Nga ASLLAN BUSHATI
Memorie.al / Sa herë që afrohet 20 dhe 21 shkurti i çdo viti, fluturimthi mendja me shkon tek ngjarjet e një çerek shekulli më parë. Ishte shkurti i vitit 1991, kur u ndodha në vorbullën e ngjarjeve të pa harruara të atij viti, të cilat tashmë kanë hyrë në histori dhe për to është folur gjatë. Edhe unë kam shkruajtur kujtime, artikuj të ndryshëm dhe kam dhënë intervista. Por në këtë shkrim, do të përpiqem të mos përsëris ato që kam thënë, por të shpreh disa ndjesi të mijat personale, për mjedisin ushtarak të asaj kohe.
Për të ardhur tek 20-21 shkurti, kalendari i vitit 1990 dhe janar-shkurti i 1991, ishte i mbushur me shumë ngjarje, por më i madhi ishte ardhja e pluralizmit, ku më 12 dhjetor 1990 u formua Partia Demokratike. Kjo ngjarje për pjesën më të madhe të ushtarakëve të lartë ishte si një bombë atomike, sepse pjesa kryesore e nomenklaturës së lartë të ushtrisë, ishte e lidhur me një mijë fije, me udhëheqjen e lartë komuniste.
Kurse për një pjesë fare të vogël (përfshi edhe mua), formimi i PD-së, ishte një gëzim dhe një shpresë shumë e madhe, për t’u larguar nga nepotizmi, format dhe tutela e regjimit totalitar. Në atë moment unë isha Zëvendës Drejtori i Drejtorisë së Kimisë së Ushtrisë dhe kisha një përvojë pune 22 vjeçare, nga komandant toge, deri në atë post, pa ndihmën dhe përkrahjen e askujt, por vetëm me punë cilësore, kualifikim dhe përkushtim në shërbim të atdheut.
Në asnjë aspekt nuk ndjehesha borxhli para askujt, sepse askush nuk më kishte bërë ndonjë privilegj personal. Ndjehesha kompetent, krenar për punën që bëja, por edhe prudent në hapat që hidhja, sepse situata ishte shumë e rrezikshme. Në këtë kohë vajzat e mija ishin të vogla, por në një farë mënyre kisha nën mbikëqyrje fëmijët e një kolegut tim të Kimisë, (Ndue Isufi nga Kurbini- në atë kohë me banim në Berat), Agron dhe Arta Isufi, të cilët ishin studentë.
Që në grevat e studenteve Agronin e provokova me një slogan të rëndomtë të sferave të larta, për të parë në se ishte i vetëdijshëm ai vetë për ato që donin të bënin studentët, apo shkonte mbas berihajit. Duke ditur se gjyshi tij nga nëna ishte kosovar, dhe kishte vuajtur nëpër burgje, i thashë: “Agron , kosovarët që janë këtu, thuhet se më shumë janë agjentë të Serbisë se sa atdhetarë, prandaj ndoshta është mirë të mos lidhesh fort me to në këto situatë të turbullta të lëvizjes studentore”.
Ai mu përgjigj: “Më vjen shumë keq që e dëgjoj një gjë të tillë për kosovarët nga goja juaj”. Nuk i thashë se e provokova, sepse u binda se ishte i vendosur për të marrë pjesë në lëvizjen studentore. Thellë në shpirt m’u bë qejfi se ishte në anën e duhur. Agroni dhe Arta morën pjesë në lëvizjen studentore dhe më 18 shkurt 1991, më thonë se; “Kemi vendosur të futemi në grevë urie, së bashku me studentët e tjerë, deri sa qeveria ta heq nga universiteti emrin e Enver Hoxhës”.
U thashë se do të jetë një ndërmarrje e vështirë në radhë të parë për shëndetin tuaj, por mendimi juaj është i drejtë dhe e respektoj. Kështu në pasditen e 19 shkurtit së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat, shkuam tek studentët e grevës urisë në “Qytetin Studenti”, me synim që të takonim Agronin dhe Artën e, t’ju jepnim diçka për të ngrënë, para se të futeshin në grevë.
Për fat të keq nuk i takuam, por qëndruam me studentët 3-4 orë. Isha i veshur ushtarak dhe në një moment Azem Hajdari më tha “Të falenderoj që ke ardhur me familjen këtu, por duke qenë me uniformë ushtarake, ndoshta po rrezikohesh”. Më pas kur punoja në Partinë Demokratike në Departamentin e Mbrojtjes, Azami pa ma ka përmendur këtë gjë si një çmenduri të vogël, të vitit 1991.
Të nesërmen në orët e para të mëngjesit të 20 shkurtit, situata në Ministrinë e Mbrojtjes ishte shumë e tensionuar. Vinin pa ndërprerë fonograme e mesazhe nga poshtë për situatën, u bënë dy mbledhje me funksionarët kryesor, u dëgjuan vlerësime për situatën në “Qytetin e Studenti” dhe çdo gjë ishte në një shkallë të lartë gatishmërie, por edhe një presion psikologjik në rritje ishte i pranishëm.
Nga jashtë godinës Ministrisë, dëgjoheshin brohoritje e parulla të ndryshme dhe krejt pa pritur një sasi e madhe demonstruesish të mbledhur në “Sheshin Skenderbej”, filluan të drejtohen në drejtim të Hotel “Dajtit” në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në këtë moment në një makinë të vogël me megafon në dorë u shfaq Neritan Ceka, i cili u bënte thirrje demonstruesve të ktheheshin prapa në shesh.
Këto skena i pashë nga dritaret e Ministrisë së Mbrojtjes dhe më pas hipa në tarracë nga ku pashë edhe rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës. Në vetvete u gëzova pa masë dhe zbrita poshtë për në zyrë, por gëzimin nuk mund ta shfaqja, sepse korridoret gumëzhinin nga zhurma, të thirrurat me zë të lartë dhe thirrjet frenetike se: “Kush e tradhtoi Enver Hoxhën? Kush e tradhtoi Komandantin e Përgjithshëm? Kush e tradhtoi atdheun? Kush na i vrau idealet tona? Pse qëndrojmë me armë në brez e në krah dhe s’jemi në gjendje të bëjmë asgjë”?
Ishim me të vërtetë të gjithë të armatosur rëndë dhe përplasja më e vogël, mund të degradonte tek përdorimi i armëve. Me indiferencë i kalova zhurmaxhinjt e korridoreve, shkova në zyrë dhe në orën tre u largova për në shtëpi. Pas dite nuk dola në zyrë, por edhe në shtëpi pata shumë telefonata, nga vartës, kolegë dhe miq. Me secilin fola vetëm zyrtarisht, pa emocione dhe me një farë vet-përmbajtje, pa shfaqur gëzimin që ndjeja në veten time.
Të nesërmen më 21 shkurt, situata ishte më e zymtë dhe më shpërthyese se një ditë më parë. Në mesditë u mblodhëm në sallën e madhe nën drejtimin e Ministrit (Kiço Mustaqi) dhe Shefit Shtabit Përgjithshëm (Halim Abazi). Dëgjuam komunikatat operative të ardhura nga njësitë dhe repartet. Kudo flitej për gjendje të tensionuar, por fokusi u kthye nga shkollat ushtarake, sepse prej tyre kishte ardhur dhe një njoftim që bënte me dije krijimin e të ashtuquajturit “Komiteti Ushtarak për Shpëtimin Kombëtar”.
Pas leximit të këtij materiali gjendja u bë më shpërthyese, parullat e ditës së mëparshme të thëna korridoreve filluan të hidheshin në sallë; “Kush e tradhtoi Enver Hoxhën? Kush e tradhtoi Komandantin e Përgjithshëm? Pse nuk u mbrojt monumenti tij në qendër të Tiranës? Kush ka përgjegjësi për këtë tradhti kombëtare? Tradhtarët të arrestohen dhe po qe nevoja, të pushkatohen. Shtatorja e Enver Hoxhës e Shkollave Ushtarake të transferohet dhe të vendoset në vendin e atij që u rrëzua. Ushtria të marr situatën në dorë dhe të stabilizojë jetën e vendit, etj”.
Shkurt në frymën e dokumentit të ardhur nga shkollat ushtarake, propozohej hapur kryerja e një lëvizje te beftë politike, duke sjellë në fuqi ushtrinë, për të shpëtuar gjoja atdheun, por në fakt bëhej fjalë për funksionet, njerëzit dhe strukturat e regjimit totalitar 46 vjeçar. Ministri i ndodhur ngushtë nga pyetjet dhe për të lënë të kuptohet se si person dhe shtetar ishte i pastër, por dhe i fuqishëm tha se: “Përgjigja e këtyre pyetjeve i kalon kufijtë e kompetencave të mija si ministër, prandaj qëndroni këtu, sepse unë për 10-15 minuta, do të sjellë me të mirë a me të keq para jush, Komandantin e Përgjithshëm. Ai ka kompetencë t’ju përgjigjet pyetjeve tuaja”.
Ashtu ndodhi gati për 10 minuta e solli në sallë Presidentin Ramiz Alia. Ky moment është komentuar si një arrestim i ish- Presidentit nga Ministri Mbrojtjes, me një staf të afërt të Shërbimit Sekret ushtarak. Këtë as nuk mund ta pohoj, por edhe as nuk mund ta mohoj. Ajo që mund të them është se Presidenti Alia kur hyri në sallë, ishte shumë i zbetë në fytyrë, dhe filloi të fliste me një zë krejt të mekur dhe gishtërinjtë e duarve që po i dridheshin, kur filloi të fliste.
Në një moment kur po fliste për figurën e Enver Hoxhës, filloi të lotonte, për t’u treguar të pranishmëve se jo vetëm nuk i kishte tradhtuar idealet dhe veprën e tij, por me qetësimin e situatës, do të vendoste çdo gjë në vendin e duhur. Përmbajtjen e bisedës së tij e kam treguar më parë dhe gjykoj se nuk është e nevojshme ta përsëris. Por ajo qe dua të theksoj, është se me një mendim të qartë, me slogane komuniste, me fjali të shkurtra, me fjalë angazhuese, me lëvdata për kuadrot e ushtrisë dhe veçanërisht të Ministrisë së Mbrojtjes, e qetësoi situatën dhe e solli aty ku ai deshi.
Situata e një grushti shteti nga ushtria ose shpërthimi i një lufte civile në Shqipëri, u eliminu pikërisht nga Ramiz Alia e, nga ajo sallë e Ministrisë së Mbrojtjes, më datën 21 shkurt 1991. Pas vitit 1974, unë e kam urryer me gjithë shpirt regjimin komunist në Shqipëri. Për Ramiz Alinë nuk kam patur asgjë simpati, por nuk e kam urryer siç urreja disa udhëheqës të tjerë të kupolës lartë komuniste.
Por me ato që pashë në sallën e Ministrisë së Mbrojtjes më 21 shkurt, me bisedën që bëmë në telefon me Shefin e Shtabit Përgjithshëm, Halim Abazaj, më 22 shkurt, për ndalimin e përdorimit të kloropikrinës (lende helmuese shqetësuese) kundër demonstruesve në Sheshin “Skënderbej”, me menaxhimin e situatave të pas shkurtit 1991, me logjikë të ftohtë mund të pohoj se Ramiz Alia e ndaloi puçin ushtarak te vepronte dhe nuk lejoi zhvillimin e një lufte civile në Shqipëri. Shpresoj që edhe historianët të jenë në të njëjtin mendim me mua, duke ja njohur këtë meritë Ramiz Alisë, pavarësisht se nuk më lidh asgjë me atë as si person dhe as si funksionar i atij regjimi.
Përsa i përket të ashtu quajturit ”Komiteti Ushtarak për Shpëtimin Kombëtar” të krijuar nga drejtues, pedagogë, akademistë e studentë të shkollave ushtarake, mendoj se ishte një reagim i pjesës me konservative të Byrosë Politike. Ai ishte presion i hapur ndaj rrugës pluraliste dhe drejt për së drejti kundër Ramiz Alisë, me veprimet e të cilit ata ishin shumë të pa kënaqur, se po humbitnin gjithë privilegjet e regjimit të mëparshëm. Ideatorët e këtij komiteti, ishin njerëzit më të afërt të kastës sipërpërmendur.
Ata nxorën në krye një oficer (ish-akademist), person të cilin e kam njohur kur jepja mësim si pedagog i jashtëm në Akademinë e Mbrojtjes. Ai ishte një student i nivelit mbi mesatar, i sjellshëm, i etur për dije, por aspak një protagonist i përmasave për të realizuar kthesa të mëdha, si ato të thëna në deklaratë. Mendoj se ai si person, nuk kish asnjë lidhje me nomenklaturën e lartë komuniste, pra ai ishte vetëm fasadë, ishte si figurant, prapa të cilit fshiheshin beniaminët e Byrosë Politike.
Pas rezistencës së fortë të Partisë Demokratike dhe të qytetarëve të Tiranës, të cilët e mbushën “Rrugën e Dibrës” me pengesa të pa kalueshme, pas deklaratave të qytetarëve se; “vetëm kur të kaloni mbi trupat tona, mund ta rivendosni monumentin e diktatorit në sheshin qendror të Tiranës”, pas zbutjes që i bëri Ramiz Alia situatës në Ministrinë e Mbrojtjes, i ashtu quajturi “Komitet i Mbrojtjes Kombëtare”, u shfry si një tullumbace. Por ai i la historisë së Ushtrisë Shqiptare një njollë të shëmtuar, e cila do të përmendet gjithmonë në historinë e Shqipërisë.
Rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës (afro tre dekada e sa më parë), më 20 shkurt 1991, që i bënte hije e karshillëk monumentit dhe “Sheshit Skenderbej”, e kam përjetuar si vdekjen e dytë të diktatorit, si një ndjenjë që rrallë të takon ta përjetosh dy herë në jetë, si çlirimin tim shpirtëror, të familjes, gjakut e gjinisë time, si një shpëtim i shqiptarisë nga kolera komuniste.
Me këtë rast dua të t’ju shpreh mirënjohjen time personale studentëve, popullit të Tiranës e gjithë Shqipërisë, Partisë Demokratike dhe udhëheqësve të saj, që e bënë një gjë të tillë. Nëse fjala mirënjohje e përfaqëson në mënyrën më të plotë të mundshme veprën e tyre, atëherë e gëzofshi atë nga zemra e një ish-ushtaraku të lartë të Ushtrisë Shqiptare. / Memorie.al