Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e pestë
Memorie.al / Që nga fundi i nëntorit të vitit 1944 kur erdhi zyrtarisht në pushtet, e deri sa vdiq në vitin 1985, diktatori komunist Enver Hoxha, duke dashur që t’i ngjante idhullit të tij, Josif Visaranoviç Stalinit dhe duke ndjekur “rrugën” e tij, hera herës ndërmerrte spastrime në udhëheqjen e lartë të PPSH-së, gjë të cilën praktikisht e kishte filluar që nga viti 1941, me Anastas Lulën e Sadik Premten, e vazhdoi me Koci Xoxen (dhe grupin e tij) në vitin 1948-’49 dhe e mbaroi në vitin 1981-’82, me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut”. Në këtë interval kohor prej më se katër dekadash, siç dihet tashmë, ai eliminoi pothuaj të gjithë themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare, anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe drejtuesit kryesorë të ashtuquajturës “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare”, aq sa nga viti 1960 e, deri në shembjen e regjimit komunist në 1990-ën, vetëm Pilo Peristeri kishte shpëtuar nga burgu apo internimi, duke iu gëzuar privilegjeve si kandidat i përjetshëm i Byrosë Politike dhe funksionit të drejtorit të Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”!
Por, ndryshe sa kishte bërë deri në fillimin e viteve ’70-të, ku “shpata” e Enver Hoxhës kishte rënë kryesisht mbi udhëheqjen e lartë të PKSH-së, (Koci Xoxe, Kristo Themelko, Sotir Vullkanim Ramadan Çitaku, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Liri Gega, Gjin Marku, Koço Tashko, Liri Belishova, etj.), të cilët ai i kishte akuzuar për “devijatorë të vijës së Partisë” dhe i kishte dënuar si “tradhtar dhe armiq të popullit”, në mesin e viteve ’70-të, diktatori Enver Hoxha filloi goditjen edhe ndaj disa anëtarëve të Byrosë Politike, që mbanin edhe poste ministrore, si Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi, duke i akuzuar ata edhe si “sabotatorë” të Ekonomisë Socialiste”!
Dhe ashtu siç kishte bërë me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon, (të cilët u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan), ku për të vërtetuar “veprimtarinë e tyre armiqësore”, Enver Hoxha dënoi me burgje dhe internime edhe një grup të madh oficerësh madhorë, edhe me të ashtuquajturin “Grupi sabotator i Ekonomisë”, ku përveç Këllezit dhe Theodhosit, bënin pjesë edhe dy ministrat Kiço Ngjela e Vasil Kati, u akuzuan dhe u dënuan edhe disa funksionarë të lartë të sektorit të Tregtisë, drejtorë e specialist të njohur, siç ishin Andrea Manço, Ahmet Jegeni, Bardhyl Frashëri etj., si dhe të sektorit të Naftës, si; drejtues, inxhinierë e specialist të njohur, si; Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Nuredin Skrapari, etj.
Siç do të shohim edhe në dokumentet në fjalë, procesin hetimor ndaj ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor e sabotator i Ekonomisë”, që kishte realizuar Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit, me akuza të montuara dhe dëshmi të rreme apo të marra nën torturë, etj., e vazhdoi edhe Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë me në krye Aranit Çelën, duke i “kanalizuar” akuzat edhe nga ana “juridike”, për të “vërtetuar” ato që kishte thënë Enver Hoxha në Plenumet e Komitetit Qendror të PPSH-së, ndaj Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit etj.
Sa më sipër për të gjithë këta, pas viteve ’90-të, është folur dhe shkruar shumë, si nga pjesëtarë të atyre “grupeve”, familjarë të tyre, etj., etj., Memorie.al ka siguruar dokumentet arkivore të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë të asaj kohe dhe ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku është marrë në shqyrtim “Grupi armiqësor i Ekonomisë”, “Tregtia” dhe “Nafta”, të cilat shohin dritën e botimit për herë të parë, dokumente të cilat po i publikojmë në disa numra, bashkë me fotot e faksimilet përkatëse.
Në pjesën e parë dhe të dytë të këtij cikli shkrimesh, po publikojmë dokumentet ku bëhet fjalë për ish-drejtorit të Makinaimportit, Andrea Manço me origjinë nga fshati Boboshticë e Korçës,, vëllai i të cilit Todo Manço, për vite me radhë kishte shërbyer si kryeinxhinier dhe drejtor i minierës së kromit të Bulqizës, e gjithashtu për disa legjislatura me radhë edhe deputet i Kuvendit Popullor, i cili kur u nda nga jeta më 6 nëntor 1974, iu bë një ceremoni madhështore mortore, me homazhe në qendër të kryeqytetit, ku përveç Enver Hoxhës, mori pjesë e gjithë udhëheqja e lartë e PPSH-së, me në krye kryeministrin Mehmet Shehu. Ndërsa Todo Manços, (“Hero i Punës Socialiste”) do t’i bëheshin gjithë këto nderime, vëllai i tij, Andrea, afro dy vjet më pas, do të torturohej në qelitë e Sigurimit të Shtetit dhe do të dënohej me vdekje, me pushkatim, si “armik i popullit” dhe “agjent i agjenturave të huaja”, e varri i tij, ende nuk është gjetur!
RELACIONI I GJYKATËS SË LARTË TË KRYESUAR NGA ARANIT ÇELA, DËRGUAR PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, PËR PROCESIN GJYQËSOR NDAJ “GRUPIT ARMIQËSOR” NË SEKTORIN E NAFTËS, ME NË KRYE FILIP NASHIN, KOÇO PLAKUN DHE MILTO GJIKOPULLIN
RELACION
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tiranë më 21.6.1976
GJYKATA E LARTË
Nr.381
Presidiumit të Kuvendit Popullor
Tiranë
Nga veprimet sabotuese të kryera në vend-burimet ekzistuese me qëllim për ta lënë vendin pa naftë, kanë ardhur këto pasoja:
Në Visokë 70% e puseve në shfrytëzim janë inonduar dhe që përfshijnë 85% të sipërfaqes naftëmbajtëse; në Ballsh janë inonduar 65% e puseve në shfrytëzim dhe që zënë 70% të sipërfaqes naftëmbajtëse; në Gorisht – Kocul janë inonduar 20% e puseve në shfrytëzim dhe që zënë 18% të sipërfaqes naftëmbajtëse. Gjatë pesëvjeçarit të pestë nga vendburimet ekzistuese si rezultat i shfrytëzimit barbar të tyre, janë nxjerrë 515.227 ton naftë më shumë, se kuota e pesëvjeçarit.
- Të pandehurit Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Protoko Murati, Dhimitër Stefa e Jani Konomi, kanë kryer edhe krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor, duke e zhvilluar atë në forma e mjete të ndryshme.
- Të pandehurit Filip Nashi e Beqir Alija duke shkelur me dashje e me qëllim armiqësor vendimin e Sekretariatit të K. Q. të Partisë Nr.37 datë 20.I.1962 dhe Urdhëresën e Qeverisë Nr.1282 datë 20.6.1973, “Mbi disiplinimin e porosive, ardhjes dhe administrimin e literaturës së huaj”, kanë futur në bibliotekat e sistemit të naftës literaturë të huaj me përmbajtje borgjezo-revizioniste e armiqësore, në një pjesë prej të cilave flitet hapët kundër Partisë Punës Shqipërisë e Republikës Popullore të Shqipërisë; kundër Partisë Komuniste Kineze e Republikës Popullore të Kinës, kundër forcave marksiste-leniniste e përparimtare në botë. Janë lejuar që këto libra të lexohen lirisht si dhe të tjera me përmbajtje të theksuar pornografike.
- Nga të pandehurit Filip Nashi, Beqir Alija e Milto Gjikopulli, janë përkthyer e përhapur nëpërmjet “Buletinit Informativ”, disa artikuj të autorëve revizionistë sovjetikë me përmbajtje armiqësore, duke rekomanduar edhe vënien në jetë në vendin tonë të orientimeve sovjetike në fushën e kërkimit të naftës.
- Prej të pandehurve Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Milto Gjikopulli e Protoko Murati, janë shkruar, veças dhe së bashku, artikuj të ndryshëm të cilët janë botuar në revistën “Nafta e Gazi”, ku dalin qartë pikëpamjet e tyre armiqësore, mohohet lufta e Partisë sonë kundër revizionistëve jugosllavë e sovjetikë dhe armiqve të brendshëm që kanë sabotuar industrinë tonë të naftës, merren në mbrojtje sabotatorët sovjetikë, duke u shprehur për të ashtuquajtura koncepte antishkencore që i “diskredituan ata si specialistë” në vendin tonë dhe nuk thuhet hapët se ata kanë sabotuar në kërkimet e naftës e gazit, në vendin tonë.
- Kanë zhvilluar biseda me përmbajtje armiqësore dhe kanë komentuar lajmet e radiostacioneve armike, në dëm të Republikës Popullore të Shipërisë.
III. Të pandehurit Koço Plaku e Milto Gjikopulli, u vërtetua se kanë kryer edhe krimin e tradhtisë ndaj Atdheut në formën e spiunazhit, duke qenë agjentë të vjetër të Zbulimit Sovjetik. Milto Gjikopulli ka qenë rekrutuar si agjent në vitin 1959, nga “pedagogu” sovjetik Pjetër Leonti Digezvinski, prej të cilit ka marrë detyrën që të largohej nga Universiteti dhe të vendosej në naftë.
Në vitin 1961 nëpërmjet një agjenti tjetër “specialist” në naftë, ai ka marrë detyrën të sabotojë në kërkimet e naftës, porosi e cila i ishte përsëritur edhe në vitin 1966, nga kunata e tij, Elvira Babiçenko – agjente e Zbulimit Sovjetik.
Gjithashtu në vitin 1971, kur ai kthehej nga Republika Popullore e Kinës në Shqipëri, në hotelin e aeroportit të Moskës, nga agjentura sovjetike është porositur të vazhdojë sabotimin në kërkimet, duke projektuar puse me shkallë sigurie të ulët e kosto të lartë, të sabotojë në fushën e shfrytëzimit e përpunimit, duke shkelur teknologjinë për t’u shkaktuar avari e zjarre.
I pandehuri Milto Gjikopulli prej kohësh që është vënë në shërbim të revizionistëve sovjetikë e gjer në arrestimin e tij ka zhvilluar veprimtari konkrete sabotuese sidomos në fushën e kërkimit të naftës e gazit si projektues autor, bashkë-autor dhe anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit.
Edhe Koço Plaku, në gjithë qëndrimin e tij mohues, u vërtetua se ka qenë vënë në shërbim të zbulimit sovjetik nga “specialisti” Kozerjev dhe ashtu sikurse Milto Gjikopulli vazhdimisht e me ndërgjegje të plotë ka zbatuar detyrat e lëna, sabotimin sidomos në fushën e kërkimit të naftës dhe gazit.
Ai vetë ka qenë autor i projekteve të një sërë puseve që nuk kanë dhënë rezultat, ka vepruar si bashkautor në disa projekte, si shef i kabinetit të përgjithësimeve në Institut me dashje ka kaluar në Këshillin Shkencor projekte të pa pregatitura me kompleksin e punimeve dhe gjithmonë i ka miratuar ato.
- Të pandehurit Filip Nashi e Beqir Alija duke qenë me poste drejtuese në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës dhe në Institutin e Naftës e Gazit; kanë shpërdoruar edhe pozitën e tyre zyrtare, duke shpërndarë jashtë sistemit të naftës pajisje e makineri nga më të ndryshmet.
Proçesi gjyqësor vërtetoi se veprimtaria armiqësore sabotuese e të gjithë të pandehurve, është shtrirë në gjithë sektorët e naftës dhe gazit, ajo ka dëmtuar rëndë ekonominë socialiste, aftësinë mbrojtëse të vendit, ka synuar përfundimisht në rrëzimin e pushtetit popullor dhe si e tillë paraqet rrezikshmëri të madhe shoqërore.
Mbështetur në fakte të shumta, në veprime konkrete të grupit armik-sabotator, në atë ç’ka vetë pohuan pjesëmarrësit e tij, gjykata konkludoi se veprimtaria e tyre sabotuese është vazhdim i veprimtarisë së mëparshme sabotuese të kryer në industrinë e naftës dhe gazit dhe sidomos vazhdim i drejtpërdrejtë i punës armiqësore – sabotuese të kryer në këtë sektor nga revizionistët hrushovianë, gjersa të pandehurit Koço Plaku e Milto Gjikopulli si sabotatorë, vepronin duke qenë agjentë të Zbulimit Sovjetik.
Gjithashtu doli se veprimtaria sabotuese në naftë është e lidhur me veprimtarinë armiqësore dhe antiparti të zhvilluar në vendin tonë gjatë viteve të fundit në fushën ideologjike, si dhe me veprimtarinë armiqësore komplotistë e puçistë në ushtri, të kryesuar nga Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako.
Gjykata në përcaktimin e rrezikshmërisë shoqërore të të pandehurve, mbajti parasysh faktin se në nxitjen, shtrirjen dhe intensitetin e veprimtarisë sabotuese, sikurse u vërtetua nga gjithë hetimi dhe gjykimi i çështjes, një rol veçanërisht të rëndësishëm kanë luajtur armiqtë e popullit; Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Beqir Balluku e Pirro Gusho.
Me vendimin Nr.13 datë 17 Qershor 1976, Gjykata e Lartë dënoi me vdekje të pandehurit Koço Plaku e Milto Gjikopulli, sepse veprimtaria e tyre sabotuese është pjesë e pashkëputur e veprimtarisë së tyre, si agjentë të revizionistëve sovjetikë. / Memorie.al
Tiranë, më 21.6.1976
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016