Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e njëzetenjë
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
“Edhe në qoftë se këto deklarata të Prengë Pashës, synojnë të justifikojnë tendencat e tij separatiste, prapëseprapë prej sjelljes së këtij mirditori, unë besoj se kam vërtetuar pikëpamjen time, të shprehur në raportin tim konfidencial, numër 50, datë 1 gusht të këtij viti, sipas të cilit; “ideja kombëtare shqiptare është krejtësisht e huaj për fiset katolike të Malësisë, kjo për shkak të shkallës kulturore të ulët të tyre”, (417)- shkruhet në një raport të Legatës austro-hungareze në Cetinë.
Mungesa e Princit Bibë Dod,a në proceset e rëndësishme politike që u shoqëruan me shpalljen e Pavarësisë, ndikoi negativisht në afirmimin e tij si figurë politike e përmasave kombëtare. Tendencat e tij separatist, e tipizuan si politikan lokalist, megjithëse kur u angazhua në funksione qeverisëse, punoi për forcimin e unitetit mbarëkombëtar. Sidoqoftë, për periudhën janar – gusht 1913, Prenga, është konsideruar si problematik dhe kundër përpjekjeve për bashkimin kombëtar.
Konsullata austro-hungareze në Shkodër dhe ambasadat në Romë e Cetinë, ndiqnin me vëmendje veprimtarinë e Prengës në këto dy shtete. Në relacionin e tij, konsulli Zambaur, shkruan: “Në vijim të shkresës sime të datës 11 të këtij muaji, që bën fjalë mbi marrëdhëniet e Prengë Pashës në Itali dhe Mal të Zi, marr lejen të njoftoj sa vijon: Pata rastin t’i hidhja një vështrim një letre që, nipi i argjipeshkvi Nikoll Sereqi, i dërgonte nga Vjena (“Hotel de France”) më 17 të këtij muaji, xhaxhait të tij Pashk Sereqit, i cili për shkak të hakmarrjes së ditur, qëndron në Kastrat. Në atë (letër), ndodhet një shtesë që ishte shkruar nga dora e Prengë Bibë Dodës, dhe e destinuar për Arkipeshkvin, sipas të cilës, shkruesi bën të ditur, qëllimin e tij për t’u vënë në krye të lëvizjes shqiptare dhe për të shkuar në Malësi me anë të Malit të Zi, ku a i dëshiron që të bëjë një bisedim edhe me Mbret Nikollën.
Ai kërkon ta marrë vesh pastaj nga Arqipeshkvi, se si do ta gjykonin malësorët këtë vendim të tij. Imzot Sereqi, që ka pak konsideratë për Prengë Pashën, ashtu sikurse kanë edhe shefat me shumë influencë të maleve të Mbishkodrës, në qoftë se ka për t’u përgjigjur, – ka mundësi që ajo (përgjigje) të jetë evazive. Karshi meje, ai i nënvleftësoi planet e Bibë Dodës, duke theksuar se këto e të tjera më të reja, kanë të bëjnë me qëllimet e tij të lëkundshme dhe, ndoshta, edhe me deziluzionit e tij materiale. Mbasi ka nxjerrë nga Italia atë që ishte e mundshme, Prenga tani, është lidhur me propozimin që i ka bërë Princi Mirko në Porto Rose dhe i është kthyer Malit të Zi”. (418)
Ndonëse premton në Romë, Prenga nuk e kishte për gjë që të paraqitej publikisht në favor të projekteve malazeze në Cetinë, ndër të cilat, edhe ato që ishin në kundërshtim me interesat italiane, apo austro-hungareze. Diplomati Ledinegg, nga Tivari, i shkruante Berchtold-it në Vjenë: “Prej Italisë, Prengë Bibë Doda, mbërriti pardje në Tivar. Ai u deklaroi disa bashkatdhetarëve të tij se, kishte ardhur për t’u informuar se çfarë mendojnë malazezët, për fatin e mëtejshëm të Shqipërisë, kur dihet se ata, u kishin mohuar çdo aftësi të shqiptarëve, për vet administrim. Prenga, kishte shfaqur mendimin se; “shqiptarët, mund të zhvilloheshin nga pikëpamja kombëtare, edhe nën Malin e Zi. Patrioti “guximtar”, i cili këto mendime politike me siguri që i ka përvetësuar në saj të ndonjë bakshishi malazez, ose me shpresë se mund ta marrë një të tillë, zhvilloi këtu një bisedë me bajraktarin Vat Marashi, rob i luftës së Shkrelit. Kapidani u nis sot për në Rijekë, i shoqëruar prej kryetarit të këtushëm dhe do të pritet në audiencë prej Mbretit (të Malit të Zi). (419)
Prenga ishte takuar me Mbretin malazez dhe i kishte kërkuar pëlqimin për; “shpalljen e pavarësisë” në territoret, ku mendon se do të shtrihet “Principata” e ideuar prej tij. Ndërkohë që ky veprim, binte ndesh me interesat austriake, dhe ai e kuptonte mirë se Vjena, kërkonte bashkimin e të gjithë faktorit shqiptar, për forcimin e shtetit në të gjitha territoret e tij. Megjithëse i dinin këto fakte komprometuese dhe po përcillnin me interes takimet e Kreut të Mirditës, diplomacia austro-hungareze dhe ajo italiane, preferuan të përdorin shkopin dhe karotën ndaj tij.
Sipas konsullit austro-hungarez në Cetinë; “që nga dje, Prengë Biba ndodhet këtu. Këtu ndodhet edhe Mbreti, i cili mbërriti me tren special, nga Antivari”. (420)
Diplomati austro-hungarez nga Cetina, Gisel, e njoftoi Ministrinë e tij të Jashtme, në lidhje me veprimtarinë diplomatike të Prengës: “Prengë Bibë Doda, më dërgoi besnikun e tij, Dr. (Anton) Sadedinin, i cili më njoftoi se me pëlqimin e Malit të Zi, ai do të kthehej në atdheun e tij, duke kaluar nga Shëngjini. Në Orosh, ai do të proklamonte pavarësinë e shqiptarëve katolikë, pra të mirditorëve dhe të malësorëve. Ai nuk qenka takuar ende me Mbretin Nikolla dhe paska kërkuar vetëm lehtësira, për udhëtimin në Shqipëri. Përgjigja nuk i është dhënë ende. Sadedini, më siguroi se eprori i tij, ishte pa diskutim besnik i Monarkisë (Austro-Hungareze) dhe ai do të vepronte në mbështetje të politikës sonë. Ai kërkon përkrahje financiare, e cila brenda 3 ose 4 ditëve, duhet t’i dërgohet në Kotorr, për ku ai po niset sot”. (421)
Në një relacion tjetër, Giesel, informon se; Kreu i mirditasve, kishte mundur të siguronte njëfarë mbështetje financiare. “Ka katër ditë, që Prengë Bibë Doda, është përsëri këtu, por pa m’u afruar as mua, as kolegut tim italian. Me anën e një banke italiane, ai mori këtu disa mijëra franga, gjoja nga çmimi i blerjes, për pyllin e shitur më parë. Bibë Doda, kërkoi urgjentisht prej Mbretit, 3000 pushkë, për të vepruar te mirditasit, në mbështetje të politikës malazeze, por pa sukses. (422)
Pasi mbaroi punë me malazeztë, Prenga, u afrohet austriakëve. Ambasadori austro-hungarez, von Merey, nga Roma, shkruan: “Korrespondenti i këtushëm i gazetës “Railpost”, (Majerhofer) më njoftoi se, kishte biseduar me shefin e mirditorëve, Prengë Bibë Dodën. Ky i fundit, pretendon se Mbreti i Malit të Zi, e kishte thirrur për të bërë propagandë për Malin e Zi, midis mirditorëve. I përmenduri ka ndërmend, që të udhëtojë nga Cetina për në Shqipëri, por nuk mendon të vihet në shërbim të Mbretit Nikolla. Ai dëshiron të influencojë te mirditorët, për t’u bashkuar me atë pjesë të malësorëve, që mban qëndrim kundër Malit të Zi, sepse ata, nuk kanë marrë sigurime të mjaftueshme prej Mbretit, në lidhje me autonominë”. (423)
Duke studiuar eklektizmin dhe pragmatizmin e theksuar, të Princit të mirditorëve, Ambasadori austro-hungarez në Romë, Von Mere, i propozon Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, një qëndrim tjetër ndaj Prengës, të ndryshëm nga ai që mbante konsulli austro-hungarez në Shkodër, Zambaur. “Duke marrë parasysh situatën delikate dhe meqë nuk kemi shumë besim te Prengë Pashë Bibë Doda, unë do të këshilloja, që të merret një qëndrim kundër pozicionit të Von Zambaur”. (424)
Vërejtje serioze rreth qëndrimit të Prengës, ka dhe Ministri Fuqiplotë në Cetinë, Gisel, i cili pasi ndjek me vëmendje qëndrimin e tij në Malin e Zi, propozon: Prej bisedës me Sadedinin, unë kuptova se Prengë Bibë Doda, nuk e njihte qeverinë provizore (të Vlorës) dhe do të vepronte me kokën e tij, sepse ishte lënë mënjanë, prej Ismail Qemal Beut. Ai do t’i shitej atij, që do të ofronte më shumë, qoftë Italia, Austro-Hungaria ose Mali i Zi.(425)
Në mbështetje të telegramit të Shkëlqesisë Suaj, numër 128, datë 5 të muajit vazhdues, unë pata rast që të shprehesha dhe të theksoja se, Prengë Bibë Doda, do të bënte mirë që para së gjithash të mbronte idenë kombëtare shqiptare. Po ashtu theksova se, qeveria perandorake dhe mbretërore (austro-hungareze), do ta shikonte qëndrimin e tij në Mirditë, do ta çmonte atë siç duhej, dhe në rast nevoje, do ta ndihmonte. (426)
Shqetësim për diplomacinë austro-hungareze, kishin qenë në vijimësi marrëdhëniet e afërta të familjes së Bibë Dodës, me Francën. Me mbështetjen që Franca i kishte dhënë Prengë Bibë Dodës, në përpjekjet e tij separatiste, kishte tërhequr vëmendjen austriake. “Në një bisedë që pati Poincare me Pichon, u vendos që Mirdita, të njihet si Princni më vete, nën mbrojtjen franceze”. (427)
Shefi i Mirditës, qe pritur në Paris, prej zotit Poincare dhe Pichon e, prej këtij të fundit, iu dha mbështetja për ta deklaruar Mirditën si; “Princni të pavarur, nën mbrojtjen e Francës”. Normalisht, kjo duhet të ngjallte mërinë e Italisë, por italianët, nuk mund të prisheshin me Prengë Bibë Dodën, pse kishte mundësi të dështonte, koncesioni i madh pyjor, që ata kishin marrë lejen për ta shfrytëzuar, duke i ftuar banorët për kryengritje. (428)
Kapidani Gjonmarkaj, anoi shumë drejt lokalizmit dhe me gjithë angazhimin mbarëkombëtar, mbeti, në njëfarë kuptimi, lider i veriorëve. Kjo taktikë politike, i shërbente për të qëndruar gjithmonë në skenën politike, ku bëheshin llogari, mbi ndarjet që ekzistonin në realitetin shqiptar: gegë-toskë; myslimanë-ortodoksë- katolikë; pastaj ndarjet krahinore. Në situatën e brishtë të çështjes shqiptare, qëndrimet e Prengë Bibë Dodës, për kantonizimit e territoreve shqiptare apo për “Principatën katolike”, ishin të dëmshme, ndërkohë që po bëheshin përpjekje, për ikjen nga ai realitet që në fakt ekzistonte.
Diplomacia austro-hungareze dhe ajo italiane, e konsideruan Prengën; “një politikan që punon kundër interesave të tyre”. Ky qëndrim, shprehet qartë në relacionet diplomatike: “Përsa bëhet fjalë, në telegramin e Shkëlqesisë Suaj, numër 229, të datës 5 të këtij muaji, unë kam marrë me datë 4 të këtij muaji, prej baronit Giesl, telegramin që vijon: Sa i përket Prengë Pashës (Bibë Dodës), instruksionet e akorduara me qeverinë italiane u dërguan në Cetinë dhe në Durrës. Ato do të dërgohen edhe në Shkodër, me rastin më të parë e të sigurt. Janë marrë të gjitha masat, që karshi shefit të mirditorëve, përfaqësuesit tanë, të veprojnë sipas këtyre instruksioneve. (429)
Po cilat janë ato instruksione? Në udhëzimet që Ministri i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Konti Berchtold, i jep Ambasadorit të tij në Romë, qartëson bashkëpunimin, midis Vjenës dhe Romës, në lidhje me Prengën, kur shkruan: “Konformë autorizimit, Duka i Avarnës, më njoftoi sot se qeveria e tij, ka akorduar një ndihmë në të holla, shqiptarit Prengë Bibë Doda. Në ndërmarrjen e këtij veprimi, Markezi San Giuliano, është nisur prej idesë se, në rast të kundërt, i përmenduri mund t’i drejtohej qeverisë serbe.
Ambasadori, më njoftoi qëllimin e qeverisë së tij, për ta pajisur me instruksione Prengë Bibë Dodën, instruksione që duhet të caktohen në bashkëpunim me ne. Unë rashë dakord me Dukën e Avarnës, që instruksionet, të përmblidhen në kuptimin e mëposhtëm. Kryetari në fjalë, duhet të bjerë dakord me krerët e tjerë shqiptarë, që të vënë në veprim të gjitha forcat e tyre, për çështjen e përbashkët. Të evitohet që gjithsecili, të shkonte sipas kokës së tij. Ata duhet të ndalojmë çdo grindje mes fiseve; të mundohen të mbajnë rendin dhe qetësinë; të lënë mënjanë dallimet fetare dhe të bashkohen si vëllezër midis tyre.
Shqiptarët duhet të kenë parasysh se tani, është çasti të angazhohen të gjithë, për autonominë e vendit dhe të ndalojnë çdo ndërhyrje të huaj. Shkëlqesia Juaj, keni mirësinë dhe i komunikoni, Markezit di San Giuliano, se duke marrë parasysh të kaluarën e tij, unë kam pak besim në personin e Prengë Bibë Dodës. Megjithatë, unë do të jem dakord që krahas ndihmës materiale, atij t’i dërgohet edhe një porosi në kuptimin e mësipërm. Meqë tani për tani, nuk e di vendqëndrimin e shqiptarit në fjalë, zotëria juaj, të keni mirësinë dhe ta pyesni zotin Ministër, se kujt zyre konsullore, duhet t’i drejtohet urdhri relative”. (430)
Diplomacia e Vjenës, e njihte mirë Kreun e mirditasve dhe kompleksitetin e sjelljeve të tij. Duheshin marrë masa efikase që e detyronin atë, të punonte konformë interesave austro-hungareze dhe italiane, që në atë kohë, përkonin deri diku me interesat kombëtare të shqiptarëve.
Për ta penguar Prengën në veprimtarinë e tij, diplomati austro-hungarez në Cetinë, Weinzel, sugjeroi që; “të kalohet nga gjuha diplomatike, në veprimtarinë e hapur propagandistike, kundër veprimeve të tij”. “Ndoshta do të kishte për të qenë me vend që sapo të dalë në dritë dhe të rezultojë jo e dyshimtë propaganda e Prengë Pashës dhe mjetet e përdorura, ajo të luftohet po me të njëjtat armë. Është e vështirë të pritet një sukses i vazhdueshëm, vetëm prej forcës së fjalës të Klerit Katolik, prej të cilit, duhet presupozuar gjithmonë një ‘buona fides’ e plotë. Kjo sepse, dështimi i vazhdueshëm i këtyre ndërhyrjeve pranë fiseve malësore, është një kujtim i freskët si në rastin e lëvizjes së malësorëve, vitin e kaluar, ashtu edhe prej prehistorisë së luftës së tanishme. (431)
Ndaj Prengës, si mjet presioni, u përdor ndihma financiare -, pasi Vjena dhe Roma prej vitesh, i jepnin subvencione. Konti Berchtold, në udhëzimet për diplomatët e tij në Cetinë dhe Durrës, ndër të tjera shkruan: “Prengë Bibë Dodës, iu aprovua një ndihmë prej 6000 frangash, nga Italia dhe për momentin mund t’i jetë premtuar, edhe ndonjë ndihmë e dytë. Kabinetet e Vjenës dhe të Romës, kanë vendosur t’i japin instruksione të përbashkëta autoriteteve të përfaqësive të tyre, për t’i thënë shefit në fjalë, fjalët e mëposhtëm: “Duhet t’i largohet çdo veprimi separatist dhe duhet të merret vesh me krerët e tjerë shqiptarë, duke bashkëpunuar me ta, për forcimin e autonomisë shqiptare.
Përpjekjet e tij, duhet të shkojnë në drejtim të eliminimit të diferencave midis fiseve dhe bajraktarëve të ndryshëm; ai duhet të influencojë midis tyre, për të dominuar rregulli dhe vëllazërimi pa dallim feje. Qëllimi i vetëm që çdo shqiptar duhet ta ketë para syve, është autonomia e atdheut, mbrojtja e tij nga çdo cënim dhe ndalimi i çdo ndërhyrje të huaj. Në rast se zotëria juaj, do të takohet me të, ju lutem të flisni si më sipër dhe të keni respektin të shtoni se; “vazhdimi i subvencioneve ndaj tij, do të varet nga respektimi i këshillave të mësipërme. Së fundit, ju lutem që instruksionin e mësipërm, t’ia transmetoni Shkodrës, respektivisht Konsullit të Përgjithshëm, von Zambaur, me t’u paraqitur rasti më i parë e i sigurt”. (432)
Fillimisht ishte menduar që pjesa katolike e Veriut t’i bashkohet Qeverisë së Vlorës edhe pa mbështetjen e Prengës. Kaçorri dhe Gurakuqi u anagzhuan që pas largimit të forcave serbe, të ngrinin flamurin kombëtar në ato treva, që ato t’i bashkëngjiten Qeverisë së Përkohshme. Ishte ngritur flamuri në Kuvendin e Rubikut, Perlat (433) dhe Kthellë. (434) Po kështu, ata u angazhuan që të gjitha trevat e Shqipërisë së Veriut, ta njihnin Qeverinë e Vlorës. Në funksion të këtij synimi, me 26 dhjetor 1912, Nikollë Kaçorri, bëri një mbledhje në Orosh të Mirditës, me pjesëmarrjen e Matit, Mirditës, Dibrës, Pukës, Malësi e Lezhës, Dukagjinit dhe Bregut të Matës, me synimin që përfaqësuesit e krahinave të lartpërmendura, ta njihnin qeverinë e Vlorës. (435)
Por Mirdita, në mungesë të Princit të vet, u qeveris nëpërmjet Kapidan Marka Gjonit dhe Abat Prend Doçit. Krahina, nuk iu bashkua Qeverisë së Vlorës, deri sa Prenga u kthye nga jashtë vendit dhe mori funksione në atë Qeveri. Bashkimi i Mirditës me Qeverinë e Vlorës, u bë vetëm në kushtet e përfitimeve politike për Bibë Dodën, që mori portofolin e numrit numër dy të shtetit. Në mungesë të vullnetit të Prengës, për bashkim kombëtar, këtë proces në Mirditë, nuk e shpejtuan as klerikët, që mezi kishin pritur çlirimin prej Turqisë, sepse Abat Doçi, ishte kthyer në këshilltar politik për Princin dhe ishte angazhuar me kauzën e tij. Ndërsa qeveria austro-hungareze u soll ashpër, ajo italiane u soll më butë. Italianëve, nuk u interesonte të prisheshin me Prengë Bibë Dodën, sepse u prisheshin planet ndaj Shqipërisë. (436)
Tendenca e qeverisë së Romës, për të vënë në shërbim të saj, influencën e Prengë Bibë Dodës, ka të bëjë me konsideratat që kishte konsullata për firmën milaneze “Vismara”. Në një raport diplomatik Italian, shkruhet: “Duke ndikuar mbi Dukën e Avarnës, do të bëhen përpjekje që Italia drejtpërdrejt, të ndikojë në planet politike të Prengë Bibë Dodës dhe në këtë rast, do të vihet në plan të parë argumenti se formimi i Mirditës si një njësi administrative e pavarur, nën një kryetar të trashëguar, do të duket si një shtet brenda shtetit dhe në kundërshtim me idenë e krijimit të shtetit shqiptar modern. Prandaj, dhënia e subvencionit, duhet të bëhet pas qëndrimit korrekt të tij dhe kjo duhet t’i thuhet si qëndrim privat i yti” (437)
Mesa duket, Prenga nuk ua vuri veshin këshillave dhe atëherë Ministria e Punëve të Jashtme në Vjenë, i kishte dhënë udhëzime Ambasadorit Von Merey në Romë, që; “t’i thuhet San Xhulianos; se qysh në fillim të këtij viti, shteti austro-hungarez, i kishte hequr shefit të mirditasve, subvencionin që e merrte prej dhjetë vjetësh, sepse gjatë krizës së tanishme, me gjithë paralajmërimet dhe përsëritjet për t’u kthyer në Atdhe dhe për të vënë të gjitha forcat në shërbim të vendit të tij, ka insistuar për t’u endur jashtë shtetit dhe për të konspiruar me Serbinë dhe Malin e Zi, me qëllim që të vihet në krye të një principate të pavarur, prej shteteve ballkanike në Shqipërinë e Veriut. (438) Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- Raport konfidencial nga Legata e Austro-Hungarisë në Cetinë, për ministrin e Punëve të Jashtme, Berchtold ku informohet në lidhje me lëvizjet e Prengë Bibë Dodës dhe pikëpamjet e tij për bashkëpunimin e shqiptarëve katolikë me ata myslimanë e ortodoksë.Rap. Nr. 104/B, Konfidencial, Cetinë, më 17 dhjetor 1912, Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze (1912), Vëllimi VII, Qëndra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, përgatiti Marenglen Verli, Ledia Dushku, Tiranë 2014, f.79-81
- Informacion tepër konfidencial i konsullit austro-hungarez, Zambaur, dërguar nga Shkodra ministrit Berchtold, lidhur me veprime të lëkundura të Prengë Bibë Dodës, dhe reputacionin e dobët që ai gëzonn në Malësinë e Madhe, Konsullata e përgjithshmë – Shkodër, Shqipëri, regjistruar më 11 nëntor 1912, Shqipëria në Dokumentet Austro-Hngareze (1912)Vëllimi VI, përgatiti: Marenglen Verli, Ledia Dushku, Botimet Albanologjike, 2012, Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë, Tiranë, F.146-147
- Njoftim i diplomatit Ledinegg nga Tivari, dërguar ministrit të Punëve të Jashtme, kontit Berchtold, ku informohen mbi mbërritjen aty të Prengë Bibë Dodës, Nr. 37, Tivar, më 2 dhjetor 1912, Shqipëria në Dokumentet Austro-Hngareze (1912)Vëllimi VI, përgatiti: Marenglen Verli, Ledia Dushku, Botimet Albanologjike, 2012, Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë, Tiranë, f.406
- Telegram shifër i baronit Gisel nga Cetina, për ministrin e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, kontin Berchtold, në lidhje me Prengë Bibë Dodën dhe bashkëpunim me të, Nr. 766, Tel. 194, Cetinë, më 4 dhjetor 1912, Shqipëria në Dokumentet Austro-Hngareze (1912)Vëllimi VI, përgatiti: Marenglen Verli, Ledia Dushku, Botimet Albanologjike, 2012, Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë, Tiranë, f.424
- Telegram shifër i baronit Gisel nga Cetina, për ministrin e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, kontin Berchtold, në lidhje me Prengë Bibë Dodën dhe bashkëpunim me të, Nr. 766, Tel. 194, Cetinë, më 4 dhjetor 1912, Shqipëria në Dokumentet Austro-Hngareze (1912)Vëllimi VI, përgatiti: Marenglen Verli, Ledia Dushku, Botimet Albanologjike, 2012, Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë, Tiranë, f.424
- Telegram i shifruar i baronit Giesl, ministër i Austro-Hungarisë akredituar në Cetinë, me të cilin nformohen flirtet e Prengë Bibë Dodës me mbretin e Malit të Zi, për ët siguruar para dhe armë, Nr. 2748, Tel. Nr. 207, Cetinë, më 13 dhjetor 1912, Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze (1912), Vëllimi VII, Qëndra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, përgatiti Marenglen Verli, Ledia Dushku, Tiranë 2014, f.55
- Telegram shifër i ambasadorit austro-hungarez, von Merey nga Roma, dërguar eproprëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në lidhje me Prengë Bibë Dodën dhe pikëpamjet e tij, Nr. 6521, Tel. Nr. 203, Romë, më 27 nëntor 1912, Shqipëria në Dokumentet Austro-Hngareze (1912)Vëllimi VI, përgatiti: Marenglen Verli, Ledia Dushku, Botimet Albanologjike, 2012, Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë, Tiranë, f.343-344
- Telegram i kontit Aehrenthal dërguar konsullit Zambaur dhe ambasadorit Pallavicini, ku kundërshtohet qëndrimi i Zambaurit ndaj Prengë Pashë Bibë Dodës, Nr. 5003, Nr. 13 shifër Pera, më 14 janar 1912, Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze (1912), Vëllimi I, përgatitija dhe redaktimi Beqir Meta dhe Sokol Gjermeni, Botimet Albanologjike, 2014, Qendra e Studimeve Albanologjike, Istituti i Historisë, f.104
- Relacion i ministrit fuqiplotë, Geisl, nga Cetina, për ministrin e Punëve të Jashme të Austro-Hungarisë, kontin Berchtold, në lidhje me Prengë Bibë Dodën dhe bashkëpunimin me të, Nr. 102 – B, Cetinë, më 6 dhjetor 1912, Shqipëria në Dokumentet Austro-Hngareze (1912)Vëllimi VI, përgatiti: Marenglen Verli, Ledia Dushku, Botimet Albanologjike, 2012, Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë, Tiranë, f.442-443
- Relacion i ministrit fuqiplotë, Geisl, nga Cetina, për ministrin e Punëve të Jashme të Austro-Hungarisë, kontin Berchtold, në lidhje me Prengë Bibë Dodën dhe bashkëpunimin me të, Nr. 102 – B, Cetinë, më 6 dhjetor 1912, Shqipëria në Dokumentet Austro-Hngareze (1912)Vëllimi VI, përgatiti: Marenglen Verli, Ledia Dushku, Botimet Albanologjike, 2012, Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë, Tiranë, f.442-443
- Vj.23-28-2831, Raport i Ambasadorit të Austro-Hungarisë Merey drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, Romë 27 korrik 1913
- Telegram shifër Nr.5097 i Ambasadorit austro-hungarez Von Merey drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Romë, Vjenë, 22 korrik 1913
- Telegram i ministrit të Puënve të Jashtme, Barchtold, dërguar ambasadorit në Romë, në lidhje me Prengë Bibë Dodën dhe bashkëpunimin me të, Prot. Nr. 3753, Vjenë, më 5 dhjetor 1912 , Shqipëria në Dokumentet Austro-Hngareze (1912)Vëllimi VI, përgatiti: Marenglen Verli, Ledia Dushku, Botimet Albanologjike, 2012, Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë, Tiranë, f.429
- Telegram shifër i ministrit të Punëve të Jashtme, Berchtold, dërguar ambasadorit në Romë, në lidhje me Prengë Bibë Dodën dhe bashkëpunimin me të, Nr. Prot. 3706, Vjenë, më 3 dhjetor 1912, Shqipëria në Dokumentet Austro-Hngareze (1912)Vëllimi VI, përgatiti: Marenglen Verli, Ledia Dushku, Botimet Albanologjike, 2012, Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë, Tiranë, f.415-41
- Telegram shifër i nënpunësit të legatës austro-hungareze në Cetinë, Weinzetl, për eproprët në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë, në lidhje me marrëdhëniet e Prengë Bibë Dodës me mbretin e Malit të Zi, Cetinë, pa datë, Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze (1912), Vëllimi VII, Qëndra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, përgatiti Marenglen Verli, Ledia Dushku, Tiranë 2014, f.150-152
- Telegram i ministrit të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, kontit Berchtold nga Vjena dërguar baronit Giesl në Cetinë dhe nënkonsullit Rudnay në Durrës, në lidhje m e Prengë Bibë Dodën dhe bashkëpunimin me të. Nr. Prot. 3740-3741, Tel. Nr. 128, Vjenë, më 5 dhjetor 1912 Shqipëria në Dokumentet Austro-Hngareze (1912)Vëllimi VI, përgatiti: Marenglen Verli, Ledia Dushku, Botimet Albanologjike, 2012, Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë, Tiranë, f.430.
- Hajredin Isufi, Nikollë Kaçorri…,f..370.434. Sali Ajazi, Nikollë Kaçorri…,f.112.435.Revista “Hylli i Dritës” viti 1912
- HHSt HA PA, Vj.23-28-2831, Raport i Ambasadorit të Austro-Hungarisë Von Merey drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, Romë, 27 korrik 1913437. HHStA-PA-Vj.23-15-1585, Udhëzime të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, Ambasadorit Von Merey në Romë, Konsullit Zambaur në Shkodër, Vjenë12 gusht 1913
- HHStA-PA-Vj, Telegram shifër i Ministrit të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Kontit Berchtold drejtuar Ambasadorit austro-hungarez në Romë, Nr.prot.5841, Vjenë 27 korrik 1913
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016