joanidhis dhe Komisarin e Përgjithshëm të Ushtrisë së EAM-it, Vasil Barxhota, e t’i sillja në Tiranë, pasi ata do merrnin pjesë në punimet e Kongresit të Parë. Sipas urdhrit, unë shkova në zonën kufitare në fshatin Nikolicë, ku ne kishim ngritur postën e përhershme sekrete dhe pasi i mora në dorëzim Joanidhisin e Barxhotën, u vura në dispozicion dy kuaj, me të cilët i solla deri në pikën tjetër sekrete, që kishim ngritur në afërsi të fshatit Dardhë, ku më priste makina me të cilën do të vinim deri në Tiranë. Gjatë udhëtimit, në të dalë të Librazhdit, na u prish makina dhe unë hyra në lidhje me Ministrinë e njoftova shefin tim, nënkolonel Myftar Taren, i cili na dërgoi një makinë tjetër, mbërritëm në Tiranë pa probleme. Joanidhis dhe Vasil Barxhota morën pjesë në punimet e Kongresit të Parë të PKSH-së dhe kur e morën fjalën për të përshëndetur, delegatët u ngritën në këmbë dhe i pritën me duartrokitje të gjata. Gjatë atyre ditëve që ata qëndruan në Tiranë, unë i shoqëroja kudo dhe ata më kërkuan që t’i shëtisja në disa pika turistike. Sipas kërkesës së tyre dhe sipas urdhrit që kisha nga shefat e mi, unë i dërgova ata për të parë Kalatë e Petrelës, Krujës, Durrësit, si dhe pikën turistike në Malin e Dajtit. Ata ishin shumë të kënaqur me ndihmën e madhe që u jepte Qeveria Shqiptare dhe gjatë bisedave që bënim e përmendnin shpesh këtë gjë”.
Në Cërrik, 60 mijë grekë
Aty nga gushti i vitit 1949, forcat qeveritare të ushtrisë greke ndërmorën sulmin frontal në Malin e Gramozit dhe i thyen partizanët grekë të EAM-it, duke i detyruar ata që të tërhiqeshin drejt territorit shqiptar. Lidhur me këtë, Luamni kujtonte: “Nga gushti i vitit 1949, kur forcat partizane të komunistëve grekë të EAM-u thyen keqasi dhe u tërhoqën në brendësi të territorit shqiptar, unë dhe disa kolegë të mi oficerë, u ngarkuam me sistemimin e tyre në pika të ndryshme që u ngritën atëherë për pritjen e tyre. Asokohe në drejtim të tokës tonë erdhën shumë komunistë dhe partizanë greke, disa prej të cilëve ishin me gjithë familjet e tyre. Ne i çarmatosnim që në kufi dhe pastaj me mjetet që na ishin vënë në dispozicion, kryenim transportin dhe shpërndarjen e tyre, nëpër zona të ndryshme të Shqipërisë Mesme, si Elbasan, Kavajë, Durrës etj. Në atë kohë Komanda e tyre e Përgjithshme, e cila kishte qenë e instaluar në Malin e Gramozit, erdhi në Shqipëri dhe u vendos në fushën e Cërrikut, aty ku sot është ndërtuar Rafineria e Naftës dhe është ngritur qyteti. Në atë kohë, Komandantin e Përgjithshëm të Ushtrisë greke (EAM) gjeneralin Markos Vafjadhis, partia e tij e kishte hequr dhe e kishte shpallur revizionist dhe në vend të tij, ishte caktuar gjenerali Vandasi, kurse Komisar, vazhdonte të ishte Vasil Barxhota, ndonëse ishte i plagosur në këmbë. Në atë periudhë ishte arrestuar Koci Xoxe dhe në vend të tij, si ministër i Brendshëm, kishte ardhur Mehmet Shehu. Me arrestimin e Kocit, u arrestua edhe Myftar Tare dhe detyrën që kishte kryer ai, për shoqërimin e krerëve të lartë të Partisë Komuniste Greke, në atë kohë ma ngarkuan mua. Aty në Cërrik, unë merrja takim shpesh herë me gjeneral Vandasin dhe komisarin Barxhotas, e për çdo problem që kishin, unë kontaktoja direkt me Kadri Hazbiun. Refugjatët grekë që u vendosën në fushën e Cërrikut, numri i të cilëve arrinte deri në 60 mijë vetë, u sistemuan nëpër çadra dhe ne kishim organizuar mbrojtjen e tyre, me ushtarë e oficerë të armatosur të cilët i komandoja unë. Refugjatët grekë qëndruan nëpër çadra nga muaji gusht, deri në muajin dhjetor. Në dhjetorin e vitit 1949, nga Durrësi ata u nisën me vaporë nëpër shtetet e tjera komuniste të Evropës Lindore, të cilët i pritën dhe i sistemuan”.
Me udhëheqjen greke në Tiranë
“Mbasi ikën refugjatët grekë të Cërrikut, udhëheqja e tyre erdhi në Tiranë dhe ata u vendosën në një vilë në Rrugën “Skënderbej”, aty ku ka qenë ambasada e Republikës Demokratike Popullore të Koresë. Vendosja e tyre në atë vilë u mbaj tepër sekret dhe në çdo kohë ajo ruhej me ushtarë të Ministrisë së Brendshme. Në atë vilë përveç ushtarakëve të lartë grekë, që kishin drejtuar luftën kundër forcave qeveritare të Caldarisit, kishin ardhur dhe Niko Zaharjadhis që mbante postin e Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste Greke, së bashku me bashkëshorten dhe sekretarin e tij, kolonelin Fereo. Ata zakonisht nuk dilnin nga vila dhe kur kishin ndonjë problem për t’u takuar me Enver Hoxhën, Hysni Kapon etj., unë komunikoja me Drejtorin e Drejtorisë Speciale të Ministrisë Brendshme, Neshat Hysin, apo Jorgo Kolën dhe i shoqëroja në ato takime. Në vilën ku qëndronin ata, shpesh herë vinin për t’i vizituar ministri i Brendshëm dhe zv/kryeministri Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Kadri Hazbiu dhe Abdyl Këllezi. Në pranverën e vitit 1950-të, Byroja Politike e Partisë Komuniste Greke dhe ushtarakët e lartë që qëndronin në vilën sekrete në Tiranë, u përgatitën për t’u larguar nga Shqipëria. Në darkën që shtruan natën e fundit, para se të largoheshin, mori pjesë Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, Abdyl Këllezi etj. Gjatë darkës, Niko Zaharjadhis i dhuroi si kujtim Mehmet Shehut, një armë gjahu, kurse e shoqja Kukula, mua më dhuroi një stof për kostum dhe një revolver”,
Debati me Mehmet Shehun
Me ikjen nga Shqipëria të udhëheqjes së lartë të komunistëve grekë, përfundoi dhe karriera ushtarake e Iljaz Lumanit, për të cilën ai thotë se u bë sebep Mehmet Shehu. Lidhur me këtë ai kujtonte: “Pas ikjes së grekëve mua më emëruan shef Sektori në Drejtorinë e Parë të Ministrisë Brendshme, ku punoja me Kundër zbulimin. Pas disa ditësh, më thirri në zyrë Mehmet Shehu dhe më pyeti për një kolegun tim, të cilin e kishin kapur rob në Greqi. Unë iu përgjigja: Nuk di gjë. Ju e keni nisur vetë në Greqi, pse më pyesni mua, kur ju jeni marrë direkt me të’?! Mehmet Shehu u inatos nga përgjigja ime dhe më tha: Pse e pranove kostumin e revolen, që të dha e shoqja e Zaharjadhisit, nuk ka qeveria jonë kostum e revole, për të dhënë ty’?! Unë iu përgjigja: E pranova atë dhuratë, pasi të pashë ty që pranove çiften’. Mehmeti ma ktheu: Po pse njëlloj je ti me mua? Pas atij debati që vazhdoi edhe më gjatë, Mehmet Shehu më futi një muaj në arrest dhe unë gjatë atyre ditëve i shkrova një letër Enver Hoxhës, ku në mes të tjerash i thoja: ‘Ku janë ato fjalë të bukura, ‘Po e kryet këtë detyrë, Partia dhe pushteti e di si do t’ua shpërbleje’, që na thatë atëherë në 1946-ën kur na nisët me mision për në kufirin me Greqinë’, dhe letrën ia dhashë dorazi, Sami Ormovës, që ishte komandant i rojeve në hyrjen e Komitetin Qendror. Pas disa ditësh, më erdhi zv/Ministri i Brendshëm, Josif Pashko dhe më pyeti se ç’i kisha shkruar shokut Enver, e pasi më nxori nga arresti, më tha të shkoja në Pukë si Komisar Batalioni. Unë nuk pranova të shkoja atje se e dija se do të më fusnin ndonjë plumb dhe do të më qëronin”, e përfundonte rrëfimin e tij, Iljaz Lumani, i cili në atë kohë pasi dorëzoi dokumentin e partisë dhe u lirua nga ushtria, përfundoi si punëtor në ndërmarrje të ndryshme të Tiranës, deri në vitin 1980-të kur doli në pension./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016